View
5
Download
0
Category
Preview:
Citation preview
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 13.07.2020, ora 13:00
Drejton mbledhjen:
Milva Ekonomi – kryetare e Komisionit
Rendi i ditës:
1. Vijimi i shqyrtimit të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9357,
datë 17.03.2005 “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”, i ndryshuar”
2. Shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin
e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe
transferimit të fitimeve (BEPS)”
Marrin pjesë:
Milva Ekonomi, Arben Elezi, Xhevit Bushaj, Edlira Hyseni, Krenar Ryci, Evis Kushi,
Antoneta Dhima, Vullnet Sinaj, Blerina Gjylameti, Roland Xhelilaj, Anastas Angjeli, Ylli Shehu,
Senida Mesi, Eljo Hysko, Ervin Bushati,Suzana Topi, Artur Roshi, Reme Lala.
Mungon:
Korab Lita,
Të ftuar:
Adela Xhemali – Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë
Vasilika Vjero – Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë
Mimoza Dhembi - Drejtoreshe e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe
Ekonomisë
Nikolla Lera – Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Makroekonomisë në Ministrinë e
Financave dhe Ekonomisë
2
Ylvi Aga - Drejtor i Departamentit të Administrimit dhe Shërbimeve në Shërbimin
Informativ Shtetëror
Enkeleda Peka - Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike në Shërbimin Informativ Shtetëror
3
HAPET MBLEDHJA
Milva Ekonomi – Mirdita të gjithëve!
Jemi gati të fillojmë mbledhjen e radhës të Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Mbledhja e sotme ka në rendin e ditës dy çështje.
Çështja e parë:
-Vijimi i shqyrtimit te projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9357, datë
17. 03. 2005 “Për statusin e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit”, të ndryshuar”.
Çështja e dytë:
Shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e
masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe
transferimit të fitimeve (BEPS)”.
Për çështjen e parë, ne kemi të ftuar nga Ministria e Financave zonjën
Adela Xhemali, zëvendësministre, si dhe zonjën Mimoza Dhembi, drejtoreshë e
Përgjithshme e Buxhetit.
Nga Shërbimi Informativ Shtetëror kemi zotin Ylvi Aga, drejtor i Departamentit të
Administrimit dhe Shërbimeve, si dhe zonjën Enkeleda Peka, Drejtore e Drejtorisë Juridike.
Për pikën e dytë kemi të ftuar nga Ministria e Ekonomisë zonjën Vasilika Vjero
zëvendësministre, si dhe zotin Nikolla Lera, drejtor i Përgjithshëm i Politikave të
Makroekonomisë.
Gjithashtu, kemi caktuar edhe relatorët e çështjeve. Për çështjen e parë kemi caktuar
zonjën Antoneta Dhima, ndërsa për çështjen e dytë kemi caktuar zonjën Reme Lala.
Unë doja t’ju sillja në vëmendje, se për çështjen e parë e kemi bërë diskutimin, dhe zonja
Antoneta Dhima, si relatore, na e ka shpjeguar qëllimin e këtij projektligji, edhe të ftuarit
gjithashtu, por doja t’ju sillja në vëmendje se për disa çështje të projektligjit na u desh të
riktheheshim në një diskutim midis Ministrisë së Financave dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.
Ju vë në dijeni se gjatë kësaj kohe kemi zhvilluar dy mbledhje me këto dy ente, dhe kemi
rënë dakord që të bëjmë disa ndryshime në projektligjin e propozuar, pas dakordësisë me palët.
Unë nuk e di nëse zonja Dhima do të shtojë diçka përpara se ta kalojmë fjalën te dy
përfaqësuesit e institucioneve dhe tek përmbledhja që unë kam përpara meje.
Zonja Dhima, a kërkoni të shtoni diçka tjetër?
4
Antoneta Dhima – Faleminderit, zonja kryetare!
Faleminderit përfaqësuesve të Ministrisë së Financave për prezencën e tyre në këtë
mbledhje.
Në fakt, në mbledhjen e mëparshme ne kemi dëgjuar vetëm përfaqësuesit e SHISH, dhe e
kemi ndërprerë për shkak të disa problemeve, të cilat besoj se janë saktësuar nga ana e dy
përfaqësuesve, edhe e përfaqësuesve të ministrisë, edhe të përfaqësuesve të SHISH.
Projektligji që ne po diskutojmë është hartuar në përputhje me nenet 81 dhe 83 të
Kushtetutës, e gjithashtu është në harmoni të plotë me legjislacionin vendas. Nuk sjell ndryshime
thelbësore në statusin apo detyrat e punonjësve të SHISH, por rregullon aspekte të rëndësishme
të marrëdhënieve të punës, sikurse është vjetërsia e punës, periudha e kursit bazë apo ndërprerja
e marrëdhënieve të punës me shërbimin, kjo për t’i siguruar një status dhe një mbrojtje të veçantë
punonjësve të SHISH, të cilët përballen përditë me luftën kundër krimit të organizuar, kundër
korrupsionit, si dhe kundër fenomeneve të tjera, të cilat cenojnë sigurinë kombëtare. Është e
domosdoshme që edhe trajnimi i kësaj kategorie t’i përgjigjet vështirësive të punës së tyre.
Element thelbësor në këtë projektligj është forcimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i kuadrit
mbi të drejtat dhe detyrimet e punonjësve të shërbimit, përmirësim i cili do të ndikojë
drejtpërsëdrejti në rritjen e performancës së strukturave të SHISH-it. Qëllimi është përmirësimi i
statutit të punonjësve të SHISH-it, duke promovuar cilësinë dhe eficiencën në kryerjen e detyrës,
nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të punonjësve.
Në fakt, ndryshimet në ligjin aktual përmirësojnë në mënyrë të vazhdueshme
marrëdhëniet e punës në këtë shërbim, duke përcaktuar standarde të qëndrueshme qënga dita e
aplikimit për punë në këtë shërbim, e deri në përfundimin e marrëdhënieve të punës.
Aktualisht, që prej vitit 2005, statusi i punonjësve të SHISH rregullohet me ligjin
(shkëputje interneti)... 57, datë 17. 3. 2005 “Për statusin e punonjësve të Shërbimit Informativ
Shtetëror”, të ndryshuar...
Milva Ekonomi – Zonja Dhima, të lutem, duhet të kemi parasysh se një pjesë e këtyre
gjërave i kaluam dhe i diskutuam në mbledhjen e mëparshme, dhe e dimë arsyen se perse kemi
ardhur te ky projektligj. Domethënë, kryesisht arsyet lidhen me rregullimin e marrëdhënieve të
punës, ndërkohë që kishte disa pretendime midis palëve në lidhje me një dakordësi që kishte
nevojë të rishqyrtohej dhe të shikohej më thellë, midis Ministrisë së Financave, e cila mbledhjen
5
e kaluar na e parashtroi opinionin e vet, dhe SHISH-it, i cili kishte nevojë për ta parë edhe një
herë qëndrimin e Ministrisë së Financave në lidhje me disa çështje.
Për këtë arsye, ne bëmë dy mbledhje. Mbase një përmbledhje e shkurtër e atyre neneve,
për të cilat ne nuk kishim dakordësi në mbledhjen e parë, mund të ishte e dobishme. Unë mendoj
se edhe pas këtij leximi që ju bëtë, që sqaruat edhe një herë se perse e kemi përsëri në diskutim
këtë nismë sot, në mbledhjen tonë të radhës në komision, është mirë që unë të vazhdoja me një
situatë të këtij lloji. E para, t’ju bëja një apel, për të parë se sa njerëz jemi prezent, për të kaluar
në votimin në parim të këtij projektligji. Pastaj, në diskutimet nen për nen, ta shikonim sipas
dakordësisë që kemi rënë mes palëve gjatë dy takimeve që kemi pasur me përfaqësuesit e
institucioneve.
Kësisoj, të më falësh që të ndërpreva, por këto gjëra i kemi të diskutuara herën e kaluar,
dhe të gjithë anëtarët e komisionit kanë rënë dakord në lidhje me to.
Tani unë do të doja të bëja një listëprezencë.
Zoti Elezi. Ju shikoj të lidhur, por nuk e di nëse jeni prezent apo jo.
Zoti Elezi.
Arben Elezi – Këtu jam, kryetare!
Milva Ekonomi – Zoti Angjeli!
Zotin Angjeli nuk e shikoj të lidhur.
Zonja Dhima është këtu.
Zonja Gjylameti është këtu.
Zoti Bushati është këtu.
Zonja Kushi është këtu.
Zoti Xhelilaj!
Nuk e shikoj të lidhur zotin Roland Xhelilaj.
Zoti Xhevit Bushaj është këtu.
Zonja Reme Lala është këtu.
Zonja Senida Mesi nuk është futur ende.
Zoti Eljo Hysko është këtu.
Zoti Vullnet Sinaj është këtu.
Zonja Edlira Hyseni! Nuk është.
Zoti Krenar Rryçi! E shikoj që është prezent.
6
Krenar Rryçi – Këtu jam!
Milva Ekonomi – Po, e pashë se keni dalë me figurë tani.
Zoti Artur Roshi prezent.
Zoti Korab Lita nuk është lidhur.
Zoti Ylli Shehu është lidhur, pro nuk e shikoj me figurë.
Ylli Shehu – Po, po, këtu jam!
Milva Ekonomi – Faleminderit, Ylli!
Zonja Suzana Topi është prezent.
Tani, kalojmë një herë në votimin në parim të këtij projektligji.
Kush është dakord për ta miratuar në parim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime
në ligjin nr.9357, datë 17.03.2005 “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit”,
të ndryshuar”?
Kush është dakord?
Unë i shikoj të gjitha duart të ngritura. Dakordësia është unanime.
Faleminderit!
Kalojmë në diskutimet nen për nen. Do t’ju lutesha shumë të hapnit në ekranet tuaja, në
postën elektronike, ligjin që ju ka ardhur.
Në nenin 1 të këtij ligji nuk kemi asnjë ndryshim të propozuar nga diskutimi mes dy
grupeve. As në nenin 2 nuk kemi ndryshime.
Kush është dakord që nenet 1 dhe 2 të kalojnë ashtu sikurse e ka sjellë propozuesi?
Dakord të gjithë. Unanimitet.
Edhe në nenin 3 nuk kemi asnjë propozim nga diskutimet.
Kush është dakord për nenin 3?
Edhe në nenin 4 nuk kemi asnjë diskutim nga propozimet. Është ashtu siç e keni në
ekranet tuaja.
Kush është dakord?
Në lidhje me nenin 5 nuk kemi asnjë diskutim nga grupet e punës.
Kush është dakord?
Në nenin 6 nuk kemi asnjë...
Më falni! Në nenin 5 ka një ndryshim. Në nenin 5, sipas të cilit parashikohet trajtimi
financiar i mentorit, duke qenë se në relacionin shoqërues nuk është paraqitur një përllogaritje e
7
kostos financiare, u ra dakord që pas pikës 3 të shtohet një pikë e re, pika 4, me këtë përmbajtje:
“Në fund të pikës 1 shtohet fjalia me këtë përmbajtje: trajtimi financiar i mentorit përcaktohet me
vendim të Këshillit të Ministrave”.
Kush është dakord me këtë ndryshim që propozon grupi i punës?
Dakord! Prapë miratohet me shumicë.
Neni 6 nuk ka asnjë ndryshim. Është sipas idesë së propozuesve.
Neni 7 nuk ka asnjë ndryshim. Është sipas propozimit.
Kush është dakord? Vazhdojmë të jemi të gjithë dakord.
Neni 8 ka një ndryshim. Në nenin 8, pika 2 e projektligjit, sipas të cilit specifikohet që
emërimi jashtë vendbanimit do të konsiderohet transferim, për efekt të pikës 3, Ministria e
Financave propozon që në vijim të kësaj pike është e nevojshme të përcaktohet një periudhë
maksimale për transferimin e punonjësve, pasi e përcaktuar në këtë mënyrë mund të jetë shkak
për të krijuar abuzime dhe për të sjellë kosto të larta buxhetore.
Pas diskutimeve edhe me përfaqësuesit e SHISH-it, u ra dakord që periudha maksimale e
transferimit të jetë tre vjet. Kështu, riformulimi i nenit 8 bëhet si më poshtë vijon:
“Në nenin 11 bëhen disa shtesa si më poshtë: në pikën 1, pas fjalës ‘punonjësit’ shtohen
fjalët ‘jashtë vendbanimit’, dhe në fund të fjalisë shtohen fjalët ‘për një periudhë deri në tre
vjet’.”
Pika 3 ndryshohet me përmbajtjen si vijon, që është në vazhdim të asaj që kanë sjellë
propozuesit.
Kush është dakord që transferimi të ketë periudhë maksimale trevjeçare dhe të
ndryshohet neni 8 i projektligjit?
Dakord!
Kalojmë te neni 9, i cili është sipas asaj që ka sjellë propozuesi.
Kush është dakord?
Edhe neni 10 është sipas asaj që ka sjellë propozuesi.
Kush është dakord?
Neni 11 ka ndryshime. Pas diskutimeve që bëmë me të dyja palët, në nenin 11 të
propozuar parashikohet një shtesë mbi pagë, të cilën e përfiton drejtori dhe zëvendësdrejtori i
SHISH-it. Ministria e Financave u shpreh që, edhe duke qenë se drejtori e zëvendësdrejtori i
SHISH-it nuk mbajnë poste politike, kanë trajtim financiar të barasvlershëm me pozicionet e
8
ministrit dhe të zëvendësministrit. Si rrjedhojë, referuar ligjit nr. 9584/2006, trajtimi financiar i
këtyre punonjësve është shterues, pasi pagat e këtyre pozicioneve janë shumë më të larta se pagat
e tjera administrative. Kështu që nuk miratohet kjo gjë që është propozuar.
A ka ndonjë gjë për të shtuar Ministria e Financave?
Adela Xhemali – Ideja jonë ka qenë që paga e kryetarit të SHISHIT dhe të
zëvendëskryetarit të SHISH-it,është e përcaktuar në ligjin tjetër, në ligjin bazë, i cili rregullon
gjithë Shërbimin Informativ Shtetëror, dhe nuk është këtu vendi për të korrigjuar një pagë e cila
është në një ligj tjetër. Kjo ishte ideja.
Milva Ekonomi – Prandaj, neni 11, që ka ardhur në propozim, nuk e fiton dot qenien e tij
në këtë projektligj. Kësisoj, pas këtyre dy sugjerimeve, neni 11 humbet, bie, nuk është më në
fuqi.
Kush është dakord me propozimin e ri, në lidhje me nenin 11, shfuqizimin e nenit 11?
Dakord!
Kalojmë te neni 12, i cili është ashtu siç është hartuar nga propozuesit.
Kush është dakord?
Unë po flas me emërimin e neneve sipas rendit numëror që kishim në momentin e
propozimit, sepse në momentin kur ta marrë sekretaria, ajo ka për t’i rregulluar të gjitha
numërimet që ka nenet në këtë projektligj.
Neni 13 ka një ndryshim. Kur parashikohet se shpërblimi do të përballohet nga fondi i
pagave, ministria u shpreh se kjo pikë bie në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore të
menaxhimit të sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, sipas të cilave fondi i pagave
financon pagat dhe sigurimet shoqërore shëndetësore të punonjësve, ndërsa shpërblimet dhe
ndihmat e menjëhershme përballohen nga fondi i veçantë.
A dëshiron të shtojë diçka Ministria e Financave, e më pas edhe SHISH-i?
Adela Xhemali – Në parim nuk jemi kundër dhënies së shpërblimit për punë cilësore në
Shërbimin Informativ Shtetëror, por çështja ka të bëjë me mënyrën ose destinacionin e fondit, i
cili destinohet për shpërblimin e punonjësve.
Në bazë të rregullave dhe principeve të menaxhimit të financave publike, fondi i pagave
nuk mund të përzihet me fondin e shpërblimeve, sepse rezulton që fondi i shpërblimeve është një
fond rastësor, i cili buron nga kursimi në fondin e pagave, gjë që s’do të kishte kuptim, qoftë në
pikëpamje parimore, qoftë në pikëpamje praktike.
9
Ne vazhdojmë t’i mbetemi qëndrimit se duhet të jetë një fond i veçantë, fond i përcaktuar
për shpërblime e për ndihma të tjera sociale për punonjësit, i cili duhet të adresojë edhe
konceptin e shpërblimit të punës së mirë të punonjësve.
Milva Ekonomi – A dëshiron të shtojë diçka SHISH-i?
Ylvi Aga– Në fakt, përpara se të kalojmë te kjo pikë që ka të bëjë me fondin e
shpërblimeve, ne kishim diçka për nenin e mësipërm, në lidhje me shtesën e pagës. E kërkuam
fjalën, por nuk u krijua mundësia.
Milva Ekonomi – Mund t’i thoni tani, ndonëse atë nen e votuam, në fakt. Megjithatë, në
qoftë se doni të thoni diçka, mund ta thoni tani.
Ylvi Aga – Faleminderit!
Shtesa mbi pagë është propozuar për këto dy funksione, sepse sikundër e thatë edhe ju,
këto nuk janë poste politike, por teknike, të cilat kryejnë detyra që lidhen edhe drejtpërdrejt me
veprimtarinë operative.
Këto dy funksione, përveç menaxhimit të institucionit merren edhe me menaxhimin e
burimeve të informacionit apo me ndjekjen dhe drejtimin e situatave në terren, si brenda ashtu
edhe jashtë vendit. Kësisoj, trajtimi financiar i tyre, përveç atij të përcaktuar në ligjin 8391/1998
“Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, propozohet të ketë një shtesë sipas masës së
përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra, përsëri ka një kufizim, pasi do të jetë
Këshilli i Ministrave ai që do të përcaktojë dhe shtesën e saktë mbi pagën.
Referuar ligjit 9584/2016, që është cituar nga Ministria e Financave, nuk shohim pengesë
për përfitim shtese page të këtyre dy pozicioneve, të cilat, për shkak të natyrës së punës duhet të
kenë një trajtim financiar shtesë.
Masa do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, por nuk duhet të kalojë
pagën e Kryeministrit, nga i cili titullari i SHISH-it varet. Ky është edhe një kufizim tjetër, pasi
duke kufizuar pagën e drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të Shërbimit, kufizohet edhe rritja e
pagave të punonjësve të SHISH-it. Për vetë natyrën e punës së këtij institucioni, mund të marrim
si shembull pagesën e punonjësve të shërbimit partner të Kosovës, ku paga e një inspektori të
shërbimit në bazë është shumë më e lartë, duke variuar rreth 1500 euro. Nuk ka kufizimin e
pagave të administratës publike.
Ne propozojmë pikërisht që edhe Shërbimi Informativ të mos shihet me këtë sy, në
funksionin e administratës publike, për vetë detyrat që kryen ky shërbim.
10
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Do të shtoni diçka për shpërblimin apo jo?
Ylvi Aga – Po, sigurisht. Shpërblimi i punonjësve të shërbimit vjen si rrjedhojë e
dispozitës së parashikuar në statusin e punonjësit të Shërbimit. Për punë me rreziqe dhe
mundime të veçanta, mund t’i jepet shpërblim në vlerë monetare, e cila është e përcaktuar me
vendim të Këshillit të Ministrave.
Aktualisht, ka dalë vendimi 723, datë 25. 10. 2006 “Për kriteret dhe masën e shpërblimit
të punonjësve në Shërbimin Informativ të Shtetit.”, i cili në pikën 1 citon: “Punonjësit të
Shërbimit Informativ të Shtetit, për punë cilësore, angazhim dhe rezultate në punë, për ruajtjen
dhe administrimin e pronës dhe për kryerjen e detyrave me rreziqe e mundime të veçanta, t'i
jepet shpërblim, në vlerë monetare, në masën deri në dy paga mujore në vit, me urdhër të
drejtorit të SHISH-it.”
Në pikën 3 thuhet:
“Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti
vjetor, i miratuar për Shërbimin Informativ të Shtetit.”
Aktualisht, nga viti 2006 e deri më tani, ky vendim nuk është zbatuar, pikërisht për këtë
mungesë. Ky propozim është bërë në analogji me ligjin e miratuar “Për Policinë e Shtetit” dhe,
aktualisht, punonjësit e PSH-së trajtohen nga fondi i pagave dhe ne nuk kërkojmë fond pagash
shtesë ose një zë të veçantë për shpërblimin e punonjësve të SHISH-it dhe themi që për shkak të
strukturës së paplotësuar, ky fond page i planifikuar për strukturë në fund të vitit, të mund të
përdoret për shpërblimin e punonjësve.
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Urdhëroni, zonja Peka!
Enkeleda Peka – Të gjitha ndryshimet që u propozuan në këtë projektligj u dakordësuan
paraprakisht si me Ministrinë e Financave, edhe me Kryeministrinë dhe më pas ato u paraqitën
para komisionit tuaj.
Milva Ekonomi – Edhe unë këtë gjë vura në dukje qysh në fillim.
Lidhur me propozimin e fondit të shpërblimit, që vjen me fondin e pagave, unë besoj që
në komisionin tonë edhe në diskutimin që bëmë mes nesh nuk ka asnjë kundërshtim për
shpërblimin e punonjësve. E vetmja mënyrë e cila duhet gjetur është burimi nga do të dalë fondi i
shpërblimit. Për këtë arsye unë mendoj që Komisioni i Ekonomisë këtë iniciativë, që ju të keni
11
mundësi të shpërbleni për punë më të mirë të gjithë stafin që shërben atje, ta ketë në konsideratë
dhe t’ia kalojë për propozim final komisionit përgjegjës, që është Komisioni i Sigurisë. Asnjë gjë
nuk po bëhet pa atë që kemi rënë dakord, duke ndjekur të gjitha parimet me të cilat funksionon
Republika e Shqipërisë.
Besoj se biem dakord për këtë gjë.
Kolegë, a jeni dakord që pjesën e nenit 13, ku thuhet “në fund të pikës 1 të nenit 29 të
shtohet fjalët “shpërblimi përballohet nga fondi i pagave”?
Ne jemi dakord për shpërblimin, të gjendet mundësia se nga do të dalë ky shpërblim dhe
kjo gjë të transferohet për vendimmarrje te Komisioni i Sigurisë.
Dakord.
Kalojmë te neni 14, i cili nuk ka asnjë ndryshim.
Kush është dakord me nenin 14?
Miratohet.
Neni 15 nuk ka asnjë ndryshim, është siç e ka sjellë propozuesi.
Kush është dakord me nenin 15?
Miratohet.
Neni 17 nuk ka asnjë ndryshim, është siç e ka sjellë propozuesi.
Kush është dakord me nenin 17?
Miratohet.
Neni 18 nuk ka asnjë ndryshim, është siç e ka sjellë propozuesi.
Kush është dakord me nenin 18?
Miratohet.
Është bashkuar me ne në ekran tani edhe zoti Xhelilaj, zoti Angjeli dhe zonja Mesi.
Neni 19 nuk ka asnjë ndryshim, është siç e ka sjellë propozuesi.
Kush është dakord me nenin 19?
Miratohet.
Neni 20. Hyrja në fuqi
Kush është dakord me nenin 20?
Miratohet.
Kush është dakord për të miratuar projektligjin në tërësi, me ndryshimet që propozuam?
Dakord.
12
Miratohet.
Urdhëroni, zonja Dhima, për të bërë një përmbledhje të punës që u bë për këtë
projektligj!
Antoneta Dhima – Jam dakord me të gjitha ndryshimet, për të cilat kanë rënë dakord
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njëkohësisht edhe përfaqësuesit e SHISH-it.
Faktikisht, te neni 13, Komisioni i Ekonomisë është përgjegjës për pjesën financiare dhe
do të doja që te neni 13, në kushtet kur të gjitha institucionet krijojnë fondin e veçantë në masën
5% të fondit të pagave, mos t’ia kalojmë Komisionit të Sigurisë, pasi ne mund të bëjmë direkt
ndryshimin që shpërblimi përballohet nga fondi i veçantë.
Për sa u përket pikave të tjera, jam dakord me të gjitha ndryshimet që u paraqitën dhe u
miratuan edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit për sugjerimin, zonja Dhima!
Unë do të shtoja se duke qenë se ju uleni në dy komisione, edhe te Komisioni i
Ekonomisë, edhe te Komisioni i Sigurisë, mund ta bëni këtë propozim edhe tek Komisioni i
Sigurisë, ndërkohë që mbledhja e komisionit do të jetë nesër, prandaj do të ketë mundësi edhe
për vendimmarrjen finale.
Faleminderit, përfaqësuesve të Ministrisë së Financave!
Faleminderit, përfaqësuesve të SHISH-it!
Punë të mbarë në ditët në vijim!
Sekretar Përgjegjësja e Sektorit të Redaktorëve
Anastas Angjeli Euzheni Pengili
Sekretar i komisionit
Elvi Prifti
13
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 13.07.2020, ora 13:00
Drejton mbledhjen:
Milva Ekonomi– kryetare e Komisionit
Rendi i ditës:
Shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e
masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe
transferimit të fitimeve (BEPS)”
Marrin pjesë:
Milva Ekonomi, Arben Elezi, Xhevit Bushaj, Edlira Hyseni, Krenar Ryçi, Evis Kushi,
Antoneta Dhima, Vullnet Sinaj, Blerina Gjylameti, Roland Xhelilaj, Anastas Angjeli, Ylli Shehu,
Senida Mesi, Eljo Hysko, Ervin Bushati, Suzana Topi, Artur Roshi, Reme Lala.
Mungon:
Korab Lita.
Të ftuar:
Vasilika Vjero – Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë
Nikolla Lera – Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Makroekonomisë në Ministrinë e
Financave dhe Ekonomisë
14
Milva Ekonomi – Kalojmë te çështja e dytë e rendit të ditës.
Kemi diskutimin e projektligjit “Për ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI) për
zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe
transferimit të fitimeve (BEPS)”.
Siç ju thashë në fillim të mbledhjes, në këtë projektligj ne kemi të ftuar nga Ministria e
Financave dhe Ekonomisë zonjën Vasilika Vjero, zëvendësministre dhe zotin Nikolla Lera,
drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Makroekonomisë.
Relatore është zonja Reme Lala.
U bashkua me ne në mbledhje edhe zonja Hyseni, kështu që tani jemi të gjithë në
mbledhje.
Urdhëroni, zonja Vjero për të prezantuar këtë nismë ligjore!
Vasilika Vjero – Faleminderit, zonja kryetare!
Unë po bëj një përshkrim të shkurtër të qëllimit të këtij projektligji.
Ky projektligj ka për qëllim ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI-Multilateral
Instrument) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për të parandaluar
erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimeve. Kjo konventë është një nga produktet
e OECD-së dhe G20-s për të trajtuar strategjitë e planifikimit tatimor, të cilat përdorin boshllëqet
dhe mospërputhjet në rregullat tatimore për të zhvendosur artificialisht fitimin në vende ku
shkalla e tatim- fitimit është e ulët apo nuk ka fare. Pra, konventa shërben si një mjet edhe për
Shqipërinë, për parandalimin e erozionit të bazës së tatueshme dhe të transferimit të fitimit. Pas
nënshkrimit të kësaj konvente në maj të viti 2019, Shqipëria plotësoi kërkesat e vazhdueshme të
OECD-së, ashtu dhe angazhimin e saj për të nënshkruar këtë instrument shumëpalësh, kjo në
kuadër të zbatimit të masave të rekomanduara nga projekti ndërkombëtar BEPS (Base Erosion
and Profit Shifting), i cili kërkon ndryshime në marrëveshjet ndërkombëtare bilaterale “Për
shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal”. Gjithashtu, ratifikimi i kësaj
marrëveshjeje është i domosdoshëm edhe në kuadër të pjesëmarrjes së vendit tonë në kuadrin
gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar BEPS, që nga muaji gusht i vitit 2019. Është pikërisht
nënshkrimi i MLI-së që bën të mundur plotësimin e disa standardeve minimale, të cilat janë
kusht për të gjitha vendet anëtare të projektit BEPS.
Kryerja e procedurave ligjore për ratifikimin e MLI-së është e nevojshme që të mund të
parandalohen abuzimet nga aplikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare bilaterale për tatimin e
15
dyfishtë dhe për të siguruar që këto marrëveshje të zbatohen në përputhje me objektivat dhe
qëllimet për të cilat janë nënshkruar nga shtetet kontraktuese. Shqipëria ka nënshkruar dhe janë
në fuqi 41 marrëveshje të tilla.
Me miratimin e kësaj marrëveshjeje 41 vende, me të cilat ne kemi marrëveshje, do të
përditësojnë në mënyrë automatike këto marrëveshje pa qënë nevoja që vendet të hyjnë në
marrëveshje bolaterale me njëra-tjetrën për të ndryshuar elemente të caktuara. Pra, kemi të bëjmë
me një standard, i cili do të përdoret dhe do të përditësohet në mënyrë automatike me të gjitha
vendet, pjesë e të cilave është edhe Shqipëria.
Ky, në fakt, është një prezantim tejet i shkurtër, por në rast se do të ketë pyetje për
elemente të caktuara të kësaj marrëveshjeje, ne mund t’u japim përgjigje dhe t`i qartësojmë.
Faleminderit!
Milva Ekonomi - Faleminderit, zonja Vjero!
Urdhëroni, zonja Lala!
Reme Lala – Faleminderit, zonja kryetare!
Projektligji “Për ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që
lidhen me marrëveshjet tatimore për parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të
fitimeve (BEPS)” është propozuar nga Këshilli i Ministrave dhe Komisioni për Ekonominë dhe
Financat e shqyrton këtë projektligj në cilësinë e komisionit përgjegjës bazuar në nenet 32 dhe
38 të Rregullores së Kuvendit.
Projektligji ka për qëllim ratifikimin e konventës shumëpalëshe (MLI-Multilateral
Instrument) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për të parandaluar
erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimeve.
Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar me ligjin nr. 35/2019 marrëveshjen me shkëmbim
notash nëpërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim
Ekonomik për bërjen palë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar mbi erozionin e
bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit.
Anëtarësia në këtë marrëveshje ishte plotësimi i kriterit thelbësor që Shqipëria të mos jetë
në listën e vendeve të kategorizuara si jobashkëpunuese nga KE-ja, në fushën e bashkëpunimit
ndërkombëtar.
16
Pjesëmarrja në këtë projekt është plotësimi i një kriteri thelbësor prej të cilit Shqipëria, në
shtator 2019, u hoq nga lista gri për vendet e kategorizuara si jobashkëpunuese në fushën e
bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjet e taksave.
Siç e theksoi zonja Vjero, kjo konventë është një nga dokumentet e OECD-së dhe G20-ës
për të trajtuar strategjitë e planifikimit tatimor, të cilat përdorin boshllëqet dhe mospërputhjet në
rregullat tatimore për të zhvendosur artificialisht fitimin në vende ku shkalla e tatim-fitimit është
e ulët apo nuk ka fare, duke shërbyer edhe si një mjet edhe për Shqipërinë për parandalimin e
erozionit të bazës së tatueshme dhe të transferimit të fitimit.
Gjithashtu, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është i domosdoshëm dhe në kuadër të
pjesëmarrjes së vendit tonë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar BEPS, që nga
muaji gusht i vitit 2019. Është pikërisht nënshkrimi i MLI-së që bën të mundur plotësimin e disa
standardeve minimale, të cilat janë kusht për të gjitha vendet anëtare të projektit BEPS.
Erozioni i bazës dhe transferimit të fitimeve u referohet strategjive të përdorura nga
shoqëritë shumkombëshe për shmangien e tatimit duke përdorur boshllëqet në legjislacionin
tatimor për të transferuar artificialisht fitimin në vende ku shkalla e tatim -fitimit është e ulët apo
nuk ka fare regjim tatimor duke rezultuar kështu me detyrime të ulëta ose pa detyrime të tatimit
mbi fitimin.
Për këtë qëllim OECD-ja dhe shtetet anëtare të G20-ës hartuan një plan masash që u quajt
“paketa BEPS” dhe masa 15 e kësaj pakete konsiston në zhvillimin e një instrumenti
shumëpalësh në formën e konventës, për të zbatuar masat BEPS, që lidhen me marrëveshjet
tatimore, duke u dhënë mundësinë juridiksioneve të ndryshme për zbatimin e këtyre masave.
Kjo konventë amendon apo modifikon marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë të
nënshkruar ndërmjet palëve dhe konventa do të aplikohet në të gjitha marrëveshjet tatimore të
nënshkruara, duke modifikuar aplikimin e tyre, me qëllim aplikimin e masave BEPS.
Nënshkrimi i kësaj konvente ul burokracinë dhe redukton kohën që nevojitet për
rishikimin dhe amendimin e secilës marrëveshje bilaterale të tatimit të dyfishtë të nënshkruar nga
Shqipëria me qëllim zbatimin e masave BEPS.
Kjo konventë është miratuar në parim me vendim nr.607, datë 17.10.2018, të Këshillit të
Ministrave.
17
Konventa do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit që vijon, pas përfundimit të një
periudhe tremujore kalendarike, e cila fillon që nga data e depozitimit të instrumentit të pestë të
ratifikimit, nga shtetet nënshkruese.
Projektligji përbëhet nga tre nene gjithsej. Neni 2 parashikon rezervat nga kjo konventë
shumëpalëshe.
Referuar shpjegimeve të dhëna në relacionin shoqërues dhe dokumentet bashkëlidhur
kësaj nisme, Republika e Shqipërisë paraqet rezerva lidhur me nenet 3, 4, 5, 11, 13, 14 dhe 16 të
konventës.
Nëse do të jetë e nevojshme për të dhënë shpjegime lidhur me këto nene, si dhe me
rezervat që ka paraqitur Republika e Shqipërisë, do të jemi të gatshëm.
Duke vlerësuar se zbatimi i kësaj konvente do t’i japë mundësinë Shqipërisë të punojë në
mënyrë të barabartë në trajtimin e shmangies tatimore, të përmirësojë koherencën e rregullave të
marrëveshjes tatimore dhe të sigurojë një ambient tatimor sa më transparent, si dhe duke qenë se
projektligji nuk sjell efekte financiare në buxhetin e shtetit, i propozoj komisionit miratimin e
projektligjit!
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit, zonja Lala!
Të dyja prezantimet ishin shteruese, megjithatë a ka pyetje nga kolegët?
Ne, në fakt, e kemi ndjekur veprimtarinë e komisionit lidhur edhe me të tjera nisma
ligjore që ka ndërmarrë qeveria, si për shembull shkëmbimi automatik i të dhënave të drejtorive
tatimore, jo vetëm të vendit tonë, por edhe të disa vendeve të tjera, sipas OECD-së dhe kjo është
në vazhdim të të gjitha akteve që e bëjnë Shqipërinë një vend të angazhuar në luftën kundër
informalitetit.
Pra, a keni nevojë të bëni ndonjë pyetje? Nuk ka.
Atëherë, kush është darkod për ta miratuar në parim këtë marrëveshje?
E keni në postën tuaj elektronike gjithë projektligjin “Për ratifikimin e konventës
shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet tatimore për
parandalimin e erozionit të bazës dhe transferimit të fitimeve (BEPS)”.
Kush është dakord me nenin 1?
Dakord.
Kush është dakord me nenin 2?
18
Dakord.
Kush është dakord me nenin 3?
Dakord.
Kush është dakord ta miratojmë në tërësi këtë projektligj?
Dakord.
Faleminderit!
Faleminderit, zonja Vjero!
Faleminderit, zonja Lala!
MBYLLET MBLEDHJA
Sekretar Përgjegjësja e Sektorit të Redaktorëve
Anastas Angjeli Euzheni Pengili
Sekretar i komisionit
Elvi Prifti
19
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
PROCESVERBAL
Tiranë, më 13.07.2020, ora 13:00
Drejton mbledhjen:
Milva Ekonomi – kryetare e Komisionit
Rendi i ditës:
Shqyrtimi i Projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjjn nr. 9831, datë
12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të
ndryshuar””.
Marrin pjesë:
Milva Ekonomi, Arben Elezi, Xhevit Bushaj, Edlira Hyseni, Krenar Ryci, Evis Kushi,
Antoneta Dhima, Vullnet Sinaj, Blerina Gjylameti, Roland Xhelilaj, Anastas Angjeli, Ylli
Shehu, Senida Mesi, Eljo Hysko, Ervin Bushati,Suzana Topi, Artur Roshi, Reme Lala.
Mungon:
Korab Lita,
Të ftuar:
Ministria e Financave dhe Ekonomisë
1. Znj Adela Xhemali – Zevendesministre
2. Z. Artemon Cukalla
...Kemi edhe një lajmërim, që e ka bërë sekretaria e komisionit, që ne do të diskutojmë
edhe një nismë tjetër ligjore, që ka të bëjë me dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të
regjimit komunist, të ndryshuar, shtesë në ligjin nr.9831, të datës 12.11.2007.
Nisma ligjore është e propozuar nga zoti Roshi.
20
Për këtë nismë kemi të ftuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, zonjën Adela
Xhemali dhe zotin Ertemon Cukalla, ndërsa nga komisioni do të jetë relatore zonja Blerina
Gjylameti.
Urdhëroni, zoti Roshi, si nismëtar i këtij ndryshimi.
Artur Roshi - Faleminderit!
Në fakt, nuk e dija që do të kalonte që sot në Komisionin e Ekonomisë, megjithatë jam i
gatshëm të bëj relatimin.
Milva Ekonomi – E keni pasur njoftimin në postën elektronike të gjithë. Jua ka nisur
sekretari që ditën e premte.
Artur Roshi – Nuk ka rëndësi. Jam gati ta prezantoj.
Bëhet fjalë për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9831, datë
12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe të dënuarve politikë të regjimit
komunist” të ndryshuar””.
Qëllimi i projektaktit dhe objektivat që synohen të arrihen
Propozimi i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9831, datë
12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe të dënuarve politikë të regjimit
komunist” të ndryshuar”” është mbështetur në nenet 78, 81 ,pika 1 dhe 82 të Kushtetutës së
Republikës së Shqipërisë
Ky projektligj ka për qëllim të përputhë ligjin e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve
politikë të regjimit komunist nr.9831, dt. 12.11.2007, me ligjin nr.7748, dt. 29.7.1993, që
përcakton statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë.
Thënë më konkretisht për të gjithë. Në ligjin e sotëm “Për dëmshpërblimin e ish-të
përndjekurve politikë” thuhet: “Dëmshpërblimi fillon nga vitit 1944 deri në vitin 1991”, kur
statusi i ish-të përndjekurve politikë përfshin persekucionin apo humbjet e jetëve që nga viti
1941 deri në vitin 1992.”.
Unë nuk kërkoj asgjë jashtë përputhjes kohore. Më lejoni t’i citoj konkretisht të dyja
ligjet. Në nenin 2 të ligjit “Për ish-të përndjekurit politikë” thuhet: “Përndjekje” do të quhet çdo
veprim ose mosveprim i kryer që nga data 08.11.1941 deri në datën 22.03.1992 nga ana e çdo
formacioni ose individi të armatosur të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të Sigurimit të Shtetit, të
policisë, të ushtrisë apo nga ana e organeve të pushtetit lokal me urdhër ose me vendim të
organeve partiake luftarake, shtetërore apo gjykatave të komunizmit shqiptar, kur ky veprim apo
21
mosveprim ka shkaktuar humbjen e jetës, të lirisë, të të drejtave të qytetarëve, cilësimin si kulak,
i deklasuar, si dhe privimin tjetër nga pjesëmarrja në jetën politike, ekonomike, shoqërore të
individit për hir të bindjeve apo qëndrimit të tij politik apo fetar”.
Ndërsa në nenin 1 të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit
komunist” thuhet: “Objekti dhe fusha e veprimit të këtij ligji është përcaktimi i përfituesve,
masës, së kritereve, procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë, të
cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë të regjimit komunist nëpërmjet kryerjes së
dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme si pasojë e një apo
disa vendimeve të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave
të organeve të hetuesisë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991.”.
Objekt i këtij ligji është dëmshpërblimi i familjeve të viktimave të ekzekutuara apo të
pushkatuara padrejtësisht për motive politike me vendime penale të formës së prerë të gjykatave
të zakonshme apo speciale ose me urdhra të organeve të hetuesisë gjatë periudhës 30.11.1944
deri më 01. 10. 1991; dëmshpërblimi financiar për pasojat e internimit ose dëbimit me kusht që
humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të vërtetohen me dokument të
krijuar si burim arkivor para datës 01.10.1991; dëmshpërblimi i viktimave të varura ose të
ekzekutuara gjatë periudhës 13.11.1944 deri më 01.10.1991. Pra, siç e rehatova, thjesht kërkoj
përputhje kohore midis statusit dhe midis dëmshpërblimit.
Së dyti, qëllimi i këtij projektligji është të mos prekë dëmshpërblimet bazike të
mbijetesës që ka përfituar ish-i dënuari dhe ish-i përndjekuri politik nga ligje të tjera të
mëparshme. Thënë më thjesht, në ligjin e sotëm “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve
politikë” thuhet se dëmshpërblimit që fitohet nga ky ligj duhet t’i zbriten dëmshpërblime të tjera
të fituara nga ligje të tjera më parë. Pra, bëhet fjalë për banesa dhe letra me vlerë.
Propozimi im është që këto dëmshpërblime të tjera, që kanë marrë ish-të përndjekurit
politikë si banesa, bono thesari e të tjera të mos zbriten nga dëmshpërblimi që përcakton ligji
“Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, sepse ato banesa që kanë
përfituar kanë qenë për mbijetesë, pasi dolën nga burgjet dhe nuk kishin asnjë strehë ku të
fusnin kokën. Ndërkohë, këto banesa ishin banesa kolektive apo konvikte, magazina e të tjera
dhe nuk kishin asnjë element fondamental për funksionalitetin,ashtu sikurse ne e perceptojmë
sesi funksionon një apartament sot. Ato u përshtaten nga ata vetë, u investua mbi to gati në
shumën 75% të vlerës së sipërfaqes së një apartamenti. Pra, vlera e tyre ishte e përafërt me atë
22
që ka një rrënojë sot. Sot ne nuk mund të themi se sipërfaqja e ndërtimit që ata përfituan dje,
në ato kushte që sapo citova më sipër, kishte vlerë të barabartë me vlerën e rrënojës. Për të
krijuar një perceptim të qartë për të gjithë anëtarët e komisionit, nuk mund të themi sot se ajo
vlen 700-800 euro për metër katror, sipas tregut të sotëm dhe këtë t’ia zbresim dëmshpërblimit
që u takon nga ligji “Për dëmshpërblimin”. Bonot e thesarit, shumica dërmuese nuk u përdorën,
por edhe ata që i përdorën ishin për të ruajtur kufijtë ekzistencialë të një qenie njerëzore të lënë
në lirinë e varfërisë ekstreme, pas daljes nga burgu. Te ndryshimi i këtij paragrafi të ligjit nuk
kemi fare efekte financiare, ato janë të papërfillshme, janë 0,001%.
Ky projektligj ka si qëllim të tretë: “Familjarët e viktimave të pushkatuara pa gjyq, të
pushkatuara apo të ekzekutuara me dënim politik të padrejtë, të përfitojnë dëmshpërblimin
financiar në masën e 25 vjetëve kompensim dënimi me burgim, me dënimin maksimal pas faljes
së jetës.
Në ligjin e sotëm “Për dëmshpërblim e ish-të dënuarve politikë” thuhet: “ Familjarët e
viktimave të pushkatuara apo të ekzekutuara përfitojnë dëmshpërblim financiar njëlloj sikur të
kenë bërë 8 vjet dënim me burgim”. A ka logjikë këtu, kur jeta barazohet me 8 vjet burg?!
Humbja e jetës vlejtka sa 8 vjet burg!
Ne duhet të kuptojmë se jetën e një njeriu, viktimë e një pushkatimi apo ekzekutimi me
dënim politik të padrejtë nuk mund ta kompensojmë sikur ka kryer 8 vjet burg. Ky është një
absurd dhe një labirint që nuk ka referenca logjike. Dëmshpërblimi korrekt do të ishte me aq vite
sa ishte jeta mesatare në atë kohë, diku te 55 vjeç. Të paktën ta kompensojmë në nivelin e 25
vjetëve.
Argumentimi i projektaktit lidhur me përparësitë, problematikat dhe efektet e pritshme
Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë është një detyrim moral i shoqërisë
shqiptare. Sakrificat e tyre janë në themel të sistemit kapitalist që sot aplikon shoqëria jonë.
Dëmshpërblimi i tyre duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me sakrificat dhe vuajtjet e tyre.
Përputhja e ligjit “ Për dëmshpërblimin” me ligjin “Për statusin për ish-të përndjekurve
politikë” zhbën diskriminimin pasiv që krijon ligji “Për dëmshpërblimin” brenda së njëjtës
kategori sakrifice: kategorisë së humbjes së jetës për të njëjtin shkak, nga i njëjti mekanizëm
politik që është Partia Komuniste, pra shkaku i humbjes së jetës është i njëjtë: “kundërshtia e
komunizmit”. Afatet nuk kanë vlerë. Ato nuk mund të ndryshojnë thelbin e çështjes, duke
shpërfillur humbjet e jetëve të njerëzve se ti që e ke dhënë jetës para kaq vjetëve po nga i njëjti
23
mekanizëm, nga mekanizmi i Partisë Komuniste, nuk duhet të merresh në konsideratë, ndërsa
ti që e ke dhënë pas kësaj date duhet të merresh në konsideratë. Ka një absurd logjik, sipas
meje.
Dëmshpërblimet e përfituara nga ligjet e tjera, si banesa me të meta të theksuara, jashtë
standardeve funksionale, letra me vlerë që nuk janë përdorur prej tyre, janë të papërfillshme,
sepse nuk i kanë sjellë efekte sociale shoqërisë. Prandaj unë them se duhen neglizhuar.
Nga ana tjetër, pagesa e dëmshpërblimit sot është në nivele jashtëzakonisht të ulëta, në
krahasim me atë që japin sot gjykatat dëmshpërblim për një vit burg, duke mos harruar që
cilësia e burgjeve sot ndryshon shumë nga ajo ku kanë vuajtur dënimin e padrejtë në diktaturë.
Që ligji të ketë një balancë logjike të qëndrueshme nuk mund të pranohet ekuivalenca e humbjes
të jetës së njeriut me 8 vjet burg dëmshpërblim, kur dëmi pas faljes së jetës ka qenë dhe është
25 vjet burg. Pra, referenca e dëmshpërblimit të humbje së jetës duhet sjellë, të paktën në
nivelin e 25 vjetëve të dënimit me burg.
Ky projektakt do të sjellë efekte pozitive te qytetarët për emancipimin e mendimit politik
në raport me vazhdimësinë e së djeshmes. Njëkohësisht, do të kemi një tendencë pozitive në
drejtim të paqes midis shtresave shoqërore me bindje të ndryshme politike të krijuara në mënyrë
artificiale nga “lufta e klasave” e regjimit të kaluar.
Vlerësimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe harmonizimi me legjislacionin në fuqi
vendas dhe ndërkombëtar
Projektligji është përgatitur në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1 dhe 82 të Kushtetutës,
si dhe nenit 68 të Rregullores së Kuvendit.
Vlerësimi i shkallës së përafrimit me acquis-në e BE-së për projektaktet normative
Projektligji nuk synon të bëjë përafrim me aquis-nëe Bashkimit Europian, sepse është i
vonuar për shkak të mungesës së vullnetit politik. Vendet e tjera të BE-së i kanë mbyllur plagët e
fashizmit dhe komunizmit shumë më herët, ndërsa ne ende jo.
Raporti i vlerësimit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore
Efekti i këtij projektakti në buxhetin e shtetit do të jetë pjesë e integruar e masës së
dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë, duke mos e rënduar, por duke i rënduar në një
masë pambarimisht të vogël buxhetet e çdo viti në mënyrë progresive, por kjo do të rrisë kohën
e shlyerjes së tyre.
24
Ajo që tentoj unë është që të njohim dëmin e tyre, masën e dëmit të përkthyer në
kartëmonedhë, ndërsa koha se kur do ta marrin për 1, 5, 10, 15 apo në vite, kjo është një gjë
tjetër, të cilën do ta diskutojmë, por e drejta është e drejtë dhe ne duhet t’ua japim të drejtën...
Partia Demokratike kur ishte në pushtet pse nuk e ka bërë ligjin?! Këto nuk janë gjëra që
duhet të jenë temë e diskutimit të sotëm. Partia Demokratike nuk përfaqëson në mënyrë të
drejtpërdrejtë ish-të përndjekurit politikë. Është dakord që t’i mbështesë, por nuk e ka prioritet
Ballin Kombëtar Demokrat që unë kryesoj. Unë nuk mund të mohoj emocionin si përfaqësues
politik i tyre... Është thjesht plotësim vakuumi, nuk është një ligj i ri, nuk ka asgjë që nuk shkon,
nëse duam të jemi të logjikshëm dhe korrektë me ta.
Kam një pyetje për ata që thonë se nuk kemi para: pse partizanët i marrin që nga viti
1939, ndërsa këtyre u fillon që nga 1934? Gjatë pyetjeve unë mund të kthej përgjigje të tjera.
Jam i hapur për pyetje.
Faleminderit që më dëgjuat, kolegë të komisionit, dhe ju, zonja kryetare!
Milva Ekonomi – Faleminderit!
Zonja Gjylameti, fjala është për ju.
Dua t’u bëja me dije përfaqësuesve të Ministrisë së Financave se këtu në Kuvendin e
Shqipërisë kemi ngritur një nënkomision, i cili ka për detyrë monitorimin e shpërblimeve që
kanë marrë ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist. Zoti Roshi dhe zonja Mesi janë anëtarë
të këtij nënkomisioni nga Komisioni i Ekonomisë.
Artur Roshi – Zonja Kryetare, ju lutem një sekondë, vetëm një fjali. Më lajmëruan se
nuk jemi live stream, si është e mundur?
Milva Ekonomi –Jemi live stream, pasi kam këtu përfaqësues të IT-së. Te faqja e
Kuvendit duhet të jemi live stream.
Artur Roshi – Jo, sapo me telefonuan. Ju e dini që kemi 5 ndjekës dhe më njoftuan:
“Nuk je live stream!”
Milva Ekonomi – Nëse nuk je live stream, do të jesh.
Hape, të lutem, faqen e Kuvendit, sepse IT-ja më konfirmon që jemi live stream!
Artur Roshi – Ndjesë! Thjesht për ta sjellë në vëmendje.
Milva Ekonomi –Pra, dua t’u them përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, të cilët
janë këtu me ne, se në Kuvendin e Shqipërisë kemi miratuar ngritjen e një nënkomisioni, i cili
ka detyrën për të ndjekur të gjithë realizimin e fondit që u është dhënë atyre që kanë qenë ish-të
25
dënuar politikë të regjimit komunist. Ky nënkomision ka në përbërjen e tij 5 anëtarë, 2 nga
Komisioni i Ekonomisë dhe 3 nga Komisioni i Ligjeve. Zoti Roshi dhe zonja Mesi janë nga
Komisioni i Ekonomisë në këtë nënkomision. Edhe ne, si anëtarë të Komisionit të Ekonomisë,
kemi shpërndarë masën e shpërblimit, që ju, Ministria e Financave keni bërë me dije për
publikun që nga janari i vitit 2019 deri në majin e vitit 2020, ku kanë qenë përfitues 11 mijë e
108 individë, të ndarë sipas kategorive: parësore përfituese dhe joparësore përfituese.
Unë do t’ju lutesha që edhe gjatë prezencës suaj të na vini në dijeni për zbatimin e këtij
ligji, sepse mendoj se qeveria në këto vite ka marrë përsipër t’i paguajë ish-të dënuarit politikë të
regjimit komunist.
Zonja Gjylameti, a mund të na jepni një opinion për këtë nismë ligjore?
Blerina Gjylameti – Baza ligjore, mbi të cilën po e shqyrtojmë këtë projektligj, që është
një nismë deputeti, janë nenet 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, po ashtu edhe nenet 78 dhe
83, pika 1, të Kushtetutës. Projektligji shoqërohet me relacionin përkatës, sipas nenit 68 të
Rregullores së Kuvendit.
Një panoramë e përgjithshme për ligjin ekzistues “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve
politikë të regjimit komunist”
Ligji nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të
regjimit komunist”, i ndryshuar” përcakton kategoritë e përfituesve të dëmshpërblimit financiar
për ish-të dënuarit politikë, të cilët janë si më poshtë:
a) personat që kanë kryer dënime penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të
detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të
zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë;
b) familjarët e viktimave të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësish për motive
politike, bazuar në vendimet penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme apo speciale,
urdhrat e organeve të hetuesisë dhe personat e internuar ose të dëbuar. Ky përfitim jepet për
dënimet me burg, ekzekutimet, pushkatimet, internimet, dëbimet për motive politike, të cilat i
përkasin periudhës nga 30.11.1944 deri më 01.10.1991. Nga shuma që çdo i dënuar politik
përfiton nga ky ligj, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar nga ligjet e mëparshme.
Një panoramë e përgjithshme për qëllimin dhe përmbajtjen e projektligjit
Ky projektligj ka qëllim të përputhë ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, me ligjin nr. 7748,
datë 29.07.1993, “Për statusin e ish- të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi
26
komunist”, i ndryshuar”; të mos prekë dëmshpërblimet bazike të mbijetesës që ka përfituar i
dënuari dhe i përndjekuri politik nga ligjet e mëparshme, të rritet masa e përfitimit për familjarët
e viktimave të regjimit komunist, duke u bazuar me dënimin maksimal, pas dënimit kapital.
Projektligji parashikon këto ndryshime në ligjet ekzistuese, së pari në grupin B shtohet
një kategori e re përfituesish, që janë familjarët e viktimave të ekzekutuara, apo të pushkatuara
padrejtësisht për motive politike pa gjyq.
Së dyti, zgjatja e periudhës për të cilën njihet dhe përllogaritet përfitimi, nga data
30.11.1944 deri në 01.10.1991 në një periudhë më të gjerë, nga 08.11.1941 deri në 01.10.1991,
pra propozohet që përfitimi të fillojë nga data 08.11.1941 dhe jo nga data 30.11.1944.
Së treti, është moszbritja nga masa e përfitimit, e dëmshpërblimit të përfituar me ligjet e
mëparshme, dhe së katërti, shtimin e masës së kompensimit për familjarët e viktimave të
ekzekutuara, apo të pushkatuara padrejtësisht në nga 8 vjet në 25 vjet.
Sipas propozuesit dhënia e përfitimit të dëmshpërblimit për kategorinë e re të propozuar
në projektligj dhe shtrirja e këtij përfitimi për një periudhë më të gjatë, që nga koha e themelimit
të PKSH-së, do të bëjë të mundur trajtimin e barabartë të të gjitha shtresave që kanë vuajtur
dënimin për shkaqe politike dhe heqjen e diskriminimit ekzistues.
Dëmshpërblimet e dhëna me ligjet e tjera për të dënuarit politikë apo familjarët e
viktimave të regjimit komunist nuk kanë dhënë efekte ekonomike dhe sociale të pritshme, pasi
banesat kanë qenë me të meta të theksuara, jofunksionale ndërsa letrat me vlerë nuk kanë pasur
treg përdorimi. Masa e dëmshpërblimit për 8 vjet burg është shumë e ulët dhe e pabalancuar me
dëmin që ka pësuar familja pas humbjes së jetës të anëtarit të familjes, ndaj ajo duhet të rritet
deri në kufirin e dëmshpërblimit për dënimin maksimal pas dënimit kapital. Projektligji do të
sjellë një trajtim të barabartë të të gjitha shtresave të dëmtuara nga regjimi komunist.
Për sa u përket efekteve financiare të projektligjit në relacion theksohet se masa e
dëmshpërblimit, sipas këtij projektligji, do të jetë pjesë e fondit të parashikuar në buxhetin e
shtetit për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist. Rritja e numrit të
përfituesve dhe masës së dëmshpërblimit, sipas relacionit të këtij projektligji, do të shoqërohet
me shtrirjen për një periudhë më të gjatë ndër vite të procesit të dhënies së dëmshpërblimit, duke
u përfshirë në ligjet vjetore të buxhetit.
27
Për sa i përket mendimit të KM-së për projektligjin, në nenin 82 të Kushtetutës
përcaktohet se, së pari, propozimi i projektligjeve, apo i ligjeve, kur është rasti, duhet të
shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij.
Së dyti, asnjë projektligj joqeveritar, që bën e të nevojshme rritjen e shpenzimeve të
buxhetit të shtetit, ose që pakëson të ardhurat, nuk mund të miratohet pa marrë mendimin e KM-
së, i cili duhet të shprehet brenda 30 ditësh nga data e marrjes së projektligjit.
Së treti, nëse KM-ja nuk shprehet brenda afatit të mësipërm, projektligji kalon për
shqyrtim sipas procedurës së zakonshme. Një kërkesë e tillë paraqitet edhe te neni 68 i
Rregullores së Kuvendit. Mbështetur në këto dispozita KM-ja, me vendimin nr. 210, datë
11.03.2020 ka paraqitur këtë mendim për projektligjin.
Së pari, në kushtet kur nuk kemi një përllogaritje të efektit financiar, apo të dhëna për
numrin e përfituesve, nuk mund të shprehemi për përballimin e kostos financiare të këtij
projektligji nga buxheti i shtetit.
Së dyti, tavanet buxhetore për tri vitet e ardhshme janë vendosur dhe nuk mund të
ndryshohen.
Lidhur me përmbajtjen e projektligjit KM-ja ka paraqitur edhe disa problematika, që
janë: shtesa e fjalëve “të ekzekutuar pa gjyq” në paragrafin e dytë të nenit 1 të projektligjit
vlerësohet e panevojshme, pasi ky nen ka të përcaktuar tashmë ekzekutimin me urdhra të
organeve të hetuesisë. Të tria nenet e projektligjit kanë fuqi prapavepruese dhe kosto financiare
shtesë për buxhetin e shtetit. Këto parashikime do të risillnin hapjen e procedurave të
dëmshpërblimit, të cilat kanë përfunduar tashmë. Sipas nenit 19 të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007
“Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar”” afati i
dorëzimit të kërkesave për dëmshpërblim ka përfunduar që në vitin 2009.
Për të gjitha këto dhe duke pasur parasysh qëndrueshmërinë në tërësi të rendit juridik për
mosndryshimin e shpejtë dhe të shpeshtë të legjislacionit, KM-ja shprehet me rezervë për
projektligjin e propozuar.
Për sa i përket mendimit që ka dhënë Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe
Shëndetësinë, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi është shprehur që ky projektligj ka
mangësi të mëdha pasi nuk bazohet në një studim konkret të domosdoshmërisë për një ndërhyrje
të re në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të
regjimit komunist” të ndryshuar””. Ky komision ka votuar në parim kundër projektligjit me
28
shumicë votash, duke mbështetur mendimin e KM-së se nuk ka një llogaritje të numrit të
përfituesve dhe të faturës financiare të projektligjit.
Për sa u përket disa mendimeve për projektligjin, argumentet e dhëna nga Ministria e
Financave dhe Ekonomisë janë shteruese. Projektligji parashikon përfshirje në skemën e
dëmshpërblimit financiar të një numri përfituesish, që është i panjohur dhe, si rrjedhojë, nuk
njihen as efektet financiare përkatëse. Në kushtet kur tavanet për projektbuxhetin afatmesëm janë
përcaktuar, mungesa e burimeve financiare për dëmshpërblimin e përfituesve, sipas këtij ligji, e
bën ligjin të pazbatueshëm. Për këto arsye jam e mendimit që projektligji të mos miratohet.
Kuvendi, me vendimin nr. 1, që e përmendi kryetarja pak më parë, të datës 1 korrik
2020, ka filluar procedurat për verifikimin e mënyrës së shpërndarjes së dëmshpërblimit nga
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mbështetur në nenin 17 të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007
“Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar”” dhe me këtë
vendim Kuvendi ka ngritur Komisionin e Posaçëm parlamentar për Mbikëqyrjen e Shpërndarjes
së Dëmshpërblimit të ish-të Dënuarve Politikë të Regjimit Komunist. Ky Komision do të japë një
informacion më të plotë pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat lidhur me ecurinë
procesit të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist.
Si përfundim, mbështetur në të gjitha argumentet që lexova pak më sipër, i propozoj
komisionit që projektligji të mos miratohet.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Faleminderit, Blerina!
A dëshiron të shtojë diçka Ministria e Financave?
Adela Xhemali – Në fakt, argumentet e zonjës Gjylameti ishin të plota dhe shteruese. Ne
kemi bërë dhe disa llogaritje të vogla për ato fusha që njohim dhe efektet janë jashtëzakonisht të
larta për buxhetin e shtetit, përveç faktit që numri i përfituesve dhe futja e kategorisë së re të
përfituesve janë të panjohura për ne, kështu që biem dakord me argumentet e komisionit.
Milva Ekonomi – Kolegë, a keni nevojë të bëni ndonjë pyetje? Zoti Xhelilaj.
Rolant Xhelilaj – Më vjen mirë për vlerësimin që i kanë bërë KM-ja, Ministria e
Financave dhe relatorja nismës së deputetit Roshi. Personalisht, krahas faktit që më vjen mirë,
nuk jam absolutisht dakord që të niste analiza e këtij projektligji për një fakt të thjeshtë: në
nismën e zotit Roshi kërkohet ndryshimi i afatit kohor dhe fillon nga 8 nëntori. Këtë unë nuk
arrij ta kuptoj se mbi çfarë bazë e bën, apo çfarë qëllimi ka. Më tepër m’u duk prezantimi i zotit
29
Roshi, pavarësisht dëshirës së mirë për ish-të përndjekurit politikë, një përdorim tjetër i tyre për
anëtarët e partisë së vet dhe i humbi mundësia ta paraqiste si një lloj fjalimi në fushatë elektorale.
Nga 8 nëntori deri në 1944-n historinë e kanë shkruar fituesit dhe që të bëhet diçka duhet
vendime gjykate dhe nuk mund t’i bëjë me një nismë personale një deputet, që i bie rasti të jetë
në Kuvendin e Shqipërisë dhe të thotë që nga data 8 nëntor deri 1991-n, apo 1992-n, nuk e di se
kur e vuri afatin e fundit, të rishihet dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë. Për mua, që
nga lëvizja e datës, nuk duhej të ishte marrë në konsideratë analiza e projektligjit. Megjithatë
analiza tregon seriozitet për çdo nismë deputeti, por unë jam totalisht kundër.
Faleminderit!
Milva Ekonomi – Në fakt, siç e dini, nismat e deputetëve, që depozitohen në Kuvend,
janë konsideruar me shumë seriozitet nga të gjitha komisionet, jo vetëm nga Komisioni i
Ekonomisë, si komision përgjegjës, dhe ju e shihni që ky projektligj, që ka ardhur si nismë
deputeti, po shqyrtohet edhe në komisionet e tjera, si: Komisionin e Ligjeve, apo Komisionin e
Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Ajo që ju thatë, që të ulet kufiri i poshtëm i
dëmshpërblimit, nga 44 të shkojë në 41, është përtej nismës ekonomike, se nuk na takon neve të
marrim këtë lloj vendimi. Është një vendim më i madh sesa i një personi të vetëm, siç është në
këtë rast zoti Roshi.
Artur Roshi – Zonja kryetare, a mund të ma jepni fjalën?
Milva Ekonomi – Do t’jua jap fjalën kur të mbaroj unë, zoti Roshi. Ju bëtë një përshkrim
të projektligjit më tej se relacioni dhe unë nuk ua ndërpreva fjalën, por jua lashë kohën plotësisht
në dispozicion për ta parashtruar. Ishit më shumë sesa relacioni, se edhe vetë projektligji, që keni
propozuar. Tani unë po marr kohën time për të thënë diçka dhe po ju them që nisma juaj, e cila e
ul kufirin e poshtëm të dëmshpërblimit përtej vitit ’44, është më shumë sesa një nismë individi,
sikurse e tha edhe zoti Xhelilaj, për më tepër është e pamundur, edhe nga pikëpamja e llogaritjes
së kostos, siç jua vuri në dukje Ministria e Financave, kështu që unë besoj se këto janë
argumente të mjaftueshme për të gjykuar secili nga ne lidhur me këtë projektligj.
Faleminderit!
Fjala është për ju.
Artur Roshi – Edhe një herë, që të kuptojë zoti Xhelilaj, se pavarësisht se më ka ardhur
shansi të vij në Kuvend, por Balli ka pasur deputetë në Kuvend që nga viti 1990, por kjo nuk do
të thotë që meqë m’u dha mua shansi një herë, zoti Xhelilaj të flasë si “E ëma e Zeqos në majë të
30
thanës”, se puna është të ecim me logjikë këtu. Pse është data? Te statusi unë e sqarova, por se
ku e ka pasur mendjen zoti Xhelilaj nuk e di, ose ndoshta nuk ka dëgjuar ngaqë jemi online.
Statusi fillon nga ’41-i në ’90-n, unë nuk e shpika. Te dëmshpërblimi është nga ’44-a në ’90-n,
thjesht është konvergimi i të dyjave, nuk ka nonsens këtu, as nuk po përmend njerëzit e mi, edhe
po qe se, ata janë njerëzit e mi dhe do të mi japin votat mua, jo Landit. Kështu që nuk më bën
Landi me ndonjë faj.
Për sa i përket të panjohurës që ka Ministria e Financave do të thotë se nuk e ka vrarë
mendjen asnjë ditë të vetme. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, po të donte, mund ta bënte
një studim, se ajo është qeveria, ai është institucioni përkatës, i cili mund të bëjë studime dhe
mund të vinte me shifra këtu dhe jo thjesht me fjalë. Deputeti ka iniciativën ta bëjë dhe unë e
kam bërë. Ka mbi 6 muaj ligji që është depozituar në Kuvend dhe Ministria nuk paska pasur
kohë që ta studiojë, por vjen këtu dhe flet në përgjithësi, sepse vetëm se jeni maxhorancë, ju
mund të gjeni ndonjë justifikim anësor, por problemi është se ne ballafaqojmë argumentet këtu.
Për sa i përket asaj që tha Komisioni për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, që është
njëlloj si komisioni kundër thatësirës në kohën e diktaturës, ky komision nuk ka punë me
financat. Çfarë sjell kjo nga ana sociale? Unë ua sqarova këtyre zotërinjve. Përveçse një paqe
sociale, ku është nonsensi social? Nëse ti ua jep në vite të ardhurat, nuk ka rëndësi a i merr nipi,
apo stërnipi, por ne duhet të vijmë tek e drejta dhe këtu e drejta duhet dhënë. Ne flasim a do ta
japim të drejtën apo jo, është tjetër gjë kemi para apo jo. Për partizanët paska para që nga 1939-a
që i marrin. Unë po e filloj nga ’44-a.
Se përse nuk e ka bërë PD-ja kjo është çështje tjetër, por kjo nuk do të thotë se duhet të
vazhdojmë siç ka bërë PD-ja, pra ne kemi mundësi ta përmirësojmë, ajo hodhi një hap, ne duhet
të hedhim një hap tjetër. Ku është logjika këtu që, ato banesa mizërie, që kanë qenë konvikte,
magazina, nuk kanë pasur asnjë element infrastrukture, të mund t’i quash apartamente, por janë
përshtatur dhe ata janë futur, sepse pasi kanë dalë nga burgjet kanë futur kokën në strehët e
magazinave, por kjo nuk do të thotë se ishin të banueshme dhe sot të themi se bën 850 euro metri
katror, sepse ndodhet në këtë zonë, pra ne ua bëjmë sikur janë ndërtime të standardeve
europiane. Kjo është nonsens dhe këtu nuk besoj se pajtohet njeri.
Milva Ekonomi – Zoti Roshi, unë do të thosha që të vazhdohet puna për të parë se si ka
qenë shpërblimi. Ndërkohë fjala është për ju, zonja Gjylameti.
Artur Roshi – Kryetare edhe një sekondë, të lutem.
31
Milva Ekonomi – Nuk ka nevojë të bësh argumente, se ne nuk i kemi fare këto
argumente.
Artur Roshi – Argumentet përballen këtu.
Milva Ekonomi – Kush të thotë ty që e ka 850 euro metrin katror?
Artur Roshi – Më lër edhe një fjali! Do t’ju mbush mendjen, pavarësisht se kemi bindje
të ndryshme bashkë, se thatë se kjo qenka përtej nismës së një deputeti. Pse qenka përtej nismës
së një deputeti, përderisa mua ligji dhe Kushtetuta nuk më ndalojnë, nuk mund ta përcaktoni ju
se sa është kufiri mes (Shkëputje interneti) së projektligjit që propozon deputeti. Duhet të jemi
seriozë me njëri-tjetrin!
Milva Ekonomi – Ke shumë të drejtë, prandaj po diskutohet ndërkohë edhe në
Komisionin e Ligjeve nisma juaj, duke e ditur që komisioni ynë është përgjegjës për pjesën
ekonomike dhe pjesa ekonomike ka shumë të panjohura dhe e panjohura e parë është pjesa që
vjen nga buxheti në momentin kur kufiri buxhetor 3-vjeçar i Ministrisë së Financave është
diskutuar. Pjesa e dytë lidhet me masën e shpërblimit, e cila ka kosto shumë të larta financiare
dhe pjesa e tretë lidhet me gjurmën e atyre që duhet ta përfitojnë për një kufi të poshtëm, që nuk
mund të jetë nismë e një deputeti, por është nismë më e gjerë kombëtare. Të lutem, më lër ta
mbaroj! Unë kështu e mendoj, ti ke mendimin tënd.
Në këto kushte përtej kësaj gjëje, pasi kemi bërë këto diskutime, kemi dëgjuar
propozimin tuaj, propozimin e relatores dhe Ministrinë e Financave, mendoj se është momenti ta
hedhim në votim.
Kush është dakord ta kalojmë në parim këtë projektligj?
Zonja Hyseni, zoti Roshi, zonja Topi, zoti Elezi, kush është dakord tjetër? Kush është
kundër? 10 kundër. 4
Me shumicë votash rrëzohet.
Nuk kalon diskutimi nen për nen dhe as votimi në tërësi.
Megjithatë, kolegë deputetë ju bëj me dije se pavarësisht nga vendimi ynë këtu në
komision, ku projektligji do të kalojë në seancën plenare, pasi është seanca plenare ajo që do të
vendosë për miratimin final të këtij projektligji dhe për kthimin e tij në komisione për rishqyrtim.
Mbarimi i diskutimit sot nuk ka të bëjë me mbarimin e diskutimit për këtë çështje, se do ta
vendosë seanca plenare.
32
Unë ju falënderoj të gjithëve për praninë, Ministrinë e Financave, zotin Roshi për nismën
dhe zonjën Gjylameti për relatimin e nismës!
Do të merrni mesazhe se si do të zhvillohen mbledhjet ditën e nesërme.
Faleminderit!
Mirupafshim!
MBYLLET MBLEDHJA
Sekretar Përgjegjësja e Sektorit të Redaktorëve
Anastas Angjeli Euzheni Pengili
Sekretar i komisionit
Elvi Prifti
Recommended