42
SELIM SELIMI PËRSHTYPJET E VJESHTËS Botim Privat Prishtinë 2010

Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

Embed Size (px)

DESCRIPTION

Botim PrivatPrishtinë2010

Citation preview

Page 1: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

SELIM SELIMI

PËRSHTYPJET E VJESHTËS

Botim Privat

Prishtinë 2010

Page 2: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

2

Page 3: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

3

Botohet për herë të parë. Punimi në Mbulesë: “Shqiptari Tuj Pi Duhan” (1865) Jean-Léon Gérôme (1824-1904)

E Drejta e Autorit © Tana të drejtat janë të rezervueme e të mbrojtuna me ligj. Me përjashtim të citimeve të shkurta, ky vëllim, ose pjesë të tij, nuk duhet të riprodhohen në asnji formë pa lejen me shkrim të autorit ose të mbajtësit të së drejtës së autorit. Për çdo informacion ju lutemi të drejtoheni në adresën e emailit: [email protected] Përshtypjet E Vjeshtës pp. 42 International Standard Book Number: 1-4243-0874-7 International Standard Book Number: 9-78424-308743 Kosovë 2010

Page 4: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

4

PËRMBAJTJA

Zjarri i Vjeshtës Shiu i Vjeshtës Ritmi i Vjeshtës Profeci Vjeshte

Vjeshtë në Prishtinë Dita e Përhime

Çka Din Vjeshta Mistika e Vjeshtës

Dielli i Vjeshtës Kunora e Hanës Era e Vjeshtës

G’shtenja në Vjeshtë Kohë e Ndërmjetme

Droja e Hanës Nata pa Hanë

Përthyemje Frika e Vjeshtës

Foletë e Shpendve Vila e Varun

Nata e Pemëve Vjeshta e Gjarpnit Krymbi i Vjeshtës

Bardhësia e Borës s’Hershme Mungesa e Çikës

Rezinjata e Fjalës së Pathanun

Page 5: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

5

Parathanie

Thania e Heraklitit të Efesit, të Pakuptueshmit ose Vajtimtarit të Përjetshëm, se “ujna gjithnji e ma t’reja ndeshen n’atë njeri qi rrin në t’njejtin lumë” e pëmbledh bukur mirë thelbin e kësaj përmbledhje por edhe rrugëtimin tem me ardhë deri këtu. Ashtu si e interpreton edhe Platoni, kuptimi i ksaj thanie asht se gjithçka ndryshon, e megjithatë, në dukje gjithçka mbetet e qetë dhe e njejtë, sepse ma shumë ndryshon e ma shumë mbetet e njejta gja. Në thelb, uji mbetet ujë e njeriu asht po ai njeri. Nga nji anë tjetër, e shkuemja duket se asht trajta jonë e vërtetë dhe e patjetërsueshme; aq edhe e ardhmja asht e formësueme prej saj. I larguem për shumë kohë prej letërsisë, edhe prej leximit të saj, këto kohët e fundit e gjeta vedin tuj pasë kënaqësi me shkrue e me lexue. Nuk ishte shumë shpërblyese me pa se kisha mbetë po ai njeri në lumë, por njeriu kur nuk ka fuqi me ndryshue vedin, duhet me u pajtue me atë që duket e pashmangshme. Rezinjata bahet virtyti ma i çmuem.

Kështu, jeta e njeriut që jeton jetën e vet por që kurrë nuk ndeshet dy herë me të njejtën gjendje, e shtyn gjithkënd, edhe mue, me reflektue. Çka do që ndodh, ne jemi e mbesim vetvetja e nuk mundemi me ndryshue krejt e me dalë prej thelbit të natyrës sonë të veçantë. Edhe me këtë përmbledhje, të shkrueme gjatë vjeshtës së vitit 2010, e gjeta vedin tuj ju kthye metodave e formave klasike e të sprovueme e tuj mbetë në rrafshin e nji tematike të konsiderueme si e tejkalueme apo jashtë modës së kohës. Por, “gjaja e bukur asht përgjithmonë”, thotë Keats, e asgja nuk asht e përjetshme dhe e bukur sa natyra e njeriu në të.

Përmbledhja, pra, asht tejet modeste e pa kurrfarë pretencioziteti artistik. Synimi nuk ka kenë me jetue në modën e momentit por me ndjekë me rigorozitet disa nga parimet e arta të shkruemjes së vjershës longue durée, e të

Page 6: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

6

respektueme ndër disa tradita të caktueme. Ndër të tjera, Horaci thotë dikund ‘ut pictura poesia’ d.m.th. si piktura ashtu asht edhe poezia. Nga ana tjetër, poetët klasikë kinezë nuk e kanë çmue dikend që nuk ka respektue me seriozitetin e duhun si formën ashtu edhe përkushtimin ndaj problematikës shoqnore të kohës së vet. Mbi të gjitha, filli i vërtetë i poezisë kalon kah rruga e ndjekun prej poetëve mistikë. Tuj qëmtue ndjenjat e tyne, disa prej tyne, shumë të dashtun për mue, janë në gjendje me pasqyrue elemente të spikatun të natyrës njerzore, të vendit e lidhjes së njeriut me natyrën e me sisteme të caktueme vlerash.

Nuk asht zakon me falenderue njerzit në një përmbledhje me vjersha, mirëpo ky rast asht krejt i veçantë e eksperimental. Si shumë të tjerë, edhe autori i kësaj përmbledhje jeton tejet i mënjanuem prej jetës letrare e rretheve artistike në trojet amtare. Parimi i deritashëm ka kenë që nëse nuk je botue në ndonji nga revistat e specializueme ose nuk je ba pjesë e rretheve të caktuara e të institucionalizueme, mundësia për me pasë shkëmbime me specialistët e artistët ka kenë thuejse e papërfillshme.

Megjithatë, nxjerrja e k’tyne vjershave në Facebook krijoi nji mundësi të rrallë për shkëmbimin e mendimeve, të analizës së vjershave, e të vlerësimit, shpesh edhe në nivele sipërore me ato të letërsisë e kritikës së botueme. Komentet e përgjegjshme, profesionale, e sistematike nga lexues, specialistë e artistë janë pikërisht ajo çka i ka mungue jetës artistike. Revolucioni në komunikim ka krijue mundësi të jashtëzakonshme për me matë vedin, me u përmirësue e me u ndje pjesë e nji grupi që mirëfilli të stimulon me mendue artistikisht. Vjersha lind vjershën, poetët krijojnë poetë të tjerë e komenti tejet i zgjuet si dhe analiza e mençur janë të pakrahasueshme në vlerë me nji koment të thatë që dikush mund ta marrin prej redaktorit të nji reviste të caktueme.

Nuk më duket se po e hiperbolizoj kur tham se edhe pse shkruemja e vjershave asht nji akt personal, shtysa për me e ba kët’ përmbledhje erdhi nga rrethi i miqve të mi në Facebook. Janë ata miq të zgjedhun që me komentet, interpretimet, me vumjen në spikamë të mangësive si dhe me inkurajimin e vazhdueshëm kanë kenë nji motivues i jashtëzakonshëm dhe me vlerë të paimagjinueshme për mue. Prandaj, e ndjej për detyrë që me i falenderue të gjithë

Page 7: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

7

ata miq të mi që në mënyrë të natyrshme janë ndi e janë ba pjesë e procesit të shkruemjes së kësaj përmbledhje.

Do të doja të falenderoja në mënyrë të vecantë miqtë shkrimtarët, kritikët e artistët si Majlinda Sinani-Lulaj, Prend Buzhala, Trina Gojani, Valentina Broja Sahin, Abdullah Konushevci, Adem Gashi, Ridvan Dibra, Vaid Hyzoti, Lazër Stani, Albina Idrizi, Sabit Rrustemi, Haxhi Muhaxheri, Brikena Smajli, Romeo Collaku, Shqiptar Oseku, Eva Hila, Albri Brahusha, Faruk Buzhala, Ukë Zenel Bucpapaj, Ismail Syla, Mimoza Nduka-Sokoli, Drande Xhai, Merita Smaja, Xheni Hali, Aqif Hysa, Ledi Stillo Paja, Anila Bratja, e shumë miq të tjerë në Facebook të cilëve ju kërkoj ndjesë që nuk po jua përmend emnin. Po ata e dinë se kush janë dhe unë ju jam shumë mirënjohës të gjithëve. Edhe pse shumë prej tyne nuk i njoh fare personalisht, mbështetja e kontributi i tyne ka kenë shtysa e inkurajimi për me shkrue, bash çka i nevojitet njeriut ma së shumti. Nuk mundem mos me vue re se ndjehem mirë, por edhe pak i shqetësuem, që ky botim privat asht edhe libri i parë, ose ndër të parat përmbledhje me vjersha (unë nuk di për të tjerë) që botohet si e-book, d.m.th, si libër elektronik në shqip. Kjo nuk don me thanë se unë kam hekë dorë prej të drejtave të autorit. Po ashtu, kjo nuk don me thanë se, nji ditë, libri nuk do të shtypet në letër. Kjo don me thanë se për sa kohë njerëzit nuk nxjerrin përfitime, janë të lirë me e shpërnda e me e lexue e përdorë brenda normave. Prandaj ata që e lexojnë dhe që e pëlqejnë janë të lutun me e përhapë ndër miq të vet. Ma mirë me e nisë librin në kompjuterin e të panjohunit se sa me e lanë në dyqan pa u shitë e tuj pritë komentet e kritikës e të publikut.

Në fund, më duhet me thanë se përdorimi i nji gegnishteje të lehtë ka kenë i pashmangshëm e erdhi natyrshëm. Njeriu duhet me shkrue në gjuhën në të cilën mendon e aq ma shumë ai që shkruen vjersha. Tuj mos dashtë me cekë në tema e debate lidhun me këtë temë, kisha thanë se më vjen shumë lehtë e ambël me shkrue në gegnisht, e në dialektin e folun shkodran, me aq sa e njoh unë. Po ashtu, kur ka kenë e mundun, jam përpjekë me përdorë e me respektue normën letrare zyrtare, sidomos kur më ka ndihmue me formën e strukturën e poezisë. Gabimet janë tana të mijat e për to kërkoj ndjesë.

Page 8: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

8

Page 9: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

9

Përshtypjet e Vjeshtës

Page 10: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

10

Dashnia s’dihet. Era e vjeshtës t’fshikë,

E ndjen, kur t’ikë.

Page 11: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

11

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE I: ZJARRI I VJESHTËS Pylli digjet flakë, e retë veç l’shojnë shi. Bari përdhe jeshil, i njomë si përherë, Çka me ba me gacat, që tash po shuhen n’njomti S’din. Gjuhët e flak’ve, kuq e verdh, përzi n’erë, Shenja e dënimit, t’pemëve t’përdredhuna. Vjeshta asht nji stinë, e mbytun krejt në lagshti, Bari i hupun nën kalb’sinat e mbledhuna Vjeshta digjet flakë e retë veç lshojnë shi Shtihet veç e ndezun me gjethe të zverdhuna. E unë, e pemët s’dimë çka me ba n’vetmi.

Page 12: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

12

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE II: SHIU I VJESHTËS Prajshëm bjen shiu i vjeshtës së hershme. Ndjeshëm, t’ftohtit struket n’thu’. Sa mos me u kujtue, Sa mos me e harrue, Gjethet sa ambël i vret. Prajshëm bjen shiu i vjeshtës së hershme. N’dhe flaka e rrejshme mbet. gjethe të zvjerdhuna, fletë të ndezuna, dheu i vjeshtës s’i tret. Prajshëm bjen shiu i vjeshtës së hershme. Bart çka s’ka me më njoftë. mi mpin sytë e mi ma hup mendjen n’lagshti sa mos me ndi at’ t’ftohtë.

Page 13: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

13

Përshtypjet e Vjeshtës Prajshëm bjen shiu i vjeshtës së hershme. E mue s’ma rren mendjen. N’vjeshtë s’di me shpresue, Shiun duhet me durue, Tuj u fikë me gjendjen.

Page 14: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

14

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE III: RITMI I VJESHTËS Zverdhja e gjetheve e shploi bollën jeshile n’nji degë rrshqitjen e pa ndijshme, kund gja pa prekë, si n’dhe, as nji gogël. ngjitjen ndër rrema t’plasun e gjurmimin foleve të shkretueme ku s’ka ma shpend të vogël me e shue untimin e vjeshtës së saj. E vetmueme. Ky shi prajshëm bjen e s’po e mërdhitë. T’ftohtit e ajrit ka me e ndrye thellë n’dhe në nji vend ngujue, nën barin e zverdhuem ka me gjallue veç me ngroht’sinë e vet. Kund pa u prekë, pa u ngushtue, e mblue prej kalbsinës së fletve që dikur e pa vetëdije e strehuen tuj shue zogjtë që pemës i dhanë nji fije jete.

Page 15: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

15

Përshtypjet e Vjeshtës Eh, tash asht gjarpën e si gjarpën e din vazhdimin. S’po ka, e as lyp ma fillesë. Kur t’vijë pranvera ka me kenë vetvete, Me nji lkurë të re ka me rr’shqanue n’vesë. E unë ndrye n'mendimin, e lypi jetën e re Gjallimin, Peng i t’shkuemes, n’nji t’ardhme pa shpresë.

Page 16: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

16

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE IV: PROFECI VJESHTE Nji ditë, në nji shteg ka me më lanë mendja, e s’kam me pasë nji kujtim m’u varë, për be, s’kam me ditë si me fillue nji jetë t’re, e kurrë ma pak s’ka me më vyejtë rendja, n’zyrë, ku sendet e dekuna janë gjendja. Nji ditë, në nji shteg kam me u gjetë askund. Kam m’u dishrue me pas pasë jetë tjetër, kam me true ikjen prej dashnisë së vjetër, e s’kam me pasë dikend me u mbajtë dikund. Si gjethin n'erë, hija e vetes ka me m’shkund.

Page 17: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

17

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE V: VJESHTË NË PRISHTINË Shi po bjen e l’vorja ujin s’po e mbledh n’të. Mblue beton e asfalt trungu i k’saj peme. Rranjët kanë dalun, dregza të nji t’gjalli. S’di ku gjen ujë jete Blini i rrug’s teme. Ktu jam. Për Gërminë asht kah më merr malli. Me e shkelë myshkun, njomtue e n’tokë ra, l’vore t’plasme me pa, ferra t’zgjatme gjithkah, me ecë pa frikë se mundesh me tretë mos me mendue shiun, pemën ku merr jetë.

Page 18: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

18

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE VI: DITA E PËRHIME Dita e përhime asht shprehja e jetës pa dashni. Retë që s’dahen prej njena-tjetrës janë fytyrat e shikuesve n’nji sallë t’errtë gjithnji, e veç ngri, e kush me mend s’po din me i marrë tanë mënyrat si munden me thanë diçka që ty nuk të vret thellë. Dita e përhime asht aj shtegu që të çon në askund. Mungesa e hijeve tona na ban me tret’ drejtimin gjethet e vjerruna me frymën e thame me i tund e çikës s’bukur mos me mujtë me ia bajt shikimin e veç vjeshta din se si me më hupë në nji shpellë.

Page 19: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

19

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE VII: ÇKA DIN VJESHTA

sonet Eh, çka din vjeshta e s’don me e thanë, ndrye asht atje n’rrezen e kërmezun, n’bokla kallamoqi hedhë n’nji anë, n’patat e egra n’livadhin e zverdhun, që bar lypin, vendin e vet me lanë. E din çka bahet me za shpendi t’etun që vjen i afërt, e s’dihet prej ç’anë, ajo din çka bahet n’vetmi me heshtje, çka bahet në mend me gjarpnin e fjetun, me hije veret qi t’ndjek me kureshtje, e me t’gjetë kurrë ma s’ka me t’gjetun, me dheun që ngrin pa u ndi nën kambë… e din pse mendja mbas zemrës ka tretun ah, çka din vjeshta, e gja s’don me thanë.

Page 20: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

20

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE VIII: MISTIKA E VJESHTËS Vjeshta asht nji pritje, kumbonat s’munden me e dbue zanet e tingujt te vetja t’thrrasin, e s’dinë me u ndalë. Molla ende e jeshilueme, e frutat rrudhen me kadalë, vjeshta asht pritje për nji gjumë, që s’t’len me andrrue. Askund si n’drunjt’sinë e saj s’mund t’ndjehem vetvete, rrethue gjithkah me krijesa, që sa e kanë hupë kuptimin, n’nji botë që pret shterp’sine, e veç druhet për gjallimin e farnave t’hedhuna, mbshtjellë n’kalbsinën e k’saj jete, Vjeshta asht pritje, ku s'din kush ma te unë me mbrri, e dukej se lulet e mollës do t’lul’zojshin n’përjet’si.

Page 21: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

21

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE IX: DIELLI I VJESHTËS Kur je, si asht ky dielli n’vjeshtë, s’të vyen gja krymbi nën dhe. Veç lutesh me dhanë pak dritë, veç lutesh me ngrohë nji shpirt, e kurrgja, kurrgja ma thjeshtë se kalbsinat nuk din me i nxe. Dielli i vjeshtës e din se asht hija e t’dekunit që lyp të tijën jetë. E ashtu, as nuk din me lëvizë, medet, as nuk din ku me u nisë, pandjeshem shkelë n’ato mirija veç din se ku ka me u tretë. Dielli i vjeshtës asht rob i lidhun i ksaj kohe krejt t’pashpresë, i çikës që s’din ku i dhemb, i kohës që s’pyet për shpend, e as për njerëz kaq t’çoroditun, gjethin e thamë s’und e ndezë.

Page 22: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

22

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE X: KUNORA E HANËS Diçka i thanë pemës s’re kur gjethet erës ia lanë e era i lshoj përdhe, sikur nji hyjnie i banë Blatim. Hana, edhe ne, me to jemi e mënjanë. Diçka desht me kumtue pylli me kët t’zhdeshun. Diçka din dheu mblue që krejt ka heshtun. Droja e pemës s’asht tuj pyetë ma për sytë e gjarpnit që therin n’asht. Sheh retë hapërda e yjtë kunorën e hanës ngri.

Page 23: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

23

Përshtypjet e Vjeshtës Në palc t’ftohtit ka hy. Pema s’don me folë me njeri. E hana, e pajetë rr’shqet ndër sy.

Page 24: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

24

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XI: ERA E VJESHTËS Nji gjeth era s'po e gjen, me rrzue ma përdhe, Rrmyeshëm ajo fryn, po tash s’din ma se pse. Lmimi i deg’ve qullun, fuqinë që të shklyn Tret. Shpendët atje ngulun, era që s’pran, i ndyn, Me pluhun t’lagështitun, që vjen si ndër mote njomtue thellë me dhimbjen, e nanës t’k’saj bote. Nji gjeth ma nuk e gjen, m’e tretë era kund Tanë kalbun e përdhe, ma era s’und i shkund. Tash gjethet e kalbsueme, m’u shkri lypin me dhe Duen me dhanë jetë, çka asht e huej për ne. Fryn era e k’saj vjeshtë, e tjetër s’din me ba … kur era s’gjen ma gjeth, veç lyp nji shpirt me tha.

Page 25: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

25

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XII: G’SHTENJA NË VJESHTË Me e shplue t’fshehtën e vjeshtës duhet me ecë n’shtegun, mblue me gjethet e g’shtenjave që ende ruejnë njollë ramjet e shiut t’ nji mbramje t’kalueme. Me e prekun, premjen në gjethin e zvjerdhun e vragët, nji vijë e hollë. Me e shplue t’fshehtën e pakapshme t’k’saj vjeshte, betejën që sa asht mbyllë duhet me e marrë me mend. Gjethet e mbetuna varë janë maja të thyeme heshte që s’mund e ndalin nji rreze, e tash nuk zanë ma vend. Me e shplue t’fshehtën e qetësise së vjeshtës përrreth fitoren e humbjen e dikujt në dhe duhet me e gjetë. Qielli i kulluet shihet e rrezet ma s’thyhen. E për gjeth g’shtenja nuk jeton, në shark ndryn jeshilen e vërtetë.

Page 26: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

26

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XIII: KOHË E NDËRMJETME Vjeshta asht nji botë e shtrime n’ujë, universi i kurrkundit, koha kur qielli vyen veç me spërkatë cipën e pellgut t’qetë. Vjeshta asht nji botë që dridhet n’ujë, nji fllanzë që pin e trand qiellin, si Zoti ma i fundit. Vjeshta asht nji botë që shuhet n’ujë, koha kur yjet bahen t’ujshëm e hupin në valën e lehtë. Vjeshta asht nji univers pritje, ku çka ndodh s’asht përreth. kohë e ndërmjetme, shi i ndymë e midis shiut e borës, vjeshta asht brymë.

Page 27: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

27

Përshtypjet e Vjeshtës Vjeshta asht jeta që hupet, hana që dridhet në pellg kur bjen sall nji gjeth nji botë që s’asht, s’mundet me kenë, e prapë t’len pa frymë.

Page 28: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

28

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XIV: DROJA E HANËS Droja e hanës me prekë pemët e zhveshuna e ka rranjën te prekja e pyllit t’djegun zhari. Dritë e pajetë u pat ba n’trungjet e rreshkuna copa kristali. Tash n’vjeshtë kalon andej pari sy mbyllë. E lumtun asht kur retë e denduna e lajnë n’paqe, ia shuejne dyshimet e pandame se n’dhimbjen e dikujt duhet me u ndalue pak.

Page 29: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

29

Përshtypjet e Vjeshtës Hana ka kaq frikë me u cekë n’fojletën e thame Hana veç ka droje se po i rrjedh kaq shumë gjak, E cergë e qelqtë ka me mbetë, n’te e shpërbame.

Page 30: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

30

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XV: NATA PA HANË Nata pa hanë asht ankthi prej shpirtit tand i derdhun t’mbështjell dheu, e retë e fryma bahen pelena gjithkah. Jetë ma s’din se si me pasë kur shqisat s’vyejnë kurrgja botën e pafund ma në syte s’mundesh me e mbledhun. Natën pa hanë edhe sytë e gjarpnit t’untë lshojnë dritë. Çka retë duen me ba, duhesh me e lexue n’erën e ftohtë, çka pemët lypin, preket n’gjethin e kalbun e t’ngrohtë, e krejt pa shpresë mbetesh n’duert e rrezes ma t’mpitë. Nata pa hanë vdes veç kur pandalshëm e shtrue bjen shi, e vjeshta nuk asht ma qeniet që munden me lshue nji za, kur nën qulljen e kullimin e ujit njitrajtësohet gjithçka, e bahesh i vetdijshëm se me ndryshue vedin nuk ke fuqi.

Page 31: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

31

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XVI: PËRTHYEMJE Çka i jep jetë kaltrimit t’kulluem asht nji shpend, fajkoni i untuem që zogjtë me tutë i mbushë strukjen e tyne dikton n’rremat e kapërthyem që gjuetjen s’duen me ja mund’sue, e në fushë, gjarpni e ndjen shpërfilljen e dritës, i ndryem asht në nevojën me gjallue. Vjeshta u kthye në kohën me i ndenjë larg vetes. Dashnia e të tjerëve nuk t’ban as me mendue, Vuejtja e t’pakthyeshmes gjykon për ty. Pemët duken t’gatshme me u pre për trena, dheu luen lojën e të dekunit, e ngri i ruen farnat e jetës. Gjithkush mbledhet në vedi, tkurret e heshtë. As qielli s’din me kenë vetvete kët vjeshtë. E unë veç due me ikë, me ikë prej t’vërtetës.

Page 32: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

32

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XVII: FRIKA E VJESHTËS Sonet Vjeshta ka frikë me dashtë vedin deri n’fund, nuk din ku duhet me u dorzue pa shpresë, a ka nje rrugë kthimi, pa kërkue ndjesë, s’don me kenë stinë e lmume që gjethet tund zhveshun prej jetës e kuptimit si gur zalli. Vjeshta dron me i ikë vedit deri në fund e lirshëm bahet rrjedhë prroni n’at shpat mali. Asht çka duen qëniet që vijnë prej gjithkund marrin jetë, ujin bajnë dritë e shkumë. Vjeshta dron se i ikë vetja duersh në fund, gjarpnin që flen mshehë me kujdes dikund, prore, nji shpend t’vetmuem n’nji qiell të kthjellët e gjen me pikë uji botën e fjetun përmbys kthen s’don me dit’ kufijt e dorzimeve njerzore.

Page 33: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

33

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XVIII: FOLETË E SHPENDVE Asnji shpend s’po kthehet ma n’ foletë e deridjeshme. Prej larg shihen, t’pamblueme me gjethe, n’degët e nderuna, rremat e pemës që s’panë diell i gzohen dritës e vjeshtës së hershme. Shkul rremash e thuprash me nji sqep e me baltën t’enduna, foletë e shpendve janë të dukshme për të tanë. për gjarpnin që s’und njitet atje pse gjaku gati i ka ngri, për qiellin që me ujin e akulluem borën s’mundet me shkri, për diellin që e përshkon tej e matanë për t’ftohtit, mjegullën që n’fijet e kalbuna t’barit loton. Pema lyp me i kallzue dimnit që po vjen, si vjeshtës që po shkon, se as ai për gjithmonë s’mundet me kenë.

Page 34: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

34

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XIX: VILA E VARUN Varë në pjergull si lotët e nji t’veje pa shpresë që s’din çka me ba me jetën e vet, tash asht e lirë me ra përdhe e me plasë. Vila e rrushit mbledh pluhun e vesë. Shiu s’don me e dlirë. Era s'don me e cekë. Breshni s’din si me e kallë. Langu i shprazet përmbi rrasë gjithkah zgjatet diçka me e prekë. Nën strall, gjarpni asht ndrye në birën e vet. Vila e varun i kujton kotësinë e k’saj jetë. Msue me gjuejtë tuj ndjekë gjakun e nxehtë për te, vila e rrushit t’thamë asht toka e shkretë.

Page 35: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

35

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XX: NATA E PEMËVE Nata asht lodhë me të zezën e vet, e lypë veç dritë, dora e saj e shtrime, ngri n’skajet e zgjimit t’mpitë. Pema asht nji tufë hejesh, akulli që nata e ka stisë, e n’lbyrjen e agimit, me mbledhë dritën që harlisë, n’pafundsinë e nji qielli që kurrgja s’din me rritë. Shprishja e dritës s’din si me e mshehë at shterpsi t’kaltrimit t’kulluet ku nuk endet ma as nji shpend, tash veç shteg me shkelë rrezet, qielli s’pret ma kend. E pemët veç digjen, e n’terr do të jenë shkrumb i zi nata edhe kët herë ka me mbetë vetëm e pa dritë nata asht koha kur pemët kanë me dhanë shpirt.

Page 36: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

36

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XXI: VJESHTA E GJARPNIT Bolla e shpisë së shembun s’und kthehet ma n’at tra, n’at anë t’oxhakut me u mbledhë, në shkamb me hypë, me sytë e mbyllun pa mendue se kush mundet me e pa. Tash asht gjarpën, si të tanë, kryet duhet me ja shtypë, ata qe do ta zanë, dikund, n’nji arë pranvere tuj kositë, kur në barin e njomë, birën e minit ajo do t’jetë tuj lypë, Eh, kush e ka durimin mbinjerzor me i lexue gjarpijtë? Çka thonë njollat jeshile s'kanë me ditë me i zbërthye. E n’pranverën që vjen nji l’kurë të re ajo ka me e rritë. Ngri këtë vjeshtë n’përgjumjen stinore, s’don me përlye t’shkuemen deri kur t’duhet edhe nji herë me u zvarritë e kujtimet e prekjes njerzore pa mdyshje ka me i shlye.

Page 37: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

37

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XXII: KRYMBI I VJESHTËS Çka vjeshta ju ka thanë atyne gjymtyrëve mshehtas, që s’prajn tuj cytë at vallen e dashnisë n’sytë e mi? Atë dridhjen e shpërvjeljen e flokve t’zes, kaq lehtas, që m’lidhin shtatin e m’shuejnë zanin përgjithnji? Atë çka ato dijnë e unë skam me mujtë me e msue, çka ato dijnë e pse duhet kaq me e dishrue s’di. Çka ato s’duen me thanë e unë s’due me e dëgjue! Ah, zemra jeme asht gjeth i shtrimë e lmue n’dishrim Pemën me e braktisë e në mëndafsh me u shndrrue n’dashninë e flutrës me u dhanë, me shpresue n’afsh, kaq asht mundsia e atyne që me njerzit s’gjejnë gzim. Pllangë gjethit t’kalbun n’vjeshtë ka me u ba n’at rrafsh me drojen që ndoshta kurrgja në dhe s’ka me i mbetë, me shpresën boshe se dheu ndjenjën s’din me e tretë. N’heshtje, nji krymb ka m’e përtypë deri n’pambarim.

Page 38: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

38

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XXIII: BARDHËSIA E BORËS S’HERSHME haikku kamba e mpime untisë së ujkut n’shpat vetminë ja ndjen dora e shtrime ngrin nën borën e thatë e zogu ma s’vjen shqisa e ngime në t’bardhën e pamatë gjarpnin s’e gjen me ty n’mendime kurr ma me u ba natë dheu s'po e len.

Page 39: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

39

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XXIV: MUNGESA E ÇIKËS Mbramë, kaq m’ka mungue çika, gja s’ndjeva der’sa ra errsina. Vjeshta jeme si ajo s’ka tjetër, e as vetë se di si prej saj ika kur prej saj gzohen kur vika, edhe gjethet, tashma kalbsina. Mbramë si ra nata, ma e gjata, iku hana, terrina qe i din të tana, veç shtihet si plakë… (e panafakë), nuk më ka trazue me hyllësi me erë, me pika... e as me flakë që ka me m’djegë n’përjetësi. Mbramë nata asht kenë nji ketër krejt i bardhë, nyje m’nyje t’pemës veç kceu, tuj i ikë frika prej gjarpnit që tash shtye n'dhe s’don me u marrë me vete as me ne, as me dheun që s’din pse duhet me durue njiksi lloj jete.

Page 40: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

40

Përshtypjet e Vjeshtës Mbramë jam ndie brenda kaq grrye, sa nji diell t’ndezun e kisha ndrye, e mandej do hapsina të pafund për dritë kishin gjetë vend gjithkah me rr’shqitë zemrën teme pa e përlye. Mbramë, që se pata çikën as ndër mend, m’asht dukë vedi bosh, e kisha vend, me strehue nji natë botën e gjithkend.

Page 41: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

41

Përshtypjet e Vjeshtës PËRSHTYPJE XXV: REZINJATA E FJALËS T’ PATHANUN Tanë të pathanunat e mshehta kur flasim me duer, e heshtja që zgjasim drojnë, s’cekin vendimin e thjeshtë, si shikimi që s’don me ra në sytë e gjarpnit t’untë që nxirret përdhuni me nji shkop nga bira në mur. Qëmtimi i ndjenjës fillon te rezinjata e k’saj vjeshtë, te hupja e përjetshme e gjetheve, e përhimja gjithkah, kur jeta e vërtetë asht nji botë që mundet me u shkundë …tërmete brenda nesh që s’merren vesh e bien papra. E pathanuna e mshehtë zgjon ndjesi që s’di ku me i ndry si avullin e gjetheve të kalbuna e erën e tyne në fushë, tym due me u djegë e me mbrri aty ku s’mundet me u hy me ngrohtësi t’andrrueme e t’mungueme me u mbushë, E pathanuna asht vec fjollat e borës mbi zjarrin e shuem asht avulli që shkrihet me tym e s’dihet cili asht ma aty çka e bani ditën të bukur ishte nji heshtje që ju gzuem. plaga që s’shihet, s’asht për t’tjeret, e ska si me ra në sy.

Page 42: Selim Selimi,Pershtypjet e Vjeshtes

42

15 Euro