Abdesi Hoxhë Lulzim Perçuku
(Shkëputur nga dersi rreth abdesit)
Definicioni i abdesit Në aspektin gjuhësor në arabisht, abdesi është nxjerr prej rrënjës së fjalës “el
wedae” që do të thotë mirësi dhe pastërti. Në arabisht i thuhet “wudu”. Ndërsa
në aspektin sheriatik (fetar) abdes do të thotë përdorimi i ujit në katër gjymtyrët
që kanë ardhur në ajet, të cilat janë: fytyra (goja e hunda), duart deri në bërryla,
dhënia mes’h kokës (dhe veshëve) dhe larja e këmbëve. Pra, përdorimi i ujit mbi
këto katër gjymtyrë në atë mënyrë të veçantë ashtu siç ka ardhur në sheriat
(Kuran e sunnet) dhe me këtë vepër duke pasur për qëllim afrimin tek Allahu dhe
duke shpresuar shpërblimin e Tij.
Koha kur obligohet abdesi Abdesi është obligim kur të hyjë koha e namazit, apo kur personi do që ta bëjë një
vepër në të cilën abdesi është kusht, p.sh.: namazi, tavafi etj.
Kushtet e abdesit Dallimi mes kushteve dhe farzeve është se kushtet i paraprijnë veprës. Nëse një
person nuk e vepron një kusht gjatë një vepre e cila është e kushtëzuar nga ai
kusht, atëherë ajo nuk pranohet. Ndërsa farzet janë brenda veprës.
Kushtet e abdesit janë:
1. Islami (me qenë mysliman), Allahu nuk e pranon abdesin e jobesimtarit;
me qenë i mençur (i shëndosh psiqikisht) e jo i çmendur; me qenë në
kohën që ka filluar t’i dallojë gjërat se çfarë është e mirë e çfarë e keqe,
Allahu nuk e pranon abdesin e një fëmijë të vogël që nuk mund t’i dallojë
gjërat.
2. Nijeti
Vendi i nijetit është zemra, për arsye se ajeti kuranor që thotë: “Nuk janë
urdhëruar për tjetër gjë përveçse ta adhurojnë Allahun duke qenë të sinqertë në
fenë e Tij”, e ku është vendi i sinqeritetit? Ai e ka vendin në zemër.
Nijeti me gojë për abdes është bidat. Nuk ka ardhur transmetim prej Pejgamberit
salAllahu alejhi ue selem se ai e ka bërë nijetin me gojë. Mirëpo ai e ka bërë
nijetin me zemër. Thënia e nijetit me gojë është bidat dhe nuk lejohet të
veprohet, sepse çdo bidat është i refuzuar tek Allahu dhe i papranuar.
Nijeti është dy lloje:
1. Nijeti që bën dallimin mes adeteve (traditave) dhe ibadeteve
(adhurimeve).
Nijeti është ai që e bën dallimin mes qëndrimit në këmbë dhe qëndrimit në
këmbë për namaz. Në rastin e parë e bën nijet se të qëndruarit në këmbë është
prej adetit, ndërsa në rastin e dytë e bën nijet se të qëndruarit në këmbë për
namaz është prej idadetit, duke shpresuar me këtë shpërblimin tek Allahu.
Gjithashtu sa i përket uljes në namaz. Njeriu gjatë ditës qëndron ulur. Mirëpo
dallimi mes këtyre dy rasteve është me nijet. Në uljen në namaz e bën nijet të ulet
për hir të Allahut dhe duke shpresuar shpërblim tek Ai.
Në këtë hynë nijeti për dallimin e namazeve mes njëri-tjetrit. Shembull: namazi
farz prej atij sunnet. Ky është lloji i nijetit që përmendet në librat e fikut,
dispozitave islame.
2. Nijeti me të cilin është për qëllim Allahu, pra sinqeriteti, duke pasur për
qëllim me veprën tënde vetëm Allahun e Madhëruar.
Prej këtyre dy llojeve, ky nijet është më i mirë, sepse sinqeriteti në adhurim është
bazë pa të cilën Allahu nuk i pranon veprat.
3. Uji i pastër
Është ai ujë i cili në vetvete është i pastër dhe pastrues për të tjerët. Nëse personi
merr abdes me ujë të papastër, nuk i pranohet ai abdes. Namazi që e fal me këtë
abdes nuk pranohet. Duhet ta përsërisë atë namaz. Duhet ta përsërisë abdesin
kur të gjejë ujë të pastër. Kur Allahu ka thënë se është obligim marrja abdes për
namaz, ka thënë se nëse nuk gjeni ujë merrni tejmum. Në këtë rast nuk bëhet
pastrimi në ndonjë mënyrë tjetër, por merret tejmum.
4. Largimi i çdo gjëje nga lëkura që e pengon arritjen e ujit deri te
lëkura, si: brumërat, llaku me të cilin gratë i lyejnë thonjtë. Abdesi nuk
pranohet nëse uji nuk arrin në të gjitha gjymtyrët.
Në rast se ngjyra është e atillë që e thithë lëkura, si: kana që e përdorin gratë,
nëse atë nuk e largon uji, atëherë abdesi pranohet, ngase këtë ngjyrë e ka thithë
lëkura e nuk është mbi të duke e penguar ujin të arrijë deri te lëkura.
5. Të pastruarit me ujë ose me gurë
6. Pastrimi i të gjitha gjymtyrëve mbi të cilat është obligim abdesi
Ka ardhur në një hadith ku njëri prej shokëve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue
selem e ka lënë një pjesë të këmbës pa e larë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue
selem e ka parë duke u falur dhe e ka urdhëruar që ta përsërisë abdesin dhe
namazin.
Farzet e abdesit
1. Larja e fytyrës
Dijetarët e kanë cekur se fytyrë është prej aty ku fillojnë flokët (lartë te balli) deri
aty ku bashkohen dy nofullat (poshtë), dhe prej veshit deri në vesh.
Dijetarët sipas kësaj kanë caktuar disa dispozita. Prej tyre është se hapësira mes
veshit dhe mjekrës është obligim të lahet gjatë abdesit, ngase hapësira e fytyrës
përfshin prej veshit deri në vesh.
Nëse një njeri e ka mjekrën e madhe dhe të lëshuar poshtë, e ka obligim ta lajë
(qimet e mjekrës) krejt atë dhe jo vetëm vendin e mjekrës aty ku bashkohen dy
nofullat. Nëse personi e ka mjekrën e rrallë e ka obligim të fusë ujë në të, duke i
depërtuar deri në lëkurë. Mjekra e rrallë është ajo që dallohet lëkura brenda saj.
Nëse e ka mjekrën e shpeshtë, nuk e ka obligim futjen e ujit. Nëse e lan vetëm
pjesën e sipërme mjafton. Mirëpo për atë që e ka mjekrën e shpeshtë është
sunnet futja e gishtave dhe ujit në mjekër.
Te larja e fytyrës hynë larja e gojës dhe e hundës. Larja e gojës dhe hundës është
obligim gjatë abdesit.
Dijetarët cekin se arsyeja pse goja lahet para hundës gjatë abdesit është se goja
është vendi më i ndershëm te njeriu. Me të ai e përmend Allahun. Ndërsa hunda
është vendi ku qëndrojnë papastërtitë. Me gojë njeriu urdhëron për të mirë dhe
ndalon nga e keqja. Përmes saj njeriu fut ushqimin e pirjen, e përmes tyre ai
forcohet për ta adhuruar Allahun.
Uji bëhet i papastër atëherë kur ndryshon njërën ose tri tiparet e tij: erën, ngjyrën
apo shijen. Ndaj, dijetarët e cekin se arsyeja se pse goja dhe hunda lahen para
fytyrës gjatë abdesit, është se kur njeriu e fut ujin në gojë e dallon nëse ai e ka
ndryshuar shijen dhe e lë atë ujë, kur e fur ujin në hundë e dallon nëse ai e ka
ndryshuar erën dhe e lë atë ujë. Për këtë thonë se është bërë obligim larja e gojës
dhe hundës para larjes së fytyrës.
Rreth mënyrës së larjes së gojës dhe hundës gjatë abdesit ka dy mendime të
dijetarëve:
1. Merr një grusht ujë, e fut në gojë dhe e shpërlanë atë. Kështu vepron tri
herë. Pastaj tri herë pastron hundën.
2. Me një grusht ujë pastron të dyja përnjëherë, kjo tri herë.
2. Larja e duarve deri në bërryla
Mendimi më i saktë i dijetarëve është se bërrylat hynë në abdes. Bërrylat janë
pjesë e duarve dhe duhet të lahen gjatë abdesit.
Dijetarët kanë pajtueshmëri në atë se larja e këmbëve më lartë sesa nyjat (qoftë
dhe pak mbi to) dhe larja e duarve më lartë sesa bërrylat (qoftë dhe pak mbi ta),
është sunnet dhe është gjë e mirë.
3. Fërkimi i kokës (dhënia mes’h)
Abdullah ibën Zejd radijAllahu anhu kur e ka përshkruar mënyrën e dhënies mes’h
kokës nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ka filluar me të dy
duart prej fillimit të kokës së tij deri te qafa.” Pra, e ka përfshirë me duar të gjithë
kokën. Vazhdon: “Pastaj i ka kthyer duart deri në vendin ku e ka filluar mes’hin.”
Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve, pra dhënia mes’h krejt kokës është
obligim, dhe jo vetëm një pjese të saj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka
dhënë mes’h krejt kokës.
Mirëpo nëse ndokush e ka mendimin ashtu siç kanë thënë dijetarët e tjerë, si: Ebu
Hanife dhe imam Shafiu, të cilët kanë pasur mendimin se i jepet mes’h vetëm një
pjese, ne nuk i themi se e ke abdesin të kotë, ngase ai e ka marrë një mendim të
dijetarëve. Mirëpo ne e cekim mendimin që duket se është më i sakti, duke u
bazuar në argumente, e prej argumenteve është hadithi që e cekëm më lartë.
Nuk ka ardhur asnjë hadith i saktë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i ka
dhënë mes’h vetëm një pjese të kokës, janë të gjitha hadithe të dobëta. Nuk ka
argument se duhet dhënë mes’h vetëm një pjesë të kokës ose flokëve.
Pavarësisht nëse personi i ka flokët të gjata, të shkurta apo të rruara, e ka obligim
t’i japë krejt kokës mes’h.
Obligim është dhënia mes’h prej fillimit të kokës deri te qafa. Ndërsa nëse
kthehesh për së dyti prej qafës deri aty ku fillon mes’hi, kjo është sunnet.
Prej kokës dhe dhënies mes’h asaj janë edhe veshët. Pejgamberi salAllahu alejhi
ue selem ka thënë: “Veshët janë prej kokës.” Dhënia mes’h veshëve është
obligim.
Një nga sahabët, kur e përshkruan mënyrën e dhënies mes’h veshëve nga
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, thotë: “U ka dhënë mes’h brendësisë së
veshëve me dy gishtat tregues.” Pra e ka futur gishtin tregues brenda në vesh.
Vazhdon: “Kurse anës së jashtme të veshëve me dy gishtat e mëdhenj të duarve.”
Me të njëjtin ujë që i jep mes’h kokës u jep edhe veshëve (nuk merr ujë rishtas),
sepse veshët janë pjesë e kokës.
4. Larja e këmbëve deri në nyje
Këmbët gjatë abdesit lahen deri në nyje. Mendimi më i saktë i dijetarëve është se
nyjat janë pjesë e këmbëve. Pra është obligim larja e nyjave. Pejgamberi salAllahu
alejhi ue selem ka thënë: “Dhe lani këmbët tuaja deri në nyje (në zogë).” Zogu i
këmbës përfshihet në larje dhe është obligim larja e tij.
Shijat (një grup i devijuar) thonë se këmbëve mjafton t’u jepet mes’h. Pra, pa
qenë me meste sipas tyre mjafton t’u jepet mes’h, pa i larë. Ky mendim është i
gabuar, sepse nuk është transmetuar asnjëherë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue
selem i ka lënë këmbët pa i larë gjatë abdesit duke mjaftuar vetëm me dhënien
mes’h atyre. Larja e këmbëve në abdes është obligim, kjo me pajtueshmëri të të
gjithë muslimanëve.
Kjo është një gjë që na dallon nga bidatxhinjtë, sepse shijat dhe havarixhtë, dy
grupe të devijuara, thonë se mjafton vetëm dhënia mes’h këmbëve (pa i larë).
5. Renditja
Renditja në abdes është obligim. Ajo bëhet ashtu siç ka ardhur në ajet:
-së pari larja e fytyrës (përfshirë gojën dhe hundën),
-pastaj larja e duarve deri në bërryla,
-pastaj dhënia mes’h kokës dhe veshëve dhe
- në fund larja e këmbëve deri në nyje.
Këto janë farzet e abdesit. Ndërsa kjo renditje që ka ardhur në ajet është obligim
dhe nuk lejohet që së pari të fillohet me larjen e këmbëve, apo të duarve, apo me
dhënien mes’h kokës, ngase nuk ka ardhur asnjëherë se Pejgamberi salAllahu
alejhi ue selem e ka prishur këtë renditje. Kjo vazhdueshmëri nga ai salAllahu
alejhi ue selem tregon se renditja në abdes është obligim. Sikur të ishte kjo gjë e
lejuar, së paku ai salAllahu alejhi ue selem qoftë dhe një herë të vetme do e kishte
prishur këtë renditje, apo qoftë dhe një herë të vetme do ia mësonte ummetit të
vet se nuk është obligim ajo renditje, mirëpo sunnet.
6. Larja e gjymtyrëve njëra pas tjetrës
Kjo do të thotë të mos e lësh të thahet një pjesë gjatë abdesit derisa ta pastrosh
pjesën tjetrën, p.sh.: nuk lejohet që pasi ta pastrosh fytyrën, të qëndrosh një
moment apo një kohë të caktuar derisa ajo të thahet, pastaj të vazhdosh larjen e
duarve.
Sunnetet e abdesit Nëse njeriu i praktikon sunnetet e abdesit do të ketë shpërblim. Abdesi i tij do të
jetë më i plotë. Mirëpo nëse nuk i vepron, nuk ka mëkat, mirëpo në rast se i
vepron shpërblimi do të jetë më i madh. Nuk ka problem nëse nuk i vepron, por
nëse do që ta kesh abdesin më të plotë dhe me shpërblim më të madh, atëherë i
praktikon ato.
Sunnetet e abdesit janë:
1. Et tesmia: përmendja e Allahut, thënia bismilah
Imam Neneviu rahimehullah thotë: “Et tesmia në arabisht është të thuash
“bismilah”, mirëpo nëse thua “bismilahirr Rrahmanirr Rrahim” s’ka gjë.”
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka abdes ai që nuk e
përmend Allahun në fillim të abdesit.” Dijetarët thonë se mohorja “nuk ka
abdes” që ka ardhur në hadith, nuk ka për qëllim se personi nuk ka abdes të saktë,
mirëpo qëllimi është se nuk ka abdes të plotë. Thënia “bismilah” nuk është prej
farzeve të abdesit, por është prej sunneteve të abdesit.
2. Përdorimi i miswakut
Koha kur përdoret miswaku gjatë abdesit është pasi që pastrohen duart tri herë
deri në nyje dhe para pastrimit të gojës (d.m.th. koha ndërmjet këtyre dy
veprimeve).
3. Larja e duarve deri në nyje para futjes së ujit në gojë dhe hundë
Transmetohet se Uthmani radijAllahu anhu ka marrë një enë me ujë, ka derdhur
ujë mbi dy shuplakat e duarve dhe i ka larë ato së bashku.
Larja e duarve deri në nyje është sunnet të lahen së bashku, jo të lahet një herë e
djathta pastaj e majta.
Kur besimtari i lan duart deri në nyje, nëse është ngritë pas gjumit, atëherë larja e
tyre është edhe më e fortë; pra ky sunnet është edhe më i fortë (pas zgjimit nga
gjumi).
Larja e duarve tri herë deri në nyje në fillim të abdesit, nuk e zhvlerëson obligimin
se duhet larë përsëri duart prej majës së gishtërinjve deri në bërryla atëherë kur
t’i pastrosh duart deri në bërryla (pas pastrimit të fytyrës).
4. Teprimi në larjen e gojës dhe hundës
Kjo do të thotë futja e shumtë e ujit dhe lëvizja brenda gojës, përveç nëse personi
është agjërueshëm, ngase në këtë rast ky sunnet bie për shkak se nëse agjëruesi e
tepron në larjen e gojës dhe hundës, atëherë ka mundësi që t’i kalojë ndonjë pikë
e ujit.
Është sunnet teprimi i larjes së të gjitha gjymtyrëve të tjera gjatë abdesit.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Plotësoje abdesin tënd.” Ibn
Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Plotësimi i abdesit është të tepruarit në
pastrimin e gjymtyrëve.” Të teprohet në pastrimin e gjymtyrëve deri sa ato të
pastrohen mirë.
Është sunnet të lahen duart deri në nyje në fillim të abdesit, mirëpo të dyja së
bashku, e jo një herë të djathtën pastaj të majtën.
Është sunnet që fytyra të lahet me të dyja duart, e jo me njërën.
Gjithashtu duhet të teprohet edhe në larjen e fytyrës, ngase ajo ka shumë qime.
Për këtë arsye dijetarët kanë thënë se kur ta lash fytyrën, duhet ta lash shumë (ta
teprosh në larjen e saj).
Është veprim mekruh (i urryer) të përplaset uji gjatë abdesit.
5. Fërkimi i gjymtyrëve
Nëse e lë ujin të kalojë nëpër gjymtyrë gjatë abdesit (pa fërkim), e ke kryer
obligimin, mirëpo është sunnet fërkimi i tyre.
6. Futja e ujit brenda mjekrës së shpeshtë
Ka ardhur në hadith se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka marrë abdes,
ka marrë një grusht ujë dhe e ka futur nën mjekër, pastaj i ka futur gishtërinjtë në
mjekër duke e futur ujin brenda në të. Kjo është sunnet për atë që e ka mjekrën e
shpeshtë. Ndërsa ai që e ka mjekrën e rrallë e ka obligim futjen e ujit brenda
derisa të kalojë në lëkurë.
7. Fërkimi mes gishtërinjve
Fërkimi i gishtërinjve të duarve bëhet duke i futur në njëri-tjetrin, në këtë mënyrë
fërkohen ndërmjet vete.
Për fërkimin e gishtërinjve të këmbëve ka ardhur një transmetim se kur
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka marrë abdes, i ka fërkuar ata me gishtin e
vogël të tij. Dijetarët thonë se fërkimi i gishtërinjve të këmbëve bëhet me gishtin e
vogël të dorës së majtë. Kjo sepse gishtërinjtë mbledhin papastërti përbrenda,
dhe papastërtitë duhet të largohen me dorën e majtë. Ata thonë se kur të fillosh
fërkimin mes gishtërinjve, duhet filluar prej këmbës së djathtë, prej gishtit të
vogël të këmbës së djathtë duke vazhduar deri te gishti i madh i saj. Pastaj
vazhdon te gishti i madh i këmbës së majtë, deri tek gishti i vogël i saj.
8. Lëvizja e unazës në mënyrë që të futet uji në pjesën ku është ajo
9. Të filluarit nga e djathta, pastaj nga e majta
Renditja në abdes është obligim. Mirëpo kjo ka të bëjë sa i përket renditjes së
farzeve të abdesit. Kurse brenda një farzi, të lahet dora e djathtë para së majtës
është sunnet. Thotë imam Neveviu: “Larja e dorës së djathtë para së majtës me
ixhma është sunnet. Nëse e vepron të kundërtën, e ke lënë një sevap, një vepër të
mirë, ndërsa abdesin e ka tamam.”
Të filluarit nga e djathta vlen vetëm për duar dhe këmbë. Kur lahen duart nga
majat e gishtërinjve deri në bërryla dhe kur lahen këmbët deri në nyje, fillohet nga
e djathta. E jo sa i përket edhe gjymtyrëve të tjera.
Thotë imam Neveviu se është e njohur tek ulemaja që fytyra gjatë abdesit duhet
të lahet me të dy duart, për shkak që abdesi të jetë më i kompletuar dhe më i
plotë.
Fërkimi i veshëve bëhet me të dyja duart përnjëherë. Po ashtu dhe fërkimi i kokës
bëhet me të dy duart përnjëherë. E jo njëherë ta fërkosh anën e djathtë, pastaj të
majtën.
Gjithashtu dhe fërkimi i fytyrës bëhet përnjëherë.
Të filluarit me të djathtën bëhet kur lahen duart prej majës së gishtërinjve deri në
bërryla (pasi që e lajmë fytyrën) dhe kur lajmë këmbët në fund.
Nëse në thonj ka ndonjë papastërti të vogël ose ndonjë gjë që është e pastër, si:
brumë, baltë etj., nuk është obligim të hiqet, mirëpo është sunnet (është mirë të
hiqet). Nëse është papastërti e vogël ajo që gjendet në thonj nuk është obligim të
hiqet, por nëse është e madhe, atëherë është obligim.
10. Larja e gjymtyrëve një herë, dy herë e tri herë
Më së mirë është që gjymtyrët gjatë abdesit të lahen nga tri herë sepse është prej
plotësimit të abdesit. Nëse një njeri merr abdes duke i larë gjymtyrët nga një
herë, e ka kryer obligimin, madje ka praktikuar një sunnet ngase Pejgamberi
salAllahu alejhi ue selem ka pasur raste kur i ka larë gjymtyrët nga një herë.
Mirëpo nëse disa gjymtyrë i lanë nga një herë, disa nga dy e disa nga tri herë,
abdesin e ka të plotë. Nëse njeriu e bën abdesin të llojllojshëm, disa gjymtyrë i
lanë një herë, disa dy e disa tri herë, nuk prish punë, abdesin e ka në rregull.
Çdo gjymtyrë lahet nga tri herë gjatë abdesit, përveç kokës dhe veshëve. Obligim
është dhënia mes’h kokës një herë. Dhe nëse e bën tri herë, e ke kundërshtuar
sunnetin.
11. Të shtuarit gjatë larjes së fytyrës, duarve dhe këmbëve
Nëse gjatë larjes së fytyrës e lan pak më lartë te flokët (mbi ballë), d.m.th. pjesën
e përparme të kokës, është sunnet. Nëse e lan pjesën pak më lartë se bërrylat
është sunnet. Nëse i lan këmbët pak më lartë se zogu i këmbës është sunnet.
Është sunnet larja e pjesëve që janë farz pak më shumë sesa që ka ardhur në
hadithe.
Mendimi më i saktë se deri ku lahen këto pjesë, është se nëse futësh pak mbi
bërryla apo mbi zogun e këmbës, atëherë e ke kryer këtë sunnet.
12. Duaja pas abdesit
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush thotë pas abdesit: “Esh’hedu
en la ilahe il-lAll-llah, wahdehu la sherike leh, we esh’hedu ene Muhammeden
abduhu we resuluhu”, i hapen tetë dyert e xhenetit dhe hynë prej cilës do ai.”
Muslimi. Kjo tregon se kur njeriu e dëgjon këtë shpërblim kaq të madh, nuk duhet
ta anashkalojë e të jetë i shkujdesur ndaj kësaj duaje.
Ndërsa Tirmidhiu transmeton dhe një shtojcë që është e saktë: “O Allah, më bëj
prej atyre që pendohen shumë tek Ti dhe prej atyre që janë të pastër!”
Gjithashtu ka ardhur një tjetër dua e transmetuar nga imam Nesaiu: “Subhaneke,
All-llahum-me we bihamdike, esh’hedu en la ilahe il-la ente, estagfiruke we
etubu ilejke.”
13. Falja e dy rekateve namaz nafile pas abdesit
Falja e dy rekateve pas çdo abdesi është sunnet dhe shpërblimi është shumë i
madh.
Gjërat që e prishin abdesin
1. Çdo gjë që del prej dy vrimave (organit dhe vrimës anale), edhe nëse është
gjë e pastër apo e papastër. Nevoja e vogël dhe e madhe, sperma, lëngu i
epshit, gjakderdhja te gratë dhe gazrat e prishin abdesin.
Nëse futet diçka brenda në këto dy vrima dhe pastaj nxirret jashtë, edhe kjo e
prish abdesin.
Gazrat janë të pastra me pajtim të dijetarëve, mirëpo e prishin abdesin.
Në rast se gurët nga veshka nxirren përmes barërave nga organi, prishet
abdesi edhe pse guri është i pastër.
Sekrecioni i bardhë (pa epsh) që del shpesh te gratë, nuk e prish abdesin.
Ndërsa nëse bie në rroba, edhe nëse nuk i lanë ato janë të pastra.
2. Dalja e nevojës prej ndonjë pjese të trupit
Ka njerëz të sëmurë që nevojën fiziologjike nuk mund ta kryejnë prej vrimës
anale. Në këtë rast i bëhet një vrimë diku në trup (p.sh.: në bark). Nëse nevoja
del nga kjo vrimë, abdesi prishet. Mirëpo nëse personi e prek këtë vend
(vrimën nga ku del nevoja) abdesi nuk i prishet.
3. Humbja e mendjes, gjumi i thellë, alivanosja, harresa
Dijetarët thonë se gjumi nuk e prish abdesin, por është një gjë nga e cila njeriu
s’ka mundësi të mos e prish abdesin, ose nuk është i sigurt se a e ka prish atë
apo jo. Prandaj, pasi njeriu fle merr abdes.
Nëse mendja humb për shkak të çmendurisë, dehjes, anestezionit apo
alivanosjes, për të gjitha ka pajtueshmëri të dijetarëve se e prishin abdesin.
Nëse këto i ndodhin njeriut, duhet të marrë abdes.
Gjumi i cili e prish abdesin është gjumi i thellë, edhe nëse je në shtrat apo ulur,
në çdo gjendje. Nëse gjumi është i lehtë nuk e prish abdesin. Kanë thënë
dijetarët se gjumi i lehtë është kur njeriu e di se çfarë po ndodh rreth tij. Në
momentin që i humb mendja dhe më nuk e di se çfarë po ndodh rreth tij, ky
është gjumi i thellë që e prish abdesin. Disa nga dijetarët kanë thënë se kur
personi sheh ëndërr, kjo është shenjë se ky është gjumi i thellë dhe e ka
prishur abdesin.
4. Prekja e organit dhe e vrimës anale
Nëse personi e prek organin e tij apo vrimën anale abdesi i prishet, pavarësisht
nëse e prek me pjesën e brendshme, pra me shuplakën e dorës, apo me shpinën e
dorës, apo me skajin e dorës. Nëse e prek me shuplakën e dorës (e cila është deri
në nyje), me secilën pjesë të saj që është prekur organi, abdesi është prishur.
Gjithashtu nëse personi e prek organin e dikujt tjetër abdesi i është prishur. Nëse
burri dhe gruaja prekin organin apo vrimën anale të njëri-tjetrit, abdesi i tyre
është prishur.
Prindi nëse prek organin apo vrimën anale të fëmijës, abdesi i tij është prishur,
p.sh.: kur nëna e prek organin e fëmijës ose vrimën anale të tij gjatë pastrimit të
tij pa pasur pengesë në mes, si: pecetë (pallomë), dorëza etj.
Edhe nëse personi e prek organin e dikujt tjetër qoftë me qëllim apo pa qëllim,
abdesi i prishet, qoftë shumë apo pak, qoftë i vdekur apo i gjallë ai të cilin e prek.
Nëse ndodh ta prekësh organin apo vrimën anale të kafshës abdesi nuk të prishet,
ngase hadithi ka ardhur veç për organin e njeriut.
Nëse burri i prek testiset e tij nuk e prish abdesin, ngase hadithi ka ardhur vetëm
për organin.
Nga kjo që u cek, çdo gjë që përfshin burrat përfshin edhe gratë.
Ka disa njerëz që lindin me mutacione (kanë të dy organet). Dijetarët thonë se
nëse personi i tillë i prek njëkohësisht të dy organet e prish abdesin. E nëse e prek
vetëm njërin nuk e prish abdesin.
Në rastet kur nevoja del prej një vendi tjetër të trupit (që ndodh me disa njerëz të
sëmurë) e jo prej vrimës anale, abdesi prishet. E nëse i sëmuri e prek atë vend nga
ku i del nevoja, abdesi nuk prishet (përveç kur preket organi dhe vrima anale).
Gjithashtu, nëse një person prek rreth vendeve anale, si: kofshët, nuk preket
abdesi.
Nëse personi e prek ndyrësirën me dorë, nuk e prish abdesin, mirëpo e ka obligim
që para se të falet ta pastrojë atë ndyrësirë.
Esma radijAllahu anha e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem se si
pastrohet rroba në të cilën pikë gjaku i menstruacioneve, e ai i ka thënë: “Së pari
fërkoje me thonj, pastaj fërkoje me ujë, në fund derdhi ujë përmbi.” Imam
Shafiu thotë: “Kjo tregon se nëse njeriu e prek ndyrësirën me dorë, nuk i prishet
abdesi, sepse gjaku i menstruacioneve është shumë më i papastër sesa organi.”
Prej kësaj dijetarët kanë nxjerr dispozitë se prekja e papastërtisë nuk e prish
abdesin.
Nëse papastërtia është e njomë apo e thatë, ndërsa dora jote është e lagur, nëse
e prek atë papastërti duhet ta pastrosh dorën. Mirëpo nëse papastërtia është e
thatë dhe po ashtu edhe dora jote që e prek atë është e thatë, nuk e ke obligim ta
pastrosh dorën, por vetëm e largon papastërtinë nga dora.
5. Ngrënia e mishit të devesë
Nëse personi ha mish të devesë, apo mushkëri, apo veshkat apo të tjera nga
deveja, duhet të marrë abdes.
6. Dalja nga Islami
Kur personi del nga Islami, çdo vepër që e ka bërë deri atëherë, është e kotë. Edhe
abdesi që e ka marrë i prishet në rast se ai ka dal prej Islami, apo ka kaluar në një
fe tjetër.
Dijetarët thonë se çdo gjë që e obligon guslin (pastrimin nga xhunubllëku) e
obligon edhe abdesin, përveç vdekjes.
Abdesi nuk prishet nëse personi e flet ndonjë fjalë e cila është haram, p.sh.:
përgojon dikë, e shan, e fyen, e ofendon, apo betohet në diçka tjetër përveç
Allahut (kjo është shirk i vogël).
Gjithashtu abdesi nuk prishet nëse personi qesh shumë apo pak, me zë apo pa zë,
qoftë brenda apo jashtë namazit.
Nëse personi ha mish, qoftë të pjekur apo të papjekur, abdesi nuk i prishet. Nëse
ai ha mish, qoftë nëse atë e ka prekur zjarri apo jo, nuk e ka obligim të marrë
abdes, nuk e prish abdesin.
Nëse personi ha cofëtina apo mish të derrit nuk e prish abdesin (ka raste kur
myslimani detyrohet dhe i lejohet të hajë nëse nuk gjen diçka tjetër, në rastet kur
nëse nuk e bën këtë shkatërrohet apo mund të vdesë). Mirëpo duhet t’i lajë duart
dhe gojën pas ngrënies së tyre. Nëse ai është falur pa i larë duart dhe gojën, duhet
ta përsërisë namazin, ngase mishi i derrit dhe cofëtina janë të papastra.
Rastet kur obligohet abdesi
1. Kur do të falë namaz,
2. Kur do të bëjë tawaf rreth Qabesë.
Rastet kur është sunnet marrja abdes
1. Përmendja e Allahut apo leximi i Kuranit.
2. Para namazit- nëse je me abdes të lejohet namazi, mirëpo është sunnet
marrja abdes rishtas.
3. Ndërmjet marrëdhënieve intime- nëse personi është xhunub nga
marrëdhëniet intime, mirëpo dhe një herë për së dyti do që të bëjë
marrëdhënie me gruan e tij, është sunnet të marrë së pari abdes para se të
bëjë marrëdhënie për së dyti. Po ashtu nëse personi është xhunub dhe do
të flejë apo të hajë, është sunnet që së pari të marrë abdes.
4. Para marrjes gusël.
5. Para gjumit të natës.
_________________________________________________________________________________________
Nëse një person falet pa pasur abdes, dijetarët kanë pajtueshmëri se falja pa
abdes është haram. Mirëpo një pjesë e konsiderueshme e tyre ka mendimin se
nëse personi falet pa abdes, ai ka bërë kufër (ka dal nga feja). Prej tyre është
imam Ebu Hanifja rahimehullah i cili thotë për një person të tillë se ka bërë kufër
në këtë rast sepse ai ka luajtur me fenë e Allahut. Allahu thotë që të marrësh
abdes para namazit, ndërsa një person i tillë nuk e ka respektuar Fjalën e Allahut,
e ka nënçmuar atë, duke u falur pa abdes.
Ky është mendimi më i saktë: nëse personi falet pa abdes ka mohuar (ka bërë
kufër). Andaj duhet pasur kujdes në këtë çështje.
Veprim i urryer (mekruh) në abdes është derdhja e ujit më shumë sesa që ke
nevojë. Rreth asaj se si duhet vepruar sot sa i përket çezmave, kur kemi mësuar te
Shejkh AbdulMuhsin el Abbad, thotë se nuk e lëshon çezmën të rrjedhë shumë
ujë, por e lëshon pak dhe merr abdes. Nëse e lëshon shumë, atëherë e ke tepruar
duke vepruar një veprim të urryer në Islam.
Gjithashtu është veprim i urryer nëse të jep abdes dikush tjetër pa pasur ndonjë
arsye për këtë, pa qenë i sëmurë apo tjetër, mirëpo abdesi është i saktë, mund të
falesh me të. Në të njëjtën dispozitë hynë edhe rasti nëse të jep dikush tejmum pa
arsye.
Prej rregullave dhe edukatës së abdesit është se nëse merr abdes prej enës, ta
lësh atë në anën tënde të majtë. Nëse dikush të ndihmon duke të derdhur ujë që
të marrësh abdes, është prej rregullave të abdesit që ai të qëndrojë në anën
tënde të majtë. Dijetarët thonë se më së mirë është që të mos lejosh të të
ndihmojë askush rreth abdesit pa pasur arsye. Mirëpo nëse ndodh, është e lejuar,
sepse edhe vetë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem e kanë ndihmuar shokët e
tij rreth abdesit.