12

Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

  • Upload
    others

  • View
    2

  • Download
    0

Embed Size (px)

Citation preview

Page 1: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC
Page 2: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC
Page 3: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore

Rusi 1917 - Nga Revolucioni te Lufta Civile

Utopia e madhe - Gjithçka është e bëshme, gjithçka është e mundur

Komunizmi ishte lëvizja më e madhe dhe më radikale masive e shekullit të 20-të. Partitë e “Internacionales Komuniste” ishin “të një tipi të ri”, siç e kërkonte Lenini. Si organizata kuadrosh ato kërkonin nga anëtarët e tyre përkushtim të plotë dhe disiplinë absolute. Sapo një parti komuniste merrte pushtetin, të gjithë qytetarët duhej t’i nënshtroheshin “udhëheqjes” së saj në mënyrë aktive. Ky pretendim i vendosur me dhunë për strukturimin e të gjitha fushave të jetës, i cilësuar me të drejtë si “totalitar”, shkatërroi ekzistenca të panumurta dhe asgjësoi miliona e miliona jetë. Dhe la pas shkretim të pashembullt shpirtëror dhe shoqëror.Në kulmin e lulëzimit të tyre komunistët sidoqoftë arritën të mobilizonin çuditërisht ndër radhët e tyre një entuziazëm rinor dhe energji intelektualësh e artistësh me peshë – përpara se tensionet e vazhdueshme të përfundonin në rraskapitje, pasivitet, cinizëm apo disidencë. Megjithatë kolapsi i “kampit socialist” dhe i Bashkimit Sovjetik pas vitit 1989 erdhi po aq i papritur, sa edhe zhvillimi i Kinës nën diktaturën e pandërprerë të Partisë Komuniste. Të dyja këto e bëjnë edhe më të nevojshme shpjegimin e “evolucionit” historik të komunizmit botëror qysh nga viti 1917.

“Mësymja në Pallatin Dimëror” më 25 tetor (7 nëntor) 1917 do të kthehet në narrativën kryesore mitike të komunizmit. Në të vërtetë, bolshevikët e marrin pushtetin pothuajse pa luftë. Revolucioni kishte filluar sakaq në Rusi me rënien e Carit në shkurt (mars) 1917. Por Qeveria e Përkohshme, e përbërë nga socialistët dhe liberalët, nuk ishte në gjendje as t’i jepte fund luftës botërore dhe as të pengonte kolapsin ekonomik. Kur bolshevikët humbasin zgjedhjet për në Asamblenë Kombëtare, në nëntor të vitit 1917 dhe e shpërbëjnë këtë të fundit me dhunë në janar, pas ngritjes së saj, ndodh grushti i vërtetë i shtetit, i cili i jep fund revolucionit demokratik. Bolshevikët ua lënë tokën fshatarëve (një herë për njëherë), por ua marrin tepricat. Ata premtojnë vetadministrim nga punëtorët dhe “regjim sovjetik”, por i shkatërrojnë të gjitha komitetet rebele të fabrikave dhe sovjetikëve. Ata bëjnë një paqe të veçantë me Gjermaninë, por fillojnë menjëherë ngritjen e Ushtrisë së Kuqe. Ata propagandojnë të drejtën e vetëvendosjes kombëtare, por e bashkojnë sërish me dhunë perandorinë multietnike ruse në një luftë civile katërvjeçare, e cila do të marrë më shumë jetë se Lufta I Botërore, ndërsa bolshevikët dalin edhe më të fortë nga ky kaos.

Në vazhdën e luftës botërore apokaliptike, komunistët besojnë se janë në një luftë të mëpasshme historike. Nga rrënojat e botës së vjetër ata vendosin të krijojnë një shoqëri të re, pa korrupsion, pa besëtytni, pa instinkt pronësie dhe individualizmi, radikalisht të pastruar, të homogjenizuar dhe të disiplinuar. Kështu kujtojnë se kanë dëshifruar ligjet e ekonomisë dhe historisë politike dhe se ata vetë mishërojnë këtë dije gjithëpërfshirëse. Veçanërisht paqartësia dhe absolutizmi totalitar i këtij pretendimi stimulojnë fantazitë e çdo lloj mbipushteti. Dhe në vitet 1920 do të frymëzojnë artistë avangardë, futuristë, konstruktivistë apo suprematistë, si dhe ideologët e një “inxhinierie sociale”, për të mbushur boshllëkun pas thyerjes së madhe me projekte utopike. Fillimisht veprat e tyre skicojnë një komunizëm sovjetik jashtëzakonisht modern, i cili ka pak të përbashkëta me realitetin. Stalini i jep fund me dhunë këtij modernizmi dhe pluralizmi artificial në vitet 1930 – dhe projektohet vetë si krijues i perëndishëm i botëve në stilin klasik. Pas vdekjes së “Të Pavdekshmit” më 1953, utopi teknike më profane do të zëvendësojnë fantazitë e gjithëpushtetit të dikurshëm.

Filmi pa zë i Sergej Ajzenshtajnit “Tetori”, i vitit 1928, tregon kthimin e Leninit nga mërgimi në Zvicër më 3 prill 1917 si një ngjarje dramatike, historiko-botërore.

Foto filmi: picture alliance / CPA Media / Pic-tures From History

„Detyrat e Dobrohimit: Në kohë lufte/ në kohë paqeje” – Shkurtesa në rusisht do të thotë “Shoqata vullneta-re e shokëve të mbrojtjes kimike dhe industrisë kimike”.

Pllakat, 1924: picture alliance / akg-images

“Bolsheviku” i Boris Kustodijevsit i vitit 1920 është një nga pikturat e para monumentale ndër të shumtat që stilizojnë puçin e tetorit të vitit 1917, i cili nuk ishte aspak spektako-lar, dhe e kthejnë atë në një ngjarje magjike të historisë botërore.

Foto: picture alliance / CPA Media

Page 4: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Argonautët e Revolucionit Botëror - Internacionalja Komuniste

Njerëz të vjetër, njerëz të rinj - Eksperimenti i madh

Iluzioni i madh -– Komunistët dhe punëtorët

Në vitin 1919 themelohet në Moskë “Internacionalja Komuniste”. Ajo nuk është një bashkim i thjeshtë dosido, por një “parti botërore” ku partitë e reja komuniste duhet t’u nënshtrohen si “seksione” strategjive, doktrinave dhe parimeve organizative të diktuara nga Moska. “Internacionalja” synon të jetë një kundër-organizatë e “Lidhjes së Kombeve” të Gjenevë dhe një instrument i luftës së pritshme botërore të çlirimit nga kapitalizmi dhe imperializmi. Mijëra “internacionalistë’ të trajnuar profesionalisht marrin përsipër udhëheqjen si instruktorë në këto beteja, shpesh kundër udhëheqjeve lokale partiake. Misionet e tyre shkrihen gjithnjë e më shumë me operacionet e shërbimeve sekrete sovjetike. Shumë nga këta revolucionarë profesionistë ose do të vdesin në burgjet armike, ose do të vriten gjatë “Terrorit të Madh” të Stalinit në vitet 1930. “Internacionalja” është një makth dhe bartës shprese njëherazi. Evolucioni i saj gati 25-vjeçar shënjohet nga disfata të përgjakshme dhe sakrifikime të pakuptimta, skizma dhe shpifje të panumërta, si dhe aleanca të dyshimta me forca revolucionare nacionaliste. Megjithëkëtë, deri në shkrirjen e saj më 1943, ajo është edhe shkolla e udhëheqësve të ardhshëm nga Europa deri në Azi, nga Tito deri te Ho Chi Minh.

Komunistët nxiten nga një urrejtje shkatërruese kundër përfaqësuesve të “shoqërisë së vjetër”, qofshin këta aristokratë, ushtarakë, nëpunës apo udhëheqës fetarë, “borgjezë“ modernë si industrialistë, tregtarë dhe bankierë, “borgjezi e vogël”, “intelektualë borgjezë”, liberalë, socialdemokratë dhe më së fundi kundër të gjithë fshatarëve të kamur (“kulakëve”). Këta të gjithë konsiderohen “parazitë” dhe “armiq të shoqërisë” –“njerëz të vjetër”, prej të cilëve shoqëria duhet pastruar. Vendin e këtyre “njerëzve të vjetër” duhet ta zënë “njerëzit e rinj” androgjenë, me trupa të shëndetshëm dhe intelekt të trajnuar, të cilët do të shfrytëzonin potencialet e pafundme të shkencës, teknologjisë dhe kulturës. Ky ideal i optimizimit të “materialit njerëzor”, më tipiku për atë epokë, është një pikëpamje veçanërisht ekstreme e përkrahur nga komunistët. Faktikisht, për shkak të mungesës së “proletarëve të ndërgjegjshëm për klasat shoqërore”, komunistët përqendrohen sidomos te fëmijët dhe adoleshentët, energjia e të cilëve, etja për përvoja të reja, gatishmëria për t’u flijuar dhe aspiratat mund të shfrytëzohen më lehtë. Karrieristët e rinj ambiciozë shumë shpejt do të formojnë shtyllën kurrizore të administratës së fryrë, propagandës apo aparatit shtypës që karakterizojnë regjimet komuniste gjithandej.

Komunizmi fillimisht nënkuptonte “çlirimin” e proletariatit industrial dhe të ishte “vepra e vetë punëtorëve”. Por asnjëherë dhe askund komunistët nuk do ta marrin pushtetin me “luftën e proletariatit” dhe vetëm rrallë do të gjejnë mbështetje të qëndrueshme te klasa punëtore. Shumica dërrmuese e sindikatave dhe këshillave të ndërmarrjeve në vendet e industrializuara dhe në ato në zhvillim, mbeten të dominuara nga socialistët, socialdemokratët, të krishterët dhe aktorë të tjerë. Në vendet komuniste ku ata gjoja përbëjnë “klasën sunduese”, punëtorët janë të deprivuar si politikisht, ashtu edhe përsa i përket mundësive të tyre për t’u organizuar dhe për të mbrojtur interesat e tyre. Pa dyshim, punëtorëve në moshë të re u hapet rruga drejt ngritjes shoqërore përmes partisë dhe shtetit. Por pjesa dërrmuese e pushtetit dhe elitave të funksionarëve rrjedh fillimisht nga familje fshatare të proletarizuara, nga qytetarët e thjeshtë apo shtresat e shkolluara. Në fund, burokracia dhe inteligjenca partiake rekrutohet kryesisht nga brezi i ri i formuar brendapërbrenda, duke fituar kësisoj profilin e një “Klase të Re”, kundër së cilës do të revoltojnë edhe vetë punëtorët gjatë trazirave shoqërore në dekadat e pasluftës.

Një punëtor në një fabrikë çimentoje në Małkinia Górna të Polonisë, 1976, që përpunonte asbest kancerogjen. Me gjithë pretendimet për të kundërtën, puna e rëndë fizike në Bllokun Lindor shpesh kryhet me masa mbrojtëse të pamjaftueshme.

Foto: SZ Photo / Forum

Piktura e Oto Gribelsit “Internacionalja” (1928/30) tregon punëtorë të të gjitha kombeve që këndojnë. Kënga luftarake me të njëjtin titull nga koha e Komunës së Parisit kthehet në himn të lëvizjes botërore komuniste.

Foto: Deutsches Historisches Museum, Berlin / A. Psille

Androgjenë “Njerëz të rinj” në katalo-gun e bërë nga El Lisicki për “Ekspozitën Ruse” më 1929, në Muzeun e Zejeve Artistike në Cyrih. Fotoja lindi më 2013, gjatë një ekspozite artizanale në MOMA, Nju-Jork.

Foto: picture alliance / Sergi Reboredo

Page 5: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Plani i madh - Industrializim përmes kolektivizimit

Terrori i madh - Ëndrra e një spastrimi final

Himnet e mëdha -– mitet heroike Dhe Kulti i udhëheqësit

“Kthesa e madhe” e viteve 1929/1930 – kalimi në kolektivizimin e imponuar të bujqësisë dhe industrializimin e Bashkimit Sovjetik – përkon me Depresionin e Madh ekonomik botëror. Sado që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë mes tyre, kjo i hap Moskës mundësi të mëdha propagandistike, ekonomike dhe diplomatike. Veçanërisht kompanitë gjermane dhe amerikane konkurrojnë me njëra-tjetrën për „porositë ruse“. Komunistët, nga ana tjetër, arrijnë pikën më të ulët të ndikimit të tyre në perëndim – ose konsumohen në luftime sektare rrugësh dhe greva. Në realitet “ndërtimi i socializmit” në Bashkimin Sovjetik arrihet përmes shfrytëzimit të plotë të forcës punëtore. Kufijtë midis punës së paguar dhe asaj të detyruar shkrihen. Shifrat triumfuese të suksesit janë të dyshimta; komplekse të reja industriale qëndrojnë shpesh si katedrale në një shkretëtirë sociale. Dhe kolektivizimi i bujqësisë shpie në një katastrofë të pashembullt urie me miliona të vdekur. Sa më mjerane bëhen kushtet e jetesës, aq më fort lulëzon në propagandë fiksioni i “jetës së mirë” në “atdheun e të gjithë punëtorëve”. Nga fundi i viteve 1950, Republika Popullore e Kinës do ta përsërisë këtë eksperiment në një mënyrë edhe më ekstreme me “Hapin e madh përpara”.

Ëndrra e likuidimit të të gjithë armiqve dhe “parazitëve” shoqërisht, politikisht dhe fizikisht është një element strukturor i sundimit komunist dhe kremtohet në propagandë dhe në art si “vendosmëri heroike”. Sapo asgjësohen të gjithë armiqtë aktualë apo të mundshëm, terrori zhvendoset në kategori gjithnjë të reja të të ashtuquajturve armiq të popullit. Neni 58 i Kodit Penal Sovjetik bën pothuajse çdo mendim a veprim të pavarur të dënueshëm. Ai krijon bazën ligjore për punën e detyruar masive, për deportimin e grupeve të tëra etnike, si dhe përdorimin e tepruar të dënimit me vdekje. “Terrori i Madh” i viteve 1930, i orkestruar nga vetë Stalini, i ngjan tmerrësisht një shfarosjeje të grupimeve të ndryshme të popullsisë, me qindra mijëra të pushkatuar dhe miliona të burgosur. “Spastrimet” e përsëritura që përjetojnë të gjitha partitë komuniste dhe strukturat e tyre të pushtetit, mbeten në një mënyrë apo një tjetër unikale në histori. Këtu përfshihen proceset e montuara dhe gjyqet e internim-dëbimit, denoncimet e ndërsjella dhe autokritikat mazokiste. Në shumë drejtime mbetet ende e pakonceptueshme se si ka funksionuar në të vërtetë “terrori” si një instrument i rregullt politik dhe si një kondicion i përditshëm psikologjik.

Komunizmi tërheq artistë e intelektualë anembanë botës. Poetë dhe shkrimtarë me peshë në Lindje e në Perëndim u kushtojnë himne dhe lavde udhëheqësve të lëvizjes botërore komuniste – nga Lenini te Stalini dhe Mao, deri te “zotat” më të vegjël si Tito, Kim II-sung, Enver Hoxha apo Fidel Kastro. Këto “himnizime” në shumë gjuhë, kthehen në një kapitull të historisë së letërsisë, për të cilin sot rëndom heshtet. E njëjta gjë vlen edhe për statujat dhe pikturat e panumërta, posterat, filmat dhe fotografitë, këngët dhe meloditë që përjetësojnë udhëheqësit dhe heronjtë komunistë. Shpesh stili i paracaktuar i “realizmit socialist” kombinon efektivisht motive folklorike dhe klasike me stile artistike të rafinuara dhe tejet moderne. Kur Nikita Hrushovi dënon “kultin e individit” në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik më 1956, ai bën vetëm Stalinin përgjegjës për të gjitha krimet e Partisë Komuniste. Në të njëjtën kohë, në Kinë fillon kulti i Maos që do të arrijë maja të panjohura deri atëherë të idolatrisë politike. Por edhe “e majta e re” e 1968-ës në Perëndim përfiton nga kulti i idhujve të vet që pjesërisht vazhdojnë të jetojnë edhe sot e kësaj dite në kulturën e Pop-it.

Harta e BRSS e vitit 1931. Nënteksti i saj është: “Ajo është ndryshe nga hartat e vjetra. ‘Plani pesëvjeçar në aksion’. [...] Këtu nuk janë shënuar fare me qindra kantiere të mëdha ndërtimi [...]”

Foto: Archiv Memorial Moskë

Arkipelagu Gulag: 1989, në kohën e Perestroikës dhe Gllasnostit shënohen në një hartë të Bashkimit Sovjetik kampet e dënimit dhe të punës, që ekzistojnë qysh nga vitet ’20 në Bashkimin Sovjetik, përkatësisht që kanë ekzistuar.

Foto: picture alliance / akg-images

Vladimir Iliç Lenin në bisedë intime me Jozef Visarionoviç Stalinin, “nxënësin e tij më besnik”. Monument në autost-radën Minsk-Moskë.

Foto, 1950: SZ Photo

Page 6: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Fashizmi dhe antifashizmi - Loja vdekjeprurëse

Nga Elba deri në lumin Jangtse -Lindja e –kampit botëror socialist

Era e Lindjes mposht erën e Perëndimit–-Azia, Qendra e stuhisë

“Antifashizmi” që do t’u shërbejë regjimeve komuniste pas vitit 1945 si legjitimim qendror përfshin dy dhjetëvjeçarë lojërash fatale, si me lëvizjen fashiste që po lind, ashtu edhe me nacionalistët e të gjitha ngjyrave. Në të njëjtën kohë, komunistët i cilësojnë të gjithë kundërshtarët politikë si “fashistë”, qofshin këta “fashistë socialë”, “fashistë klerikalë”, apo “fashistë nacionalistë”. Me rezultatin që të gjithë futen në një thes. Gjatë “spastrimeve” terroriste të viteve 1930, “trockistët” shpallen si maja e fashizmit botëror. Këtu tiradat e urrejtjes staliniste kundër “Judës Trocki” shpesh ngjajnë si një reflektim i konceptit të nacional-socialistëve për armikun e tyre, “bolshevizmin çifut”. Kjo e gjitha e turbullon edhe më shumë situatën dhe mendjet e njerëzve. Ndërkohë që po afrohet lufta e ardhshme botërore, Bashkimi Sovjetik i lë të gjitha mundësitë të hapura. Prandaj pakti “Hitler-Stalin” i gushtit të vitit 1939 nuk has pengesa të mëdha ideologjike as në Berlin, as në Moskë. Hitleri, sipas një direktive të brendshme nga Stalini, po bën një punë të mirë, për momentin, për shkatërrimin e imperializmit botëror. Kjo lojë e rrezikshme në aspektin gjeopolitik merr hak në qershor të vitit 1941, kur Vermahti gjerman e pushton Ushtrinë e Kuqe në befasi dhe në mënyrë të frikshme.

Ashtu siç ishte Lufta I Botërore katalizatori i lëvizjes komuniste botërore, edhe Lufta II Botërore ishte instrumenti për përhapjen e pushtetit komunist “nga Elba deri në lumin Jangtse”. Pasi regjimi i Stalinit mobilizoi me sukses ndjenjat patriotike në “Luftën e Madhe Patriotike” dhe fitoi legjitimitet brenda vendit, ai gëzon një prestigj të paprecedent dhe mbahet si fituesi kryesor mbi Gjermaninë në vitin 1945. Deri në vitin 1949 formohet një “kamp botëror socialist”, i cili në Europë korrespondon me sferën e ndikimit që Moska ka fituar ushtarakisht. “Demokracitë popullore” të Europës Qendrore dhe Lindore formohen duke përdorur dhunën dhe terrorin politik, i cili fillimisht drejtohet ndaj kundërshtarëve të rendit të ri dhe shumë shpejt edhe kundër vetë partive shtetërore. Gjyqet e hapura dhe spastrimet janë në rend të ditës. Jugosllavia e Titos që i ktheu shpinën Moskës më 1948, nuk mund të lejohet të kthehet në shembull. Revoltat popullore në Gjermaninë Lindore më 1953, si dhe në Hungari e Poloni më 1956, tregojnë se mbi ç’truall të dobët qëndrojnë këto diktatura. Rrëzimi i tyre me armë nga “shokët” sovjetikë sjell lindjen e një blloku politiko-ushtarak që do izolohet gjithnjë e më shumë nga Europa Perëndimore përmes Perdes së Hekurt.

Bllokada e Berlinit e vitit 1948 është preludi i Luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit. Qendër reale e stuhisë së konflikteve globale në këtë mes bëhet Azia.Aty, pushtuesit e mundur japonezë kanë lënë pas një boshllëk, të cilin e shfrytëzojnë lëvizjet e rezistencës patriotike, ku shpesh dominojnë komunistët. Në vitin 1945 arrijnë të vënë nën kontroll veriun respektivisht në Vietnam dhe Kore. Marrja e pushtetit nga komunistët kinezë në tetor të vitit 1949 e ndryshon thellësisht gjendjen. Në vitin 1950 nga sulmi i Koresë komuniste të Veriut mbi Korenë e Jugut do të lind shumë shpejt një ballafaqim ushtarak midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, i cili mbyllet me një barazim (pat) në vitin 1953. Fitorja e vietnamezëve të Veriut mbi francezët në Điện Biên Phệ ndryshon arkitekturën e politikës botërore më 1954 dhe përfundon me një luftë të re gati 20-vjeçare në gjithë Indokinën, kësaj here me SHBA. Gjatë tërheqjes së tyre më 1975, trupat amerikane lënë pas toka të shkretuara dhe popuj të traumatizuar. Pas vdekjes së Stalinit më 1953, Mao bëhet figura e re karizmatike e udhëheqësit të komunizmit botëror. Partia Komuniste kineze e vendos përgjithësisht në pikëpyetje “bashkëjetesën paqësore” midis Moskës dhe Uashingtonit duke krijuar kësisoj një ndarje të madhe në lëvizjen komuniste botërore.

Ekspozitë botërore në Paris, 1937. Pavijoni i Rajhut gjerman (majtas) dhe i Bashkimit Sovjetik (djathtas) janë përballë njëri-tjetrit dhe marrin medaljen e artë për arkitekturën e tyre.

Foto e bërë më pas me ngjyra: SZ Photo / Rue des Archives / CCI

Fotografi në grup e udhëheqësve të kampit të ri botëror socialist me rastin e 70-vjetorit të Stalinit, më 21 dhjetor 1949 në Moskë. Në të majtë të Stalinit qëndron Mao Ce Duni, në të djathtë pas tij, Valter Ulbrihti, burri i fuqishëm i RDGJ-së së sapothemeluar.

Foto: picture alliance / akg-images

Ushtarë koreanoveriorë dhe kinezë festojnë armëpushimin e arritur në fund të korrikut 1953 në Luftën e Koresë. Paçka se dy shtetet komuniste nuk e arritën qëllimin e tyre të luftës, ndaj Perëndimit, së paku ushtarakisht, janë të një prerjeje.

Foto: picture alliance / United Archives/TopFoto

Page 7: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Lëvizjet çlirimtare - Fantazma të një bote të tretë

E majta e re, e majta e vjetër - Dekada e kuqe

Ateizmi si kredo - Lufta kundër fesë

Fitoret komuniste në Azinë Lindore inkurajojnë “Lëvizjet Nacionalçlirimtare” në Afrikë, në Lindjen e Afërme dhe në Amerikën Latine. Në Kubë Fidel Kastro-ja themelon më 1966 një “Trikontinentale”, e cila duhet të shërbejë në mbarë botën si një instrument i çlirimit kombëtar dhe shoqëror. Revolucionari argjentinas Ernesto “Çe” Gevara, i vrarë në Bolivi, kthehet në një ikonë botërore. Mësimet e tij për “Luftën e Gueriljeve” kthehen në doracakun universal për spastrimin e gjithë egoizmave kapitaliste. Sidomos Amerika Latine e viteve 1970 kthehet në fushëbetejën e kryengritjeve të armatosura, të cilat prodhojnë po aq diktatura, sa ato që bien. “Lëvizja për çlirimin nga Blloku” e bashkënisur nga Jugosllavia titiste më 1961 është më e matur në veprimet e saj. Qëllimi i saj është të bashkojë vendet e udhëhequra nga socialistët dhe nacionalistët e majtë në një “Botë të Tretë” midis Lindjes dhe Perëndimit dhe të sigurojë sovranitetin e tyre shtetëror dhe ekonomik. Në luftërat antikoloniale për pavarësi në Algjeri, në Kongo, në Angola, në Mozambik, në Zimbabve dhe në Afrikën jugore, komunistët luajnë në mënyrë të shumëfishtë një rol të dukshëm, shpesh polarizues, nganjëherë edhe të përmbajtur. Fakti që vendet e reja bien në luftë civile as pengohet, as shkaktohet vetëm prej tyre.

Në vitin 1966, Mao shpërthen një “revolucion kulturor” që do ta ndryshojë edhe njëherë ndjeshëm imazhin e regjimit komunist. Rinisë kineze (me sa duket) i lihet dorë e lirë të dalë hapur në një gjueti shtrigash me akuza publike dhe dhunë kundër burokratizmit, korrupsionit dhe dekadencës. Ndërkohë që kulti rreth Maos bëhet gjithnjë e më ekstrem, vetë Mao i eliminon rivalët e tij brenda partisë me pretekstin se janë lakenjtë e Moskës. Në të njëjtën kohë, në vitet 1960, kritikat radikale ndaj kulturës dhe kapitalizmit si dhe antiimperializmi militant përjetojnë një rilindje në mbarë botën. Në rebelimet e të rinjve të vitit 1968, një e “Majtë e Re” kombinon aspiratat emancipuese kundrejt jetës dhe kulturës, dhe fantazitë çliruese, shpesh në mënyrë paradoksale, me marksizmin, leninizmin, trockizmin apo maoizmin. Midis këtij radikalizmi të ri të krahut të majtë me ekstremet e tij terroriste dhe ortodoksinë e vjetër moskovite, hedh rrënjë “Eurokomunizmi” në vitet 1970. Në Itali, Francë dhe Spanjë komunistët heqin dorë nga krijimi i “diktaturës së proletariatit” dhe fitojnë në këmbim një ndikim shumë të madh në zgjedhje dhe në konfliktet sociale. E gjithë kjo përshpejton diferencimin dhe bashkë me të rënien e lëvizjes botërore komuniste.

Lufta kundër feve zhvillohet nga komunistët për një kohë të gjatë me kosto të madhe shtypëse dhe propagandistike – pothuajse gjithmonë pa sukses. Qysh në fund të viteve 1930, Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik e kupton se nuk mund ta zëvendësojë ortodoksinë e vjetër fetare në kokat dhe zemrat e shumë njerëzve me një ortodoksi të re ateiste. Rehabilitimi i Kishës Ortodokse Ruse më 1943 u realizua falë nevojës për “Luftën e Madhe Patriotike”, por edhe falë rezistencës së besimtarëve. Edhe më e madhe është forca këmbëngulëse e fesë në Poloni dhe vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore pas vitit 1945. Ujdia midis partisë dhe kishës që u bë për shembull në Poloni dhe Gjermaninë Lindore, për komunistët shqiptarë është dëshmi e qartë e “revizionizmit” dhe e tradhtisë. Edhe revolucioni kulturor kinez e kanalizon energjinë e tij në asgjësimin e shkrimeve fetare dhe vendeve të kultit. Ndërkohë që blloku lindor qysh nga vitet 1970 i vlerëson teologët e çlirimit të Amerikës Latine si aleatë të mundshëm, brenda vendit shtypet çdo përpjekje e mundshme e kishave me forcë. Por këto forca dobësohen, siç tregon rasti i Polonisë dhe Gjermanisë Lindore. Aty në shkallë të ndryshme, kishat do të bëhen pioniere të kthesës së vitit 1989.

Kryetari i shtetit egjiptian, Naseri, kryeministri indian, Nehruja dhe mikpritësi i tyre, kryeministri jugosllav, Tito-ja (nga e majta në të djathtë) më 20 korrik 1956 në Brioni. Ata janë motorët e lëvizjes së shteteve pa blloqe, e cila lind më 1961.

Foto: picture alliance / United Archives / TopFoto

Kongresi i Vietnamit më 17-18 shkurt 1968 në Berlinin Perëndimor me 5.000 pjesëmarrës nga 14 shtete është kulmi i lëvizjes studentore gjermano-perëndimore. Iniciatori kryesor, Rudi Duçke (në mes të fotografisë), plagoset rënë në prill, gjatë një atentati.

Foto: SZ Photo / Manfred Vollmer

30 Maj 1968, shpërthimi i kishës së universitetit të Leipzig, e cila ishte pothuajse e padëmtuar nga lufta. Ndërtimi i shtetit socialist në RDGJ dhe në BRSS duhet të ndihmojë për krijimin e një Tabula Rasa shpirtërore.

Foto: picture alliance / epd

Page 8: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Emancipimi dhe Erosi - Gruaja dhe socializmi

E përditshmja socialiste - Puna, konsumi, koha e lirë

Matriksi i ngushtë -–Socializmi shkencor

Përfshirja aktive dhe e barabartë e grave është kudo ku lëvizjet komuniste luftojnë për ndikim dhe pushtet, një nga gjërat e tyre më tërheqëse. Gjithsesi këtij premtimi emancipues që buron nga socialdemokracia, komunistët i japin një këndvështrim më militant. Kuadroja tipike ideale femërore është një qenie androgjene: luftarake, shoqe, aktiviste, nënë dhe muzë – që heq dorë nga të gjithë vanitetet borgjeze dhe dobësitë femërore. Në vendet komuniste, gratë luajnë vërtet një rol thelbësor në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë. Ato janë mjeke, mësuese apo gjykatëse, por rrallë ngjiten në pozicione të larta. Përkundër kësaj, vendi i tyre në prodhim, përfshirë këtu edhe punët më të rënda fizike, është pjesë e tipareve tipike të shoqërive socialiste. Të jesh shtëpiake është e ndaluar: pa të ardhurat e gruas nuk ka familje. Vështirësitë e njohura nga të gjithë për të siguruar ushqime dhe gjithçka tjetër rëndojnë veçanërisht mbi gratë – diçka që nuk mund të mbulohet me karafila të kuq në Ditën e Gruas dhe forma të ngjashme të ritualeve mirënjohëse. Vetë hierarkitë komuniste të pushtetit mbeten terren mashkullor. Ajo “gjysmë e qiellit”, për të cilën fliste aq me lajle-lule Mao, grave nuk u lejohet.

Socializmi shtetëror është më i orientuar “drejt prodhimit” sesa “shoqëritë qytetare”. Gazetat gëlojnë nga njoftimet për fitore në “ndërtimin e socializmit” ose në “frontin e të korrave”. Realizimi i planit sipas kritereve sasiore, shumë rrallë cilësore, vendos për karrierën dhe karrigen në pushtet. Stimuj të tillë shpërblejnë më fort sjelljet “joekonomike” krahasuar me pritshmëritë e rentabilitetit dhe përfitimit të ekonomisë së tregut. Ekonomitë e planifikuara karakterizohen strukturalisht nga joefekasiteti dhe shpërdorimi, në vend të racionalizimit dhe kursimit. Ndikimi subversiv i konsumizmit perëndimor dhe mënyrat e jetesës, por edhe pretendimet e tyre propagandistike i zënë ngushtë regjimet komuniste. Vetëm vlera e përdorimit të produkteve masive nuk është më e mjaftueshme. Edhe konsumatori socialist pret një shumëllojshmëri tërheqëse produktesh. Dalëngadalë ngrihet një kulturë e përditshme me rituale të caktuara dhe rutina të njohura. Ajo karakterizohet nga premtimi i sigurisë shoqërore dhe “shpikjet” e detyruara nga nevoja që sjell një ekonomi e dobët. Të gjitha polemikat kundër “dekadencës perëndimore” nuk mund ta fshehin që këtu qëndron një nga thembrat e Akilit të “real-socializmit”.

“Roli udhëheqës” që pretendojnë për vete partitë shtetërore komuniste legjitimohet nga pretendimi për t’i kuptuar “shkencërisht” “ligjet” e zhvillimeve historike dhe shoqërore. Shkollimi dhe formimi bashkë me represionin dhe censurën janë mjete për të formuar brezin e ri që dëshiron të ngjisë shkallët e karrierës dhe të përshtatet. Marksizëm-leninizmi është tejet i thatë për t’u tretur dhe i shurdhër në teori. Por kush e kërkon, gjen aty edhe rrëfimin e madh historik, të mbyllur në vetvete dhe interpretimin e botës. “Socializmi ekzistues real” i stilit sovjetik shpreh një konservatorizëm vetjak, laik të jetës që shoqërohet me një klasicizëm solemn të imazherisë vizuale. Ky gjen jehonë tek ata që nuk kanë shije për mbingarkesën figurative dhe ritmin e tensionuar të skenës kulturore perëndimore. Në fund të fundit, mendjengushtësia e ndan botën komuniste nga shumë zhvillime të shekullit të 20-të, duke e kthyer në një kënetë intelektuale. Kjo është një nga arsyet pse asaj i kalon shumë tanget zhvillimi i teknologjive moderne të informacionit. Megjithëse përpunimi dixhital i të dhënave ka hyrë në burokracinë shtetërore, ekonomike dhe në ushtri, “kompjuterët personalë” mbeten të paarritshëm për qytetarët e thjeshtë.

Marshim i sportisteve në qershor 1936 në “Sheshin e kuq” në Moskë. Fotoja tregon imazhin ideal të gruas së re, disiplina militare, fuqia fizike, vendosmëri mendore me erotizëm të kontrolluar.

Foto: picture alliance / RIA Nowosti

Sfilatë mode në qytetin periferik polak Piotrków Trybunalsk, dimër 1978. Polonia bëhet ndërkohë vendi i modës në bllokun lindor,ku fabrika shtetërore konkurrojnë me rrobaqepësitë private për klientë.

Foto: SZ Photo / Forum / Maciej Osiecki

„Ndriçimi i dritës së kuqe” quan populli i RDGJ, të gjitha rrugët e profesioneve dhe të trajnimeve, në të cilat nuk marrin pjesë vetëm pjesëtaret e Partisë e Bashkimit Socialist e Gjermanisë ( PBS). Foto tregon një orë trajnimi në një fabrikë të madhe në qytetin Karl-Max, 1975.

Foto: picture alliance / Klaus Rose

Page 9: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Qyteti socialist - Si antitezë e urbanizmit borgjez

Internacionalizmi komunist kundrejt kozmopolitizmit qytetar

Pushteti vjen nga tytat e pushkëve - Militarizmi komunist

Socializmi në zanafillë është një lëvizje urbane. Që nga Shën Petërburgu në Berlin e deri në Paris, nga Shangai deri në Saigon, organizatat e para partiake komuniste ngrihen në të njëjtën xhungël urbane, të cilën ato e konsiderojnë njëherazi si të korruptuar moralisht. Socialdemokratët dhe planifikuesit modernë urbanë thurin gjithashtu plane të një qyteti ideal socialist industrial, funksional dhe të lulëzuar. Megjithatë, në planifikimin urban komunist të qytetit, këto projekte transformohen nga nevoja për të përfaqësuar pushtetin dhe autoritetin. Kështu, një neoklasicizëm pompoz zë vendin e projekteve moderne konkrete. Qendrat e metropoleve staliniste karakterizohen nga një stil monumental me blloqe banimi në stilin e pallateve mbretërore ose stacionet e metrove, me parqe, statuja gjigante dhe sheshe të zbrazëta për paradat. Por shumëçka mbetet e mangët. Ndërtesat e vjetra degradojnë ose shemben. Ndërkohë, në rrethinat e qytetit lulëzon një jetë e thjeshtë shpesh gjysmë-fshatare që banon masivisht në ndërtesa të standardizuara, monotone dhe parafabrikate. Në kombinim me zgjerime oborresh dhe kopshtesh, kjo jetë ofron hapësirë për kultura kthinash, tregje shkëmbimi dhe vetëshërbimi elementar. Të gjitha këto u japin qyteteve socialiste karakterin e tyre tipik, në thelb antiurban.

Komunistët e të gjitha vendeve i thurin lavde një internacionalizmi emfatik. Homologu i tij nuk është edhe aq nacionalizmi që përpiqen ta trashëgojnë politikisht dhe kulturalisht, sesa më tepër një kozmopolitizëm qytetar, i mbështetur tek tregtia botërore dhe shkëmbimi kulturor global. “Antikozmopolitizmi” komunist lidhet përmes rrugësh të largëta me një “antisionizëm” militant, i cili i përngjan në mënyrë fatale imazhit të urrejtjes për “çifutërinë botërore”. Parullat internacionaliste të regjimeve komuniste qëndrojnë në kontrast të madh me politikat e tyre izoluese ndaj Perëndimit, por edhe brendapërbrenda kampit të vet. Vizitorët nga jashtë kontrollohen imtësisht dhe mbahen nën mbikëqyrje. Edhe vetë “takimet miqësore” mbyten nga ngurtësia e ritualeve. Përjashtim përbëjnë festivalet rinore që ofrojnë sadopak frymë lirie. Një kult bajat “i atdheut socialist” duhet të ngushëllojë shumicën e qytetarëve nga Gjermania Lindore, Bashkimi Sovjetik apo Kina që e kanë të pamundur të udhëtojnë në “botën kapitaliste”. Udhëheqësit më të njohur të komunizmit botëror qëndrojnë në mauzoleumet e tyre jo si kampionë të “proletariatit ndërkombëtar”, por si “patriotë të mëdhenj”, si themelues shtetesh të reja dhe “baballarë kombesh”.

Lëvizjet dhe regjimet komuniste i zhvillojnë arritjete tyre më të mëdha organizative dhe teknologjike në fushën ushtarake. Të gjitha “Republikat Popullore” që ato themelojnë janë rezultat i luftërave civile dhe/apo luftërave midis shteteve apo kundër pushtuesve të huaj. Mbajtja gjithmonë gjallë e ndjenjës se je i rrethuar me armiq kthehet në eliksirin e jetës së komunistëve. Ky tension i përhershëm vijon në kërkimin sistematik të armiqve të brendshëm dhe militarizimin e jetës së përditshme. Ditët e festave revolucionare mbartin tipare ushtarake. “Centralizmi demokratik” i partisë në thelb është një hierarki urdhrash. Dhe këtij parimi duhet t’i binden të gjithë, qoftë politika, qoftë ekonomia, qoftë kultura. Ndërkaq Bashkimi Sovjetik stilizohet dhe merr formën e një “Fuqie Paqësore Botërore” që me armatimet e saj gjigante i tregon vendin “imperializmit amerikan” anembanë botës. Në të vërtetë, gara e armatimeve dhe konkurrenca e sistemeve nxit konflikte dhe luftëra civile në të gjitha kontinentet. Kur në mesin e viteve ’80 tensionet politike mbarëbotërore fillojnë të zbuten, humbja e armikut të jashtëm ndikon ndjeshëm në rënien e kampit lindor. Në paqe, jo në luftë, Bashkimi Sovjetik shembet si një shtet superfuqi.

Kudo në bllokun lindor, që prej vi-teve 1970 ndërtohen komplekse të mëdha me pallate parafabrikate për të pakësuar gjendjen emergjente për jetesën e njerëzve. Ndërtimi i zonës për të banuar merrte shumë kohë për tu ndërtuar.

Foto, Warschau, 1978: SZ Photo / Maciej Osiecki / Forum

Kufiri midis Çekosllovakisë dhe Repu-blikës Federale, Korrik 1968. Regjimet komuniste zunë vend në Evropë me një „perde të akullt“ pothuajse 7000 km të gjatë, e cila arrinte nga deti Barents deri në detin e Zi.

Foto: picture alliance / CTK

Në 7 Nëntor 1978, 70-vjetori i Revolucionit Rus. Në tetor marshojnë Trupat e armatosura në “Sheshin e kuq” në Moskë.

Foto: picture alliance / dpa

Page 10: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Reforma & revolucioni - Disfata e komunizmit në Europë

Revolucioni & Restaurimi - Nga komunizmi në postkomunizëm

Reflektimi i një epoke - Komunizmi në shek. XX

Gllasnosti dhe perestroika – me këto slogane do përpiqet Mihail Gorbaçov nga viti 1986 e tutje ta modernizojë Bashkimin e dërrmuar Sovjetik dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin. Për këtë arsye, në verën e vitit 1989, ai i jep Bllokut Lindor më shumë të drejta për vetëvendosje. Sado që në Poloni, më 4 qershor triumfon opozita në zgjedhjet gjysmë të lira, mbisundimi sovjetik duket se është i ngulitur thellë. Duket se shumë më nën presion është Kina komuniste, e cila natën e 4 qershorit shtyp me dhunë protestat masive që vazhdojnë prej javësh të tëra në Pekin, kur këto rrezikojnë të shtrihen edhe nëpër provinca. Pa ndonjë shpresë për ndryshime të afërta, me dhjetëra mijëra shtetas gjermanë të Lindjes përpiqen të arratisen në Perëndim gjatë pushimeve të verës përmes Hungarisë dhe Çekosllovakisë. E pavarësisht fantazmës së një “zgjidhjeje kineze”, përherë e më shumë gjermano-lindorë dalin nëpër rrugë dhe sheshe e kërkojnë reforma. Këto shënojnë fillimin e Revolucionit Paqësor, i cili do të sjellë hapjen e madhe me rënien e Murit të Berlinit më 9 nëntor. Regjimet komuniste bien si gurë dominoje në aradhën e revolucioneve kryesisht paqësore. Në kohën kur revolucioni demokratik arrin Moskën, qendra historike botërore komuniste, nuk ka tank në botë që ta ndalë. Në gusht të vitit 1991 flamuri i Rusisë do të valëvitet mbi Kremlin.

Ndërkohë që rënia e Jugosllavisë përfundon me një radhë luftërash vrastare dhe “spastrimesh etnike”, shpërbërja e ish-Bashkimit Sovjetik fillimisht kryhet relativisht në qetësi. Shumë ish-qytetarë sovjetikë e përjetojnë shembjen shtetërore dhe ekonomike si katastrofë në jetën private, pavarësisht lirive të reja. Privatizimet janë kryesisht aksione mafioze grabitqare. Kështu lind një sistem i ri oligarkik pushteti dhe pronësie, shtyllën e të cilit e përbëjnë shpesh oficerët e sigurimit të shtetit. Por pastaj ndodhin pogrome dhe luftëra qoftë në Çeçeni, qoftë në Berg-Karabah, Abkhazi apo Ukrainën e sotme Lindore. Ato u kushtojnë jetën me dhjetëra mijëra vetave dhe vendlindjen qindra mijëra të tjerëve. Forcë shtytëse jo e pakët në këtë mes janë pretendimet e rigjallëruara për hegjemoni të Kremlinit nën Putinin. Kthesa në Europën Qendrore dhe Lindore gjithashtu rezulton më e komplikuar nga sa dukej në vitet 1990. Heronjtë e përmbysjes e kanë të vështirë të fitojnë terren. Ish-komunistët “e transformuar” përjetojnë një rikthim, përpara sesa t’i zëvendësojnë parti dhe figura udhëheqëse të reja, shpesh nacionalisto-autoritare. Ndërkaq, Republika Popullore e Kinës, si një motor i ekonomisë botërore të globalizuar, nën (gjoja) diktaturën e patundur të Partisë Komuniste çan përpara drejt brigjesh të reja që nuk i identifikon dot njeri deri më tani.

100 vjet pas Revolucionit të Tetorit, sërish historia e komunizmit është për t’u vënë në pikëpyetje. Ajo është e lidhur pazgjidhshmërisht me krizat e ekonomisë botërore kapitaliste dhe dy luftërat botërore. Brenda saj ndërthuren qëndresa ndaj hegjemonisë dhe kulturës së Perëndimit me shpresat për emancipim dhe çlirim, të cilat në pjesën më të madhe rezultuan zhgënjyese. Në qendër të saj është fati i dy Mbretërive të Mëdha të vjetra, të copëtuara: Rusisë dhe Kinës, të cilat komunistët sërish i bashkuan – dhe që sot rishfaqen me përzierje të tjera ideologjike, si dhe me bazë të re ekonomike, si kundërshtarë kulturorë dhe politiko-botëror të Perëndimit. A mundemi ta relativizojmë formulimin “fundi i komunizmit”? Studiuesit kanë përllogaritur se komunizmi është fajtor për vdekjen e më shumë se 100 milionë njerëzve. Ndryshe nga nacional-socialistët, regjimet komuniste të shekullit të 20-të e drejtuan dhunën dhe terrorin kryesisht kundër shoqërive të veta. Kjo është arsyeja përse trashëgimtarët e tyre sot në Moskë apo Pekin duan të mbulojnë gjithçka me mantelin e tragjedisë heroike. Dhe shumë njerëz, për të njëjtat arsye, nuk munden dhe nuk duan të përballen me trashëgiminë e dhunës masive që ka prekur një në dy familje. Për këto arsye është kaq e vështirë “ballafaqimi” me historinë e komunizmit.

8 tetor 1989: në Leipzig demonstrojnë më shumë se 70.000 njerëz. Rrjedha paqësore e kësaj “ demonstrate të së hënës” përcaktohen më vonë si një pikë kthese në historinë e Revolucionit paqësor.

Foto: SZ Photo / ap / dpa / picture alliance

Qielli shndritës i Shangait: Partia komuniste e ka mirëpritur ekonominë e Kinës në botën e tregut, që prej viteve 1990. Socializmi barazohet me unitetin dhe madhësinë e kombit, të cilat sigurohen vetëm me diktaturë.

Foto, 2015: SZ Photo / Kevin Lee

Nga klasicizmi në post-moderne: Muzeu i artit socialist, Sofje (Bullgari) 2011. Parqe të ngjashme muzeumesh, me statuja të themelueseve dhe heronjve të krijimit të botës socialiste, që janë hequr që në 1989, ka kudo në Europën lindore

Foto: picture alliance / ap Photo

Page 11: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

IMPRESSUMPublikuesitFondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore kontribuon me mbështetjen e këtij projekti si dhe me aktivitetet e tjera të tij në përballjen e gjerë me shkaqet, historinë dhe pasojat e diktaturës komuniste në Gjermani dhe në Europë.www.bundesstiftung-aufarbeitung.de

Muzeu Historik Gjerman është një muze kombëtar që e paraqet historinë Gjermane në lidhje me atë Evropiane. Në mes të qendrës historike të Berlinit, ai konsiderohet si një vend i gjallë i përçimit dhe diskutimit të historisë Gjermane.www.dhm.de

Ekspozita në gjuhën shqipe u mundësua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), puna e të cilit synon ndërgjegjësimin e të rinjve dhe shoqërisë shqiptare për diktaturën dhe pasojat e saj në vend.www.idmc.al

AutorëtAutori i ekspozitës është Dr. Gerd Koenen. Në librin e tij „Das rote Jahreszent“ (Dekada e Kuqe, 2001) ai ka përshkruar zhvillimin e grupeve radikale të majta të vitit 1967 deri në vjeshtën terroriste gjermane në vitin 1977 dhe ka analizuar motivet e aktivistëve - përfshirë dhe të tijat - në mënyrë kritike. Libra të tjerë i kushtohen, ndër të tjera, historisë së letërsisë të personave kult socialistë („Die Großen Gesänge“, 1991), terrorizmit gjerman („Vesper, Ensslin, Baader“, 2003), imazhit rus të gjermanëve („Der Russland-Komplex“, 2005) ose eposin latino-amerikan të gueriljeve („Das Guevara-Projekt“, 2008). Në 2017 u botua nga C.H.Beck libri „Die Farbe Rot – Kommunismus als Weltgeschichte“. www.gerd-koenen.de.

Drejtues i projektit është Dr. Ulrich Mählert (Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore), i cili bashkë me Gerd Koenen ka përzgjedhur dhe ka komentuar fotografitë dhe dokumentet. Paraqitja grafike u bë nën kujdesin e artistit nga Lajpcigu, Dr. Thomas Klemm. www.thomasklemm.com/

Përkthimi i tekstit në gjuhën shqipe u bë nga Dr. Jonila Godole, kurse përshtatja grafike u mundësua nga Iceberg Communication: www. icebergcommunication.com

BarkodetNë ekspozitë barkodet (QR-Codes) paraqesin linqe të 24 filmave dokumentarë bashkëkohorë në internet që mund të shihen përmes smartfonëve. Shume prej këtyre dokumentarëve janë në anglisht ose me titra anglisht.

FalënderimeFalënderimi i autorëve shkon për arkivat, muzeumet dhe mediat, punonjësit e të cilëve kanë vendosur në dispozicion foto, karikatura dhe dorëshkrime. Së pari duhen përmendur agjencia fotografike dpa dhe gazeta jugore gjermane (Suddeutsche Zeitung), prej të cilave vjen kjo shumëllojshmëri e fotove të përdorura në ekspozitë. Falënderimi shkon gjithashtu për: akg-images, Arkivi i demokracisë sociale në Fondacionin Friedrich Erbert, archive.org, Arkiva Federale, Ute Caumanns, Framepool, Thomasz Kizny, Memoriali i Moskës, Neues Deutschland, Zyra Federale e shtypit dhe e informacionit, redavantgarde.com, Grupi-Robert-Havemann, Arkivi social zviceran, Der Spiegel, Muzeu i historisë së qytetit Leipzig, Günther Uecker, Wikipedia, The Wolfsonian, Revista Osteuropa.

KujdesTë gjitha fotot dhe dokumentet audio si dhe paraqitja e ekspozitës janë me të drejtë autori dhe nuk lejohet të riprodhohen, të ndryshohen apo të përhapen

pa aprovimin e autorit. Emri i autorit përmendet përkatësisht në diçiturën e çdo fotografie. Keni pyetje ose kritika për ekspozitën?

Ose – pavarësisht kujdesit tonë në vendosjen e fotove - nuk kemi përmendur autorin ose të drejtat e përdorimit? Ju lutemi kontaktoni

Dr. Ulrich Mählert në adresën:[email protected]

Doni ta shfaqni këtë ekspozitë?Ekspozita përbëhet nga 25 postera, 200 foto dhe dokumente

historike dhe është mjeti ideal për të bëre një trajtim të komunizmit dhe diktaturave të këtij regjimi në shkolla dhe në vende publike -

si hollet e bashkive, universiteteve, bibliotekave, shkollave etj. Për më shumë informacione kontaktoni: [email protected]

Page 12: Komunizmi në epokën e tij - Një lëvizje botërore - IDMC

Na ndiqni në Facebook:

www.facebook.com/BundesstiftungAufarbeitung

www.facebook.com/DeutschesHistorischesMuseum

https://www.facebook.com/IDMC-Instituti-për-Demokraci-

Media-Kulturë