Upload
michalis-mersinis
View
1.225
Download
0
Embed Size (px)
Citation preview
KOMANDANTI ËSHTË I GJALLË
Re të zeza mbuluan Prekazin
Shumë çetnikë e nxinë lëndinën
Adem Jashari dredh mustakun
Dhe në çark e puth martinën.
Në nishan të pushkës së gjatë
Pak më tutje Shaban plaku
I betuar n`shqiponjë t`flamurit
Për të gjallë s`lëvizë nga pragu.
Nga frenxhia bërtet Hamza
Si kreshnikët në ditë të veta
Heu çetnikë ju farë e fëlliqur
Jo s`ka vdekur Azem Bejta.
Krisën pushkët përnjëherë
Si rrufetë që bijnë nga qielli
Gjoksin Hamza i vë gjyles
N`ato çaste u ndal dielli.
Si dragoi zjarr qet nga goja
Luftë e këngë Ademi i nisë
Sikur kosa që rrëzon barin
Rrëzon çetnikët ballëqëndisë.
Komandanti është i gjallë
Legjendë u bë ky emër
Gjithë shqiptarët kudo janë
Komandantin e kanë në zemër.
PARA VARRIT TË KOMANDANTIT
(Një ushtar i bataljonit “Atlantiku”)
Larg në Amerikë ishim
Mendjen n`Kosovë e kishim,
N`jug t`Evropës plakë
Kosova digjej flakë.
Formuam “Atlantikun”
Kaluam Atlantikun,
Të veshur me barot
Kosovës t`i dalim zot.
Rezezat i shporrëm qiellit
Për rrezet e ngrohta të diellit,
Erdha në Prekaz o trim
Edhe sot je komandanti im.
Buza më dridhet në vaj
Mos më qorto pse qaj,
Deri në fund të kësaj bote
S`harrohet lavdia JOTE.
ERDHËN PIROMANËT
Erdhën piromanët
Edhe në fshatin tim
Çdo shtëpi
E dogjën me benzinë
Këto bisha Karpatesh
Gjakpangopura
Nuk kursyen shkollën
As xhaminë.
Erdhën piromanët
Me zjarr e thika
Nga faqja e dheut
Ta fshijnë Dardaninë
Shumë prej tyre
Në këto shkrepa
Lanë eshtrat
Kanë bërë hesapin
Pa hanxhinë.
Mashtrohen piromanët
Gjaku s`na ligështon
Nuk nënshtrohemi
As sot as kurrë
Edhe nëse Kosova
Ngelë në qika
Edhe nëse në të
Nuk ngelë asnjë burrë.
PSE ?
Ka shumë e shumë pyetje
Drenicakja e vogël Rinë
Pse ma vranë qenin
Pse ma vranë bagëtinë?
Pse ma dogjën fletoren
Përplot me vizatime
Përse ma vranë lapsin
Ai ish pushka ime?
Pse ma dogjën shkollën
Ç`iu bëri ajo vallë
Pse m`i vranë pumat
Që më ngelën në shkallë.
Pse gratë e botës
Që lindin në spitale
Nuk e ngritin zërin
Për lindjet tona në male?
MË THANË…
Më thanë lulet
Na merr në vjershë
Vjersha do behar,
Më thanë bletët
Ç`bëjmë ne pa lulet
Vjersha do nektar.
Më thanë fëmijtë
Na merr edhe neve
Vjersha do rritë,
Më tha dielli
Lulet, bletët, fëmijtë
Nuk bëjnë dot pa dritë.
Më tha shiu
Edhe unë do të vi
Pa stuhi e erë,
Si do të rriten lulet
Si do të rriten fëmijtë
Kur s`shohin ylberë.
Ua hapa derën
Luleve, bletëve
E fëmijëve përnjëherë,
Hyri edhe dielli
E mora dhe shiun
Vjersha u bë ylber.
Më tha trimi
Me pushkën time
Edhe unë do të vi,
Ju asnjë pa mua
Fare s`keni vlerë
Po s`patët liri.
LIRISË
Në Likashan e Drenicë
Lirisë iu gëzua edhe guri
Në fshat mbi gjashtë lisat
Lirshëm valon flamuri.
Liria ka aromë lulkuqeje
E ngjyrosur me ngjyrë gjaku
Ajo ka flatra sikur pëllumbi
Vjen e na përgëzon te pragu.
Dhe ju pyetni kush e solli
Nga Bajgora n`male të Sharrit
Në gjithë Kosovën atë e solli
Ushtria e Adem Jasharit.
SHUMË DEGË NË NJË TRUNG
Në Likashanin shkëmbor
Janë gjashtë lisa shekullor
Me degë të gjëra lisat bung
Që të gjashtët në një trung.
Istikam i UÇK-së dikur
Sot mbi ta valon flamur
Duke biseduar me ta
I pari lis kështu më tha:
Jam Shqipëria, zemra ime
A e sheh nuk jam jetime
I dyti lis më kapi për dore
Unë-tha-jam Kosova Lindore.
I them të tretit ti kush je
-Ilirida si s`më njeh
Me Kosovën këtu rrimë
Kemi pranë dhe Qamërinë
Me Plavë-Gucinë mish e asht
Sa shumë degë, por një trung bashkë.
Kështu të gjashtët jemi rritë
Bashkë i përballuam stuhitë
Na u zgërdhinë bishat me dhëmbë
Por gjithëherë qëndruam në këmbë.
RILINDJA E RILINDJES
(Me rastin e daljes pas 9 vitesh ndalesë)
Ishte viti gjashtëdhjetë
Unë atëherë isha fëmijë
Me shumë gazeta në dorë
Në shkollë erdhi një njeri.
Orën e parë me mësuesin
Erdhi ai xhaxhai me plis
Nga një gazetë na shpërndau
Mbi banka t`gjithëve-gratis.
Të gjitha shkronjat s`i kishim mësuar
Ama kalonim n`harmoni pa grindje
Ndërsa gazetës që kishim në duar
I thoshim Rilindje e dikush Lirindje.
Me “Rilindjen” u rritëm bashkë
Ajo kishte faqen për fëmijë
Duke lexuar poetët më të vjetër
Edhe unë nisa t`botoj poezi.
Kur u bë e zonja kur u bë e madhe
Pse thoshte t`vërtetën pengesa i vunë
Dhembjen e saj tash sa vite
Me shpirt e zemër e ndjeva dhe unë.
Rilindja e “Rilindjes” më gëzoi pa masë
Unë po thinjem ajo le të rritet
Rrugë me gjemba kurrë mos pastë
Rrita e saj kurrë mos t`ndërpritet.
TË LUMTË MËSUESE
Një mësuese
Zemërmadhe
Invalidët i vizitoi
Pa u hamendur
Nxori kuletën
Tërë një rrogë
Ua dhuroi.
-Merrni-u tha
Me gjithë zemër
Mësuesja jonë
Si sorkadhe
Mos më pyetni
Fare për emër
S`po ua jap
Për mendje
Të madhe.
Zemërmadhja
Kështu foli
S`deshi dëftesë
Emër nuk la
U nis nga dera
Dhe doli
Lamtumirë
Trima iu tha.
URA E MIQËSISË
Janë të mëdha
Në Pejë urat
Mbi Bistricë,
Janë të mëdha
Mbi Ibër urat
N`Mitrovicë,
Janë të mëdha
Në Gjakovë urat
Përmbi Dri,
Janë të mëdha
Mbi Sitnicë urat
Në Vushtrri,
Ka të mëdha
E më të mëdha
Ura n`këtë tokë,
Por më e madhja
Më e forta
Është një urë
Që i lidhë
Dy shokë.
KUR U NISËN PËR KURBET
Kur u nisën për kurbet
E mashtruan Pajtimin
Po shkojmë te daja,
Kur shkelën në tokë të huaj
Djali i vogël u habit
Te dajtë s`ka tramvaja?!
Duke shëtitur në park
Në mes njerëzish të huaj
Voglushi vuri re,
Ju m`keni mashtruar
Këta s`janë dajtë e mi
Nuk flasin si ne.
Kur ulen për të ngrënë
Lë një vend të zbrazët
Për gjyshen në fshat,
Nuk i bëjnë përshtypje
Lodrat as qyteti
Dot s`bëhet rehat.
ALFABETI I GJUHËS SHQIPE
Arta tha-ta shkruajmë një poezi
Beni tha-edhe unë jam dakord
Cili s`do të pajtohej foli një syzi
Çka po presim t`ia nisim që sot.
Dardani tha-jemi tridhjetë e gjashtë
Dhe aq shkronja ka alfabeti
Ermela një voglushe flokëgjatë
Është mirë tha vjersha të jetë sa deti.
Flora tha unë lulet shumë i dua
Genti tha nga gjumi libri m`ndanë
Gjithkush veten e tregon me punë
Hana foli kr fjalën ia dhanë.
Iliri tha këngën shumë e dua
Jeta tha më pëlqen aktrimi
Kushtrimit shtatgjatë e faqeftua
Loja e basketbollit dhe vizatimi.
Llokume, ëmbëlsira më bën mamaja
Mësuesen do ta thërrasim patjetër
Nadia-tha n`ditëlindje më vjen daja
Një ditë më ka lajmëruar me letër.
Ora kalonte vargjet shtoheshin
Porsi shtëpia e re gurë mbi gurë
Qëndresa tha që të mendoheshin
Radhën t`ia lënë zotriut Flamur.
Rrumbullakohet ngadalë poezia
Sëcili diçka të re propozoi
Shumkush i tha mendimet e tija
Teuta e vogël shokët i dëgjoi.
Tha Mirjeta vjersha u bë si tren
Unë jam në të tetin t`parafundit
Vagoni i fundit pastaj vjen
Xërxa nuk është stacion i fundit.
Xhyla doli para shokëve të vet
Ylberin vizatoi me lloj-lloj ngjyrash
Zell kush ka, në të gjitha lëndët
Zhvillon lehtë çfarëdo detyrash.
VJESHTA
Një sorrë në plep
Në tokë shumë fletë.
Bujku në arë
Në tokë shumë farë.
Në qiell retë zi
Në tokë shumë shi.
Tash më shumë
Ka ujë në lumë.
VJESHTA ECËN DHE FLET
Vjeshta i hap dyert e shkollës
Nxënësit i fton të hyjnë në klasë
Shpejt i pjek kokrrat e mollës
Dardha e rrush dhuron me thasë.
N`kopshte me vjelësit vjeshta flet
Kuvendon me bujkun në arë
Flet edhe me lumin e rritur që nget
Shpezëve shtegtarë u thotë udhë e mbarë.
Të luaj me gjethe ënda ia ka
Iu frynë nga Kosmaçi në Qyqavicë
Shumë drunj pa gjethe tashmë i la
Në anë të Prishtinës e n`Mitrovicë.
Flet me barinjtë kodër më kodër
Nëpër Preshevë e nëpër Prizren
Sa e sheh në Tetovë e sa në Shkodër
Në male e fusha kudo e gjen.
Flet edhe me dimrin më në fund
Mirëseardhje i dëshiron atij
Të kënaqen fëmijtë në qytet e katund
Në Sharr e Brezovicë me saja e ski.
MBRËMJA NË PYLL
Hëna faqen
Qet mbi mal
Zogu n`qerdhe
Bie ngadalë.
Hëna dritën
I lëshon pyllit
Lehtë puhia
I bie fyellit.
Lart prej degës
Një gjeth lëshohet
Shoqeve t`zverdhura
Iu bashkohet.
Kitra shoqes
Ia bën me bisht
Eja të luajmë
Në lajthishtë.
MAMI E BABI JANË SI NJË
Miku ka pesë fëmijë si drita
Tri janë yllka e dy petrita.
Ata kanë lodra shumë
Tren, gjirafë, arushë, majmun.
Fjalë pas fjale e orë pas ore
U fol për dashurinë prindore.
Rina bëri bë në hënën
Se ajo më shumë e do nënën.
Edlina e dyta iu revanshua
-Unë babin më shumë e dua.
Edvini në dorë kish një majmun
Tha-asnjërin s`i dua unë.
Edoni i vogël picërroi sytë
-Unë i dua-tha-që të dytë.
Venita e vogël bënte sehir
-Ju asnjë s`e keni mirë.
Unë e di nuk ka kandar
Që peshon dashuri të ndarë.
Mami e babi janë si një
Më e madhja dashuri.
Por këtu nuk mbaroi mahia
Plot me gaz u mbush shtëpia.
KUSH KËRKON FALJE
I SHPËTON VESHI
-Mos këtu e mos aty!
Babi ma drejton gishtin
Kështu po ia nxjerr bishtin.
Ai i varë mustaqet
Kur vonohem n`lojë
Me orë s`më flet me gojë.
Duke lozur me motrën
Lëmsh i bëmë kauçat
Me babin i prishëm kapuçat.
Ma afroi gishtin te hunda
E iu shtuan ca rrudha balli
Edhe një herë gabove-vajhalli.
NË KOPËSHT ZOOLOGJIK
Një grup nxënësish të klasës së tetë
Vizituan Shkupin me prindërit e vet.
Vizitës së ditës s`do t`i vëhej pikë
Po nuk e panë kopështin zoologjik.
Artani shikonte majmunin me habi
Dhe iu drejtohet shokëve të tij:
-Shpesh mësuesja më thotë majmun
Por majmuni nuk qenka si unë…
Drenusha s`ka parë dren në fushë
Tash pa frikë e përgëdhel në gushë…
Rozafa vërtet ka qafën e gjatë
Por assesi të matet me gjirafë…
Duke shikuar luanin, Luani tha:
Emër të fuqishëm mami më dha.
Më tutjë mbi ujë kërcente delfini
-Obobo çfarë mrekullie, foli Drini.
Ecim tha më i vjetri se po bëhet natë
Deri në Prishtinë na pret rrugë e gjatë.
MENDOVA SA ISHA NË DET
Mendova sa isha në det
Si ta marr pak det
Ta sjellë në Kosovë
Për fëmijtë që s`kanë lekë
Por edhe për pleqtë
Që s`janë mirë me shëndet
Thash si t`ia marr
Pak det Shëngjinit
T`ia falë Dukagjinit
Pak rërë e ujë të kaltër
Ta marr nga Kavaja
Thash s`bëhet belaja
Ta sjellë rrëzë Qyqavicës
Për fëmijtë e Drenicës
Kështu mendova një vjet
Kur isha në det.
SI U DJERSIT DORDOLECI
Fëmijtë e Polacit
Në kodër në Radefc
Bënë një dordolec.
Nën sqetull
I vunë fshesë
N`vend të hundës
Një spec.
Në vend të syve
Dy thëngjij
E në kokë
Një kusi.
Rreth tij pastaj
Nisën vallen
Dorë për dore
Dikur u gjuajtën
Me topa bore.
Kur nga jugu
Fryu një puhi
Fëmijtë dordolecin
E shikonin me habi
Si u “djersit” i tëri
E më vonë u shkri.
O PETO, O BABO
Personazhin tim nga qyteti
Prej dashnisë e thërrasin Peti
Shpëtim emrin e ka voglushi
Ka dy sy si dy kokrra rrushi.
Gjyshi e thërret, o Petooo
Peti ia kthen, o babooo
Çekiçin e mban si mjeshtër
Kërkon laps e kërkon letër
Ende gishtin e mban në gojë
Don një zog ta vizatojë
Nëpër shtëpi bën poterë
Me çekiç troket në derë.
Në mëngjes ngjitet si klyshi
Me çekiç troket te gjyshi
Ai përgjumshëm sytë fërkon
Zgjohet Petin e përqafon.
Laps e letër i mban n`dorë
Dhe çekiçin si murator
Kështu Peti nga Qyteti
Hyri në vjershë te poeti.
SHËTI NËPËR TOPONIME
TË POLACIT
Tremba një lepur
Në Lug të Vushtrrisë
Iku nga zagari
Kah Lugu i Lejthisë.
Pasatj mori vrapin
Arave të Stanit
Lugut të Zabelit
Kah Lugu i Xanit.
E ndoqa bishtcubelin
Kah Lugu i Kaprollit
Ai e mori vrapin
Në Lug të Roshkodolit.
U lodha unë
Dhe zagari i mikut
Duke vrapuar
Kah Arat e Sadikut.
Më doli në Kopshtije
Në Ara te Kroni
Kah Lluga e Keqe
Mbërriu Te Betoni.
Në Lug të Behlulit
Pas tij kah mesi i drekës
Arrita pastaj
Në Lug të Hasan Lekës.
Te L`keni i Polacit
Lepuri më bëri leqe
Unë tërë i djersitur
Ai u fsheh n` Llugë të Keqe.
DARDHA PLAKË
Një dardhë të madhe
Në oborr e kam kaherë
Jep fruta të ëmbla
Si sheqer çdo verë.
Askush s`di të thotë
Kush e ka shartuar
Por s`ka njeri në fshat
Që s`e ka shijuar.
Me dardhën e vjetër
Më lidhin shumë kujtime
Nën të u mblodhën burrat
Në gëzime e hidhërime.
Nën të u bënë dasma
U hodhën shumë valle
U shtruan shumë sofra
Si nën ombrellë të madhe.
Sapo shëroi plagët
E luftrave të kaluara
Sërish u plagos
Nga bishat e tërbuara.
Sa më shumë që hanë
Nga kjo njerëzit sot
Aq më shumë qelë lule
Dhe jep fruta në mot.
Unë nën të u rrita
Sikundër edhe babai
Por as gjyshi nuk e dinte
Ditëlindjen e saj.
BABI IM
Babi im ndjesë pastë
Bënte shtëpi prej guri
E lugë prej druri.
Me pe të lyer në blozë
Drurit i binte vi
E latonte si qiri.
Fëmijve të mëhallës
U bënte ski e saja
Të rrëshqitnin në ograja.
(Para se të dilnin
Te ai e jepnin betimin
Se s`do ta lenin mësimin)
Kur bënte ndonjë shtizë
Furkë a ndonjë shkam
I lëmonte me xham.
Edhe fëmijtë e mëhallës
Ju them pa shaka
Si unë i thonin baba.
Ndër ndeja burrash
Tregonte shumë mahi
Pa lënduar njeri.
PËR NËNËN
Kur dola nga shtëpia
Më përqafoi me mallë
M`tha ma bën hallall
Se nuk më gjen gjallë.
E pashë i fshiu lotët
Me cep të shamisë
Qajta prej mërzisë
Kur dola prej shtëpisë.
Dëgjova se ka vdekur
Nënëlokja ime e mirë
Me shpirtin e dëlirë
Larg jam sa vështirë.
Gjumi kur më zë
Ëndrrat atje më qojnë
Fëmijtë që më rrethojnë
Dot nuk më ngushëllojnë.
UNË E BABI MJESHTËR
Babi me çekiç e daltë
Gdhendte një gur
Unë me penë një fjalë,
Ai kryente një rresht
Në mur të shtëpisë
Unë një strofë të poezisë.
Ai kryente një kat
Unë një vjershë.
Babi me pe
Të ngjyer në blozë
Lëndëve iu bënte vi
I drejtonte si qiri
I vente në çati.
Unë fjalë pas fjale
Strofë pas strofe
Vjershë pas vjershe
Bëra një libër
Për fëmijë.
Ai me qerpiq e gurë
Bëri shumë shtëpi,
Unë fjalë pas fjale
Bëra dy libra për fëmijë,
Babi ishte mjeshtër
Unë jam biri i tij.
U BËRA GJYSH
Vajza e madhe
Shkoi në maternitet
Ne me fëmijtë
U ndamë në dysh
Dikush thoshte djalë
Dikush thoshte vajzë
Cingëroi telefoni
Më thanë u bëre gjysh.
Dhëndrrin e vajzën
Në derë të oborrit
Me foshnjen n`grykë
I pashë duke ardhë
Plot me gaz
U mbush shtëpia
Foshnja ishte
Pëllumb i bardhë.
KATËR NIPËR
E NJË MBESË
Kam katër nipër
E një mbesë
Mbesa e ka emrin Rinesë.
Më të voglën
Gotë shërbeti
E ka gjyshi mbesë hasreti.
Më i madhi
Më i miri
Ndër të gjithë është Samiri.
Rimi e Limi
Janë binjakë
As ata s`i dua më pak.
Kur në dhomë
Së bashku rrimë
Një n`prehër një n`shpinë.
Derisa të shkojnë
Në gjumë
Grinden kush më do më shumë.
E unë iu them
Me plot gojë
Se të gjithë i dua njësoj.
MË THUAJ GJYSH
Më thuaj gjysh
Bora a ka naze
Atje ka rënë në kodra
Këtu vetëm në pullaze.
Më thuaj gjysh
Hëna naze a ka
Herë del rrumbullake
Herë si drapër e kam pa.
Më thuaj gjysh
Naze a kanë lumenjtë
Që herë rrjedhin qetë
Herë i mbushin përrenjtë.
Më thuaj gjysh
Ti a je nazeli
Kur thua s`dua pite
Më ka ënda fli.
Gjysh tash jam rritur
Dhe mirë po e di
As bora
As hëna,
As lumi,
As gjyshi
S`është mirë
Të jenë nazeli.
BENI KURRESHTAR
Nga i merr ngjyrat
Lulja në livadh
Sa larg është hëna
Dielli sa është imadh?
Sa i madh është dielli
Hënën a e zë gjumi
A ka fund qielli
Ku e ka skajin lumi?
Në Mars a ka jetë
Ku rrinë ditën yjet
Ku e marrin blerimin
Fushat edhe pyjet?
Benit kurreshtar
I thotë gjyshi plak
Këto i gjen në libra
Kur të rritesh edhe pak.
DIMRI
Thonë edhe dimri ka dorë
Ngado hedh e hedh borë
Mbulon zbardhon mal e barë
Jorgan për grurin në arë.
Ai pikturon që ç`ke me te
Xhamat në dritare i ka atele
Me shall n`fyt e çizme n`këmbë
Fëmijtë dalin në diell ”me dhëmbë”.
Nëpër drunj më nuk ka gjethe
Edhe pranë stufës plaku ka ethe
Për një trohë buke trumcaku
I uritur me frikë vjen te praku.
Ç`bën tash lepuri në fushë
Pa çizme e shall në gushë
Kam frikë edhe nëse vjen
Lakrat në kopësht nuk i gjen.
Po drenusha në mal si del
Nuk ka dorëza as kapelë?
S`ËSHTË KOHA
PËR PËRRALLA
Gjyshi thoshte kur ishte i ri
Turp të mbahet në prehër djali
Tash nipërit i hipin në shpinë
Dhe i bërtasin hajt di, di, kali.
Nipër e mbesa kinse në lojë
Gjyshit ia heqin edhe plisin
Besa shpesh në prehër e pshurrin
Nuk mërziten abdesin që ia prishin.
Gjyshi për odën ka nostalgji
Ku rrinin burra e pleqnarë
E jo si tash në dhoma grash
Fëmijtë ta bëjnë kalë e gomar.
Në këtë kohë të internetit
Tha një plak nga Rezalla
Gjyshe e gjyshe s`janë për muze
Edhe pse s`është kohë për përalla.
MBAJE MURIN
Nastradinit plak
Një ditë i tha një fqi
Si po i mashtron njerëzit
Me ty shumë çudi.
Hoxha u mendua
I tha fqiut dikur
Po shkoj për qitape
Mbaje ti këtë mur.
Në shtëpi Nastradini
Ndejti nja një orë
Fqiu ende murin
Po e mbante me dorë.
Lëshoje tash murin
O fqi i uruar
Ja kështu si ty
Të gjithë i kam mashtruar.
NASTRADINI DHE GRATË E TIJ
Nastradini kishte pasur dy gra
Ato grindeshin bënin bela
Herë njërën herë tjetrën i thirri
Iu dhuroi të dyjave para floriri.
Nuk kaloi një kohë e gjatë
Prap filuan të ziheshin gratë
Sapo bëheshin të dyja tok
Njëra-tjetrën e kapnin për flokë.
Një ditë prej ditësh hoxha i zuri
Të dyja në bankë të zezë i vuri
Ç`keni që ziheni mori të shkreta
E shihni me pelë përdore ju gjeta.
-Efendi- i thanë na trego
Cilën më shumë prej nesh e do?
-Atë që i dhash floririn e dua unë
Ato shkuan në të vetat punë
Dhe kurrë më nuk u zunë.
SA KËMBË I KA GOMARI
Nastradini hipur në gomar
Takohet me një udhëtar
Me hoxhën u mahit udhëtari
E pyeti sa këmbë ka gomari.
Nastradini zbriti ia numëroi
Pastaj me zë atij i tregoi
-Unë e di-tha ai-po pse zbrite
Sa këmbë ka gomari a nuk e dite?
-Jo, jo unë e dita edhe pa zbritë
Po thash ta mbush ty kokën e mërdhitë.
NASTRADINI KËPUCËT ME VETE
Nastradinin e shohin do çobanë
T`ia marrin këpucët e bëjnë plan
-Jemi të vegjël këtu po rrimë kot
Mollët që po i shohim s`i arrijmë dot.
Ai i zbathi këpucët por s`i la në tokë
I mori të dyjat i lidhi për shokë
Ata u habitën kështu kur e panë
-Lëri hoxhë këpucët-fëmijtë i thanë.
-Po ju shkundi mollë e hani sa të doni
E sa për këpucët ju kot më këshilloni
Mallin afër vetes unë gjithëherë e dua
Ku ta di pastaj nga më qet rruga mua.
KU TË DOJË MUSHKA
Nastradini hipur në mushkë
Kokëlartë qëndronte si krushkë
Mundohej për freri ta drejtonte
Po ajo kryeneqe nuk e dëgjonte.
Pas pak u takua me një njeri
-Për ku je nisur o hoxhë efendi
-Besa s`po di as vet kah po shkoj
Le të më qojë mushka kah të dojë.
NASTRADINU U RRËZUA NGA KALI
Nastradini hipur në kalë të vet
Na ishte nisur për në qytet
Kali u tremb e hodhi përtokë
I erdhi inat e panë disa shokë.
Rrokotel në tokë u hodh plaku
Larg i shkoi qallma i rridhte gjaku
Shokëve që qeshnin hoxha iu thotë
-Kali i trembur mua më rrëzoi kot.
Unë edhe ashtu desha t`i zbres
Nuk i rri hipur kalit teknefes
-Mirë po thua o hoxhë jarani
A hipë njeriu në shalë shejtani.
NGJITJA BISHTIN NËSE DO
Një ditë Nastradini vajti në qytet
Në treg ta shiste gomarin e vet
Iu afrua njëri bishtin po ia matë
-Desha ta blej po paska bisht të gjatë.
Kështu ai i tha e iku pazarit
Hoxha ia shkurtoi bishtin gomarit
Më vonë i tha një tjetër teveqel
-Desha ta blej po qenka bishtcubel.
-Jo, jo, i tha hoxha hiç mos u largo
Në xhep ia kam bishtin ngjitja nëse do.
KAH DUHET ECUR
Kishte pas vdekur
Një njeri
Nastradini imam
Xhemati pas tij
E pyeti hoxhën
Njëri n`mes të xhades
-A duhet ecur para
Apo pas xhenazes?
Ia ktheu hoxha:
-Dëgjo ore hut
Kryesorja është
T`mos jesh n`tabut.
NASTRADINI NË SHKODËR
Kur këndej Nastradini
Të gjithë i bëri përrallë
Tha të shkoj në Shkodër
Malli më ka marrë.
Atje me të parët
U takua me fëmijë
E nisën bisedën
Për kopështari.
Iu tha Nastradini
-Kah ne lum baca
Rriten lakrat
Një nuk e zë kaca.
Kur hodhi shikimin
Nga liqeni pa bardhësi
Çka punohet atje
Ju lutem fëmijë.
-Ato janë bujashka
Mjeshtrit po punojnë
Për lakrat e juaja
Kaca po ndërtojnë.
U ndal efendia
Me vete u mendua
-Po kthehem-tha prapa
Këtu s`ka bukë për mua.
NASTRADINI, VAJZA DHE MULLIRI
Nastradini kishte planifikuar
Një mulli për ta ndërtuar
Vuri themelet në një lëndinë
Por lumë s`kishte në atë rrethinë.
Një ditë e bija bukën kur ia qoi
Nisi me babahoxhën të bisedojë
-O baba njerëzit kur të vijnë
Kuajt e qetë ujë ku do të pijnë?
Hoxha të bijës ia dha hakun
Hodhi çekiçin drodhi mustakun
Rrofsh moj bija ime e mbarë
Pse s`më pyete në ditën e parë.
PO MË DHIMBSEN DELET E JUAJA
Dervish Goxhuli një dele pati
S`kishte ahur as ushqim i ngrati
E dërgoi delen në fshat te një fqi
Ta kalojë dimrin me delet e tij.
Pasi kaluan disa ditë e net
Dervishi për dele pyet fqiun e vet
Kurse ai me keqardhje ia ktheu:
-Na ra mbrëmë ujku e delen ta preu.
-Hajërli-qoftë Goxhuli tha
Ashtu qenka shkruar or vëlla
Nuk po më dhimbset ajo e bekuar
Por të juajat që qenkan frikësuar.
KANDILI MBURRAVEC
Kandili plot vaj bënte dritë
Nisi të lavdërohej një ditë
-Tepër i vlefshëm unë jam
Dritë më të fortë se dielli kam.
Fryu një erë e lehtë u fik fatziu
Duke e ndezur prap i tha njeriu
-Ndriqo o kandil e mos u mburr
Se vetëm dritë e yjeve s`shuhet kurrë.
LUANI E GOMARI
Luani e gomari
Lidhën miqësi
Një ditë së bashku
Dolën në gjueti.
Gomari hyri në shpellë
Që t`i trembte dhitë
Kurse luan miku
Iu kishte zënë pritë.
Kur doli gomari
Luanit po i thotë
-A e kreva mirë
Unë detyrën sot.
-Besa ke pallë shumë
Ka gjëmuar molika
Po mos të të njihja
Do të më binte pika.
LOPA DHI!
Deshi njëherë një fshatar
Ta shes lopën në Pazar.
U morën vesh dy komshi
Atij lopën t`ia bëjnë dhi!
Diku në rrugë i del Fazliu
-Sa bën dhia lum komshiu?
-A je në vete pashë atë bukë
Nuk është dhi, është larukë.
Pak më poshtë Aliu ia pret
-Sa bën dhia tregomë drejt.!
-Edhe ti po lypshe mbytë
Shko te mjeku shëroi sytë!
Në treg njëri iu afrua
-Jaran, lopës sa po i thua?
Ti nuk qenke myshteri
Nuk kam lopë, po shes dhi.
TË DIGJEM KU JAM RRITË
Na ishte njëherë
Një njeri i mirë
Kish një qosh me ferra
Skaj arës së gjatë,
Kishte vendosur
T`i digjte me zjarr
Porse për gjallesat
I vinte mëkat.
-Largohuni nga ferrat
Ju lus o gjallesa
Shkoi tri ditë
Me zë të lartë thirri:
-Unë po ju lajmëroj
S`ju kam më qafë
Nëse pastaj nga ju
Mbetet vetëm hiri.
Pasi i dogji ferrat
Fshatari gjurmoi në hi
E gjeti shqiponjën
Si thëngjill të zi.
-O gjallesë e shkretë
Përse nuk u largove
A nuk deshe vet
Apo s`më dëgjove?
-Të dëgjova mirë
Na thirre tri ditë
Por vendosa të digjem
Këtu ku jam rritë.
SHQIPTARI DHE MBRETI
Mbreti thirri një shqiptar
-Kam dëgjuar të menqur jeni,
Në dy pyetje t`më përgjigjeni
Një shpërblim nga unë e keni,
Po s`i gjete bëhu gati
Kokën do ta pret xhelati!
Pyetjen e parë i bëri mbreti
-A e di sa pika ujë ka deti?
Shqiptari u mendua pak
E iu drejtua mbretit plak:
-Ndalmi lumenjtë mos të vijnë
Sepse numrat m`i përzijnë.
Pas kësaj mbreti i kish thënë
-M`numëro yjet në qiell sa janë!
-Ti numëroj o mbret patjetër
Veç sa qielli m`gjej një letër.
Gishtin kokës mbreti i vuri
-Sa lehtë ky mua më zuri.
Dhe tha:
-Merr shpërblimin o shqiptar
Ju të gjithë ishit dijetarë.
NJERI ME KËMISHË
PA HALLE NUK KA
Dikur,diku në një mbretëri
U sëmur mbreti tretej si qiri
Gjumi s`e zinte buka s`i hahej
Si degë e thyer mbreti po thahej.
Thërrasin doktorë e hoxhallarë
Thërrasin falltorë e pleqnarë
Nga shumë ilaçe kurrëfarë dobie
S`i bëri hajër kurrëfarë hajmalie.
Një i ditur tërë natën nuk fjeti
Der`sa ilaçin për mbretin s`e gjeti
Iu tha të kërkojnë në qytete e male
Të gjejnë këmishë t`njeriut pa halle.
Shumë asqerë kërkuan e kërkuan
Njeri pa halle askund nuk takuan
Tjetër rrugë në fund nuk iu mbeti
Por pa ilaç si të kthehen te mbreti.
Duke u kthyer malit afër një stani
Dëgjuan këngën e një çobani
Asqerët e lodhur pa masë u gëzuan
Ky është njeriu pa halle-menduan.
I rrëfyen për hallin që kishin
Ia përmendën edhe bakshishin
-Po më vjen keq çobani u tha
Njeri me këmishë e pa halle s`ka.
VASHA E L`KENIT
Halit Uka
Një plak
Me mjekërr
Shpeshherë tregonte
Një legjendë
Të vjetër
Për L`kenin
E fshatit tim
Legjenda thotë
Këtë rrëfim:
Rreth L`kenit
N`lëndinat me barë
Ruanin kafshët
Barinjtë fshatarë
Dilte nga L`keni
Një vashë si hyri
Me bosht e furkë
Dhe me kaun e zi.
Në breg të L`kenit
Kau i zi bërlykej
S`kishte ka në fshat
Që guxonte t`i avitej.
Një ditë një bari
Me vete kish menduar
Te farkëtari i fshatit
Në mesditë kishte shkuar
I thotë-o mjeshtër
Gjilpëra të më punosh
Për brirët e kaut
Të paguaj me grosh.
Kur erdhi koha
Shtazët t`i lëshojnë
Prap n`breg t`L`kenit
Barinjtë i qojnë
Doli edhe vasha
Ashtu si çdoherë
Me furkë e bosht
Shend e verë.
Bariu n`bri gjilpërat
I vuri kaut të tij
E afroi te bregu
Pranë kaut të zi
U skuq L`keni-1
Kau i zi u rrëzua
Vasha lëshoi furkën
Gati u tmerrua
E mallkoi djalin
U zhyt në thellësi
Më kurrë s`u duk
Kjo vashë si hyri.
…
Thonë atëherë L`keni
Kishte ujë shumë
Luginës rridhte
Porsi lumë
Mjegulla e tij
Drithërat kish dëmtuar
Ishin mbledhur burrat
Kishin biseduar
T`ia ndalin turrin
Ishin marrë vesh
Me trina
Me therra
Me lesh…
Me t`mbyllur
Të L`kenit
Vërejtën ata burra
Uji filloi të rrjedhë
Në tri fshatra
Në tri gurra…
1. Kështu thotë legjenda për L`kenin e Polacit që ka qenë
ndërmjet Polacit e Prekazit të Poshtëm. Autori i këtij libri
mban në mend se në këtë L`ke janë mbytur njerëz verës
duke u larë, por edhe dimrit duke rrëshqitur, kanë rënë nën
akull. Deri vonë kishte edhe florën dhe faunën karakteristike.
Ky L`ke tash ka shterrur dhe është shndëruar në një fushë
me barë.
GJËZA
I rrumbullakët
Shumë i nxehtë
Pa të bota
Nuk ka jetë.
( Dielli)
Herë si drapër
Herë si bukë
Nuk nxenë fare
Terrin zhdukë.
(Hëna)
Si xixëllonja
Natën ndrijnë
Kur lindë dielli
Vallë ku rrijnë.
(Yjet)
Si jorgan
Tokën mbulon
Është e ftohtë
Bimët i mbron.
(Bora)
Herë ngadalë
Herë me turr
Hyjnë në det
E s`dalin kurrë.
(Lumenjtë)
Reja resë
I bie shuplakë
Thua natyra
Po merr flakë.
(Vetëtima)
Llambat n`Radishevë
N`Galicë e Kopiliq
I kanë fitilat
Gjer në Obiliq.
(Korrenti)
Është me lara
Rrumbullak
Në të fëmijtë
Kanë merak.
(Topi)
Gjatë verës
Fle në tavan
Kurse dimrit
Drutë i han.
(Stufa)
Një si saç
E një kuti
T`sjellin botën
Në shtëpi.
(Ant.satelitore)
Ngushtë e mbyllur
Në epruvetë
Tregon për motin
Sa është i nxehtë.
(Termometri)
Po të kesh
Supervesh
Merresh vesh
Me Bangladesh.
(Telefoni)
S`është pëllumb
Me krah e sqep
Pa ndërprerë
Letra merr e jep.
(Interneti)
Ka tre sy me ngjyra
Nuk qanë kurrë
Në udhëkryq
Qëndron si burrë.
(Semafori)
Qoftë verë
A tjetër stinë
Kurrë s`pushonVetëm ngrinë.
(Frigoriferi)
Andej-këndej
I sjell saora
I bën rrobat
Sikur bora.
(Lavatriqeja)
Herë vjen poshtë
Herë lart ngjitet
Njerëzit i bartë
Fare s`mërzitet.
(Ashensori)
E mban në dorë
Ajo gjëmon
Pa u lodhur
Lisat i rrëzon.
(Motosharra)
Nuk ha sanë
Naftën pin
Për ngarkesë
Lodhje s`din.
(Traktori)
Një barkmadhe
Me gojë të gjerë
Dimrit fle
Punon në verë.
(Autokombajna)
E ëma ikën
Me gjëmë e vaj
Nuk i ndahen
Bijtë e saj
(Treni)
Ka shpinë të gjerë
Shkon detit të pafund
Në të mund të hip
I gjithë një katund.
(Trageti)
Bishtin e zjarrtë
Një shigjetë
Gjer në hënë
U ngjit përpjetë.
(Anija kozmike)
Vjetërsira
Por me vlerë
Aty gjenden
Kurdoherë.
(Muzeu)
Është një tempull
Që qëshon dritë
Ua shton fëmijëve
Dituritë.
(Shkolla)
Është një arkë
Pa dry pa derë
Ajo ruan
Gjëra me vlerë.
(Libri)
Është një arë
Në të hedh farë
Lehtë për ty
E korrë me sy.
(Fletorja)
Njeri është
Vendit s`luan
Territ, t`ftohtit
Nuk i druan.
(Busti)
Në të ulesh
Si në shalë
S`është gomar
S`është as kalë.
(Karriga)
E mban në dorë
A në tavolinë
Kohën tregon
Nga gjumi të zgjon.
(Ora)
Një sustë nëna
Kur e prek
Pogaqet në të
Saora i pjek.
(Shporeti elektrik)
Një zog i hekurt
Fluturon me fletë
Ngjitet lart në qiell
Atje përmbi retë.
(Aeroplani)
Mbi lumenj
Përmbi përroje
Npër të kalojnë
Njerëzit pa droje.
(Ura)
Shkojnë dimrit
Verës vijnë
Ia shtojnë stinës
Bukurinë.
(Zogjët shtegtarë)
E mban për brirë
Shkon pas tij
Kryen shumë punë
Në bujqësi.
(Motokultivatori)
Kur e mundon barku
Zorrët i përzihen
Nga goja vjell zjarr
Re tymi lart ngrihen.
(Vullkani)
Pas shiut në qiell
Kur ka diell
Duket një shirit
I tëri kolorit.
(Ylberi)
Ka të mëdha
E të vogla
Për fëmijë
Ka me lara
Kuqezi
Të gjithë e duan
Kur bie shi.
(Ombrella)
E kyq në rrymë