Upload
others
View
4
Download
0
Embed Size (px)
Citation preview
EDUKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT ME FËMIJË
Prishtinë, 2010
EDUKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT ME FËMIJË
Doracak trajnimi
Prishtinë, Janar 2010
2
Botues:
Qendra për Arsim e Kosovës
Për Botuesin:
Dukagjin Pupovci
Autor:
Veton Sylhasi
Disenji dhe Ballina:
Petrit Tahiri
Shtypi:
xxxx
Tirazhi:
500 kopje
ISBN:
3
Hyrje
Të rriturit duhet të kujdesen që fëmijët prej moshës më të re të njihen dhe t’i përvetësojnë sjelljet e qytetarisë demokratike. Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Maud de Boer‐Buquicchio, thotë: “Aftësia për të jetuar së bashku në një demokraci, nuk vjen natyrshëm. Njohuritë, shkathtësitë dhe vlerat që janë parakushte për të jetuarit në një demokraci duhet të mbillen dhe të ushqehen gjatë gjithë jetës. Ndërsa konceptet kyçe të demokracisë dhe të drejtave të njeriut duhet të kuptohen nga fëmijët, vlerat siç janë dinjiteti, toleranca dhe respekti për të tjerët, si dhe shkathtësitë siç janë bashkëpunimi, të menduarit kritik dhe aktivizimi për të drejtat e njeriut, nuk mund t’ju mësohen në mënyra tradicionale. Ato duhet të mësohen përmes përvojës dhe të praktikuarit në një mjedis demokratik dhe nga mosha më e hershme e mundshme1.
Edukimi për të drejtat e njeriut me fëmijë është një proces që ka për qëllim të krijojë kulturën e të drejtave të njeriut. Procesi ndërtohet mbi pjesëmarrjen aktive të fëmijëve, përmes së cilës ata mësojnë për të drejtat e njeriut, fitojnë shkathtësi dhe aftësi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zhvillojnë qëndrime të respektit për dinjitetin njerëzor dhe barazinë. Prandaj edukimi për të drejtat e njeriut duhet të ketë një rol vendimtar në të gjitha proceset edukative. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve në nenin 29 shprehimisht e mbështet këtë:
“Shtetet palë pajtohen që arsimimi i fëmijës duhet të drejtohet në (a) zhvillimin e personalitetit, talenteve dhe aftësive mendore e fizike, deri në potencialin e tyre të plotë; (b) zhvillimin të respektit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore..”
Duke jetuar me të tjerët në familjet e tyre, në komunitet dhe në shoqëri, fëmijët, prej moshës më të re bëhen të vetëdijshëm për çështjet që lidhen me drejtësinë dhe kërkojnë kuptimin e botës. Duke ju ushqyer të kuptuarit e të drejtave të njeriut, duke ju formësuar opinionet dhe duke ju zhvilluar qëndrimet, edukimi për të drejtat e njeriut e mbështet fort këtë interes natyral të fëmijëve.
1 Compasito, Manual on human rights education for children, CoE, preface, p. 7
Ky Doracak është botuar si pjesë e projektit “Promovimi i të Drejtave të Fëmijës në fushën e Arsimit” që implementohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me Shoqatën Kosovare për të Drejtat e Njeriut dhe Fëmijës (KAHCR)
4
Duke ditur të drejtat e tyre, fëmijët janë të aftë të identifikojnë shkeljen e të drejtave të njeriut dhe të ngrihen kundër shpërdorimit të këtyre të drejtave; duke u angazhuar vet për të drejtat e njeriut, fëmijët kontribuojnë për një botë më të mirë; ndërsa duke punuar me fëmijët për të drejtat e njeriut, të rriturit bëhen të besueshëm para syve të fëmijëve.
Programi i trajnimit
Ky program trajnimi është përgatitur në kuadër të projektit “Promovimi i të drejtave të fëmijëve në fushën e arsimit”, të financuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë (ECLO). Programi është adaptuar për fëmijët e moshës 12‐15 vjeçare, që janë anëtarë të organizatave shkollore për të drejtat e njeriut/fëmijës, si dhe për mësimdhënësit dhe prindërit e tyre që janë të angazhuar si këshilltarë të fëmijëve në këto organizata. Programi i trajnimit mund të ofrohet ndarazi për këto dy grupe, por mund të ofrohet edhe për të dyja grupet së bashku. Pikërisht këtë kemi për qëllim ta bëjmë në kuadër të këtij projekti. Rrjedhimisht edhe objektivat që i kemi vënë vetes janë të dyfishta. Kemi për qëllim që nxënësit të fuqizohen duke marrë njohuri për të drejtat e njeriut, si dhe shkathtësi dhe qëndrime që të drejtat e njeriut t’i promovojnë dhe t’i mbrojnë në mjedisin e tyre. Po ashtu, kemi për qëllim që mësimdhënësit dhe prindërit të vetëdijesohen për eksperiencat e fëmijëve dhe për këndvështrimet e tyre në çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, si dhe të zhvillojnë kapacitetin e tyre si shpërndarës të edukimit për të drejtat e njeriut me fëmijë.
Programi i trajnimit mbështetet në metodologjinë edukuese joformale, të bazuar në pjesëmarrjen aktive dhe përvojën personale të fëmijëve. Është i ndërtuar parmes aktiviteteve që pasqyrojnë jetën reale të fëmijëve. Shumë aktivitete janë marrë nga botimet e Këshillit të Evropës për edukimin për të drejtat e njeriut, siç janë Kompas – manuali për edukimin për të drejtat e njeriut me të rinj dhe Kompasito – manuali për të drejtat e njeriut me fëmijët, por janë përshtatur asisoj që t’i shërbejnë kontekstit kosovar dhe që të mundësojnë arritjen e objektivave të programit të trajnimit. Edhe aktivitetet tjera janë zhvilluar duke u bazuar në këto dy kritere. Pavarësisht kësaj, përdoruesit e këtij materiali duhet të kenë shkathtësinë që sipas nevojës të adaptojnë më tutje aktivitetet, në mënyrë që ato të bëjnë efektin më të mirë të mundshëm te pjesëmarrësit dhe të reflektojnë sa më mirë idenë e koncepteve që trajtojnë.
Temat e përzgjedhura në kuadër të programit të trajnimit janë vendosur në një agjendë treditore të punës, e cila është kompakte sa i përket metodologjisë, por secila nga këto tema i ka objektivat specifike. Janë të dallueshme dy pjesë të programit të trajnimit. Pjesa e parë trajton të drejtat e njeriut dhe shtrihet përgjatë dy ditëve të para të agjendës së trajnimit,
5
ndërsa pjesa e dytë trajton aspekte të aktivizimit dhe avokimit për të drejtat e njeriut dhe është sistemuar në ditën e tretë të agjendës së trajnimit
Besojmë se ky program trajnimi do t’i shërbejë ngritjes së kapaciteteve të fëmijëve për të njohur të drejtat e njeriut, për të identifikuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për t’u aktivizuar në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe të të tjerëve. Po ashtu, shpresojmë se programi do të shërbejë si udhëzues praktik për të gjithë ata që kanë vullnetin të angazhohen në edukimin për të drejtat e njeriut me fëmijë.
6
7
UNË JAM TI, TI JE AJO, AJO ËSHTË AI...
TEMAT Prezantimi, diversiteti
KOHËZGJATJA 30 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Njoftim, prezantim, me lëvizje nëpër klasë
OBJEKTIVAT Të thyejnë akullin me pjesëtarët e grupit.
Të njihen me diversitetin e grupit. Të prezantojnë veten si dikush tjetër nga grupi.
Udhëzime
1. Njoftoni fëmijët se do të prezantohen me njëri‐tjetrin, por këtë do ta bëjnë përmes një aktiviteti. Kërkojuni fëmijëve që me shënues (marker) të shkruajnë emrin e vet në një letër të formatit A4, me shkronja të mëdha.
2. Jepuni fëmijëve udhëzimet në vijim:
a. Secili nga ju duke mbajtur letrat me emrat tuaj përpara, do të gjeni nga një pjesëtar të grupit dhe për disa minuta do të njiheni me njëri‐tjetrin. Kur të dëgjoni një sinjal akustik do të ndërroni letrat me emra dhe me letrat e reja përpara do të gjeni një partner tjetër dhe do të njiheni mes vete, duke u prezantuar me emrin që mbani në letër. Kur të dëgjoni sërish sinjalin akustik, prapë do të ndërroni letrat dhe do të gjeni një partner me të cilin nuk jeni njohur akoma.
b. Për t’u njohur sa më mirë, tregoni emrin tuaj, vendbanimin, të dhënat për familjen tuaj dhe për shkollën, preferencat personale dhe diçka tjetër të cilën doni ta ndani me të tjerët.
c. Kur të dëgjoni një sinjal akustik të zgjatur, do të kuptoni se duhet ta ndërprisni aktivitetin.
8
3. Tash kërkojuni fëmijëve që të krijojnë një rreth. Secili nga ata me radhë duhet të prezantohet duke u bazuar në emrin që mban në letrën që ka në dorë. Pas secilit prezantim kërkoni që të shfaqet personi i vërtetë me atë emër dhe kërkojini të tregojë nëse prezantimi ishte në rregull, nëse mungoi diçka nga sa kishte prezantuar ai/ajo dhe nëse është shtuar diçka.
Gjatë prezantimit në rreth, do të ndodh p.sh. që Astriti të prezantohet si Flutura dhe të tregojë se i pëlqen basketbolli dhe gatimi i ëmbëlsirave, ndërsa Flutura do të prezantojë veten si Ergyni dhe do të tregojë se gjuha e tij amtare është turqishtja, por flet edhe gjuhën shqipe dhe atë angleze. Kjo është shumë domethënëse dhe i ndihmon udhëheqësit të nxjerrë shumë përmbajtje nga fëmijët.
Përmbledhje dhe vlerësim
Përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
• Si u ndiet gjatë aktivitetit dhe si ndiheni tash?
• Cilat ishin vështirësitë me të cilat u ballafaquat?
• Çka ishte më me vlerë për ju në këtë aktivitet?
• Cili është përfundimi që mund të nxjerrim nga ky aktivitet?
9
LOJA ME TABELË
TEMAT Të drejtat e përgjithshme të njeriut
KOHËZGJATJA 45 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Diskutim për të drejtat e njeriut, përmes lojës me tabelë
OBJEKTIVAT Të shprehin njohuritë për të drejtat e njeriut dhe
Konventën mbi të drejtat e fëmijës. Të lidhin të drejtat e njeriut me jetën e përditshme.
Udhëzime
1. Ndajini fëmijët në grupe me nga 5 ‐ 6 veta dhe tregojuni se do të zhvillojnë një lojë me tabelë. Secili grup përbën një ekip në lojë. Ekipi mund të zgjedh një përfaqësues për të luajtur dhe të tjerët të ndihmojnë me këshilla, ose mund të luajnë me radhë. Secili ekip zgjedh një figurë që do ta lëvizë nëpër tabelë, si shenjë dalluese e ekipit.
2. Shpjegoni aktivitetin:
a. Përfaqësuesi i secilit grup hedh zarin. Fillon grupi me numrin më të madh.
b. Lojtari i ekipit të parë hedh zarin dhe lëviz përpara sipas numrit të zarit.
c. Çfarë ndodh më pas varet nga katrori ku ka rënë lojtari:
I. Nëse lojtari ka rënë në një katror që përmban fundin e shkallëve, lojtari lëviz lartë në katrorin në fillim të shkallëve.
II. Nëse lojtari arrin në një katror që përmban bishtin e gjarprit, ai duhet të shkojë poshtë në katrorin që përmban kokën e gjarprit.
10
III. Nëse lojtari arrin në një katror me ngjyrë, lojtari i ekipit që pret radhën për të luajtur, merr një kartë dhe e lexon atë me zë të lartë. Lojtari i ekipit të parë, duhet të thotë nëse ai mendon që pohimi është i vërtetë ose i pavërtetë / nëse është shkelje apo e drejtë e njeriut, sipas Konventës për të drejtat e fëmijëve.
IV. Nëse lojtari nuk përgjigjet saktësisisht, ai qëndron në të njëjtin katror. Lojtari që jep përgjigjen e saktë, fiton të drejtën të shkojë përpara dy katrorë. Nëse ai/ajo mund të emërtojë nenin e Konventës për të drejtat e fëmijës që përcakton apo e mbron atë të drejtë, atëherë ai/ajo shkon përpara edhe një katror tjetër. Nuk është e nevojshme të emërtohet numri i saktë i nenit të Konventës për të drejtat e fëmijës.
V. Ekipet tjera më pas luajnë me radhë.
d. Loja mbaron kur njëri ekip arrin në katrorin e fundit ose kur hedh një numër në zar që e lëviz figurën e tij përtej katrorit të fundit.
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Diskutoni aktivitetin dhe lidhni atë me të drejtat e njeriut, duke bërë këso pyetjesh:
a. A ju pëlqeu ky aktivitet?
b. Si ju ndihmuan njohuritë për të drejtat e njeriut të ngjitni shkallët?
c. Si ju ndihmojnë njohuritë për të drejtat e njeriut në jetën e vërtetë? Si i ndihmojnë të tjerët?
d. Çfarë ndodh me një komunitet të tërë kur njerëzit nuk dinë rreth të drejtave të tyre të njeriut? Çfarë ndodh kur pjesa më e madhe e njerëzve i njohin të drejtat e njeriut?
11
FLETË PUNE: KARTAT Kopjoni dhe prisni këto karta ose bëni të tjera të përshtatshme për grupin tuaj
Pohim: Të gjithë fëmijët kanë të drejta të barabarta, pavarësisht nëse ata apo prindërit e tyre janë shtetas të një vendi të caktuar ose jo.
Përgjigje: E vërtetë / Është një e drejtë
Neni 2 i konventës për të drejtat e fëmijës. Mosdiskriminimi:
Të drejtat nga kjo Konventë i garantohen çdo fëmije, pa marrë parasysh racën, religjionin, aftësitë; pa marrë parasysh çka mendojnë apo thonë; pa marrë parasysh prejardhjen familjare të tyre.
Pohim: Kushdo që martohet, nuk është më fëmijë.
Përgjigje: E pavërtetë / Është shkelje.
Neni 1 i konventës për të drejtat e fëmijës.
Kush është fëmijë:
Çdo njeri nën moshën 18 vjeçare konsiderohet fëmijë, prandaj i gëzon të gjitha të drejtat nga kjo konventë.
12
Pohim: Përgjegjësja e bibliotekës së shkollës sonë më lejon të marr çdo libër që dua.
Përgjigje: E vërtetë/ Është një e drejtë
Neni 17 i konventës për të drejtat e fëmijës. Marrja e informacionit të përshtatshëm dhe qasja në mjetet e komunikimit:
Fëmijët kanë të drejtën për të marrë informacion nga media. Televizioni, radioja dhe gazetat duhet të japin informacion që fëmijët mund ta kuptojnë dhe nuk duhet të promovojnë materiale që mund të cenojnë apo t’u shkaktojnë dëm atyre ose të tjerëve.
Pohim: Nëse kryen një krim, mund të vendosesh në burg me kriminelë të rritur.
Përgjigje: E pavërtetë / Është shkelje.
Neni 37 i konventës për të drejtat e fëmijës. Tortura, trajtimi çnjerëzor dhe heqja e lirisë:
Fëmijët që shkelin ligjin, nuk duhet të trajtohen në mënyrë mizore. Dënimi me vdekje dhe dënimi me burgim të përjetshëm nuk duhet t’u jepet atyre. Në burg ata duhet të veçohen nga të rriturit dhe të lejohen të mbajnë lidhje me familjen e tyre.
Pohim: Vajzat mund të luajnë në fushën e futbollit vetëm nëse djemtë nuk janë duke e përdorur atë.
Përgjigje: E pavërtetë / Është shkelje.
Neni 2 i konventës për të drejtat e fëmijës. Mosdiskriminimi:
Të drejtat nga kjo Konventë i garantohen çdo fëmije, pa marrë parasysh racën, religjionin, aftësitë; pa marrë parasysh çka mendojnë apo thonë; pa marrë parasysh prejardhjen familjare të tyre.
13
Pohim: Edhe pse duhet të përdor karrocë, unë mund të shkoj në shkollë me fëmijët e tjerë të lagjes sime. Shkolla më ka siguruar pjerrinë për karrocën.
Përgjigje: E vërtetë/ Është një e drejtë
Neni 23 i konventës për të drejtat e fëmijës. Fëmijët me aftësi të kufizuara:
Fëmijët që kanë çfarëdo lloji të aftësisë së kufizuar, kanë të drejtë në kujdes dhe mbështetje të veçantë nga shteti, në mënyrë që ata të bëjnë një jetë të plotë dhe të pavarur, deri në maksimumin e aftësive të tyre.
Pohim: Vetëm babai mund të vendosë se çfarë është më e mira për ty, e jo edhe nëna.
Përgjigje: E pavërtetë / Është shkelje
Neni 18 i konventës për të drejtat e fëmijës. Përgjegjësitë e përbashkëta të prindërve:
Të dy prindërit kanë përgjegjësi të përbashkët për rritjen e fëmijëve të tyre dhe duhet të udhëhiqen nga interesi më i lartë i fëmijës. Shtetet duhet t’u japin ndihmën e duhur prindërve duke u siguruar shërbime të përkrahjes, sidomos nëse të dy prindërit punojnë.
Pohim: Një fabrikë këtu pranë hedh në ajër materiale kimike me erë të keqe që i bëjnë njerëzit të kolliten.
Përgjigje: E pavërtetë / Është shkelje
Neni 24 i konventës për të drejtat e fëmijës. Kujdesi shëndetësor dhe shërbimet shëndetësore:
Fëmijët kanë të drejtën në përkujdesje shëndetësore cilësore, në ujë të pastër, në ushqim me vlera ushqimore dhe në mjedis të pastër, në mënyrë që të jenë të shëndetshëm edhe vet. Për të arritur këtë, shtetet e pasura duhet t’u ndihmojnë shteteve në zhvillim.
14
Pohim: Kur lind fëmija, prindërit duhet t’i vënë një emër dhe ta regjistrojnë zyrtarisht lindjen e tij.
Përgjigje: E vërtetë/ Është një e drejtë
Neni 7 i konventës për të drejtat e fëmijës. Regjistrimi i lindjes, emri, shtetësia dhe e drejta për të njohur prindërit dhe për të pasur kujdesin e tyre:
Të gjithë fëmijët kanë të drejtën të kenë një emër të regjistruar ligjërisht dhe një shtetësi. Gjithashtu, të drejtën për të njohur prindërit e tyre dhe brenda mundësive për ta gëzuar kujdesin e tyre.
Pohim: Në disa vende fëmijët, veçanërisht djemtë, duhet të shërbejnë në ushtri.
Përgjigje: E pavërtetë / Është një shkelje
Neni 38 i konventës për të drejtat e fëmijës. Mbrojta e fëmijëve të prekur nga konflikti i armatosur:
Shtetet nuk duhet të lejojnë fëmijët nën moshën 15 vjeç të marrin pjesë në ushtri apo të marrin pjesë drejtpërdrejt në veprimet luftarake. Për më tepër, fëmijët në zonat e luftës duhet të kenë mbrojtje të veçantë.
Pohim: Kompjuterët tanë të shkollës bllokojnë disa faqe interneti.
Përgjigje: E vërtetë / Është një e drejtë
Neni 17 i konventës për të drejtat e fëmijës. Marrja e informacionit të përshtatshëm dhe qasja në mjetet e komunikimit:
Fëmijët kanë të drejtën për të marrë informacion nga media. Televizioni, radioja dhe gazetat duhet të japin informacion që fëmijët mund ta kuptojnë dhe nuk duhet të promovojnë materiale që mund të cenojnë apo t’u shkaktojnë dëm atyre ose të tjerëve.
15
Pohim: Klasa e tetë nxjerr një revistë të përjavshme dhe e shpërndan atë në lagje.
Përgjigje: E vërtetë/ Është një e drejtë
Neni 13 i konventës për të drejtat e fëmijës. Liria e shprehjes:
Të gjithë fëmijët kanë të drejtën e lirisë së fjalës. Kjo e drejtë përfshin të drejtën të marrin dhe të japin informacion, nëse ky informacion nuk është i dëmshëm për ata apo për dikë tjetër.
Pohim: Pavarësisht se jam 13 vjeç, prindërit e mi ma lexojnë të gjithë postën time përpara se unë ta shoh atë.
Përgjigje: E pavërtetë / Është e shkelje
Neni 16 i konventës për të drejtat e fëmijës. Jeta private, nderi dhe reputacioni:
Fëmijët kanë të drejtë për të pasur jetë private. Ligji duhet t’i mbrojë ata nga cenimet kundër mënyrës së tyre të jetesës, kundër emrit të tyre të mirë, kundër familjeve të tyre, shtëpive të tyre dhe letrave e postës së tyre.
Pohim: Prindërit e mi e lejojnë vëllanë tim 17 vjeçar të shoh në TV çdo gjë që ai pëlqen, por mua nuk më lënë të shoh çfarë dua, sepse jam vetëm 10 vjeç.
Përgjigje: E vërtetë/ Është një e drejtë
Neni 5 i konventës për të drejtat e fëmijës. Udhëheqja prindërore dhe zhvillimi i aftësive të fëmijës:
Qeveritë duhet të respektojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e familjes për të drejtuar dhe udhëzuar fëmijët e tyre, ashtu që, duke u rritur, këta të mësojnë të shfrytëzojnë të drejtat e tyre si duhet.
16
Pohim: Unë kam të drejtën për te pasur një mbiemër, një shtet dhe një familje.
Përgjigje: E vërtetë / Është një e drejtë
Neni 8 i konventës për të drejtat e fëmijës. Ruajtja e identitetit:
Shtetet duhet të respektojnë të drejtën e fëmijëve në identitet, duke përfshirë edhe emrin e mbiemrin, shtetësinë dhe lidhjet familjare.
Pohim: Mua dhe miqtë e mi nuk na lejojnë në shkollë të flasim gjuhën tonë amtare.
Përgjigje: E pavërtetë / Është shkelje
Neni 30 i konventës për të drejtat e fëmijës. Fëmijët e minoriteteve dhe personave me origjinë autoktone:
Fëmijët kanë të drejtën të përdorin gjuhën e vet, të ndjekin kulturën e vet dhe të praktikojnë fenë e vet. Kjo e drejtë ju sigurohet edhe nëse janë pjesëtarë të grupeve minoritare apo popujve autoktonë.
Pohim: Nëna ime punon tani në një shtet tjetër, por çdo muaj ajo vjen në shtëpi ose unë dhe babai e vizitojnë atë.
Përgjigje: E vërtetë/ Është një e drejtë
Neni 10 i konventës për të drejtat e fëmijës. Ribashkimi i familjes:
Familjet që jetojnë në shtete të ndryshme, duhet të lejohen të lëvizin ndërmjet këtyre shteteve, në mënyrë që prindërit dhe fëmijët të mbajnë kontakte.
17
Pohim: Unë kam të drejtën të takohem me të dy prindërit e mi edhe nëse ata janë të ndarë.
Përgjigje: E vërtetë / Është një e drejtë
Neni 9 i konventës për të drejtat e fëmijës. Ndarja nga prindërit:
Fëmijët nuk duhet të ndahen nga prindërit, përveç nëse kjo është në të mirën e tyre, p.sh., nëse një prind keqtrajton apo nuk kujdeset për fëmijën. Fëmijët, prindërit e të cilëve janë ndarë, kanë të drejtë të qëndrojnë në kontakt me të dy prindërit, në qoftë se kjo nuk e dëmton fëmijën.
Pohim: Familja ime erdhi këtu për t’u larguar nga lufta në vendin tonë. Por këtu fëmijët refugjatë, si puna ime, nuk lejohen të shkojnë në shkollë.
Përgjigje: E pavërtetë / Është shkelje
Neni 22 i konventës për të drejtat e fëmijës. Fëmijët refugjatë:
Fëmijëve refugjatë duhet t’u jepet mbrojtje e veçantë. Ata duhet të kenë të njëjtat të drejta si fëmijët e lindur në atë vend.
Pohim: Fëmijët që nuk sillen mirë në shkollë, nuk duhet të ndëshkohen fizikisht në asnjë lloj mënyre.
Përgjigje: E vërtetë/ Është një e drejtë
Neni 28 i konventës për të drejtat e fëmijës. E drejta për arsimim:
Fëmijët kanë të drejtën për arsimim, që do të thotë të shkojnë në shkollë. Disiplina në shkollë duhet të jetë në përputhje me dinjitetin njerëzor të fëmijëve; dhuna nuk duhet të përdoret në disiplinë.
18
Pohim: Shoqja ime është 14 vjeçare. Prindërit e saj janë shkurorëzuar dhe gjykata e ka ftuar shoqen time të deklarohet se me cilin prind dëshiron të jetojë.
Përgjigje: E vërtetë / Është një e drejtë
Neni 12 i konventës për të drejtat e fëmijës. Puna e fëmijës:
Shteti i garanton fëmijës, i cili është i aftë të ketë pikëpamjet e veta, të drejtën për t’i shprehur lirisht këto pikëpamje, për çdo çështje që ka të bëjë me të.
Pohim: Unë humbas shumë orë mësimi, sepse kur vëllai im i vogël është i sëmurë unë kujdesem për të gjatë kohës që nëna është në punë.
Përgjigje: E pavërtetë / Është shkelje
Neni 32 i konventës për të drejtat e fëmijës. Puna e fëmijës:
Shteti duhet t’i mbrojë fëmijët nga puna e rrezikshme ose që mund të dëmtojë shëndetin dhe edukimin e tyre, apo që mund të çojë në shfrytëzimin e tyre.
19
FLETË PUNE: TABELA
20
MË E RËNDËSISHMJA PËR CILIN
TEMAT Të drejtat e përgjithshme të njeriut
KOHËZGJATJA 60 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Dhënie e përparësive, ndërtim i konsensusit, diskutim
OBJEKTIVAT Të shqyrtojnë rëndësinë e të drejtave të ndryshme nga
Konventa për të drejtat e fëmijës. Të vlerësojnë se të drejtat janë universale, të patjetërsueshme dhe të ndërvarura.
Udhëzime
1. Filloni aktivitetin duke bërë një stuhi mendimesh për të drejtat e fëmijëve, për të përcaktuar sa i familjarizuar është grupi me Konventën për të drejtat e fëmijës dhe/ose duke u kujtuar atyre se çfarë ata mund të kenë mësuar më parë rreth të drejtave të fëmijëve.
2. Ndajini fëmijët në çifte dhe secilit çift jepini dy Karta të të Drejtave të Njeriut. Shpjegoni se çdo kartë përshkruan një të drejtë në Konventën për të drejtat e fëmijës. Kërkojuni atyre të lexojnë me zë dy nenet në karta dhe të vendosin se cila e drejtë është më e rëndësishme për fëmijët. Më pas ata duhet të shkruajnë arsyet e tyre pse kanë zgjedhur një të drejtë nga dy.
3. Mblidhni kartat për të drejtat “më pak të rëndësishme”. Kërkojini secilit çift të marrin kartën e tyre të zgjedhur të të drejtave të fëmijëve dhe t’i bashkohen një çifti tjetër. Në këtë grup më të madh prej katër vetash, përsërisni hapin 2, duke vendosur se cila e drejtë nga dy kartat e tyre të të drejtave të njeriut është më e rëndësishme për fëmijët dhe të shkruajnë arsyet e tyre.
4. Përsëri mblidhni kartat për të drejtat “më pak të rëndësishme”. Listojini ato të gjitha në një tabak letre, duke u vënë titullin “Të drejtat më pak të rëndësishme”. Kërkojini secilit grup të marrin kartën e zgjedhur të tyre të të drejtave të fëmijëve dhe t’i bashkohen një grupi tjetër, duke krijuar grupin e madh prej tetë vetash dhe duke përsëritur procedurën si në hapin 2 dhe 3.
21
5. Kur grupet të kenë bërë zgjedhjen e tyre përfundimtare, pyesni dikë nga secili grup të lexojë me zë kartën e vetme të të Drejtave të Njeriut që ata e kanë zgjedhur si më të rëndësishme dhe të shpjegojnë arsyet për zgjedhjen e tyre. Gjatë leximit të kartave, listojini në tabak letre nën titullin “Të drejtat tona”. Vetëm dy deri në katër të drejta do të mbeten, në varësi të madhësisë së grupit.
6. Diskutoni këto zgjedhje:
a. A patët vështirësi për të bërë këto zgjedhje? Përse? b. Çfarë faktorësh ju bënë të zgjidhnit një të drejtë nga një tjetër? c. A ju ndryshuan gjatë aktivitetit idetë lidhur me të drejtat që ishin
më të rëndësishme?
d. A jeni dakord me arsyet që ju dhanë grupet e tjera për zgjedhjet e tyre? Përse po, ose përse jo?
7. Shpërndajuni fëmijëve kartat për të drejtat “më pak të rëndësishme” dhe kërkojuni t’i lexojnë ato me zë. Diskutoni se çfarë do të ndodhte nëse me të vërtetë do të na mohoheshin këto të drejta.
a. Zgjidhni disa të drejta specifike “më pak të rëndësishme” dhe u thoni fëmijëve të imagjinojnë se çfarë do të ndodhte pa to (p.sh. e drejta për birësim dhe për përkujdesje alternative, e drejta për jetën familjare, e drejta për lojëra dhe aktivitete kulturore).
b. Si do të ndikonte personalisht te ju nëse do të humbnit ndonjë nga këto të drejta “më pak të rëndësishme”?
c. Si do të ndikonte te të drejtat e zgjedhura humbja e këtyre të drejtave “më pak të rëndësishme”?
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Kujtojuni fëmijëve për parimin themelor të universalitetit: çdo person gëzon të gjitha të drejtat, dhe diskutoni:
a. Përse është e rëndësishme që çdo qenie njerëzore të ketë të drejtat e njeriut të njëjta?
2. Diskutoni me fëmijët rëndësinë e gëzimit të të gjitha të drejtave dhe ndikimin që kanë të drejtat e ndryshme në njëra‐tjetrën:
a. A mund të tjetërsohen të drejtat e njeriut? P.sh., a mundet dikush të na heq ndonjë të drejtë personale? Apo, a mundet dikush që vullnetarisht të heq dorë nga një e drejtë e vet personale?
22
b. A varet gëzimi i një të drejte nga gëzimi i ndonjë të drejte tjetër? P.sh., a mund të gëzojmë të drejtën në lojë dhe rekreacion, nëse nuk e kemi të drejtën e lirisë së lëvizjes?
c. Kërkojuni fëmijëve të mendojnë situata ku secila nga të drejtat “më pak të rëndësishme” mund të jetë vendimtare për mbijetesën apo për mirëqenien e një fëmije të veçantë.
FLETË PUNE: KARTAT E TË DREJTAVE
Konventa për të drejtat e fëmijës Nenet 24 dhe 26
Shëndeti i fëmijës
Fëmijët kanë të drejtën në përkujdesje shëndetësore cilësore, në ujë të pastër, në ushqim me vlera ushqimore dhe në mjedis të pastër, në mënyrë që të jenë të shëndetshëm edhe vet. Për të arritur këtë, shtetet e pasura duhet t’u ndihmojnë shteteve në zhvillim.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 9
Mosndarja nga prindërit
Fëmijët nuk duhen të ndahen nga prindërit e tyre përveç rastit kur kjo ndarje është për të mirën e tyre, p.sh., nëse një prind e keqtrajton fëmijën. Fëmijët, prindërit e të cilëve janë ndarë, kanë të drejtën për të mbajtur kontakte me të dy prindërit.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 7
Emri dhe shtetësia
Të gjithë fëmijët kanë të drejtën të kenë një emër të regjistruar ligjërisht dhe një shtetësi. Gjithashtu, të drejtën për të njohur prindërit e tyre dhe brenda mundësive për ta gëzuar kujdesin e tyre.
23
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 40
Fëmijët në konflikt me ligjin
Fëmijët të cilët akuzohen se kanë shkelur ligjin, duhet të marrin ndihmë ligjore. Dënimet me heqje lirie për fëmijët duhet të përdoren vetëm për shkeljet më të rënda të ligjit.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 27
Niveli i mjaftueshëm i jetesës
Fëmijët kanë të drejtë në nivel të mjaftueshëm jetese për zhvillimin e tyre fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror. Përgjegjësinë për të siguruar këtë në radhë të parë e kanë prindërit. Shtetet duhet të ndihmojnë prindërit duke u siguruar shërbime për t’i përkrahur ata.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 3
Interesi më e lartë i fëmijës
Në të gjitha vendimet dhe veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 18
Kujdesi i prindërve
Të dy prindërit kanë përgjegjësi të përbashkët për edukimin e fëmijës dhe duhet të udhëhiqen gjithmonë nga interesi më i lartë i fëmijës. Shtetet duhet t’u ndihmojnë prindërve duke u ofruar atyre shërbime të përkrahjes, sidomos nëse të dy prindërit punojnë.
24
Konventa për të drejtat e fëmijës Nenet 20
Përkujdesja alternative
Është detyrim i shteteve që t’ju sigurojnë fëmijëve përkujdesje alternative, ashtu që të respektohet origjina fetare, kulturore dhe etnike të fëmijëve dhe të sigurohet që vetëm organet e autorizuara të kryejnë birësimin.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 28
Arsimimi
Fëmijët kanë të drejtën për arsimim fillor, i cili duhet të jetë falas. Disiplina në shkollë duhet të respektojë dinjitetin njerëzor të fëmijëve. Fëmijët duhet të inkurajohen të arrijnë nivelin më të lartë të arsimimit, në përputhje me aftësitë e tyre.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 12
Shprehja e pikëpamjeve
Shteti i garanton fëmijës, i cili është i aftë të ketë pikëpamjet e veta, të drejtën për t’i shprehur lirisht këto pikëpamje, për çdo çështje që ka të bëjë me të.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 14
Liria e besimit, e ndërgjegjes dhe e fesë
Fëmijët kanë të drejtë të mendojnë dhe të besojnë çfarë ata dëshirojnë dhe të praktikojnë fenë e tyre, përderisa ata nuk pengojnë njerëzit e tjerë nga gëzimi i të drejtave të tyre. Prindërit duhet të udhëheqin fëmijët për këto çështje.
25
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 16
Jeta private
Fëmijët kanë të drejtën për jetën private. Ligji duhet t’i mbrojë ata nga ndërhyrjet në mënyrën e tyre të jetës, në reputacionit të tyre të mirë, në familjet dhe shtëpitë e tyre.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 6
Jeta, mbijetesa dhe zhvillimi
Të gjithë fëmijët kanë të drejtë në jetë. Shtetet duhet të sigurojnë mbijetesën dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 17
Qasja në informacion
Fëmijët kanë të drejtën për të marrë informacion nga media. Televizioni, radioja dhe gazetat duhet të japin informacion që fëmijët mund ta kuptojnë dhe nuk duhet të promovojnë materiale që mund të cenojnë apo t’u shkaktojnë dëm atyre ose të tjerëve.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 31
Loja dhe aktivitetet kulturore
Të gjithë fëmijët kanë të drejtën të pushojnë dhe të luajnë, si dhe të marrin pjesë në një gamë të gjerë aktivitetesh argëtuese, kulturore dhe artistike.
26
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 32
Shfrytëzimi ekonomik dhe puna e rëndë
Shteti duhet t’i mbrojë fëmijët nga puna e rrezikshme ose që mund të dëmtojë shëndetin dhe edukimin e tyre.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 30
Fëmijët pjesëtarë të pakicave etnike, gjuhësore, fetare, ose popujve indigjenë
Fëmijët kanë të drejtën të përdorin gjuhën e vet, të ndjekin kulturën e vet dhe të praktikojnë fenë e vet. Kjo e drejtë ju sigurohet edhe nëse janë pjesëtarë të grupeve minoritare apo popujve autoktonë.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 19
Dhuna dhe keqtrajtimi
Është detyrim i shteteve që të marrin masa ligjore, administrative, shoqërore dhe edukative për t’ju siguruar fëmijëve mbrojtje nga çdo formë e dhunës fizike apo mendore, fyerjes apo keqtrajtimit, nëpërkëmbjes ose shfrytëzimit nga prindërit e tyre apo personat tjerë të cilëve fëmijët u janë besuar për përkujdesje.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 15
Liria e bashkimit
Fëmijët kanë të drejtën për t’u takuar së bashku dhe për t’iu bashkuar grupeve dhe organizatave, përderisa kjo nuk i pengon njerëzit e tjerë nga gëzimi i të drejtave të tyre.
27
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 23
Fëmijët me aftësi të kufizuar
Fëmijët që kanë çfarëdo lloji të aftësisë së kufizuar, kanë të drejtë për kujdes të veçantë nga shteti, për përkrahje dhe arsim, në mënyrë të tillë që ata të bëjnë një jetë të plotë dhe të pavarur deri në maksimumin e aftësive të tyre.
Konventa për të drejtat e fëmijës Neni 38
Fëmijët në konfliktet e armatosura
Shtetet nuk duhet të lejojnë fëmijët nën moshën 15 vjeç të marrin pjesë në ushtri apo të marrin pjesë drejtpërdrejt në veprimet luftarake. Për më tepër, fëmijët në zonat e luftës duhet të kenë mbrojtje të veçantë.
28
MATANË YLBERIT
TEMAT Qytetaria, Pjesëmarrja, Aftësia e kufizuar
KOHËZGJATJA 30 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Gjetje e zgjidhjes në bashkëpunim
OBJEKTIVAT Të ndërtojnë bashkëpunimin e grupit
Të demonstrojnë iniciativa për gjetje të zgjidhjeve.
Udhëzime
1. Kërkojuni fëmijëve të mblidhen pranë një tabele me 16 fusha (4 x 4) e cila është e vizatuar në dysheme. Tregojuni fëmijëve se do të ballafaqohen me një detyrë. Ata duhet të kalojnë prej njërës anë të tabelës në anën tjetër. Jepni udhëzimet e nevojshme për aktivitetin dhe caktoni rregullat:
a. Është vetëm një rrugë e mundshme për të kaluar. Këtë duhet ta zbuloni, duke shkelur nëpër fushat në tabelë. Nëse dikush gabon, duhet të kthehet në fillim nëpër të njëjtën rrugë kah ka ardhur dhe pastaj dikush nga grupi duhet të provojë prapë. Do të kuptoni që keni gabuar kur të dëgjoni një sinjal akustik.
b. Detyra do të konsiderohet e përmbushur kur të gjithë anëtarët e grupit të arrijnë të kalojnë “matanë ylberit”. Matanë, ju pret një vend ku të gjithë njerëzit ndihen mirë dhe ku juve ju hapen mundësi të mira në jetë.
c. Gjatë kohës së aktivitetit ju nuk guxoni të flisni me njëri‐tjetrin. Prandaj tash keni rastin që të mblidheni dhe të diskutoni për strategjinë e veprimit, për mënyrën më të mirë që ta kryeni detyrën me sukses. I keni në dispozicion 5 minuta për konsultim.
2. Jepni shenjë për fillimin e aktivitetit. Përcillni me kujdes rrugën që ndjek secili pjesëmarrës për të kaluar “matanë ylberit” dhe jepni sinjalin akustik, sa herë të vëreni gabimin. Nëse dëgjoni pëshpërima, përsëritni rregullën se ata nuk janë të lejuar të flasin. Shpallni aktivitetin të mbyllur kur të gjithë ta kenë kryer detyrën. Lavdëroni lojtarët për punën e kryer mirë.
29
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Bëni një përmbledhje të aktivitetit duke bërë këso pyetjesh:
a. Si u ndiet gjatë aktivitetit? A ishte detyra e vështirë apo jo? Përse?
b. A jeni të kënaqur më përfundimin? A mendoni se keni mundur më mirë?
c. Po bashkëpunimi mes veti si ishte? A kishte iniciativa? A u dallua dikush si lider? Si i pritët iniciativat ju të tjerët?
2. Lidhni aktivitetin me të drejtat e njeriut duke bërë këso pyetjesh, si:
a. Si u ndiet kur ju ndaluam që të flisni? A arritët që këtë kufizim ta tejkaloni me forma tjera të komunikimit?
b. Si e keni parë rolin e udhëheqësit gjatë aktivitetit?
Këshilla për udhëheqësin
Është shumë me rëndësi që fëmijët ta kryejnë me sukses detyrën. Prandaj, nëse grupi i fëmijëve është i madh dhe ekziston rreziku që mos t’ia dalin me detyrën, ju mund të kërkoni 10 – 15 vullnetarë për të marrë pjesë në aktivitet dhe pjesa tjetër e grupit mund të jenë vëzhgues. Gjatë përmbledhjes dhe vlerësimit ju mund të kërkoni nga vëzhguesit të japin këndvështrimet e tyre.
6
4 5
3 2
1
30
NJË KUSHTETUTË PËR GRUPIN TONË
TEMAT Të drejtat e përgjithshme, Demokracia, Pjesëmarrja
KOHËZGJATJA 60 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Diskutim, ndërtim i konsensusit, vendosje e rregullave
OBJEKTIVAT Të analizojnë marrëdhëniet në mes të drejtave dhe
përgjegjësive. Të lidhin të drejtat e përgjegjësitë me jetën e përditshme. Të theksojnë rëndësinë e pjesëmarrjes në krijimin dhe ruajtjen e rregullave. Të marrin pjesë në procesin e vënies së rregullave të grupit.
Udhëzime
1. Zbuloni përvojën e fëmijëve në të kuptuarit e rregullave dhe të përgjegjësive, duke filluar me disa kufizime që ata tashmë i kuptojnë. Kërkojuni atyre të plotësojnë fjali të tilla, si: “Unë nuk e kam të drejtën për _________ sepse _______ ” (p.sh.: Unë nuk e kam të drejtën për t’i goditur njerëzit kur jam i/e hidhëruar, sepse unë nuk e kam të drejtën për t’i trajtuar njerëzit në mënyrë të padrejtë). Listojini këto fjali dhe më pas kërkojuni fëmijëve t’i kthejnë këto fjali nga negative në pozitive (p.sh: Unë kam të drejtën të mos goditem sepse unë kam të drejtën të trajtohem në mënyrë të drejtë).
2. Kur fëmijët të kenë kuptuar procesin e krijimit të fjalive me të drejta pozitive të tilla si këto, ndajini ata në grupe të vogla me nga katër ose pesë fëmijë. Jepini secilit grup letër dhe shënues. Shpjegojuni se:
a. Secili grup i vogël duhet të krijojë tri ose katër rregulla themelore për të gjithë grupin.
b. Duhet të përdorin frazën “Çdo person ka të drejtë për ...” (p.sh.: Çdo person ka të drejtë për pjesëmarrje).
c. Këtë mund ta shkruajnë vetëm nëse të gjithë në grup janë dakord.
31
d. Qëllimi nuk është të ketë shumë rregulla, por që të ketë rregulla që i pranojnë të gjithë.
3. Mblidheni të gjithë grupin së bashku dhe kërkojini çdo grupi të prezantojë rregullat e veta. Shkruajini ato në një tabak letre, duke shfrytëzuar një tabelë si kjo në vijim.
a. Së pari, pyesni për të drejta specifike që kanë identifikuar grupet. Kombinoni të drejtat e ngjashme duke krijuar miratimin e grupit për çdo ndryshim në gjuhën e përdorur. Listojini këto në tabelë nën kolonën “Të drejtat”.
b. Pasi të keni listuar një të drejtë, pyesni se çfarë përgjegjësie specifike duhet të shohë çdo individ që të gjithë ta gëzojnë këtë të drejtë. Shkruajeni këtë në kolonën “Përgjegjësitë”, ngjitur me kolonën “Të drejtat”, duke përdorur një gjuhë të tillë, si: “Unë kam përgjegjësi të ...” ose “Unë duhet të ...”
KUSHTETUTA
TË DREJTAT PËRGJEGJËSITË
Çdo person ka të drejtën të trajtohet në mënyrë të drejtë. Çdo person ka të drejtën të shprehë një mendim
Unë kam përgjegjësinë të trajtoj çdo person në mënyrë të drejtë. Unë duhet t’i jap çdo personi të drejtën për të shprehur një mendim.
4. Pasi të keni përfshirë të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë nga grupet e vogla, kërkojuni fëmijëve të rishqyrtojnë punën e tyre.
a. Vini në dukje që është më mirë të ketë më pak rregulla të mira, sesa më shumë rregulla jo aq të mira. A mund të kombinohen disa nga këto të drejta dhe përgjegjësi? A mund të eliminohet ndonjëra?
b. A ka të drejta dhe përgjegjësi të tjera që mund të kenë nevojë të shtohen?
5. Kur të jenë plotësuar listat e të drejtave dhe të përgjegjësive, pyetini fëmijët nëse mund t’i përdorim këto formulime si një lloj kushtetute për grupin tonë.
a. A dëshironi t’i respektoni këto rregulla të cilat i krijuat vet?
b. Kush është përgjegjës për të siguruar që çdo person e zbaton këtë “kushtetutë”?
c. Çfarë ndodh nëse dikush shkel një nga të drejtat?
32
d. A është e nevojshme për të pasur pasoja për moszbatimin e rregullave? Përse?
6. Kur të keni arritur në një version përfundimtar të “kushtetutës”, bëni një kopje të pastër të saj dhe vareni në një vend të dukshëm. Shpjegoni që këto do të jenë rregullat për të punuar dhe për të luajtur së bashku, si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit.
7. Përfundoni diskutimin duke theksuar që rregullat dhe përgjegjësitë na ndihmojnë të jetojmë së bashku në një mënyrë ku respektohen të drejtat e çdo personi. Rregullat mbrojnë të drejtat tona (p.sh.: për të marrë pjesë, për të pasur një mendim, për të mësuar, për të luajtur etj.). Ato na mundësojnë të jemi të sigurt dhe të shëndetshëm, si dhe na japin përgjegjësi për të respektuar të drejtat e të tjerëve.
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Kërkojuni fëmijëve të diskutojnë përvojën e tyre të këtij aktiviteti.
a. A ishte e lehtë për grupin tuaj të vogël të zhvillonte një listë të drejtash? A ishte e lehtë për të krijuar listën e përgjegjësive?
b. A ishte e lehte për të punuar së bashku në një grup? Cilat janë disa nga epërsitë dhe mangësitë e të punuarit së bashku në një grup?
c. A kishte ide për të drejtat për të cilat nuk ishte dakord i gjithë grupi? Përse?
d. Çfarë bëtë për idetë për të cilat nuk u ra dakord? A bëri përpjekje ndonjëri për t’i mbushur mendjen pjesës tjetër të grupit për të rënë dakord? A u rimor në konsideratë ndonjë ide?
e. Çfarë mësuat për veten tuaj në këtë aktivitet? Çfarë mësuat rreth rregullave dhe përgjegjësive?
f. A mësuat ndonjë gjë rreth demokracisë?
2. Diskutoni qëllimin e rregullave dhe të përgjegjësive duke u bërë këso pyetjesh dhe duke mbajtur shënim përgjigjet e tyre.
a. Çfarë rregullash keni në jetën tuaj (p.sh: në shtëpi, në shkollë e në mjedise të tjera)? Kush i vendosi këto rregulla?
b. Çfarë përgjegjësish keni? Kush ju dha këto përgjegjësi? c. A kanë edhe të rriturit rregulla dhe përgjegjësi? Nga vijnë të gjitha
këto?
d. Përse ne të gjithë kemi rregulla dhe përgjegjësi? A kemi nevojë për to?
e. Çfarë ndodh kur dikush nuk i zbaton rregullat? A është e nevojshme të ketë pasoja për moszbatimin e rregullave? Përse?
33
ALARMI I KUQ
TEMAT Të drejtat e përgjithshme të njeriut
KOHËZGJATJA 45 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Lojë aktive në grup që zhvillohet në mjedisin e jashtëm, ose në një mjedis të brendshëm me hapësirë të mjaftueshme
OBJEKTIVAT Të promovojnë dinamikën në grup.
Të diskutojnë për të drejtat e njeriut dhe rolet e njerëzve të ndryshëm.
Udhëzime
1. Mblidhni fëmijët në vendin e Postës Qendrore dhe prezantoni aktivitetin: Është dhënë një alarm për rrezik të shkallës më të lartë dhe atyre u kërkohet të veprojnë. Dhjetë të drejta fëmijësh janë zhdukur dhe duket se kanë humbur përgjithmonë. Megjithatë, gjysmat e dhjetë të drejtave që mungojnë janë gjetur sërish. Sfida e tyre do të jetë për t’i gjetur gjysmat e kartave që mungojnë dhe t’i rikthejnë të drejtat e plota. Nëse ata mund t’i mbledhin të gjitha kartat e të drejtave në një kohë të caktuar, ata fitojnë kundër gjahtarëve, të cilët rrezikojnë të drejtat e fëmijëve.
2. Vendosni kohëzgjatjen e lojës (20 ‐ 30 minuta). Shpjegoni kufijtë e lojës dhe bini dakord për një shenjë akustike që tregon fillimin dhe fundin e lojës. Shpjegoni që ju do të rrini jashtë lojës për t’u kujdesur që çdokush të jetë i sigurt dhe të ndjekë rregullat.
3. Lehtësuesi që luan nëpunësin e Postës Qendrore, i jep çdo fëmije një gjysmë karte dhe mban pjesën tjetër të tyre. Shpjegojuni fëmijëve se qëllimi i lojës është të gjejnë gjysmën tjetër të kartës në mënyrë që të bëjnë një kartë të plotë të drejtash. Gjysmat e tjera të kartave mund të mblidhen nga njerëzit e kartave. Duhet të përshtatet si numri i së drejtës, ashtu edhe ngjyra e kartës.
4. Kur t’i kenë të dyja gjysmat e kartës, fëmijët duhet t’i sjellin ato në Postën Qendrore.
34
5. Prezantoni Postën Qendrore dhe shpjegojuni fëmijëve rëndësinë e saj:
a. Aktiviteti fillon dhe mbaron në Postën Qendrore.
b. Kur të keni të dyja gjysmat e kartës së të drejtave, sillni tek Posta Qendrore. Personi që gjendet atje do të ngjisë të dyja gjysmat dhe do të varë kartën e plotë të të drejtave.
c. Posta qendrore do t’ju ofrojë zgjedhjen e një karte tjetër.
6. Prezantoni njerëzit me karta dhe shpjegojuni fëmijëve rolin e tyre:
a. Njerëzit me karta kanë gjysmat e kartave që mungojnë.
b. Ata do të vendosen në pjesë të ndryshme të zonës së lojës ku lojtarët mund t’i gjejnë ata. Pjesa më e madhe e njerëzve me karta do të qëndrojnë në një vend; megjithatë, të paktën një person me karta do të ecë përreth.
c. Ju do të shkoni te personi me kartë dhe do t’i tregoni gjysmën e kartës suaj. Nëse personi me karta ka gjysmën tjetër të asaj karte, ai/ajo do t’jua japë atë juve. Më pas, ju do ta dërgoni kartën e plotë te posta qendrore, do të merrni një gjysmëkartë tjetër dhe do të filloni përsëri.
d. Nëse një person me karta nuk e ka pjesën tjetër të kartës, ju duhet të drejtoheni te një person tjetër me karta.
e. Gjatë sezoneve të gjuetisë, i vetmi vend i sigurt është brenda gjatësisë së krahëve të njerëzve me karta. Nëse ju prekni një person me karta, gjahtarët nuk mund t’ju kapin.
7. Prezantoni dhe shpjegoni rolin e gjahtarëve dhe sistemin e “sezoneve të gjuetisë”:
a. Gjatë periudhave të gjuetisë gjahtarët përpiqen t’ju zënë dhe t’ju marrin të drejtat.
b. Sa herë që ju kapin, gjahtarët e grisin gjysmëkartën tuaj në dy pjesë. Njërën nga pjesët e grisura ju japin juve dhe mbajnë pjesën tjetër të grisur për t’ua dhënë njerëzve me karta. Kjo do të thotë se sa herë që ata ju kapin, për ju bëhet më e vështirë të plotësoni kartën tuaj, sepse ajo është në copa më të vogla.
c. Do ta kuptoni se është sezon gjuetie kur të dëgjoni të bjerë një herë bilbili ose boria. Kur të mbarojë sezoni i gjuetisë, ai do të bjerë dy herë.
d. Mos harroni: vendi i vetëm ku gjahtarët nuk mund t’ju kapin është brenda krahëve të një personi me kartë.
8. Filloni lojën: Fëmijët fillojnë të vrapojnë në zonën e lojës duke kërkuar njerëzit me karta në mënyrë që të plotësojnë gjysmëkartat që ata kanë.
35
9. Përfundoni lojën kur të gjitha kartat janë plotësuar ose kur koha të ketë përfunduar.
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
a. Çfarë ndodhi gjatë lojës?
b. Cilat ishin çastet më emocionuese?
c. A kishit një strategji të caktuar?
d. Nëse do ta luanit këtë lojë përsëri, a do ta bënit ndonjë gjë ndryshe?
e. Çfarë mendoni për këtë aktivitet?
2. Lidhni aktivitetin me të drejtat e njeriut duke bërë pyetje të tilla, si:
a. Kur ne themi se kemi “të drejtën për ...”, çfarë do të thotë kjo?
b. A mendoni se këto të drejta janë “universale”? A respektohen ato në gjithë botën?
c. Në jetën reale, kush mund të jenë gjahtarët dhe njerëzit me karta?
d. Çfarë mund të bëjmë ne në jetën tonë të përditshme për të siguruar që çdo person të ketë të njëjtat të drejta?
Këshilla për udhëheqësin
Ky është një aktivitet i ndërlikuar, prandaj kujdesuni që të bëni përgatitjet e duhura para fillimit. Sigurohuni që posta qendrore, njerëzit me karta dhe gjahtarët e kanë të qartë rolin e tyre.
36
FLETË PUNE: KARTAT E ROLEVE
ROLI I LEHTËSUESIT KOORDINUES (një lehtësues)
Në fillim shpjegoni lojën dhe vendosni kufijtë. Ju do të bëni të qartë, gjithashtu, se si do të jetë sinjali i juaj për të ndaluar lojën në fund ose në raste emergjence, i cili duhet të jetë krejt ndryshe nga sinjali për sezonin e gjuetisë. Sigurohuni që si fëmijët, ashtu edhe lehtësuesit t’i kuptojnë dhe t’i luajnë si duhet rolet e tyre. Gjatë aktivitetit ju duhet të shihni se asnjë nga lojtarët nuk luan me forcë apo nuk bën ndonjë gjë që rrezikon fëmijët. Në të kundërt, ndërhyni ose ndaloni lojën.
Kur të mbarojë koha përfundoni lojën dhe zhvilloni përmbledhjen.
ROLI I POSTËS QENDRORE (një lehtësues)
Sikurse kuptohet edhe nga emri, ky duhet të jetë një vend fiks, qendror. Aktiviteti fillon dhe mbaron këtu. Jepuni fëmijëve gjysmëkartat dhe mbani pjesën tjetër të gjysmëkartave që nuk u janë dhënë atyre. Njerëzit me karta do t’i mbajnë gjysmat e tjera të të gjitha kartave.
• Fëmija që ka dy gjysmat e kartës së të drejtës do t’ua sjellë ato juve. Më pas, ju do ta lejoni fëmijën të zgjedhë një gjysmëkartë të re nga ju.
• Ngjitini së bashku gjysmat e plotësuara të kartës së të drejtave. Varni në mur ose në tabelë kartat e plotësuara me qëllim që fëmijët të shohin lehtësisht progresin e tyre.
• Vini re se kur fëmijët të fillojnë të zgjedhin gjysmëkartat e reja, ata do të fillojnë të zhvillojnë strategjinë e tyre për të plotësuar setet e plota me ngjyra, në vend të plotësimit të kartave në mënyrë të rastësishme. Ju duhet ta inkurajoni, por jo ta nisni këtë ndërtim strategjie.
ROLI I NJERËZVE ME KARTA (tre, fëmijë ose lehtësues)
Ndani grumbullin e gjysmëkartave midis jush.
• Gjeni një pozicion në zonën e lojës. Ju nuk duhet të fshiheni por të hapeni në zonën e lojës. Fëmijët duhet të jenë në gjendje t’ju gjejnë.
• Të gjithë personat me karta, pos njërit, qëndrojnë në një vend. Një person me karta lëviz përreth lojës duke lejuar kështu një vëzhgim
37
shtesë të lojës.
• Lojtarët do të vijnë te ju dhe do t’ju tregojnë gjysmën e kartës. Nëse keni pjesën tjetër të kartës, jepjani atë lojtarit.
• Gjatë sezoneve të gjuetisë, ka një zonë të sigurt rreth jush për aq sa ju mund të arrini me dorë. Brenda kësaj zone, gjahtarët nuk mund të kapin lojtarit.
• Edhe kur të mos keni asnjë gjysmëkartë për të dhënë, qëndroni në vendin tuaj derisa sinjali të tregojë përfundimin e lojës. Më pas, kthehuni në vendin në qendër, duke mbledhur fëmijët të cilët mund të mos e kenë dëgjuar këtë sinjal.
GJAHTARËT (2 lehtësues)
• Roli i juaj është të kapni lojtarët dhe të merrni të drejtat gjatë sezoneve të gjuetisë. Sa herë të kapni një lojtar, ndajeni gjysmëkartën në dy pjesë. Jepjani një pjesë të grisur lojtarit dhe pjesën tjetër njërit prej njerëzve me karta. Kjo do të thotë se bëhet më e vështirë për lojtarin ta plotësojë këtë kartë.
• Sezoni i gjuetisë është një çast tepër emocionues për fëmijët. Bëjeni atë rregullisht por për kohë të shkurtra. Fryjini bilbilit ose borisë një herë kur të fillojë sezoni i gjuetisë; dy herë për të njoftuar përfundimin e tij.
• Gjahtarët duhet të vishen njëlloj (p.sh., me një shenjë, kapelë, pallto, ose shall) dhe të jenë të dukshëm. Gjatë sezonit të gjuetisë bëni zhurma për të rritur emocionin e fëmijëve.
• Kur “të gjuani” fëmijët, qëllimi është më tepër për të rritur emocionet e tyre se sa për t’i kapur ata. Nëse kapni shumë ose të njëjtit lojtarë, fëmijët mund të dekurajohen.
38
FLETË PUNE: KARTAT E TË DREJTAVE
Pasi të keni kopjuar tabelën e mëposhtme në letra të ndryshme me ngjyra, priteni secilën të drejtë. Secila nga të drejtat do të ketë dy pjesë me ngjyrë dhe numër të njëjtë. Pasi u keni shpërndarë gjysmëkartat fëmijëve, pjesa që mbetet nga kartat, qëndron te personi në qendër, ndërsa gjysma tjetër ndahet midis njerëzve me karta. Për çdo 5 fëmijë shtesë, shtoni një ngjyrë tjetër (p.sh., për 25 fëmijë ju nevojiten 70 karta në shtatë ngjyra). Nëse është e vështirë t’i kopjoni këto të drejta, shkruajini ato me shkrim dore.
1 Çdo fëmijë ka të drejtën për mbrojtje nga dhuna dhe
keqtrajtimi 1
2 Çdo fëmijë ka të drejtën për arsimim 2
3 Çdo fëmijë ka të drejtën për kujdes shëndetësor 3
4 Çdo fëmijë ka të drejtën për aktivitete të kohës së lirë dhe
për lojë 4
5 Çdo fëmijë ka të drejtën për një emër dhe një shtetësi 5
6 Çdo fëmijë ka të drejtën të zgjedh vet fenë e tij/saj 6
7 Çdo fëmijë ka të drejtën për informacion 7
8 Çdo fëmijë ka të drejtën për t’u organizuar në grupe të
interesit 8
9 Çdo fëmijë ka të drejtën për të jetuar në një shtëpi me
familjen e tij/saj 9
10 Çdo fëmijë ka të drejtën për një gjykim të drejtë
10
39
TË LUAJMË DOMINO
TEMAT Të drejtat e përgjithshme të njeriut, Diversiteti
KOHËZGJATJA 30 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Përsëritje e të drejtave të fëmijës, si dhe dallimeve e ngjashmërive mes individëve, përmes lojës aktive në grup
OBJEKTIVAT Të praktikojnë kontaktin fizik.
Të numërojnë nenet e konventës për të drejtat e fëmijës.
Të identifikojnë dallimet dhe ngjashmëritë mes njerëzve.
Udhëzime
1. Pyetini fëmijët nëse kanë luajtur domino më parë. Përsëritni në pika të shkurtra se si luhet kjo lojë. Tregojuni fëmijëve se tash do të luajnë domino me trupat e tyre. Merrni vendim se si do të bëhet lidhja mes tyre (p.sh të lidhur për duar, ose me duar rreth qafës së njëri‐tjetrit, ose me shputa të bashkuara, etj)
2. Kërkojini një fëmije të fillojë duke menduar për dy nene të konventës për të drejtat e fëmijës dhe ta njoftojë grupin me to, si p.sh.: “Në anën time të majtë kam nenin 5, ndërsa në anën time të djathtë kam nenin 32”. Ndonjëri nga fëmijët të cilit i kujtohet përmbajta e njërit prej këtyre neneve duhet të vendoset në atë anë dhe të thotë me zë përmbajtjen e nenit. Ai do të vazhdojë lojën duke menduar një nen për anën që e ka të lirë dhe duke përsëritur nenin për anën tjetër. Pastaj këto ia komunikon grupit, si p.sh: “Në anën tonë të majtë kemi nenin 23, ndërsa në anën tonë të djathtë kemi nenin 32”. Kështu vazhdojnë të gjithë, ashtu që në fund të lojës ata kanë arritur të formoJnë një rreth me trupat e tyre.
3. Tash kërkojuni fëmijëve të bëjnë një shkundje fizike, sepse do ta përsërisin lojën, por me një temë tjetër. Kërkojini lojtarit të parë të mendojë për dy karakteristika personale të cilat pastaj ia transmeton grupit, si p.sh: “Në anën time të majtë unë jam një vajzë, ndërsa në
40
anën time të djathtë unë i kam dy vëllezër”. Thirrni dikë tjetër që posedon ndonjërën nga këto karakteristika që të vendoset në anën përkatëse dhe të vazhdojë lojën duke dhënë një karakteristikë të re për anën e lirë, si p.sh: “Në anën time të majtë unë jam një vajzë, ndërsa në anën time të djathtë unë i kam sytë e kaltër”
4. Nëse ndonjëra nga karakteristikat nuk përputhet me të tjerët dhe kësisoj dominoja nuk mund të realizohet kërkojuni lojtarëve të negociojnë një karakteristikë tjetër në mënyrë që zinxhiri të vazhdojë.
Përmbledhje dhe vlerësim
Bëni një përmbledhje të aktivitetit duke bërë këso pyetjesh:
a. Si ju duk aktiviteti? Çka ju pëlqeu më së shumti? A kishte diçka që ju pengoi?
b. A ju kanë ndihmuar aktivitetet që kemi zhvilluar më parë, për të kujtuar nenet e konventës për të drejtat e fëmijës?
c. Si e komentoni faktin se ndonjë karakteristikë ishte e përbashkët për më shumë persona, ndërsa ndodhi që ndonjë karakteristikë të mos përputhej me asnjërin?
Këshilla për udhëheqësin
Për t’ju lehtësuar pjesën e parë të aktivitetit, ju mund t’ju ofroni fëmijëve nga një kopje të versionit të thjeshtuar të konventës për të drejtat e fëmijëve. Për t’ju lehtësuar pjesën e dytë të aktivitetit, ju mund ta përgatisni një listë rezervë me disa karakteristika dhe t’ju ofroni fëmijëve kur mbesin pa ide. Inkurajoni fëmijët të mendojnë karakteristika të ndryshme, qofshin ato të dukshme apo të padukshme. Loja duhet luajtur shpejt që fëmijët të mos mërziten derisa t’ju rastis të përputhen me karakteristika.
41
PUNA ARTISTIKE MBI TRUPIN E TJETRIT
TEMAT Mjedisi
KOHËZGJATJA 15 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Përdorim i imagjinatës, simulim i punës, me prekje në trupin e tjetrit
OBJEKTIVAT Të shtendosin muskujt.
Të zhvillojnë imagjinatën.
Të manifestojnë vetëdije të shtuar për çështjet
mjedisore.
Udhëzime
1. Kërkojuni nxënësve që të krijojnë një rreth duke qëndruar në këmbë. Në mes të secilit prej tyre duhet të ketë hapësirë që të manipulohet në shpinën e tjetrit. Nxënësit duhet të kthehen kah shoku apo shoqja në anën e djathtë, kështu që secili të shoh shpinën e dikujt tjetër. Kërkojuni nxënësve që të dëgjojnë udhëzimet e juaja dhe të veprojnë sipas udhëzimeve. Udhëzimet janë si vijon:
a. Imagjinoni shpinën e shokut apo shoqes si një mur të vjetër, që nuk është mirëmbajtur për një kohë të gjatë.
b. Filloni dhe pastroni murin nga papastërtitë.
c. Tash merrni një brushë të madhe dhe ngjyrosni murin me ngjyrë të bardhë.
2. Kërkojuni nxënësve që të kthehen mbrapa, kështu që secili do të ketë përpara shpinën e atij personi që e kishte pas shpine deri tash. Thoni se puna duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur. Jepni udhëzimet:
a. Në murin e bardhë vizatoni një liqe dhe ngjyrosni me një ngjyrë të kaltër të errët.
b. Përreth liqenit në të majtë paraqitni disa pisha me ngjyrë të gjelbër.
42
c. Pjesën mbi liqe dhe pisha ngjyrosni me të kaltër të ndritshme. Ky është qielli.
d. Në këndin e djathtë, lartë, paraqitni diellin.
e. Pasuroni peizazhin edhe me diçka tjetër sipas shijes së juaj.
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Bëni një përmbledhje të aktivitetit duke bërë këso pyetjesh:
a. Si u ndiet gjatë aktivitetit? A ka dikush që u ndie keq? Përse?
b. Cili ishte profesioni që e ushtruat? A mendoni se keni krijuar një pamje të bukur?
2. Vendosni aktivitetin në kontestin e të drejtave të njeriut duke u bërë këso pyetjesh:
a. Si ndikon mjedisi fizik në gëzimin e të drejtave të njeriut?
b. Përgjegjësi e kujt duhet të jetë ruajtja e mjedisit? Çka mund të bëjmë ne në këtë drejtim?
Këshilla për lehtësuesin:
Gjatë aktivitetit, kërkojuni fëmijëve që të prekin shpinën e tjetrit. Do të shihni se disa fëmijë hezitojnë të bëjnë prekje. Kjo mund të jetë një indikacion për ju, të cilin gjatë përmbledhjes mund ta diskutoni, por duke u kujdesuar për ndjenjat e fëmijëve që mund të jenë më të ngurruar
43
FOLËSI PA ZË
TEMAT Diskriminimi, Aftësia e kufizuar, Pjesëmarrja
KOHËZGJATJA 45 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Luajtje rolesh, gjetje e zgjidhjes
OBJEKTIVAT Të identifikojnë vështirësitë që kanë njerëzit me
paaftësi dëgjimi.
Të zhvillojnë ndjenjën e empatisë ndaj personave me
aftësi të kufizuar.
Të rishqyrtojnë nenet e Konventës për të drejtat e
fëmijës.
Udhëzime
1. Përgatitni kartat me nenet e zgjedhura të Konventës për të drejtat e fëmijës për çdo fëmijë. Secila kartë duhet të ketë emrin dhe numrin e nenit dhe tekstin e tij në versionin e kuptueshëm për fëmijë. Mund të prisni një kuti për ta bërë një kornizë si një ekran televizioni për folësin. Kopjoni për çdo fëmijë versionin e thjeshtuar të Konventës për të drejtat e fëmijës.
2. Shpjegoni se ky aktivitet ka nevojë për një mbajtës pikësh dhe kërkoni një vullnetar që të luajë këtë rol. Ndajini fëmijët në skuadra me nga tre ose katër veta. Secilit fëmijë jepini një kopje të versionit të thjeshtuar për fëmijë të Konventës për të drejtat e fëmijës.
3. Shpjegoni aktivitetin:
a. Një fëmijë nga secila skuadër do të jetë “Folësi pa zë”. Mbajtësi i pikëve e lejon atë fëmijë të marrë një kartë të Konventës për të drejtat e fëmijës. “Folësi pa Zë” më pas qëndron në kornizë dhe lexon nenin, duke filluar me numrin dhe titullin e nenit dhe vazhdon të lexojë të gjithë tekstin pa ndaluar, duke lëvizur buzët, por pa nxjerrë zë. Anëtarët e skuadrës së folësit duke lexuar buzët, do të përpiqen të gjejnë se cili është ai nen që po lexon “Folësi pa Zë”.
44
b. Mbajtësi i pikëve shkruan pikët për secilën skuadër në fund të çdo radhe. Skuadrat mund të fitojnë pikët e mëposhtme:
Nëse skuadra kupton si titullin, ashtu edhe tekstin e nenit, merr tri pikë.
Nëse skuadra arrin të gjejë vetëm titullin / të drejtën nga neni, ata marrin një pikë.
Nëse skuadra nuk mund të gjejë nenin derisa lexuesi të ketë mbaruar, nuk merr asnjë pikë.
4. Për ta mësuar mënyrën e lojës përpara se të filloni, kërkojni fëmijëve të praktikojnë duke thënë pa zë emrin e një personi tjetër në grup dhe kërkojini të tjerëve ta gjejnë emrin. Pastaj filloni aktivitetin. Kur një anëtar nga secila skuadër është bërë “folësi pa zë”, shpallni rezultatin e xhiros së parë. Skuadra me pikët më të larta fillon e para. Vazhdoni derisa t’i vijë radha çdo fëmije për të qenë folësi.
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Bëni një përmbledhje të aktivitetit duke bërë këso pyetjesh:
a. Si u ndiet kur u përpoqët të lexonit buzët? A ishte e vështirë? A ishte zbavitëse? A ishte e lodhshme?
b. Cilat rrethana e bënë më të lehtë leximin e buzëve? Po më të vështirë?
c. Çfarë bëtë ju si folës pa zë për të ndihmuar të tjerëve t’ju kuptonin?
d. A ishin disa njerëz më të lehtë për t’u kuptuar sesa të tjerët? A ishin disa fjalë më të lehta për t’u kuptuar sesa të tjerat?
2. Vendosni aktivitetin në kontekstin e paaftësisë për të dëgjuar duke bërë këso pyetjesh:
a. Disa njerëz në komunitetin tuaj duhet të lexojnë buzët gjatë gjithë kohës. Cilët janë ata?
b. A njihni ndonjë që ka vështirësi me dëgjimin?
c. Për shkak të pozicionit të gojës tuaj kur lëshoni tinguj, leximi i buzëve lejon vetëm rreth një të tretën e informacionit për të cilin ju keni nevojë për të dekoduar një mesazh. Si mendoni se do të jetë nëse ju duhet të lexoni buzët gjatë gjithë kohës? A do të ishte e lodhshme? A do të ishte zbavitëse?
d. Cilat janë disa nga situatat e jetës së përditshme të cilat do të ishin të vështira për njerëzit me paaftësi dëgjimi?
45
3. Vendosni paaftësinë për të dëgjuar në kontekstin e të drejtave të njeriut duke bërë këso pyetjesh:
a. A kanë nevoja të veçanta fëmijët me aftësi të kufizuar dëgjimi? Si i plotësojnë ato?
b. Cilat janë disa nga mënyrat me te cilat komuniteti ynë i ndihmon njerëzit me aftësi të kufizuar dëgjimi? Po me paaftësi të tjera?
c. Cilat janë disa nga mënyrat me të cilat ju mund të ndihmoni një person me aftësi të kufizuar dëgjimi?
d. A kanë të drejtë njerëzit me aftësi të kufizuar t’u plotësohen nevojat? Përse?
e. Shpjegoni se neni 23 i Konventës për të drejtat e fëmijës parashikon në mënyrë të qartë se fëmijët me aftësi të kufizuara kanë të drejtën për ndihmë për të gëzuar të drejtat e tyre të njeriut.
46
SYMBYLLAZI
TEMAT Diskriminimi, Aftësia e kufizuar, Pjesëmarrja
KOHËZGJATJA 30 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Simulim, diskutim
OBJEKTIVAT Të vetëdijesohen për të drejtat dhe nevojat specifike
të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Të zhvillojnë bashkëpunimin dhe format e komunikimit
brenda grupit.
Të demonstrojnë gatishmëri për ndihmë të tjerëve.
Udhëzime
1. Pyetni fëmijët nëse e kanë menduar ndonjëherë si do të ishte po të ishin të verbër. Shpjegojuni se ky aktivitet do t’u japë idenë e përvojës së dikujt i cili ka probleme me shikimin.
2. Kërkoni dy vullnetarë. Nëse nuk ka të tillë, lutini dy fëmijë të vijnë në mes. Njërit prej tyre lidhjani sytë me një shami apo shall. Thuajini atij/asaj se është i/e verbër dhe i duhet të ecën nëpër dhomë. Për ta bërë këtë me sukses do të ketë ndihmën e fëmijës tjetër. Thuajini fëmijës tjetër se ai/ajo do të jetë ndihmësi dhe se duhet të kujdeset për sigurinë e të verbrit. Këtë mund ta bëjë duke i sugjeruar me zë, siç vijon: djathtas, majtas.
3. Rrotulloni disa herë fëmijën me sy të mbyllur dhe thuajini të fillojë të ecën. Ndërkohë këshilloni fëmijën tjetër që ta ndihmojë duke i treguar drejtimin. Nëpër dhomë vendosni disa pengesa, por jo të tilla që janë të rrezikshme. Pas një apo dy minutash, ndërprisni lojën duke i falënderuar lojtarët. Kërkoni edhe një çift tjetër të lojtarëve dhe përsërisni lojën.
4. Tash kërkoni edhe një çift tjetër të fëmijëve. Përsërisni udhëzimet nga hapat 2 dhe 3, por tash në vend se ta udhëzojë me zë, ndihmësi duhet ta udhëzojë personin e verbër me përplasje shuplakash. Kështu, kur personi i verbër gjatë ecjes i afrohet ndonjë pengese, ndihmësi ka për detyrë të rrahë fort shuplakat dy herë. Kur të dëgjojë këtë, personi i
47
verbër do të ndalet, të kthehet në kah tjetër dhe të vazhdojë të ecën. Ndihmësi prapë do të rrahë shuplakat dy herë kur të sheh mikun të rrezikuar nga ndonjë pengesë. Pas një apo dy minutave ndërprisni lojën. Edhe një çift i fundit mund të luaj lojën në të njëjtën mënyrë.
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
Për personin e verbër:
a. Çfarë ndjenje ishte të mos shohësh?
b. A kishe besim te shoku/shoqja që të udhëzonte?
Për ndihmësin:
a. Si u ndjeve si ndihmës i shokut/shoqes?
b. A mendon se e ke kryer detyrën tënde mirë?
c. Sikur ta bëje prapë një aktivitet të tillë çka do të përmirësoje në veprimin tënd?
Për grupin:
a. A u sollën si duhet protagonistët?
b. A kishte atmosferë besimi dhe ndihme?
c. Çka do të bënit ju më mirë, nëse do të ishit në vend të ndonjërit?
2. Lidhni aktivitetin me të drejtat e njeriut duke bërë këso pyetjesh:
a. Cilat janë nevojat e veçanta që i kanë fëmijët e verbër? Kush mund të ndihmojë në plotësimin e nevojave të tyre?
b. Si mendoni, a kanë shokë dhe shoqe fëmijët me aftësi të kufizuara? A janë të gjithë miqtë e tyre fëmijë me aftësi të kufizuara? Çfarë do ta bënte të vështirë shoqërimin me një shok apo shoqe me aftësi të kufizuara? Çfarë do të ishte interesante?
Këshilla për lehtësuesin
Ky aktivitet supozon që asnjë nga fëmijët të mos jetë me aftësi të kufizuara. Por, në shumë grupe fëmijësh së paku një fëmijë mund të jetë me ndonjë lloj të aftësisë së kufizuar, edhe pse kjo mund të mos jetë menjëherë e dukshme. Në këtë dhe aktivitete tjera që janë të lidhura me aftësi të kufizuara, duhet të jeni shumë të ndjeshëm dhe të kujdeseni për ndjenjat e fëmijëve. Në disa raste fëmijët me nevoja të veçanta mund t’i shfrytëzoni si burime informacioni për të dhënë përgjigjet në disa nga pyetjet e përmbledhjes, por vetëm pasi t’i keni pyetur ata privatisht nëse ndihen rehat në këtë rol.
48
BETEJA PËR PORTOKALLIN
TEMAT Paqja, Negociatat
KOHËZGJATJA 30 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Konkurrim dhe diskutim mes grupeve
OBJEKTIVAT Të praktikojnë komunikimin në situata konflikti.
Të ofrojnë zgjidhje për konfliktet.
Udhëzime
1. Shpjegoni se grupi do të luajë “Lojën me portokall”. Ndajini fëmijët në dy grupe. Grupit A kërkojini të dalë jashtë dhe t’ju presë. Grupit B sqarojini se në këtë aktivitet qëllimi i tyre është të marrin portokallin, për shkak se u nevojitet lëngu i tij për të bërë lëng portokalli.
2. Dilni jashtë dhe sqarojini grupit A se qëllimi i tyre në këtë aktivitet është të marrin portokallin për shkak se u nevojitet lëvozhga e tij për të bërë një tortë.
3. Sillni të dyja grupet së bashku brenda dhe secili grup le të ulet në një rresht përballë njëri‐tjetrit.
4. U thoni grupeve se kanë në dispozicion tri minuta për të marrë çfarë kanë nevojë. Theksoni se për të marrë atë çfarë duan ata nuk duhet të përdorin dhunë. Më pas, vendosni një portokall ndërmjet dy grupeve dhe thoni: “Filloni”.
Mënyra si do t’ia dalin grupet me situatën do të jetë një surprizë. Shpeshherë grupet do përpiqen të negociojnë për ta ndarë portokallin përgjysmë. Herët e tjera ata nuk do të negociojnë fare. Ndonjëherë do të komunikojnë më tej dhe do ta kuptojnë se të dy grupeve u nevojiten pjesë të ndryshme të portokallit; dikush nga njëri prej grupeve do ta qërojë portokallin duke marrë pjesën për të cilën ata kanë nevojë.
49
Gjatë konfliktit, ju nuk duhet të përpiqeni të influenconi rezultatin, por tregohuni të kujdesshëm për t’u theksuar fëmijëve se nuk duhet të përdorin dhunën në mënyrë që të marrin atë çfarë duan.
5. Pas tre minutash thoni: “Ndal!” ose “Koha mbaroi”.
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
a. A mori grupi juaj çfarë donte përpara se të mbaronte koha prej tri minutash?
b. Cili ishte qëllimi i grupit tuaj?
c. Cili ishte rezultati i konfliktit për portokallin? d. Çfarë bëtë ju për ta arritur këtë rezultat? e. Përse është e rëndësishme për njerëzit të komunikojnë me qëllim
që të zgjidhin konfliktet?
f. A komunikojnë njerëzit gjithmonë me njëri‐tjetrin kur kanë një konflikt? Përse po ose përse jo?
g. A duan gjithmonë njerëzit të njëjtën gjë në një konflikt?
h. A jeni ndeshur ndonjëherë me situata të ngjashme? Cili ishte rezultati?
2. Lidhni aktivitetin me të drejtat e njeriut duke bërë këso pyetjesh:
a. Cilat janë disa nga të drejtat e njeriut që shkelen në një konflikt? 3. Nëse ju mbetet kohë në dispozicion, zhvilloni ide si ta trajtoni konfliktin
brenda grupit. Listojini këto ide në një tabak letre dhe vareni diku në dhomë.
Këshilla për lehtësuesin
• Pas tri minutash merreni portokallin ose çfarë ka mbetur nga ai për të shmangur tërheqjen e vëmendjes gjatë përmbledhjes.
• Nëse numri i fëmijëve është më i madh, zhvilloni aktivitetin paralelisht me dy grupe. Kjo do t’ju ndihmojë që gjatë përmbledhjes dhe vlerësimit të krahasoni rrjedhën e aktivitetit me grupe të ndryshme.
50
KLASA LËVIZËSE
TEMAT Komunikimi, Pjesëmarrja
KOHËZGJATJA 45 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Diskutim i çështjeve, argumentim, me disa lëvizje
OBJEKTIVAT Të zhvillojnë aftësitë e të dëgjuarit aktiv.
Të demonstrojnë aftësi të diskutimit dhe të argumentimit.
Udhëzime
1. Në një skaj të sallës vendosni një letër me mbishkrimin PAJTOHEM, ndërsa në skajin tjetër letrën me mbishkrimin NUK PAJTOHEM. Grumbulloni gjithë fëmijët në mes. Improvizoni një send nga rrethina (p.sh. një laps) si mikrofon që do të shërbejë për diskutim.
2. Njoftoni fëmijët se ju jeni i/e interesuar për mendimin e tyre për disa çështje të rëndësishme. Shpjegoni se ju do të lexoni një thënie dhe ata, individualisht, duhet të vendosin nëse pajtohen ose jo me të dhe më pas do të qëndrojnë në pjesën e sallës ku shohin mbishkrimin përkatës. Ata do të kenë mundësinë të argumentojnë qëndrimin e tyre. Qëllimi do të jetë t’u mbushet mendja të tjerëve për të ndryshuar mendimin dhe pozicionin e tyre. Jepni edhe udhëzimet në vijim:
a. Asnjë të mos flasë derisa të gjithë të kenë zënë një pozicion.
b. Kur të gjithë do të marrin qëndrim dhe do të pozicionohen, do të fillojë diskutimi dhe argumentimi i qëndrimeve. Do të flasë vetëm personi i cili e ka mikrofonin. Të tjerët janë të detyruar të dëgjojnë me kujdes.
c. Ata që nuk janë të vendosur mund të qëndrojnë në mes, por me kujdes do të përcjellin diskutimin e grupit dhe në varësi të diskutimit do të pozicionohen.
d. Secili nga ju mund të ndërroni qëndrimin nëse për këtë ju bindin të tjerët.
51
3. Lexojeni me zë thënien e parë. Më pas pyesni ata se çfarë mendojnë dhe kërkojuni të zënë një pozicion. Prisni derisa të gjithë të kenë zënë vend. Më pas pyesni se kush do të marr fjalën për të argumentuar qëndrimin e vet. Kujdesuni që t’ju jepni fjalën individëve nga të dyja anët. Rikujtojuni fëmijëve se vetëm ai/ajo që ka mikrofonin mund të flasë. Nëse nuk ka lëvizje, pa u imponuar shumë rikujtojuni fëmijëve se mund të ndryshojnë pozicionet, nëse për këtë i bind dikush.
4. Pasi të lejoni një kohë të mjaftueshme për diskutim, ftojini fëmijët që të mblidhen në mes dhe vazhdoni me thënien tjetër. Më tutje vazhdoni si në hapin 3 dhe 4. Përsëritni këtë me disa thënie, në varësi të diskutimeve dhe kohës.
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
a. Si ju duk ky aktivitet? b. A ishte e vështirë për të marrë qëndrim në disa raste? Në cilat
raste?
c. A e ndryshuat qëndrimin tuaj? Çfarë ju bëri që ta ndryshonit atë?
d. A ishin disa thënie më të ndërlikuara se të tjerat?
e. A ka ndonjë thënie për të cilën ju jeni ende të pasigurt? f. A do të donit të diskutonit ndonjë çështje më tej?
g. A mësuat ndonjë gjë të re nga ky aktivitet? Nëse po, çfarë mësuat?
2. Lidhni aktivitetin me të drejtën për pjesëmarrje duke bërë këso pyetjesh:
a. A mundeni të merrni pjesë në vendimmarrje në familjen tuaj? Po në klasën apo në shkollën tuaj? Po në komunitetin tuaj? Po për ndonjë situatë tjetër në jetën tuaj?
b. Vini në dukje se pjesëmarrja është një e drejtë e rëndësishme e çdo fëmije dhe lexojini atyre nenin 12 të Konventës për të drejtat e fëmijës.
c. Përse mendoni se e drejta për pjesëmarrje është e rëndësishme për fëmijët?
52
Këshilla për lehtësuesin
• Sigurohuni që të gjithë fëmijët, madje edhe ata më të ndrojturit, të kenë mundësinë të shprehin mendimin e tyre. Ju mund të thërrisni fëmijët më pak aktivë që të shprehin mendimin e tyre.
• Zhvilloni thënie që kanë lidhje me ndonjë temë për të drejtat e fëmijëve (p.sh.,e drejta për t’u organizuar, për barazi, informacion, mjedis, familje dhe kujdes alternativ). Mundohuni që thëniet të shtrohen asisoj që të nxisin nxënësit të marrin qëndrime të ndryshme, respektivisht që nxisin diskutimin.
FLETË PUNE: SHEMBUJ THËNIESH
U ndalohet ardhja në shkollë, vajzave me shami në kokë.
Arbeni e ka rrahur Petritin, sepse ky e kishte goditur vëllain e tij më të vogël.
Fëmijët nuk duhet të bëjnë asnjë lloj pune, sepse kjo ju merr kohën e lojës.
Fëmijët nuk kanë nevojë për të marrë pjesë në vendimmarrjen e familjes. Prindërit e dinë më mirë se çfarë është më e mira për fëmijët.
Fëmijët që kanë pasur probleme me ligjin, e humbin të drejtën për të marrë pjesë në marrjen e ndonjë vendimi të përbashkët.
Nëse prindërit e dikujt janë ndarë, fëmijët kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre në procesin gjyqësor.
Nxënësi që mungon më shumë se 10 ditë pa arsye, duhet të përjashtohet nga shkolla.
53
ÇFARË MË PËLQEN DHE ÇFARË BËJ?
TEMAT Diskriminimi, Familja, Barazia gjinore
KOHËZGJATJA 45 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Të shprehurit e parapëlqimeve, diskutim
OBJEKTIVAT Të diskutojnë preferencat për punët dhe rolet e gjinive
të ndryshme në shoqëri.
Të analizojnë efektet e stereotipave gjinorë.
Udhëzime
1. Prezantoni temën e roleve gjinore duke pyetur: “A ka disa sjellje dhe aktivitete që konsiderohen aktivitete “për vajza” ose aktivitete “për djem”? Nxirrni shembuj nga fëmijët.
2. Jepuni fëmijëve copa letre dhe lapsa. Kërkojini çdo fëmije të shkruajë si në vijim:
a. Në krye të letrës identifikoni veten tuaj si djalë apo vajzë. b. Emërtoni katër gjëra që bëni dhe që ju pëlqen ti bëni, të cilat
konsiderohen aktivitete “të përshtatshme për gjininë tuaj”.
c. Emërtoni katër gjëra që bëni, por që nuk ju pëlqen t’i bëni, të cilat konsiderohen “të përshtatshme për gjininë tuaj”.
d. Emërtoni katër gjëra që nuk bëni dhe që nuk do ju pëlqente t’i bënit, të cilat konsiderohen “të përshtatshme për gjininë e kundërt”.
e. Emërtoni katër gjëra që nuk bëni, por që do ju pëlqente t’i bënit, të cilat konsiderohen “të përshtatshme për gjininë e kundërt”.
3. Pyesni fëmijët të ndajnë disa nga përgjigjet e tyre për çdo pyetje dhe shënojini ato në një këso tabele:
54
E bëj dhe më pëlqen
E bëj, por nuk më pëlqen
Nuk e bëj dhe nuk më pëlqen ta bëj
Nuk e bëj,por do më
pëlqente ta bëja
Vajzat
Djemtë
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
a. A u habitët nga disa prej gjërave që njerëzit pëlqejnë dhe nuk pëlqejnë të bëjnë?
b. Duke parë listën e gjërave që fëmijët do ju pëlqente t’i bënin, por nuk i bëjnë, a vini re ndonjë model?
c. Çfarë ndodh me një vajzë që bën gjërat e “djemve”? Po me një djalë që bën gjërat e “vajzave”? Përse ndodh kjo gjë?
d. Si do t’i përgjigjeshin të rriturit në familjen tuaj këtyre katër pyetjeve?
e. A kanë të njëjtat ide anëtarët e familjes suaj lidhur me çfarë është “e përshtatshme” për burrat dhe djemtë apo për gratë dhe vajzat?
f. Si i formojmë idetë tona lidhur me çfarë është “e përshtatshme” për burrat dhe djemtë apo për gratë dhe vajzat?
2. Lidhni aktivitetin me të drejtat e njeriut duke bërë këso pyetjesh:
a. Si ndikon tek fëmijët individualisht kufizimi se çfarë mund të bëjnë djemtë dhe vajzat? Si mund të ndikojë familjen? Po një shoqëri?
b. Me çfarë emrash thirren fëmijët të cilët nuk u përshtaten stereotipave gjinorë dhe cilat janë pasojat e këtyre fjalëve?
c. A mendoni se po ndryshojnë rolet gjinore (ose stereotipat)? Nëse po, si po ndryshojnë ato?
d. A jeni përpjekur ndonjëherë të sfidoni rolet gjinore? Çfarë ndodhi?
55
e. Përse rolet gjinore/stereotipat kufizojnë të drejtat e njeriut të një personi?
f. Çfarë mund të bëjmë ne që të sfidojmë rolet gjinore në grupin tonë?
Këshilla për lehtësuesin
Për të siguruar një shkallë më të lartë të sinqeritetit në plotësimin e fletave, thuajini fëmijëve se në fleta duhet të shkruajnë vetëm gjininë e tyre (djalë ose vajzë) dhe të mos e shënojnë emrin. Fletat do të grumbullohen në një vend pa ditur të kujt janë. Pastaj i shpërndani secilit nga një fletë sipas rastësisë, që ata të lexojnë se çka ka shkruar një djalë apo një vajzë nga grupi.
56
I DASHUR DITAR!
TEMAT Diskriminimi, Shëndeti dhe mirëqenia, Varfëria dhe përjashtimi social
KOHËZGJATJA 45 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Tregimi i historive, diskutim
OBJEKTIVAT Të praktikojnë aftësitë e komunikimit dhe të vëzhgimit.
Të ndërgjegjësohen për qëndrimet paragjykuese.
Të shqyrtojnë subjektivizmin e përvojave vetjake.
Të vlerësojnë të drejtën për edukim, për të praktikuar lojëra dhe për kujdes shëndetësor.
Udhëzime
1. Shpjegoni se tre fëmijë na kanë lejuar t’i lexojmë ditarët e tyre nga kampi veror i verës së kaluar. Ndajini fëmijët në tri grupe dhe secilit grup jepini për të lexuar një nga historitë.
2. Pasi ata të kenë lexuar historitë, mblidhini fëmijët së bashku dhe kaloni nëpër ngjarjet e ditës së kampistëve (p.sh.: zgjidhja e lojërave formuese, dreka, të luajturit futboll, të ndërtuarit e një lundre, kalimi i lumit). Ndaloni te secila ngjarje dhe pyesni fëmijët se çfarë po bënte personazhi i tyre, çfarë po mendonte dhe ndiente në secilën pikë. Në këtë pikë, shmangni që fëmijët të shpjegojnë arsyet për reagimet dhe ndjenjat e ndryshme të kampistëve.
3. Kërkojuni anëtarëve të grupit të përshkruajnë fëmijën, historinë e të cilit ata e kanë lexuar. Mund të kërkoni nga një pjesëtar i secilit grup që të lexojnë me zë historitë. Diskutoni si mund të kenë tre fëmijët përvoja të tilla të ndryshme të ndodhive të njëjta, duke bërë këso pyetjesh:
a. Përse këta fëmijë e keqkuptuan njëri‐tjetrin?
b. A mendoni se fëmijët do të ishin sjellë ndryshe nëse do të dinin më tepër për jetën e njëri‐tjetrit? Si?
c. Çfarë keqkuptimesh patën me njëri‐tjetrin?
d. Si i bënë ata këto gabime?
57
e. A keni gabuar ndonjëherë në mendimin që keni pasur për dikë?
f. Çfarë ndodh kur ne gjykojmë keq për njerëzit tjerë?
g. Çfarë mund të bëjmë ne për të shmangur gabimet?
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
a. Çfarë mendoni për tri historitë?
b. A do t’ju pëlqente një ditë si kjo? Përse po ose përse jo?
c. A janë këto histori realiste?
d. A mund të identifikoheni me ndonjërin nga këta fëmijë? Me cilin prej tyre? Përse?
e. A mund të keni shokë dhe shoqe edhe kur jeni të varfër apo kur nuk mund të lexoni dot? Përse?
f. Çfarë do të thotë miqësia?
g. A ka njerëz në komunitetin tuaj që janë në pozitë më të pafavorshme se të tjerët? Cilët janë ata?
h. Çfarë mund të bëjmë ne për të ndryshuar këtë gjendje?
2. Lidhni aktivitetin me të drejtat e njeriut duke bërë këso pyetjesh:
a. Çfarë të drejtash të njeriut gëzonin fëmijët në kamp?
b. Po në shtëpi?
c. A shkelet ndonjë e drejtë e këtyre fëmijëve?
d. Si ndikon te ata shkelja e të drejtave të tyre? Si do të ndikojë kjo në të ardhmen e tyre?
e. Çfarë mund të bëjmë ne për të parandaluar shkeljen e të drejtave si këto?
Në mënyrë alternative, pyetjet e përmbledhjes mund t’i bëni pas secilës histori
58
FLETË PUNE: HISTORITË
Gjatë muajve të verës, shumë fëmijë shkojnë në kampe verore. Historitë e mëposhtme janë marrë nga ditarët e tre fëmijëve të cilët u takuan për herë të parë në të njëjtin kamp. Ata kanë moshë të njëjtë dhe kanë qenë të përfshirë në të njëjtat aktivitete. Një ditë, udhëheqësit rinorë organizuan “Ditën e madhe me aventura”. Atë mbrëmje të tre fëmijët shkruan në ditarët e tyre historinë e asaj dite.
Margarita shkroi në shtratin e saj nën dritën e një elektriku dore.
I dashur ditar,
Oh, çfarë dite e mrekullueshme që ishte! Bëmë shumë gjëra të çmendura dhe mendoj se kjo mund të ketë qenë një nga ditët më të bukura të jetës sime. Bëmë disa aktivitete që të ngjallnin emocion, të cilat, madje, shpeshherë ishin të rrezikshme. Por unë nuk pata kurrë frikë. Ndryshe nga miqtë e mi të cilëve jo çdo gjë, që unë shpresoja se do t’u pëlqente, u pëlqeu. Mëkat që Elsa dhe Rikardoja ishin kaq të çuditshëm sot.
Por le t’ia nisim nga fillimi ‐ Kur u zgjuam, udhëheqësit na ndanë në grupe të ndryshme. Unë isha së bashku me Rikardon dhe Elsën. Mua të dy më pëlqejnë, sepse, edhe dje ishim në të njëjtin grup dhe qeshëm aq shumë me të gjitha shakatë që i treguam njëri‐tjetrit. Udhëheqësit na dhanë tri mesazhe të shkruara në kode sekrete dhe ne duhej të gjenim zgjidhjen e tyre. Unë e gjeta e para zgjidhjen time. Pas pak edhe Rikardoja e gjeti zgjidhjen e tij, por Elsa ishte tepër e ngadaltë. Kur e pyeta atë nëse kishte nevojë për ndihmë, ajo tha se nuk i pëlqente ky aktivitet dhe se gjetja e një kodi sekret ishte një gjë e mërzitshme për t’u bërë. Pastaj e pashë atë duke e mbajtur letrën me kokë mbrapsht dhe qesha me të duke i thënë se asnjëherë nuk kishte për ta gjetur ashtu. Ajo më hodhi një vështrim me inat dhe e flaku letrën tutje. “Unë dua të luaj, jo të lexoj gjëra” – më tha ajo. Unë mendoj se ajo nuk është shumë e zgjuar. Madje, pyes veten nëse ajo di të lexojë – e habitshme, sepse të gjithë fëmijët e moshës sime dinë të lexojnë dhe të shkruajnë!
Pra, më në fund arritëm të zbulonim kuptimin e të tria mesazheve. Pastaj ne shkuam poshtë te lumi, ku luajtëm futboll kundër një grupi tjetër të fëmijëve. Ishte zbavitëse. Pothuaj se fituam, por i gjithë faji që humbëm, ishte i Elsës. Sa herë që topi i vinte afër, ajo e prekte me duar, i shkelmonte lojtarët tjerë dhe bëri shumë gabime. Ishte sikur ajo të mos kishte luajtur
59
futboll kurrë më parë. Kjo duket e çuditshme. Ne të gjithë luajmë futboll pas përfundimit të shkollës. Herën tjetër dua të jem në një grup të tjetër nga ai i Elsës.
Pas drekës (ushqimet këtu janë me të vërtetë të neveritshme) ne duhej të ndërtonim një lundër për të kaluar lumin. Dhe kjo ishte një gjë e lezetshme, sepse duhej të kërkonim dru dhe pastaj të bënim të gjitha llojet e nyjave me litar. Elsa dhe unë kërkonim trungje të mira e të forta, por Rikardoja sillte gjithmonë ca shkopinj të hollë. Unë i thashë atij se, meqë ai ishte djalë, ai duhej të punonte aq sa edhe ne. Ai tha se kishte marramendje dhe se i dhembte shpina. Mendoj se ishte vetëm një arsyetim për të mos punuar. Kur mbaruam, lundra jonë ishte më e mira – madje edhe udhëheqësi tha kështu. Më pas, udhëheqësi numëroi “1, 2, 3” dhe pastaj ne duhej të kërcenim në lundër dhe të kalonim lumin së bashku. Unë kërceva e para, por rashë në ujë. Brrr…uji ishte shumë, shumë i ftohtë dhe unë ulërita në fillim. Fatmirësisht udhëheqësi më ndihmoi të dilja dhe pastaj ne të gjithë qeshëm. Kur i tregova miqve se sa i ftohtë ishte uji, Rikardoja tha se nuk i pëlqente më të shkonte. Mendoj se ai ishte i frikësuar nga uji i ftohtë. Nuk e dija më parë se Rikardoja ishte aq i dobët. Së pari drunjtë dhe pastaj uji! Kur i thashë se duhej të ishte më i guximshëm, ai iku duke qarë. Nuk mendoj se dua të jem në të njëjtin grup me të më! Në të vërtetë, unë do të kërkoj nga udhëheqësi që herën tjetër, të më vendos në një grup tjetër sepse Elsa është e marrë, ndërsa Rikardoja është vetëm një “pulë e lagur”.
Unë nuk i kam folur as Elsës dhe as Rikardos më pas asaj…obobo mendoj se udhëheqësit po vijnë në dhomën tonë. Gjumë të ëmbël, ditari im i dashur. Nesër do të të jap më shumë lajme.
Me dashuri, Margarita
Tregimin më poshtë në ditar e ka shkruar Elsa, me ndihmën e një udhëheqësi
Përshëndetje ditar,
Ti je ditari im i parë dhe unë jam Elsa. Shpresoj që të rrish me mua për një kohë të gjatë. Unë i kërkova udhëheqësit të shkruajë këtë faqe për mua. Ai thotë se kur të rritem, unë mund të lexoj se çfarë kam bërë në kamp. Më pëlqen ideja. Jemi ulur larg fëmijëve të tjerë, sepse nuk dua ta dijë njeri se po më ndihmon udhëheqësi.
60
Sot ishte një ditë e mbushur me aktivitete. Në mëngjes isha në të njëjtin grup me Margaritën dhe Rikardon. Rikardoja më pëlqen më shumë sesa Margarita, sepse ajo gjithnjë mendon se di më shumë se të tjerët!
Gjithçka filloi me mesazhet me kode sekrete të cilat duhej t’i zgjidhnim. Mua nuk më pëlqejnë këto gjëra, sepse unë ende nuk mund të lexoj shumë mirë dhe Margarita gjithmonë më bërtiste që të nxitoja. Ah sikur të lexoja më mirë! Pastaj do të kisha lexuar të gjithë librat e botës. Por që prej kohës që babi ka ikur, më duhet të rri në shtëpi dhe të kujdesem për fëmijët e vegjël gjatë kohës që mami shkon në punë. Unë kam shumë dëshirë të shkoj në shkollë, por mami gjithmonë thotë se është më e rëndësishme të kesh ushqim se sa të lexosh një libër. Unë nuk doja që Rikardoja dhe Margarita ta merrnin vesh që unë nuk di të lexoj, kështu që u përpoqa të hiqesha sikur po e zgjidhja kodin sekret. Por pastaj Margarita qeshi me mua dhe unë u trishtova e në të njëjtën kohë u nxeha.
Më pas, ishte e njëjta histori edhe me futbollin. Unë doja me të vërtetë që skuadra jonë të fitonte, por çdo gjë që bëra, e bëra gabim. Të gjithë e dinë lojën, përveç meje. I shoh gjithmonë fëmijët e tjerë që luajnë futboll kur vijnë nga shkolla. Por mami im më thotë: “Nëse ke kohë për të luajtur, ke kohë edhe për të punuar”. Kështu që unë asnjëherë nuk kam mësuar të luaj.
Pas drekës, shkuam të ndërtonim një varkë për të kaluar lumin. Dhe këtu mendoj se unë isha më e mirë se Margarita dhe Rikardoja. Unë dija si të bëj nyja dhe se çfarë lloj druri na duhej për të bërë një varkë të fortë. Por Rikardoja u soll shumë çuditshëm. Ai gati sa nuk lagu pantallonat kur Margarita tregoi se sa i ftohtë ishte uji. Shpresoj që nesër të jemi përsëri në të njëjtin grup. Dua t’u tregoj atyre se mund të bëj shumë gjëra! Dhe me të vërtetë më pëlqejnë udhëheqësit në kamp!
Mirupafshim Ditar, deri nesër.
Elsa
Rikardoja ka një ditar të madh, ku ka shkruar për disa vite me radhë. Ja çfarë ka shkruar ai për “Ditën e madhe me aventura”
Ditari im i dashur,
Përsëri po të shkruaj për të të thënë se sa i mërzitur dhe i zhgënjyer jam. Në mëngjes bëmë aktivitete që më pëlqyen. Kodi sekret është i lehtë për mua,
61
sepse e bëj gjatë gjithë kohës në shtëpi. Dhe në futboll luajta portierin, si gjithmonë.
Dreka ishte shumë e mirë, ndoshta më e mira që kam ngrënë ndonjëherë. Këtu unë ha shumë, ndryshe nga shtëpia ku gjithmonë më duhet të pres derisa të kenë ngrënë vëllezërit dhe motrat e mia më të vogla. Po jo këtu! Madje këtu mund të kthehem dhe të ha përsëri. Kjo gjë më pëlqen! Mendoj se kam shtuar në peshë madje. Kur të kthehem në shtëpi, nuk do jem më “djali kockë e lëkurë”! Por pasditja ishte e tmerrshme. Ne duhej të merrnim dru shumë të rëndë dhe të futeshim në ujë tepër të ftohtë. Kjo gjë nuk më pëlqeu, sepse me siguri do të sëmuresha dhe nuk dua të sëmurem më. Babi më ka thënë se ditën që do të gjejë një punë të re, ai do të më qojë në spital dhe do të më bëjë të shëndetshëm përsëri. Ai thotë se atëherë unë do të jem në gjendje të bëjë të gjitha aktivitetet që dua dhe nuk duhet të rri gjithë kohës në krevat. Ah sikur babi të fillonte nesër një punë të re! Pastaj do të bëhesha i shëndetshëm përsëri shumë shpejtë! Nuk dua t’u tregoj fëmijëve të tjerë në kamp për këtë gjë, se pastaj ata do ta dinë se ne nuk kemi para në shtëpi dhe do të tallen me mua.
I dashur Ditar, kur do të jem unë përsëri i shëndetshëm? Dua të jem si fëmijët e tjerë. Dua të luaj, të vrapoj dhe të kërcej. Shpresoj të ndodh shpejtë kjo, por kam frikë se mund të mos ndodh asnjëherë.
Gjumë të ëmbël, Ditari im i dashur. Do të të them më shumë nesër. Ti je i vetmi që i di sekretet e mia.
Rikardo
62
SKENA TË NGACMIMIT
TEMAT Diskriminimi, Dhuna
KOHËZGJATJA 45 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Diskutim i çështjeve, me disa lëvizje
OBJEKTIVAT Të analizojnë llojet e ndryshme të ngacmimeve.
Të identifikojnë strategjitë, njerëzit dhe organizatat që mund të përkrahin fëmijët të cilët u janë ekspozuar ngacmimeve të dhunës.
Të gjykojnë reagimet e ndryshme ndaj ngacmimeve e dhunës.
Udhëzime
1. Prezantoni temën e ngacmimeve duke bërë këso pyetjesh:
a. Çka është ngacmimi?
b. Cilat janë mënyrat me të cilat njerëzit ngacmojnë të tjerët?
c. Përse mendoni që njerëzit ngacmojnë të tjerët?
d. Si ndikojnë ngacmimet te njerëzit që ngacmohen? Po te ngacmuesit? Po tek i gjithë komuniteti?
2. Kërkojini çdo fëmije të vizatojnë në një letër me ngjyrë, formën e dorës së vet, duke vendosur dorën mbi të. Për çdo gisht duhet të mendojnë një person të cilit mund t’i drejtohen për ndihmë nëse do të jenë të ngacmuar (p.sh.: një mik, prind, mësues, administrator shkolle, polic, këshillues, vëlla ose motër). Pyetni fëmijët të shpjegojnë mbështetësit që kanë shënuar.
3. Shpjegojuni se tani ata do të dëgjojnë mënyra të ndryshme me të cilat njerëzit u përgjigjen situatave ku përfshihet ky lloj dhune. Demonstroni si do të funksionojë:
a. Unë do të lexoj një përshkrim të situatës së ngacmimit. Për secilën situatë ju janë dhënë tri mënyra të mundshme të reagimit. Një përgjigje e katërt është gjithmonë e hapur nëse mendoni për një reagim ndryshe.
63
b. Në secilin kënd të dhomës është vënë një numër. Pasi të dëgjoni situatën dhe përgjigjet, shkoni te këndi që përfaqëson atë që mendoni se do të bënit në një situatë të tillë.
4. Lexoni më zë situatën e ngacmimit dhe jepuni kohë fëmijëve të zgjedhin përgjigjen e tyre dhe të shkojnë në këndin gjegjës të dhomës. Sapo fëmijët të jenë pozicionuar, pyetni disa prej tyre, në këndin e tyre, përse e zgjodhën atë përgjigje dhe disa nga epërsitë dhe mangësitë e saj. Lejoni fëmijët që zgjodhën këndin e hapur, të shpjegojnë si do të përgjigjeshin ata.
Përmbledhje dhe vlerësim
• Pasi t’u jepen përgjigje pesë apo gjashtë situatave të ngacmimit, përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
• Si ju duk aktiviteti?
• A ishin disa nga këto skena të vështira për t’u përgjigjur? Cilat nga ato dhe përse?
• A mund t’i referoheni ndonjë skene të tillë?
• A kanë nevojë për ndihmë fëmijët që janë të ngacmuar? Pse?
• Ku mund të gjejnë ndihmë këta fëmijë?
• Cilat janë disa nga arsyet që njerëzit ngacmojnë të tjerët? A janë të ndershëm në sjelljet e tyre?
• Çfarë do të bënit nëse ju kanë ngacmuar, ndërsa personi të cilit i jeni drejtuar për ndihmë dhe përkrahje nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë?
• A pranohen më lehtë disa forma të ngacmimeve nga fëmijët dhe të rriturit? Pse po, ose pse jo?
• Kush është përgjegjës për të ndihmuar dhe përkrahur fëmijët që janë viktima të ngacmimeve?
• A mund të provojnë edhe të rriturit ngacmimet? Jepni disa shembuj.
• Kush është përgjegjës për të ndihmuar të rriturit kur ata ngacmohen?
• Çfarë mund të bëhet për t’ju ndihmuar njerëzve që ngacmojnë, që të ndryshojnë sjelljet e tyre?
64
• Çfarë ndodh kur askush nuk ndërmerr asgjë për të ndalur ngacmimet? Çfarë ndodh me ngacmuesit? Çfarë ndodh me gjithë komunitetin?
Lidhni aktivitetin me të drejtat e njeriut, duke bërë këso pyetjesh:
• A ka të drejtë ndonjë person që të ngacmojë të tjerët? Pse po, ose pse jo?
• Cilat të drejta mund të shkelen kur dikush është i ngacmuar?
• Si ndikon ndalja e ngacmimeve në përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut për të gjithë?
Në fund të përmbledhjes, kërkojuni fëmijëve të shohin “duart e tyre të përkrahjes” dhe të shtojnë ndonjë person apo organizatë që ata mendojnë se mund t’i drejtohen për përkrahje nëse ata do të jenë të ngacmuar. Vendosni “duart e përkrahjes” diku në dhomë me qëllim që fëmijët t’u referohen atyre në të ardhmen.
FLETË PUNE: SKENA TË NGACMIMIT
Shokët e tu fillojnë të të thirrin me emra të ndryshëm, të dërgojnë mesazhe të ndyra dhe të detyrojnë t’u japësh atyre gjëra. Ti nuk ndihesh mirë kur ndodhin këto gjëra. Çfarë do të bësh ti?
1. Asgjë. Ti duhet të kesh bërë diçka gabim dhe prandaj shokët e tu po sillen kështu.
2. Fillon t’ua kthesh atyre duke i thirrur me emra dhe duke i kërcënuar.
3. Flet me prindërit apo mësuesin tënd dhe ju thua atyre se çfarë po ndodh.
4. Diçka tjetër (Këndi i hapur).
65
Ti vëren se shoqja jote po i ngacmon dhe po tallet me fëmijët më të vegjël në kampin veror. Ajo ka filluar të marrë edhe gjëra prej tyre. Çfarë do të bësh ti?
1. Ju tregon drejtuesve të kampit se çfarë po ndodh, pa e ditur shoqja jote.
2. I ndihmon shoqes që të marrë gjëra prej fëmijëve më të vegjël, nëse ajo fillon të të marr edhe ty gjëra.
3. I thua shoqes tënde se po mendon se ajo që po bën ajo është gabim dhe se duhet t’i lerë fëmijët më të vegjël të qetë.
4. Diçka tjetër (Këndi i hapur).
Mësuesja jote të thotë “budalla” çdo herë që përgjigjesh gabim në klasë dhe thotë se nuk ia vlen as të të mësojë, sepse ti nuk mund të mësosh. Edhe fëmijët e tjerë kanë filluar të të quajnë ashtu. Çfarë do të bësh ti?
1. Shkon drejt e te drejtori dhe i thua atij se çfarë po ndodh.
2. Fillon të mungosh në mësim sepse nuk të pëlqen shkolla.
3. Kërkon nga prindërit që ta ndërrojnë klasën apo shkollën. 4. Diçka tjetër (Këndi i hapur).
Një shok në lagjen tënde, kur jeni vetëm ju të dy, të qëllon dhe të thotë se do të të qëllojë edhe më shumë nëse i tregon dikujt. Çfarë do të bësh ti?
1. Ju tregon prindërve apo mësuesve çfarë po ndodh.
2. Ju kërkon shokëve të tu në shkollë që të ndihmojnë të ndeshesh me të.
3. I thua atij që mos të të qëllojë sepse të dhemb. 4. Diçka tjetër (Këndi i hapur).
66
Ti ke një vëlla më të madh nga njerku i cili është shumë i dhënë pas teje. Ai shpesh dëshiron të të puth dhe të të shtrëngojë, por ndonëse ty të pëlqen ai, kjo të bën të mos ndihesh rehat. Çfarë duhet të bësh ti?
1. I thua nënës, motrës apo vëllait tjetër se çfarë po ndodh.
2. Ndeshesh me të dhe e qëllon sa herë që ai të sillet ashtu.
3. I shmangesh dhe mundohesh të mbash distancën me të. 4. Diçka tjetër (Këndi i hapur).
Një grup i fëmijëve më të mëdhenj nga shkolla tjetër pëlqejnë të keqtrajtojnë fëmijët më të vegjël nga shkolla jote. Ata presin të kapin ndonjë fëmijë që shkon në shtëpi apo që pret autobusin vetëm. E rrethojnë atë dhe i marrin paratë, ushqimin dhe lodrat. Ata i gjuajnë edhe gurë dhe e kërcënojnë se do t’ia punojnë edhe më keq. Çfarë do të bësh ti?
1. Bëhesh shumë i kujdesshëm dhe shkon e vjen nga shkolla në grup.
2. Ju tregon të rriturve në shkollën tënde se çfarë po ndodh dhe kërkon ndihmë.
3. Mban gurë apo një thikë për t’u mbrojtur. 4. Diçka tjetër (Këndi i hapur).
Një djalë i ri në klasën tënde ka ardhur nga diaspora dhe nuk e flet mirë gjuhën shqipe. Shokët dhe shoqet e klasës tallen me gjuhën e tij dhe i thonë të shkojë prej nga ka ardhur. Çfarë do të bësh ti?
1. Bashkohesh me ta, pasi ai nuk është shoku yt dhe ti nuk ke pse shqetësohesh për të.
2. I thua mësueses tënde se shokët dhe shoqet po tallen me gjuhën e tij.
3. I ofron atij që t’i japësh mësime të gjuhës shqipe kur nuk jeni duke luajtur, në mënyrë që ai të përshtatet.
4. Diçka tjetër (Këndi i hapur).
67
T’I KTHEHEMI KUSHTETUTËS SË GRUPIT
TEMAT Qytetaria, Demokracia, Pjesëmarrja
KOHËZGJATJA 30 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Diskutim, vlerësim, vendimmarrje
OBJEKTIVAT Të zhvillojnë aftësitë e vlerësimit kritik të rregullave.
Të identifikojnë mënyrat për të siguruar zbatimin e rregullave.
Të ushtrojnë pjesëmarrjen në çështjet me interes të përbashkët.
Udhëzime
1. Rikujtojuni fëmijëve se ditën e parë jemi pajtuar për kushtetutën e grupit tonë, ndërkohë që kemi kaluar mjaft kohë së bashku. Kërkojuni fëmijëve ta rishikojnë kushtetutën e grupit. Vini në dukje që ligjet shpesh duhet të përmirësohen, të eliminohen apo të shtohen.
a. A janë ata ende dakord me të drejtat dhe përgjegjësitë që zhvilluan më herët?
b. A janë disa përgjegjësi më të vështira për t’u respektuar sesa te tjerat? Përse?
c. A ka ndonjë gjë në “kushtetutën”e tyre që është e nevojshme të ndryshohet, të eliminohet apo të shtohet?
2. Diskutoni zbatimin e rregullave dhe përgjegjësive duke bërë pyetje të tilla, si:
a. A shkelen disa rregulla më shpesh se të tjerat? Përse?
b. Kush vendos se çfarë do të ndodh kur ndonjëri shkel ndonjë nga rregullat e grupit?
c. A ka nevojë grupi që të punojë së bashku për të vendosur disa pasoja për shkeljen e rregullave?
3. Varësisht nga procesi i rishqyrtimit të kushtetutës, bëni ndërrimet e nevojshme në dokumentin e kushtetutës.
68
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Diskutoni se çfarë do të thotë të ketë rregulla për grupin të cilat janë vendosur nga vetë grupi. Lidhni këtë proces me mënyrën si bëhen ligjet në demokraci.
• A është e nevojshme një “kushtetutë” për grupin tonë?
• Çfarë ndryshimi sjell fakti që grupi i bëri vetë rregullat?
• Cila është arsyeja e rishqyrtimit të rregullave?
69
URA
TEMAT Shkathtësitë fizike
KOHËZGJATJA 15 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Garë në mes të dy grupeve të fëmijëve
OBJEKTIVAT Të vënë në lëvizje muskujt.
Të ushtrojnë shpejtësinë dhe përqendrimin.
Udhëzime
1. Ndani fëmijët në dy ekipe. Keni parasysh se ekipet duhet të kenë numër të njëjtë të lojtarëve. Nëse numri i fëmijëve nuk është çift, kërkoni një vullnetar për të luajtur rolin e arbitrit ndihmës.
2. Rregulloni karriget në dy rreshta që rrinë përballë njëri‐tjetrit, në largësi prej një apo dy metrash. Secili rresht duhet të ketë aq karrige sa ka edhe lojtarë në njërin ekip, plus një më shumë. Rreshtat duhet të jenë të gjatësisë së njëjtë. Përcaktoni një vijë që do të shënojë vijën fundore dhe që do të jetë në largësi të njëjtë prej dy rreshtave të karrigeve.
3. Kërkojini pjesëtarëve të njërit ekip të zgjedhin rreshtin dhe të shkojnë e të qëndrojnë në këmbë mbi karriget e atij rreshti. Ekipi tjetër duhet të bëjë të njëjtën gjë në rreshtin tjetër. Karrigia e fundit, që është më së largu vijës fundore duhet të qëndrojë bosh.
4. Shpjegojuni si luhet loja: personi që rri më së afërmi karriges boshe duhet ta marrë këtë karrige dhe ta përcjellë te personi në krah të tij, e ky ta përcjellë më tutje të personi tjetër, e kështu me radhë përgjatë rreshtit. Karriget duhet të përcillen prej dorës në dorë. Kur karrigia të arrijë te personi i fundit në rresht, ky duhet ta vendosë në tokë, të shkelë në të dhe të gjithë pjesëtarët e grupit duhet të lëvizin përpara për një karrige. Atëherë fillohet të lëvizet karrigia që mbetet boshe, e kështu me radhë derisa gara të fitohet nga ekipi i cili arrin vijën fundore me një karrige të zbrazët. Nëse një lojtar bie nga karrigia, mbetet jashtë lojës dhe lojtarët tjerë të ekipit duhet të bartin dy karrige të boshatisura përgjatë rreshtit.
5. Jepni shenjë për fillimin e lojës dhe kujdesuni që fëmijët të luajnë lojë të sigurt.
70
AKTIVIZIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT
TEMAT Aktivizimi për të drejtat e njeriut
KOHËZGJATJA 75 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Bashkëbisedim, leksion
OBJEKTIVAT Të interpretojnë konceptet themelore të aktivizimit për të drejtat e njeriut.
Të identifikojnë palët e interesit në një çështje.
Të gjykojnë për pozicionet e palëve të ndryshme.
Të argumentojnë qëndrimet e veta.
Udhëzime
1. Kërkojuni fëmijëve të përmendin njerëzit apo organizatat që shquhen për aktivizimin në ndihmë të dikujt që ka nevojë. Mundohuni të nxisni fëmijët në diskutim duke bërë këso pyetjesh:
a. Si kanë filluar të merren me këtë punë këta njerëz apo këto organizata?
b. Pse janë aktivizuar? Cilat janë motivet e tyre? Çfarë janë parimet e tyre?
c. Me çfarë emri njihen këta njerëz? Si quhet puna që ata bëjnë?
d. A kanë arritur ata të bëjnë ndonjë ndryshim? Nëse po, cilat janë ato ndryshime?
e. A do të dëshironit të ishit si këta persona, apo të bëheshit pjesë e këtyre organizatave? Nëse po, cilat kushte duhet t’i plotësoni?
Ndiqni me kujdes përgjigjet e fëmijëve, duke përsëritur përgjigjet e duhura dhe duke i plotësuar përgjigjet e pjesshme.
2. Bëni një përmbledhje të kësaj pjese duke u përgjigjur vet në të gjitha pyetjet e parashtruara më lartë në formë të një leksioni të shkurtër. Fokusohuni në:
‐ Njerëzit e shohin nevojën që të bëjnë diçka për dikë;
‐ Ata vlerësojnë se një individ apo një grup nuk mund të bëjë vet asgjë për të përmirësuar jetën e vet, pa pasur ndihmën e të tjerëve;
71
‐ Vlerësimi kalon prej mendjes së tyre në zemër në trajtën e ndjenjës dhe aty shndërrohet në qëndrim. Qëndrimet udhëhiqen nga parimi i barazisë mes njerëzve dhe i respektit ndaj dinjitetit njerëzor;
‐ Këta njerëz njihen si aktivistë të të drejtave të njeriut, si avokatë të të drejtave të njeriut, si humanistë, etj. Puna e tyre njihet si angazhim për të drejtat e njeriut, si mbrojtje e njerëzve në nevojë, si përpjekje për të ndryshuar situatën në shoqëri, si aktivizim për një botë më të mirë dhe më të drejtë;
‐ Përpjekja e këtyre njerëzve dhe këtyre organizatave ka rezultuar me përmirësime të të drejtave të njeriut në botë në përgjithësi dhe përmirësime të të drejtave të njeriut të grupeve të caktuara në nevojë;
‐ Secili nga ju mund të shkojë hapave të këtyre njerëzve apo të bëhet pjesë e veprimtarisë së këtyre organizatave. Dhe këtë mund ta filloni që tash, në moshën tuaj. Parakusht për këtë është vullneti i mirë. Më tutje duhet të fitoni njohuri dhe zhvilloni shkathtësi për aktivizim.
3. Pyetini nxënësit nëse janë të gatshëm që këto shkathtësi për aktivizim të fillojnë t’i marrin që tani. Kur të merrni konfirmimin e tyre vazhdoni më tutje duke ju vënë në dispozicion një tekst që tregon një situatë (teksti është i ngjitur më poshtë). Kërkojuni fëmijëve që të lexojnë me kujdes tekstin duke bërë shënimet që ata i konsiderojnë të nevojshme, apo duke nënvizuar pjesët më të rëndësishme. Pasi të keni lënë mjaft kohë për fëmijët që të lexojnë tekstin dhe ta kuptojnë, kërkojuni që nga këndvështrimi i organizatës shkollore për të drejtat e fëmijëve të identifikojnë situatën dhe të pozicionohen. Bëni këso pyetjesh:
‐ Për çfarë situate bëhet fjalë?
‐ ‐ Cili është pozicioni i juaj në këtë situatë? Çka dëshironi ju?
‐ ‐ Si e arsyetoni qëndrimin tuaj?
‐ ‐ Kush përfiton nëse arrihet ajo që dëshironi ju? Cila është ajo e drejtë që realizohet?
4. Tash kërkojuni fëmijëve të identifikojnë palët tjera që janë të interesuara për rastin dhe të diskutojnë për pozicionin e tyre, duke bërë këso pyetjesh:
‐ Cilat janë palët tjera të interesit?
‐ Cilat nga këto palë i kanë interesat më të afërta me tuajat? Cilat i kanë interesat e kundërta?
Për të ndihmuar fëmijët të kuptojnë pozicionin e secilës palë të interesit në raport me çështjen (propozimin), bëni këtë të dukshme përmes vendosjes të letrave të ngjyrave dhe madhësive të ndryshme në një tabak letre apo në
72
tabelë. Kështu përdorni të kuqen për të identifikuar palët publike (qeverinë, organet komunale, institucionet tjera), të kaltrën për të identifikuar grupet (grupet e interesit, komunitetin e organizuar, grupet e identitetit) dhe të gjelbrën për palët individuale (të paorganizuar, banorë lokalë e të tjerë)
5. Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për strategjitë e mundshme të veprimit. Këshillojini ata të mendojnë për palët të cilave do t’ju drejtohen, për mënyrën e komunikimit, për argumentet që do t’i përdorin. Diskutoni të gjitha propozimet që vijnë nga fëmijët, duke marrë këndvështrimet e gjithë fëmijëve. Kanalizoni diskutimet duke dhënë këndvështrimet e juaja.
FLETË PUNE: SITUATA
Një organizatë ka ofruar mundësinë që afër shkollës suaj të ndërtohet një palestër sportive. Kuvendi komunal e ka përkrahur iniciativën në parim, por vendi ku është planifikuar të ndërtohet palestra është pronë kontestuese. Ajo ka qenë e eksproprijuar para 30 vjetëve, por nuk është shfrytëzuar për qëllimin e eksproprijimit dhe banorët e lagjes pretendojnë se parcela duhet t’u kthehet atyre. Edhe fondet për ndërtimin e palestrës janë të kufizuara, pasi organizata donatore ka kërkuar që edhe komuniteti të merr pjesë në financim me 10% të buxhetit. Mirëpo gatishmëria e komunitetit për pjesëmarrje në financim është shumë e ulët. Klubet sportive të qytetit bëjnë presion që kjo palestër të ndërtohet medoemos. Edhe klubi i sporteve i shkollës suaj mban të njëjtin pozicion.
Në shkollën tuaj është hapur debati për ndërtimin e palestrës. Ju si organizatë e të drejtave të fëmijëve duhet të pozicionoheni lidhur me ndërtimin e palestrës.
73
DITËLINDJET NË VIJË
TEMAT Të drejtat e përgjithshme të njeriut, Aftësia e kufizuar
KOHËZGJATJA 15 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Bashkëpunim, evokim i datave me rëndësi
OBJEKTIVAT Të zhvillojnë aftësitë e komunikimit në rrethana të vështira.
Të njoftojnë grupin me ditëlindjet e tyre.
Të numërojnë datat me rëndësi për të drejta të njeriut.
Udhëzime
1. Udhëzoni fëmijët të rreshtohen në një vijë, duke u bazuar në ditëlindjet e tyre. Tregojuni se njëri skaj i rreshtit (të cilin e caktoni ju) paraqet datën 1 janar, ndërsa skaji tjetër paraqet datën 31 dhjetor. Mirëpo fëmijët gjatë aktivitetit të rreshtimit nuk guxojnë të flasin me njëri‐tjetrin, prandaj duhet të shfrytëzojnë mënyra tjera të komunikimit për të gjetur saktësisht vendin e tyre në rresht. U jepet fëmijëve pesë minuta kohë për t’u rreshtuar, ose deri kur të shihet se e kanë kryer punën.
2. Verifikoni sa kanë qenë të suksesshëm fëmijët në punën e tyre. Duke filluar prej skajit të 1 janarit, pyetni secilin fëmijë me radhë se kur është ditëlindja e tij/saj. Pasi ta merrni vesh ditën e lindjes, pyetni nëse kjo ditë shënon ndonjë ngjarje nga historiku i të drejtave të njeriut, apo nëse në çfarëdo forme lidhet me të drejta të njeriut. Nëse fëmijës nuk i kujtohet ndonjë ngjarje, pyetni gjithë pjesëtarët e grupit për këtë. Në shumë raste ndodh që dikujt t’i kujtohet ndonjë ngjarje. Edhe ju vet përmendni ndonjë ngjarje nëse ju kujtohet, por vetëm pasi t’i keni shteruar mundësitë te fëmijët. Mund të ndodh që për ndonjë datë nuk i kujtohet askujt asgjë. Vazhdoni më tutje. Kështu vazhdoni deri te fëmija ditëlindja e të cilit është më së voni në vitin kalendarik.
3. Kërkojuni fëmijëve të ndahen në grupe duke respektuar rreshtimin që kanë bërë. P.sh., gjashtë personat e parë e bëjnë grupin e parë, gjashtë të tjerët e përbëjnë grupin e dytë, e kështu me radhë. Caktoni vendin për secilin grup.
74
DY ÇËSHTJE PËR AVOKIM
TEMAT Aktivizimi për të drejtat e njeriut
KOHËZGJATJA 60 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Analizë e rastit të studimit, ndërtim i strategjisë së grupit
OBJEKTIVAT Të analizojnë drejt një situatë që lidhet me të drejtat e njeriut.
Të zhvillojnë strategji veprimi si aktivistë të të drejtave të fëmijëve.
Udhëzime
1. Njoftoni fëmijët se janë dy çështje që kërkojnë angazhimin e tyre si aktivistë të të drejtave të njeriut. Tregojuni se do të punojnë në grupe më të vogla. Grupet krijohen duke u bazuar në ditëlindjen e pjesëmarrësve. Dy grupeve jepuni të shënuar në letër rastin e parë studimor, ndërsa dy grupeve tjera rastin tjetër studimor. Lëruni kohë të mjaftueshme fëmijëve të lexojnë rastet e tyre.
2. Kërkojuni fëmijëve që në grupet e tyre:
a. të diskutojnë për situatën dhe ta komentojnë nga perspektiva e të drejtave të njeriut,
b. të identifikojnë të gjitha palët që janë të përfshira dhe të interesuara për çështjen,
c. të vendosin në hartë palët e interesit dhe të paraqesin fushën e forcave,
d. të tregojnë qëndrimin e tyre si organizatë e të drejtave të fëmijëve.
3. Kërkojuni dy grupeve që kanë rastin e parë të prezantojnë punën e tyre përmes përfaqësuesve të tyre. Nxitni diskutimin me fëmijët duke bërë këso pyetjesh:
a. A është interpretuar situata njëjtë nga të dyja grupet apo jo? Pse?
b. A keni pasur vështirësi gjatë punës? Nëse po, çfarë vështirësish?
75
c. A janë vënë në hartë të gjitha palët e interesit? Nëse jo, cilat janë harruar?
d. A është i drejtë qëndrimi i grupeve?
Përsëritni të njëjtën procedurë edhe me dy grupet që kanë rastin e dytë.
4. Kërkojuni fëmijëve që ashtu në grupe të punojnë në hartimin e një strategjie, duke potencuar veprimet e mundshme që çojnë në zgjidhjen e drejtë të çështjes. Për ta bërë këtë sa më lehtë rekomandojuni fëmijëve t’u përgjigjen disa pyetjeve:
a. Çka mund të bëjmë?
b. Si mund ta bëjmë këtë?
c. Kush do të jetë në shënjestër të veprimit tonë?
d. Kush mund të na ndihmojë në këtë veprim?
e. A ka ndonjë pengesë që na del në rrugë?
5. Kërkojuni dy grupeve që kanë rastin e dytë, të prezantojnë planet e tyre. Nxitni diskutimin me fëmijët duke bërë këso pyetjesh:
a. A janë të njëjta apo të përafërta kurset e veprimit të dy grupeve? Ku dallojnë ato?
b. A kanë arritur të identifikojnë si duhet aleatët dhe kundërshtarët potencialë?
c. Po rreziqet a janë parashikuar? A ka rreziqe tjera që mund ta vënë në pikëpyetje ndërmarrjen?
Përsëritni të njëjtën procedurë edhe me dy grupet që kanë rastin e parë.
Përmbledhje
Përmblidhni aktivitetin duke ju shpjeguar fëmijëve se aktivizimi për të drejtat e njeriut njihet edhe si avokim. Avokimi përdoret edhe në fushat tjera dhe në radhë të parë ka kuptimin e mbështetjes aktive ndaj një ideje apo kauze, përmes zotimit dhe argumentimit për atë ide apo kauzë. Avokimi kryesisht është i drejtuar kah vendimmarrësit, për t’i bindur ata që t’i marrin vendimet asisoj që të ruajnë interesin a palëve për të cilat avokojmë. Në rastin e të drejtave të njeriut, avokimi ka për qëllim respektimin e të drejtave të njeriut dhe interesave të grupeve të cilave ju rrezikohet një apo disa të drejta.
76
FLETË PUNE: RASTET STUDIMORE
Rasti 1 ‐ Fëmijët me aftësi të kufizuara
Një organizatë joqeveritare ka hulumtuar rastet e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe ka dalë me një raport. Nga raporti mësohet se tre fëmijë të moshës shkollore në rrethin tuaj, nuk vijojnë shkollën sepse janë fëmijë me aftësi të kufizuara. Administrata e shkollës dhe Autoritetet Lokale të Arsimit nuk mund të sigurojnë vijimin e këtyre fëmijëve në shkollë, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesave infrastrukturore. Aktivistët e OJQ‐së kanë biseduar me prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Këta prindër mendojnë se nuk është e mundur që fëmijët e tyre, në gjendjen në të cilën janë, të shkollohen dhe të shoqërohen me fëmijët tjerë.
Kjo çështje ju ka prekur shumë dhe keni vendosur të veproni.
Rasti 2 – Dhuna në mes moshatarëve
Shkolla juaj ka qenë e njohur për respekt dhe tolerancë në shkollë. Për këtë dëshmon edhe një mirënjohje që Ministria e Arsimit i ka bërë shkollës tri vite më parë.
Dy vjet më parë qeveria ka marrë vendim që fshati Plis, i cili gjendet në afërsi të fshatit tuaj, të dislokohet për shkak se është planifikuar ndërtimi i një termoelektrane. Një pjesë e popullatës së fshatit Plis është vendosur në një lagje në afërsi të shkollës suaj dhe fëmijët e asaj popullate vazhdojnë mësimet në shkollën tuaj. Prej atëherë në shkollën tuaj mësimi zhvillohet në dy ndërrime. Komuniteti i shkollës kishte qenë kundër “ardhacakëve” dhe situatës së krijuar, por askush nuk i kishte pyetur ata.
Këtë vit shkollor janë shpeshtuar rastet e dhunës në mes të nxënësve. Janë identifikuar disa grupe të nxënësve që kanë krijuar rivalitet. Shumica e fëmijëve të shkollës ndihen të pasigurt në shkollë dhe kjo ka filluar të reflektohet edhe në arritjet e përgjithshme të shkollës. Raste të ngacmimeve janë raportuar te komiteti shkollor për të drejtat e fëmijëve dhe ju keni marrë vendim që të ndërmerrni hapa që ta ndalni këtë dukuri në shkollë.
77
REKLAMIMI I TË DREJTAVE TË NJERIUT
TEMAT Të drejtat e përgjithshme të njeriut, avokimi
KOHËZGJATJA Përgatitja e reklamës 75 minuta, prezantimi 45 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Përgatitje e një reklame, prezantim
OBJEKTIVAT Të zhvillojnë aftësitë e të menduarit kritik rreth reklamimit në media.
Të praktikojnë kreativitetin dhe aftësitë e komunikimit.
Të zhvillojnë ide për mënyrën e promovimit të të drejtave të njeriut.
Të demonstrojnë aftësi avokimi.
PJESA E PARË
Udhëzime
1. Ndajini fëmijët në grupe me nga tre apo katër fëmijë. Shpjegojuni se grupit të tyre i është kërkuar të reklamojë të drejtat e njeriut të fëmijëve. Ata do të bëjnë një reklamë televizive që zgjatë nga një deri në tre minuta, që i bën njerëzit të ndërgjegjshëm dhe/ose të kuptojnë atë të drejtë.
2. Kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë disa reklama në TV të cilat iu kanë tërhequr vëmendjen. Mendoni për disa tipare të reklamave të mira (p.sh.: fraza të zgjuara, efekte zanore, muzikë, humor, mesazh serioz).
3. Diskutoni audiencën për reklamat e tyre. A kanë ato në shënjestër fëmijët, prindërit, mësuesit, publikun e gjerë, apo të gjitha këto? Diskutoni për mënyrat në të cilat reklamat mund të bëhen tërheqëse për auditorin e zgjedhur prej tyre.
4. Shpjegoni se secili grup duhet të zgjedh një të drejtë që ata dëshirojnë ta reklamojnë dhe audiencën të cilës dëshirojnë t’i adresohen. Inkurajoni ata të zgjedhin një të drejtë, për të cilën ata mendojnë që njerëzit kanë nevojë të dinë vërtetë, si dhe të mendojnë për njerëzit që me të vërtetë kanë nevojë të dinë për këtë të drejtë. Pyesni dikë nga secili grup t’ju raportojë të drejtën që kanë zgjedhur dhe për cilën audiencë kanë vendosur.
78
5. Sapo grupet të kenë zgjedhur një të drejtë, ata duhet të krijojnë një ide për ta reklamuar atë. Inkurajoni ata të marrin në konsideratë shumë mënyra për të prezantuar të drejtën (p.sh. një tregim që ata e luajnë me role, një këngë që ata e këndojnë, një skicë vizatimore për të cilën ata vizatojnë disa figura dhe më pas i bashkojnë ato). Kujtojuni atyre që kjo do të jetë një video për TV kështu që duhet të jetë interesante nga ana pamore dhe të ketë veprim, pra të mos jetë vetëm “një paraqitje pa veprim”. Gjithashtu, videoja nuk duhet të jetë shumë e ndërlikuar, pasi do të prezantohet në më pak se tre minuta.
6. Shkoni nga një grup te tjetri për të monitoruar ecurinë e tyre. Sapo grupet të ketë përfunduar reklamat e veta, kërkojini t’i vënë nga një titull dhe të fillojnë t’i praktikojnë.
PJESA E DYTË
Udhëzime
Kur të gjitha grupet të kenë planifikuar reklamat e tyre, mblidhni të gjithë së bashku për të ndarë idetë e tyre dhe për të marrë vlerësimin nga të tjerët. Kërkojini çdo grupi të shpjegojë të drejtën që ka zgjedhur, audiencën dhe idetë e grupit. Më pastaj, ata duhet ta prezantojnë atë. Pas çdo përshkrimi dhe performance, inkurajoni sugjerime konstruktive dhe vlerësim, duke bërë këso pyetjesh:
a. A do t’i bëjë thirrje kjo ide audiencës së zgjedhur?
b. A do ta japë qartë idenë e së drejtës?
c. Çfarë ju pëlqen te këto ide?
d. A mund të ofroni ndonjë sugjerim për përmirësim?
Përmbledhje dhe vlerësim
1. Përmblidhni aktivitetin duke bërë këso pyetjesh:
a. A kishte pjesë të këtij aktiviteti që ishin veçanërisht sfiduese? Po zbavitëse?
b. A mësuat ndonjë gjë se si bëhen reklamat?
c. A ishte më e vështirë për të menduar imazhe se sa vetëm fjalë?
d. A ishte e vështirë për të menduar si të arrije një audiencë të caktuar?
e. A janë reklamat gjithmonë pozitive? Përse po ose përse jo?
f. Çfarë mësuat nga reklamat e grupeve tjera?
79
g. A do ta ndryshojë ky aktivitet mënyrën si e shikoni ju TV?
2. Lidhni aktivitetin me të drejtat e njeriut duke bërë këso pyetjesh:
a. Përse grupi i juaj zgjodhi posaçërisht atë të drejtë?
b. Përse zgjodhët atë audiencë të veçantë?
c. Çfarë lloj reagimi apo veprimi mendoni se do të ketë reklama juaj?
d. A është reklama televizive një mënyrë e mirë për t’u dërguar njerëzve një mesazh për të drejtat e njeriut? Përse po ose përse jo?
e. A përfshiu reklama juaj të drejtat e tjera përveç asaj që ju fokusuat?
f. Një e drejtë a mund të qëndrojë vetëm apo ajo është gjithmonë e lidhur me të drejtat e tjera?
g. A mund të mendoni për të drejtat e tjera që do të ishin të vështira për t’u reklamuar apo për t’u prezantuar?
h. A përfaqëson ndonjë nga karakteret tuaja stereotipa? Nëse po, a ka kjo ndonjë efekt negativ? Përse po ose përse jo?
i. Përse është e rëndësishme për njerëzit të njohin të drejtat e tyre?
j. Kush ka nevojë për edukim për të drejtat e njeriut të fëmijëve?
80
PASIMI I TOPIT
TEMAT Të drejtat e përgjithshme të njeriut
KOHËZGJATJA 20 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Reflektim, vlerësim
OBJEKTIVAT Të përmendin nocione të ndryshme që u trajtuan gjatë seminarit.
Të vlerësojnë përmbajtjen dhe rrjedhën e seminarit.
Udhëzime:
1. Kërkojuni fëmijëve të formojnë një rreth, ashtu që të ketë hapësirë të mjaftueshme në mes tyre për lëvizje. Tregojuni atyre se do ta zhvillojnë një lojë me top. Secili prej tyre do të ketë rastin ta merr topin nga një pjesëtar i grupit. Ai/ajo duhet ta falënderojë shokun apo shoqen duke e thirrur në emër, p.sh. “Të falemnderit Drin” dhe duhet të përmendë shkurtimisht një nocion që është trajtuar gjatë seminarit, p.sh., pjesëmarrja, konventa për të drejtat e fëmijëve, avokimi, e drejta e arsimimit, etj. Pastaj topin ia gjuan një pjesëtari tjetër të grupit duke e thirrur në emër, p.sh.: “Urdhëro Lura”. Loja mbaron kur të gjithë fëmijët të kenë pasur topin në duar dhe të jenë shprehur. Në këtë mënyrë do të arrihet që në një mënyrë zbavitëse të reflektojnë për çështjet që janë trajtuar gjatë seminarit.
2. Kërkojuni fëmijëve që edhe një herë ta përsërisin lojën, por me një ndryshim. Kësaj radhe lojtari që e merr topin, pasi ta falënderojë shokun apo shoqen në të njëjtën mënyrë, duhet të tregojë se si ndihet lidhur me seminarin, qoftë duke përmendur ndonjë fjalë që simbolizon gjendjen e tij shpirtërore, qoftë duke përshkruar këtë me një fjali të shkurtër. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë të gjithë fëmijët.
3. Kërkojuni fëmijëve që të lidhen për duarsh dhe së bashku tri herë të bërtasin me një zë: urra, urra, urra. Pastaj të gjithë duartrokasin.
81
MAKINA LARËSE
TEMAT Respekti
KOHËZGJATJA 10 minuta
LLOJI I AKTIVITETIT
Përshëndetje, lavdërime, me vrapim mes shokëve
OBJEKTIVAT Të identifikojnë anët pozitive të anëtarëve të grupit.
Të shprehin mirësjelljen e tyre për anëtarët e grupit.
Udhëzime:
Kërkojuni fëmijëve të renditen asisoj që të formojnë dy vija paralele afër njëra‐tjetrës, duke u shikuar fytyrë më fytyrë. Dërgoni një fëmijë nga njëri skaj në mes dy vijave ("drejt larjes"). Derisa fëmija ecën midis dy vijave, secili e përkëdhel në shpinë apo i shtrëngon dorën, duke i drejtuar në të njëjtën kohë fjalë lavdërimi, dashurie dhe inkurajimi. Rezultati do të jetë një individ i ndritshëm e i lumtur në fund të “larjes”. Ai apo ajo i bashkohet vijës dhe procesi përsëritet nga e para me të tjerë fëmijë.
82
SHTOJCA 1
KONVENTA PËR TË DREJTAT E FËMIJËVE
versioni i shkurtuar për fëmijë
Neni 1. Gjithkush nën moshën 18 vjeçare konsiderohet fëmijë dhe, i ka të gjitha të drejtat sipas kësaj Konvente
Neni 2. Të drejtat nga kjo Konventë i garantohen çdo fëmije, pa marrë parasysh racën, religjionin, aftësitë; pa marrë parasysh çka mendojnë apo thonë; pa marrë parasysh prejardhjen familjare të tyre.
Neni 3: Në të gjitha vendimet dhe veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese.
Neni 4: Shtetet duhet të ndërmarrin të gjitha masat që fëmijët t’i gëzojnë këto të drejta.
Neni 5: Shtetet duhet të respektojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e familjes për të drejtuar dhe udhëzuar fëmijët e tyre, ashtu që, duke u rritur, këta të mësojnë të shfrytëzojnë të drejtat e tyre si duhet.
Neni 6: Të gjithë fëmijët kanë të drejtë në jetë. Shtetet duhet të sigurojnë mbijetesën dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Neni 7: Të gjithë fëmijët kanë të drejtën të kenë një emër të regjistruar ligjërisht dhe një shtetësi. Gjithashtu, të drejtën për të njohur prindërit e tyre dhe brenda mundësive për ta gëzuar kujdesin e tyre.
Neni 8: Shtetet duhet të respektojnë të drejtën e fëmijëve në identitet, duke përfshirë edhe emrin e mbiemrin, shtetësinë dhe lidhjet familjare.
Neni 9. Fëmijët nuk duhet të ndahen nga prindërit e tyre përveç rastit kur kjo ndarje është për të mirën e tyre, p.sh., nëse një prind e keqtrajton fëmijën. Fëmijët, prindërit e të cilëve janë ndarë, kanë të drejtën për të mbajtur kontakte me të dy prindërit.
83
Neni 10: Familjet që jetojnë në shtete të ndryshme, duhet të lejohen të lëvizin dhe të bashkohen si familje.
Neni 11: Shtetet duhet të marrin masa për të ndaluar zhvendosjen e paligjshme të fëmijëve në vende tjera.
Neni 12: Shteti i garanton fëmijës, i cili është i aftë të ketë pikëpamjet e veta, të drejtën për t’i shprehur lirisht këto pikëpamje, për çdo çështje që ka të bëjë me të.
Neni 13: Të gjithë fëmijët kanë të drejtën e lirisë së fjalës. Kjo e drejtë përfshin të drejtën të marrin dhe të japin informacion, nëse ky informacion nuk është i dëmshëm për ata apo për dikë tjetër.
Neni 14: Fëmijët kanë të drejtë të mendojnë dhe të besojnë çfarë ata dëshirojnë dhe të praktikojnë fenë e tyre, përderisa ata nuk pengojnë njerëzit e tjerë nga gëzimi i të drejtave të tyre. Prindërit duhet të udhëheqin fëmijët për këto çështje.
Neni 15: Fëmijët kanë të drejtën për t’u takuar së bashku dhe për t’iu bashkuar grupeve dhe organizatave, përderisa kjo nuk i pengon njerëzit e tjerë nga gëzimi i të drejtave të tyre.
Neni 16: Fëmijët kanë të drejtën për jetën private. Ligji duhet t’i mbrojë ata nga ndërhyrjet në mënyrën e tyre të jetës, në reputacionin e tyre të mirë, në familjet dhe shtëpitë e tyre.
Neni 17: Fëmijët kanë të drejtën për të marrë informacion nga media. Televizioni, radioja dhe gazetat duhet të japin informacion që fëmijët mund ta kuptojnë dhe nuk duhet të promovojnë materiale që mund të cenojnë apo t’u shkaktojnë dëm atyre ose të tjerëve.
Neni 18: Të dy prindërit kanë përgjegjësi të përbashkët për edukimin e fëmijës dhe duhet të udhëhiqen gjithmonë nga interesi më i lartë i fëmijës. Shtetet duhet t’u ndihmojnë prindërve duke u ofruar atyre shërbime të përkrahjes, sidomos nëse të dy prindërit punojnë.
84
Neni 19: Është detyrim i shteteve që të marrin masa ligjore, administrative, shoqërore dhe edukative për t’ju siguruar fëmijëve mbrojtje nga çdo formë e dhunës fizike apo mendore, e fyerjes apo keqtrajtimit, e nëpërkëmbjes ose shfrytëzimit nga prindërit e tyre apo personat tjerë të cilëve fëmijët u janë besuar për përkujdesje.
Neni 20: Është detyrim i shteteve që t’ju sigurojnë fëmijëve përkujdesje alternative, ashtu që të respektohet origjina fetare, kulturore dhe etnike të fëmijëve dhe të sigurohet që vetëm organet e autorizuara të kryejnë birësimin.
Neni 21: Kur fëmijët të birësohen, konsiderata mbizotëruese duhet të jetë interesi më i mirë i fëmijëve. Të njëjtat rregulla duhet të aplikohen qoftë kur fëmijët birësohen brenda vendit ku kanë lindur, apo kur duhet të shkojnë të jetojnë në ndonjë vend tjetër.
Neni 22: Fëmijëve refugjatë duhet t’u jepet mbrojtje e veçantë. Ata duhet të kenë të njëjtat të drejta si fëmijët e lindur në atë vend.
Neni 23: Fëmijët që kanë çfarëdo lloji të aftësisë së kufizuar, kanë të drejtë në kujdes dhe mbështetje të veçantë nga shteti, në mënyrë që ata të bëjnë një jetë të plotë dhe të pavarur, deri në maksimumin e aftësive të tyre.
Neni 24: Fëmijët kanë të drejtën në përkujdesje shëndetësore cilësore, në ujë të pastër, në ushqim me vlera ushqimore dhe në mjedis të pastër, në mënyrë që të jenë të shëndetshëm edhe vet. Për të arritur këtë, shtetet e pasura duhet t’u ndihmojnë shteteve në zhvillim.
Neni 25: Fëmijët që janë nën përkujdesjen e autoriteteve lokale, kanë të drejtën që në mënyrë periodike të bëhet ekzaminimi periodik i situatës së tyre.
Neni 26: Shtetet duhet të ofrojnë përkrahje shoqërore, përfshirë sigurimet shoqërore për fëmijët që vijnë nga familjet në nevojë.
Neni 27: Fëmijët kanë të drejtë në nivel të mjaftueshëm jetese për zhvillimin e tyre fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror. Përgjegjësinë për të siguruar këtë në radhë të parë e kanë prindërit. Shtetet
85
duhet të ndihmojnë prindërit duke u siguruar shërbime për t’i përkrahur ata.
Neni 28: Fëmijët kanë të drejtën për arsimim fillor, i cili duhet të jetë falas. Disiplina në shkollë duhet të respektojë dinjitetin njerëzor të fëmijëve. Fëmijët duhet të inkurajohen të arrijnë nivelin më të lartë të arsimimit, në përputhje me aftësitë e tyre.
Neni 29: Shtetet kujdesen që arsimimi të zhvillojë plotësisht personalitetin dhe talentet e secilit fëmijë. Ai duhet të nxisë fëmijët të respektojnë prindërit e tyre, kulturën e tyre dhe kulturat tjera.
Neni 30: Fëmijët kanë të drejtën të përdorin gjuhën e vet, të ndjekin kulturën e vet dhe të praktikojnë fenë e vet. Kjo e drejtë ju sigurohet edhe nëse janë pjesëtarë të grupeve minoritare apo popujve autoktonë.
Neni 31: Të gjithë fëmijët kanë të drejtën të pushojnë dhe të luajnë, si dhe të marrin pjesë në një gamë të gjerë aktivitetesh argëtuese, kulturore dhe artistike.
Neni 32: Shteti duhet t’i mbrojë fëmijët nga puna e rrezikshme ose që mund të dëmtojë shëndetin dhe edukimin e tyre.
Neni 33: Shteti duhet të gjejë mënyra për të mbrojtur fëmijët nga narkotikët e rrezikshëm.
Neni 34: Shteti duhet të mbrojë fëmijët nga shpërdorimi seksual.
Neni 35: Shteti duhet të sigurojë që fëmijët të mos rrëmbehen apo shiten.
Neni 36: Fëmijët duhet të mbrohen nga çdo lloj aktiviteti që e dëmton mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.
Neni 37: Fëmijët që shkelin ligjin, nuk duhet të trajtohen në mënyrë mizore. Dënimi me vdekje dhe dënimi me burgim të përjetshëm nuk duhet t’u jepet atyre. Në burg ata duhet të veçohen nga të rriturit dhe të lejohen të mbajnë lidhje me familjen e tyre.
86
Neni 38: Shtetet nuk duhet të lejojnë fëmijët nën moshën 15 vjeç të marrin pjesë në ushtri apo të marrin pjesë drejtpërdrejt në veprimet luftarake. Për më tepër, fëmijët në zonat e luftës duhet të kenë mbrojtje të veçantë.
Neni 39: Fëmijët që kanë qenë të neglizhuar apo të shpërdoruar duhet të marrin ndihmë të posaçme për t’ju rikthyer shëndetin, personalitetin dhe dinjitetin e tyre.
Neni 40: Fëmijët të cilët akuzohen se kanë shkelur ligjin, duhet të marrin ndihmë ligjore. Dënimet me heqje lirie për fëmijët duhet të përdoren vetëm për shkeljet më të rënda të ligjit.
Neni 41: Nëse ligjet e shtetit të veçantë mbrojnë fëmijët më mirë se sa dispozitat e kësaj Konvente, atëherë ato ligje duhet të aplikohen.
Neni 42: Shtetet duhet t’u bëjnë të njohur Konventën të rriturve dhe fëmijëve.
Sqarim: Konventa për të drejtat e fëmijëve i ka gjithsej 54 nene. Nenet 43 – 54 tregojnë se si shtetet duhet të punojnë së bashku për t’u siguruar se të gjithë fëmijët i kanë të gjitha të drejtat.
87
SHTOJCA 2
Përmbajtja e programit të trajnimit Dita e parë
30 minuta Unë jam ti, ti je ajo, ajo është ai ‐ Aktivitet prezantimi
45 minuta Loja me tabelë‐ aktivitet i të drejtave të përgjithshme
60 minuta Më e rëndësishmja për cilin ‐ aktivitet i të drejtave të përgjithshme
30 minuta Matanë ylberit – aktivitet i ndërtimit të grupit
60 minuta Një kushtetutë për grupin tonë ‐ aktivitet i të drejtave të përgjithshme dhe pjesëmarrjes
45 minuta Alarmi i kuq ‐ aktivitet i të drejtave të përgjithshme
30 minuta Të luajmë domino ‐ Aktivitet i të drejtave të përgjithshme
Dita e dytë
15 minuta Puna artistike në shpinën e tjetrit – aktivitet i nxehjes
45 minuta Folësi pa zë – aktivitet për diskriminimin, aftësinë e kufizuar dhe pjesëmarrjen
30 minuta Symbyllurazi – aktivitet për diskriminimin, aftësinë e kufizuar dhe pjesëmarrjen
30 minuta Beteja për portokallin – aktivitet për paqen dhe negociatat
45 minuta Klasa lëvizëse – aktivitet për komunikimin dhe pjesëmarrjen
45 minuta Çfarë më pëlqen dhe çfarë bëj? – aktivitet për stereotipat
45 minuta I dashur ditar – aktivitet për varfërinë dhe përjashtimin social (45 min.)
45 minuta Skena të ngacmimit – aktivitet për ngacmimet
30 minuta T’i kthehemi kushtetutës së grupit – aktivitet i reflektimit dhe rishikimit të vendimeve
Dita e tretë
15 minuta Ura ‐ Aktivitet i nxehjes
75 minuta Aktivizimi për të drejtat e njeriut – Aktivitet për avokimin
15 minuta Ditëlindjet në vijë ‐ Aktivitet për ndarje në grupe
60 minuta Dy çështje për avokimin – aktivitet për avokimin
120 minuta Reklamimi i të drejtave të njeriut – aktivitet për avokimin
88
Ky projekt është financuar nga Evropian. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e plotë e Qendrës për Arsim e Kosovës dhe, në asnjë rrethanë, nuk duhet t'i atribuohet Bashkimit Evropian.
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit
Financuar nga: Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian