34
PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE (1771 - 1831) Vështrim i përgjithshëm i periudhës Si në të gjithë Perandorinë Osmane, edhe në tokat shqiptare, gjatë shek. XVIII e sidomos në gjysmën e dytë të tij, filloi të mbizotëronte një situatë e re, e cila solli zhvendosje të rëndësishme në raportin e forcave ekonomiko-shoqërore dhe politike të vendit. Në jetën ekonomike mori përhapje të mëtejshme ekonomia e mallrave, vazhdoi të fuqizohej sistemi i çifligjeve si pronë feudale private dhe u thellua diferencimi në gjirin e klasës feudale, u shtypën njëra pas tjetrës kryengritjet fshatare, të gërshetuara me rebelimin e feudalëve ushtarakë të rënë ekonomikisht, dhe filloi afrimi i feudalëve qeveritarë me krerët ushtarakë malësorë. Lufta e familjeve çifligare më të fuqishme për të marrë e për të mbajtur pushtetin, tërhoqi me vete forca të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kjo luftë e acaroi për disa dhjetëvjeçarë gjendjen anarkike në të gjithë vendin, por edhe i dha fund asaj për të filluar një fazë të re zhvillimi në lëmin ekonomik e kulturor dhe në atë shoqëror e politik. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII në tokat shqiptare pati një zhvillim më të madh ekonomik e kulturor në krahasim me shekujt pararendës, u rrit prodhimi bujqësor e blegtoral për treg, dhe lidhur me këtë, qytetet shqiptare njohën një zhvillim mjaft të shpejtë. Ato u bënë tregje të rëndësishme në radhë të parë për artikujt e bujqësisë e në mënyrë më të kufizuar për prodhimet e esnafeve vendase. Sfera e veprimtarisë së këtyre qyteteve u shtri përtej tokave shqiptare, duke zhvilluar një tregti mjaft të gjallë tranzite midis viseve perëndimore e qendrore të Gadishullit Ballkanik dhe Evropës. Lidhjet që u krijuan çuan në forcimin e dy tregjeve me rëndësi ndërkrahinore që patën si bosht dy qytetet kryesore, Shkodrën dhe Janinën. Formimi i këtyre tregjeve ishte një hap i rëndësishëm përpara drejt bashkimit ekonomik të vendit. Këtu filloi të

PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

Embed Size (px)

Citation preview

Page 1: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE (1771 - 1831)

Vështrim i përgjithshëm i periudhësSi në të gjithë Perandorinë Osmane, edhe në tokat shqiptare, gjatë shek. XVIII e sidomos në gjysmën e dytë të tij, filloi të mbizotëronte një situatë e re, e cila solli zhvendosje të rëndësishme në raportin e forcave ekonomiko-shoqërore dhe politike të vendit.Në jetën ekonomike mori përhapje të mëtejshme ekonomia e mallrave, vazhdoi të fuqizohej sistemi i çifligjeve si pronë feudale private dhe u thellua diferencimi në gjirin e klasës feudale, u shtypën njëra pas tjetrës kryengritjet fshatare, të gërshetuara me rebelimin e feudalëve ushtarakë të rënë ekonomikisht, dhe filloi afrimi i feudalëve qeveritarë me krerët ushtarakë malësorë. Lufta e familjeve çifligare më të fuqishme për të marrë e për të mbajtur pushtetin, tërhoqi me vete forca të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kjo luftë e acaroi për disa dhjetëvjeçarë gjendjen anarkike në të gjithë vendin, por edhe i dha fund asaj për të filluar një fazë të re zhvillimi në lëmin ekonomik e kulturor dhe në atë shoqëror e politik.Në gjysmën e dytë të shek. XVIII në tokat shqiptare pati një zhvillim më të madh ekonomik e kulturor në krahasim me shekujt pararendës, u rrit prodhimi bujqësor e blegtoral për treg, dhe lidhur me këtë, qytetet shqiptare njohën një zhvillim mjaft të shpejtë. Ato u bënë tregje të rëndësishme në radhë të parë për artikujt e bujqësisë e në mënyrë më të kufizuar për prodhimet e esnafeve vendase. Sfera e veprimtarisë së këtyre qyteteve u shtri përtej tokave shqiptare, duke zhvilluar një tregti mjaft të gjallë tranzite midis viseve perëndimore e qendrore të Gadishullit Ballkanik dhe Evropës.Lidhjet që u krijuan çuan në forcimin e dy tregjeve me rëndësi ndërkrahinore që patën si bosht dy qytetet kryesore, Shkodrën dhe Janinën. Formimi i këtyre tregjeve ishte një hap i rëndësishëm përpara drejt bashkimit ekonomik të vendit. Këtu filloi të vepronte një shtresë e re shoqërore që po zhvillohej në qytete, borgjezia tregtare shqiptare.Por lidhjet me sferën e veprimit të këtyre tregjeve ishin ende të dobëta, ato hasnin në vështirësitë dhe pengesat që krijonte sistemi i timarit me mjedisin e vet feudal rrethues, i cili nuk lejonte shkrirjen e tyre në një treg të vetëm kombëtar. Borgjezia tregtare ishte e dobët në numër dhe e varur nga përfaqësuesit e parisë së vjetër feudale, që kishte në dorë pushtetin politik.Ndryshimet që u kryen në planin ekonomik, sollën pasoja të rëndësishme edhe në fushën shoqërore e politike, që u pasqyruan në fuqizimin e pronarëve të mëdhenj çifligarë vendas, në kurriz të pushtetit qendror, i cili pa ata nuk ishte në gjendje të ushtronte sundimin e vet mbi provincat. Këto familje të mëdha feudale, oxhaqet, bashkuan me pushtetin ekonomik edhe atë vendor, vendosën sundimin e tyre në vend, të cilin e bënë në fakt të trashëgueshëm.Të interesuar në fillim për të mos ndarë më me osmanët pushtetin ekonomik të vendit, ku kishin zotërimet e veta, oxhaqet shqiptare u drejtuan më në fund edhe kundër pushtetit qendror dhe përpjekjeve të tij për të mbajtur ende në këmbë sistemin e vjetër feudal ushtarak

Page 2: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

të timareve dhe për të ushtruar, nëpërmjet funksionarëve të dërguar nga qendra, pushtetin e vet në tokat shqiptare.Edhe pse ishte e lidhur me interesat e feudalëve të mëdhenj çifligarë, lindja e këtyre pashallëqeve, objektivisht, u përgjigjej edhe interesave të shtresave të reja shoqërore, elementëve të borgjezisë tregtare. Këta kishin nevojë për krijimin e një pushteti të fortë në vend, që të ishte në gjendje t’i vinte fre anarkisë, gjë që s’e bënte më pushteti qendror osman, dhe për krijimin e uniteteve politike më të mëdha se sanxhakët, tek të cilët shihnin jo vetëm një zgjerim të tregut të brendshëm, por edhe një përpjekje për të shkëputur trevat shqiptare, të Veriut e të Jugut nga kontrolli i administratës osmane. Në këta faktorë i kishte rrënjët formimi e fuqizimi i pashallëqeve shqiptare gjysmë të pavarura të Shkodrës e të Janinës në gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX.Pashallëqet shqiptare të shek. XVIII - fillimi i shek. XIX, shënuan një hap të parë drejt bashkimit politik të vendit, siç ishte arritur deri diku deri në shek. XIV. Por, të ngritur mbi themele ekonomike ende jo të shëndosha, kur mungonte uniteti në gjirin e klasës feudale shqiptare dhe, të ndodhur në kushte jo të favorshme ndërkombëtare, këto pashallëqe nuk mundën të bënin hapin vendimtar të shkëputeshin vetë nga varësia e Stambollit dhe të shkëpusnin edhe Shqipërinë nga sundimi i Perandorisë Osmane.Krahas këtyre ndryshimeve, shek. XVIII shënoi dukuri të reja me interes edhe në fushën e kulturës. U zhvillua më tej kultura popullore, sidomos poezia, që kishte arritur vlera artistike me poezinë epike. Qytetet u pajisën me ndërtesa monumentale, civile dhe të kultit, kurse në ambientin e kishës ortodokse piktura murale shënoi një lulëzim të ri me elementë realistë. Në qytete zhvillohej një tip i ri letërsie në gjuhën amtare, e cila në krahasim me letërsinë e mëparshme kishtare, merrte tani karakter kryesisht didaktik, përmbante elemente laike e realiste. Krijohet një shtypshkronjë, rritet numri i librave të botuar në gjuhën shqipe dhe numri i shkollave, ku veprojnë tashmë mësues të ditur laikë, të cilët përçojnë deri diku ndikimin e racionalizmit evropian.Shtypja me armë e këtyre pashallëqeve nga ana e pushtetit qendror osman e acaroi më tej konfliktin e sundimtarëve osmanë me popullin shqiptar. Për të realizuar politikën e tij centralizuese në Shqipëri, pushteti sulltanor shtypi qëndresën e shtresës drejtuese vendase, e cila nuk donte të hiqte dorë nga pozitat e veta në administrimin e vendit. Zbatimi i kësaj politike centralizuese, që u quajt “pushtimi i dytë osman i vendit”, e vuri Stambollin përballë lëvizjeve popullore, të cilat u ndërthurën me ato të krerëve feudalë. Këto lëvizje çuan në vitet 30 të shek. XIX, në një varg kryengritjesh të tjera kundër sundimit osman, të cilat, krahas faktorëve ideologjik, kulturor dhe politik, përgatitën truallin për zhvillimin e lëvizjes kombëtare të epokës së Rilindjes në Shqipëri. Në periudhën e sundimit të sistemit feudal ushtarak osman, me gjithë kushtet e vështira në të cilat ndodhej Shqipëria, u përgatitën një varg elementesh të reja ekonomike, shoqërore,

Page 3: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

politike e kulturore, që krijuan premisat për kalimin në një periudhë historike me përmbajtje të re, të Rilindjes Kombëtare.

1. PASHALLËKU I SHKODRËS NËN SUNDIMIN E BUSHATLLINJVE.

Formimi i Pashallëkut të Shkodrës Nën qeverisjen energjike të Mehmet Pashës, i cili nuk la pa përdorur edhe pushtetin e vet në dobi të përforcimit të lidhjeve ekonomike të Shkodrës me krahinat e tjera, tregtarët vendas arritën të vinin në duart e tyre, me përjashtim të duhanit, gjithë tregtinë që kryenin venedikasit në bregdetin shqiptar dhe ta detyronin kapitalin venedikas të rriste kreditin në favor të tregtarëve shqiptarë, në mënyrë që mallrat e tyre të mos kalonin në skelat e tjera të Adriatikut e veçanërisht në Trieste. Por edhe këtu sa vinte e po shtohej numri i agjencive tregtare shqiptare.Lidhjet e tregut të Shkodrës me krahinat e tjera nuk mund të kryheshin pa pengesa e rreziqe. Dihet se skelat e rrugët tregtare gjendeshin në sanxhakët fqinjë, ku rivaliteti i grupeve të ndryshme feudale për çështjen e pushtetit dhe të sipërmarrjeve të taksave, i kishte bërë këta sanxhakë fole grindjesh të vazhdueshme dhe njëkohësisht qendra të rrezikshme edhe për vetë pushtetin e Bushatllinjve në sanxhakun e Shkodrës. Kështu, bejlerët e Lezhës, që sundonin në fushën e Zadrimës, bënin pjesë në tarafin e rivalëve kryesorë të Bushatllinjve, të Begollajve të Pejës, dhe gëzonin përkrahjen luftarake të forcave mirditore të komanduara nga Gjon Marku; Toptanët e Krujës ishin lidhur me Çaushollajt e arratisur dhe kërcënonin aleatët e Bushatlliut; në gjirin e familjes së Alltunëve të Kavajës, të cilët ishin sipërmarrës të dytë të skelës së Durrësit, kishte hyrë një grindje për punë të kësaj sipërmarrjeje. Një gjendje e tillë kërkonte medoemos vendosjen e një pushteti të vetëm mbi këto krahina. Mehmet pashë Bushatlliu nuk ngurroi t’i hynte kësaj detyre me energji e zgjuarsi në kohën e luftës ruse-osmane të viteve 1768-1774.Pasi mori pjesë me të gjitha forcat e sanxhakut në luftën kundër Malit të Zi më 1768, ai dërgoi nën komandën e djalit të madh, Mustafa Beut, një repart të fortë luftëtarësh në frontin rus në mars të vitit 1769, ndërsa një repart tjetër nën komandën e djalit të dytë, Mahmut Beut, mori pjesë në shtypjen e një kryengritjeje në More më 1770. Kështu ai mundi të fitonte besimin e Vezirit të Madh osman. Ky, pasi dënoi me vdekje Kahreman pashë Begollin e Pejës për rebelizëm dhe shpërdorim financiar, i dha Mehmet pashë Bushatlliut qeverisjen e sanxhakut të Dukagjinit dhe, nga ana tjetër, e gradoi Mustafa Beun pashë për një akt trimërie në luftë. Duke marrë zemër nga këto ofiqe, Mehmet Pasha u vërsul kundër krerëve kundërshtarë të Lezhës, të cilët i vari dhe mori në zotërim Zadrimën. Në të njëjtën kohë ai ndërhyri në Tiranë. Kështu bëri hapin e parë drejt vendosjes së pushtetit të vet mbi këto zona, që bënin pjesë në tregun ndërkrahinor të Shkodrës.Në vitin 1771 Mehmet Pasha bëri hapin e dytë që do të shpinte në formimin e Pashallëkut të

Page 4: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

madh të Shkodrës. Pas disfatës së flotës osmane në betejën detare të Çesmës në Detin e Zi, ai i kërkoi Portës së Lartë komandën e një armate detare, të cilën u zotua ta krijonte me forcat e veta për mbrojtjen kundër rusëve në det dhe kundër aleatëve të tyre, malazezëve, në tokë. “Për faktin se rrethanat dhe gjendja e tanishme kërkojnë vendosjen e një personaliteti të fuqishëm në krye të punës, në atë të frontit, - thuhet në dekretin përkatës të emërimit të tij si vezir, - doli urdhri i lartë mbretëror që Mehmet Pashës t’i jepet posti e grada e lartë e vezirit..., dhe të birit të tij, Mahmudit, t’i jepet sanxhaku i Shkodrës me titullin mirimiran, ndërsa djalit tjetër t’i jepet një sanxhak sikurse Elbasani”. Grada e vezirit u shoqërua me shtrirjen e kontrollit të vezirit shkodran edhe në sanxhakun e Ohrit. Për këtë ngjarje, konsulli venedikas i Durrësit njoftonte qeverinë e vet në fillim të vitit 1772, se Mehmet Pasha u bë aq i fuqishëm, sa “prej kufijve venedikas gjer nën Manastir komandon absolutisht dhe e druajnë të gjithë”.Kështu u zgjerua pushteti i Bushatllinjve mbi trojet e katër sanxhakëve, atje ku shtrihej më e fortë rrezja e veprimit të tregut ndërkrahinor të Shkodrës. I përbërë nga sanxhakët e Shkodrës, të Dukagjinit, të Ohrit dhe të Elbasanit, qysh në vitin 1771 u krijua kështu një formacion politik i bashkuar në dorën e një pashai të fuqishëm shqiptar, Pashallëku i madh i Shkodrës.Skela e Durrësit kishte një rëndësi po aq të madhe për tregtinë e Pashallëkut të Shkodrës sa edhe skela e Shkodrës. Mirëpo oxhaqet e Alltunëve të Kavajës dhe të Toptanëve të Krujës ishin bërë pengesë e madhe për vendosjen e rregullit dhe të qetësisë në këtë zonë të varur drejtpërdrejt nga veziri i Shkodrës. Toptanët kishin mbyllur rrugët tokësore për tregtarët shkodranë. Për më tepër, këta tregtarë si dhe lundërtarët ulqinakë nuk gjenin në skelën e Durrësit mbrojtjen e duhur. Tarafët e tabakëve dhe të terzinjve, si dhe, në radhë të parë, tregtarët e Shkodrës kërkonin me çdo kusht, bashkë me lundërtarët e Ulqinit, përmirësimin e gjendjes së krijuar në zonën Durrës-Kavajë-Krujë.Për zgjidhjen e kësaj çështjeje urgjente e me shumë rëndësi veziri i Shkodrës bëri për vete Alltunët nga Kavaja dhe u detyrua të pajtohej me Toptanët e Krujës. Kështu u hapën rrugët tregtare dhe zona e skelës së Durrësit u fut nën ndikimin e pushtetit të Shkodrës.Ndërkohë Mehmet Pasha, sipas premtimit të tij, kishte marrë urdhër nga Porta për të dërguar në luftë me rusët një armatë detare dhe një ushtri tokësore. Por në vend të tridhjetë anijeve të mëdha me gjashtë mijë detarë, veziri përgatiti vetëm një të tretën. Edhe këtë fuqi, që e armatosi keq, e vonoi dhe e nisi në shtator 1772 nën komandën e të birit, Mustafa Pashës, vetëm kur midis palëve ndërluftuese ishte arritur një armëpushim. Po kështu ai i ktheu në Stamboll me duar zbrazur të dërguarit e sulltanit, të cilët kishin ardhur në Shkodër për të dërguar ushtrinë tokësore në frontin rus. Veziri nxori si shkak për këtë rritjen e rrezikut malazias, sepse prijësi i Malit të Zi, agjenti rus i quajtur Stefani i Vogël, po kërcënonte Podgoricën.Në këtë mënyrë veziri Bushatlli i shkeli urdhrat perandorakë dhe zotimin e tij lidhur me luftën për të rregulluar punët e veta. Që të siguronte kufirin verior nga sulmet e kuçasve mbi fushën e Podgoricës dhe që të pengonte bashkimin e tyre me Malin e Zi, Mehmet Pasha u propozoi atyre

Page 5: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

të largoheshin me të mirë nga malet ku jetonin dhe të zgjidhnin brenda pashallëkut një truall tjetër për banim. Kur ky propozim nuk u pranua prej kuçasve, ushtria shkodrane hyri në muajin maj 1774 në Kuç dhe shkaktoi dëme të mëdha me qëllim që ta bënte të pabanueshëm, por edhe pas kësaj ekspedite kuçasit nuk iu nënshtruan.Pas nënshkrimit të traktatit të paqes së Kyçyk Kajnarxhes, Porta e Lartë, e çliruar nga barra e luftës, e drejtoi vëmendjen nga Pashallëku i Shkodrës, kreu i të cilit po bëhej tepër i fuqishëm dhe i rrezikshëm. Mjeti më i mirë për ta neutralizuar ishte ndezja e armiqësisë me oxhaqet më të fuqishme kundërshtare.Mehmet pashë Bushatlliu, duke ofruar 9 000 qese groshë për të marrë në sipërmarrje haset e sulltanit në Myzeqe, kishte dalë si rivali kryesor i Ahmet Kurt pashës së Beratit. Kurse ky ishte rival i Bushatlliut në sipërmarrjen e taksave të skelës së Durrësit dhe për komandën e zonës që përfshinte kjo sipërmarrje, e cila shtrihej gjer në afërsi të Lezhës.Megjithëse veziri i Shkodrës paraqiti një ofertë më të madhe, motra e sulltanit, që e administronte dhe merrte të ardhurat e kësaj skele si sipërmarrëse e parë, pranoi ofertën e sundimtarit të Beratit. Mehmet pashë Bushatlliu vendosi të mos bindej. Kur Ahmet Kurt pasha, në prill të vitit 1775, hyri me 12 000 ushtarë në maliqanenë e Durrësit, veziri i Shkodrës dërgoi kundër tij ushtrinë shkodrane të komanduar nga dy bijtë e vet. Me këtë veprim filloi hapur konflikti me Stambollin dhe me veglën e tij, Ahmet Kurt pashën.Më 14 korrik 1775 vdiq veziri plak i Shkodrës. Porta e Lartë emëroi në vendin e tij një besnik të saj, vezirin Mehmet pashë Kystendilin, dhe urdhëroi Ahmet Kurt pashën të hynte në zonën e Durrësit. Mirëpo ky vendim nuk përputhej me interesat e Bushatllinjve dhe të ajanëve aleatë të tyre në atë zonë. Aq më pak ai nuk pajtohej me interesat e tregtarëve shkodranë, të lundërtarëve ulqinakë si dhe të tregtarëve të tjerë të Veriut të Shqipërisë, që do të humbisnin përkrahjen e Bushatllinjve dhe monopolin e tregtisë së vendit.Në kundërshtim me pushtetin qendror, ajanët shkodranë e fqinjë të grumbulluar në Shkodër u betuan të mos i bindeshin vezirit nga Kystendili dhe vendosën ta ndalnin me luftë hyrjen e Ahmet Kurt pashës në zonën e Durrësit. Ata zgjodhën Mustafa pashë Bushatlliun për komandant të ushtrisë shkodrane.Më 12 shtator të vitit 1775 kjo ushtri prej 14 000 vetash u ndesh me forcat e Ahmet Kurt pashës në afërsitë e Peqinit, por u thye keqas duke humbur 4 000-5 000 veta, ndër të cilët ishte edhe kreu ushtarak mirditas Gjon Marku me 60 veta.Pas kësaj disfate Porta e Lartë vendosi t’i shfaroste Bushtallinjtë dhe të nënshtronte përkrahësit e tyre. Për këtë qëllim ajo organizoi dy ekspedita ndëshkimore kundër tyre, duke ngritur më këmbë oxhaqet kundërshtare të Bushatllinjve, të cilat i vuri nën komandën e vezirit, Mehmet pashë Kystendilit. Në këto ekspedita morën pjesë Ahmet Kurt pasha, Çaushollajt, Toptanët dhe agallarët e Ishmit. Ndërsa ekspedita e parë pësoi disfatë, e dyta nuk u realizua gjer në fund, sepse paria shkodrane i mbeti besnike Bushatllinjve. Porta e Lartë, pasi kishte shpallur luftën me Persinë, pranoi t’i falte rebelët shkodranë duke e kufizuar pushtetin e tyre vetëm në

Page 6: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

sanxhakun e Shkodrës dhe duke i detyruar ata të paguanin një dëmshpërblim prej 2 000 qesesh.Pashallëku i Shkodrës u gjymtua rëndë, por vetëm përkohësisht. Ndërkaq mbetën shkaqet ekonomike e shoqërore që kërkonin një pushtet vendor të fortë e të përqendruar.

PASHALLËKU I SHKODRËS NË VITET 1797-1812

Pashallëku i Shkodrës nën qeverisjen e Ibrahim pashë Bushatlliut (1797-1809)Ndërsa po fuqizohej e zgjerohej Pashallëku i Janinës dhe po theksoheshin prirjet e sundimtarit të tij për t’u shkëputur nga varësia e Portës, Pashallëku i Shkodrës, hyri në vitet e fundit të shek. XVIII, kur qeverisej nga Ibrahim pashë Bushatlliu, në rrugën e bindjes ndaj Stambollit. Këtë veprim e bëri me kusht që interesat e shtresës së tij dhe sidomos trashëgimia e pushtetit nga familja e tij të mos cenoheshin. Si përfaqësues i grupit më të fuqishëm feudal në Shkodër, ai u njoh prej sulltanit në maj ose në qershor 1797 si qeveritar i Pashallëkut të Shkodrës me gradën bejlerbej, kurse i nipi Mehmet Pasha u emërua qeveritar i sanxhakut të Elbasanit e, pak më vonë, edhe i atij të Ohrit. Por kjo njohje u arrit vetëm pasi ata pranuan shlyerjen e shumave të detyrimeve të prapambetura nga Kara Mahmudi, i cili i kishte përdorur ato për të financuar kryengritjen. Porta e Lartë u besoi atyre pushtetin si pjesëtarë të së vetmes familje që mund të ngrinte shqiptarët e Veriut për mbrojtjen e kufijve në një kohë kur armata franceze, e komanduar prej gjeneral Napoleon Bonapartit, po korrte fitore pas fitoresh, po i jepte fund Republikës së Venedikut dhe po u afrohej kufijve veriperëndimorë të Perandorisë Osmane.Për ta përdorur në mbrojtjen e kufijve të perandorisë dhe kundër fuqizimit të Pashallëkut të Janinës, Porta e Lartë i dha Ibrahim Pashës gradën e vezirit më 1799, kur këtë gradë ia dha edhe Ali pashë Tepelenës, që kishte mbajtur qëndrim të vendosur kundër rrezikut francez.Ky rrezik, që e detyroi sulltanin të harronte të kaluarën e shtëpisë së Bushtallinjve, e detyroi edhe Ibrahim Pashën të ndiqte një politikë bindjeje ndaj Stambollit për të gjetur përkrahjen që i nevojitej. Veziri Bushatlli, ashtu si paraardhësit e tij, nuk e ndërpreu kursin e politikës së brendshme të ndjekur prej tyre dhe sidomos politikën e tolerancës fetare ndaj të krishterëve. Për rrjedhim, ai i ruajti marrëdhëniet e vjetra me Papatin, me oborrin e Spanjës dhe vazhdoi me Austrinë marrëdhëniet e mira ekonomike që kishte pasur me Venedikun. Ish zëvendëskonsulli venedikas, tani austriak, Jak Mark Suma, vazhdoi funksionin që kishte pasur deri në traktatin e Kampo Formios. Po kështu u soll Ibrahim Pasha edhe me Republikën e Raguzës.Në sajë të kësaj politike të brendshme e të jashtme, Pashallëku i Shkodrës njohu për disa vjet një periudhë relativisht të qetë, që i dha mundësi zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së mëtejshme të autoritetit të Ibrahim Pashës në Shqipërinë Veriore. Ai u bë sundimtar i pavarur e zot absolut në vendin e tij. Më 1802 vdiq Mehmet Pasha dhe sanxhaku i Elbasanit kaloi në duart e Ali Pashës së Beratit. Megjithëse midis vezirit të Shkodrës e atij të Beratit filluan mosmarrëveshje për punë të këtij sanxhaku, sulltani duke parë te Bushatlliu një nga funksionarët e lartë më të bindur, në tetor 1803 ia besoi atij postin e valiut të Rumelisë, pasi ia

Page 7: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

hoqi atë Ali pashë Tepelenës. Detyrën që iu ngarkua në vitin 1804, për të shfarosur një varg krerësh separatistë në Rumeli, Ibrahim Pasha e përmbushi me sukses.I kënaqur prej valiut shkodran, sulltani jo vetëm ia konfirmoi ofiqet dhe sipërmarrjet që kishte pasur, por i dha atij edhe të drejtën të emëronte në sanxhakun e Elbasanit dhe të Dukagjinit njerëzit që dëshironte vetë. Bushatlliu emëroi në Elbasan dhëndrin e vet Ahmet pashë Tiranën, kurse në Pejë ithtarin e vet Mustafa pashë Gjakovën. Kështu Pashallëku i Shkodrës arriti përpjesëtimet tokësore që kishte pasur në kulmin e sukseseve të vezirëve Bushatllinj paraardhës.Mirëpo ky përforcim i pushtetit të Ibrahim Pashës së Shkodrës zgjoi shqetësimin e Ali pashë Tepelenës, i cili u tremb se mos valiu shkodran do të shtinte në dorë edhe 14 kazatë që ai kishte shkëputur nga sanxhaku i Manastirit, të cilat i përkisnin Bushatlliut si vali. Kjo e shtyu Alinë të pajtohej me vezirin e Beratit dhe të përgatitej për luftë kundër Bushatlliut. Ishte koha kur kishte shpërthyer kryengritja serbe dhe malazezët, të nxitur dhe prej rusëve, filluan trazira në kufi. Ibrahim pashë Bushatlliu ndërmori një ekspeditë kundër Malit të Zi, me anë të së cilës shkëputi prej tij krahinat e Kuçit, të Piprit dhe të Kelmendit, mirëpo nuk i eci puna mbarë ndaj dy vezirëve toskë që korrën fitore kundër trupave të tij në Ohër e në Elbasan. Kjo grindje mund të shndërrohej në një luftë të madhe po të mos ndërhynte Porta për fashitjen e saj.Në dhjetor 1805 Selimi III e konfirmoi përsëri Bushtalliun në postin e valiut të Rumelisë edhe për vitin 1806. Një nga detyrat më me rëndësi që i ngarkoi Porta Bushatlliut ishte shtypja e kryengritjes serbe. Në korrik 1806 bashkë me vezirët e Bosnjës dhe të Vidinit ai ndërhyri me forcat e tij kundër kryengritjes në Serbi. Serbët kërkuan pezullimin e luftimeve. Porta e Lartë, që nuk deshi të hynte në luftë me Rusinë ku e shtynte Franca, pranoi. Ibrahim Pasha, i cili prishi marrëdhëniet e veta me mirditasit duke vrarë prijësin e tyre, u largua para kohe duke paraqitur pretekste të ndryshme, si mungesë furnizimi etj. Kronika shkodrane thotë se “kthej pa fare dobijet në Shkodër”. Porta e Lartë e shkarkoi nga detyra e valiut të Rumelisë, edhe nga ajo e kryekomandantit ushtarak të ekspeditës kundër Serbisë.Ndërkohë francezët kishin pushtuar Dalmacinë dhe kishin mbërritur deri në kufijtë e Pashallëkut të Shkodrës. Qeveria franceze dërgoi në Shkodër, ashtu siç kishte dërguar në Janinë, përfaqësuesin e vet, konsullin Mark Bryer, me mision të lidhte e të forconte marrëdhëniet miqësore. Bushatlliu u druhej fqinjëve të rinj të fuqishëm, prandaj mbajti ndaj tyre qëndrim të rezervuar e korrekt dhe nuk pranoi të merrte anën e tyre as përpara dhe as gjatë luftës ruso-turke që filloi në mbarim të vitit 1806. Jo vetëm nuk pranoi të bashkëpunonte me gjeneralët francezë kundër Malit të Zi, por as të rekrutonte ushtarë me rrogë në pashallëkun e tij. Ai shfaqi dëshirën të vendoste marrëdhënie miqësore në interes të të dy palëve, gjë që e miratoi edhe qeveria franceze. Mirëpo këto marrëdhënie hasën në pengesa të shumta si nga korsarët francezë që kapnin anijet shkodrane, ashtu dhe nga aparati administrativ burokratik francez, drejtuesit e të cilit kërkonin të nxirrnin përfitime për veten e tyre.

Page 8: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

Traktati i Tilsitit (më 1807) i dha fund konfliktit franko-rus dhe ngjalli shpresa se paqja do të krijonte kushte për zhvillimin më të mirë të marrëdhënieve tregtare me vendet e tjera. Ibrahim pashë Bushatlliu si çifligar i madh, si pjesëmarrës në veprimtarinë tregtare e lundrimore dhe si qeveritar i një qyteti të madh tregtar si Shkodra, shumica e banorëve të së cilës jetonin me tregti, i përmirësoi marrëdhëniet me konsullin Bryer dhe lejoi disa favore në dobi të fqinjëve lidhur me furnizimin me ushqime e me lëndë druri. Por mosbesimi që kishte ndaj francezëve mbeti. Duke përfituar nga përvoja e hidhur e miqësisë së Ali pashë Tepelenës me ta, ai filloi ta shihte miqësinë me Perandorinë Franceze si rrezik të afërt për pushtimin e Shqipërisë, aq më shumë kur edhe Porta e Lartë deklaronte se në Tilsit ishin marrë vendime sekrete kundër Perandorisë Osmane dhe se ndërmjetësimi i Francës për rivendosjen e paqes me Rusinë ishte i rremë. Prandaj, edhe sipas udhëzimeve të Stambollit, ai filloi përgatitjen për mbrojtje dhe, në të njëjtën kohë, u afrua me vezirët e Beratit dhe të Janinës për lidhje ushtarake si e vetmja rrugë për mbrojtjen e pushtetit të tyre dhe të gjithë vendit. Ultimatumi që guvernatori francez i Korfuzit i dërgoi Ali pashë Tepelenës për t’i dorëzuar Butrintin se ndryshe do ta pushtonte me forcë, si dhe kërkesa e autoriteteve ushtarake franceze për të kaluar një divizion ushtarësh nëpër tokën shqiptare shkaktuan shqetësime në Shqipëri. Në këto rrethana edhe popullsia e Shqipërisë Veriore, sikurse ajo e pjesëve të tjera të Shqipërisë, bashkë me krerët e saj, shfaqi zemërim ndaj fqinjit të huaj dhe u rreshtua rreth vezirit të vet, e gatshme për të mbrojtur vendin. Konsulli Bryer shkruante në këtë kohë se “kokat e njerëzve ishin nxehur më shumë sesa kujtonte veziri i Shkodrës”. Bushatlliu, ndonëse nuk i reshti masat mbrojtëse dhe njoftoi edhe krerët e malësive të ishin gati për luftë, nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet diplomatike për të ruajtur marrëdhëniet paqësore me Francën. I ndërgjegjshëm për pasojat shumë të rënda që do të sillte një luftë me Francën, ai i deklaroi konsullit Bryer se në një rast të tillë, më shumë se kushdo tjetër ishte ai dhe vendi i tij që do të pësonin po të prisheshin marrëdhëniet paqësore, por, në qoftë se lufta do të bëhej e pashmangshme, ai do të kryente detyrën e vet.Përpjekjet e Ibrahim Pashës për të mos provokuar konfliktin e armatosur dhe për të ruajtur gjendjen paqësore dështuan. Vrasja e katër ushtarakëve francezë në Tivar më 13 mars 1808, që erdhi si pasojë e sjelljes së tyre arrogante dhe e urrejtjes së tivarasve ndaj tyre, solli rrjedhime të rënda në marrëdhëniet fqinjësore.Megjithëse hetimet nxorën në dritë fajësinë e katër oficerëve francezë dhe me gjithë kujdesin e veçantë të vezirit të Shkodrës e të vartësve të tij, në Tivar për të mënjanuar incidentin, kryekomandanti i ushtrisë së Dalmacisë, gjenerali Marmon e akuzoi Ibrahim Pashën te perandori Napoleon si shkaktar të vrasjes së katër oficerëve dhe i kërkoi dënimin e komandantit të Tivarit e të personave të tjerë pjesëmarrës në këtë vrasje. Në të njëjtën kohë, gjenerali Marmon burgosi të dërguarin e vezirit të Shkodrës, që 11 ditë më parë i kishte shpënë dhurata në shenjë miqësie.Napoleon Bonaparti kërkoi të ndëshkoheshin shkaktarët e vrasjes së oficerëve francezë në Tivar, urdhëroi që të kërkohej sadisfaksioni i plotë, ndryshe konsulli Bryer do të largohej nga

Page 9: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

Pashallëku i Shkodrës me gjithë shtetasit francezë që gjendeshin aty. Edhe ky urdhër kishte karakterin e një ultimatumi. Por, ashtu siç dështoi ultimatumi për pushtimin me forcë të Butrintit, dështoi edhe ky. Sa për sy e faqe Ibrahim Pasha, i përkrahur nga vezirët e Beratit e të Janinës, si dhe nga Porta e Lartë, e pushoi nga detyra komandantin e Tivarit dhe e goditi këtë qytet. Kurse francezët, që nuk kishin interes t’i prishnin marrëdhëniet diplomatike me Portën e Lartë dhe që kishin nevojë për furnizime me ushqime, nuk e zgjatën më tej çështjen e sadisfaksionit. Si përfundim, marrëdhëniet tregtare u normalizuan, por ngjarje të rëndësishme në pashallëk e zhvendosën vëmendjen e Ibrahim Pashës nga politika e jashtme në atë të brendshme.Ndërsa filluan të normalizoheshin marrëdhëniet fqinjësore me francezët dhe të gjallëroheshin shkëmbimet tregtare, që përbënin një nga preokupimet kryesore të shkodranëve, në Tiranë lindi një konflikt i rëndësishëm brenda pashallëkut që solli rrjedhime serioze me karakter politik dhe ekonomik në Shqipërinë e Veriut dhe shënoi fillimin e procesit të shpërbërjes së Pashallëkut të Shkodrës.Vdekja e Ahmet pashë Tiranës që ndodhi në këtë kohë, shtroi për Ibrahim pashë Bushatlliun dy çështje me rëndësi: së pari, zëvendësimin e tij me një komandant besnik në krahinën e Tiranës, dhe së dyti, sigurimin e administrimit të pasurisë së dhëndrit të vdekur, e cila u përkiste vajzave të mitura që la pas. Për këtë ai shkoi vetë në Tiranë i shoqëruar nga një forcë e rëndësishme ushtarake. Për komandant vendosi Sulejman pashë Peqinin, megjithëse paria e Tiranës nuk e deshi, kurse për administrator caktoi të bijën, Humajun hanëmin, nënën e vajzave trashëgimtare.Pas largimit të vezirit shkodran, paria e Tiranës ngriti krye më 19 nëntor 1808. E lidhur me Kapllan pashë Toptanin, ajo dëboi me forcë Sulejman Pashën, kurse Kapllan Pasha nisi për në Shkodër Humajun hanëmin dhe mori vetë në dorë administrimin e pasurisë së Ahmet Pashës së vdekur, duke u bërë kujdestari i vajzave të tij. Kështu filloi armiqësia e vjetër e Bushatllinjve me Toptanët, të cilët jo vetëm prenë rrugën me Shkodrën, por rrethuan edhe Durrësin, të cilit i mbetën hapur vetëm rrugët detare për të komunikuar me Shkodrën.Zgjidhja e këtij konflikti shumë të rëndësishëm nuk mund të arrihej veçse me forcën e armëve. Në muajin shkurt 1809, veziri Bushatlli dërgoi kundër Tiranës një pjesë të rëndësishme të ushtrisë, të përbërë kryesisht prej malësorësh, nën drejtimin e komandantit të gardës së vet, Abdyl agë Dervishit. Por zgjidhja që kërkoi të arrinte Ibrahim Pasha nuk u arrit, sepse pas një sëmundjeje prej pesë ditësh ai vdiq dhe ushtria u kthye në Shkodër për të vendosur rendin. Kështu krahinat e Tiranës dhe të Krujës mbetën të shkëputura nga Pashallëku i Shkodrës. Kjo shënoi fillimin e procesit të shthurjes së këtij pashallëku. Ibrahim Pasha la pas dy djem të rritur, Tahir Pashën dhe Dervish Beun. Porta e Lartë ia la pushtetin Tahir Pashës, por meqenëse ai ishte i mitur (nuk kishte mbushur as pesë vjeç) lindi grindja në gjirin e oborrit të Shkodrës për çështjen e qeverisjes, që hapi rrugë për një thellim të mëtejshëm të procesit të thërmimit të pashallëkut të Shqipërisë Veriore.

Page 10: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

Megjithëse gjatë viteve 1796-1809 vezir Ibrahim pashë Bushatlliu u tregua më i bindur ndaj Portës së Lartë sesa paraardhësi i tij Kara Mahmudi, në të vërtetë ishte po aq i pabindur sa edhe i vëllai. Parimi i përparësisë së interesave të pashallëkut të vet ndaj atyre të perandorisë mbeti edhe për të princip udhëheqës i marrëdhënieve me pushtetin qendror. Ky qëndrim i dha atij mundësinë që jo vetëm të mbetej në radhën e parë të feudalëve të krahinave, që faktikisht ishin autonomë, por edhe të shtrinte pushtetin e familjes së vet në kufijtë maksimalë që kishte arritur Pashallëku i Shkodrës në periudhën më të lulëzuar të të atit dhe të vëllait të vet.Kur konflikti i madh evropian mbërriti në kufijtë veriperëndimorë të Perandorisë Osmane dhe kur i gjithë vendi, e sidomos Shqipëria e Veriut u gjend në vijën e parë të rrezikut të pushtimit që sillte me vete ky konflikt, Pashallëku i Shkodrës mundi t’i përballonte pa pasoja të rënda politike dhe ekonomike synimet grabitqare të shteteve të fuqishme ruse e franceze. Për rrjedhim, veprimtaria ekonomike e brendshme dhe e jashtme ndoqi një ritëm thuajse normal. Ky ishte fryt i politikës së aleancës ushtarake midis vezirëve e pashallarëve vendas, të cilët, përpara kërcënimit që të humbisnin gjithçka, u detyruan të hiqnin dorë nga rivalitetet e tyre dhe ndihmuan njëri-tjetrin me mjete dhe ushtarë derisa u kapërcye rreziku me tërheqjen e fqinjëve agresorë francezë. Ky bashkëveprim, i mbështetur në ndjenjat patriotike të popullsisë shqiptare që ata qeverisnin, e detyroi edhe Portën e Lartë të hiqte dorë nga premtimet që u kishte dhënë francezëve për të shkelur dhe për të përdorur trojet shqiptare në dobi të luftës së tyre. Ibrahim Pasha, ashtu sikurse Ali pashë Tepelena, mbajti kundrejt rrezikut të jashtëm një qëndrim të mençur e burrëror. Kurse në çështjen e bashkimit të Shqipërisë nën një pushtet të vetëm e të përqendruar politik dhe të shkëputjes së saj nga varësia politike e Portës së Lartë ose për t’u bërë një shtet autonom brenda suazës së Perandorisë Osmane, ai u tregua konservator. Megjithatë, Ibrahim Pasha, në kushtet e ndarjes së Shqipërisë në vezirate dhe pashallëqe, arriti të mbante të bashkuar pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut dhe krijoi kështu kushtet për zhvillimin ekonomik të vendit. Ky nivel ekonomik, shoqëror e kulturor, që u sigurua në Shqipëri, nxiste më shumë prirjen drejt bashkimit politik të vendit. Fillimi i procesit të shthurjes së Pashallëkut të Shkodrës me shkëputjen e krahinave të Tiranës dhe të Krujës nga varësia e vezirit të Shkodrës dhe afrimi e lidhja e tyre me vezirin e Janinës, si dhe kalimi i Shqipërisë së Jugut nën pushtetin e Ali pashë Tepelenës, që eci me ritme të shpejta, sidomos pas vdekjes së Ibrahim pashë Bushatlliut, ishin shprehje të qarta të prirjes së vendit drejt bashkimit politik

2. PASHALLËKU I JANINËS NË VITET 1787-1812

Lufta për pushtet në Shqipërinë JugoreAshtu si në Shqipërinë Veriore, edhe në atë Jugore, anarkia nxiti veprimtarinë politike të familjeve të vjetra feudale, të cilat ishin nga më të fuqishmet. Në sanxhakun e Vlorës familjet

Page 11: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

rivale për pushtetin lokal ishin ajo e pashallarëve të Vlorës dhe dega e tyre, familja e Velabishtajve, që ishte vendosur në fshatin Velabisht, afër Beratit. Që të dyja përpiqeshin të shtinin në dorë jo vetëm pushtetin e sanxhakut të Vlorës, por edhe atë të sanxhakut të Delvinës. Në gjysmën e parë të shek. XVIII më shpesh sunduan pashallarët e Vlorës, por, me lidhjet që krijoi Mahmud pashë Velabishti me feudalët e vegjël të Tepelenës, të Përmetit, të Skraparit etj., edhe ky nuk mbeti pa e marrë pushtetin kohë mbas kohe. Që nga viti 1751 e gjer nga vjeshta e vitit 1759 sanxhakun e Vlorës dhe, shpeshherë, edhe atë të Delvinës, i qeverisi i biri i Mahmud pashë Velabishtit, Ismail Pasha, i cili përkrahej nga një shtëpi tjetër feudale, ajo e Ngurzajve, përfaqësuesit e së cilës ishin nga ajanët kryesorë në Myzeqe. Në vitin 1754 Porta i dha Ismail Pashës gradën e vezirit bashkë me qeverisjen e sanxhakut të Ohrit dhe me komandën e derbendëve. Ajo synonte që, duke bashkuar nën urdhrat e tij sa më shumë forca feudale vendase, të nënshtronte popullsinë e Shqipërisë Jugore, dhe kështu të mund të kryhej vjelja e taksave shtetërore, sepse banorët e disa zonave malore kishin vite të tëra pa paguar taksat.Ismail Pasha, sikurse edhe i ati, përveç lidhjeve me feudalët beratas e myzeqarë, ruajti edhe lidhjet që vazhdimisht kishte pasur familja e tij me feudalët e vegjël të zonave malore, shumica e të cilëve komandonte reparte ushtarësh me rrogë, aq të nevojshëm për të ruajtur grykat dhe rrugët.Më 1758 sulltani urdhëroi vezirin e Beratit të nisej vetë në krye të një ekspedite për të vjelë taksat në sanxhakët e Vlorës dhe të Delvinës dhe “për të nënshtruar rebelët, duke vendosur kështu rendin e qetësinë”, por në të njëjtën kohë, kinse për t’i lënë vezirit duart e lira, e shkarkoi atë nga komanda e derbendëve, që e bënte shumë të fuqishëm dhe të rrezikshëm. Meqë ky urdhër çonte në shkatërrimin e mbështetjes së vezirit të Beratit në zonat malore të dy sanxhakëve dhe u jepte dorë Vlorajve që të bënin për vete malësorët derbendxhinj, Ismail Pasha nuk iu bind atij. Valiu i Rumelisë, më 1759, dërgoi kundër tij zëvendësin e vet. Atëherë Ismail Pasha u arratis bashkë me tre besnikë, ndër të cilët ishte i kunati, Ahmet Kurt beu i Ngurzajve.Meqenëse familja e Vlorajve e përfaqësuesit e Stambollit nuk gjenin mbështetje nga ajanët vendas, Porta e Lartë u detyrua ta falte Ismail Pashën në vjeshtën e vitit 1761 dhe t’i njihte atij privilegjet që gëzonte dy vjet më parë. Edhe ky, meqë nuk ishte në gjendje t’u imponohej feudalëve beratas e myzeqarë, e pranoi faljen. Por Ismail Pasha nuk e la pa shfrytëzuar këtë dobësi të pushtetit qendror për të nënshtruar krahinën e Vlorës bashkë me pinjollët e familjes së Vlorajve, që ishin të mitur dhe nën tutelën e nënës së tyre, të vesë së Kapllan pashë Vlorës, kushëririt të tij. Në fillim të gushtit, Ismail Pasha u nis nga Berati me forcat e veta dhe hyri në qytetin e Vlorës pa luftë. Për t’ia arritur qëllimit, kërkoi dorën e vejushës së të kushëririt. Kjo e la me shpresën se pranonte të martohej me të, por ndërkohë përgatiti kurthin për ta vrarë. Kështu Ismail Pasha u rrethua prej forcave të saj në shtëpinë ku u vendos dhe, në luftim e sipër, u vra.

Page 12: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

Vezir Ismail pashë Velabishtin e zëvendësoi i kunati, Ahmet Kurt pasha, që qeverisi sanxhakun për njëzet vjet rresht. Duke ruajtur pushtetin e vet, ky feudal ndoqi në përgjithësi një politikë bindjeje ndaj Stambollit dhe një politikë paqësore me oxhakun e Vlorajve. Ahmet Kurt pasha si derbend-pashë mbrojti interesat e feudalëve çifligarë dhe ndoqi pa mëshirë feudalët e vegjël, si dhe lëvizjet e tyre rebele kundër qyteteve, mukatave dhe pronave të çifligarëve të mëdhenj. Një nga viktimat e sulmeve grabitqare të tyre, gjatë luftës ruso-turke të viteve 1768-1774, u bë qyteti tregtar i Voskopojës.Edhe në sanxhakët e Delvinës e të Janinës u zhvillua një luftë e gjatë dhe e ashpër për pushtet midis familjeve të mëdha vendase, e cila e futi Shqipërinë Jugore në një anarki të rëndë me rrjedhoja shkatërrimtare, veçanërisht për zhvillimin ekonomik. Kjo gjendje u dha mundësi disa familjeve më të vogla feudale të përfitonin për t’u fuqizuar dhe, duke marrë pjesë në grupet rivale, të krijonin tarafet e veta dhe të pretendonin për marrjen e pushtetit krahinor në duart e tyre. Një nga këto familje u bë ajo e Hysove të Tepelenës, e cila i përkiste shtresës së komandantëve ushtarakë apo të bylykbashëve, d.m.th. shtresës së atyre shtëpive feudale të zonave malore që nuk kishin prona të shumta tokësore. Këto mbaheshin e pasuroheshin kryesisht duke pajtuar e drejtuar njerëz me rrogë në shërbim të forcave të armatosura perandorake dhe të qeveritarëve të sanxhakëve brenda apo jashtë Shqipërisë, ose duke marrë nën mbrojtje fshatra e krahina kundrejt shpërblimesh. Ndryshe nga ç’pretendohet në disa gojëdhëna që i paraqisin me prejardhje anadollake, meqenëse i pari i tyre paska qenë një dervish i arratisur për krime nga rajoni i Anadollit, Hysot vinin nga një shtëpi e vjetër labe, të parët e së cilës kishin qenë të krishterë, por që u islamizuan pas pushtimit osman. Me rrënjë të vjetra në krahinën e Tepelenës, Hysot u dalluan si shtëpi bylykbashësh në fundin e shek. XVII, pikërisht kur Perandoria Osmane filloi të mbushte radhët e forcave të armatosura të saj me ushtarë me pagesë. Përfaqësuesi i saj në mbarim të shek. XVII deri në mesin e dhjetëvjetorit të dytë të shek. XVIII ishte Mustafa agë Hysoja ose Muço Hysoja. Në dokumentacionin e kohës ai përmendet herë si çaush jeniçerësh e herë si dizdar i kështjellës së Tepelenës, por kryesisht përmendet si një aga i pasur e i fuqishëm që ndiqej prej disa qindra trimash luftëtarë. Ai njihej gjithashtu si rebel dhe si një nga krerët e kryengritjes së Labërisë në vitet 1704-1714 për të mos paguar xhizjen, ndërsa djemtë e tij dalin si sipërmarrës të kësaj takse të rëndësishme shtetërore në krahinën e Myzeqesë dhe të Mallakastrës, të cilën mund ta vilnin, sidomos në periudhën e anarkisë feudale, vetëm feudalët më të fuqishëm. Muço Hysoja ishte një nga krerët labë më në zë dhe shtëpia e tij, njëra nga më të shquarat e Labërisë, që kishte filluar të ngjiste shkallët e hierarkisë së lartë administrative dhe të rivalizonte me oxhaqet kryesore të Shqipërisë Jugore në luftën për pushtetin politik. Pjesëmarrja e Myftar bej Hysos si komandant ushtarak me rrogë në luftën veneto-osmane të viteve 1714-1718 dhe vrasja e tij në rrethimin e kështjellës së Korfuzit në vitin 1716 e rritën rolin e të birit, Veli Beut, si pretendent për kreun e sanxhakut të Delvinës. Ky pinjoll i Hysove, që kishte hyrë dhëndër në oxhakun e Mahmud pashë Konicës, arriti të ngrihej në radhët e

Page 13: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

mirmiranëve dhe në mesin e shek. XVIII u emërua qeveritar i sanxhakut të Delvinës me gradën pashë. Por grindjet për pushtet vijuan dhe u acaruan më tej, prandaj Veli pashë Hysoja nuk qëndroi gjatë në pushtet. Pas vdekjes së tij, rivalët mundën të kapnin edhe të venë e tij që e burgosën për disa muaj në qytetin e fortifikuar të Kardhiqit, për ta liruar pastaj kundrejt një shpërblimi e garancish të miqve të shtëpisë së Hysove. Sidoqoftë kjo shtëpi tashmë ishte në radhët e oxhaqeve shqiptare. Nën drejtimin e Ali Beut, djalit të Veli Pashës, ajo do të bëhej shtëpia më e fuqishme e Shqipërisë Jugore dhe e gjithë Shqipërisë.Stërnipi i Muço Hysos dhe djali i Veli Pashës, Ali Beu, nuk e filloi karrierën e tij si hajdut rrugësh, sikurse mëtohet në gojëdhënat që janë pasqyruar në shumicën e literaturës së shkruar për jetën e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), e sidomos për dyzetë vitet e para të jetës së tij. Përkundrazi, ai u rrit e u edukua si të gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ali Beu u arsimua si një bir pashai dhe, duke u ndihmuar nga të afërmit dhe sidomos nga miqtë e shtëpisë së vet, që e kishin lidhur të ardhmen e tyre me atë të kësaj shtëpie të dëgjuar, u vu shpejt në krye të formacioneve ushtarake me pagesë të krahinës së vet aq të kërkuara nga qeveritarët e ndryshëm të sanxhakëve e sidomos nga valiu i Rumelisë. Si i tillë, ai u lidh me krushqi dyfishe me oxhakun feudal të Asllanpashallive të Gjirokastrës më 1768 dhe u bë një nga prijësit ushtarakë më të dëgjuar. Pa arritur moshën 40 vjeç, ai fitoi më 1784 gradën pashë në rreshtat e ushtrisë perandorake të Rumelisë. Po atë vit, për shkak se Selim pashë Koka kishte uzurpuar pushtetin e sanxhakut të Delvinës duke vrarë tre vjet më parë Mustafa Pashën e Delvinës, Porta e Lartë e emëroi mytesarif të këtij sanxhaku. Me këtë rast ai u urdhërua nga sulltani që, pasi të shtinte në dorë pushtetin, të ndëshkonte me vdekje fermanliun Selim pashë Kokën e përkrahësit e tij kryesorë dhe të vilte me forcë xhizjen e papaguar nga krahinat malore. Në krye të një fuqie ushtarake të madhe, me luftë dhe aspak me pabesi, pashai i ri zbatoi urdhrat e Portës së Lartë dhe në fundin e vitit 1784 mori në dorë pushtetin e sanxhakut të Delvinës. Pas të atit ai u bë pashai i dytë i familjes së Hysove që qeverisi këtë sanxhak. Edhe Aliu, që i përkrahu djemtë e Selim Pashës, nuk lejoi t’u konfiskoheshin çifligjet dhe nuk i arrestoi e i burgosi ata, siç pretendojnë, pa asnjë bazë, gojëdhënat, nuk u kufizua vetëm me sundimin në këtë sanxhak. Të ardhurat e atij sanxhaku të vogël nuk mjaftonin për të përballuar shpenzimet e ushtrisë së tij mjaft të madhe, prandaj Aliu synonte të shtinte në dorë sanxhakët më të rëndësishëm. Qysh në fillim të vitit 1785 kërkoi qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës ose atë të Janinës. Më 1786 atij iu dha qeverisja e sanxhakut të Tërhallës dhe detyra e zëvendëskomandantit të derbendëve, kurse në mars të vitit 1787, kur vezir Ahmet Kurt pasha i Beratit vdiq i helmuar si aleat i Mahmud pashë Bushatlliut, atij iu besua detyra e komandantit të derbendëve. As i biri i vezirit të helmuar, Mehmet Pasha i Ngurzajve, dhe as kunati i këtij, Ibrahim Pasha i Vlorajve, që hynë në grindje midis tyre për punën e trashëgimit të pushtetit në sanxhakun e Vlorës, nuk ishin në gjendje të kryenin atë detyrë. Por Ibrahim Pasha, i cili arriti të merrte pushtetin në Berat, nuk mungoi ta kërkonte postin e derbend-pashës dhe të rivalizonte me Ali Pashën për një kohë të gjatë.

Page 14: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

Duke përfituar nga mungesa e mytesarifit të sanxhakut të Janinës, Alizoi Pashës, që ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte dërguar në frontin e luftës me Rusinë, pasi u mor vesh me Tahir Pashën e Asllanpashallive (që i kishte dhënë Aliut vajzën e vet për grua të dytë) dhe, duke pasur përkrahjen e shtresave të pasura të qytetit e të rrethit të Janinës që shihnin tek ai të vetmin qeveritar, që mund të vendoste e të ruante qetësinë, ashtu siç kishte bërë në Thesali, Ali Pasha i Tepelenës hyri në Janinë dhe vendosi sundimin e vet në fund të vitit 1787. Ai e vlerësonte drejt Janinën kur e quante “kyç të Shqipërisë”. Janina prej kohësh priste një qeveritar si ai për t’u bërë me të vërtetë kyç jo vetëm nga pikëpamja strategjike e administrative, por edhe nga ana ekonomike, duke u shndërruar në qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë Jugore.

Formimi i Pashallëkut të Janinës (1787)Në mbarim të vitit 1787, kur Ali pashë Tepelena vuri në dorë sundimin e Janinës, në Shkodër kishte dështuar ekspedita e parë ndëshkimore kundër Kara Mahmud Pashës. Po në këtë kohë ose më saktë në fillim të vitit 1788 hyri në luftë kundër Perandorisë Osmane edhe Austria. E gjetur në luftë me Rusinë dhe me Austrinë, Porta e Lartë e miratoi shtrirjen e qeverisjes të Aliut në sanxhakun e Janinës, jo vetëm pse kishte nevojë të madhe për forcat e tij luftarake, por edhe pse me këtë veprim ajo synonte që të pengonte mundësinë e marrëveshjes së dy pashallarëve të fuqishëm shqiptarë, të cilët dy vjet më parë kishin qenë aleatë, dhe të ndalonte kalimin e tyre në anën e Fuqive të Mëdha.Shtrirja e pushtetit të Ali pashë Tepelenës edhe në sanxhakun e Janinës, ose përqendrimi i qeverisjes së sanxhakëve të Tërhallës e të Janinës në një dorë të vetme, krijoi bërthamën e Pashallëkut të Janinës (1787). Ky përqendrim i dha dorë parisë feudale shqiptare të bëhej klasë sunduese edhe nga pikëpamja ekonomike, duke u shndërruar pronare e pjesës më të madhe e më të rëndësishme të kullotave, të pyjeve dhe të tokës së punueshme të këtyre dy sanxhakëve. Kështu u krijua baza nga e cila kjo pari, nën drejtimin e Ali Pashës, mundi të shtrinte pushtetin e vet mbi të gjitha trojet e Shqipërisë Jugore.Ndërsa pas nënshkrimit të traktatit të paqes së Kyçyk Kajnarxhisë, më 1774, besimi i çifligarëve shqiptarë te qëndrueshmëria e Perandorisë Osmane vetëm sa kishte filluar të tronditej, pas 15 vjetësh, kur ajo kishte hyrë në luftë kundër dy perandorive më të fuqishme evropiane, që synonin ta copëtonin, mosbesimi u rrit bashkë me theksimin e rrezikut të shembjes së saj të afërme.Ashtu si pjesa kryesore e ajanëve shkodranë, përkrahës të vezirit Bushatlli, edhe shumica e ajanëve të Shqipërisë Jugore, mbi të cilët mbështetej Ali pashë Tepelena, kujtonin se lufta e Rusisë dhe e Austrisë kundër Perandorisë Osmane do të sillte ndryshime të rëndësishme politike në pjesën evropiane të kësaj perandorie të kalbur nga brenda. Duke menduar për të ardhmen e tyre, por në të njëjtën kohë edhe për fatin e vendit ku sundonin, krerët e parisë shqiptare synonin që, pas dëbimit të osmanëve, të ruanin pushtetin në atë pashallëk ku kishin pronat e tyre. Në përshtatje me këto interesa jetike u rrit në radhë të parë bashkimi i shtresës

Page 15: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

së çifligarëve rreth Aliut, i cili përcaktoi, sipas rrethanave, vijat e politikës së pashallëkut të ri.Në politikën e brendshme Ali Pasha veproi me shkathtësi të madhe, për të mos i lejuar familjet e vjetra feudale, të cilat kishin qenë mbështetja kryesore e Portës së Lartë, të bashkoheshin kundër tij. Prandaj, ai i goditi me shpejtësi duke shkatërruar jo vetëm pushtetin e tyre politik, por edhe atë ekonomik. Për të krijuar një bazë sa më të gjerë e më të shëndoshë shoqërore, Ali Pasha siguroi mbështetjen e familjeve të vjetra kundërshtare që sundonin në sanxhakun e Janinës, duke u dhënë atyre jo vetëm ofiqe në administratë e në ushtri, por edhe prona e pasuri të konfiskuara të feudalëve të vrarë, të kapur apo të arratisur. Në këtë mënyrë, bashkëluftëtarët e vjetër dhe të rinj të pashait tepelenas, sikurse edhe vetë ai, e rritën pasurinë e tyre dhe nuk mbetën rrogëtarë apo shërbëtorë të tij, siç pretendohet në ndonjë studim pa asnjë mbështetje dokumentare. Për më tepër, kjo shtresë e re sunduese, e përbërë thuajse tërësisht nga shqiptarë, duke përdorur të gjitha format, e shpejtoi ritmin e procesit të çifligimit dhe e shtoi numrin e çifligjeve që kishte në zotërim. Vetë Ali Pasha u bë çifligari më i madh. Ndryshe nga ajanët me origjinë feudale-ushtarake të shtresave të larta dhe nga ata që më parë u pasuruan, e pastaj vunë në dorë pushtetin, paria sunduese e sanxhakëve të Janinës dhe të Tërhallës me Ali Pashën në krye e shumëfishoi pasurinë pasi mori pushtetin në duart e veta.Mirëpo ekonomia çifligare lidhej ngushtë me ekonominë qytetare. Edhe Ali pashë Tepelena, ashtu si Mahmud pasha i Shkodrës, ishte i interesuar për një zhvillim të shpejtë të ekonomisë qytetare që përbënte një burim tjetër të madh pasurimi. Prandaj ai e përdori pushtetin politik në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.Pasi zhduku një numër familjesh të mëdha feudale, ai shpartalloi, dëboi jashtë kufijve ose i nënshtroi duke i futur në shërbimin e tij thuajse të gjitha bandat, që mbillnin pasigurinë ndër banorët ose që pengonin me grabitjet e tyre qarkullimin e lirë të mallrave. Me përjashtim të viseve përreth malësisë së Sulit, ku kohë më kohë sulmonin çetat e suliotëve, thuajse kudo në pashallëk u vendos qetësia. Pa cenuar privilegjet e parisë sunduese vendase, por edhe pa i lejuar asaj të kryente veprime arbitrare, Ali Pasha tregoi kujdes të veçantë për mbrojtjen e jetës dhe të pronës së shtresës së pasur zejtare e tregtare, pa bërë dallim nëse i përkiste kombësisë shqiptare apo greke dhe nëse ishte myslimane, hebraike apo e krishterë. Kështu ai siguroi përkrahjen e kësaj shtrese.Në të njëjtën kohë, për të tërhequr pas vetes popullsinë e besimeve të ndryshme të pashallëkut, Ali Pasha lejoi ushtrimin e lirë të veprimtarisë së institucioneve fetare të të gjitha llojeve dhe inkurajoi si arsimin fetar, ashtu edhe atë laik. Në këtë mënyrë sundimtari i ri mundi të afronte edhe klerin, e sidomos atë ortodoks.Duke qenë se shtylla kryesore e sundimit të vet ishte ushtria, Ali Pasha vëmendjen kryesore ia kushtoi asaj. Themelin e kësaj ushtrie e bënin ushtarët me rrogë, me prejardhje kryesisht nga malësitë e varfra të Shqipërisë Jugore. Këta ushtarë të varfër plotësonin nevojën e jetesës së familjeve të tyre me rrogat që merrnin dhe për këtë arsye interesat e tyre ishin të lidhura me ato të parisë feudale sunduese, së cilës i shërbenin.

Page 16: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

Krahas ushtarëve shqiptarë, në forcat e armatosura të Pashallëkut të Janinës, veçanërisht për ruajtjen e grykave e të rrugëve, bënin pjesë gjithashtu me rrogë edhe reparte malësorësh vllahë e grekë, martallozët ose armatolët, të cilët dikur përbënin repartet e vetëmbrojtjes fshatare kundër arbitraritetit fedual. Tani këtë detyrë e kryenin forcat e derbendëve të Aliut. Në rast nevoje mobilizoheshin me detyrim edhe forcat e esnafeve qytetare, si dhe forcat fshatare nga çifligjet. Nuk munguan të pajtoheshin e të shërbenin në ushtrinë e Pashallëkut të Janinës edhe ushtarë me pagesë nga Shqipëria Veriore e Verilindore.Ushtria ndahej në reparte këmbësore, që përbënin forcën kryesore të saj, por në të filluan të dukeshin edhe bërthama kalorësie e artilerie.Pashallëku u pajis edhe me një aparat administrativ e gjyqësor sipas organizimit osman, me ndryshimin e rëndësishëm se pranë çdo myteselimi ose qeveritari krahinor, u krijua një këshill i përbërë nga paria myslimane ose ajanët, të cilët ishin përfaqësuesit e krahinave myslimane, dhe nga paria e krishtere ose koxhabashët, të cilët ishin përfaqësuesit e krahinave të krishtere. Veç kësaj, vendimet gjyqësore apeloheshin në Janinë e jo në Stamboll dhe në krye të këtij aparati, përveç myslimanëve me përvojë, Ali Pasha tërhoqi një varg këshilltarësh dhe sekretarësh nga elementi i krishterë.Në krye të aparatit të pashallëkut qëndronte vetë Aliu si një sundimtar absolut. Ai ndihmohej nga një këshill i lartë apo divan, që përbëhej nga djemtë e tij si dhe nga miqtë më të ngushtë e më besnikë, sikurse ishin Thanas Vaja, Jusuf Arapi, Tahir Abazi, Meço Bono, Veli Gega, Hysen Poda, Dalip Përmeti, Dervish Hasani, Ago Vasjari, Mehmet Myhyrdari etj. Përveç pushtetit ekzekutiv, Ali Pasha kishte kthyer në pronë private të tij edhe thesarin, i cili nën kujdesin e tij të veçantë, ishte gjithmonë në gjendje të përballonte shpenzimet.I ndërtuar në këtë mënyrë, ky aparat i shërbente pushtetit tanimë autonom të shtresës sunduese të çifligarëve vendas, e cila ndonëse nuk ishte shkëputur plotësisht nga varësia politike e pushtetit qendror, qeveriste në mënyrë autonome, kurse me dëbimin e osmanëve, ajo synonte të krijonte shtetin e vet të pavarur. Udhëheqësi i saj mbajti lidhje të rregullta me pushtetin duke shlyer gjithë detyrimet financiare ndaj arkës perandorake, për të mënjanuar çdo konflikt të parakohshëm dhe për ta përdorur atë në dobi të përforcimit të mëtejshëm të pashallëkut e të shkëputjes së tij nga kjo vartësi e Stambollit.Përforcimi i pushtetit brenda pashallëkut dhe shtrirja e tij kryesisht në troje shqiptare, për të arritur pastaj në shkëputjen nga varësia e Portës së Lartë, ndodhën në kushtet kur u shtrua mundësia e dëbimit të osmanllinjve nga Evropa, që përbënte njëherazi qëllimin kryesor të veprimtarisë së Ali Pashës në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XVIII. Në përputhje me këtë qëllim ai ndoqi një politikë të dyfishtë: synonte të shfrytëzonte në dobi të vet, sa të qe e mundur më shumë, konfliktin midis Perandorisë Osmane e fuqive armike të saj, si dhe konfliktet midis vetë Fuqive të Mëdha evropiane, që cenonin drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ekzistencën e shtetit osman dhe që lidheshin në një farë mase edhe me të ardhmen e Pashallëkut të Janinës dhe të të gjithë Shqipërisë. Pasi forcoi pozitat e veta duke marrë pjesë në luftë, në frontin e Danubit

Page 17: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

gjatë vitit 1788, Ali Pashës iu desh të ndeshej me një besëlidhje të kapedanëve suliotë dhe të qeveritarëve të sanxhakëve të Delvinës e të Vlorës, të cilën e përkrahën autoritetet osmane për të ruajtur anarkinë feudale në Shqipërinë Jugore.Të shqetësuar prej ardhjes në fuqi të Ali Pashës në sanxhakun e Janinës, sunduesit osmanë mbajtën qëndrim armiqësor ndaj tij. Ata strehuan në zotërimet e tyre feudalët e ndjekur dhe të shpronësuar nga sundimtari i Janinës, nxitën dhe ndihmuan me armë, me municione e me ushqime suliotët e himariotët, u premtuan atyre ndihmë kundër Ali Pashës dhe ndërhynë që paria çame dhe pashallarët e Delvinës e të Beratit të lidheshin kundër tij.Të inkurajuara në këtë mënyrë, të gjitha këto forca filluan të lëvizin. Sidomos suliotët dendësuan sulmet e tyre kundër trafikut të rrugës Janinë-Artë. Prania e malësisë së panënshtruar e të vetëqeverisur të Sulit dhe veprimtaria e banorëve të saj përbënin për pashallëkun një rrezik të brendshëm që duhej mënjanuar me çdo mënyrë. Këta malësorë trima e guximtarë, të vendosur në një vend strategjik, 50 km në jugperëndim të Janinës, jo vetëm shqetësonin rrugët e pronat feudale, por kishin arritur të dëbonin një varg feudalësh nga 60-70 fshatra përreth malësisë së tyre, të cilat i kishin vënë “nën mbrojtje” kundrejt një rente të rregullt në prodhime e në të holla. Për ta mënjanuar rrezikshmërinë e suliotëve, për Aliun kishte vetëm dy zgjidhje: ose t’i afronte që t’u shërbenin interesave të tij, të pashallëkut, ose t’i nënshtronte me forcë.Duke i mbetur besnikë lidhjeve të tyre të vjetra me Republikën e Venedikut, suliotët nuk pranuan propozimet e Ali Pashës për marrëveshje. Kështu filloi lufta e gjatë dhe e vështirë që ndërmori Ali Pasha kundër anarkisë feudale brenda vendit. Kjo luftë u gërshetua edhe me orvatjet e tij për të nënshtruar sanxhakët e Shqipërisë Jugore nën një pushtet të vetëm politik, dhe për t’i dhënë fund anarkisë. Në shkurt të vitit 1789 ushtria e Janinës, që u nis kundër malësisë së panënshtruar të Sulit, u detyrua të tërhiqej për shkak të kundërsulmit të malësorëve trima, por edhe për shkak të komplotit të madh të mytesarifit të Janinës, që u përgatit nga feudalët kundërshtarë përreth pashallëkut. Ali Pasha përfundoi menjëherë paqen me suliotët, të cilëve u pagoi shuma të konsiderueshme dhe iu vu punës për të mënjanuar ngatërresat që ishin kurdisur prapa krahëve të tij.Lufta e Ali Pashës kundër suliotëve e kishte favorizuar lidhjen e një marrëveshjeje midis agallarëve të Çamërisë dhe sundimtarëve të sanxhakëve të Delvinës dhe të Vlorës. Këta nuk e shihnin me sy të mirë ardhjen në fuqi të Ali pashë Tepelenës dhe përforcimin e pushtetit të tij për shkak të pasojave ekonomike e ushtarake që do të sillnin ato në sanxhakët e tyre. Nën ndikimin e një shqetësimi të tillë, Ibrahim pashë Vlora, rivali i Aliut për postin e derbend-pashës, mori nga valiu i Rumelisë për vitin 1789 sipërmarrjen e të ardhurave të krahinës së Korçës, që qeveritari i Janinës e kishte marrë një vit më parë. Mirëpo Ali Pasha nuk hoqi dorë dhe e mbajti sipërmarrjen me forcë, duke zhvilluar luftime në zonën Kostur-Bozhigrad-Korçë kundër rivalit dhe të besëlidhurve të tij, të cilët mundi t’i shpërndante. Gjatë këtyre luftimeve ndëshkoi fshatrat e Hormovës dhe të Leklit, që dikur kishin qenë nën “mbrojtjen” e shtëpisë së tij dhe që

Page 18: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

tani bënin pjesë në radhët e të besëlidhurve armiq të tij. Rivaliteti midis qeveritarëve të Janinës e të Beratit, i shkaktoi ngatërresa të mëdha Aliut: Porta e Lartë, për të mënjanuar sherrin midis dy rivalëve, ia hoqi Ali Pashës qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës si dhe detyrën e derbend-pashës dhe ia dha këtë dhëndrit të sulltanit, Beqir Pashës. Mirëpo ky nuk mundi të vendoste rregullin e qetësinë, sepse forcat ushtarake qenë lidhur me Aliun e i mbetën besnike atij. Valiu i Rumelisë kërkoi me ngut që ato detyra t’i ktheheshin Aliut, sepse vetëm ai ishte në gjendje të vendoste qetësinë dhe të rekrutonte ushtarë për në front.Ndërkohë luftimet në frontin rus nuk shkuan mbarë për osmanët. Kjo e nxiti Ali Pashën për të krijuar pa humbur kohë lidhje me rusët. Duke iu bindur thirrjes së sulltanit për të shkuar në luftë, Aliu nuk ndenji atje veçse aq kohë sa iu desh që të hynte në letërkëmbim me princin Potjomkin. Ky i premtoi një marrëveshje të favorshme dhe e shtyti të vazhdonte të pengonte dërgimin e forcave ushtarake të pashallarëve shqiptarë në luftën kundër Rusisë.Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime të reja me një diplomat rus, të cilit i deklaroi se ishte gati të merrte anën e Rusisë në qoftë se i jepeshin garanci se pas luftës do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të Pashallëkut të Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik. Ali Pasha premtoi të merrte pjesë në një kryengritje antiosmane të shqiptarëve dhe të grekëve. Për këtë qëndrim ai kërkoi sigurime për njohjen e tij si zot e sundues i pashallëkut, për njohjen e kufijve të territorit që do të zotëronte dhe për ushtrimin e lirë të fesë nga myslimanët. Nga ana e vet ai u zotua t’i trajtonte njëlloj si myslimanët, ashtu edhe të krishterët në administratë e në ushtri dhe pranonte që Rusia të kishte të drejtën e mbrojtjes së të krishterëve në shtetin e tij. Ali Pasha kërkoi gjithashtu që, në rast se kryengritja do të dështonte, Rusia ta merrte nën mbrojtjen e saj për t’i shpëtuar ndëshkimit të sulltanit. Më në fund, ai pranoi që, si garanci të dërgonte peng në Petërsburg njërin nga djemtë e vet, i cili të mësonte atje artin ushtarak rus. Mirëpo, për këtë çështje kaq të rëndësishme, atij iu tha se duhej të priste përgjigjen nga qeveria qendrore.Propozimeve të lartpërmendura, që shprehnin dëshirën e Ali Pashës për të siguruar pas fitores mbi osmanët pozitën e vet si sundimtar i një shteti shqiptar, qeveria ruse nuk u dha përgjigje. Së pari, si qeveri e një populli të madh ortodoks, që i kishte vënë detyrë vetes të çlironte popujt e krishterë nga sundimi i gjysmëhënës dhe t’i fuste nën zotërimin e saj, Rusia nuk mund të pranonte sundimin e një princi mysliman mbi të krishterët shqiptarë e grekë dhe, së dyti, ishte koha kur lufta me Perandorinë Osmane po merrte fund. Në fillim të vitit 1792 u nënshkrua traktati i paqes në Jashi. Ndërsa qeveritari i Janinës zhvillonte bisedimet me diplomatët rusë dhe priste përgjigjen e oborrit rus, suliotët ia filluan një fushate plaçkitjesh që zgjati nga pranvera e vitit 1791 deri në mbarim të tij. Përveç fshatrave dhe rrugëve tregtare, ata sulmuan dhe plaçkitën krahinat e Paramithisë, Margëllëçit dhe Artës. Këto veprime i shtrinë deri në fshatrat e Pindit. Kështu ata ndezën zemërimin jo vetëm të çifligarëve, por edhe të fshatarësisë

Page 19: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

së dëmtuar rëndë dhe të zejtarëve e të tregtarëve të Janinës, të Artës, të Paramithisë, të Margëllëçit etj., dhe të qyteteve të lidhura ekonomikisht me to.Në muajin korrik 1792 Ali Pasha, i lidhur me agallarët e bejlerët çamë si dhe me krerët e armatolëve të fshatrave të dëmtuara, sulmoi malësinë e Sulit për ta nënshtruar, meqenëse edhe këtë herë, krerët e saj kishin refuzuar çdo lloj marrëveshjeje. Por edhe këtë herë sulmi i pashës së Janinës dështoi, mbasi nën nxitjen e agjentit rus në Korfuz, L. Benaqi, u krijua një besëlidhje e re e feudalëve të sanxhakëve fqinjë dhe e kapedanëve suliotë. Ali Pasha mënjanoi më parë suliotët. Besëlidhja nuk arriti të hynte në veprim, sepse Aliut i erdhi në ndihmë edhe Porta e Lartë, e cila ndërhyri për t’i pajtuar, duke vendosur marrëdhënie krushqie midis qeveritarëve të Janinës dhe të Beratit.Gjatë viteve 1787-1797 Ali Pasha kishte mundur të shtrinte pushtetin e vet vetëm në një territor të ngushtë që kapte krahun e djathtë të lumit Vjosë deri në krahun perëndimor të vargmalit të Pindit, d.m.th. hapësirën Konicë-Këlcyrë-Korçë, si dhe krahinat e Artës. Por ky pushtet bazohej më shumë në sipërmarrjet e të ardhurave të tyre dhe në pëlqimin e valiut të Rumelisë e të Kapedan Pashës se sa në forcën e armëve të tij. Sidoqoftë, me këtë përfundoi faza e parë e përpjekjeve për forcimin e pashallëkut. Suksesin më të madh për shtrirjen drejt bregdetit dhe në Shqipërinë Jugore Ali Pasha e arriti në vitet e fundit të shek. XVIII, kur ndodhën ngjarje të mëdha politike në arenën ndërkombëtare.Në këtë kohë Republika Franceze kishte filluar luftërat pushtuese. Armata e Italisë, që komandohej nga gjeneral Napoleon Bonaparti, pasi nënshtroi një numër shtetesh italiane, nënshtroi edhe Republikën e Venedikut. Me nënshkrimin e traktatit të Kampo Formios midis Republikës Franceze dhe Perandorisë Austriake iu dha fund në vitin 1797 sundimit në këtë trevë të shtetit venedikas, zotërimet e të cilit në ishujt dhe në bregdetin Jonian u vunë nën sundimin francez. Kështu kufijtë e Francës u shtrinë deri në kufijtë e Pashallëkut të Janinës.Sukseset e forcave të armatosura në Itali, i dhanë dorë gjeneral Bonapartit që t’i paraqiste Direktoratit planin e sulmit kundër kolonive angleze, të cilat përbënin burimin kryesor të potencialit ekonomik të Anglisë. Ky plan do të fillonte me depërtimin e një armate franceze në Egjipt. Direktorati e miratoi planin edhe pse depërtimi me luftë në Egjipt do ta armiqësonte me Perandorinë Osmane.Për të lehtësuar ndërmarrjen ushtarake në Egjipt, Franca përkrahte fuqizimin e pashallarëve të Rumelisë dhe prirjet e tyre vetëqeverisëse në dëm të pushtetit qendror të sulltanit. Komandanti francez i Korfuzit u urdhërua ta përkrahte Ali pashë Tepelenën në forcimin e pushtetit të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. Përforcimi i këtij sundimtari shqiptar, theksonte Bonaparti, ishte në interes të Republikës.Në sajë të kësaj përkrahjeje, që e shfrytëzoi në dobi të synimeve të tij, Ali Pasha ndërmori në gusht të vitit 1797 një sulm të befasishëm kundër bregdetit shqiptar të Himarës. Para kësaj, me lejen e francezëve, kishte futur flotiljen e tij në kanalin e Korfuzit. Si rrjedhim, ai shtiu në dorë pjesën kryesore të këtij bregdeti që nga Butrinti deri në Porto Palermo. Këto pushtime ishin një

Page 20: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

hap i rëndësishëm për shtrirjen e mëtejshme të pushtetit të Ali Pashës në Shqipërinë Jugore. Duke u njohur banorëve të këtyre trevave privilegjet e tyre dhe duke i trajtuar mirë, ai i ktheu ata në rezervën e vet ushtarake. Përparimin përtej Porto-Palermos nuk e ndalën aq forcat e bashkuara të Xhafer Pashës së Vlorës dhe Mustafa Pashës së Delvinës, sesa ndërhyrja e Ibrahim pashë Bushatlliut, që u dërgoi ushtri osmanëve, si dhe aleanca ruso-osmane që u krijua në këtë kohë kur Bonaparti filloi fushatën kundër Egjiptit. Tani sundimtarit të Janinës i erdhi rasti për t’u kthyer kundër Francës dhe për të shtënë në dorë ish-zotërimet venedikase në bregdet.Napoleon Bonaparti dërgoi adjutantin e tij për t’i kërkuar Aliut të mbante anën e Francës kundrejt premtimit se do t’ia rriste shumë lavdinë e tij, ose të mbante të paktën neutralitetin nëse nuk mund të merrte pjesë aktive në kryengritjen e pashës së Vidinit, Pasvan Ogllusë, që i shkaktoi shqetësime Stambollit. Por Aliu, me të marrë vesh aleancën anglo-ruso-osmane kundër Francës, pa pritur të mbërrinte flota e bashkuar ruso-turke, që do t’i dëbonte francezët nga qytetet dhe ishujt jonianë, pushtoi Butrintin, të cilin francezët kishin refuzuar t’ia jepnin në formë miqësore, dhe pastaj Prevezën e Vonicën. Pargën nuk e mori dot, sepse ndërkohë mbërritën forcat ruse që e vunë nën kontrollin e tyre. Kështu u realizua më së fundi synimi për t’i siguruar pashallëkut një dalje të gjerë në bregdet dhe zotërimin e një vargu skelash me rëndësi tregtare.Për ta shpërblyer për pjesëmarrjen e forcave të Pashallëkut të Janinës në luftën kundër francezëve, Porta e Lartë, në vitin 1799, i dha Ali Pashës gradën e vezirit. Por kjo gradë nuk ishte veçse një akt ngushëllimi, sepse, me këmbënguljen e rusëve, të cilët e shihnin Ali Pashën si një pengesë të synimeve të tyre sunduese në Gadishullin Ballkanik, qytetet bregdetare duhej t’i hiqeshin atij nga dora. Konventa ruso-osmane e muajit prill 1800 krijoi Republikën e Shtatë Ishujve dhe me këtë sanksionoi vendosjen e rusëve në ishujt jonianë. Duke i njohur ish-qytetet venedikase si prona të sulltanit, konventa sanksionoi shkëputjen e tyre nga sundimi i Ali Pashës. Mirëpo ky i fundit edhe pse i largoi garnizonet e veta ushtarake nga këto qytete, e ktheu në një vegël të vetën të dërguarin e sulltanit të caktuar për administrimin e tyre.Ndërhyrja e rusëve në Pargë dhe në përpilimin e konventës i ashpërsoi aq shumë marrëdhëniet e vezirit të Janinës me përfaqësuesit diplomatikë rusë, sa këta filluan të ndiqnin politikën e venedikasve, duke nxitur e përkrahur suliotët si dhe bllokun feudal të Shqipërisë së Jugut kundër tij.Vendosja e rusëve në ishujt jonianë dhe qëndrimi i tyre armiqësor ndaj vezirit të Janinës, që nisi qysh më 1798, i dha zemër Mustafa pashë Delvinës të kërkonte ndihmë prej tyre dhe të ngrihej kundër Ali Pashës. Por në tetor 1799, Aliu e detyroi me forcën ushtarake Mustafa Pashën të nënshtrohej. Pastaj nën komandën e Jusuf Arapit, të cilin e dërgoi në Filipopoli, nënshtroi rebelin Kara Fejzi, komandant i kërxhallinjve. Por rusët, pasi e detyruan Portën e Lartë të nënshkruante traktatin e 21 prillit 1800, kërkuan që sundimin e sanxhakut të Delvinës t’ia jepnin agjentit të tyre, Mustafa Pashës. Kjo ngjarje, si dhe veprimtaria ruse kundër Ali Pashës, u dha siguri suliotëve që kishin gjetur tani një aleat të fuqishëm. Megjithëse kishin rënë në një

Page 21: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE

farë marrëveshje me Ali Pashën dhe nuk e kishin trazuar për të mos provokuar sulme të tjera, suliotët e shkelën ujdinë dhe, të ndihmuar prej rusëve, arritën të grabisnin edhe kopetë e Aliut. Ai nga ana e vet vendosi tani t’i nënshtronte përfundimisht suliotët, duke i akuzuar si vegla të rusëve. Këta filluan të veprojnë ndaj tij dhe e paditën në Stamboll për përpjekje për pavarësi.Në muajin qershor 1800, pasi siguroi përkrahjen e agallarëve kryesorë çamë, Aliu filloi ekspeditën kundër Sulit, por këtë herë duke përdorur një taktikë të re, atë të një rrethimi të fortifikuar që sa vinte e ngushtohej. Ndonëse rusët bënë përpjekje për të ndihmuar malësorët suliotë me armë e municion, duke organizuar një besëlidhje me feudalët kundërshtarë fqinjë, zgjuarsia e vezirit bëri që ato të mos kishin sukses. Pas luftimesh të dëshpëruara, më 25 dhjetor 1803, malësorët trima të Sulit nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli Pashës, i cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Por veziri, duke paraparë se suliotët do të vazhdonin luftën nga Parga e ishujt jonianë, nuk e miratoi marrëveshjen dhe urdhëroi që karvanët e suliotëve të ktheheshin e të vendoseshin në trojet e pashallëkut, ku ai do t’u krijonte kushte jetese, pune e shërbimi siç u kishte premtuar disa herë me radhë. Mirëpo suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe filluan luftimet kundër reparteve të vezirit. Në këto luftime ndodhi edhe heroizmi i grave suliote, të cilat u sakrifikuan bashkë me fëmijët e tyre duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Za-Llongut. Një pjesë e mirë e suliotëve duke pasur edhe armët në dorë kapërcyen kufijtë e pashallëkut dhe u strehuan në Pargë e në ishujt jonianë. Ata, ashtu siç kishte parashikuar Ali Pasha, vazhduan luftën e tyre kundër tij, sidomos inkursionet në vendbanimet bregdetare duke shkaktuar aty vrasje, djegie e grabitje të shpeshta gjatë dy dhjetëvjeçarësh. Këtë çështje të rëndë Aliu u përpoq ta mënjanonte, por nuk e zgjidhi, veçse në fund të vitit 1820, kur suliotët morën anën e tij kundër sulltanit.Edhe pas kapitullimit të suliotëve, konti Mocenigo, përfaqësues rus në Korfuz, e vazhdoi qëndrimin armiqësor ndaj Ali Pashës. Ai nënshkroi me dy krerët e Çamërisë, Hasan Çaparin dhe Islam Pronjën, një marrëveshje për ndihmë kundër vezirit të Janinës. Ali Pasha, i cili mundi ta shtinte në dorë këtë akt, e denoncoi marrëveshjen e tyre pranë Portës së Lartë, si ndërhyrje të rusëve në punët e brendshme të Perandorisë Osmane. Ishte viti 1806 para se të fillonte lufta ruso-osmane e viteve 1806-1812.Në pragun e kësaj lufte sulltani mori anën e Aliut, i la atij dorë të lirë mbi qytetet bregdetare të Prevezës, Vonicës e Butrintit dhe urdhëroi agallarët çamë t’i nënshtroheshin autoritetit të tij.Ndërsa veziri i Janinës kishte filluar tanimë luftën për të nënshtruar përfundimisht suliotët dhe po ndeshej dhëmb për dhëmb me veprimtarinë armiqësore të rusëve, në muajin prill të vitit 1802, Porta e Lartë e ngarkoi të vendoste qetësinë në Rumeli ku vlonte mosbindja e anarkia, gjendje kjo që u interesonte synimeve ruse në Ballkan, ashtu siç u interesonte edhe gjendja e krijuar dhe e nxitur prej tyre në Shqipërinë Jugore.

Punoi:Xheni Leka

Page 22: PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE