OPERACIONI “EKSODI”
DY FJALË PËR LEXUESIN SHQIPTAR
Ky libër vlen të lexohet prej shqiptarëve, sepse aty njihemi me historinë
e një kombi të vogël, që ndeshet me kombe të mëdhenj,
rrëzohet, shkapërderdhet e bashkohet përsëri pas dy mijë vjetësh. Edhe
kombi ynë ka një histori të ngjashme tragjike që prej lashtësisë deri në
kohët moderne. Por ndërsa Kombi i Izraelit ka mbajtur pranë vetes
Librin e Shenjtë dhe në ditët më të vështira duke ecur përpara në dritën e
tij, ne shpesh kemi ecur në drejtimin e kundërt, madje duke shkuar deri
aty sa ta shpallim vetveten si kombin e vetëm ateist në botë, si një komb
që nuk ka dhe që nuk do ta pranojë Zotin. Lavdi Zotit kjo periudhë e errët
mohimi, kjo periudhë kur materializmi filozofik dhe teoria Marksiste
ishin idhujt tanë, morri fund; por edhe tani nuk jemi ende të lirë nga
idhujt e zotat e gënjeshtrt të makutërisë e lakmisë materiale.
Zoti na drejtoftë zemrat dhe sytë drejt të vërtetës.
Duke drejtuar sytë drejt idhujve të gënjeshtërt ne kemi humbur gjurmët e
të parëve tanë, kemi harruar dhe po harojmë çdo ditë e më shumë
historinë, po harrojmë dhe po humbasim madje dhe vetë identitetin tonë.
Në këtë pike ne mund të mësojmë shumë nga kombi i Izraelit, një komb i
cili ka ditur të ruajë identitetin e tij si askush tjetër.
Është një fakt i pamohueshëm historik që bijtë e shquar të kombit të
Izraelit janë gjendur përkrah kombit shqiptar dhe e kanë ngritur zërin e
tyre në mbrojtje të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në ditët më të vështira,
pikërisht atëhere kur të gjithë na kishin mohuar dhe na kishin lënë
plotësisht në duart e atyre që donin të na shkatërronin. Një dëshmi e
qartë e këtij fakti, një gur me vlerë në mozaikun e tempullit tonë historik
është vepra e hebreut Leo Freundlich e titulluar “ Golgotha Shqiptare”.
Kjo vepër është një akuzë e fuqishme kundër shfarosësve të
Popullit Shqiptar.
Jo pa qëllim autori zgjodhi ditën e Pashkës së vitit 1913 për tju drejtuar
apelin e tij Fuqive të Mëdha me fjalët:
“I bëj apel qeverive të Fuqive të Mëdha. I bëj apel publikut
Europian në emër të humanizmit, në emër të civilizimit, në
emër të popullit të pafat shqiptar. Një popull i mjerë i kaplluar
në fatin e tij të tmerrshëm, po thërret për ndihmë që nga
humnerat e Golgotës. A do ta dëgjojë Europa këtë klithëm?!”
Fatkeqësisht Evropa nuk e dëgjoi apelin e Leo Freundlich-it dhe
shqiptarët e Shqipëria u lanë në duart e atyre që i masakronin. Doli qartë
se humanizmi tyre ish në fjalë e deklarata, po jo në vepra. Fuqitë e mëdha
Europiane të vitit 1913 nuk reaguan edhe pse Leo Freundlich po ua
drejtonte apelin e tij në ditën e Pashkëve. Për këtë fakt do të japim si
koment një citim nga letra e apostullit Jakob Kap. 2: 14
14-Ç`dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por
nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?
20-Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra
është i vdekur?
26-Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe
besimi, pa vepra, është i vdekur.
Për shumë vite humanizmi i vendeve Europiane në lidhje me Shqipërinë
dhe Shqiptarët, mbeti i gënjeshtërt dhe besimi i tyre i Krishterë ish i
vdekur.
Vetëm në mbarim të shekullit të XX, më 1999, do ta dëgjonte Bota
e Qytetëruar këtë klithmë dhe do të ndërhynte për të ndaluar dorën
e gjakatarëve serbë në Kosovë.
Shekulli XX, shekulli i dy luftërave të mëdha botërore do të përmendet në
histori edhe si shekulli i genocidit të madh kundër hebrenjve nga ana e
nazistëve gjermanë.
Kombi Shqiptar si rrallëkush në Europë do t’i mbronte në gjirin e vet
bijtë e bijat të pafat të Izraelit, do t’i strehonte, do t’i mbante me bukë dhe
me ujë dhe do t’i shpëtonte prej rrezikut të madh. Ashtu si është shkruar
në Ungjillin sipas Mateut, Kreu 25: 35:
“Pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë
për të pirë, isha i huaj dhe më pritët.”
Prandaj shpërblimi në fund të këtij shekulli XX për kombin tonë ishte
një mrekulli e e Zotit sipas Shkronjës:
Në të vërtetë po ju them: “sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit
prej vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.” (Mateu
25:45)
Lexuesit të këtij libri do ti sugjeroja kërkojë për ta lexuar librin e Leo
Freundlich, i cili humbi dhe u gjet pas 80 vjetësh dhe u botua në gjuhën
shqipe më 1995 me ketë përkushtim:
“Për kujtim të autorit të Golgotës Shqiptare, për respekt të popullit
të paepur izraelit.”
Duke u kthyer te libri i Gustav Shellerit “Operacioni Eksodi” dhe duke
shfletuar veprimtarinë e madhe të një grupi të vogël njerëzish besimtarë
te Jezu Krishtit, i cili sipas fjalëve të Naimit “dashurinë e bëri besë”,
kuptojmë se sa i fuqishëm është ky besim i frymëzuar prej së Larti, kur
vendos të bëjë të mirën, kur është një besim i gjallë, një besim i bazuar në
fjalën e Zotit, në Bibël. Lexoni këtë libër faqe më faqe dhe do ta shikoni
konkretisht. Do tju sugjeroja të qëndroni atje ku takoni tragjedinë e
anijes “Struma” në valët e Detit të Zi dhe bashkë me besimtarët e
krishterë nga Anglia; bëni edhe ju një lutje për faljen e mëkateve tuaja.
Kjo Bota e sotme ka nevojë për pendesë, vetëm kështu do të gjejë Udhën
e Zotit.
Lutja me besim thyen prangat e hap rrugën, bën të shkëlqejë drita edhe
kur ne gjendemi në mes të valëve të Detit të Zi.
Zoti vetë sjell në jetën tonë njerëz të mirë që vijnë e na ndihmojnë, ashtu
si vullnetarët e “Operacionit Eksodi”, ashtu si i erdhi në ndihmë Safete
Jukës një mik gjerman nga Hamburgu. Hans Peter Rulluman, i cili ka
paraqitur më 1992 edhe një vështrim profetik në ribotimin e librit të Leo
Freundlichit, ku thotë:
“Jam i shqetësuar se genocidi më i ri, ky i myslimanëve të
Bosnjës, do të pasojë me një genocid të mbi shqiptarët… Për
këtë vendosa të shtyp në disa mijëra kopje broshurën e 1913 të
Leo Freundlichit. “
Falenderojmë me këtë shteg “Ebnezer Hildsfonds” në Hamburg,
që sponsorizoi botimin e përkthimit në shqip të “Operacionit Eksodi” për
të bërë të njohur te shqiptarët këtë libër të jetës së kombit të Izraelit,
të cilin dhimbjet e vuajtjet e kanë lidhur me Kombin Shqiptar në
shekullin XX.
Mirosh Markaj
AUTORËT
Gustav Scheller lindi në Zvicër në vitin 1929. Në vitet e rinisë së tij ai
shkoi në Angli ku formoi një agjensi udhëtimi. Gustavi ngriti gjithashtu
një shkollë për mësimin e gjuhëve të huaja. Kompania e tij kishte degët
dhe filialet e saj në Londër, Zvicër dhe në Tokio.
Në vitin 1974 kompania e tij fitoi çmimin e Mbretëreshës për
kompanitë turistike e të udhëtimeve. Gustavi u martua me Elsën e cila
është një ndihmëse e jashtëzakonshme për punët e tij në Flondacionin e
Urgjencës Ebezner. Ata i kanë fëmijët e rritur dhe kanë shumë nipër dhe
mbesa.
Në vitin 1982, gjatë kohës që ishin duke studiuar në një shkollë Biblike
në USA, Zoti i zbuloi Gustavit me anë të Fjalës së Tij profetike planin
hyjnor për kthimin e Popullit të Tij të zgjedhur në Tokën e Premtuar.
Krijuesi iu bëri atyre të qartë gjithashtu se do të vinte koha që ata
personalisht do të merrnin pjesë praktikisht në aliyah (që është termi në
Hebraisht që përdoret për të riatdhesimin Hebrenjve)
Pas kthimit nga Shkolla Biblike, Gustavi dhe Elsa formuan organizatën
e quajtur: “Lëre Popullin Tim të Shkojë ( sipas urdhrit që Zoti i dha
faraonit me anë të Moisiut)
Kjo organizatë ndihmoi në atë kohë praktikisht hebrenjtë në
Bashkimin Sovjetik të atëhershëm si dhe informoi kishat e krishtera për
vuajtjet e tyre.
Në kohën e luftës së Gjirit Persiak, pavarësisht nga lufta dhe
bombardimi, në Jeruzalem u organizua një Konferencë Lutjesh ku morën
pjesë 120 vetë nga vende të ndryshme. Qëllimi i kësaj konference ishte që
ata të luteshin për Izraelin. Në atë kohë Zoti i foli Gustavit dhe i tha: “tani
ka ardhur koha që Populli im të kthehet nga Bashkimi Sovjetik”. Vetë
Gustavi, kurrë nuk do ta kishte zgjedhur një situatë të tillë, pasi
gjithsecilit kjo do t’i dukej koha më e papërshtatshme, qoftë edhe për të
biseduar për këtë çështje.
Megjithatë, në këtë kohë u krijua Fondacioni i Emergjencës Ebenezer, i
cili u mbështet nga besimtarët e krishterë nga e gjithë bota me
ndihma financiare dhe me lutje. Termi Ebenezer është nxjerrë nga libri i
Samuelit dhe ky emër ka kuptimin: “Deri këtu na ka ndihmuar Zoti”. Dhe
kjo është dëshira jonë, sepse pa ndihmën e Tij ne nuk mund të bëjmë
asgjë.
Fillimisht kjo ndihmë kufizohej me organizimin e transferimeve me anën
e avionëve. Në fund të vitit 1991 dhe në fillim të vitit 1992 u organizuan
tre lundrimet e para. Këto tre lundrime ishin një gur i rëndësishëm
themelor, për shkak se në kohën e sotme, kurrë nuk kishte pasur lidhje
detare midis ish Bashkimit Sovjetik dhe Izraelit. Në fund të vitit 1997
numri i lundrimeve të organizuara nga ky fondacion nga Odesa në Haifa
arriti numrin 100.
Më tepër se 20 000 pjestarë të Popullit të zgjedhur janë kthyer në tokën e
tyre të premtuar, nga Ukraina, Armenia, Uzerbaxhani, Kazakistani
dhe Siberia. Zoti e thotë në Fjalën e Tij se ne duhet të çojmë në krahë
bijtë e bijat e Tij që janë shpërndarë deri në fund të botës dhe tani po
punojmë të gjejmë mundësitë se si mund t’i ndihmojmë hebrenjtë që
jetojnë në zona të tjera të ish Bashkimit Sovjetik, po punojmë që t’ju
japim atyre mundësinë të kthehen në Tokën e Premtuar.
“Kështu thotë Zoti, Zoti: “Ja, Unë do të ngre dorën time mbi
kombet, do të ngre flamurin Tim mbi popujt. Atëherë do t’i
sjellin bijtë e tu në krahë dhe vajzat e tua do t’i sjellin mbi
supe.”
Ne e dimë se të gjitha premtimet që Zoti i ka bërë Izraelit do të
përmbushen. Ai që i shpërndau bijtë e Izraelit do t’i mbledhë përsëri,
do t’i kthejë në Tokën e Premtuar dhe do t’u japë përsëri atë vend që
u premtoi t’u jepte etërve të tyre si një pronë të përjetëshme.
Jonathan Miles
Jonathan është një gazetar që ka jetuar në Izrael për tetë vjet së
bashku më të shoqen dhe pesë fëmijët e tij. Ai ka punuar me emigrantët
hebrenj dhe me refugjatët arabë.
PARATHËNIE
Tani që po ju shkruaj këtë fjalë jam këtu në Jerusalem ku sapo
kemi përfunduar konferencën e 13 Ndërkombëtare të Lutjes për Izraelin.
Që në vitin 1995 kur organizuam konferencën e parë të lutjes për Izraelin
ne ndjemë se Zoti na bëri thirrje: “Shkoni në Vendin e Veriut, në
Bashkimin Sovjetik, për t’u lutur atje në vend që t’u hapet rruga
hebrenjve që banojnë aty për t’u kthyer në Tokën e Premtuar.”
Në vitin 1985-1986 u organizuan dy udhëtime lutjesh, por ende nuk e
dinim se çfarë duhet të bënim tjetër.
Pastaj në vitin 1991 kur po mbanim një konferencë lutjesh në rrethana
të jashtëzakonshme në Jerusalem, në javën e parë të luftës në Gjirit
Persik, ndodhi diçka që më habiti jashtë mase. Gustav Scheller mu afrua
një mëngjes dhe më tha që Zoti i kishte folur dhe i kishte thënë: “Tani
erdhi koha që bijtë e Mi të kthehen nga Bashkimi Sovjetik!”.
Unë e vështrova atë i habitur. Si nuk e kupton ai se ne një situatë të
tillë as mund të bëhet fjalë për një gjë të tillë? Ne ishim aty, në mes të
luftës. Kush ishte ai që do të pranonte të shkonte në një vend që
bombardohej nga raketat “Skud” të Sadam Huseinit”. Si mund të
realizohej praktikisht ky transport i këtyre familjeve në një situatë lufte.
Mendja ime nuk i pranoi këto fjalë, por papritur unë thashë: “Po Gustav.
Edhe unë besoj se kjo vjen nga Zoti.” Unë u çudita nga fjalët e mia. Por
koha provoi se fjalët që dolën
nga goja ime në atë kohë ishin të vërteta, pavarësisht se mendja ime nuk
i pranonte.
Ju që lexoni këtë libër do të vini re se ngjarjet e përshkruara në të
janë përmbushje të Fjalëve profetike që gjenden të shkruara tek Isaia
42:22 ku thuhet se do të vijë koha kur kombet do të marrin mbi supe
bijtë e bijat e Izraelit dhe do t’i çojnë në Tokën e Premtuar.
Detyra e Kishës së Krishterë dhe e gjithë atyre që i besojnë Jezu Krishtit
është që të jenë në ballë të kësaj veprimtarie profetike. Si mund të rrimë
ne sot duarkryq, që tashmë jemi pjesë e Mbretërisë së Zotit, ne që i
kemi mendjet e ndriçuara dhe mund të kuptojmë Shkrimin e Shenjtë?
Lutemi që dëshmia e këtij libri të zgjojë shpirtin e të krishterëve, kudo në
botë që ata të dalin në ballë të punës për kthimin e bijve të Izraelit në
Tokën e tyre të Premtuar.
Që të mund të kuptohet ky libër, është e nevojshme që së pari të
njihet Zoti vetë, natyra, karakteri i Tij, si dhe qëllimet e përjetshme, që Ai
ka për Izraelin. Zoti, nga dashuria që kishte për gjithë racën njerëzore
zgjodhi Abrahamin, Isakun dhe Jakobin të cilit ia ndryshoi emrin në
Izrael. Zoti vetë u premtoi atyre t’u japë si zotërim të përjetshëm një
truall të caktuar qartë gjeografikisht.
Zanafilla 12:1 dhe 15: 7. Ky truall na thuhet në Bibël se do të jetë “nga
lumi i Egjiptit deri tek lumi i madh, Lumi i Eufratit”. (Zanafilla
15:18)
Pavarësisht nga çka shohim sot do të vijë dita, kur Zoti do të
përmbushë fjalën e Tij. Ne sot jetojmë në një kohë, kur mendjet e
njerëzve janë pushtuar nga parimet humaniste të barazitizmit. Disa
njerëz shkojnë aq larg sa ta quajnë padrejtësi faktin që Zoti zgjodhi
popullin e Izraelit dhe i dha atij një status të veçantë dhe të privilegjuar.
Ata e quajnë padrejtësi faktin që Krijuesi u premtoi atyre një truall të
caktuar si pronë të përjetshme. Një premtim i kësaj natyre nuk i është
dhënë asnjë kombi tjetër Zoti e kishte parashikuar se ata do të qëndronin
në Egjipt për 400 vjet prandaj i tha Abrahamit:
“Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj
në një vend, që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër të
shtypur për 400 vjet”
(Zanafilla 15:13)
Zoti premtoi se pas kësaj periudhe ata do të çlirohen dhe do të futen
në Tokën e Premtuar. Ky premtim u përmbush me anën e Moisiut në
kohën e eksodit të parë. Është me rëndësi të kuptohet fakti se në Bibël
na përshkruhen me shumë se një eksod i bijve të Izraelit, mbasi ne
shohim se në profecitë që janë kryer pas eksodit të parë, paralajmërimin
e eksodit tjerër.
Që të mund të kuptohet historia e popullit të Izraelit duhet më parë
të njihet të kuptohet besëlidhja e Zoti që bëri me ta veçanarisht, parimet
e marrëveshja, që na përshkruhen tek Ligji i Përtërirë kapitulli 28.
Ky kapitull i bësëlidhjes ndajet në dy pjesë:
Në pjesën e parë ku përfshihen vargjet 1-14, na përshkruhen bekimet
që Zoti, që i premton Izraelit në qoftë se ata i binden Fjalës së Zotit dhe
e zbatojnë me përpikmëri.
Në pjesën e dytë ku përfshihen vargjet 15-68 na jepen mallkimet, të
cilat do të bien mbi bijtë e Izraelit, në qoftë se ata nuk i binden fjalës së
Zotit dhe nuk do t’i zbatojnë ligjet dhe urdhërimet e tij. Historia na
tregon se bijtë e Izraelit shkuan në rrugën e mosbindjes dhe si pasojë
vuajtën dënimin dhe mallkimet, që paralajmëron fjala e Zotit:
“…dhe do të bëhesh objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes
të tërë popujve, pranë të cilëve do të të çojë Zoti.”
(Ligji i Përtërirë 28:37)
“…dhe do t’ju rrëmbejnë nga vendi, ku po hyni për të
pushtuar, Zoti do të të shpërndajë midis tërë popujve, nga
njëri skaj në tjetrin.”
(Ligji i Përtërirë 28:63,64)
Populli i zgjedhur i Zotit ngriti krye kundër fjalës e ligjeve të Tij
shumë herë dhe si pasojë u bë pre e mallkimeve dhe objekt i zemërimit
të Krijuesit. Megjithatë Zoti ishte i ngadalshëm në zemërimin e
ndëshkimin e Izraelit. Gjithmonë Ai u jepte atyre paralajmërime dhe
kohë për pendesë. Prandaj dhe kur i ndëshkoi në robëri e mërgim në
kohën e Nabukatnezarit (në shekull VI para Krishtit) ky mërgim ishte i
përkohshëm dhe i kufizuar.
Eksodi i dytë, i paralajmëruar nga profetët, nuk është mërgimi në
Babiloni për dy arsye të thjeshta:
Së pari në kohën e mërgimit në Babiloni izraelitët nuk u shpërndanë
në gjithë botën. Ata i mbajtën vetëm në Babiloni.
Së dyti Babilonia gjendet në lindje të Izraelit e jo në veri. Ndërsa në
fjalën e Zotit na thuhet qartë që mërgimi i dytë do të jetë kah vendi i
veriut. Po të marrim hartën e të shohim se vendi më verior prej Izraelit
është ish Bashkimi Sovjetik, Rusia e sotme.
“Në ato ditë shtëpia e Judës do të ecë me shtëpinë e Izraelit
dhe së bashku do të vijnë nga vendi i veriut në vendin që u
dhashë trashëgim etërve tuaj.”
(Jeremia 3:18)
Si u përmbush ky ndëshkim profetik?
Historia na tregon se Pilati i trembur dëshironte ta lironte Jezu Krishtin
dhe u tregua i kujdesshëm ta nxirrte veten të larë e të pafajshëm për
vrasjen e Tij. Nga ana tjetër turma e mbledhur ishte manipuluar dhe e
verbuar nga priftërinjtë dhe të gjithë udhëheqësit religjiozë, të cilët
shihnin dhe fjalën e Jezu Krishtit si një kërcënim të drejtpërdrejtë të
pozitës së tyre.
Kjo turmë kishte kaluar në një histeri të tillë, sa kur Pilati tha se ishte
i pafajshëm nga gjaku i Jezu Krishtit, ata pa u menduar, mallkuan
vetveten me fjalët: “Gjaku i Tij qoftë mbi ne e fëmijët tanë!”
(Mateu 27:25).
Në vitin 70 të epokës sonë, perandori romak Titus sulmoi dhe shkatërroi
Jerusalemin dhe kështu i detyroi hebrenjtë të shpërndahen në mbarë
botën. Kështu Zoti përmbushi kërcënimet e Tij dhe i largoi izraelitët nga
Toka e Premtuar.
Por Ai kurrë nuk i braktisi ata. Këtë e provon fakti se me gjithë
persekutimet e vuajtjet e pashembullta, ata e ruajtën identitetin e
vetëdijen e tyre kombëtare, megjithëse ishin 2000 vjet të mërguar e të
shpërndarë kudo nëpër të botë. Gjithë bota është dëshmitare dhe ka parë
se si bijtë e Izraelit kanë vuajtur mallkimet e paralajmëruara te Ligji i
Përtërirë 28 deri sa Zoti vendosi t’i sjellë përsëri Tokën e Premtuar.
Krijimi i shtetit të Izraelit në vitin 1984 ishte një mrekulli. Që nga dita e
krijimit të tij është sulmuar nga armiq të shumtë e më të fuqishëm, por
shteti i Izraelit i rilindur mbijetoi pas luftës dhe proçesi i kthimit vazhdon
edhe sot e tërë ditën.
Është për të ardhur keq që shumë të krishterë mendojnë
gabimisht: meqë Zoti e hodhi poshtë për një kohë popullin e Tij, Ai e
braktisi përgjithmonë dhe kështu premtimet e Beslidhjes, që iu dhanë
dikur Izraelit i kaluan Kishës. Kjo quhet “teologji e zhvendosjes” që
zëvendosën Izraelin me Kishën. Është e vërtetë se të krishterët u bënë
pjestarë të premtimeve të Zotit, por kjo nuk do të thotë se Zoti e braktisi
përjetësisht popullin e Tij të zgjedhur.
Tek Jeremia 31 lexojmë premtimin më të shkëlqyeshëm:
“Shumë kohë më parë Zoti m’u shfaq duke thënë: -Po, të kam
dashur me një dashuri të përjetshme, prandaj të kam
tërhequr me dashamirësi. Unë do të të rindërtoj dhe ti do të
rindërtohesh!”
(Jeremia 31:2-4)
“Ja Unë po i kthej nga vendi veriut dhe po i grumbulloj nga
skajet e Tokës.
(Jeremia 31:8)
Ai që ka shpërndarë Izraelin do ta mbledhë atë…”
(Jeremia 31-10)
Këto premtime profetike nuk janë plotësuar ende deri në fund. Për
të treguar se sa të patundshme janë premtimet e Tij, Zoti i lidh dhe i
krahason ato me ekzistencën e Tokës dhe të fenomeneve natyrore:
“Kështu thotë Zoti, që ka dhënë diellin për dritën e ditës dhe i
ka dhënë ligje hënës dhe yjeve për dritën e natës, që e larton
diellin dhe i bën dallgët të uturijnë, emri i të cilit është Zoti i
ushtrive.”
“Në qoftë se këto ligje do të binin para Meje, thotë Zoti,
atëherë edhe pasardhësit e Izraelit do të pushonin së qeni një
komb përpara Meje përjetë.” (Jeremia 31:35-36)
Dhe për ta theksuar edhe më shumë Zoti përsërit vargun 37:
“Kështu thotë Zoti: Në qoftë se do të mund të mateshin qiejtë
lart, ose të hulumtoheshin themelet e tokës poshtë, atëherë
edhe Unë do t’i hidhja poshtë të gjithë pasardhësit e Izraelit
për të gjitha që kanë bërë, thotë Zoti.” (Jeremia 31:37)
Është e qartë se dielli edhe hëna nuk do të pushojnë së ndriçuari,
shpall Zoti, ashtu edhe Izraeli do të qëndrojë një komb para Tij
përgjithmonë. Gjatë gjithë kohës nga viti 70 deri në vitin 1948 pas lindjes
së Krishtit, Izraeli mbeti një komb në sytë e Zotit. Pastaj diçka ndodhi.
Kombet e Bashkuara votuan për ndarjen e Palestinës. Kështu u krijua
Shteti i Izraelit në maj 1948. Kështu rilindi kombi. Populli i Izraelit u
kthye prapë në vendin e vet, me identitetin e vet, në truallin e të parëve të
tij dhe filloi të flasë në gjuhën e tij. Ne të vërtetë gjithshka u krye nga
dora e Zotit. Por historia vazhdon dhe po ashtu vazhdojnë dhe
komplotet për të penguar planet e Zotit. Pavarësisht nga përpjekjet për
ta shkatërruar këtë komb të porsalindur, ai mbijetoi. Por planet e Zotit
nuk kanë mbaruar. Zoti do ta plotësojë premtimin për popullin e Tij të
zgjedhur dhe do t’i kthejë prapë në vendin e tyre gjithë hebrenjtë. Do të
ketë pra një eksod të dytë drejt atdheut të tyre, i cili do të jetë edhe më
domethënës se eksodi i parë nga Egjipti.
“Prandaj ja, po vijnë ditët, thotë Zoti, në të cilat nuk do të
thuhet më: Për Zotin e gjallë, që nxori bijtë e Izraelit nga
vendi i veriut dhe nga tërë vendet, ku i kishte shpërndarë. Dhe
Unë do t’i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të
tyre.”
(Jeremia 16:14-16)
“Së pari ata do të kthehen me anën e peshkimit, me anë të predikimeve
dhe të inkurajimit. Më vonë persekutimi do t’i shtyjë të kthehen në
shtëpi. Ata do të përndiqen” (Jeremia 16-16)
Antisemitizmi do të rishfaqet. Tashti Zoti po “peshkon”. Në këtë
libër tregohet një pjesë e atyre, që Ai po bën sot, dhe si po e përdor
Fondacionin Ebenezer për të përmbushur qëllimet e Tija. Sot ne po
shohim me sytë tonë si dëshmitarë të historisë. Është koha që Kisha të
ngulë këmbë në këtë veprimtari. Është koha të tregojmë dashuri për
popullin e zgjedhur të Zotit, sidomos tani që po përmbushet plani i Zotit,
që kthimi i tyre në atdhe të sendertohet.
KAPITULLI 1
“…Sepse Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; Jam Zoti dhe
askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin dhe fillimin dhe
shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë.” (Isaia
46:9-10)
Lidhja ime me këtë ngjarje të çuditshme filloi në restorantin e një
hoteli në Anglinë e Veriut. Ishte koha e darkës dhe salla ishte plot. Vetëm
një vend ishte i lirë, në të cilin u ula. Në kohën që po prisja të më
servirnin ushqimin bisedova me zotërinë, që ishte ulur përballë meje.
Nga biseda mësova se ai ishte mjek me profesion dhe besonte në Zotin.
Sapo jam kthyer nga Izraeli më tha ai. Këto fjalë më tërhoqën
vëmendjen. Në pranverën e po atij viti, në vitin 1982 unë me
bashkëshorten time, Elsën sapo kishim mbaruar një periudhë dhjetë
mujore studimesh në qendrën e bukur studimore të krishterë, që gjendet
në Bradenton të Floridës. Aty kishim parë dhe kuptuar për herë të parë
premtimet që Zoti i ka dhënë popullit të Izraelit. Që nga ajo kohë ne e
ndienim se për një arsye, që as vetë ne nuk e kuptonim, na duhej të
shkonim në Izrael. Për këtë arsye unë kisha ardhur në këtë hotel që të
kisha kohë dhe mundësi të lutesha për të kuptuar planin e Zotit për ne:
që të kisha një vend ku të isha i qetë dhe të mos më shqetësonte
askush. Unë isha në festën e Tabernakullit në Jeruzalem vazhdoi të fliste
doktori, që ishte ulur përballë meje. Atje dëgjova një predikues që quhej
Stiv Lajtëll të thotë se Zoti i kishte treguar atij se së shpejti do të vijë koha
kur hebrenjtë, që janë në Bashkimin Sovjetik do të kthehen në Izrael.
Këto fjalë më bënë përshtypje të jashtëzakonshme. Mjeku ngriti sytë
dhe vështroi i çuditur reagimin tim. Unë sapo kisha lexuar profecitë,
që parashikojnë kthimin e hebrenjve në tokën e premtuar dhe ja, krejt
papritur e pa planifikuar, takoj dikë, që më thotë se këto profeci po
përmbushen. Që nga ai çast unë nuk pata më qetësi. Duhet të shkoj në
Jerusalem dhe ta takoj Stiv Lajtëll mendova. O Zot, u luta. Në qoftë se ky
njeri është në Jeruzalem, më krijo mundësinë që unë ta takoj, dua ta di
më tepër për vizionin, që ti i ke dhënë.
Dy javë më vonë, bashkë me gruan time Elsën, arritëm në aeroportin Ben
Gurion të Izraelit dhe që aty me taksi shkuam në hotelin tonë
në Jeruzalem. Ditën tjetër, që herët në mëngjes, ne dolëm të shëtisnim
dhe po vrisnim mendjen se si dhe ku mund ta gjenim Stiv Lajtëll. Unë
nuk isha i prezantuar me të personalisht, por e kisha dëgjuar të referojë
në një kongres ndërkombëtar të krishterë në New Orleans para një
auditori prej 8000 vetësh. Dija gjithashtu se ai ishte drejtori i organizatës
Bashkësia e Biznesmenëve të Krishterë, sektori Europian. Po të vëreje
formën e hundës dhe të fytyrës si dhe flokët e tij kaçurrela, mund të
dalloje lehtë, se edhe ai vetë ishte izraelit. Pikërisht në këtë çast, për
habinë time të madhe, shoh dikë që dukej si Stiv Lajtëll duke ecur në
anën tjetër të rrugës.
Stiv Lajtëll! Thirra me zë të lartë, që të mund të dëgjohej mbi zhurmën
e trafikut. Ai drejtoi vështrimin e tij nga ne, por meqë nuk na njohu deshi
të vazhdonte rrugën. Jo Stiv, ti nuk na njeh, por ne të njohim ty. Unë
duhet të të takoj patjetër. Me të dëgjuar këtë ai ndaloi dhe ne, pa humbur
kohë, kapërcyem rrugën përmes trafikut mëngjesor. Mëngjesi i parë i
qëndrimit tonë në Jeruzalem po fillonte me një mrekulli. Zoti e organizoi
takimin tonë me Stiv Lajtëllin më shpejt dhe më lehtë nga sa ne mund ta
ëndërronim.
“Ne duam të mësojmë më shumë për vizionin tuaj”, i thamë dhe pas
një bisede të shkurtër vendosëm të takohemi mbrëmjen tjetër të dhe të
hamë darkë se bashku. Ushqimi mbeti i paprekur në pjatat para nesh. E
gjithë vëmendja jonë ishte drejtuar te Stivi, i cili po na tregonte atë, që i
kishte ndodhur gjatë një argjërimi gjashtë ditor në vitin 1974:
“Fuqia e Zotit mbushi dhomën. Prania e Tij ishte aq e fuqishme saqë unë
u rrëzova në dysheme dhe nuk ngrihesha dot që atje… Vetëm ditën e
gjashtë isha në gjendje të qëndroja i ulur në karrige. Në atë kohë shoh një
ekran gjigant në të cilin mund të shiheshin fytyrat e shumë njerëzve.
Ishin që të gjithë hebrenj në turma të mëdha, qindra, mijëra vetësh. Ata
dukeshin qartë dhe unë mund të shihja se si ata endeshin dhe silleshin
rrotull pa gjetur rrugëdalje. Sa më tepër i shikoja aq më e qartë më bëhej
fytyra e tyre, derisa mund të shihja ata, aq qartë sikur të ndodheshin
brenda në dhomë, bashkë me mua, në anën tjetër të tryezës. Pastaj fillova
të shoh vendin ku ndodheshin këta njerëz. Ishte Bashkimi Sovjetik. Unë
mund të shikoja qartë kufijtë e këtij vendi, tërësinë e tij. Kjo për mua
ishte një përvojë e re. Kurrë më parë nuk kisha përjetuar diçka të tillë.
Së fundi të gjithë këta njerëz, këto turma, u mblodhën të gjitha së bashku
në një vend të caktuar. Pikërisht në këtë çast u hap një rrugë e drejtë dhe
e gjerë. Zoti vetë zbriti nga qielli dhe e ndërtoi këtë rrugë.
Askush nuk mund të afrohej dhe të ecte në këtë rrugë përveç hebrenjve të
grumbulluar aty, si edhe ata të huaj, që Zoti i lejonte. Ata filluan të
ecnin, u futën në rrugën e re, që sapo ishte hapur dhe filluan të ecnin në
të duke lëvizur përpara. Në këtë kohë shoh se Zoti zgjodhi njerëz të
caktuar të cilëve u dha fuqinë dhe autoritetin e Moisiut, disa të tjerëve
edhe më shumë. Këta shkonin përpara pushtetmbajtësve dhe
autoriteteve në Bashkimin Sovjetik dhe u shpallnin atyre: “Kështu thotë
Zoti i Izraelit: Lejoni popullin Tim të shkojë!”.
Por autoritetet në Bashkimin Sovjetik nuk pranuan ta bëjnë këtë gjë. Ata
i fortësuan zemrat e tyre dhe në asnjë mënyrë nuk deshën të binden.
Atëherë të dërguarit e Zotit filluan të profetizojnë. Këto profeci filluan të
përmbushen. Plagë dhe ndëshkim, katastrofa dhe shterpësi e pllakosën
Bashkimin Sovjetik derisa kjo superfuqi u detyrua të gjunëzohet. Rruga u
hap dhe qindra e mijëra njerëz hebrenj filluan të ecnin në të dhe të
largohen.”
Ndoshta dikujt tjetër ky vision do t’i ishte dukur si diçka e pabesueshme
dhe joreale, por unë dhe Elsa që kishim pasur mundësi të njihnim
profecitë biblike për rikthimin e hebrenjve ne tokën e premtuar, ishim në
gjendje ta pranonim. Në ata çast unë e kuptova se kisha ende për të
mësuar, kështu që qëndrova në Izrael për disa javë, ndërkohë që gruaja
ime Elsa, u kthye në Angli, tek fëmijët tanë. Ndërkohë, Stivi dhe
bashkëshortja e tij Xhudi u treguan bujarë me mua dhe më ftuan të rri në
shtëpinë e tyre në En Kerem, në vendlindjen e Gjon Pagëzorit.
Stivi ishte njeri energjik. Gjithë qenia e tij rrezatonte gëzimin e Zotit për
të cilin flet Davidi në Psalmet e Tij. Atje mësova se kthimi përfundimtar i
bijve të Izraelit në Tokën e Premtuar ishte parashikuar nga të gjithë
profetët kryesorë të Dhjatës së Vjetër. Për këtë fakt mund të përmenden
edhe më shumë se njëqind citime. Në këto profeci theksohet veçanërisht
kthimi i bijve të Izraelit nga Vendi i Veriut. (shih Jeremia 3:18, 16:15,
23:8, 31:8, dhe Zakaria 2:6)
Pastaj unë pashë tek Isaia 49:22 se Zoti thotë se gjithë popujt e kombet
e tjerë do të marrin në krahë bijtë e bijat e Izraelit dhe do t’i çojnë
në Tokën e Premtuar. Në kohën që unë lexoja dhe meditoja rreth
këtyre Shkrimeve, një mendim më pushtoi të gjithin:
“Edhe ti do të marrësh pjesë në përmbushjen e kësaj profecie.” Ky nuk
ishte thjesht një mendim apo një ide kalimtare nga ato që shkojnë e vijnë
shpesh në mendjet njerëzore. Ai mendim ishte një zbulesë ndriçuse, që
buroi nga thellësia e qënies time dhe u përhap si një rrymë elektrike në
trupin tim.
Kishin kaluar nëntë vjet nga koha kur Stivi e kishte patur këtë vizion,
por gjatë gjithë kësaj kohe, ai shumë rrallë e kish shpallur atë publikisht.
Ai ishte njeri i mençur dhe i matur. Kurrë nuk ndërtonte asgjë pa qenë i
sigurt se Zoti e drejtonte në mënyrë, të qartë për të bërë diçka të caktuar.
Por tani ai ndiente se kishte ardhur koha që të shpallte këtë vizion. Edhe
unë e ndieva se ky vizion u duhej njoftuar kishave e bashkësive të
krishtera kudo në botë.
Një ditë takova një njeri që quhej David Pausan më tregoi Stivi.
Davidi është një pastor dhe mësues i njohur i Biblës në Angli. Ai më
vështroi me ngulm dhe më tha: “Zoti të ka dhënë një vizion. Ti ke një
mision profetik. Bindju Zotit. Bindju Zotit, Stiv, dhe përmbushe misionin
që Ai të ka ngarkuar!”
Këto fjalë më prekën në thellësinë e shpirtit. Ato patën një efekt kaq
të fuqishëm saqë m’u duk sikur dikush më kapi me duar të fuqishme dhe
po më trondiste të gjithin.
Në atë kohë unë e ftova Stivin të na vizitonte ne në Bornemouth,
në qytetin bregdetar që ndodhet në juglindje të Londrës. Aty, dy orë e
gjysmë larg nga Londra, ishte shtëpia dhe qendra e biznesit tonë. Me të
arritur në Angli, mora ditarin tonë të punës. E vetmja ditë e lirë ishte dita
kur kremtohet zyrtarisht ngjitja në qiell e Jezu Krishtit, 12 maj 1983
O Zot, u luta, bëj të mundur që të organizojmë një takim të gjerë. Në
atë kohë e ndjeva se duhet të merrnim me qera sallën e quajtur Taun
Holl, një nga sallat më të mëdha të qytetit me kapacitet 1000 persona.
Mundohu ta marrësh me qira këtë sallë: I thashë sekretares sime,
Beverlit. Në qoftë se mund ta marrim me qira këtë sallë, kjo do të thotë se
Zoti është me ne. Pak më vonë ajo hyri në zyrën time dhe tha: Po, salla e
Taun Holl është e lirë. Ne mund ta marrim atë.
Pa humbur kohë, bëra veprimet e duhura dhe sigurova sallën për ne,
për ditën e caktuar. Pikërisht në kohën, kur gjithçka ishte siguruar, u
sulmova nga dyshimet: të krishterët në qytet dhe në qendrat e afërme,
dilnin pak rreth Izraelit. Dukej e pamundur që të mbushej një sallë me
1000 vende, sidomos kur të shpallej se tema do të ishte rreth kthimit të
hebrenjve në Izrael.
“O Zot, ç’po bëj? Mendova. Në qoftë se sjellin Stivin të referojë dhe salla
është bosh, si do të mund ta justifikoj veten?”
O Zot, u luta në qoftë se marrja e kësaj sale është vullneti Yt, të lutem
foli dikujt që të më telefonojë gjatë këtyre ditëve. Le të më telefonojë
dhe të më thotë diçka nga Bibla që të provojë se ky është vullneti Yt.
Ligjërisht ishte e mundur që ta rezervojë sallën dy javë përpara se të
bëja pagesën. çdo ditë prisja që të ndodhte diçka, të vinte telefonata që i
kisha kërkuar Zotit, por asgjë nuk po ndodhte. Dhe ja, erdhi dita e Zotit,
por asgjë nuk po ndodhte. Dhe ja, erdhi dita e fundit e periudhës dy
javore. Atë natë qëndrova zgjuar deri në mesnatë, duke pritur pranë
telefonit.
Isha i sigurt se telefonata e shumëpritur do të vinte. Unë prisja e prisja
por telefonata e shumëpritur nuk po vinte. Në mesnatë i thashë gruas
sime Elsës:
“Nesër që herët në mëngjes, do të telefonoj dhe do të njoftoj se nuk dua
ta marr me qira sallën e Taun Hollit. Do të gjejmë një kishë dhe do
ta mbajmë aty takimin, përpara një ambient të vogël.”
Të nesërmen në mëngjes sapo u ngrita nga krevati, ra zilja e telefonit. Po
na telefononte një grua, me të cilën nuk kishim ndonjë marrëdhënie
shumë të ngushtë personale, por ne e respektonim atë, sepse e dinim se
ajo ishte një e krishtere e përkushtuar. Ajo më tha: Gustav Zoti më drejtoi
të të them diçka. Gjatë kësaj kohe unë jam lutur për sallën e Taun
Hollit… Shiko, të lutem tek letra e Palit, drejtuar Romakëve 10:15
Unë e mora menjëherë Biblën dhe lexova fjalët:
“Dhe si do të predikojmë pa qenë dëgjuar? Siç është shkruar…
Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që
shpallin lajme të mira.”
Kjo ishte diçka e papritur. Unë u gëzova dhe u çlirova nga një barrë
e rëndë. Shumë i gëzuar atë mëngjes unë konfirmova kërkesën tonë
për marrjen me qira të Taun Hollit dhe e shpalla publikisht takimin tonë,
atje pranë kishave të zonës. Në mbrëmje, para se të mbahej takimi, sapo
u ktheva gjithë gëzim nga zyra. Elsa më priti tek dera me një lajm
tronditës:
Sapo na telefonuan nga Zvicra, tha ajo. Në Zvicër jetonte djali ynë i
madh Martini, bashkë me gruan e tij të sjellshme. Nga shprehja e fytyrës
së Elsës mund ta dalloja se diçka e keqe kishte ndodhur. Martinit i ra të
fikët në punë, vazhdoi ajo: Atë e çuan urgjentisht në spital.
Unë mbeta i heshtur. Ky lajm më tronditi shumë. çfarë kishte djali?
Së pari mendova se njëri nga ne: ose unë ose Elsa duhet të nisej
menjëherë për në Zvicër. Stivi që ndenji me ne atë natë, nuk u shqetësua
dhe nuk u tremb si ne; jo vetëm për faktin se Martini nuk ishte djali i tij.
Ai e dinte se ky ishte një sulm satanik, për të na çoroditur ne para takimit
që kishim planifikuar të organizonim. Të nesërmen u mblodhëm në
shtëpinë tonë të gjithë ne, që organizonim punën për takimin, që do të
mbahej atë mbrëmje. Të gjithë u gjunjëzuam dhe filluam të lutemi, për
një farë kohe unë hapa sytë. Të gjithë, të 25 personat, që ishin me mua në
dhomë vazhdonin të luteshin, disa prej tyre në gjunjë, disa të tjerë me
fytyrë për tokë përpara Zotit. Ishte një takim i fuqishëm lutjeje. Nga ky
takim lutjeje na erdhën dy parashikime profetike:
1.Biri juaj do të shërohet brenda pak ditësh.
2. Ti do të ndezësh dashurinë e besimtarëve për kthimin e hebrenjve në
Izrael dhe ky zjarr do të përhapet në krejt Ishujt Britanikë.
Që nga ky moment, unë dhe Elsa, ishim të qartë dhe mund të qëndronim
e të vazhdonim punën tonë. Kur shkuam në Taun Holl atë natë u
çuditëm. Salla ishte mbushur plot e përplot. Gjithë atmosfera ishte e
elektrizuar.
“Zoti është me ne këtu sonte”, thashë nga platforma, para se ta
prezantoja Stivin: Dëshira ime është të jem atje ku më dërgon Zoti, nën
mbrojtjen e Tij, ashtu si sot në këtë mbrëmje.
Pastaj Stivi erdhi në skenë dhe tregoi vizionin e tij para auditorit
të mbledhur, ashtu si ma kishte treguar mua në Jeruzalem. Pas një
heshtjeje të shkurtër Ai tha: Tani, nëse dikush nga ju dëshiron të largohet
është i lirë të lërë sallën. Nëse ju nuk largoheni nga kjo sallë, jeni
përgjegjës para Zotit për këto gjëra që dëgjuat në këtë vizion, po aq sa
edhe unë vetë.
Kaluan disa çaste heshtjeje të plotë dhe askush nga të pranishmit nuk
u largua.
Me sa di unë, kjo është hera e parë që referohet në Angli për kthimin
e hebrenjve nga Bashkimi Sovjetik në Tokën e Premtuar. Dhe unë mund
t’ju them me siguri se këto fjalë dhe ky mesazh do të pushojë gjithë
kombin, do të shkojë tek secili këtu në këtë vend që askush të mos thotë
se ajo, që ndodhi nuk ishte një rastësi historike. Jo! Të gjithë do ta
marrin vesh se ajo, që ka ndodhur dhe po ndodh është vepër e dorës së
Zotit.
Tani unë dua t’ju lexoj juve disa citime Biblike marrë nga libri i
profetit Jeremia, kapitulli 23 vazhdoi Stivi. Ndërkohë, çdo pjesëmarrës
në sallë kish marrë me vete një listë ku ishin rreshtuar citime nga
Shkrimi i Shenjtë ku bëhet fjalë për rikthimin e fundit të hebrenjve në
Tokën e Premtuar.
Citime nga Ligji i Përtërirë 30, Isaia 11:35-43, Jeremia 3:16-23 dhe 30-
31,
Ezekiel 36-39. Sofania 3. Le të kuptojmë atë që Zoti ka ndërmend
të kryejë në këto momente, kjo natë ku ne po lexojmë citime nga Bibla
është një natë kaq profetike? Përse është kthimi i popullit hebre nga
Bashkimi Sovjetik një ngjarje profetike? Përse Zoti po i mbush me
dashuri zemrat e besimtarëve të gjithë botës? Kjo nuk po ndodh vetëm
tek të krishterët. Unë kam takuar shumë hebrenj të cilëve Zoti u ka
zbuluar se çfarë duhet të bëjë Ai me hebrenjtë, që ndodhen në Bashkimin
Sovjetik.
“Por, do të mbledh kusurin e deleve të Mija nga të gjitha
vendet, ku i kam shpërndarë dhe do t’i çoj përsëri në kullotat e
tyre, ku do të jenë pjellore dhe do të shumohen. Do të caktoj
mbi to barinj dhe do t’i kullosin, dhe nuk do të kenë më
ndrojtje, as frikë. Nuk do të mungojë asnjë prej tyre thotë
Zoti.
Ja ditët do të vijnë thotë Zoti: Në të cilat do të shkaktoj që nga
rrënja e Davidit do të dalë një filiz i drejtë që do të mbretërojë
si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe
drejtësinë në vend. Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe
Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin
do të thirret: “Zoti është drejtësia jonë.”
Jeremia 23:3 -6 dhe Isaia 46:9-10
Çfarë do të na thotë ne profeti me këto fjalë? Vazhdoi të fliste
Stivi, dëgjoni. Po vjen një ditë në historinë njerëzore, në të cilën Zoti do
të mbledhë të gjithë hebrenjtë, kudo që ata të jenë shpërndarë
nëpër botë. Pasi ata të jenë mbledhur, të jenë kthyer dhe të kenë marrë
në dorë Tokën e Premtuar, Zoti premton se do të dalë nga rrënja e
Davidit një filiz i drejtë. Ky filiz i drejtë tani nuk do të vijë si qenjgj, që e
çojnë në thertore. Tani Ai do të vijë si Zot mbi Zotër dhe Mbret mbi
Mbretër.
Vëllezër dhe motra, kjo është ardhja e dytë e Jezu Krishtit dhe para se
të vijë Ai, të gjithë hebrenjtë, duhet të jenë kthyer në Izrael nga të
gjitha vendet, ku ata ishin shpërndarë. Jezu Krishti nuk do të kthehet në
një Izrael të shkretuar dhe të braktisur. Ai do të kthehet, kur të gjithë
hebrenjtë të jenë mbledhur aty. Kjo do të jetë përmbushja e fjalës
profetike, që gjendet tek libri i profetit. Zakaria 12:10
“Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e
Jeruzalemit Frymën e Hirit dhe të përgjërimit dhe ata do të
vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të
pikëllohen për të, ashtu si pikëlloheshin për një bir të vetëm
dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhëroheshin
për një të parëlindur.”
Bibla na dëshmon që do të ketë vajtime, por vajtimet do të kthehen në
gëzim dhe lotë hidhërimi që do të kthehen në lotë gëzimi.
Nga e marr unë këtë guxim të them këto fjalë? Sepse ne dimë që çdo
veprim që Zoti kryen paraprihet nga profecia. Para se të vinte Jezu
Krishti, erdhi Gjon Pagëzori i cili shkoi në shkretëtirë dhe thërriste:
“Përgatiteni rrugën për ardhjen e Zotit.” Gjon Pagëzori dhe fjalët e tij
ishin përgatitja profetike për ardhjen e parë të Mesias. Kur Jezu Krishti
të kthehet për herë të dytë do të ndodhë e njëjta gjë.
Para ardhjes së Tij, një mesazh profetik do t’i shpallet gjithë botës.
Ky mesazh profetik është përmbushja e profecive të Biblës: kthimi
i Izraelitëve nga të gjitha anët e botës. Ky kthim profetik i hebrenjve
fillon me kthimin profetik të bijve të Izraelit nga vendi i caktuar. Nga e
dimë këtë fakt? Jeremia 23:5-8
Në vargjet paraardhëse 5 dhe 6 na jepet premtimi për ardhjen e dytë
të Mesias kurse në vargun 7 dhe 8 na jepet nje mesazh profetik që do
të paraprijë këtë ardhje.
Jeremia 23:5-8
“Ja ditët po vijnë, thotë Zoti, në të cilat do të shkaktoj që të
dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret,
do të ketë mbretëri dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë
në vend.
Në ditët e tij, Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë
në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: Zoti
drejtësia jonë.”
Vargu 7 fillon me parafjalën pra, në disa përkthime me fjalën prandaj.
Kjo tregon se ngjarjet që përshkruhen në vargun 7 dhe 8 lidhen,
shkaktohen nga ngjarjet që përshkruhen ne vargjet 5 dhe 6. Sepse po
afron ardhja e Mesias, sepse po vijnë ditët që Zoti po shkakton që të dalë
një filiz i drejtë nga Davidi, Prandaj.
7. “Pra ditët po vijnë thotë Zoti, gjatë të cilave nuk do të thuhet
më: “Për Zotin e gjallë që nxori dhe çoi pasardhësit e shtëpisë
së Izraelit nga vendi i veriut dhe nga të gjitha vendet ku i
kishte shpërndarë. Dhe ata do të qëndrojnë në vendin e tyre.”
Isaia 46:9-10
Sot ndodhet vetëm një vend në veri të Izraelit tek i cili gjendet një numër
i madh hebrenjsh. Ky vend është Bashkimi Sovjetik. Sipas statistikave
të fundit zyrtare aty jetojnë sot rreth 2.1 milion hebrenj.
Zoti do t’u japë mundësi kombeve të botës të bekojnë popullin e Tij
të zgjedhur duke i ndihmuar ata të kthehen në Izrael. Pikërisht këtë gjë
po e bëjmë ne sot. Në qoftë se dikush nga ju dëshiron të njohë të
vërtetën, le të shkojë në vetmi në dhomën e tij, të mbyllë derën dhe ti
lutet Zotit Jezu Krisht:
“O Zot! A janë të vërteta këto fjalë. “
Ky predikim ndryshoi jetën e të gjithë atyre që ishin të pranishëm
në auditor. Shumica e tyre nuk kishin dëgjuar më parë se në Bibël
është dhënë një premtim profetik për kthimin e hebrenjve në Tokën e
Premtuar, në Izrael.
Ky predikim na hapi sytë tha një grua. Unë i kisha lexuar këto pjesë
të Biblës shumë herë por nuk i kisha kuptuar. Për Izraelin nuk flitet kurrë
në kishat tona. Ne mendonim se vargjet ku përmendet emri i Izraelit
kanë një kuptim simbolik dhe i kushtohen vetëm besimtarëve të krishterë
sot.
Predikimi i asaj mbrëmjeje vërtet ndezi një zjarr. Ashtu si u profetizua
në takimin e lutjes gjithashtu, kur Elsa shkoi në Zvicër, pa se djali ynë
po përmirësohej dukshëm. Sëmundja e tij ishte diagnostikuar nga mjekët
atje si një bllokim i mushkërive.
Që nga ajo ditë unë fillova të udhëtoj bashkë me Stivin në të
gjithë Anglinë për të shpërndarë këtë mesazh në të gjitha kishat e
krishtera.
Ato ditë janë të ngulitura thellë në kujtesën time. Kudo që shkonim
Stivi deklaronte publikisht:
“Tani ka ardhur koha që t’i drejtohet një kërkesë e hapur dhe ultimative
qeverisë së Bashkimit Sovjetik duke i shpallur atë që thuhet në Fjalën e
Zotit:
Ata duhet të përulen përpara Zotit dhe para fjalës së Tij, dhe t’i
lejojnë hebrenjtë të kthehen në vendin e tyre, në Izrael. Në të kundërt
Zoti do ti ndëshkojë.
Pa kaluar shumë kohë dy mesazhe ultimative u transmetuan nga
BBC në një nga emisionet e saj. Kjo ndodhi gjatë një konference për
shtyp në parlamentin Findlandez. Ky mesazh u dëgjua edhe në
Bashkimin Sovjetik. Një nga gazetat kryesore Ruse u përgjigj duke u
tallur me një artikull të titulluar: “Zoti gjunjëzon Rusinë.”
Në atë kohë shumë vetë, madje edhe të krishterë të njohur, na quanin
ne dhe deklaratat tona si qesharake. Në atë kohë, në vitin 1983 dukej
e pamundur që të shkatërrohej komunizmi dhe që të hapej rruga
që hebrenjtë të shkojnë në Izrael. Në atë kohë, Lufta e Ftohtë ishte
në kulmin e saj. Bashkimin Sovjetik ishte në kulmin e fuqisë së tij dhe
deshi të pushtonte territore të tjera si Nikaragua, Angola dhe
Afganistani.
Leonid Brezhnjevi kishte vdekur gjashtë muaj para se ne të
organizonim takimin tonë në Taun Holl, por në vend të tij kishte ardhur
në pushtet Juri Andropov. Ai ishte një njeri energjik dhe kishte qenë
drejtues i KGB-së për 15 vjet.
Juri Andropov kishte persekutuar hebrenjtë dhe kishte dënuar me
ashpërsi të gjithë ata që donin të largoheshin nga Bashkimi Sovjetik për
t’u kthyer në Izrael. Por pavarësisht nga dukja e jashtme, që në atë kohë
filloi që të veprojë ndëshkimi i Zotit kundër Bashkimit Sovjetik. Që nga
viti 1979 prodhimi i grurit në Bashkimin Sovjetik ishte kaq katastrofal
saqë autoritet komuniste nuk jepnin më të dhëna statistikore. Në kohën
e mbjelljeve shira të fuqishëm pengonin hedhjen dhe shpërndarjen e
farës dhe më pas shkaktonin kalbjen e bimëve të sapombira. Më pas
pllakoste thatësira, e cila i shkatërronte edhe shumë nga ata filiza që
kishin mbirë, më vonë sulmonin shira të pandërprera dhe përmbyteshin
fushat, që në fakt duheshin korrur. Dhe kështu edhe ato pak kokrra,që si
për çudi kishin arritur të piqeshin, lageshin, rrëzoheshin përtokë dhe i
mbulonte myku dhe kalbja. Katastrofat natyrore nuk mund të
mposhteshin as me punë vullnetare, as me të shtunat komuniste dhe as
me mobilizimin e gjithë popullsisë.
Insitutet e studimeve Markisiste- Leniniste nuk po gjenin më citate nga
veprat e klasikëve që të mund të shpjegonin dhe të përballonin disfatën.
Në Moskë historiani marksist Roi Medvedev shkroi një artikull të
titulluar: “Përse Rusët nuk janë në gjendje të prodhojnë grurë?” Në fund
të artikullit, ky historian markisist dilte në përfundimin se në bujqësi
rreth 50% varet nga Zoti. Pak vite më parë askush nuk do të guxonte të
imagjinonte se këto fjalë mund të shkruheshin nga pena e një historiani
markisist në Moskë dhe aq më pak që një artikull i tillë të botohej në një
gazetë zyrtare.
Pra, ajo që askujt nuk i kishte shkuar ndërmend, po ndodhte. Një
superfuqi me armatime moderne dhe me industri të zhvilluar, me pasuri
të mëdha natyrore, tani gjendej në prag të urisë. Qeveria komuniste i bëri
thirrje popullit të konservonte e të kursente sa më shumë ushqime. Por,
që të kursesh e të konservosh, duhet që më parë të kesh.
Për të mos lejuar që njerëzit të vdesin nga uria qeveria e Moskës ishte
e detyruar të harxhonte mbi gjysmën e buxhetit të saj vjetor për
të importuar ushqime nga jashtë. I shtrënguar nga të gjitha anët,
Bashkimi Sovjetik po afrohej me hapa të shpejta të rrënimit. Ndërkohë
që USA ,nën drejtimin e Ronald Reganit e ngriti dukshëm buxhetin
ushtarak. Por, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, një mëngjes pa
pritur Moska u zgjua në një muzikë funebre. Kishin kaluar vetëm 15
muaj nga ardhja në pushtet e Juri Andropovit. Për orë të tëra nuk kishte
asnjë shpjegim zyrtar për këtë ndryshim të papritur të programeve të
radio Moskës. Njerëzit filluan të kryejnë veprimet e përditshme duke u
përpjekur të mos u shpëtojë asnjë fjalë e pa kontrolluar, apo e qeshur me
zë të lartë që mund t’ju kushtonte shtrenjtë. Më në fund, pas disa orësh
heshtje e vërteta u shpall: Juri Andropovi, me gjithë deklaratat publike të
Kremlinit se ai gëzonte shëndet të plotë, kishte vdekur. Vendin e tij e zuri
Kostandin Çernienko. Ai ishte 72 vjeç, pra disi i moshuar, por megjithatë
ishte një vit më i ri se 73 vjeçari Roland Regan, që drejtonte rivalen USA.
13 muaj më vonë radio Moska po transmetonte përsëri muzikë
funebre. Në fakt sipas programit duhet të transmetohet një program
humoristik. Arsyeja e këtij ndryshimi i shpall publikisht ditën e nesërme
në orët e pasdites: edhe Çerniko kishte vdekur. Brezhnjevi, Andropovi
dhe Çernienkua, 3 sekretarë të partisë, udhëheqësit e shtetit, të vdekur
brenda 2 vjet e gjysëm. Deri në atë kohë periudha e sundimit nga një
sekretar partie ishte 20 vjet. Këto vdekje hapën rrugën që frenat e
pushtetit në Moskë, të bien në duart e një sundimtari të ri, i cili më parë,
as nuk figuronte në listën e kandidatëve dhe as nuk kishte ndonjë
popullaritet të madh. Ky njeri ishte Mikail Gorbaçovi.
Gjatë kësaj periudhe unë dhe Stivi bashkë me Johanes Facius dhe
Kjell Sjoberg, që në atë kohë drejtonim konferencat ndërkombëtare të
lutjeve, organizuam një konferencë të tillë në Jeruzalem. Kjo konferencë
kishte vetëm një temë dhe vetëm një pikësynim: të luteshim që Zoti të
hapte rrugën që hebrenjtë, që jetonin në Bashkimin Sovjetik të mund
të ktheheshin në Izrael. Në fund të konferencës u vendos që Stivi
dhe Johanesi dhe 2 persona të tjerë, që kishin përvojë në lutje, të shkonin
në Bashkimin Sovjetik. Ata kishin si mision që gjatë muajit prill të luten
dhe me lutjet e tyre të hapej rruga që hebrenjtë të ktheheshin në Izrael.
Në atë kohë Bashkimi Sovjetik lejonte që të emigronin çdo muaj më pak
se 100 persona. Megjithë presionin e madh dhe masat hakmarrëse mbi
360 mijë hebrenj kishin guxuar të parashtronin kërkesat e tyre për të
emigruar në Izrael. Anatoli Sharanski, udhëheqës i lëvizjes për kthimin e
hebrenjve nga Bashkimi Sovjetik në Izrael, në atë kohë po vuante vitin e
7-të dënimin në një kamp pune të detyruar nën akuzën tradhëti dhe
agjitacion kundër shtetit socialist sovjetik.
Personat që kishin si mision të luten arritën në Bashkimin Sovjetik
një muaj pasi Gorbaçovi kishte ardhur në pushtet. Ata shkuan në
qëndrat kryesore, ku jetonin hebrenjtë. Kudo që shkonin ata ecnin rreth
statuajave gjigande të Leninit dhe i luteshin Zotit ta rrëzonte këtë idhull
mashtrues, që mbante në errësirë dhe tirani mendjet e njerëzve. Ata
shkuan në aeroporte, në stacione trenash, porte detare dhe u lutën që
Zoti të hapte dyert për hebrenjtë në mënyrë që ata të kthehen në Izrael.
Në Ukrainë, në Odesa, atje ndodhet një nga portet më të mëdhenj detarë
të Detit të Zi.
Ata ecën në shkallët massive që të çojnë nga qyteti në portin detar.
Këto shkallë gjigande quheshin atëherë me emrin Potenkin. Kur arritën
në fund të tyre, ata u kthyen për t’u ngjitur përsëri. Ky kthim ishte i
papritur. Agjentët e KGB që i përgjonin nuk patën kohë të tërhiqeshin
dhe ata pothuaj u përplasën ballë për ballë me personat që i survejonin.
Këto lloj lutjesh ishin diçka e re dhe jo e zakonshme. Kur u kthyem në
hotel për të pirë kafe, secili nga habia pranoi se i dukej diçka naïve ajo që
po bënim. Johanesi në atë kohë pyeti: “çfarë kujtojmë se do të arrijmë
me këto gjëra, që po bëjmë?” Kur u kthyen doli qartë se kishte edhe
persona të tjerë, që i kishin pasur këto dyshime.
Dhe në fakt, gjatë nëntë muajve të parë që ishte në pushtet
Gorbaçovi, kishte po atë qëndrim ndaj hebrenjve ashtu si dhe
pararendësit e tij. Në një intervistë, në televizionin francez ai tha se
hebrenjtë gëzojnë më shumë të drejta në Bashkimin Sovjetik se në çdo
vend tjetër të botës. Për çështjen e emigrimit të tyre ai tha: Personat, që
njohin sekrete shtetërore, nuk lejohen të dalin nga Bashkimi Sovjetik.
Kurse kur u pyet për Anatoli Sharanskin, Gorbaçovi u përgjigj: Ai ka
shkelur ligjet tona dhe sipas këtyre
ligjeve është dënuar me një process të drejtë gjygjësor.
Në fund të po atij viti, Stivi dhe Johanesi u kthyen në Bashkimin
Sovjetik. Kësaj radhe bashkë me ta ishin edhe 13 ndërmjetës të tjerë. Që
të gjithë ishin të krishterë nga Franca, Suedia, Findlanda, USA, dhe nga
Gjermania. Misioni i tyre këtë radhë ishte: “Të kërkojmë e të shpallim
ndëshkimin e Zotit ndaj Bashkimit Sovjetik, ashtu si bëri dikur Moisiu
dhe populli i tij kundër Egjiptit dhe Faraonit.”
Këta të krishterë ishin të bindur se Bashkimi Sovjetik dhe qeveria e tij po
i kundërviheshin Zotit dhe planit të Tij për rikthimin e Popullit të Izrelit
në Tokën e Premtuar. Për këtë arsye, Bashkimi Sovjetik duhet
të shkatërrohej. Ne e ndjemë se Zoti do ta shkatërrojë këtë superfuqi tha
Johanesi. Ky grup lutjeje qëndroi së pari në Findlandë ku u lutën dhe
argjëruan për tre ditë për t’u përgatitur për betejën që kishin përpara. Aty
studiuam së bashku edhe kapitullin 51 të profetit Jeremia për
ndëshkimet dhe se si shkatërrohet një vend, kur ai i kundërvihet Zotit
dhe Fjalës së Tij.
Në pasditen e 31 dhjetorit, me gjithë të ftohtin e hidhur, ata shpallën
jashtë zyrës së Gorbaçovit në Moskë, fjalët që profeti Samuel i kishte
thënë mbretit Saul:
“Saul ti ke refuzuar t’i bindesh Fjalës së Zotit, edhe Ai të ka
mohuar ty si mbret. Zoti të ka hequr ty dhe pushtetin tënd
mbretëror, që sot.´ (1Samuel 15:26)
Grupi i lutjes kaloi gjithashtu në Sheshin e Kuq duke ecur pranë mureve
të fortesës së Kremlinit, gjatë gjithë kohës duke u lutur ashtu si i
drejtonte Shpirti i Shenjtë. Një pastor nga Findlanda tregoi me gisht yllin
e madh dhe të kuq që ngrihej në një kullë të lartë.
Çfarë kuptimi ka kjo? Pyeti ai nga pjestarët e tjerë të grupit.
Ky është simboli i njeriut dhe i forcës njerëzore – u përgjigj një pjestar
i grupit të lutjes që vinte nga Suedia. Ai ishte specializuar në studimet
rreth kulteve dhe lëvizjes Satanike e quajtur: “Epoka e re.”
Por tek Jeremia 17:5 thuhet: “I mallkuar është ai njeri që beson tek njeriu
dhe që e bën nga mishi krahun e tij dhe zemra e të cilit largohet nga
Zoti!”
Grupi i lutjes vazhdoi të ecë e të lutet dhe pas pak momentesh dikush
tha:
“Ndjej se ai ylli po rrëzohet. Pjestarët e tjerë të grupit aprovuan
duke pohuar me kokë: “Kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt” shtoi ai. Atë
mbrëmje grupi i lutjes u mblodh në hotelin e tyre: Shikoni se ç’thuhet në
Bibël tek Zbulesa 8:
“Një yll po bie nga qielli! Është pikërisht ajo gjë, për të cilën ne po
luteshim sot…” thirri i entuziasmuar njëri nga pjestarët e grupit të lutjes.
Në mesnatë, grupi i lutjes shkoi në lumin e Moskës pranë Kremlinit,
dhe duke zbatuar ato që thuhen në Librin e profetit Jeremia, në
kapitullin 51. 59- 64, morën një Bibël, ku nënvizuan ato vargje ku flitet
për ndëshkimin që Zoti u jep atyre që i kundërvihen Krijuesit dhe Fjalës
së Tij. Këtë Bibël e lidhëm fort me një gur të rëndë dhe e hodhëm në
lumë. Bibla e lidhur fort me gurin e rëndë theu akullin e hollë mbi
sipërfaqen e lumit dhe u zhyt në ujërat e tij. Pasi bënë këtë veprim ata
deklaruan: Kështu do të fundoset Bashkimi Sovjetik dhe nuk do të dalë
më kurrë në dritë, si pasojë e ndëshkimit që Unë Zoti do të dërgoj mbi të.
Grupi i lutjes e deklaroi këtë në emër të Zotit.
Këto që po bëjmë ne janë çmenduri për arsyen njerëzore, tha një
nga pjestarët e grupit, pasi ishte kryer gjithçka. Kjo gjë është e pamundur
në llogjikën njerëzore, por ne e dimë që Zoti është me ne dhe se Ai na
drejton në të gjitha këto që po bëjmë.
Katër muaj më vonë ndodhi një ngjarje që tronditi jo vetëm
Bashkimin Sovjetik, për të gjithë botën. Shpërthimi në reaktorin
bërthamor të Çernobilit, në Ukrainë. Si pasojë e këtij shpërthimi u
shpërnda në tokë, në ajër e në ujë po aq ndotje dhe rrezatim radioaktiv sa
kanë krijuar sëbashku të gjitha provat bërthamore, të gjitha shpërthimet
atomike që nga zbulimi i kësaj armë shkatërruese. Udhëheqësit
komunistë u munduan ta fshehin të vërtetën dhe ndërkohë që ata
largonin fëmijët dhe familjet e tyre nga ajo zonë, ata urdhëronin të tjerët
që të dilnin dhe të marshonin për festën e 1 Majit. Ata e dinin se një re
vdekje prurëse radioaktive qëndronte mbi të gjithë zonën. Mijëra njerëz
vuajtën pasojat e këtij qëndrimi kriminal: me dhimbje koke, kollë dhe
duke pështyrë gjak. Gjithë kohës ata u munduan ta fshehin të vërtetën
rreth ngjarjes dhe përmasat katastrofale që solli ajo.
Por reja radioaktive lëvizi dhe shirat radioaktiv goditën Poloninë,
vendet skandinave dhe më tutje. Atëherë e vërteta nuk mund të mbulohej
më.
Vetëm atëherë qeveria komuniste filloi të evakojë banorët. Zona të
tëra rreth Çernobilit u zbrazën krejt por tepër vonë. Shumë nga banorët
e kishin marrë dozën vdekjeprurës të rrezatimit bërthamor. Se sa i
madh ishte numri i viktimave midis banorëve të zonës si edhe midis 600
mijë punëtorëve, të cilët u dërguan menjëherë pas shpërthimit që të
shuanin zjarrin dhe të pastronin pasojat, pa veshjet e duhura mbrojtëse,
kjo nuk dihet ende saktësisht. Kjo ngjarje zbuloi fytyrën e vërtetë të
udhëheqjes komuniste dhe ishte një nga faktorët kryesorë, që bëri që
populli të humbasë besimin tek sistemi komunist. Ky aksident katastrofal
la të ndotur dhe të papërdorueshme një zonë të madhe tokash bujqësore
dhe rezerva të shumta të ujit të pijshëm. Qeveria filloi të ndërtojë puse të
mëdha me qëllim të mos lejonte të ndoteshin urjat nëntokësore por më
kot. Avjonët e shumtë u dërguan që të bënin fluturime të pandërprera në
atë zonë në mënyrë që të shpërndaheshin retë dhe të pakësoheshin rënjet
e shirave radioaktivë. Kievi qyteti i 13-të për nga madhësia në B.S, që
ndodhet vetëm 100 km në jug të Çernobilit, u detyrua të ndërtojë një
ujësjellës të ri. Si pasojë e ndotjes së ujërave të liqeneve në Findlandë u
vunë kufizime ne gjuajtjen dhe konsumimin e peshkut. Rritje të
radioaktivitetit dhe rënia e reshjeve radioaktive u matën deri në bregun
lindor të SHBA.
Në gazetën Nju Jork Tajms në datën 26 korrik 1986 vetëm pak muaj
pas katastrofës të Çernobilit ishte botuar një ngjarje sensacionale që
kishte ndodhur në Moskë: një shkrimtar i njohur rus kishte dalë përpara
një takimi publik me një Bibël në dorë. Me shkathtësi ai e hapi kapakun
e shqyer dhe shfletoi fletët derisa arriti te kapitulli i fundit i Zbulesës.
Dëgjoni, tha ai duke iu drejtuar pjesëmarrësve, kjo që do t’ju lexoj
është diçka e jashtëzakonshme, dëgjoni se ç’flitet tek Zbulesa 8:10-11
“Dhe i treti ëngjëll i ra borisë, dhe ra nga qielli një yll i madh
që digjej si pishtar dhe ra mbi pjesën e tretë të lumenjve dhe
mbi burimet e ujrave…
Dhe emri i yllit është “Pelin” dhe e treat e ujërave u bë pelin
dhe shumë njerëz vdiqën për shkak të këtyre ujërave sepse u
bënë të hidhura.”
Pasi mbaroi leximin e citimit, shkrimtari Rus mori një fjalor dhe tha se
në gjuhën ukrainase fjala çernobil do të thotë pelin dhe për anën
gjuhësore të këtij shpjegimi nuk kishte asnjë pikë dyshimi, pasi bima e
pelinit njihej nga të gjithë. Dhe në fshatërat ruse ajo bimë përdoret edhe
nga mjekësia popullore për kurimin e disa sëmundjeve.
Ky shkrimtar ishte ateist dhe nuk ishte i vetmi që i shpjegon ngjarjet
e Çernobilit, si përmbushje e fjalës profetike që gjendet në Kapitullin e
tetë të Zbulësës. Këto fjalë që kanë kanë pushtuar krejt Bashkimin
Sovjetik, përfundonte artikulli i gazetës.
Vetëm Zoti e di me siguri se çfarë lidhje kanë fjalët profetike, që
janë shkruar tek Zbulesa, kapitulli 8 me ngjarjet e Çermobilit, se ç’lidhje
ka lutja e besimtarëve të krishterë me katastrofat që ndodhën në
Bashkimin Sovjetik. Por dihet me siguri se katastrofa që ndodhi në
Çermobil ishte domethënëse dhe tronditi themelet e Bashkimit Sovjetik.
Disa vite më vonë Gorbaçovi shkruan: “ Katastrofa e Çernobilit na
tronditi shumë.”
Ishte koha kur ai me anën e Gllasnosit (lirisë së fjalës) dhe me anën
e Perestrojkës (ristrukturimit) u mundua të mbante gjallë Bashkimin
Sovjetik, ndërkohë që krizat vazhdonin.
Portat e hekurta që mbanin të izoluar hebrenjtë po lëkundeshin
gjithmonë e më tepër. Në atë kohë m’u kujtuan fjalët, që tha Stivi disa
vite më parë në takimin që ne mbajtëm me besimtarët e krishterë në
qytetin Taul Hall:
“Askush nuk mund të thotë që shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik,
këto ngjarje që po ndodhin janë një rastësi historike. Jo, në asnjë
mënyrë!”
KAPITULLI II
Kështu thotë Zoti: “Ja, Unë do të ngre dorën Time mbi
kombet, do të ngre flamurin Tim mbi popujt, atëherë do t’i
sjellin bijtë e tu në krahë dhe vajzat tuaja do t’i sjellin mbi
supe.”
(Isaia 49:22)
Gjatë viteve në vazhdim konferencat e lutjeve në Jeruzalem u
kryen rregullisht dhe unë mora përsipër rolin e diakonit dhe kujdestarit
për rregullimin e gjërave praktike. Papritmas një herë fillova të lutem:
“O Zot! E plotësova kohën time duke shërbyer në tryezë si diakon.” Unë
e dija nga Bibla se një diakon ka edhe punë të tjera shpirtërore. “O Zot,
të lutem të mos më lejosh të mbaroj si Stefani. “
Pak më vonë më ndodhi diçka që nuk do ta harroj kurrë. Unë isha i
ulur në tryezën e një lokali në Jeruzalem për të ngrënë mëngjes.
Përballë meje ishte ulur Bill Styles, një predikues Baptist i cili punonte
edhe në një agjenci udhëtimesh në Izrael. Atë moment, ai më vështroi me
vëmendje dhe më tha: “Para dy muajsh unë pashë një ëndërr të
jashtëzakonshme:Papritmas unë u gjenda në mes të një stacioni të madh
udhëtimesh të mbushur plot e përplot me njerëz: të rinj e pleq të veshur
keq. Këta njerëz qëndronin me kujdes me bagazhet e tyre. Unë e kuptova
se ata ishin hebrenj.
Askush prej tyre nuk dinte se çfarë të bënte. Pastaj erdhi një burrë me
një kostum biznesmeni. Ai kishte flokë të bardhë dhe kishte me vete një
çantë. Ai e dinte se ç’duhej bërë.Në atë kohë më foli Zoti dhe më tha se
duhet të ndihmoja këtë njeri në punën, që po bënte për të sjellë hebrenjtë
e shpërndarë, në Tokën e Premtuar, sidomos ata që ishin në fund të
botës. Sot, sa të pashë, të njoha. Ti je personi që pashë në ëndërr.
Kur dëgjova këto fjalë m’u duk sikur Zoti më tërhoqi veshin dhe më tha:
“Sa herë më duhet ta përsëris. Do të vijë dita që ti do të ndihmosh
popullin Tim të zgjedhur të kthehet nga vendi i Veriut për në Tokën e
Premtuar.”
Për mua pritja nuk është një gjë e lehtë. Prej natyre më pëlqen që sa
të dëgjoj një fjalë, sa të më shfaqet diçka, të filloj të veproj; por kësaj
radhe unë e kisha të qartë se duhet të prisja derisa të vinte koha e caktuar
nga Zoti. Ndërkohë Zoti filloi të më parapërgatiste mua për misionin tim
duke më çliruar dalëngadalë dhe me butësi nga biznesi im, biznesi
dhe ndërmarrja që unë e kisha formuar me të ardhur nga Zvicra në
Angli.
Siç mund të dëshmojë edhe Elsa, në jetën time ishte një periudhë e
tillë, kur unë isha i martuar me punën time. Punoja natë e ditë, me orar e
pa orar, sillja vizitorë nga përtej oqeanit dhe hapja për ta shkolla për të
mësuar gjuhën në Oksford, Kembrixh, Londër, Torquay dhe
Bournemouth. Unë kisha zyra që përfaqësonin punën time në Angli. Më
vonë e zgjerova aktivitetin tim dhe krijova zyra e qendra të biznesit tim
në Zvicër, USA dhe Japoni si dhe përfaqësi dhe filiale të vogla në shumë
vende të tjera. Si pasojë e biznesit tim më ftuan në pallatin e Bakingamit,
nga familja mbretërore, ku m’u dorëzua dekorata mbretërore, që u
jepet biznesmenëve dhe industrialistëve të suksesshëm. Unë kisha në
këtë drejtim një ambicje të fshehtë: të merrja një titull fisnikërie dhe të
mund t’i shtoja emrit tim parashtesën aristokratike “Ser”.
Gjithë këto pikësynime dhe ambicje të mëdha morën fund në një ditë
të lagësht e plot me mjergull të vjeshtës më 1979. Ishte ditë e diel dhe
unë isha i veshur me rrobat më të mira, së bashku me gruan dhe fëmijët,
u nisëm për të shkuar në kishë. Ky ishte një ritual me të cilin isha rritur
dhe unë vetë. Për këtë arsye të traditës e kisha zbatuar rregullisht
gjatë gjithë jetës sime. Në atë kohë në kishën tonë Metodiste të
Uintonit kishte ardhur një pastor i ri, dhe për çudinë tonë ai lejoi të
predikonin disa njerëz të panjohur të veshur me rroba të zakonshme. (
Deri atëherë isha mësuar të shikoja në vendin e predikimit vetëm
persona të veshur me rroba sipas traditës fetare).
Jo vetëm veshja po edhe predikimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm,
sipas mendimit tim. Ata treguan se si e kishin njohur dhe e kishin
përjetuar Jezu Krishtin në jetën e tyre personalisht dhe se si Ati i Shenjtë
Qiellor u kishte zbuluar atyre, në jetën dhe praktikën e tyre se Jezu
Krishti ishte me të vërtetë Biri i Vetëm i Atit të Jetës se si ishin bindur ata
që Jezusi ishte ringjallur vërtet nga vdekja.
Një gjë të tillë unë e dëgjoja për herë të parë në jetën time. Unë
pa dyshim e quaja veten time të krishterë meqë prindërit e mi ishin të
tillë dhe më kishin pagëzuar që të vogël. Çdo javë në ditën e diel unë
shkoja në kisha ku dëgjoja të flitej për Jezu Krishtin e të këndohej e
predikohej për faktin se Ai u ringjall nga të vdekurit, por, pasi mbaronin
ritualet dhe ceremonitë as që mendoja më për këto gjëra. Kurrë nuk më
kishte shkuar ndër mend se Jezu Krishti dhe ringjallja e Tij mund të
lidhej me mua personalisht, dhe të mund të influenconte dhe të drejtonte
jetën time të përditshme.
Për herë të parë unë dëgjoja atë ditë të flitej për pendesën sipas
konceptit Biblik. Për herë të parë dëgjova të thuhej se kisha nevojë
të pendohesha e të lutem, të lutem për të ftuar Jezu Krishtin në jetën
time vetjake . Pasi mbaruan predikimin e tyre ata thanë: “Kush dëshiron
ta ftojë Jezu Krishtin si Zot në jetën dhe në zemrën e tij këtë dalë këtu
përpara.”
Heshtja që zakonisht mbretëron në kishën tonë u bë edhe më e
thellë. Një gjë të tillë as nuk kishim parë e as kishim dëgjuar ndonjëherë.
Të dilja para të gjithëve, të gjunjëzohesha aty ku do të më shihnin të
gjithë?
Unë tani nuk isha fëmijë apo djalë i ri, që nuk e ka njohur derën e
kishës më parë. Unë isha 50 vjeç, burrë i martuar dhe me katër fëmijë.
Prej vitesh unë isha aktivist i kësaj kishe, isha përgjegjës për anën
financiare. Megjithatë unë e ndieja se duhet të ngrihesha nga vendi, se
duhet t’i përgjigjesha thirrjes, që më ishte drejtuar nga altari, dhe kështu
veprova: U ngrita dhe eca përgjatë radhëve pa shikuar djathtas dhe
majtas për të marrë opinionin e fytyrave të njohura prej kaq vitesh. Më
në fund arrita, dola m’u në krye. Në vendin ku në ditët e festave
shpërndahej bukë dhe verë si kremtim i darkës së fundit të Jezu Krishtit
para se ta çonin në kryqëzim.
Pikërisht aty, para kryqit të madh prej druri u gjunjëzova. Lotët filluan
të më rridhnin dhe pikonin në dysheme. Kur u ktheva në vendin tim Elsa
ma kapi dorën dhe ma shtrëngoi fort. Ajo ishte aq e ngashëryer sa edhe
unë vetë. Më vonë ajo më tha: Për vite me radhë unë isha lutur për këtë
gjë. Po atë natë shkova në zyrën time, mora Biblën dhe fillova të lexoj
tek Ungjilli sipas Lukës, kapitulli 15 shëmbëlltyrën e djalit plangprishës.
Gjatë leximit më mbeti në mendje një frazë, e cila më ndriçoi: “Duhet të
festojmë e të gëzohemi sepse ky, vëllai yt, ishte i vdekur dhe u
kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjend përsëri.”
Kuptova se me ato fjalë po fliste me mua personalisht Ati i Shenjtë i
Jetës. Atë natë e ndieva se sapo kisha filluar dhe sapo isha futur në një
jetë të re. Gëzimin e asaj nate nuk e kisha ndierë kurrë më parë në asnjë
nga sukseset e arritjet, të cilat nuk kishin munguar e as nuk kishin qenë
të pakta.
Në muajt në vazhdim biznesi im,që ishte kaq i suksesshëm për vite me
radhë, filloi të tronditej. Erdhi koha e krizës së naftës. Inflacioni u ngrit
me ritme të shpejta, bankat po kërkonin përqindje më të larta fitimi për
kreditë që jepnin. Si pasojë e krizës dhe e çmimeve të larta njerëzit nuk
po udhëtonin më dhe turizmi pothuajse u paralizua. Për herë të parë e
kuptova se e kisha zgjeruar kompaninë më shumë nga sa duhej. Pas
shumë llogaritje e brerje të ndërgjegjes u detyrova të shkurton personelin
që kisha punësuar nga 220 në 80 vetë. Ishte një proçes më të vërtetë i
dhimbshëm. Unë kalova kohë me secilin nga personat, që ishin të
detyruar të pushoheshin nga puna dhe u luta për ta personalisht.
Megjithatë rënia vazhdonte. Tani, për ditë të tëra qëndroja i ulur në zyrën
time duke llogaritur edhe sa ditë më ndanin nga falimenti i plotë. Po
shkatërroheshin të gjithë planet, përpjekjet dhe ëndrrat e shumë viteve të
mija. Shkatërrimi më vinte nga të gjitha anët dhe unë as mund ta
përballoja më atë. E vetmja gjë që më mbetej në ato ditë ishte të ulesha e
të llogarisja përmasat e tij.
Në këto rrethana e festova ditëlindjen time. Mbusha 51 vjeç. Atë ditë
bëra diçka, që nuk e kisha bërë kurrë më parë: Iu luta Zotit të më jepte
një këshillë. Për këtë gjë kisha mësuar nga një libër që kisha lexuar i
cili titullohej: “Fjalë për drejtimin dhe mbrojtjen e përditshme.” Ky libër
ishte në fakt një ditar në të cilin rekomandoheshin pjesë nga Shkrimi i
Shenjtë për lexim e meditim për çdo ditë. Në vitin 1727 një bashkësi
të krishterësh Moravianë u ndodhën përballë një persekutimi
të jashtëzakonshëm, udhëheqësit e kësaj bashkësie i luteshin Zotit t’u
jepte citime nga Shkrimi i Shenjtë. pastaj ata shkonin dhe i çonin këto
shkrime në shtëpinë e çdo besimtari që të meditonte e të lutej rreth tyre.
Këto citime u quajtën: “Fjala mbrojtëse e ditës.” Kjo traditë u bë traditë
dhe çdo vit, pasardhësit e kësaj bashkësie, drejtuesit e saj mblidhen,
luten dhe pastaj duke hedhur short nxjerrin listën ku shënohet “Fjala
mbrojtëse e ditës” d.m.th: citimi i rekomanduar për meditim dhe lutje
nga Shkrimi i Shenjtë për çdo kryefamiljar e për çdo person. Atë ditë ne
po lexonim nga botimi i 250 i kësaj tradite. Citati i rekomanduar atë
mëngjes ishin fjalët e Jezu Krishtit drejtuar Martës tek Ungjilli i Lukës
10:40-41.
“Martë, Martë. Ti po shqetësohesh dhe po kujdesesh për
shumë gjëra, por vetëm një gjë është e nevojshme.”
“Po o Zot” i thashë, është e vërtetë, jam i shqetësuar për biznesin,
për njerëzit që punojnë me mua, për borxhet.”
Në atë moment e kuptova se të gjitha hallet e mija duhet t’ia lija
Jezu Krishtit. Ai ishte një gjendje t’i zgjidhte ato. “O Zot”, thashë: “Më jep
kohë e mundësi të mësoj, unë dua të eci me besim: unë dua të kem me Ty
një marrëdhënie të ngushtë, por nuk di se si dhe nuk jam në gjendje ta
bëj këtë. Të lutem më ndihmo.”
Megjithëse dukej pak a shumë e qartë se Jezu Krishti po më fliste mua
me të njëjtat fjalë drejtuar Martës, përsëri unë desha të jem i sigurt.
Ndoshta kjo ishte një rastësi, ndoshta unë nuk isha ende i pjekur që të eci
kështu me besim dhe të kem një marrëdhënie të ngushtë me Jezu
Krishtin. Duke menduar këto isha tani duke shfletuar një ditar Amerikan
dhe për habinë time citimi për meditim dhe për lutje ishtë po ai: Fjala e
Jezu Krishtit drejtuar Martës. Ky fakt më bindi plotësisht. Kurrë nuk më
kishte ndodhur të kisha të njëjtin citat të rekomanduar për një datë në të
dy ditaret e lutjes njëkohësisht. Tani isha i bindur se Jezu Krishti më
kishte folur mua në fjalët drejtuar Martës. Unë kuptova se të gjitha hallet
dhe vështirësitë që po kaloja ishin prova. Zoti po provonte besimin dhe
karakterin tim duke më çuar të kaloj përmes vështirësive. Pas një farë
kohe, pasi u qartësova për gjithçka, u luta: Zot, biznesi im të takon Ty.
Bëj çfarë të duash me të. Unë po ta jap Ty biznesin tim.
Derisa isha në gjendje ta zbatoj këtë vendim kaloi një kohë e
caktuar. Është më e lehtë të thuhet madje edhe të merret vendim se sa të
vihet në jetë ky vendim.
Një mëngjes, në kohën kur ne ishim në vështirësi të mëdha financiare, të
rrethuar nga borxhet, që sa vinin dhe shtoheshin, në zyrën time erdhi një
zonjë angleze. Ajo ishte përfaqësuese e biznesit tonë në Turqi dhe duhet
të na paguante një shumë të konsiderueshme parash.
Mua më duhen urgjentisht këto para, i thashë duke përplasur grushtin
në tryezën time të punës.
Zoti Sheller. Unë nuk jam në gjendje t’ju paguaj borxhet tani, tha ajo
e dëshpëruar. Papritur unë e ndieva qartë se duhet ta ndihmoja atë. Në
fund të takimit tonë unë i dhashë asaj 1000 sterlina.
Mos po bëhem qesharak? i thashë gruas time Elsës atë mëngjes. Në
një kohë kur unë nuk jam në gjendje të paguaj borxhet dhe pagat
e nënpunësve që po punojnë për mua, shkoj dhe u jap para atyre, që nuk
më kanë shlyer ende borxhin.
Pas kësaj bisede u lutëm dhe filluam të lexonim Biblën, si zakonisht
në mbrëmje. Tek Ligji i Përtërirë kapitulli 15 vargu 10 lexuam:
“Jepi me bujari (vëllait tënd të varfër) dhe zemra jote të mos
trishtohet, kur jep, sepse pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt,
do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të
zerë dora.”
Atëhere me të lexuar këto fjalë ne filluam të këndojmë dhe t’i japim
lavdi Zotit. Ne e dinim që kishim vepruar si duhet.
Unë kisha ndërtuar në qytetin e Bournemouthit, duke marrë kredi
bankare një bllok katërkatësh ndërtesash të përbërë nga zyra, si dhe një
shkollë, që kishte të gjitha lehtësitë administrative dhe që ishin të
nevojshme. Unë e dija se po të shisja ndonjë nga këto ndërtesa, nga
paratë e marra do të isha në gjendje të shlyeja borxhin e ta shpëtoja
biznesin tim nga falimentimi.
Kur fillova të bëj përpjekje e reklama për të gjetur ndonjë myshteri,
pashë se unë nuk isha i vetmi që dëshiroja të shes zyrat dhe
ndërtesat administrative. Ishte një kohë krize dhe shumë biznese dhe
kompani po mundoheshin të bënin të njëjtën gjë. Por, ne po prisnim
ndihmën e Zotit dhe ajo nuk vonoi, por erdhi shpejt tek
ne. Bournemouthi ka një pozicion kyç. Aty janë përqëndruar shumë
qendra e biznese që merren me trafikun e autobuzëve. Një nga këto
biznese që ishte përqëndruar aty kishte ndërtuar bllokun e zyrave për të
drejtuar biznesin e saj. Një natë, bllokut i ra zjarri dhe zyrat u
shkatërruan. Në këtë situatë atyre iu bë e qartë se po të mos kishin zyra
ata do të mposhteshin nga konkurrenca. Në këto rrethana ata e
blenë menjëherë bllokun tim katërkatësh të zyrave. Kjo më shpëtoi
nga falimenti. Në të njëjtën kohë Zoti më hapi rrugë dhe mundësi të reja
dhe biznesi im filloi të lulëzojë përsëri. Edhe unë nuk e shpjegoj dot se si
dhe pse ndodhi ky ndryshim. Nga një situate pa shpresë e pa rrugëdalje
disa javë më parë biznesi filloi të ecë më mirë se kurdoherë më parë. Kur
bëra bilancin doli se fitimi i këtij viti në krizë ishte më i larti se i çdo viti
tjetër më parë. Unë e dija se ky fitim nuk ishte si pasojë e mençurisë
sime: Zoti vetë e kishte marrë në dorë drejtimin e biznesit tim.
Disa vite më vonë, dikush na njoftoi se donte të blinte shkollat tona
për mësimin e gjuhës dhe Zoti më kujtoi mua faktin se unë ia kisha lënë
Atij në dorë drejtimin e biznesit tim. Ishte e qartë për ne që ishte vullneti
i Zotit të shisnim shkollat, por, para se ta shisja, unë dëshiroja të merrja
mendimin e personelit, që punonte aty. Unë thirra në takim personat që
e drejtonin. Në atë mbledhje unë u thashë atyre planet e mia për shitjen e
shkollave si dhe shumën që më ishte dhënë si ofertë. Ndërkohë ata, si për
çudinë time, më dhanë një ofertë edhe më të mirë, të cilën unë e
pranova menjëherë.
Tani mua më mbeti vetëm agjencia e udhëtimeve. Në atë periudhë
unë fillova të kem shumë humbje sepse, në fakt, burimi kryesor i fitimit
ishin shkollat. Në të njëjtën kohë, personeli arsimor, gjatë kohës kur
nuk zhvillohej mësim punonte në zyrat e agjencisë së udhëtimeve. Ne
u gjendëm në një situatë të tillë nga e cila vetëm Zoti mund të
na shpëtonte. Ishte e qartë se agjencia e udhëtimeve duhej shitur, por si?
Një agjenci udhëtimi që nuk sjell fitim, por vetëm humbje, as që nuk
mund të rekomandohet dot për shitje.
Që të hapnim rrugën për ndërhyrjen e Zotit, unë bashkë me Elsën,
gruan time, organizuam një argjërim si Danieli. Për tre javë u lutëm
vazhdimisht për këtë problem dhe nuk hëngrëm as mish as ëmbëlsira.
Megjithatë asgjë nuk ndodhi. Atëherë ne argjëruam krejtësisht, pa
ngrënë asgjë për disa ditë dhe ja, një mëngjes, postieri më solli një letër
të dërguar me porosi të vulosur me shumë vula ku shkruhej: “Tepër e
rëndësishme”. Ne e hapëm atë pa vonesë. Ajo na drejtohej nga një agjent
tregtar i specializuar për informacion dhe shitje biznesesh. Një firmë e
fuqishme tregtare i kishte kërkuar atij të studionte tregun dhe të gjente
një agjenci udhëtimi, që plotësonte kushtet e caktuara. Këtë ata
do ta blinin menjëherë, pa vonesë, pavarësisht se unë nuk kisha
deklaruar publikisht se doja ta shisja agjencinë time të udhëtimit, ai po
më drejtonte këtë letër, sepse e kishte studiuar gjendjen e tregut. Atij i
dukej se kjo agjenci udhëtimi ishte më e përshtatshme për klientët e tij.
Kur lexova këtë letër nënqesha: “E kush do ta blejë një agjenci
udhëtimi që sjell humbje? “-i thashë Elsës. Pak javë më vonë unë shkova
në Londër që të takohem me drejtorin e përgjithshëm dhe me
përgjegjësin financiar të asaj firme. Ata ishin të veshur me kostumet më
të shtrenjta dhe kompania që ata drejtonin ishte kompani
multimilionere. Takimi ynë i parë nuk na eci mbarë. Mua më dukej se ne
flisnim në gjuhë të ndryshme dhe nuk kishim mundësi të merreshim
vesh. Kur mbaroi takimi unë isha i bindur se kisha ardhur kot deri në
Londër. Për çudinë time, disa ditë më vonë erdhi të më vizitojë në zyrën
time në Bournemouth vetë drejtuesi i kësaj kompanie multimilionere.
Kur u ulëm të bisedonim ai vështroi me vëmendje pllakatën që unë
mbaja në tryezë ku shkruhej: “Jezu Krishti është Zot.”
Pasi e lexoi këtë pllakatë, drejtuesi i kompanisë multimilionere më
tha: “Unë jam katolik. Kam studiuar dy vjet që të bëhem prift, por pas dy
vjet studimi e kuptova se Zoti nuk më kishte dhënë dhuntinë që të bëhem
një i tillë.”
Me këto fjalë filloi biseda jonë. Kjo bëri që midis nesh të krijohej
menjëherë një marrëdhënie e mirëkuptim, që nuk ishin në takimin
e parë. Na bëni një propozim të detajuar duke përfshirë edhe punësimin
e personelit, që punojnë për ju. Unë punova me ngulm dhe, pa kaluar
shumë kohë, u dërgova një propozim të detajuar. Dy ditë më vonë erdhën
tek ne dy specialist të asaj kompanie dhe filluan të studiojnë
dokumentacionin dhe gjithçka që lidhej me agjencinë tonë të
udhëtimeve. Atëherë unë humba shpresën: Me siguri do ta kuptojnë
menjëherë se kjo agjenci udhëtimi sjell vetëm humbje dhe jo fitime,
mendova.
Pa kaluar shumë kohë më telefonoi në zyrë kompania multimilionere
dhe më ftoi të shkoja në zyrën e saj qëndrore. Me të shkuar atje, drejtori i
saj më tha se donte ta blinte agjencinë time të udhëtimeve, pikërisht
sipas kushteve që unë i kisha parashikuar. Kurrë nuk do ta harroj atë
pasdite se si erdhi drejtori financiar dhe më dorëzoi të gjitha dokumentet
e blerjes. Ai qëndronte para meje dhe qeshte pa pushim. Më në fund, ai
më tha: Zoti Sheller. Unë nuk po e kuptoj pse ne po e blejmë këtë agjenci
udhëtimesh. Edhe unë qesha gjatë gjithë rrugës së kthimit për në
Bournemouth, qeshja dhe kisha një ndjenjë çlirimi e qetësimi si rrallë
ndonjëherë më parë. Tani isha i lirë të plotësoja thirrjen që më kishte
drejtuar.
Nuk kaloi shumë kohë dhe mrekullia, për të cilën ne ishim lutur dhe
kishim punuar për vite me radhë ndodhi. Bashkimi Sovjetik hapi kufijtë
dhe hebrenjtë tani mund të largoheshin. Në 13 muajt e parë emigruan në
Izrael 200 000 Izraelitë. Pak kohë më parë se të zhvillohej konferenca e
lutjes, në Jeruzalem, në janar të vitit 1997 u shënua numri rekord i
emigrantëve 35295, të cilët arritën brenda një muaji. Por ndërkohë,
ngjarje të tjera e tërhoqën vëmendjen e opinionit botëror:
“Sadam Husein sapo kishte pushtuar Kuvajtin. Konfortimi midis Irakut
dhe koalicionit të udhëhequr nga USA po bëhej gjithmonë e më i
mundshëm. Diktatori Sadam Husein kish kërcënuar se po ta sulmonin ai
do të digjte gjysmën e Izraelit. Këto kërcënime nuk ishin pa baza sepse
dihej që ai dispononte një numër të madh raketash SKUD, shumë prej
tyre edhe me mbushje kimike.
Dita e parë e fillimit të konferencës sonë të lutjes ishte me të njëjtën kohë
dhe dita kur përfundonte ultimatumi, që i ishte dhënë edhe Sadamit për
t’u tërhequr nga Kuvajti. Të gjitha qeveritë i paralajmëronin qytetarët e
tyre të largoheshin nga ajo zonë. Shumica e linjave të huaja ajrore
i ndërprenë fluturimet e tyre në Izrael, agjencitë i pezulluan programet
dhe udhëtimet e tyre turistike që kishin planifikuar brenda vendit. Por
120 të krishterë të përkushtuar nga 24 vende u paraqitën, në datën e
caktuar në Holyland Hotel (Hoteli Toka e Shenjtë) që të luten për Izraelin
dhe izraelitët, kudo në botë, ashtu si thuhet në Shkrimin e Shenjtë.
Ngjarjet që po ndodhnin bënë që pjesëmarrësit e konferencës së lutjes
kësaj radhe të seleksionoheshin. Shumë veta u trembën dhe nuk erdhën,
por të tjerë, të cilët nuk ishin regjistruar paraprakisht, erdhën në vendet
e lëna bosh. Të gjithë e dinin se të vije në Jeruzalem në atë kohë do
të thoshte të vije jetën në rrezik.Disa kishin ardhur megjithë përpjekjet,
që kishte bërë familja si dhe përfaqësuesit qeveritarë të vendeve të tyre
për t’i ndaluar. Kësaj radhe të gjithë përfaqësuesit e konferencës sonë
ishin të krishterë të vërtetë, njerëz që me të vërtetë e njohin forcën e
lutjes dhe ishin të gatshëm ti përkushtoheshin asaj. Në ditën e parë të
konferencës, në një kohë që kërcënimi po bëhej gjithnjë e më i afërt, ne u
mblodhëm të gjithë bashkë dhe filluam të këndonim himne të qeta të
krishtera; “E madhe është besnikëria jote.” Paqja e Zotit vërshoi me fuqi
të madhe mbi të gjithë pjestarët e konferëncës dhe ne e ndjemë vetë
dorën e Zotit, nën mbrojtjen e Tij. Secili e quajti si privilegj faktin që
ndodhej në ato momente atje në kohën kur Jeruzalemi ishte në
rrezik. Unë dhe Elsa sapo kishim rënë të flinim, atë natë, kur ra zilja e
telefonit. Ora ishte 2:15 e mëngjesit Unë e dija se çfarë kishte ndodhur pa
marrë në dorë receptorin. Lufta tashmë kishte filluar. Menjëherë pas
kësaj telefonate zemra ime u mbush plot keqardhje për irakianët e
pafajshëm, për popullin e thjeshtë që duhet të vuante pasojat
e bombardimeve, ndërkohë që Sadam Huseini ishte i sigurt dhe me të
gjitha komoditetet në bunkerin e tij. Pas telefonatës gjumi m’u largua
krejtësisht. Menjëherë fillova të telefonoj personat të cilëve u kisha
premtuar se do t’i njoftoj në qoftë se lufta do të fillonte. Brenda 15
minutave i gjithë korridori i hotelit u mbush plot me njerëz që bisedonin
me zë të ulët me njëri- tjetrin. Filloi bombardimi kundër Bagdatit. Tek të
gjithë çohej pyetja: Si do të kundërpërgjigjet Iraku?
Përgjigjia e kësaj pyetjeje na erdhi të nesërmen në të njëjtën orë.
Të gjithë u zgjuam menjëherë nga sirenat e alarmit ajror. Satelitët
amerikanë kishin zbuluar se dy raketa “SKUD” irakiane ishin drejtuar
kundër Izraelit. Ato do të godisnin brenda dy minutave. Unë dhe Elsa
kishim rënë të flinim të veshur, me këpucët në këmbë. Ne na duhej vetëm
të rrëmbenim kutitë ku ne kishim maskat tona të kundragazit dhe të
vraponim në vendstrehimin e parapërgatitur: një dhomë që gjendej në
katin e izoluar hermetikisht kundër lëndëve helmuese. Pas nesh u futën
në atë dhomë edhe shumë të tjerë. Me të hyrë në dhomë unë i hoqa syzet
e mia dhe vendosa maskën e kundragazit duke e fiksuar me përpikmëri,
që mbrojtja të ishte e plotë.
Kur gjithçka ishte gati, hodha sytë rreth e rrotull në dhomë. Përreth
nuk pashë më asnjë fytyrë njerëzore, vetëm maska kundragazi të
vendosura me përpikmëri. Sikush u ul në vendin e tij dhe po priste lajmin
në radio, që do të na njoftonte kalimin e rrezikut. Ndërkohë në dhomë
dëgjohej zhurma karakteristike që bën valvola e frymëmarrjes së
kundragazit. Askush nuk mund të fliste e të bisedonte, por jam i sigurt se
të gjithë, ashtu si unë vetë, iu lutën Zotit.
Kështu kaluam pothuaj dy orë deri sa një zë gruaje erdhi nga radioja:
Të gjithë qytetarët e Izraelit mund ti heqin maskat e tyre të kundragazit
dhe të largohen nga dhomat e izoluara. Të gjithëve na pushtoi një gëzim i
madh dhe filluam t’i thurnim lavdi Zotit. Në radio dëgjuam gjithashtu se
raketat SKUD, që sapo kishin goditur nuk kishin qenë me mbushje
kimike apo bakteriologjike. Ato kishin dëmtuar shtëpi banimi në Tel-Aviv
dhe Haifa, por nuk kishte të vdekur dhe as të plagosur rëndë. Në atë kohë
na erdhën shumë mesazhe solidariteti nga besimtarët e krishterë kudo në
botë, të cilët me interesim i ndiqnin këto ngjarje në television.
Alarmet ajrore të natës vazhduan gjatë gjithë javës. Ishte një kohë
e tensionuar. Një natë dëgjova një zhurmë dhe kërceva jashtë
krevatit. Shac, i thirra Elsës, duke përdorur termin që përdornin në
Zvicrën gjermane, për të dashurat. A nuk e dëgjon sirenën e alarmit?
Ajo ngriti kokën nga krevati dhe, për një çast, dëgjoi me vëmendje
pastaj duke ulur kokën në jastëk m’u përgjigj:
Jo nuk dëgjoj gjë. I inatosur hapa dritaren dhe nxora kokën jashtë. Ajo që
mua më ishte dukur si sirena e alarmit ajror ishte vetëm zhurma e një
kamioni që po kalonte pranë.
Më fal, shac, i thashë: U gabova kësaj radhe. Këto incidente na zgjuan
dhe herë të tjera gjatë asaj jave, si dhe të paktën gjashtë alarme ajrore
të vërteta, gjatë të cilave u futëm në dhomat e strehimit.
Gjatë gjithë kohës, megjithë këto incidente, unë isha i sigurt se ne
ishim në vendin e duhur dhe po bënim atë që duhej. Askush nga pjestarët
e grupit të lutjes nuk u tremb. Ne e dinim se Zoti do të na mbronte. Ajo
ishte konfernca më e mirë e lutjes që unë kisha përjetuar deri atëherë.
Situata e vështirë e forcoi unitetin tonë dhe ne ishim si një ushtri e
rregulllt dhe e disiplinuar, që përparon nën urdhërin e nën fuqinë e
Shpirtit të Shenjtë.
Në atë konferëncë lutjeje ne u lutëm për dy tema kryesore: Së pari
që lufta të përdorej si mjet që të hapej rruga e predikimit të Lajmit të
Mirë për Jezu Krishtin në vendet myslimane, dhe së dyti që lufta të
ndihmonte në kthimin e hebrenjve në Tokën e premtuar. Të dyja këto
lutjeje ishin nxjerrë nga vetë premtimet, që jep Zoti në Bibël. Shumë veta
mendojnë se të krishterët kanë si detyrë vetëm të ulen në gjunjë e të
luten, por gjatë gjithë vazhdimit të konferencës unë isha i sigurt se Zoti
dëshironte që ne, përveç lutjes, duhet edhe të hidheshim në veprime
konkrete. Vazhdimisht dëgjoja një zë të brendshëm që përsëriste nga ana
e Zotit: Tani ka ardhur koha që ju t’i ndihmoni bijtë e Mi të kthehen në
shtëpitë e tyre. Që të verifikoja vërtetësinë e këtyre mendimeve duhet të
bisedoja me dike. Për shumë arsye zgjodha që së pari të bisedoja me
Johanes Facius, drejtuesin e anës shpirtërore të konferencës së lutjes.
Unë e njihja mirë atë dhe isha i sigurt se çfarë përgjigjie do të merrja: Kjo
është papjekuri- do të më thoshte ai. Ne rrimë vetë të fshehur në dhomat
e strehimit me maskat e kundragazit. Si mund të bisedojmë tani për
veprimet konkrete për kthimin e hebrenjve në Izrael, sidomos tani që
raketat e Sadam Hyseinit na fluturojnë mbi kokë?
Unë dhe Johanesi ishim pjestarët më praktikë të grupit drejtues
të konferencës, por unë e ndieja megjithatë duhet të thosha atë që
ndjeja. Kështu që shkova tek Johanesi “Unë kam një ndjenjë të
fuqishme” i thashë se tani Zoti do që ne të ndihmojmë hebrenjtë të
kthehen nga vendi i Veriut në Izrael.
Për çudinë time Johanesi tundi kokën me miratim: “Po, po Gustav. Unë
besoj se kjo vjen nga Zoti!” Pas këtij dialogu të shkurtër heshtëm të
habitur. Ndjeva që nuk kishim folur ne por vetë Zoti kishte folur
nëpërmjet gojës sonë.
Të nesërmen, të shtunën, në orën 7.00, pikërisht përpara fillimit të ditës
së Shenjtë të Shabatit. Izraeli u godit përsëri me një breshëri raketash. Po
atë mbrëmje unë dola përpara 120 pjestarëve të konferencës dhe u thashë
të njëjtën gjë si Johanesit. Për çudinë time edhe ata më thanë se besonin
që ky mendim ishte një frymëzim, që vinte nga Zoti vetë. Jo vetëm kaq
por të gjithë pjesëmarrësit e konferencës deshën që atë natë të dhuronin
diçka për të ndihmuar që hebrenjtë të kthehen nga Bashkimi Sovjetik.
Kështu atë natë ne mblodhëm një ofertë. Në fund të takimit unë
së bashku me 2 persona të tjera numëruam paratë e dhuruara. Ai grupi i
vogël gjatë asaj nate kishte dhuruar 30 000 dollarë.
Të gjithë u gëzuan sepse tani e dinim me siguri se mendimet e vizioni
ynë për kthimin e hebrenjve nga Bashkimi Sovjetik nuk ishte një inspirim
i imagjinatës sonë, por ishte frymëzim që na vinte nga vetë Krijuesi i
Jetës. Kjo më mbushi plot, dëshirë e entuziazëm për të kryer sa më shpejt
ato që duheshin bërë.
Sa mirë që në ato ditë nuk e dija se çfarë vështirësish do të më
dilnin përpara për të përmbushur detyrën që më kishte ngarkuar Zoti. Po
ti dija paraprakisht vështirësitë, që do të më dilnin përpara mbase nga
frika do të kisha vrapuar e do të isha fshehur.
KAPITULLI III
“Kush janë këta që fluturojnë si një re si pëllumba në drejtim
të foleve të tyre?”
(Isaia 60:8)
“Nuk ma merr mendja se profeti Isaia të kishte parë ndonjë herë
aeroplanë, bëri shaka Stivi. Prandaj i përshkruan si re me krahë,
që fluturojnë. Këto fjalë po i shkëmbenim në orën 4 e 40 minuta,
në mëngjesin e një të mërkure ndërsa po prisnim pranë pistës së uljes
të aeuroplanëve në aeuroportin Ben Gurion të Izraelit. Kishin kaluar
katër muaj nga ditët e konferencës sonë të lutjes dhe ne, një grup i
vogël pjesëtarësh të saj, po prisnim të vinte avioni. Sapo kishte filluar
të ndriçonte qielli nga lindja, pikërisht në atë kohë u duk në horizont
edhe avioni, i cili u ul në pistën e ndriçuar mirë. Ngjyrat blu dhe të
bardhë, me të cilat ishte lyer, bënin të dallohej së largu, sepse ky avion i
takonte agjencisë ajrore izraelite EL AL. Punëtorët e aeuroportit i afruan
me shpejtësi shkallët e lëvizshme dhe dyert e avionit u hapën. Që aty
filluan të dalin njëri pas tjetrit të 250 olim (olim në gjuhën hebraike ka
kuptimin emigrant të porsaardhur dhe përdoret për ata hebrenj, që
kthehen për tu riatdhesuar në Izrael). Ndërmjet pasagjerëve kishte
fëmijë, që shtrëngonin kukullat dhe lodrat e tyre, kishte pleq, që mezi
zbrisnin shkallët. Disa nga të ardhurit ishin veshur mirë, të tjerët
varfërisht.
Një burrë nga të porsaardhurit, me të zbritur shkallët, u ul në gjunjë
dhe puthi tokën. Turma që ishte mbledhur t’i priste, brohoriste dhe
valëviste flamurë të të Izraelit. Ishte një atmosferë me të vërtetë
entuziaste dhe kremtore. Disa nga të porsaardhurit qeshnin, disa
këndonin, të tjerët qanin dhe spontanisht përqafonin njëri-tjetrin. Ne e
ndjenim veten si apostulli Pjetër në ditën e Rrëshajave, kur iu drejtua
turmës me fjalët: Këta njërëz nuk janë të dehur…kjo është përmbushja e
asaj fjale profetike, që është thënë nëpërmjet profetit Joel. Për ne kjo
ishte një pamje e jashtëzakonshme. Po ndodhte para syve tanë
përmbushja e fjalës profetike të Biblës, po ndodhte pikërisht ajo gjë, për
të cilën ishim lutur për vite me radhë.
Me paratë që na u mblodhën gjatë konferencës së lutjes në Jeruzalem,
ne shkuam tek Jewish Agency (Agjencia Hebreje e Udhëtimeve), e vetmja
agjenci udhëtimi, që në atë kohë organizonte gjithë ALIJAN
(emigrim, riatdhesimin e hebrenjve).
Në këtë fluturim biletat e të riatdhesuarve, 250 vetë, i kishim paguar
ne. Kjo na bënte edhe më shumë pjestarë të këtij gëzimi, që shihnim
rrotull nesh. Në atë kohë ne sapo kishim filluar punën duke sponsorizuar
një fluturim. Nuk kishim asgjë veç një listë pak qindra emra
pjesëmarrësish në konferencën e lutjes, dhe një grup prej 60-80
besimtarësh, që do të mblidheshin në një mbrëmje në Bournemouth. Ne
takoheshim për t’u lutur në korridorin e ndërtesës, ku ndodheshin zyrat e
kompanisë sime. Elsa dhe unë e quajtëm Shtëpia Eben-Ezer sipas
dëshmisë së profetit Samuel, që ka këtë kuptim: “Deri këtu Zoti na ka
ndihmuar.” (Samuel 7:12)
Në atë kohë filluam të shpërndajmë materiale informative, ku
shpjegonim se ç’kishim ndërmend të bënim. E quajtëm veprimtarinë
tonë Operacioni Eksodi dhe krijuam Fondacionin e Urgjencës Ebenezer
për ta mbështetur financiarisht këtë operiacion. Jehona që pati ky
material informativ, përgjigjet që ne morëm na entuziazmuan. Për
habinë time mua më vinin letra nga njerëz, që nuk i njihja. Të gjithë ata
që më shkruanin ishin tepër optimistë dhe ishin të gatshëm të na
ndihmonin me gjithë zemër. Ata ishin të bindur nga studimi që i kishin
bërë vetë Biblës se kishte ardhur koha që hebrenjtë të kthehen në tokën e
tyre. Një familje me tre fëmijë të vegjël shkruante: Ne nuk do të shkojmë
me pushime këtë vit. Është më e rëndësishme që një familje hebrenjsh të
kthehet në Izrael.
Një bujari dhe një përkushtim të tillë nuk e kisha parë kurrë. Kur
ulesha në tryezën time të punës dhe lexoja letrat që më vinin, gjithmonë
më mbusheshin sytë me lot. Çdo ditë merrja letra nga të krishterë, që më
tregonin për dashurinë e tyre ndaj hebrenjve.
Ata shkruanin: I dashur Gustav, të falenderoj që më krijove mundësinë
që edhe unë të mund të paguaj biletën e udhëtimit për një familje
hebrenjsh, që kthehet në Izrael. Këto fjalë më vinin ndërmend: Në qoftë
se unë, personalisht, do t’i dërgoja dikujt para, do të prisja që ai të më
dërgonte letër falenderimi, kurse këtu ndodh e kundërta.
Shumë dhurata na vinin nga njerëzit më të varfër. Tri zonja të verbëra, që
jetonin në veri të Anglisë së bashku kishin vendosur të kursenin dhe
të paguanin biletën e një pasagjeri.
Një zonjë e paralizuar, rreth 60 vjeç, na dërgonte në çdo muaj nga
një letër, ku fuste gjithmonë 2 sterlina. Ajo merrte si pension 49 sterlina
në muaj. Këto letra mua më kujtonin ofertën e gruas së ve, për të cilën
më tregon Jezu Krishti te Ungjilli sipas Lukës, kapitulli 21.
Unë çuditesha si rridhnin ngjarjet: na erdhën dhurata nga të krishterë
prej 30 shtetesh. Një letër na erdhi nga Korea e Jugut. Atë e dërgonin 30
zonja. Ato na shkruanin se nuk kishin para që të dërgonin, por do të
luteshin dhe do të mbanin lidhje të rregullta me ne. Në letrën tjetër ato
kishin bashkangjitur një çek prej 7.500 dollarësh. Ne vendosëm që jo
vetëm të lutemi, por edhe të punojmë jashtë orarit dhe pagesën e orëve
shtesë t’ua dërgojmë juve, na shkruanin ato.
Një familje amerikane kishte hapur një kishë në Meksikë. Nga kjo kishë
u krijuan 20 bashkësi të tjera të krishtera. Ata e bekonin rregullisht
Izraelin dhe Zoti e bekoi punën e tyre. Kur u tregova për kthimin e
hebrenjve, megjithë varfërinë e tyre: ata jetojnë në kasolle të mbuluara
me copa teneqesh të mbledhura në plehrat; edhe ata vendosën të
paguanin biletën e një pasagjeri. Për këta njerëz një dollar është
një pasuri e vërtetë, megjithatë ata i mblodhën paratë për të
paguar biletën. Një gjë tjetër që më preku thellë ishte solidariteti e
bujaria e hebrenjve për njëri-tjetrin. Një ditë pas fluturimit, që
financuam ne, Qeveria e Izraelit organizoi një operacion për shpëtimin e
14.000 hebrenjve nga Etiopia. Sipas lajmeve, po zhvillohej një luftë e
pamëshirshme midis forcave qeveritare dhe rebelëve. Ata ishin në rrezik.
Kështu u organizua operacioni Solomon, gjatë të cilit u kryen 40
fluturime . Avionëve iu hoqën kolltukët. U shënua numri më i madh i
pasagjerëve në një avion. Pesë fëmijë lindën në avjonet gjatë
fluturimeve. Së bashku me Elsën shkuam të vizitojmë hotelin
“Diplomati”, në Jeruzalem, të cilin qeveria urdhëroi dhe e mbushi me
1200 vetë nga të porsaardhurit.
Ata nuk kishin tesha me vete, veç petkave të trupit: burrat ishin të
veshur varfërisht, gratë kishin veshjet tradicionale afrikane.
Kur ky lajm u përhap në Jerusalem, qytetarët mbushën makinat e tyre
me veshje, ushqime, barna dhe u nisën drejt hotelit. Kur i pashë se si po
i mirëprisnin vëllezërit dhe motrat e tyre, mua m’u mbushën sytë me
lot. Pas gjashtë orësh policia bllokoi rrugët që çonin drejt hotelit, pasi
nuk kishte më nevojë për asnjë ndihmë.
Pali në letrën drejtuar kishës së Romës 11:11 thotë se të krishterët
me bujarinë e dhuntitë e tyre duhet t’i shtien hebrenjtë në zili, por shpesh
ishi hebrenjtë që më bënë mua ziliqar.
Që aty Elsa dhe unë shkuam në Budapest për të vizituar kampin transit,
që kishte ngritur Agjencia Izraelite e Udhëtimeve, prej ku olim-ët
ngarkoheshin në fluturimet tona. Bashkimi Sovjetik nuk lejonte
fluturime drejtpërdrejt në Izrael, kështu që të gjithë ata që emigronin
ishin të detyruar që të ndalen diku në qytetet kryesore të Europës
Lindore si Bukureshti, Budapesti, Varshava.
Tri ditë më parë ne kishim një vajzë të vogël, e cila po vdiste nga
kanceri, na tha drejtori i kampit. Asaj i mbeteshin vetëm pak ditë për të
jetuar. Pasi biseduam, vendosëm që të vdesë në atdheun e saj të vërtetë.
Ata gjetën një mjek dhe një infermiere dhe u nisën për në Izrael.
Të nesërmen, herët në mëngjes, shkuam së bashku, me një komision
të Jewish Agency në stacionin kryesor të trenave në Budapest. Duke
udhëtuar me makinë njëri nga pjestarët e komisionit na tregoi me gisht
lumin e Danubit jashtë dritares. Me zë të qetë ai na tha:
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, anëtarët e familjes sime i hodhën këtu në
lumë dhe i mbytën. Në stacionin e trenit ne mësuam se hebrenjtë
grumbulloheshin menjëherë aty në trenat e kafshëve dhe dërgoheshin në
kampin e vdekjes të Aushvicit. Tashti trenat vinin me olim, që ktheheshin
nga Bashkimi Sovjetik në Izrael.
Duke ecur nëpër stacionet e trenit kaluam para një djali të ri, që i
binte violinës. Pranë kishte çantën e shpinës. Shoqëruesi më dha një
shenjë të shpejtë. Kuptova se ai djali i ri ishte anëtar i sigurimit të
Izraelit. I nxitur nga ky zbulim fillova të vështroj me kujdes rreth e
rrotull. Vura re, të paktën gjashtë persona, të cilët qëndronin në pikat
kyçe dhe vëzhgonin me kujdes lëvizjet në stacion. Njëri prej tyre mbante
përpara një gazetë, por në të vërtetë ai nuk lexonte, por vëzhgonte rreth e
rrotull. Atë ditë priteshin të vinin tre trena nga B.S.
Trenat rusë nuk vijnë si trenat në perëndim. Vonesa prej disa orësh
është diçka që ndodh shpesh. Elsa dhe unë u prekëm thellë nga
përkushtimi si dhe nga puna e pakursyer e ekipit të shërbimit sekret të
Izraelit.
Ne shkuam dhe sponsorizuam në Jewish Agency për dy avionë,
që fluturonin nga Budapesti në Izrael dhe sillnin 720 olim (emigrantë).
Në kohën, kur unë po punoja për të mbledhur paratë për një udhëtim
të tretë, në muajin maj, fillova të marr letra nga besimtarë të ndryshëm.
Ata më kujtonin faktin se vizioni i profetit Isaia, që jepet në kapitullin
60:8
“Kush janë këta që fluturojnë si një re dhe si pëllumba në
drejtim të foleve të tyre.”
“…me anijet e Tarshishit, në radhë të parë, për të sjellë nga
larg bijtë e tu, me argjendin e tyre dhe me arin e tyre, për
emrin e Zotit, Perëndisë tënd të Shenjtit të Izraelit, që do të të
ketë bërë të bukur.” (Isaia 60:9)
Në të gjitha këto letra të besimtarëve shtrohej në mënyra të ndryshme
e njëjta pyetje:
Gustav, kur do të sigurosh një anije? Kjo ishte një pyetje, të cilën nuk
desha ta dëgjoj. Unë nuk dija asgjë rreth lundrimit të anijeve. Por thashë:
“O Zot, në qoftë se ky është vullneti Yt, të lutem më thuaj!”
Në fillimin e qershorit të vitit 1991, në zyrën time, ndërsa po bisedoja
me një nga partnerët e mi të lutjes, unë iu kundërvura atij me arsyet e
mia:
Dëgjo, i thashë, ky mision është i pamundshëm. Na duhen leje të
veçanta nga izraelitët, nga sovjetikët pastaj nga kamp tranziti, ku të flejnë
dhe të ushqehen qindra vetë, kur mezi gjendet ushqim për një familje. Na
duhet të sigurojmë mbrojtjen e njerëzve, na duhet një anije e madhe
pasagjerësh dhe do të na duhen shumë, shumë para. Por, thashë, duke
marrë shokun tim për të parë një pjatë dekorative që varej prej vjetësh në
murin tim të zyrës, unë i shërbej të madhit Zot. Shiko, këtu shkruhet një
citat nga Ungjilli: “Për Zotin gjithçka është e mundur.” (Marku 10-
27)
Duke folur kështu iu afrova edhe më shumë pjatës dekorative. E mora
në dorë. Befas pashë diçka që nuk e pata vënë re më parë. Mbi pjatë
ishte vizatuar një anije, pikërisht mbi vendin ku ishte shkruar citati. U
çudita si nuk e kisha vënë re më parë. M’u duk sikur vetë Zoti vuri dorën
mbi kokën time e tha:”Për Mua është e mundur të siguroj një anije!” Pa
folur më asnjë fjalë u ula në vendin tim. Sytë m’u mbushën me lot.
Dyshimet e mia u zhdukën. Pa humbur kohë u nisa për në Jerusalem, i
mbushur me gëzim. Nga përvoja ime kisha nxënë: Kur të thotë Zoti
diçka, nisu. Po ndenje pa vepruar sulmohesh nga dyshimet. Zoti do që ne
ti besojmë Atij edhe për gjërat, që mendjes tonë i duken si
çmenduri. Rrugët e Tij janë më të larta se tonat. Shkova vetëm te
ndërtesa e madhe ndërtuar me mure guri, ku ishte qendra e Jewish
Agency. Isha plot shpresë se ata do të bashkëpunonin në këtë
ndërmarrje, ndofta do të drejtonin disa prej personave të tyre në anijen
tonë…
Kështu mendoja duke ngjitur shkallët. Mbërrita në katin e dytë
të ndërtesës, kalova vështrimin tim te fotografitë e personaliteteve të
shquar Sionistë të shekullit tonë, që ishin vendosur përgjatë murit. Më
në fund kapërceva pragun e zyrës, ku më prisnin dy nga nënpunësit e
agjencisë. Në fillim i falenderova për bashkëpunimin që kishim pasur me
fluturimet. Tani ka ardhur koha të bëjmë një hap përpara, u thashë duke
marrë në dorë Biblën time.
“Kjo është Bibla juaj, u thashë, “fjala e Zotit të gjallë. Dhe profeti Isaia
thotë se njerëzit tuaj do të kthehen me anë të ajrit, me anë të anijeve. Ne
kemi dëshirë të bashkëpunojmë me ju për të hapur një linjë detare nga
B.S në Izrael.” Që të dy nënpunësit u panë me njëri tjetrin dhe
qeshën. Megjithatë u treguan të sjellshëm me mua. Ne kishim paguar
shpenzimet e disa udhëtimeve dhe besonin se do ta bëjmë këtë gjë edhe
në të ardhmen, por linjë detare dhe anije, kjo shkonte shumë larg. Që
të frenonim entuziasmin tim ata thanë: “Edhe të tjerë janë përpjekur, por
nuk kanë pasur sukses. Kurrë nuk ka pasur një lidhje të drejtë
komunikimi me Bashkimin Sovjetik që nga dita e krijimit të shtetit të
Izraelit, as linjë ajrore dhe as detare.”
Ne i dhamë dorën njëri tjetrit dhe unë përshkrova përsëri korridorin
e gjatë, zbrita shkallët dhe dola jashtë në diellin e nxehtë veror.
“Ata mendojnë se kjo është një ide e çmendur, që do të më largohet
me kalimin e kohës”, thashë me vete. Kur takova Elsën i thashë se si
rrodhën bisedimet:
’’Ata i pranojnë me gëzim ndihmat tona financiare, por ata nuk duan që
ne të bëhemi partnerë dhe bashkëpunëtorë.” “Ata janë aq të fuqishëm
sa kanë besim në vetvete”, tha ajo,” dhe iu duket diçka naive, kur dikush
si ne, pa përvojë dhe mbështetje, vjen nga jashtë dhe kërkon t’u mësojë si
e qysh t’i sjellin hebrenjtë në Izrael.” Kudo ku shkova nuk u pranova. Nuk
gjeta asnjeri që të ishte i gatshëm të më ndihmonte. Dyert m’u përplasën
para fytyre, njëra pas tjetrës. Madje edhe të krishterët që ishin në
Jerusalem, nuk e miratuan fillimisht planin tim. I ndeshur me këtë
mospranim të gjithanshëm edhe unë fillova të lëkundem. Për tri ditë
rresht u mbylla në apartamentin tim në Jerusalem për t’u lutur, argjëruar
dhe për të pritur që Zoti të më tregojë shtegun e daljes.
Isha vërtet një mjeran. Si një grua shtatëzanë, së cilës i kanë
filluar dhembjet e lindjes e megjithatë nuk lind dot! Ideja e një anijeje më
kishte mbushur të gjithin.E dinja se kishte ardhur koha, e dija se ish
diçka urgjente, isha i sigurt se kjo ide vinte nga Zoti vetë; por, nga ana
tjetër, nuk shihja asnjë mundësi për ta vënë në jetë.
Fillova të argjëroj, të argjëroj dhe të rri i vetmuar në një kthinë përpara
Zotit. Ishte një kohë kur zjarri i stërhollë i Shpirtit të Shenjtë po punonte
brenda jetës sime.Megjithse e ndjenja këtë gjë sulmet ishin të shumta
dhe rrallëherë e kisha ndjerë veten aq të papërshtatshëm të përmbush
detyrën që kisha marrë përsipër. Më shumë se çdo here tjetër kuptova së
profetin Jona, me të marrë urdhrin e Zotit, vrapoi të largohet në tjetër
drejtim. Isha i shtrirë me fytyrë përdhe, kur erdhi Ted Uokeri, një vëlla i
krishterë me zemër të pastër, që më ka dhënë guxim gjithmonë.
“Unë nuk di se nga t’ia mbaj”, i thashë. “I kam takuar të gjithë ata njerëz
që mendoja se do të më ndihmonin, por të gjithë mu kundërvunë”.
Së bashku u lutëm duke thirrur Zotin në ndihmë. Ishte një lutje
dëshpërimi, një kohë kur të gjitha idetë e mia ishin në rrezik të vdisnin.
Të gjitha dyert më ishin mbyllur. Më dukej sikur beteja ishte e humbur.
“O Zot, u luta,” kjo, në fund të fundit është puna jote, dhe jo puna ime.”
Pikërisht në atë çast, kur arritëm të kuptojmë këtë gjë, atëherë Zoti
na mori për dore dhe na tha: “Tani, biri im, unë do të të tregoj rrugën
Time.” Dhe këtë gjë Zoti e bën në mënyrë të tillë që ne ta kuptojmë se
është fuqia e Shpirtit të Shenjtë dhe jo e mishit që na garanton
suksesin. Ra zilja e telefonit në apartament. Më flisnin nga Jewish
Agency. Zëri ishte i ngrohtë, toni mirëdashës: “A mund të takoheni pas
dy ditësh me një burrë të quajtur David, në hotelin “Hilton” të Zyrihut?”
Asnjë të dhënë tjetër nuk mora rreth këtij personi, madje as mbiemrin
e tij. Nënpunësi i Jewish Agency më fliste në mënyrë kaq të fshehtë
duke evituar dhënien e çfarëdo informacioni rreth këtij njeriu, saqë të
krijohej përshtypja se do të takohesha me një Mossad (pjestar i shërbimit
sekret të Izraelit). E ndieja se nuk ishte koha të bëj pyetje ishte koha të
veproj. Fluturova për në Zyrih dhe menjëherë shkova në sallën e hotelit
para orarit të takimit. Atje kishte edhe njerëz të tjerë, por vëmendjen
time ma tërhoqi një person, që rrinte i ulur në një qoshe, në skajin e
sallës. Me ta parë m’u duk se ai ishte Davidi, të cilin doja ta takoj. Gjatë
bisedës mësova se ai ishte një biznesmen izraelit, që kërkonte një anije
për të hapur një biznes import-eksporti me Bashkimin Sovjetik.
Kuvenduam si e qysh mund të bashkëpunonim me njëri tjetrin.
Kuvendi ynë zgjati aq shumë saqë ai nuk mundi të shkojë në Gjenevë nga
vonesa. Rastësisht në hotel takuam një biznesmen tjetër izraelit, i cili e
mori Davidin me avionin e vet personal për në Gjenevë. Të nesërmen ai
duhej të kthehej përsëri në Zyrih prej ku do të shkonte në Tel Aviv. Unë
udhëtoja me të njëjtin avion dhe papritur pashë që Davidi ishte ulur para
meje. “Nuk ma merr mendja se të gjitha këto gjëra janë rastësi!”thirri ai i
entuziasmuar. Aty ne përfunduam bisedën tonë. Davidi përfaqësonte një
korporate të fuqishme biznesmenësh dhe me të arritur në Izrael,
papritur, dyert filluan të hapen para meje, në të gjitha nivelet. Menjëherë
fillova të bisedoj me kompani të ndryshme lundrimi si dhe me autoritetet
e portit detar. Mbështetje e fuqishme na erdhi nga Knesset (Parlamenti i
Izraelit). Mihael Klajner, drejtuesi i komitetit për emigracionin
më tha: “Unë do të jem mburoja jote edhe unë vetë kam ardhur me
anije në Izrael, më 1951”. Ai gjithashtu na shkroi: “Jam tepër i prekur nga
bujaria e të krishterëve të gjithë botës.”
Po ai na krijoi mundësinë të lidhemi me zyrën, që rregullonte
marrëdhëniet midis Bashkimit Sovjetik dhe Izraelit. Kjo zyrë
varej drejtpërdrejt nga kryeministri dhe kishte informacion të gjerë
mbasi kishte lidhje të ngushta me hebrenjtë, që jetonin në Bashkimin
Sovjetik para se këto marrëdhënie të vendoseshin zyrtarisht. “Vizioni ynë
është që të sjellim 25000 hebrenj në atdheun e tyre,” shpalla zyrtarisht
me guxim, kudo që pata takim zyrtar me përfaqësuesit zyrtarë të
Qeverisë Izraelite. Llogaria se kjo do të kërkonte një buxhet prej 10 deri
në 12 milion dollarësh. Gjithë ari dhe argjendi i takon Atit Qiellor dhe Ai,
me siguri, do të na japë mjetet financiare që ne na duhen. Në këtë drejtim
besimi im sa vinte dhe forcohej.
Që në fillim ne zgjodhëm portin e Odesës, pasi ky port kishte pozitën
më të përshtatshme gjeografike. Që aty mund të lundrohej
drejtpërdrejt nëpër ujërat ndërkombëtare, pa kaluar nëpër pengesat e
ujërave territoriale të shteteve të ndryshme. Në vizionin e tij Stivi kishte
parë hebrenj që përshkronin Europën dhe të hipnin në anijë për në
Hollandë. Disa të krishterë madje kishin bërë përgatitje për këtë drejtim
udhëtimi. Unë u luta dhe bisedova me Stivin për këtë problem. Që të dy u
pajtuam me mendimin se kjo rrugë do të përdorej në një kohë të
mëvonshme të Eksodit të dytë por unë, si në organizimin e lundrimeve
ndiqja udhëzimet, që Zoti më jepte mua personalisht.
Pak më vonë shkova në portin grek të Pireut, pasi në këtë port ka shumë
anije, që lundrojnë në Mesdheun Lindor dhe dhe u mundova aty të gjej
ndonjë anije. Ishte kjo një kohë kur veptimtaria praktike drejtohej nga
Zoti. Shpesh, në vend që të haja darkë, argjëroja dhe i lutesha Zotit të na
tregonte konkretisht se çfarë të bëj. Pothuaj përfunduam një marrëveshje
me një anije greke, që sapo ishte mermetuar e përtërirë. Kjo anije u
përshtatej deri diku qëllimeve tona, vetëm se kabinat e udhëtarëve, ishin
të vogla dhe nuk kishin wc. WC kishte vetëm në korridor.
“E ndiej se anija për të cilën po kontraktojmë nuk është ashtu siç duhet”,
u thashë në një mesazh atyre, që na mbështesnin financiarisht! Por
i ndodhur para një situate urgjente vazhdova të ec përpara për të
përfunduar marrëveshjen. Papritur pronarët e anijes më dërguan një
teleks në Angli, ku më njoftonin se nuk dëshironin të lidhnin kontratë me
ne. Kështu u ktheva përsëri në pikën e fillimit, megjithatë në një farë
mënyre isha i qetë. E ndieja se ishte Zoti vetë, që e kishte penguar
nënshkrimin e kësaj kontrate, sepse donte një anije më të mirë.
Ndërkohë unë po stërvitesha se si të dëgjoja fjalën e Tij. U ktheva përsëri
në portin e Pireut, ku vizitova njërën pas tjetrës shumë anije. Veçanërisht
të gjallë kam në kujtesën time vizitën e parë në anijen “Qielli i
Mesdheut”. Ishte një anije shumë e madhe, por megjithatë për t’u ngjitur
aty kishte vetëm një shkallë litari që varej anash saj. Më kujtohet si sot
ngjitja ime e parë në të, më kujtohet qartë se si mbahesha fort duke i
ngjitur me kujdes shkallët, ndërkohë që shikoja ujërat, që valviteshin 10
metra poshtë meje. Dhe ja, më në fund kapërceva parmakun dhe vendosa
këmbën mbi kuvertën e saj. Kjo anije ua kalonte të gjitha atyre, që pata
vizituar deri atëherë. Ishte një anije shumë e bukur me një kapacitet prej
900 pasagjerësh dhe me një personel prej 120 marinarësh.
Kjo ishte anija më e madhe, më e gjerë, por edhe më e shtrenjtë, që isha
munduar të marr me qira. Reks Uorthi, kryeinxhinieri i Operacionit
Mobilizimi që më shoqëronte në këtë vizitë, thirri i ngashëryer:
“Ja, kjo është anija e duhur!” Por unë thashë: “O Zot, unë bindem vetëm
kur të më thuash Ti se kjo është anija, që ke caktuar për ne.” Nuk është e
vërtetë që nuk i pranoj këshillat e njerzve, jam mirënjohës për to. Por për
çështje kritike kam nevojë ta dëgjoj Zotin vetë. Të them të vërtetën u
trondita dhe u habita nga madhësia e asaj anijeje i kërkova Zotit një
shenjë. Dhe po asaj dite duke u kthyer nga zyra e lundrimit, Ai më kujtoi
se version i Living Bible më ndihmonte me Isaian 60:9:
“Kam rezervuar anije nga shumë vende, anijet më të mira, që
të sjellin bijtë e Izraelit përsëri në shtëpitë e tyre nga vendi i
largët, t’i sjellin bashkë me pasuritë e tyre.”
Më tërhoqi vëmendjen shprehja “anijet më të mira”. U qetësova.
Pa humbur kohë arritëm në një marrëveshje gojore që ta merrnim me
qira këtë anije për tre lundrimet e para. Që aty u nisa për në Jerusalem
për të nënshkruar marrëveshjet e duhura, që anija jonë të futej në
portet izraelite. Izraelitët janë shumë burokratë.Mu desh të shkoj nga një
mbledhje në tjetrën. Disa prej tyre zgjasnin gjashtë deri në tetë
orë. Avokatët ishin ekspertë në zbulimin e gjërave, që mund të
shkaktonin probleme. Ata nga një problem nxirrnin gjashtë të tjerë. Si
gjithmonë, edhe në këtë gjendje të krijuar Stivi gjente një shaka të
goditur: “Në Eksodin e parë Zoti bëri që e ndau Detin e Kuq, në këtë të
dytin, me sa duket, mrekullia më e madhe do të jetë çarja e mykut të
burokracisë.”
Më në fund, në mbarim të nëntorit, përfunduam një marrëveshje.
Isha tmerrësisht i lodhur. Kishte qenë një betejë aq e ashpër. Kushtet
e marrëveshjes nuk ishin aq të mira sa do të dëshiroja, por besoja se Zoti
do të na ndihmonte. E lamë që në fund të javës të përfundonim
kontratën. Por, kur u takuam, tre nga katër anëtarët e komisionit kishin
ndryshuar mendim:
“Gustav, ne duhet të shtyjmë për më vonë këtë ndërmarrje,” më tha njëri
nga ata.” Ne dëshirojmë që të shtysh për disa muaj projektin tënd.” Por
unë, në shpirtin tim kisha dyshime për pritjen. Duhet të ecim
përpara. Kërkova 48 orë kohë. Dëshiroja të pyes Zotin. Bëra një gjysmë
dyzine telefonata bashkëpunëtorëve më të ngushtë, atyre që ditë e natë
ishin me ne, me mendimet e lutjet e tyre. Pasi u shpjegova gjendjen u
thashë: “Të nisim lundrimin apo ta shtyjmë për më vonë?”
Unë u telefonova shumë vetave, por asnjëri nuk më telefonoi të më
jepte një përgjigje. Në orën 10 të mbrëmjes Tedi erdhi të më jepte
kurajë. Sapo filluam të bisedojmë ra telefoni. Brenda një ore më
telefonuan të gjashtë personat, të cilëve u kisha folur anekënd botës. Ata
më thanë: “Gustav, tashmë është koha për veprim. Haleluja!”
Kur mbaroi afati i 48 orëve kërkova me këmbëngulje që konkrata
të përfundonte sa më parë. Anëtarët e komisionit pa qejf, por edha pa
shumë kundërshtime, pranuan. Që aty, menjëherë, u nisa për në portin e
Pireut. Por, me të arritur atje, më telefonoi avokati ynë nga Jerusalemi:
“Gustav, ti nuk mund të nënshkruash konkratën, më tha ai me ton
autoritar.” Ende nuk janë pjekur kushtet. Autoritetet e portit nuk mund
të na kryejnë shërbimet e nevojshme. Gjithçka duhet shtyrë për një
periudhë të pacaktuar.”
Nuk më mbetej gjë tjetër veç veçse të merrja valixhen dhe të kthehesha
në Angli. Isha i zhgënjyer. Sapo kisha shkuar në zyrën time në
Bournemouth, më telefonoi një nga ndihmësat tanë në Odesa: “Gustav,
ne kemi regjistruar 500 vetë për lundrim. Disa prej tyre kanë ardhur dhe
presin këtu, në Odesa. Ata kanë shitur shtëpitë e tyre, kanë lënë punën…
Ne duhet të lundrojmë sa më shpejt!” çfarë dileme!
Sapo iu luta Zotit që të më drejtonte, më erdhi një bindje e brendshme,
që më thoshte fare qartë: “Po, ec përpara pa vonesë, tani! Fillimisht u
ktheva në Jerusalem. Për çudinë time pashë që shumica e komisionit
përfaqësues nga autoritetet e portit ishin të gatshëm të bashkëpunonin
me ne. Bëmë një kontratë të re, që e nënshkruan të dyja palët. Tani ka
ardhur koha të përfundonim konkratën me pronarin e anijes “Qielli i
Mesdheut”, i telefonova Stivit, i cili ndodhej në Seatle, në USA atë kohë
dhe i thashë: “Stiv, kjo barrë është tepër e rëndë. Kam nevojë për
ndihmën tënde”. E ndjeva veten të lumtur, kur ai pranoi të vijë me mua
në portin e Pireut për të nënshkruar kontratën. Përsëri shkuam në zyrën
e pronarit të anijes. Ajo zyrë, megjithë madhësinë e saj
të jashtëzakonshme ishte elegante, e zbukuruar me shije. Pikturat
ishin vendosur artistikisht mbi mure, secila në vendin e përshtatshëm.
Në to shikoje vetëm anije, anije të të gjitha llojeve e madhësive, që çanin
valët e detit. Me t’u futur brenda, kuptoje menjëherë se gjendeshe në
zyrën e një pronari të pasur anijesh. Unë dhe Stivi u ulëm në tryezë dhe
po diskutonim për hollësitë e kontratës duke ngrënë drekën. Në anën
tjetër të tryezës ishin ulur pronari i anijes dhe menaxheri i kompanisë së
tij. Atmosfera u tensionua papritur. Menaxheri i kompanisë thirri me zë
të lartë: “Unë nuk bëj më asgjë!”, dhe u ngrit nga tryeza dhe doli jashtë.
Në ato grima dukej se gjithçka do të shembej. Ndodhi gjëja më e keqe, që
mund të merrnim me mend. Para meje qëndronte një kontratë, ku na
kërkohej të nënshkruanim se pranonim të paguanim disa qindra mijë
dollarë, të cilat nuk i kishim në Fondin e Urgjencës Ebenezer. Në qoftë se
paratë nuk vinin në afatin e caktuar sipas kontratës, gjithë pasuria ime e
tundshme dhe e patundshme duhej të vihej në dispozicion për pagimin e
borxhit. Më kujtohen fare qartë ato çaste, kur rrija i heshtur para
kontratës. Shifrat e gërmat zmadhoheshin e zmadhoheshin para syve të
mi. Besimi im po lëkundej! Me mendjen time po lutesha: “O Zot, çfarë të
bëj?” Isha me të vërtetë i hutuar.
Në atë kohë Stivi filloi të qajë pranë meje. Më vonë ai e tregoi
arsyen: “Unë atëherë e ndieja veten të dëshpëruar dhe mendoja: “O Zot, a
i erdhi fundi gjithçkaje? Si të ngrihemi dhe të largohemi të turpëruar nga
kjo tryezë?” Ai nuk thoshte asnjë fjalë, por qante, vetëm qante. Ndërkohë
unë ndjeva një paqe, që erdhi e më mbuloi. E dija se ç’duhet të bëja: “Do
të nënshkruaj”, thashë i vendosur. Dhe ndërsa po nënshkruaja Stivi
kërceu e thirri me të madhe: “Haleluja! Haleluja!
“Ç’ndodhi tani?” e pyeta.
“Gustav, a nuk i shikoj engjëjt? Kjo kthinë është plot me ëngjëj. A nuk
i shikon si duartrokasin të gëzuar se ne nënshkruam këtë marrëveshje?
Ajo do të shënohet në analet qiellore!”, tha ai.
Ëngjëjt unë nuk i pashë, por ndjeja një paqe të jashtëzakonshme, që
më çliroi nga të gjitha ankthet dhe zhgënjimet e atyre ditëve. Gëzimi
qiellor më kishte pushtuar kryekëput. Pasi nënshkrova vendosa dorën
mbi kontratën dhe thashë: “Tani do të lutemi që Zoti ta mbrojë, ta
drejtojë dhe ta bekojë këtë anije lundrimi.”
Pronari i kompanisë së lundrimit, një burrë trupmadh me tipare
aristokratike shikonte gjithçka. Jam i sigurtë që nuk kishte parë kurrë
më parë një gjë të tillë. Ai mori penën e tij dhe bëri shenjën e kryqit
mbi kapakun e kontratës. Kështu lindi Operacioni Eksodi.
KAPITULLI IV
“A nuk je Ti, Ai që ke tharë detin, ujërat e humnerës së madhe,
që i ke bërë rrugë thellësitë e humnerës së madhe, që i keni
bërë
thellësitë e detit, me qëllim që të kalonin të çliruarit?
Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në
Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të
kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare, dhe
dhembja e rënkimi do të zhduken.”
Isaia 51:10-11
Na mbeteshin vetëm dy javë kohë nga dita e nënshkrimit të kontratës
deri tek lundrimi i parë i anijes “Qielli i Mesdheut” nga Odesa në Izrael.
Por, në vend të shpejtonim bashkë me Elsën për të koordinuar përgatitjet
e fundit për në Odesë, ne u takuam me grupin e përkushtuar të lutjes, që
sa vinte e shtohej. Ne e dinim që tani do të shkonim në frontin e parë të
luftës dhe donim që të sqaronim personat që ishin përkushtuar të luten
për Operacionin Eksodi dhe për ne. Ne donim që t’u bënim atyre qartë
qëllimin shpirtëror të misionit tonë. Ne do të hapnim rrugën e parë të
shenjtë nga Bashkimi Sovjetik në Izrael.
Zoti na e kishte bërë të qartë, vitë më parë, se lutja do të na hapte
rrugën e fitores në përpjekjet tona për të kthyer hebrenjtë në Izrael. Për
të na mësuar këtë sekret Zoti kishte dërguar tek ne një mësues të shquar.
Një ditë më erdhi një letër nga Kolegji i Biblës së Uellsit ku më ftonin
të referoja për kthimin e hebrenjve në Izrael. Nuk kisha asnjë dëshirë
të shkoja. E ndieja veten të paaftë të shkoja të shkoja e të referoja
përpara studentëve dhe profesorëve të këtij Kolegji të Biblës. Ky kolegj
ishte themeluar 50 vjet më parë nga Rees Howells, i cili në atë kohë ishte
një minator i thjeshtë, që punonte në minierat e qymyrgurit. Pasi njohu
Jezu Krishtin si shpëtimtar Rees iu përkushtua bindjes në fjalën e Zotit
nën drejtimin e Shpirtit të Shenjtë. Lutjet e Rees Howells bënë që gjithë
kisha e asaj kohe të ripërtërihet dhe veprojë në Frymën e Shenjtë. Unë
kërkova një pretekst që ti shmangem kësaj vizite.
“Të lutem u thuaj që në datën, që ata më kanë caktuar nuk mund
të shkoj,” i thashë sekretares sime Beverlit.
Pa vonuar më erdhi një letër e dytë ku më sugjerohej një datë tjetër për të
referuar. Tani nuk dija si të veproja. Po ndërsa po merrja pjesë
në aktivitetet e quajtura “Dita e Izraelit” të organizuara nga organizata
e Krishterë “Të lutemi për Izraelin”, themeluesi i kësaj organizate Kern
Burnet tha: “Kur do të shkosh në shkollën e Biblës në Uells?”
Vizita në atë shkollë u bë një nga bekimet më të mëdha në jetën
time. Salla e vogël e mbledhjeve të kolegjit ishte mbushur plot e përplot
atë mbrëmje. Kur mbarova së referuari m’u afrua Samuel Howells i biri
i Rees Howells. Ai më tha “Ne kemi shumë vitë që lutemi për kthimin e
hebrenjve në tokën e premtuar.”
Dhoma e të ftuarve të asaj nate gjendej përballë apartamentit të
doktor Kingsley Priddy, drejtorit të gjimnazit, që ishte së bashku me
shkollën e Biblës. Ai ishte mjek me profesion. Në vitet e rinisë së tij ishte
përgatitur që t’i shërbente Zotit në Afrikë, por
kur po bëhej gati të shkonte, Ai e thirri të ndihmojë Rees Houellsin
në shkollën e Biblës. Ishte një burrë që të imponohej, një xhentelmen
anglez, por me një fytyrë të butë dhe sy kaltëroshë të kthjellët, depërtues
në shikim. Gjatë bisedës ai më tha se kishte një mbesë në jug të bregdetit
të Anglisë, pranë shtëpisë sonë. “Do të jemi shumë të gëzuar sikur ju
vini dhe ta kaloni një natë në shtëpinë tonë, sa herë që vizitoni mbesën
tuaj”, e ftova me mirësjellje. Vizitat e tij nuk vonuan e u bënë të shpeshta.
Ne u bëmë si një familje. Ai kishte shumë të na tregonte e të na mësonte
nga jeta e tij si dhe nga koha kur bashkëpunonte me Rees Houells, i cili
sakrifikonte paratë e tij, argjëronte, vinte në rrezik namin e tij – madje
vinte në rrezik edhe jetën e tij për t’u lutur me sukses për të tjerët. Doktor
Kingsli ishte pranë Resit në kohën e Luftës Botërore. Gjatë kësaj kohe
besimtarët e shkollës Biblike të Uellsit shihnin se si Shpirti i Shenjtë
drejtonte zhvillimin e ngjarjeve në fushën e luftës me anën e lutjeve të
tyre.
Doktor Kingsley na ndihmoi të kuptojmë parimet dhe rolin e lutjes. Ai
na bëri të shohim qartë se roli ynë tani, gjatë kohës së rikthimit
të izraelitëve në Tokën e Premtuar sot, është si roli i Danielit 2500 vjet
më parë. (Lexo Danieli kap 9). Duke lexuar librin e profetit Jeremia,
Danieli kuptoi se kishte ardhur koha që hebrenjtë të ktheheshin nga
mërgimi i tyre i shkurtër që ishte kufizuar vetëm në Babiloni. Me të
kuptuar këtë fakt Danieli filloi të lutej. Në lutjen e tij Danieli e quajti
veten pjestar të popullit të Izraelit, pjesëtar të mëkateve të etërve të tyre.
Ai u identifikua krejtësisht me ta. Pastaj filloi të lutet për mëshirë për ta
si pjestar i tyre dhe me drejtimin dhe fuqinë e Shpirtit të Shenjtë i nxori
ata shpirtërisht jashtë zonës së robërisë duke bërë të mundur kështu që
të përmbushet plani i Zotit.
E dielë, 15 dhjetor 1991 është një datë që është skalitur thellë në
zemrën time. Ne kishim bërë përshëndetjen e ndarjes në
bashkësinë tonë, kishim përgatitur valixhet, kishim telefonuar me fëmijët
tanë. Të nesërmen ora 4 e mëngjesit Elsa dhe unë do të niseshim për në
Ukrainë. Në orën 10.30 atë mbrëmje bie zilja e telefonit. Ishte një nga
avokatët tanë Izraelitë.
“Gustav, leja që ti ke për lundrim është për transportimin e mallrave
dhe të turistëve, por nuk është për transportin e emigrantëve. Ti duhet
ta shtysh datën e nisjes.” Ai ishte i tmerruar nga ky fakt. Ai trembej se ne
do të shkonim në Odesa, anija do të vinte, por nuk do të na lejonin të
merrnim asnjë udhëtar me vete. Të gjithë do të talleshin me ne.
Qëndrova atje një minutë pa folur duke analizuar situatën.
Vullnetarët tanë kishin filluar të mblidheshin në portin e Pireut.
Kompania e lundrimit kishte mbledhur marinarët. Hebrenjtë kishin
filluar të mbërrijnë në Odesë. Dukej se Zoti kësaj radhe e kishte hapur
rrugën.
“Jo,” i thashë i vendosur, “ne do të lundrojmë!”
“Gjithçka është në kurruzin tënd, Gustav”, m’u përgjigj avokati nga
ana tjetër e telefonit.
Menjëherë njoftova personat, që ishin përkushtuar të luten për ne.Isha i
sigurt se Zoti na e kish hapur rrugën, por megjithatë, atë natë nuk vura
shumë gjumë në sy.
Të nesërmen shkuam me avion për në Kiev. Një vajzë e sjellshme
e krishterë na mori me makinë nga aeroporti për të na çuar në stacionin
e trenit për të shkuar në Odesë. Ajo bashkëpunonte me Operacionin
Eksodi, duke sjellë hebrenj me autobus në aeroportet nga ku niseshin me
avionët për në Izrael. Sapo ishim larguar nga aeroporti na ndali një polic.
Ai u afrua tek dritarja e makinës sonë dhe filloi të flasë më nxitim në
gjuhën ruse.
“Çfarë kërkon? çfarë thotë? E pyeta shoqëruesen tonë. “Ai do para
ose ndonjë gjë tjetër” m’u përgjigj ajo. “Ai thotë se ne po udhëtonim
me shumë shpejtësi.”
“Me këtë makinë të vjetër, në këtë rrugë të prishur? Është e pamudur të
udhëtosh me shpejtësi!” thirra i revoltuar.
Ndërkohë shoqëruesja ime i zgjati policit një palë çorape najloni
nga dritarja. Për habinë time polici i mori çorapet i futi në xhep dhe u
largua. Ajo na shpjegoi se kjo ishte një praktikë e zakonshme e policisë,
pasi pagat e tyre janë shumë të ulëta. “Ne gjithmonë marrim diçka me
vete kur udhëtojmë,” tha ajo.
Ky incident na bëri të qartë gjendjen kaotike që mbretëronte në vend
dhe që ne do të kishim rastin ta njihnim dhe më afër.
Elsa dhe unë në Odesa zumë vend në hotelin “Londoskaja” që e quanin
si hotelin më të mirë të qytetit. Dhe me të vërtëtë ndërtesa ishte e
stilit aristokratik me korridore impozante dhe në dritaret e mëdha
xhamat ishin të pikturuara artistikisht. Por po të futeshe brenda vëreje se
dritaret nuk ishin të mbyllura mirë dhe dhoma jonë, tepër e madhe ishte
si kuti akulli. Për disa ditë me radhë sistemi i ngrohjes nuk funksiononte
fare dhe për dy ditë nuk kishim ujë të pijshëm.
Në hotel nuk kishte restorant kështu që dilnim të kërkonim ushqim si
të gjithë banorët e qytetit. Në ato ditë ne e ndienim në stomakun tonë
efektin e krizës ekonomike dhe të urisë, që kishte pllakosur të gjithë
vendin. Duke ecur nëpër rrugët e ngrira ne shikonim dyqane ushqimesh,
me vitrina e dritare të zbukuruara, të ndriçuara mirë, me perde, por
bosh. Shkuam në një nga tregjet më të mëdhenj të qytetit. Aty kishte
vetëm kavanoza turshish të mbuluara me një shtresë të madhe pluhuri
dhe disa mollë të fishkura të rrudhosura që kishin filluar të kalben. Në
Angli këto lloj mollësh do ta kishin gjetur vendin e tyre prej kohësh në
koshin e plehrave. Rradhë të gjatë njerëzish prisnin pranë dyqaneve ku të
mund të bliheshin dy artikuj kryesorë të konsumit: buka dhe vodka,
narkotiku që shumë njerëz e pinin që të harronin problemet e tyre. Elsa
rrinte në rradhë gjysëm ore për të blerë një bukë të cilën ne e hanim me
djathë dhe me sallam në dhomën tonë. Por ushqimi për ne nuk kishte
shumë rëndësi. Ne e ndienim veten të privilegjuar. Ne ishim atje në një
vend me rëndësi historike dhe në një moment historik.
Anija jonë ishte në udhëtim e sipër për të ardhur në Odesa. Vetëm
tre ditë na ndanin nga data që ne e kishim paracaktuar që të nisemi. Por
unë ende nuk i kisha dokumentet që më duheshin. Atje e kuptova se çdo
të thotë të ndihesh i stresuar. Ish një agoni e vërtetë për mua të shihja se
si mblidheshin qindra hebrenj së bashku me familjet e tyre, me valixhet
e bagazhet e paketuara, të shihja gjithë këta njerëz që kishin lënë
punën dhe kishin shitur shtëpitë e tyre, pa ditur nëse do të jenë në
gjendje për t’i hipur në anije apo jo. Ne po përpiqeshim të organizonim
udhëtimin tonë të parë në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik. Më në
fund kolosi ish detyruar të gjunjëzohet. Shumë nga republikat kishin
shpallur pavarësinë dhe Gorbaçovi, duke mos dashur të përdorte forcën e
armëve, ishte tani një figurë pa pushtet. Njerëzit në qytete të ndryshme
kishin filluar të rrëzonin statujat e Leninit, pikërisht ato statuaja- idhuj
kundër të cilave ishin lutur grupet tona të lutjes disa vite më parë. Në
përpjekjet tona për të siguruar dokumentet e duhura për lundrim ne
hasnim në gjëra nga më të çuditshmet. Shkonim një ditë e bisedonim me
një grup, zyrtarësh e të nesërmen merrnim vesh që ta nuk ishin më në
pushtet. E vetmja gjë e sigurt në ato ditë ishte të uleshe në gjunjë e t’i
luteshe Zotit. Shpesh, së bashku me Elsën uleshim në
gjunjë në dyshemenë e drunjtë të dhomës sonë të akullit dhe me
dëshpërim i thërrisnim Zotit për ndihmë.
Në atë kohë, papritur në portin e Odesës na erdhën në ndihmë dy burra
të veshur me kostume të modës e me kravata. Ata ishin konsuj të dërguar
nga Ambasada e Izraelit në Moskë. Ata na ndihmuan në një pikë kritike
të marrëveshjeve. Lejen për lundrimin e emigrantëve tanë e morëm
vetëm 36 orë para nisjes. Ishte një fitore e madhe, vetëm 36 orë para
nisjes! Deri në atë moment ishim në dilemë, nuk dinim nëse do të mund
t’i hipnim në anije njerëzit që i kishin besuar fjalës sonë dhe kishin shitur
e braktisur gjithçka. Hebrenjtë kishin zënë vend në një magazinë
gjigande të portit bashkë me pirgjet e bagazheve të tyre duke fjetur mbi
to. Disa prej tyre kaluan kështu deri në tre net duke pritur t’u vinte radha
të kalonin në kontrollin doganor. Jashtë ishte i ftohtë i akullt, brenda po
ashtu. Meqë dyert e dritaret e magazinës ishin gjithmonë të hapura atje
bënte vazhdimisht korrent dhe kur jashtë nuk frynte erë. Megjithatë ata
nuk ankoheshin. Durimi dhe gjakftohtësia e tyre më bënë shumë
përshtypje. Shumë prej tyre kishin kaluar vështirësi të mëdha deri sa më
në fund arritën në magazinat e portit. Ata kishin ardhur nga të gjitha anët
e Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë 55 aeroporte ishin mbyllur për
mungesë karburanti. Në Baku kishin mbetur 98 hebrenj të cilët kishin
regjistruar emrat për udhëtim, për të cilët ne kishim përgatitur vend në
anijen tonë.
Ne morëm me qira një avion për ti sjellë nga Baku në Odesa. Avionin
e siguruam, por nuk po gjenim dot karburant. Kështu që u detyruam që
ta ti regjistrojmë në lundrimin tonë të tretë, ndërkohë ata do të mund
të vinin me tren në Odesa. Një grup tjetër hebrenjsh në Moldavi, të
cilët gjithashtu i kishim regjistruar dhe u kishim siguruar kabinat, kishin
mbetur të izoluar. S’mund të dërgonim autobuzë për shkak të konflikteve
të armatosura.
“Kudo gjendej dikush që përpiqej të ngrohte duart në zjarrin që po na
digjte”, tha Nahumi një skulptor, duke cituar një proverb rus.
Kur morën vesh se cilët ishim dhe përse kishim ardhur në port,
emigrantët hebrenj na përqafuan me dashuri. Në kohë të vështira njerëzit
lidhen dhe miqësohen shumë shpejt. Ne ishim për ta, ata që po u hapnin
atyre portat e lirisë. Ne kishim bërë të ndriçonte dielli e shpresa në jetën
e tyre. Me sa mundeshim ne përpiqeshim të lehtësonim gjendjen e tyre
gjatë periudhës së pritjes në magazinë. Gjithmonë kur u sillnim ujë
mineral apo diçka të ngjashme ata gjithmonë ngulnin këmbë që të na
jepnin ne nga gjërat e tyre më të shtrenjta. Nxirrnin shishet e vodkës, na
bënin vend të ulemi mbi valixhet apo thasët e bagazheve të tyre dhe na
vinin përpara bukën dhe copat më të mira të peshkut të tymosur që
kishin sjellë me vete. “Spasibo, spasibo,” na thoshin ata me mirënjohje.
“Përse po shkoni në Izrael?”, i pyeste Elsa gjatë këtyre ditëve të
pritjes. Shumë vetë thanë se po largoheshin për të shpëtuar nga pasoja
e katastrofës së Çërnobilit.
“Të them të drejtën, përgjigjet e tyren më bënin të ndihem e zhgënjyer”,
na tregoi Elsa më vonë. “Unë desha që ata të thoshin: “Po shkojmë në
Izrael sepse jemi hebrenj dhe atje është atdheu ynë”. “O Zot, u luta, “këta
njerëz nuk paskan kuptuar asgjë! Këta nuk paskan kuptuar se kush u
hapi rrugën për në Izrael dhe përse!
Ndërsa ishte në këto mendime, ajo pa një ditë në zonën e portit një
nuse të veshur me fustan të bardhë dhe me vello, që po shkonte me
dhëndërin e saj në vendin e dasmës. Kjo bëri që asaj ti kujtohen fjalët që
janë shkruar në Bibël në kapitullin e Zbulesës 19:7-9. Ajo ndjeu se Zoti i
tha: “Po, është e vërtetë, sot ata nuk e kuptojnë, por ata po kthehen që të
marrin pjesë në një dasmë, që të marrin pjesë në dasmën e Qengjit të
Zotit.”
Me kalimin e ditëve shtoheshin edhe pirgjet e bagazheve. Ato dukeshin
si kodra që ngriheshin në platformën e ftohtë të dyshemesë së
magazinës. Meqë valixhet ishin një lluks i rrallë në Vendin e Veriut,
emigrantët hebrenj kishin shfrytëzuar të gjitha mënyrat e mundshme për
të paketuar e sjellë bagazhet e tyre: kuti kartoni, çanta, thasë, e në shumë
raste perde të lidhura me rryp e të përdorura si thasë. Ishte me të vërtetë
prekëse të shikoje këtë pamje. Ata kishin marrë me vete qilima,
televizorë, dukej sikur çdo familje ishte përpjekur të merrte sa më shumë
me vete meqë ne e kishim shpallur se atyre u lejohej të merrnin deri në
500 kg bagazhe. Disa nga gjërat që ata i kishin sjellë me që dashuri me
vete, për ne në perëndim, si dhe për standartin e jetës në Izrael, ishin
plehra; por këta njerëz ishin më tepër të lidhur emocionalisht me këto
objekte. Gjithçka ishte e shtrenjtë për ta sepse ishte fituar me shumë
djersë e mundime me kursimet në mes të varfërisë e skamjes. Gjithashtu
sjellja e këtyre bagazheve e bënte fillimin e jetës së re në Izrael më të
lehtë. Por liria nuk kishte ardhur ende për këta njerëz. Edhe një pengesë
tjetër serioze ngrihej përpara: Dogana. Të gjithë emigrantët trembeshin
nga kontrolli doganor dhe ne e kuptuam pak më vonë arsyen e kësaj
frike. Komunizmi ishte në grahmat e fundit. Fuqia i ishte prerë prandaj
edhe ishte shkatërruar potenciali i tij agresiv jashtë BS. Të gjithë në
perëndim, madje edhe ne, kujtonim se komunizmi ishtë bërë më i mirë,
më njerëzor, pothuaj i pranueshëm. Dogana në Odesa na bindi për të
kundërtën. Edhe në grahmat e vdekjes komunizmi mbetej ai që kishte
qenë. Këtë të vërtetë ne e lexuam në fytyrat e egra të personelit të
doganës. Ata zbatuan rigorozisht të gjitha rregullat në kontrollin që u
bënë emigrantëve, ashtu si e kërkonte statusi doganor komunist. Ata
shpalosën gjithçka që ishte palosur, shfletuan faqet e çdo libri. çdo
familjeje i duhej të qëndronte me orë të tëra në këtë kontroll të
pamëshirshëm e fyes. Të gjithë ata që emigronin konsideroheshin si
tradhtarë të atdheut socialist dhe trajtoheshin si të tillë. Nënpunësit e
doganës konfiskonin gjithçka me vlerë. Unë pashë një grua djali i së cilës
vuante nga astma, nënpunësit e doganës i konfiskuan ilaçin, që kishte
marrë me vete. Një vajzë 18 vjeçare më erdhi duke qarë së bashku me të
ëmën. “A mund të ndërhyni”, na u lutën ato: “më konfiskuan makinën e
vogël të qepjes, që kishim me vete.” Unë nuk mund të thosha asnjë fjalë.
Ndërhyrja ime më e vogël do t’u jepte autoriteteve doganore preteksin e
duhur që ata të pezullonin punën e tyre dhe të bllokoni emigrantët.
Një grua doli nga dhoma e kontrollit me gishtin që i rridhte gjak.
Oficeri përgjegjës i kishte hequr një unazë të artë, të cilën ajo e mbante
prej shumë vitesh. Sa herë që shikonin ndonjë stoli a objekt me
vlerë nënpunësit e doganës e rrëmbenin pa kompromis me brutalitetin
e dhunën e banditëve. “Këta izraelitët që emigrojnë, këta i kanë të
gjitha fajet”, tha një oficer krejt seriozisht.” Ata marrin me vete gjërat më
me vlerë dhe emigrojnë. Prandaj është i varfëruar Bashkimi Sovjetik”.
Një grua rreth të dyzetave qante me të madhe derisa hipi në anije. Në
doganë i kishin konfiskuar një unazë të artë: ishte unaza e martesës së
gjyshes së saj. Ajo unazë kishte qenë për të një kujtim i shtrenjtë. Një
piktoreje nuk iu lejua të merrte me vete pikturat e saja. “Këto janë pasuri
kombëtare të shtetit Socialist të Bashkimit Sovjetik i thanë nënpunësit e
doganës. Ajo filloi gjithashtu të qante, qante sikur ta kishin pushtuar
dhimbjet e vdekjes. Kur e pashë që po ngurronte të hipte në anije iu
afrova, i vura dorën në sup dhe i thashë me anën e një përkthyesi: “Gjërat
materiale, pasuritë shkojnë e vijnë. Por jeta është më shumë se gjërat
materiale. Ti ke ndjekur Zotin e Izraelit dhe bekimi i Tij do të jetë me ty.”
Por kishte diçka të cilën nënpunësit e doganës nuk ja u konfiskuan dot
emigrantëve izraelitë: aftësitë e tyre intelektuale, kulturën dhe njohuritë
e tyre. Edhe kryetari i bashkisë së Odesës, i cili ishte vetë hebre, ishte
kundër nesh dhe emigrantëve. “Ju po na merrni kuadrot tanë më të aftë”,
na tha ai. Shumë nga hebrenjtë e Bashkimit Sovjetik janë inxhinierë,
doktorë të specializuar, shumë të specializuar. Shumë prej tyre janë
muzikantë të talentuar. Për këtë fakt u përhap edhe një anekdotë. Një
burrë shkoi dhe pyeti doganierin në aeroportin Ben Guerion të
Jerusalemit: “Shoh që shumë nga këta emigrantë që vijnë nga Bashkimi
Sovjetik kanë me vete nga një instrument muzikor: kush kitarë e kush
violinë. Por disa nuk kanë instrumenta muzikorë. çfarë profesioni kanë
ata?”
“Ata janë pianistët” u përgjigj doganieri.
Më në fund erdhi dita e lundrimit. Elsa dhe unë u ngritëm herët
në mëngjes dhe para se të zbardhte dita nxituam drejt portit duke
zbritur shkallët gjigande në mes të mjergullës dhe të ftohtit të hidhur.
Anija “Qielli i Mesdheut” po dukej në horizont!
Ishte një pamje e pakrahasueshme. Në kontrast me anijet e tjera
ajo rrezatonte një shkëlqim të jashtëzakonshëm. Drita të fuqishme
ndriçonin kuvertën e saj që arrinte në 160 metra. Këto drita reflektonin
në ngjyrat portokall të bardhë dhe ngjyrë ari me të cilat ishte e lyer anija.
Ndriçimi i fortë i prozhektorit dhe reflektimi tringjyrësh i kuvertës së
anijes bashkoheshin në një përzierje drite që rrezatonte deri larg. Anija
jonë ishte shumë më e madhe dhe më e bukur se të gjitha anijet, që unë
kisha parë në portin e Odesës, që nga dita e mbërritjes sime. Dukej sikur
një visitor nga një botë tjetër, nga një botë e bekuar drite e lirie kishte
çarë ujërat dhe po afrohej në këtë port të zymtë e të trishtuar. Kjo pamje
më çliroi në çast nga gjithë presioni dhe vuajtejet e ditëve të kaluara.
Papritmas filluan të më rrjedhin lotët: ishin lotë gëzimi dhe çlirimi. Stivi
ishte në bordin e anijes me 20 vullnetarët e krishterë që do të ndihmonin
për plotësimin e nevojave të udhëtarëve. Me t’u futur në port nga anija
gjëmoi zhurma e fuqishme e sirenës së përshëndetjes. Kjo zhurmë i
ngjante gjëmimit të borive të bëra nga brirët e dashit. Këto lloj
burish quhen në hebraisht me termin shofar. Që nga koha e Moisiut
këto buri përdoren në Kombin e Izraelit. Tingujt e tyre simbolizojnë
e sinjalizojnë lirinë dhe fitoren . Të gjithë emigrantët hebrenj (olim)
kërcyen më këmbë nga pirgjet e bagazheve mbi të cilat flinin dhe vrapuan
drejt anijes duke lëshuar britma gëzimi dhe duke përshëndetur me
dorë. Në këto çaste zemra ime këndonte: “Sa madhështor që je, o Zot”.
Mendja më shkoi tek vargjet e psalmit 147 “Lëvdoni Zotin, sepse
është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse
është e kënaqshme dhe e leverdisshme ta lëvdosh. Zoti
ndërton Jerusalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit. Ai
shëron ata që kanë zemër të thyer dhe plagët e tyre.”
Kur pamë grumbullimin e madh të emigrantëve, gjithësej 550 vetë
ishte gjithçka ashtu si ka parashikuar profeti Jeremia në kapitullin 31:8-
11. “Ja, Unë po i kthej nga vendi i veriut dhe po i grumbulloj
nga skajet e tokës.
Midis tyre është i verbri dhe çalamanin, gruaja me barrë dhe
bashkë me të ajo, që ka për të lindur: një turmë e madhe
kthehet këtu. Do të vijnë duke qarë, do ti çosh duke u lutur… O
kombe dëgjoni fjalën e Zotit, shpalleni në ishujt e largët dhe
thoni: “Ai ka shpërndarë Izraelin e mbledh dhe e ruan ashtu si
vepron bariu me kopenë e tij.
Sepse Zoti ka çliruar Jakobin, e ka shpenguar nga dora e
njënjeriu më të fortë se ai.”
Dhe me të vërtetë në grupin e emigrantëve kishte të rinj dhe pleq, gra
shtatzëna dhe fëmijë të mitur, vajza e djem të rinj të shëndetshëm si edhe
persona të dobët, të sëmurë e me gjymtime. Ata ngjiteshin në anije
duke marrë me vete macet e qentë e tyre, ma kafazet me zogj në duar. Ne
pamë shumë skena prekëse të ndarjes. Nuk ishte e lehtë, ata po
largoheshin nga vendi ku kishin jetuar breza të tërë, nga vendi i vetëm, që
kishin parë e njohur gjatë gjithë jetës së tyre. Anija “Qielli i Mesdheut” u
largua nga porti i Odesës në mesnatë. Ishte një pamje e mrekullueshme
ta shihje se si dilte nga porti me të gjitha dritat e ndezura, me një
shkëlqimin rrezatues, të cilin e shpërndante dhe që e merrte me vete
ndërsa po largohej në horizont. U plotësua më në fund. Të krishterët e
hapën rrugën detare për hebrenjtë nga Bashkimi Sovjetik në Izrael!
Dy ditë më vonë ishte festa e Krishtlindjeve. Elsa dhe unë e festuam atë
vit të vetëm, në Odesa. Po atë mbrëmje në ora 7:00 Gobaçovi doli
në televizion:
“Unë po ju shpall që nga ky çast po e ndërpres aktivitetin tim si president
i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovietike.” Po atë natë u ul flamuri i
kuq në Kremlin. Për një javë mbusheshin gjashtë vjet nga dita, kur grupi
ynë i lutjes ishte në Kremlin, ku shpalli fjalën e gjykimin e Zotit pranë
zyrës së Gorbaçovit.
Ndërkohë anija “Qielli i Mesdheut” çante përpara në detin e trazuar
e pjesërisht të stuhishëm duke lënë prapa 1150 milje detare ( pothaj
2130 km). Në ditën e katërt të lundrimit në mëngjes deti u qetësua disi
dhe qyteti port i Haifas i larë në diellin e artë të mëngjesit filloi të duket
në horizont.
Kapiteni i anijes dha urdhër të jepet sinjali i përshëndetjes: Gjëmoi zëri
i fuqishëm i sirenës, që përdoret në rast mjegulle të dendur. Menjëherë
u afruan barkat e shpejta të policisë bregdetare me drita të ndezura e
duke i rënë sirenave të tyre në shenjë përshëndetje. Të gjithë pasagjerët
olim (emigrantë të riatdhesuar) dolën me të shpejtë nga kabinat e tyre
dhe të mbështetur në paramakët e anijes kishin ngulur sytë në Tokën e
Premtuar, që po afrohej gjithmonë e më tepër. Ata shikonin të
përqëndruar, të heshtur. Askush prej tyre nuk e dinte nëse ishte koha
për të qarë apo për të qeshur.
Lajmi për mbërritjen e anijes së parë me emigrantë nga Bashkimi
Sovjetik në Izrael u dha vetëm në mëngjes. Autoritetet Izraelite e fshehën
këtë ngjarje nga frika e ndonjë sulmi terrorist. Kjo frikë nuk ishte pa
baza, sepse po atë javë, një bombë shpërtheu në një nga kamionet e
tranzitit në Budapest. Autobuzi plot me olim (emigrantë që shkonin të
riatdhesoheshin) kundër të cilëve ajo ishte drejtuar shpëtoi për mrekulli,
mbeti i vrarë vetëm polici, që i shoqëronte. Megjithatë lajmi i mëngjesit
mjaftoi të mblidhte një turmë të madhe në portin e Haifës për të
uruar mirëseardhjen.
Kërcitja tipike që lëshon anija, kur mbështetet në fasadën prej gome
të portit pothuaj mbulohej nga zhurma e brohoritjeve, duartrokitjeve dhe
nga muzika e bandës që uronte mirëseardhjen. Ministri i emigracionit
Itsak Perez, që ishte edhe vetë një rabi ortodoks, nuk e fshihte dot
mallëngjimin dhe entuziazmin e tij. Me të shpejtë ai u ngjit mbi kuvertën
e anijes për të uruar mirëseardhjen: “Ju keni ardhur në atdheun tuaj në
shtëpinë tuaj, në familjen tuaj,” u tha ai. “Qeveria e Izraelit do të bëjë
ç’është e mundur që t’ju plotësojë të gjitha nevojat tuaja.”
Ai përqafoi dhe puthi një djalë nëntëv vjeçar që quhej Genia, pastaj
i shtrëngoi dorën të atit dhe të gjithë familjes. Babai i tha: “Ne jemi
shumë të lumtur që mundëm të vijmë në Izrael. Kemi shumë kohë që
presim dhe përpiqemi për këtë gjë.”
“Kur e pashë bregdetin e Izraelit nga bordi i anijes, unë isha aq e
mallëngjyer sa që nuk mund të them dot asnjë fjalë,” shtoi Sofia, një
mësuese e gjuhës angleze nga republika e Gjeorgjisë. “Unë besoj që këto
do të jetë mirë për ne; po, me siguri, gjithçka do të shkojë mbarë.” Një
nga olim-ët e parë, që zbriti shkallët duke mbajtur fort në dorën e
tij pashaportën ngjyrë gështenjë të Bashkimit Sovjetik së bashku
me pashaportën ngjyrë blu të errët të emigrantit, që kishte marrë
nga nënpunësit izraelitë në anije. “Shalom, shalom,” përsëriti ai shumë
i emocionuar.
“Unë nuk mund t’jua përshkruaj ndjenjat e mia,” tha një qytetar i Izraelit,
i cili na kishte ndihmuar në mbledhjen e emigrantëve në Odesa. “Unë
humba të gjithë pjestarët e familjes sime në Evropë. Sikur të kishim patur
ne atëherë një anije si kjo, ngjarjet do të kishin rrjedhur ndryshe.
“Një eksod i ri ka filluar. Hebrenjtë kthehen me anije në Izrael.” Ky
ishte kryeartikulli i transmetuar nga agjencia e lajmeve AP dhe, që zuri
vend në faqet e para të të gjitha gazetave kryesore izraelite dhe rigjallëroi
shumë kujtime të hidhura. Në vitet 1930 deri në vitet 1940 çdo emigrant
hebre në Izrael erdhi me anije duke kaluar Mesdheun. Anija që bënte
lundrimet më të shumta, anija e quajtur Eksodi, u sulmua në vitin 1947
nga anijet e marinës britanike në mënyrë që të pengohej kthimi i
hebrenjve në Izrael. Nga zjarri i mitrolozëve anglezë u vranë tre dhe u
plagosën 100 të tjerë. Tani po na jepej rasti që të ndihmonin për kthimin
e hebrenjve në Izrael.
“Këta janë vërtet të krishterë, por të krishterë që e duan Izraelin,”
i shpjegoi avokati ynë nga Jerusalemi një gazetari, që kishte ardhur të
na merrte në intervistë për televizionin. “Këta e kuptojnë rëndësinë
e kthimit të hebrenjve në vendin e tyre.”
Johanesi dhe Kelli kishin shkuar në Haifa që të ishin të pranishëm kur
të mbërrinte anija. Më vonë Johanesi më tregoi: “Ajo ishte dita më e
lumtur e jetës sime. M’u kujtuan lutjet tona nëpër shkallët e portit të
Odesa dhe kudo në BS. Si unë ashtu dhe Kelli nuk mundën ta mbajmë
veten dhe qamë me ngashërim. Zoti i dëgjoi lutjet tona. Zoti i mori
seriozisht fjalët, veprimet tona. Kurse unë atëhere megjithëse kryeja çdo
gjë si përshkruhet në Bibël, të them të drejtën kisha pak besim. Më tepër
më dukej vetja se po veproja si një i çmendur, si një njeri që e ka humbur
arsyen. Por Zoti provoi se fjala e Tij është e vërtetë.Po
vepruam sipas fjalës së Zotit Ai vetë do të ndërhyje
dhe do të përmbushë premtimet e Tij; dhe ç’është
shkruar do të bëhet. Zoti na dha një shenjtë të dashurisë së
Tij, na dha një shenjë se na pranon ne dhe lutjet tona megjithë
mangësitë që kemi. E pabesueshmja, ndodhi. Çdo veprim që
kryem pati efekt, çdo lutje që bëmë u përmbush.
E pabesueshmja ndodhi.
KAPITULLI V
“Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur
poshtë.”
(Isaia 41:9.)
Një teleks që më erdhi nga Haifa më çuditi jashtë mase. Ishte menjëherë
pas lajmit të gëzueshëm. Avokati ynë na shkruante:
I dashur Gustav,
Ministria e Emigracionit më paraqiti një akuzë tepër të rëndë. Kjo
jo vetëm që mund të pezullojë të gjithë Operacionin, por mund të
ketë pasoja të tjera edhe më të pakëndshme. Disa nga zyrtarët izraelitë,
që ishin në bordin e anijes, u ankuan se të krishterët, që ndihmonin në
anije, u predikonin emigrantëve. Në shumë raste ata u jepnin adresa
kontakti të krishterësh në Jerusalem.”
Për këtë pikë të kontratës unë nuk e kisha menduar shumë.
Natyrisht grupit të vullnetarëve të krishterë u kishim dhënë udhëzime të
qarta: Ne nuk kemi dalë për të predikuar, por për të ndihmuar dhe
shërbyer. Zoti ma kishte bërë mua të qartë se misioni ynë ishtë që t’u
tregonim emigrantëve olim dashurinë tonë për ta jo me fjalë, por me
veprat tona. Këtë përkushtim tonin unë ua kisha thënë autoriteteve
izraelite të cilët e kishin shkruar në kontratën e marrëveshjes midis nesh
dhe Qeverisë Izraelite. Në qoftë se ne nuk e mbanim këtë premtim ata do
të na ndalonin të lundronim dhe kështu ne nuk do të mund të plotësonim
detyrën, që na kishte ngarkuar Zoti.
Ministria e Emigracionit kishte urdhëruar që ndihmësat e krishterë
në Qiellin e Mesdheut të qëndrojnë në kabinat e tyre në anije dhe të
mos lejohen të zbresin në port e të mos kenë asnjë kontakt me emigrantët
deri sa anija të niset. Kur anija erdhi në Odesa, unë shkova në bord dhe
mblodha të gjithë vullnetarët e krishterë në një takim urgjent.
“Të gjithë ata që janë të gatshëm t’i qëndrojnë besnik premtimit tonë,”
u thashë, “le të ngrihen në këmbë tani.” Që të gjithë e dinin se çfarë
i kishim premtuar Qeverisë Izraelite. “Ne nuk do të përpiqemi t’i
kthejmë emigrantët në besimin e krishterë. Pra, emigrantëve nuk u duhet
thënë asnjë fjalë për Krishtin dhe besimin e krishterë. Ne nuk jemi
këtu misionarë të fjalëve dhe të predikimit, por jemi misionarë të
veprimit dhe dashurisë vepruese. Të gjithë ju premtojeni para Zotit këtë
gjë tani. Përndryshe largohuni menjëherë nga anija!”
Të gjithë vullnetarët u ngritën në këmbë. Ky fakt më bindi se kishim
një ekip ndihmës, të cilit ne mund t’i besonim dhe tani unë isha në
gjendje t’u jap pa u ndrojtur premtimin tonë Qeverisë Izraelite. Këto
tregonin, se Qeveria e Izraelit, në një farë mase, i kishte
keqkuptuar qëllimet tona. Por në këtë pikë ka shumë rëndësi që ne të
krishterët t’i njohim dhe t’i kuptojmë arsyet e këtij qëndrimi. Për mijëra
vjet hebrenjtë kanë luftuar heroikisht që t’i shpëtojnë asimilimit. Nuk
janë të paktë ata hebrenj që zgjodhën të vdesin si martirë që të mos
mohojnë besimin e etërve të tyre. Në librat e Makabeut, që gjenden në
përmbledhjen e apokrifave na përshkruhet lufta e izraelitëve për ti
shpëtuar asimilimit në shekullin e dytë para Krishtit. Kjo luftë bëri të
mundur që Izraeli të mbijetojë dhe u bë e mundur që të lindtte Mesia, dy
shekuj më vonë. Unë dhe gruaja ime jemi të dy zvicerianë, por meqë
fëmijët tanë na lindën në Angli, ata janë më tepër anglezë se zviceranë.
Por, hebrenjtë, megjithëse kanë qenë të shpërndarë nëpër vende të
ndryshme, për pothuaj 2000 vjet, e kanë ruajtur identitetin e tyre. Kjo
është padyshim një mrekulli, që e ka krijuar vetë Zoti, i cili ka premtuar
te Jeremia 31: 35,36 se ashtu si janë të qëndrueshme ligjet
natyrore sipas të cilave lëviz dielli, hëna e fenomenet e
natyrës “ashtu do të jetë i qëndrueshëm dhe i pasimulueshëm
kombi i Izraelit para Zotit.”
Pra është kundër vullnetit të Zotit të detyrosh hebrenjtë të mohojnë
kombësinë e tyre. Dhe sipas mentalitetit të shumicës prej hebrenjve të
kthehesh në besimin e krishterë do të thotë të mohosh kombësinë
izraelite.
“Guri, që ndërtuesit e kishin hedhur, u bë guri i qoshes.”
(Psalmi 118:22)
“Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur lidhur me
këtë të fshehtë, që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se
i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit derisa të ketë
hyrë tërësia e johebrenjve”
“(Romakëve 11:25)
Kjo është arsyeja pse autoritet izraelite reaguan në atë mënyrë, kur
u përhap fjala se të krishterët po përqiqen të kthejnë emigrantët në fenë
e krishterë, po i bëjnë ata të mohojnë përkatësinë izraelite. Sipas tyre
këta emigrantë naivë po indoktrinoheshin në kabinat e anijes nga
demagogë të shkathët të krishterë, kështu që ata kur të vinin në Izrael
nuk do të ishin më hebrenj!
Vetëm tani në vitet e fundit, po rritet numri i hebrenjve si Stiv Lajtëlli,
të cilët e kanë kuptuar të vërtetën, që shpallet në Bibël, se të bëhesh i
krishterë nuk do të thotë të mohosh kombësinë izraelite. Vetë Jezu
Krishti nuk e mohoi kombësinë e Tij izraelite. Po ashtu edhe apostujt e
tjerë ishin të gjithë hebrenj, por prej asnjërit prej tyre Jezusi nuk kërkoi
që të mohonin kombësinë e tyre izraelite.
Po të lexosh librin e Veprave të Apostujve në Dhjatën e Re shikon
se fillimisht, në vitet e para kur sapo ishin krijuar bashkësitë e krishtera,
kishte njerëz që thoshin qartë se që të bëhesh i krishterë duhet së pari
të bëhesh pjestar i Judaizmit, të zbatosh ligjin e Moisiut etj. Pra me pak
fjalë ata thoshin: që të bëhesh i krishterë duhet së pari të bëhesh hebre.
Në këtë pikë ne u sulmuam edhe nga ana e të krishterëve. Ishte me
të vërtetë një gjë e dhimbshme. Një çift i ri, të dy hebrenj, që besonin
në Jezu Krishtin, na erdhën në dhomën tonë të hotelit në Odesë.
Ata dëshironin që ne të shkojnë e t’u predikojnë emigrantëve, që prisnin
në port. Kur ne thamë jo, ata u skandalizuan dhe nuk dëshën ta
pranonin kurrësesi pozitën tonë. Ishte një kohë e një tensioni të madh
nga i cili na çlironte vetëm fjala e Zotit. Tek profeti Ezekiel në kapitullin
36 na thuhet qartë se Zoti do t’i kthejë të zgjedhurit e Tij në Tokën e
Premtuar, Ai do t’i pastrojë ata me ujë të pastër, Ai do t’u heqë zemrën
prej guri dhe do t’u japë zemër të re e një shpirt të ri. Dhe ashtu si ndodhi
pas Eksodit të parë nga Egjipti, u dha Ligji dhe u bë besëlidhja e Dhjatës
së Vjetër, në të njëjtën mënyrë pas Eksodit të Fundit Zoti premton se do
të bëjë një besëlidhje të re me kombin e Izraelit. Kjo na thuhet tek
Jeremia 31.
Ndërkohë dashuria e shprehur me vepra po jepte frytet e saja në
marrëdhëniet midis vullnetarëve tanë të krishterë, emigrantëve
dhe zyrtarëve izraelitë, që kishin ardhur të na kontrollonin. Akulli filloi
të thyhet, kur vullnetarët tanë, pa u kursyer, filluan të ndihmojnë
emigrantët në transportimin e bagazheve të tyre të rënda për në anije.
Pastaj ata u sollën pije freskuese dhe filluan t’u mësojnë fjalët elementare
në gjuhën hebraishte si edhe këngë izraelite-bile grisën edhe çarçafët për
t’ua dhënë nënave me fëmijë të vegjël, sepse nënpunësit e doganës
shkuan deri aty sa të konfiskojnë edhe pelenat e foshnjave!
Një natë përpara se anija të mbërrinte në portin e Haifas, vullnetarët
e krishterë organizuan një mbrëmje lamtumire për emigrantët olim.
Karolë Kantrelli që ishte nga Jerusalemi, filloi t’i drejtojë të gjithë
këndimin e këngëve tradicionale izraelite, shumica e të cilave e kishin
burimin nga Dhjata e Vjetër, që hebrenjtë e quajnë Tenah. Dy gra që
bënin pjesë në grupin e kontrollit të qeverisë u ndanë nga grupi i
inspektorëve dhe erdhën e u ulën së bashku me Karolën duke kënduar e
duke përplasur duart. Fytyrat e tyre ishin të qeshura dhe rrezatonin me
gëzim e miqësi. Në qendër të sallës ku po organizohej banketi u formua
një rreth njerëzish që vallëzonin. Izraelitë, emigrantë olim, të krishterë të
gjithë së bashku pa ndrojtje e ndarje. Midis atyre, që vallëzonin ishin
edhe ata, që kishin qarë me lotë të hidhur sepse doganierët i kishin
konfiskuar unazën, që ia kish dhënë gjyshja-tani vallëzonte krejt e
lumtur, krejt e çliruar nga dëshpërimi i saj.
“Ndjeva se si në çast gjithë dëshpërimi im u largua dhe vendin e tij e
zuri gëzimi,” i tha ajo Karolës më vonë. Po ndodhte pikërisht ashtu
si përshkruhet në Bibël: “Ata do të vijnë duke kënduar.”
Të gjithë u ngritën në këmbë për të kënduar himnin kombëtar të
Izraelit Hatikvah (Shpresa). Si këngë të fundit Karola këndoi
këngën Shalom haverim (Lamtumirë miq). Emigrantët olim u larguan
nga banketi i ndarjes me sytë me lot. Disa prej tyre përqafonin
vullnetarët e krishterë për të shprehur dashurinë e mirënjohjen e tyre.
“Kur ishim në Rusi ne e dinim se izraelitët kanë vetëm armiq,” tha
dikush. Ne nuk kishim dëgjuar se kemi edhe miq.” “Kurrë nuk kemi
përjetuar një gjë të tillë,” tha dikush tjetër me sytë e mbushur me lot. Ish
me të vërtetë një natë pajtimi midis izraelitëve dhe të krishterëve. Më
vonë, po atë mbrëmje, në sallën ku mblidheshin vullnetarët e krishterë u
futën gjashtë punëtorë të sigurimit të Izraelit. Njëri prej tyre i nxitur nga
shokët e tij, e theu heshtjen duke thënë: “Ne erdhëm vetëm t’ju themi kol
hakavod (term falenderimi në hebraisht që do të thotë “gjithë nderi për
ju”).
Pasi ata u larguan Stivi dhe vullnetarët e tjerë filluan lutjen me fjalët:
“Kol hakavod për Ty o Zot!”
Po vinte dita e lundrimit të tretë dhe unë ndjehesha shumë më i çliruar
dhe i sigurt se herët e tjera. Edhe kësaj radhe ishin mbledhur më shumë
se 500 udhëtarë olim. Si në lundrimet e mëparshme, zyra e doganës u
hap tri ditë para lundrimit. Avokati ynë i lundrimit erdhi më takoi pas
ditës së parë dhe më tha: “Sot kaluan përmes doganës vetëm 70 vetë. Më
duket se zyrtarët e doganës duan të marrin hak.” Ai mendonte se zyrtarët
e doganës po i vononin qëllimisht veprimet e tyre në mënyrë që ne të mos
ishim në gjendje të merrnim me vete pasagjerët tanë.
Elsa dhe unë kishim planifikuar të lundronim për në Izrael kësaj radhe,
por unë e ndjeva veten përgjegjës për të gjithë hebrenjtë që kishin
ardhur në Odesë. “Në qoftë se nuk mund t’i marrim të gjithë pasagjerët
me vete unë do të qëndroj këtu për të organizuar transportin e tyre me
avion, ose në ndonjë formë tjetër. Ti shko në Izrael me anije,” i thashë
Elsës. Ne filluam t’i lutemi Zotit që Ai të na hapte rrugën.
“Zot, i thashë, këta janë njerëzit e Tu, ky është lundrimi Yt. Ne
kemi nevojë për ndihmën tënde, ne kemi nevojë të ndodhë një mrekulli!”
Unë e dija se po qe se kontrolli në doganë vazhdonte në këtë ritëm do
të duheshin gjashtë ose shtatë ditë të tjera deri sa të gjithë pasagjerët
të kalonin procesin doganor. Dhe në fakt ditën e dytë të kontrollit
doganor kaluan aq vetë, po aq edhe ditën e tretë. Në ditën e lundrimit ne
kishim ende 300 pasagjerë që nuk kishin kaluar proceset doganore. Atë
natë fjeta shumë pak. Në orën 3:00 të mëngjesit fola me radiomarrëse
me Stivin që gjendej në bordin e anijes dhe i sqarova gjendjen, në të cilën
ndodheshim. Ai shkoi dhe i zgjoi të gjithë vullnetarët e krishterë,
që gjendeshin në bordin e anijes dhe u tha se ishte koha që të braktisnin
gjumin dhe të ulen në gjunjë dhe të luten për emigrantët olim që kanë
mbetur pa kaluar procesin doganor.
Në orën 3:30 ra zilja e telefonit. Na telefononte një motër e krishterë
nga Anglia.
“Gustav, kam orë të tëra që po përqiqem të lidhem me ty në telefon”
tha ajo e emocionuar. “Zoti më ka dhënë një fjalë, të cilën duhet të ta
them patjetër. Hape Biblën të lutem tek profeti Zakaria në kapitullin 4
vargjet 6 dhe 7.
Unë e hapa dhe lexova: “Kështu thotë Mbreti i ushtrive. Suksesi
dhe fitorja nuk arrihen me forcë e me fuqi njerëzore por me
Frymën Time. Kush je ti o mal i madh? Përpara Zorobabelit ti
do të bëhesh fushë!”
Kur më tha këto fjalë m’u duk sikur më adhuroi një diamand shumë
të çmueshëm. Ajo vetë nuk mund ta dinte se çfarë mali i madh qëndronte
ne përpara por, unë rifitova sigurinë. E dija se këto fjalë vinin nga Zoti
vetë. Ai do të sheshonte malin që na kishin vënë përpara punonjësit e
doganës.
“Elsa,” i thashë gruas sime, “të lutem bëj gati valixhen time. Ne do
të udhëtojmë së bashku me anije.”
Pas kësaj ne mundëm të flemë një orë, dhe herët në mëngjes u
larguam nga hoteli me valixhet tona dhe u drejtuam tek anija. “Qielli i
Mesdheut” dukej që nga larg me shkëlqimin dhe madhështinë e saj të
praruar. Ecëm dhe u futëm brenda.
Në këtë lundrim atmosfera ishte krejt tjetër. Ministria e Emigracionit
kishte dërguar një ekip hebrenjsh utraortodoksë të Jeshivës (shkollës
për mësimin e fesë së Judaizmit sipas Talmudit). Ata kishin marrë si
detyrë të kontrollonin me imtësi çdo veprim. Kryetati i grupit të
kontrollit ishte një djalë i ri, që kishte emigruar në Izrael nga Bashkimi
Sovjetik. Megjithë moshën e tij të re ai ishte tepër autoritar dhe nuk
toleronte as gjënë më të vogël, që mund të dukej si e dyshimtë. Vetë ai
ishte 25 vjeç dhe ish arrestuar që në moshën 15 vjeçare nga KGB-ja si
“Sionist i rrezikshëm”. Ju nuk keni të drejtë as t’u afroheni emigrantëve,”
– na tha ai që në fillim. Në anije kishin ardhur edhe korespodentë
gazetash të ndryshme të Izraelit për të shkruar për konfliktin tonë.
Ndër pasagjerët e parë, që erdhën në bordin e anijes ishin edhe një
burrë e një grua e moshuar. Përveç mundimeve të rrugës për të ardhur
në Odesë, ata kishin tre ose katër ditë që prisnin në magazinën e ftohtë
të portit, si edhe përmes inspektimit doganor. Ata ishin tepër të lodhur
dhe dukeshin të traumatizuar. Ishte ditë e shtunë. Meqë sipas fesë së
Judaizmit kjo është dita e shenjtë e Shabatit hebrenjtë ortodoksë nuk
bëjnë asnjë punë. Çdo ndihmë, që ata mund t’ju jepnin emigrantëve do të
ishte mohim i fesë së tyre pasi ata nuk janë të lejuar të punojnë ditën e
Shabatit.
Vullnetarët tanë u afruan. Prapa tyre nxitoi një nga pesëtarët e ekipit
të kontrollit për të vëzhguar nga afër nëse do të predikonim. Nje burrë e
një grua iu afruan emigrantëve të rraskapitur. Gruaja vendosi dorën e saj
mbi supin e gruas, kurse burri mbi të burrit. Asnjë nga vullnetarët tanë
nuk foli por ky veprim dashurie, pas gjithë atyre ditësh vuajtje e
pasigurie, mjaftoi që të dy emigrantët të shpërthenin në lotë. Fytyra e
tensionuar e pjestarit të grupit të kontrollit ndryshoi shprehjen e saj. Sytë
fillimisht hetues tani shprehnin dashuri dhe paqe. Gjatë gjithë asaj dite
procedura e kontrollit në zyrën e doganës eci shumë ngadalë. Sipas planit
ne duhet të niseshim atë mbrëmje, por pasi mbaroi kontrolli doganor
mbasdite vonë në magazinat e portit prisnin më tepër se 250 emigrantë,
për të cilët ne i kishim paguar biletat dhe kishim përgatitur në anije
kabinat. Mblodha grupin e vullnetarëve të krishterë dhe ju thashë:
“Një ditë vonese na kushton 20 ose 25 mijë dollarë. Në duhet të nisemi
në kohën e caktuar.”
U thashë të luten ndërsa Stivi dhe unë shkuam në sallonin e anijes për
t’u takuar me konsullin izraelit dhe me kapitenin e anijes. Ata u
shqetësuan shumë kur iu sqarova situatën në të cilën ndodheshim. Pastaj
erdhi Elihau Ben Haim-i, drejtues i grupit të lutjes dhe më thirri të
shkoja te dera. “Zoti iu përgjigj lutjes sonë me një urdhër të qartë,” më
tha ai. Me anën e fjalëve që gjenden në librin e Ezekielit 39:28.” Unë
jam Zoti, Perëndia i atyre që i çoi në robëri midis kombeve,
por që i ka mbledhur gjithashtu në vendin e tyre, duke mos
lënë jashtë anjë prej tyre.”
Ansnjë nga emigrantët nuk duhet të mbetet në port!
Unë e kuptova që këto fjalë vinin nga Zoti vetë. Të gjitha shqetësimet
e mia financiare të vonesës morën fund. Unë u ktheva tek kapiteni
dhe zyrtarët e Izraelit me të cilët po diskutoja. Mora në dorë Biblën dhe e
hapa tek Ezekiel 39:28 dhe ju thashë: “Dëgjoni ç’thotë Zoti, asnjë nuk do
të mbetet jashtë! Ne do të presim derisa të gjithë emigrantët të hipin
në anije.”
Gjatë kësaj periudhe të jetës sime, kur mua më dukej se mposhtja
shumë vështirësi dhe pengesa, Zoti më tregoi se mënyra për të dalë
fitimtar është të shpallësh fjalën dhe premtimin e Zotit. Kështu sa herë
që ne ndesheshim me vështirësi e pengesa në punën tonë për të
kthyer hebrenjtë të Tokën e Premtuar ne shpallnim hapur para të
gjithëve fjalët e Biblës, premtimet e Zotit që na drejtonin e frymëzonin në
punën tonë. Tek Jeremia 23:29 na thuhet:
“A nuk është fjala ime si zjarri?” thotë Zoti, “dhe si
një çekiç që thyen gurin?”
Dhe ne kur e mësuam këtë sekret e përdornim çekiçin dhe zjarrin me
të cilat na ka armatosur Zoti për të thyer pengesat që na dilnin
përpara. Emigrantët, të cilët ishin të detyruar ta kalonin edhe këtë natë
në magazinat e portit, duke fjetur mbi bagazhet e tyre të vendosura
mbi çimentotn e ftohtë, ishin në gjendje të vajtueshme. Shumë prej tyre
ishin në këtë gjendje duke pritur për ditë të tëra duke patur shumë
pak ushqim. Prandaj kuzhina e anijes përgatiti një darkë të bollshme për
të gjithë emigrantët, që prisnin nëpër magazine dhe vullnetarët
sajuan tavolina atje ku emigrantët ndodheshin. Atë mbrëmje të gjithë
hëngrën sa u ngopën nga peshku i gatuar me shije. Më vonë kapiteni i
anijes na tha se ai ishte krenar që kishte patur rastin të bëhet pjestar i
përmbushjes së profecive të Biblës!
Na u desh të prisnim 27 orë. Më në fund atyre iu duhej vendi që zinim
ne në port pasi një anije tjetër pritej të futej kështu i shpejtuan veprimet
e tyre. Ne u nisëm duke marrë me vete të gjithë pasagjerët së bashku
me bagazhet e tyre.
Unë dhe Elsa ishim krejt të rraskapitur. Pas shumë netësh pa gjumë, në
anije fjetëm për herë të parë të qetë e deri sa u çlodhëm plotësisht. Më
dukej vetja si në Parajsë pas gjithë asaj beteja që zhvillova ditë për ditë,
orë për orë, në Odesa. Ato që shihja në anije më dukeshin si ëndërr:
banjo me ujë të ngrohtë, ushqime të freskëta e të gatuara me shije,
tavolina të pastra e të mbuluara me mbulesa… Këto gjëra filluam t’i
çmojmë edhe njëherë si dhuratë. M’u kujtua Psalmi 126, vargjet 1 dhe 2
“Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen na u duk si ëndërr.
Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë
gëzimi.”
Dhe pikërisht këtë gjë po përjetonim ne tani në bordin e anijes.
Një ndjenjë gëzimi e kënaqësie të thellë na pushtoi ndërsa ne të
çlodhur qëndronim në kuvertën e anijes dhe shihnim Detin e Zi që
shtrihej në horizont.
Por, shpejt u kujtuam se ky kish qenë vërtet një det i zi për
hebrenjtë. Vetëm disa javë më parë kisha dëgjuar për ngjarjen e
tmerrshme, që kishte ndodhur me një anije që transportonte emigrantë
izraelitë, me anijen Struma, e cila kish kaluar përmes këtyre ujërave
pikërisht 50 vjet para nesh. Me të mësuar për këtë ngjarje unë shkova në
arkivat e Jerusalemit dhe mora të dhëna të sakta si edhe fotografitë
dëshmuese dhe pastaj ua tregova këto vullnetarëve të krishterë: Rreth 50
vjet më parë nga dita jonë e lundrimit, 769 hebrenj për t’u shpëtuar
kampeve të shfarosjes të Hitlerit, u nisën të lundronin nga Rumania në
anijen Struma. Kjo anije ishte e vogël, e ndërtuar 100 vjet më parë, dhe
ishte një anije e projektuar për të transportuar kafshët. Ishte një anije e
ndërtuar vetëm për të lundruar në lumë. Pas katër ditësh, megjithë
ndalesat e shkaktuara nga defektet e shumta, kjo anije nga Rumania
mbërriti në Stamboll. Me të hyrë në liman, ata u kërkuan autoriteteve
angleze lejen të futen në tokën e Palestinës (atdheu i lashtë i
hebrenjve).Qeveria Britanike u kish premtuar Hebrenjve tu jepte
mundësi të krijonin shtetin e tyre kombëtar në tokën e etërve të tyre,
premtuan por nuk e zbatuan.
Krejt ndryshe, ata me veprën e tyre, u bënë pjesë e njërit prej
kapitujve më të mjerueshëm të politikës britanike. Megjithëse ndërkohë
miliona hebrenj vdisnin në Kampet e Përqëndrimit, këta hebrenj, që
përpiqeshin të shpëtonin, nuk u pranuan të hyjnë në “trojet kombëtare”
ndonëse qeveria britanike dy dekada më parë u pat bërë një premtim të
tillë. Autoritetet Britanike njoftuan Autoritetet Turke se hebrenjtë e
Strumës nuk do të pranoheshin në Palestinë. Anija qëndroi në portin e
mbuluar me akull për javë të tëra. Njerëzit qëndronin si të paketuar
poshtë kuvertës së anijes. Kish vend të shtriheshin vetëm njëri përbri
tjetrit në dyshemenë e ftohtë.Gjithshka ishte planifikuar vetëm për
transportimin e kafshëve. Në të gjithë anijen kishte vetëm një wc dhe
asnjë vend ku njerëzit mund të laheshin, dhe kjo për 769 njerëz.
Gratë shtatëzana po lindin në anije.
Kur anija po qëndronte mbi 35 ditë në limanin e Stambollit, në periferi
të Berlinit u mbajt konferenca e Vansesë, ku u nënshkrua dhe u
shpall zyrtarisht politika e shfarosjes se gjithë hebrenjve e emërtuar me
fjalët: “Zgjidhja përfundimtare e problemit të Judenjve.” Hitleri pati
guximin ta ndërmerrte këtë hap pasi pa mospërfilljen dhe ftohtësinë
kriminale të demokracive perëndimore. Apele të ndryshme iu drejtuan
qeverisë Angleze dhe nga Agjencia Izraelite, lidhur me anijen Struma,
por qeveria angleze nuk e ndryshoi vendimin e saj. Pas 70 ditësh
qëndrimi në limanin e Stambollit turqit e nxorën anijen nga limani në
detin e hapur dhe e lanë pa asnjë furnizim: pa ujë të pijshëm, pa ushqime
dhe pa karburant. Të nesërmen u dëgjua një shpërthim i fuqishëm dhe
anija u zhduk nën ujërat e ftohta të Detit të Zi. Nga 769 pasagjerët
mbijetoi vetëm një.
Një grup vullnetarësh të krishterë nga Anglia kërkuan që të bëhej
në anijen tonë një ceremoni përkujtimore për këtë ngjarje, si
shenjë pendese, gjatë kohës qe ne lundronim në ujërat e Detit të Zi. Ata
donin t’i kërkonin falje Zotit të Izraelit për fajin e qeverisë dhe të kombit
anglez lidhur me këtë ngjarje. Ata donin t’u kërkonin falje zyrtarisht
edhe hebrenjve, që ishin në bordin e anijes sonë. Hebrenjtë ortodoksë
nuk donin që emigrantët të merrnin pjesë në këtë ceremoni. Kur
dëgjuan propozimin tonë, ata u shqetësuan shumë dhe diskutonin me zë
të lartë në kabinat e tyre deri në tre të mëngjesit.
Kur na njoftuan vendimin e tyre, ne nuk kundërshtuam. Ne kishim
ardhur aty t’i shërbenim Zotit të Izraelit dhe popullit të Tij të zgjedhur
dhe jo për të lartësuar vetveten.
Ceremonia përkujtimore u mbajt në fundin e anijes. Në të merrnin
pjesë vetëm reporterët e gazetave, fotografët dhe grupi i caktuar nga
Qeveria Izraelite.
Pikat e shiut filluan të lagin fytyrat e gjashtë besimtarëve anglezë
ndërsa ata kishin formuar një gjysëm rrethi përballë erës së akullit të
Detit të Zi. Fred Rajt, një predikues nga Colchester-i filloi të flasë me një
zë të mallëngjyer: “Ne anglezët po qëndrojmë këtu për të kërkuar falje
për veprimin kriminal, që vendi ynë kreu ndaj pasagjerëve të anijes
“Struma”. Ky është një veprim mëkatar dhe ne me përulje kërkojmë
falje.”
Ne qëndruam atje të heshtur për dy minuta ndërsa valët
lëkundeshin monotalisht përpara nesh. Besimtarët anglezë kishin
përgatitur një kurorë, të lartë sa një bojë njeriu, të ndërtuar me degëza
pishe e të zbukuruar me lule. Degëzat e pishës i kishin mbledhur javën e
kaluar nga pemët e dëmtuara nga një stuhi e rrallë dëbore në Jerusalem.
Dy prej tyre e çuan kurorën deri në fund të anijes dhe pastaj e hodhën në
ujë. Ky veprim u shoqërua nga një rënie solmne dhe e zgjatur e sirenës së
anijes ndërsa ekuipazhi i saj i veshur me uniformat ceremoniale,
nderonte duke mbajtur vështrimin tek flamuri, që valëvitej në
gjysëmshtizë. Ishte një situatë tepër prekëse. Shumë veta filluan të
derdhin lotë. Thellë u prekën edhe izraelitët. Disa prej tyre, me fytyrat e
lagura nga lotët, filluan t’i përqafojnë spontanisht të krishterët anglezë.
Aviezer Golan, një gazetar veteran, që përfaqësonte një nga gazetat
kryesore të përditshme të Izraelit, në kohën kur anija Struma u fundos
luftonte si ushtar vullnetar në ushtrinë britanike. Ai tha: “Unë isha
ndoshta personi, që u preka më pak emocionalisht nga kjo ceremoni, e
megjithatë u preka thellë. Kjo ceremoni na afroi më njëri-tjetrin.”
Reportazhin që ai shkroi për gazetën fillonte me një përshkrim të gjallë të
kësaj ceremonie.
“Kjo ceremoni zgjidhi një problem shpirtëror të përjetshëm shpjegoi
Bob Hobbs, pastor i një kishe në Angli. “Ne deshëm që kjo barrierë
shpirtërore të thyhej dhe të tregonim ndjenjat e sinqerta të zemrave tona.
Unë besoj se ajo që ne kryem është diçka shumë e rëndësishme para Zotit
dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet midis Anglisë dhe
Izraelit sot.”
“Për shumë vite, shtoi e shoqja, Delfina, “as ne vetë nuk i njihnim planet
e lavdishme që Zoti ka për Izraelin. Për ne atëherë Izraeli dhe hebrenjtë
ishin një shtet dhe një komb si gjithë të tjerët. Këtë qëndrim e kishim
edhe ne pasi besuam tek Jezu Krishti sipas mësimeve të Biblës dhe pasi
morëm rilindjen shpirtërore. Por, Zoti gradualisht na ndriçoi për
të vërtetat lidhur me kombin e Tij të zgjedhur. Gradualisht Zoti më zbuloi
dashurinë e Tij për popullin e Izraelit, për popullin më të zgjedhur e më
të persekutuar të botës. Gradualisht dashuria e Zotit filloi të mbushë
zemrën time. Tani mund të them se zemra ime është e mbushur me
dashuri për hebrenjtë dhe se Izraeli është një vend tepër i çmuar për
mua. Tani kam filluar ta kuptoj shumë më thellë Dhjatën e Vjetër (që
hebrenjtë e quajnë Tanakh) si edhe Dhjatën e Re, Tani jam më afër
Izraelit, jam shumë e lidhur me kthimin e hebrenjve në Tokën e
Premtuar dhe rrjedhimisht shumë më afër qëllimeve të Zotit me të deri të
kthehet Mesia.”
Por anglezët nuk ishin të vetëm në qëndrimin e tyre armiqësor
kundër izraelitëve. Në vitin 1938 u mbajt konfereca e Evianit. Në të
morën pjesë 32 kombe për të diskutuar fatin e hebrenjve. Në këtë
konferencë Hitleri sfidoi mbarë Botën me fjalët: “Unë pres dhe shpresoj
që pjesa tjetër e Botës, që na paska kaq simpati për këta kriminelë, së
paku do të jetë po aq bujare në vepra sa është sot me fjalë. Për sa na
përket ne, ne jemi të gatshëm t’jua u dërgojmë këta njerëz, me gjithë
kujdesin tonë, edhe me anije luksoze.”
Por të gjitha vendet, njëri pas tjetrit, e patën më të lehtë të të
shohin hebrenjtë të vdesin në kampet e përqëndrimit, se sa ti pranojnë
si emigrantë në territoret e tyre izraelitët e Gjermanisë. Tonin
kësaj konference ia dha qëndrimi i qeverisë së SHBA. Ata premtuan se do
të qëndrojnë në kuotat e tyre minimale të pranimit të emigrantëve.
Pra SHBA deklaronin se: “Le t’u ndodhë çfarë të dojë izraelitëve, ne
nuk pranojmë as një emigrant më tepër.” Më pak se një vit më vonë
ndodhi incidenti që tashmë njihet, kur Qeveria Amerikane refuzoi të
pranonte në territorin e saj një anije, që transportonte 1100 refugjatë
hebrenj nga Gjermania.Anija u detyrua ti kthente hebrenjtë mbrapsh në
Gjermani. Që nga anija ata u dërguan në kampet e përqëndrimit. Shumë
pak prej tyre i shpëtuan shfarosjes. Edhe atdheu im, Zvicra, fillimisht
pranoi mijëra refugjatë hebrenj gjatë luftës, por nga ana tjetër ua mbylli
kufirin të tjerëve, që deshën t’i shpëtonin vdekjes së sigurtë. Që nga kufiri
Zviceran ata u transportuan drejt në kampet e shfarosjes.
Janë të paktë ata lexues të këtij libri që mund të thonë që kombi im
nuk ishte pjesëtar në këtë krim. Shumë prej nesh janë penduar, por unë
e kuptoj, por unë e kuptoj pendesën vetëm si hapin e parë. Zoti na thotë
në fjalën e Tij se ne duhet të transportojmë hebrenjtë, ne duhet t’i
ndihmojmë ata të kthehen në Tokën e Premtuar, në Izrael. Ne e kemi
këtë rast t’i tregojmë Izraelit dashurinë tonë dhe t’i kthejnmë mallkimet e
së kaluarës në bekime.
KAPITULLI VI
“çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i
çojnë në thertore.”
(Fjalët e urta 24:11)
“Tani unë nuk jam më i paditur”, fillova të mendoj pas tre lundrimeve
të para. “Tani e përfundova kursin e kualifikimit.” Përvoja e fituar në
këto lundrime më dha siguri. Lundrimi kishte qenë diçka krejt e
panjohur, por tani e ndjeva veten më të sigurt.
Më vonë atë vit diçka më thoshte në shpirtin tim se kish ardhur koha
të fillonim lundrime të rregullta me një kontratë afatgjatë. E ndieja se
rruga më e drejtë do të ishte të merrnim me qira anije nga ndonjë
kompani ruse. Kompania BLASCO (The Black Sea Shipping Company, që
do të thotë Kompania Lundruese e Detit të Zi) ishte në atë kohë sipas
mendimit tim, më e madhja në Botë. Ata kishin 250 anije. Kur vajta dhe i
paraqita propozimin tim njërit prej nënpunësve të kësaj kompanie ai,
duke shoqëruar fjalët e tij me një lëvizje të dorës m’u përgjigj: “BLASCO
nuk dërgon asnjë anije në ujërat izraelite. Madje edhe turistët nga Izraeli
nuk mund të vijnë këtu drejtpërdrejt me anijet e tyre, por duhet të hipin
në anije të tjera në Qipro.”
Më vonë mësova se arsyeja e këtij qëndrimi ishte se presidenti i
kompanisë e urrente Izraelin dhe të gjithë hebrenjtë. Megjith ndryshimin
e situatës politike, ai vazhdonte me të njëjtat metoda e qëndrim
bojkotues ndaj shtetit të Izraelit, si në kohën e Bashkimit Sovjetik. I
revoltuar nga ky qëndrim unë shkova në dhomën time i vetëm, që
ti lutem Krijuesit të Gjithëfuqishëm. Ishte një lutje, si një bisedë, ku
unë lutesha dhe bisedoja me Krijuesin e Përjetshëm që nuk e shihja, por
që e dija se është kudo, që na dëgjon kudo që të flasim, na i lexon
mendimet e shqetësimet tona. “O Zot, i thashë, “kjo nuk është e drejtë.”
Befas një mendim, si një ndriçim i brendshëm, me erdhi e më pushtoi të
gjithin. E kuptova menjëherë që Zoti më kishte dhënë çelësin, që do të na
nxirr te nga situata e vështirë. Mora Biblën dhe e hapa në librin e
Psalmeve. Në Psalmin 109 u përqëndrova në vargun 8:
“Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër e zëntë vendin e tij!”
Menjëherë shkova në zyrën e avokatit tonë të lundrimit në Odesa.
“Dua të nis një teleks në zyrën time në Angli”, i thashë. Pastaj u ula në
tavolinë dhe shkrova: “Njoftoni të gjithë të krishterët kudo në botë, që na
njohin dhe mbështesin që të luten me mua sipas Psalmit 109 vargu 8 që
presidenti i kompanisë lundruese BLASCO të hiqet nga pushteti.”
Pasi e shkrova këtë teleks në letër ia dhashë avokatit, një zyrtar ukrainas,
i ri në moshë, i veshur me kostum e me kravatë. Me ta lexuar u çudit
jashtë mase: “A e ke menduar mirë këtë që bën? Unë mendoj se po se po
nxitohesh e po rrezikohesh kot.” Unë e kuptova atë që ai po thoshte. Nuk
duhej menduar se me rënien e komunizmit në Bashkimin Sovjetik erdhi
liria e plotë. Njerëzit vazhdojnë të jenë të kujdesshëm për fjalët që thonë.
Metoda e hakmarrjes dhe e diktatit janë të rrënjosura tepër thellë. Këtë
gjë unë e kuptova nga sjellja dhe mënyra se si veprojnë e ragojnë
personat që bashkëpunojnë me ne.Gjithmonë për gjërat
delikate ata insistojnë t’i bisedojmë atje ku nuk ka njerëz të tjerë. Dhe
dihet që presidenti i kompanisë BLASCO ishte një njeri me influencë në
Ukrainë.
“Po jam i sigurt!” iu përgjigja i vendosur. E ndieja që Zoti i
gjithëfuqishëm ishte në anën time.
Tre ditë më vonë, ndërsa së bashku me Elsën po bënim gati valixhet
tona dikush na troket në derë. E hapa dhe përballë meje qëndronte
avokati ynë i lundrimit. Ai më shikoi me vërejtje dhe më pyeti: “Çfarë lloj
njeriu je ti?”
Përse? Ç’ka ndodhur?” iu përgjigja.
“Sot në mëngjes po dëgjoja radion. Që aty mora vesh lajmin se presidenti
i BLASCO-s është arrestuar nën akuzën për korrupsion.”
Presidenti i BLASCO-s u hoq nga pushteti. Zëvendësuesi i tij u tregua
i gatshëm të bashkëpunojë me ne. Zoti ynë është i gjithëfuqishëm!
Vështirësia tjetër jo e vogël ishte që të gjenim një partner në Izrael me
të cilin t’i koordinonim veprimet tona për Operacionin Eksodi. Në janar
të vitit 1993 shkova në Izrael për të lidhur një marrëveshje me Moshe
Mano, pronar i një kompanie lundruese.
Bisedimet ishin jashtëzakonisht të vështira. Së bashku shkuam në zyrën
e një avokati në Tel Aviv. Diskutuam, argumentuam, propozim deri
afër mesnatës por gjendeshim shumë milje larg njëri – tjetrit. Meqë unë
banoja në Jerusalem na duhej t’i ndërprisnim bisedimet. Autobuzi i
fundit nga Tel Aviv për në Jerusalem nisej në mesnatë. Mosheu më mori
me makinën e tij për të më çuar në stacionin qëndror të autobuzave që
unë të mund të arrija autobuzin tim. Nga nxitimi ai e humbi
rrugën. Kur semafori dha sinjalin e ngjyrës së kuqe ai uli xhamin e
veturës së tij për të më pyetur në veturën përbri se ku ndodhej rruga. Por
në vend që të vazhdonte të ecte, kur u dha sinjali i gjelbër ai parkoi në
anë të rrugës dhe vazhdoi të bisedojë me interesim e krejt i përqëndruar
me burrin, që ishte në makinën tjetër. Ndërkohë unë shikoja herë pas
herë orën time dhe mendoja: “E ç’do të thotë të më ikë autobuzi.” Më në
fund ai u kthye në makinë.
“Ka ditë që përpiqem të lidhem me këtë njeri,” më tha ai. “Biri i tij
i vetëm, Ronen-i, u vra para një muaji në Hebron gjatë shërbimit të rojes.
E kishin qëlluar në kokë.”
Mosheu heshti dhe më shikoi me vërejtje. Pas një heshtjeje të shkurtër
më tha: “Jeta e njërëzve është më e shtrenjtë se paratë.”
Atë natë e kuptuam që të dy se tashmë ishte zhdukur çdo pengesë
për marrëveshjen tonë. Dhe kështu ndodhi. Ne së bashku morëm me qira
nga kompania BLASCO anijen Dimitri Shostakoviç. Ishte një anije me
kapacitet prej 800 pasagjerësh. Kontrata jonë e parë mbulonte periudhën
Prill- Shtator të vitit 1993, periudhë gjatë së cilës duhet të kryeshin
25 lundrime. Anija ishte me të vërtetë e bukur dhe ishte ndërtuar në
vitin 1980 në katntjerin detar të Polonisë, ku Leh Valesa filloi aktivitetin
e tij politik.
Pas shumë peripecish ne ishim në gjendje të marrim me qira edhe një
bllok ndërtesash, që dikur, në kohën e komunizmit, kishin shërbyer si
kamp i rinisë. Ne mendonim të strehonim aty emigrantët olim deri sa të
vinte data e nisjes. Elsa dhe unë shkuam në Odesa në muajin mars në
mënyrë që të organizonim punën. Megjithëse ishte mezi i marsit në
Odesa gjithçka ishte e mbuluar me dëborë. Por, kjo nuk i pengoi
vullnetarët e krishterë për të ardhur nga e gjithë bota për të
ndihmuar. Me të arritur aty kuptuam se kampi ishte një vend tepër i
errët. Njerëz të dyshimtë hynin e dilnin në hotelin, që ndodhej në qendër
të tij. Gjithë natën dëgjoheshin të lehura qensh, të cilët edhe gjatë ditës
vërtiteshin në tufa rreth e rrotull. Disa prej tyre ecnin duke çaluar si
pasojë e ndonjë goditje ose kafshimi.
Moti ishte ende shumë i ftohtë, gjithçka ishte e akullt dhe për më
tepër sistemi i ngrohjes dhe uji i ngrohtë në hotel shpesh nuk
funksiononin. Banjat me sa dukej dikur ishin ndërtuar mirë me lavamanë
të rinj dhe WC allafrënga. Por tani në shumicën e banjove mungonin
lavomanët dhe sidomos froni i WC, që me sa dukej ishte një artikull
shumë i kërkuar në Odesa.
Përveç të tjerash ajo që na pengonte ishte mosnjohja e gjuhës dhe nuk
ishte e lehtë të kishim gjithmonë me vete një përkthyes.
Personeli na shikonte me një dyshim të ftohtë. “Këtu na u dashka
të luftojmë gjithçka që të mund të sigurojmë të drejtat tona”, tha Elsa
pas disa ditësh. “Njerëzit e sjellshëm e të gatshëm për të ndihmuar
qenkan shumë të rrallë.” Dhe kështu ishte vërtet jo vetëm në ditët e para.
Gjatë gjithë kohës që qëndruam takuam shumë pak ukrainas të sjellshëm
e të gatshëm për të na ndihmuar. Kur shihje në sytë e ish-qytetarëve
të Bashkimit Sovjetik, ishte shumë e vështirë të gjeje qoftë edhe
një shkëndijë të vogël të dashurisë dhe miqësisë. “Sa shumë nevojë
kanë ata njerëz të njohin Jezu Krishtin dhe Krishterimin e vërtetë,
mendova padashur përpara një varfërie të tillë shpirtërore.
Shpejt zbuluam se sa e vështirë ishte në Ukrainën e sapodalë
nga komunizmi të plotësojë e të kryeje edhe gjërat më të vogla.
Teknologjisht ata ishin 50 vjet prapa Perëndimit.Kur na duhej të
telefononim, linjat ishin zakonisht ose krejt të prishura ose të bllokuara…
Ishte më e lehtë të merrje makinën e të shkoje në qytet për t’i takuar vetë
njerëzit sesa të mundoheshe për t’u lidhur me ta në telefon.
Një mëngjes më duhej të bëja disa fotokopje. Mora vesh se në të
gjithë Odesën kishte vetëm dy dyqane ku mund të fotokopjoje. Shkuam
tek i pari, por kur arritëm atje, nuk kishte drita. Shkuam në anën tjetër të
qytetit, pothuaj në periferi të tij, ku gjendej dyqani tjetër. Atje kishte
elektricitet, makina e fotokopjimit ishte aty vendosur në një vend ku
mund ta shihnin të gjithë por, edhe aty nuk mbarova punë pasi nuk
kishte letër. Mora një përkthyes dhe shkuam në port. Unë e dija se duhet
të bënim një marrëveshje zyrtare me nënpunësit e doganës që të
shmangeshin vështirësitë, që kishim ndeshur në lundrimet tona të
mëparshme. U ndodhëm në një dhomë të madhe ulur në një tavolinë të
gjatë.
Përballë nesh ishin ulur dymbëdhjetë nënpunës të emigracionit. Fytyrat
e tyre rrezatonin një ftohtësi të akullt. “Ne mendojmë se do
të transportojmë 8000 emigrantë në lundrimet tona, prandaj kam
ardhur të pyes se cilat janë kërkesat tuaja”, thashë unë me naivitet.
Sinqeriteti im, në vend që të shkaktonte miqësi ose qoftë edhe një
buzëqeshje nga pala tjetër, e bëri edhe më të akullt atmosferën. Fytyrat
përballë meje, fillimisht aspak miqësore tani u ashpërsuan edhe më
tepër.
“Ne nuk jemi të përgatitur për emigracion,” m’u përgjigj kryetari i
grupit. Në qoftë se doni organizoni emigracion ju duhet të na plotësoni të
gjitha pajisjet që na duhen. “Këto fjalë u thanë me një ashpërësi
të pamëshirshme, ogurzezë. Lista e kërkesave, që ai më zgjati
përmbante: Pajisje kontrolli me rreze x për të kontrolluar çantat,
kompjutera etj. Ne duhej gjithashtu të ndërtonim me shpenzimet tona
magazina, një dhomë për depozitimin e bagazheve etj. T’i plotësoje të
gjitha këto kërkesa duheshin qindra mijëra dollarë. Avokati ynë më
këshilloi të ankohem te presidenti i Ukrainës për qëndrimin
e nënpunësve të doganës. Unë nuk pranova. Në vend që t’i
shkruaja presidentit iu luta Zotit. Dhe me të vërtetë, pas shumë betejash
akulli u thye. Mbas bisedimeve të gjata, që vazhduan deri në orët e para
të mëngjesit, ne përfunduam marrëveshjen tonë. Unë, nga ana jonë,
së bashku me bashkëpunëtorin izraelit, ramë dakord të blejmë një pajisje
me rreze x, që do të bënte të mundur kontrollin e valixheve e çantave
të emigrantëve pa i hapur ato. Kjo pajisje do të çlironte emigtatët e
lodhur nga shumë vuajtje e orë pritjeje. Proçedura e kontrollit, që dikur
vazhdonte ditë të tëra, tani mund të kryej në 3-4 orë. Por, me t’u zgjidhur
një problem doli një tjetër. Në Ukrainë nuk kishte kompani sigurimesh
për lundrimet… Nuk kishte dërrasa për të paketuar bagazhet e
udhëtarëve për lundrim…Furnizimi i premtuar nga porti nuk na erdhi.
Gjithashtu leja që pritej të na vinte nga Ministria e Jashtme e
Ukrainës nuk na erdhi… Më vonë na vjen një lajm nga Ministria e
Emigracionit të Izraelit, që na thoshte se data e lundrimit tonë të parë
ishte e papranueshme, sepse anije do të arrinte në port menjëherë pas
fillimit të festës së Pashkës, ku sipas rregullit të Dhjatës së Vjetër, nuk
lejohet të kryhet asnjë punë.
“Në qoftë se ju arrini një ditë më vonë se data e planifikuar, në kohën
e festës së Pashkëve, ne nuk do t’ju lejojmë të hyni në port. Do të
mbeteni në det të hapur pa asnjë furnizim e ndihmë nga ana jonë!”
Na paralajmëronte urgjentisht Ministria e Emigracionit të Izraelit. Dhe
më në fund, si për ti vënë vulën të gjithave na doli se në portin e Odesës
nuk kishte karburant për lundrim.
Pak më vonë zbuluam se raportimet e hebrenjve të Ukrainës, që
ishin përgjegjës për të na sjellë emigrantët, kishin qenë jo reale. Për
lundrimin tonë të parë ishin regjistruar 43 pasagjerë. Dukej sikur të
gjitha forcat e skëterrës ishin kundër linjës sonë detare. Besimi filloi të
ulet dhe disa nga vulletarët tanë të krishterë filluan ta humbin shpresën
dhe filluan të dyshonin në misionin tonë. Unë e ndieja se duhet të
ndërhyja, e ndieja se duhet të thoja një fjalë autoritare për të ndaluar
përhapjen e mosbesimit dhe çoroditjes. Menjëherë i mblodha të gjithë
pjesëtarët e ekipit tonë dhe ju thashë: “Sonte do të ngarkojmë bagazhet,
do t’i çojmë brenda në anije. Anija jonë do të niset, sepse kështu ka thënë
Zoti.” Vetëm të nesërmen, në kohën që Elsa me mua së bashku, me
emigrantët e fundit, po hipnim në anije, papritur erdhi në port një anije
çisternë, e cila e furnizoi anijen tonë me karburant. Në bordin e anijes ne
u takuam me grupin tonë të lutjes. Ata kishin qëndruar gjatë të gjithë
kohës të palëkundur në anën tonë, pavarësisht nga ato që shihnim dhe
dëgjonim përreth. U ulëm me ta në një tavolinë. Diçka më lidhi gjuhën
dhe nuk munda të them asnjë fjalë. Sytë e mi filluan të rrjedhin lotë.
Ishin lotë çlirimi. Këto lotë u bënë të gjithëve shumë përshtypje. Ne
përqafuam njëri-tjetrin pastaj Elsa dhe unë zbritëm nga anija në
errësirën që tashmë sa vinte dhe po bëhej më e dendur ndërsa nata
përparonte.
Lundrimi ynë i dytë ishte javën tjetër dhe u zhgënjyem edhe më tepër
kur pamë numrin e emigrantëve, që ishin regjistruar: Ishin më pak se
në lundrimin e parë. Në tre lundrimet tona të para emigrantët kishin vite
që prisnin një rast të tillë. Tani nga lumi i rrëmbyerr i emigrantëve kishte
mbetur vetëm një përrua që mezi arrinte një të tretën e shifrave të vitit të
kaluar. Në këtë pakësim kishin ndikuar edhe krijimi i shteteve të
pavarura, vendosja e kufijve dhe rregullave doganore, që pengonin
hebrenjtë të futeshin në Ukrainë nga shtete tashmë të pavarura, që kishin
ligje e dogana të veçanta. Gjithashtu agjencia Izraelite
(Jewish Agency) kishte kristalizuar një strategji të re: fluturime të
drejtpërdrejta nga pika të shumta të ish Bashkimit Sovjetik drejt
Izraelit.Prandaj në vend që të vinin e të regjistroheshin emigrantë të
tjerë, filluan të largoheshin edhe ata që tashmë ishin regjistruar. Kjo
situatë na bëri të kuptojmë se ne duhet të krijonim rrjetin tonë të
regjistrimit. Por, kur filluam të lidhemi me komunitetin e hebrenjve,
vumë re se ata nuk ishin të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Kur u
kërkonim informata ata na përgjigjeshin me mosbesim.
Për shumë nga hebrenjtë e Ukrainës plagët, që u ishin shkaktuar gjatë
Luftës së Dytë Botërore ishin ende të hapura.
Gjatë vizitës sonë në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev bashkë me Elsën
shkuam në vendin e quajtur Barbi Jar, i cili është sot një park i mbuluar
me bar që gjendet në periferi të qytetit.
Një nga shoqëruesit tanë na tregoi historinë e këtij vendi. Në vitin 1941
Kievi u pushtua nga ushtria naziste. Me të marrë në zotërim qytetin
ushtria gjermane shpalli: “Të gjithë izraelitët do të shpërngulen. Merrni
valixhet dhe paraqituni në vendin e caktuar!”
Kështu u mblodh një turmë e madhe, të cilën e çuan në Barbi Jar. Aty i
ndanë sipas familjeve dhe çdo familje u detyrua të dorëzojë paratë dhe të
gjitha gjërat e çmuara në një tavolinë, pastaj i detyruan të zhvishen dhe të
ecin përpara: burra, gra, pleq, fëmijë… Në turmë ishte edhe një grua
shtatzanë.
Ajo lindi fëmijën e saj gjatë natës së pritjes në park. Të nesërmen edhe
atë e detyruan të zhvishet dhe të ecë përpara me foshnjën e porsalindur
në krahë.
Familje pas familjesh njerëzit ecnin përpara të zhveshur duke shkelur
me këmbët e zbathura mbi barin e ftohtë. Në fund të rrugës ishte një
hendek i saporshapur. Me të arritur aty filluan të kërcasin automatikët
dhe mitrolozat.
Më tepër se 33 000 vetë u vranë atë ditë. Shumë prej tyre ishin vetëm
të plagosur, disa jo të plagosur rëndë, megjithatë të gjithë u flakën në
hendek dhe u mbuluan me dhe. Shumë nga të plagosurit mbetën gjallë
edhe pasi u mbuluan me dhe. Dëshmitarët tregojnë se toka mbi varrin e
përbashkët lëvizte për disa ditë me radhë pas masakrës. Kjo histori na
tronditi jashtë mase. As unë dhe as Elsa nuk ishim në gjendje të thoshim
qoftë edhe një fjalë të vetme. Të heshtur e me sytë përdhe u nisëm të
kthehemi në makinë. Në fakt kjo ngjarje nuk ishte e panjohur për ne, por
është ndryshe të lexosh për data shifra e fakte krejt tjetër të ecësh me
këmbët e tua atje ku pak kohë më parë ndodhi gjithçka. Aty e kuptuam se
sa i qetë dhe i mbrojtur ishte mjedisi nga ne vinim, aty e kuptuam se sa të
kota ishin iluzionet tona dhe aty shihnim se deri ku mund të shkojë
poshtërsia e njerëzve.
Pak më vonë u kthyem në Odesë, na tërhoqi vëmendjen një vend i
gjelbëruar. Ky vend gjendej shumë afër limanit. Rreth e rrotull gjithçka
ishte mbuluar nga betoni e asfalti. Kudo shihje shenjat e luftës, që
zhvillohet nëpër qytetet e mëdha e në qendrat industriale: luftën për të
pushtuar e shfrytëzuar çdo centimetër trualli. Por ky ishull i gjelbëruar
qëndronte atje në mes dhe askush nuk guxonte të hapte themele apo të
shtrinte asfalt mbi të. Që të zbuloje misterin e kësaj dukurie të
jashtëzakonshme duhej të ecje mbi barin që rritej i egër, i përzjerë me
barishte të rritura dhe pa njohur ndërhyrjen e dorës së njeriut, deri tek
një gur modest varri që shpjegonte gjithçka. Në tetor të vitit
1941, gjashtë ditë pasi Odesa ishte pushtuar nga trupat gjermanë e
rumune plasi një bombë në shtabin e shtatmadhorisë rumune.
Si pasojë e këtij shpërthimi u vra midis të tjerëve edhe kryegjerenali i
forcave rumune. Për hakmarrje ushtritë okupuese mblodhën mjenjëherë
19000 izraelitë i çuan në një truall që ishte rrethuar me gardh, i lyen me
benzinë dhe i dogjën të gjallë. Të nesërmen u mblodhën 16000 të tjerë
dhe ju dha urdhër të ecin nga Odesa deri në fshatin në afërsi. Gjatë
rrugës filluan pushkatimet: filluan ti grupojnë njerëzit në grupe prej 50
vetësh dhe t’i pushkatojnë. Por drejtuesit e masakrës panë se kjo lloj
procedure do të vazhdonte gjatë. Atëherë pjesën që mbeti e urdhëruan të
futen në magazina të cilët i mbyllën dhe u vunë zjarrin. Nënat
që përpiqeshin të nxirrnin fëmijët e tyre nga dritaret kositeshin nga zjarri
i automatikëve, mitrolozave dhe granatave që hidheshin pa kursim.
“Ku ishit ju të krishterët, kur ne po na ndodhnin të gjitha këto”? më pyeti
një nga drejtuesit e komuniteteve izraelite, të cilët unë i thashë se ne
kemi ardhur në Odesë të ndihmojmë hebrenjtë të shkojnë në vendin e
tyre. “Askush nuk na erdhi të na ndihmojë ne në çastet tona më të
vështira.”
Kjo ndjenjë mosbesimi ndaj nesh përveç arsyeve historike nxitej edhe
nga një burim tjetër, krejt i prapritur e befasues për mua. Drejtuesit e
Agjencisë Izraelite (Jewish Agency) në Jerusalem kishin dhënë urdhër të
gjithë nënpunësve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që të bënin çmos që ti
largonin emigrantët hebrenj nga lundrimet tona. Familjeve që kërkonin
të emigronin u thuhej se po të hipnin në anijen tonë do të mbeteshin në
portin e Haifas bashkë me bagazhet e tyre pa asnjë ndihmë.
Po kjo propagandë dezinformimi nuk u kufizua me kaq. Nëpër gazetat
e Ukrainës filluan të dalin shpallje që paraqitnin figurën e një anijeje mbi
të cilën ishte vizatuar një X i madh me ngjyrë të kuqe. Poshtë kësaj
figure shkruhej me gërma të mëdha: “Lundrimet nga Odesa për në Haifa
janë ndërprerë përfundimisht.”
Kur e pashë këtë shpallje që zinte një faqe të tërë në një nga gazetat
kryesore të Ukrainës u trondita jashtë mase. Në fund të faqes shënohej
edhe autorësia e kësaj shpallje të rremë: Agjencia Izraelite (Jewish
Agency).
Që kur u nisa për në territorin e ish Bashkimit Sovjetik e dija se do
të ndeshesha me gjithëfarë problemesh. E dija se do të kishte njerëz që
do të më kundërvihen me të gjitha mënyrat. Por kurrë nuk e prisja që të
sulmohesha nga Izraeli e nga izraelitët. Por Zoti, me mëshirën e Tij më
rikujtoi faktin se edhe Moisiu, kur shkoi të çliroi popullin e Izraelit nga
skllavëria në Egjipt nuk pati kundërshtarë vetëm egjiptianët por edhe
shumë vetë nga radhët e popullit të tij. Edhe sot është e njëjta gjë. Që në
fillim Agjencia Izraelite e shikonte me dyshim të madh aktivitetin tonë.
Ata nuk besonin se ne të krishterët ishim në gjendje të ndihmonim në
këtë drejtim. Ata kishin frikë se ne fillonim lundrimet dhe pastaj e linim
gjithçka në mes të rrugës dhe atyre do t’u mbetej përgjegjësia për të
financiuar e vazhduar gjithçka. Ata e shihnin aktivitetin tonë si një
ndërhyrje të paligjshme në një sferë veprimtarie, që u takonte vetëm
atyre dhe askujt tjetër.
Kriza jonë arriti kulmin në lundrimin tonë të pestë. Ky lundrim u
krye ditën e premte në fund të muajit prill. Ne kishim propaganduar
shpenzimet për 310 pasagjerë. Vetëm 10 emigrantë lundruan në atë
udhëtim. Unë u bëra objekt i sulmeve të rrepta nga të gjitha anët. Tashmë
gjysma e të krishterëve, që kishin ardhur vullnetarisht për të ndihmuar
ishin larguar. Disa njerëz, që fillimisht kishin bashkëpunuar me mua,
kërkuan që të mbahej një takim i përgjithshëm në Londër, ku unë mund
të jepja llogari publikisht përse po harxhoja aq shumë para për aq pak
njerëz. Shumë dyshonin se ai që unë e kisha shpallur si vizion nga Zoti
kishte qenë vetëm një ëndërr e imagjinatës sime. Ata thonin se nuk ishte
një veprim i zgjuar të marrësh me qira një anije aq të madhe dhe për
më tepër të organizosh lundrime çdo javë.
Kur më erdhi njoftimi se duhet të shkoj në Londër për të dhënë
llogari publikisht e ndjeva veten të përulur. Brenda meje lindi pyetja se
çfarë do të dilte nga ky takim? A do të cilësohesha si një njeri, që ndjek
ëndrrat dhe imagjinatën e tij personale? A ish një vizion vërtet hyjnor ai
që unë kudo kisha shpallur si të tillë? Më dukej se kisha dështuar në
përpjekjet e mia dhe për herë të parë fillova të mendoj të tërhiqem.
Në mesnatë u ngrita nga krevati në dhomën tonë, në kampin e
Odesës, dhe u shtriva me fytyrën në qilimin e dyshemesë sonë dhe fillova
të qaj. “O Zot, nuk duroj dot më!” u luta. Ndjeva se si diçka po thyhej,
brenda meje, po thyhej krenaria ime, që vinte si pasojë e faktit që Zoti më
kishte zgjedhur mua të kryej këtë punë. Ishte diçka e dhimbshme,
poshtëruese.
Kur u ngjita në krevat dënesat vazhdonin në mënyrë të pavullnetshme
të më trondisnin gjithë trupin. Ndërkohë Elsa që ishte zgjuar më tha:
“Dua të të tregoj një histori. Ish një herë një njeri, i cili ndërtoi një anije,
më të mirën në Botë. Për të ndërtuar këtë anije atij iu deshën 120 vjet.
Megjithatë me këtë anije të mrekullueshme udhëtuan 8 pasagjerë.”
E kuptova se bëhej fjalë për Arkën e Noas. Këto fjalë sollën një dritë të re
në shpirtin tim. Mora përsëri guxim. Gjatë kësaj kohe presioni
të jashtëzakonshëm Elsa asnjëherë nuk dyshoi e as u trondit nga asgjë
për asnjë çast të vetëm. Ajo kurrë nuk dyshoi se Zoti na kishte thirrur për
një mision të tillë.
Pak ditë më vonë ne fluturuam në Jerusalem. Agjencia Izraelite na ofroi
të na paguajë 180 dollarë amerikanë për çdo emigrant që kishim sjellë
me lundrimet tona. Fillimisht unë u gëzova jashtë mase për këtë ofertë
dhe m’u duk se këto para do të na nxirrnin nga vështirësia.
“O Zot, si thua Ti?” u luta. “Ai t’i pranojmë këto para apo jo? A do
të vazhdojmë në lundrimet tona apo jo?” Ekipi ynë që ishte në Odesë
iu përgjigj me një “jo” të vendosur kësaj oferte, por unë, nuk isha
plotësisht i sigurt, kërkova një javë kohë për të dhënë përgjigjen time.
Presioni që po na bëhej ishte tepër i madh. Këto të holla do të na
shpëtonin nga kritikat në rritje, që po na vinin nga njerëzit tanë.
Por, më në fund Zoti nuk më lejoi që t’i pranoj këto para. Zoti më kujtoi
se Ai u ka bërë thirrje johebrenjve që të çojnë mbi supet e tyre bijtë dhe
bijat e Izraelit në Tokën e Premtuar.
Më në fund erdhi dita e takimit publik në Londër. Ky takim u mbajt
në ditën që sipas kalendarit hebraik quhet dita e Tisha b’Av. Historikisht
kjo ka qenë dita e disfatave për kombin e Izraelit. Në këtë datë u
shkatërrua tempulli i ndërtuar prej Salomonit në vitin 587 para lindjes së
Krishtit. I mbushur me ndjenja të trazuara dhimbjeje, indinjatë e ndrojtje
së bashku me Elsën udhëtuam për në Londër. Zumë vend të vendin ku do
të mbahej takimi në një hotel pranë aeroportit Heathrow. Rreth 50 vetë
ishin mbledhur dhe prisnin ardhjen tonë. Disa nga bashkëpunëtorët tanë
më besnikë nuk ishin në sallë. Ata kishin shkuar diku në afërsi për t’u
lutur. Unë u ula në tavolinën në krye të sallës të vendosur atje
posaçërisht për mua. Johanesi dhe Kejlli u ulën bashkë me mua në të
njëjtën tavolinë. Pashë se në sallë ishin të pranishëm edhe drejtues të
tjerë të Konferëncës së Lutjes: Eliau, Ben Haimi kishin ardhur nga
Izraeli, Robert Verner nga Zvicra, Kingsli kishte ardhur nga Kolegji
i Biblës në Wells. Të gjithë këta njerëz më njihnin mua nga afër dhe
na kishin mbështetur besnikërisht me lutjet e tyre në punën tonë. Të
gjithë këta ishin udhëheqës të krishterë të afirmuar. Edhe elementët
më përçarës e sektarë kishin respekt dhe e pranonin fjalën e tyre.
Takimi filloi i tensionuar. Johanesi doli në pozitën e kryetarit dhe së
bashku me Kejllin mundi të qetësojë gjendjen. Ata mundën ta drejtojnë
rrjedhën e diskutimeve në aspektin shpirtëror, pa manipuluar apo
kapërcyer askënd. Të gjithëve iu dha mundësia të thoshin atë, që ndienin
në zemër dhe çdo mendim u dëgjua me vëmendje dhe u analizua me
respekt. Vetëm pak vetë dolën me akuzën se ne po keqpërdornim paratë
e dhuruara nga besimtarët e sinqertë. Për çudinë time udhëheqja e
konferencës e nxori anën financiare të problemit jashtë diskutimit.
“Numri i emigrantëve nuk ka rëndësi”, tha Johanesi. “Ne duhet të
përqëndrohemi në dimensionin më të lartë, në dimensionin shpirtëror të
çështjes”. Në takim doli qartë se drejtuesit bashkoheshin në mendimin se
vizionin dhe thirrja jonë vinte nga Zoti dhe se vullneti i Tij, ishte që
lundrimet të vazhdonin. Drejtuesit rikthesuan dëshirën e tyre që të
mbajnë së bashku me ne barrën e kësaj punë. Kështu në ktë mbledhje u
krijua Këshilli i Fondacionit të Urgjencës Ebenezer. Në fund të takimit u
vendos në paqe e vërtetë, pavarësisht se jo të gjithë kishin arritur synimet
e tyre.
Pas takimit hëngrëm së bashku si miq të vërtetë. “Jam i gëzuar
që gjithçka mori fund”, psherëtiva i lehtësuar, kur isha vetëm me Elsën.
Vetëm atëherë fillova të kuptoj se gjithçka, që na pati ndodhur ishte
organizuar nga Zoti vetë, se gjithçka kishte qenë vullneti i Tij. Kjo ishte
një nga ngjarjet më të dhimbshme, që kisha përjetuar në jetën time, por
tani e kuptova se Zoti gjithçka e kish organizuar për të mirën tonë.
Tashmë nuk më dukej vetja aq i rëndësishëm sa më parë. Kuptova qartë
dhe më praktikisht se, në fund të fundit puna, që unë bëja ishte vepër e
Zotit, kurse unë isha njëri prej bashkëpunëtorëve të Tij. Ai vepron që të
na ndryshojë, që të na formojë në mënyrë që të bëhemi të denjë të jemi
bashkëpunëtorë të Tij. Ashtu si Elsa më rikujtonte vazhdimisht: “Nuk ka
rëndësi të madhe puna, që bëjmë ne për Zotin, e rëndësishme është vepra
që Zoti kryen brenda nesh, në shpirtin tonë.”
Tani, për herë të parë, unë kuptova se lutjet e veprimet tona
shkonin përtej kufijve të veprimtarisë Ebenezer: prandaj unë u
shkrova bashkëpunëtorëve tanë
“Gjatë këtyre tre muajve Zoti ka vepruar në mënyrë të fuqishme në
planin e padukshëm qiellor duke vendosur kështu themelin e një pune
shumë të madhe se ajo, që ne mund të shohim apo të kuptojmë. Zoti na
ka treguar se puna jonë nuk kuptohet thjesht në faktin e në planin e
natyrshëm: vetëm sjelljen e një numri të caktuar emigrantësh në Izrael.
Puna jonë ka si pikësynim të parë hapjen e rrugëve të reja, kapërcimin e
pengesave satanike. Kështu, nën drejtimin e Shpirtit të Shenjtë do të
fillojë lutja e përkushtuar e shkallës më të lartë, lutja me karakter
zëvendësues. Kjo lutje do të përhapet në gjithë botën dhe do të kryhet që
të bëhet i mundur kthimi i të gjithë hebrenjve në Izrael, ashtu si
premtohet në fjalën e Zotit.”
Kingslei në përvojën e tij me lutjen ndërmjetëse dhe zëvendësuese
na ndihmoi ta kuptojmë këtë dimension të punës sonë. Ai ishte
gjithmonë shumë i interesuar në punën tonë dhe me anën e një letre
të jashtëzakonshme më ndihmoi të kuptoj përse Shpirti i Shenjtë nuk na
pat lejuar neve të pranonin paratë e ofruar nga Agjencia Izraelite.
Dikush, që kryen një lutje zëvendësuese, bëhet personalisht përgjegjës
për objektin dhe objektivin e lutjes së tij,” na shkruan ai.
“Duhet kuptuar fakti se lutja Ndërmjetëse e Zëvendësuese nuk është
një lutje e zakonshme, madje ajo nuk është të përkushtohesh, të lutesh
në mënyrë intensive për diçka. Kushdo mund të lutet për diçka në
mënyrë intensive e megjithatë të mos arrijë në nivelin e lutjes
Ndërmjetësuese e Zëvendësuese.
Të kryesh një lutje Ndërmjetësuese e Zëvendësuese do të thotë të
identifikosh krejtësisht me problemin ose me personat, për të cilët
lutesh. Ai që kryen një lutje Ndërmjetësuese dhe Zëvendësuese është i
gatshëm të vuajë personalisht që të plotësohen nevojat e tyre. Është i
gatshëm të vuajë vetë njësoj si personat, për të cilët lutet në mënyrë që
ata të lehtësohen. Jezu Krishti vetë është shembulli i gjallë i një personi,
që iu përkushtua lutjes Ndërmjetësuese e Zëvendësuese.”
Ai ndërhyri për keqbërësit duke pranuar vetë të përfshihet
midis keqbërësve. Ai, hyri në favor të shkelësve duke mbajtur
mëkatin e shumë vetave.”
(Isaia 53:12)
“Ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për
paudhësitë tona, ndëshkimi ram bi të që ne të kemi paqen, dhe
për shkak të plagëve të tij të jemi të shëruar.! (Isaia 53: 5)
(Teksti i plotë i kësaj letre gjendet në fund të librit.)
Për çudinë tonë një nga gazetat kryesore izraelite, gazeta Yediot
Ahronot ishte informuar për krizën tonë në Odesë. Ata dërguan një
gazetar për të hetuar gjendjen; dhe në kohën, kur mbahej takimi ynë në
Londër, ata botuan një artikull të gjatë, ku demaskoheshin dhe
analizoheshin me imtësi, të gjitha aktivitetet e Jewish Agensy.Këto
veprime cilësoheshin si një orvajtje për të “toperduar” lundrimet tona.
Çeshtja u bë e njohur deri në Kneset (Parlamenti i Izraelit). Parlametarët
u shqetësuan për këto lajme dhe më ftuan mua që të dëshmoj përpara një
komisioni të posaçëm qeveritar të krijuar veçanërisht për të sqaruar këtë
problem. Këtë lajm e mora në mëngjes sapo kisha mbërritur në Odesa
pas një udhe, një natë më parë! Nuk isha në gjendje të përgatitem, të
mbledh fakte e të dhëna. U nisa pa e patur të qartë se çfarë do të thosha
atje.
Po atë mëngjes u futa në sallën e takimit që tashmë ishte plot me
njerëz. Aty pashë një ekip të rangut të lartë të Agjencisë Izraelite, anëtarë
të parlamentit, zyrtarë të qeverisë si dhe përfaqësues të shtypit dhe
të mjeteve të tjera të informacionit. Që në fillim të takimit Jasha Kedmi, i
cili kishte njohuri për hebrenjtë në Ish Bashkimin Sovjetik pasi kishte
qenë për vite me radhë drejtues i Zyrës Speciale të Emigracionit,zyrë e
cila drejtohej e varej drejtpërdrejt nga kryeministri, na ndihmoi
fuqimisht. Ai argumentoi se ka shumë izraelitë në ish Bashkimin
Sovjetik, që janë të gatshëm të emigrojnë, vetëm në qoftë se kanë
mundësi të marrin me vete bagazhet e tyre.Kjo gjë bëhej e mundur vetëm
me lundrimet tona. Ai gjithashtu theksoi se që në vitin 1989 zyra, që ai
drejton ka bërë thirrje për hapjen e linjave detare të emigrimit, të cilat do
të mund të përdoren edhe në raste urgjente, kur fluturimet janë të
pamundshme. Përkthyesi ma kthente nga hebraishtja me zë të ulët
fjalimin e tij:
“Ky grup do të financojë po atë gjë, të cilën po përpiqen ta kryejnë
vetë hebrenjtë dhe shteti i Izraelit: që të hapet një linjë detare për të
sjellë emigrantët me anë të detit. Përse të mos i pranojmë dhe t’u
themi: “Faleminderit?”
Unë u kisha shpërndarë anëtarëve të komisionit një listë, ku
rreshtoheshin citatet nga Bibla, që na frymëzonin ne në punën tonë.
Anëtari i parlamentit Aveahem Ravitz, një rabi ortkodoks i veshur me
rroba të zeza dhe me mjekër, kërkoi t’i sjellin një Bibël në gjuhën
hebraishte, pastaj, për herë të parë m’u drejtua mua dhe më foli
personalisht: “në listën tuaj ju keni sjellë një citim nga Jeremia 16. Këto
vargje janë të mrekullueshme dhe janë cituar me saktësi. Do të desha të
tërheq vëmendjen tonë për atë që thuhet në fund të këtij kapitulli:
“O Zot, fuqia ime dhe kështjella ime, streha ime në ditën e
fatkeqësisë, kombet do të vijnë tek Ti nga skajet e tokës dhe do
të thonë: “-Etërit tanë kanë trashëguar gënjeshtra, kotësi dhe
gjëra, që nuk vlejnë fare! A mundet njeriu të shpikë perëndi
për vete, Që në të vërtetë nuk janë perëndi?”
(Jeremia 16:19,20)
Unë do t’ju them dhe arsyen përse i citoj këto vargje. Në lundrimet, që
u zhvilluan dy vjet më parë- nuk e di nëse këto u kryen nga organizata
juaj- punët nuk ecin me rregull, sepse grupi i krishterë u përpoq të
ndikonte me emigrantët me besimin e tyre. Unë po të flas hapur, ashtu si
duhet të flasin njerëzit e fesë me njëri tjetrin.”
Është vërtetuar se duhet të bëhet ç’është e mundur që hebrenjtë
të kthehen në vendin e tyre, por jo me këtë çmim, jo me kushtin që
gjatë procesit të emigrimit, ndihma të jepet si mjet për t’i manipuluar
të pranojnë një fe tjetër. Unë kurrë nuk mund ta pranoj një lloj ndihme
të këtillë. Le të mos harrojmë faktin se kemi të bëjmë me emigrantët,
që janë detyruar të shkëputen nga besimi i etërve të tyre për 73 vjet.
Këtu ata kthehen të njohin vetveten se cilët janë, të njohin rrënjët e tyre.
Ne nuk mund të lejojmë që një grup misionarësh të ndikojë në mendjet e
tyre. Ne e kemi për detyrë t’i ruajmë si dritën e syve për në Tokën e
Premtuar, në tokën e etërve, ku do të njihen me besimin e të parëve të
tyre, në tokën, ku u lidh Besëlidhja e Përjetshme midis etërve tanë dhe
Krijuesit të Shenjtë të Gjithësisë- i bekuar qoftë përjetë! Kështu që këta
emigrantë të mos vijnë të çoroditur. “
Në këtë çast u bë e qartë se të gjithë prisnin fjalën time: “Zoti kryetar, jam
tepër i çuditur që gjendem sot para një komisioni kaq të
lartë parlamentar. Unë jam vetëm një njeri i thjeshtë, shërbëtor i një Zoti
të jashtëzakonshëm. Unë di vetëm një gjë: Zoti i Izraelit më ka bërë
thirrje t’i çoj në shtëpinë e tyre bijtë e Izraelit, popullin e Tij të zgjedhur.
“Dua të deklaroj para jush në mënyrën më të qartë që të jetë e mundur se
duart e mia janë të pastra dhe motivet e mia të sinqerta. Të krishterët, të
cilët punojnë vullnetarisht me ne janë zotuar se ata nuk kanë
qëllime misionimi dhe nuk do të kryejnë asnjë veprim të kësaj natyre.”
Në këtë çast edhe unë nxora Biblën time: “Dëgjoni, ky libër është
shkruar për ju, hebrenjtë. Profeti Isaia shkruan se të huajtë do t’i
sjellin bijtë dhe bijat e tuaja përsëri në atdheun e tyre. Unë dua t’ju
njoftoj se në të gjithë botën ka të krishterë, të cilët janë të përkushtuar
dhe e quajnë si detyrë të dorës së parë dhe si nder të ndihmojnë për
kthimin e hebrenjve në atdheun e tyre.”
Ka dy vjet e gjysmë që unë po rri më tepër në Odesa se kudo tjetër,
dhe gjithashtu kam urdhëruar intensivisht nëpër territorin e ish
Bashkimit Sovjetik. E kam parë nga afër se si gjendja sa vjen e keqësohet.
Koha që ne kemi në dispozicion, koha gjatë së cilës ne kemi liri veprimi
sa po vjen e pakësohet. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur që
t’i shpëtojmë këta njerëz duke i sjellë në atdheun e tyre sa më shpejt të
jetë e mundur. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që përveç
rrugës ajrore, që tashmë është e hapur,të hapet edhe një linjë detare.
Profeti Isaia në kapitullin 60, vargu 9 ka parashikuar se:
“Anijet e Tarshishit do të vijnë nga larg për të sjellë me vete
bijtë e tu.”
Gjatë kohës që unë citoja Biblën, Rabiu Ravitz po lexonte të njëjtat
vargje në Biblën e tij në hebraisht. Kur unë ndërpreva citimin, ai
vazhdoi:
“Këtu thuhet gjithashtu se “ata do të sjellin me vete edhe arin
e argjendin e tyre”.
Pra kjo do të thotë se ata do të mund të marrin me vete edhe
bagazhet e tyre. A nuk po diskutojmë ne këtu për këtë gjë?
Që nga ai çast ai dhe anëtarët e tjerë të komisionit qeveritar ishin
plotësisht në anën tonë. Mua nuk m’u desh të them asnjë fjalë
me veprimtarinë që Agjencia Izraelite kishte kryer kundër nesh. Gjithçka
doli në dritë dhe u demaskua nga të tjerët.
“Agjencia ka vepruar gabim gjatë gjithë kësaj kohë”, tha Uri
Gordon, drejtuesi i njërit prej departamenteve në Ministrinë e
Emigracionit. Ai nxori para komisionit telegramet, që departamenti i tij i
kishte dërguar Agjencisë Izraelite shumë kohë më parë, ku thuhej të na
ndihmonte neve. Ishte e qartë se ata kishin vepruar kundër këtyre
udhëzimeve.
“Ne i bëjmë thirrje Agjencisë Izraelite që ta zgjidhë këtë problem sa
më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi kryetari i takimit Emanuel
Zisman pas mbarimit të diskutimeve.
“Ne rekomandojmë që t’i jepet përparësia më e lartë zgjidhjes së
kësaj çështjeje, sepse vonesat sot mund të shkaktojnë humbjen e
njerëzve nesër.”
Pas takomit Rabiu m’u afrua dhe më shtrëngoi dorën miqësisht. “Tani
jam i qetë, më tha ai, dhe nuk kam asgjë kundër ndihmës suaj për të
sjellë vëllezërit tanë në shtëpinë e tyre.”
Po atë javë Uri Gordon na dërgoi edhe një letër falenderimi, ku midis
të tjerave thuhej:
“…ju lutemi që t’u transmetoni falenderimet tona të gjithë atyre, që
ju mbështesin. Ju jeni pjestarë të një ngjarjeje me rëndësi
historike: rimbledhjes së popullit të Izraelit në tokën e tyre.”
Në bazën tonë në Odesa filloi të lulëzojë një frymë e re. Ne e
rikrijuam ekipin tonë të vullnetarëve, të cilët na erdhën nga 20 shtete të
ndryshme, të cilët iu përveshën punës me gëzim. Ata i bashkonte
dashuria për Zotin dhe besnikëria ndaj fjalës së Tij. Drejtimin e grupit të
vullnetarëve kësaj radhe e morën një çift gjerman, Hinrih dhe Elka
Kasmann të cilët i dhanë punës fuqi dhe përkushtim të ri. Në kohën që
unë udhëtoja për në Londër dhe për në Jerusalem, Hinrih,që ishte
inxhinier drejtonte punimet për ndërtimin e një çentrali të madh
elektrik. Kërkesën për të ardhur të na shërbejë ne vullnetarisht na e
dërgoi pa mbaruar punimet. Ftesa jonë i vajti pikërisht në ditën, që
përfundoi projektin! Menjëherë shkoi te shefi dhe i kërkoi pesë muaj leje
të papaguar.
“Përse do të shkosh për të ndihmuar izraelitët?” e pyeti shefi
gjatë ceremonisë, që po mbahej me rastin e përfundimit të projektit. “Ne
e dimë që vajzat e reja janë romantike dhe plakat luten, po ti përse?”
“Zoti i tha Abrahamit, “Unë do të bekoj ata, që të bekojnë ty”, u
përgjigj Hinriku. “Për mua kjo gjë është më e rëndësishme se karriera
ime në punë. Ju mund të më gradoni edhe mungesë, gjatë kohës që do të
jem larg”.
Muaj më vonë shefi i telefonoi Hinrihut në Odesë, ku e njoftonte se ata
e kishin graduar vërtet! I ati i Hinrihut, gjatë Luftës së Dytë Botërore,
kishte qenë oficer në ushtrinë gjermane dhe kishte marrë pjesë në
pushtimin brutal të Odesës. Tani, kur ai takohej me olimët e kampit në
sallën e ngrënies për t’u dhënë lamtumirën e fundit, u kërkonte falje me
fjalët e profecisë së Isaisë:
“Edhe bijtë e shtypësve do të vijnë duke u përkulur para
teje…” (Isaia 60:14)
Edhe ne me të vërtetë i përqafonim ukrainasit, që punonin në kamp,
duke i trajtuar si krijesa njerëzore, me buzën në gaz. Për ta kjo ishte diçka
e re.
Nën sistemin komunist ata kishin punuar nën frikën e shtypjen
e përgjegjësit. Tani secili po respektohej si njeri. Shkallë-shkallë ne e
thyem akullin e kampit. Një gjyshe trupmadhe (babushka), që punonte të
gjithë kohën në kuzhinë kërkonte të më puthte si djalin e saj, sa herë që
më shihte.
Një mbrëmje patëm një takim të ngushtë me punojësit e kampit,
dhe shpërndamë Bibla në gjuëhën ruse dhe Bibla për fëmijët. Shumica
mori Biblat e ilustruara të fëmijëve, që ishin më lehtë për t’u kuptuar.
“Shikoni, ky libër është shkruar mijëra vjet më parë, u thashë unë”. “Ne
sot po jetojmë në një kohë, kur po plotësohen fjalët e këtyre profetëve,
të shkruara që nga lashtësia. Ju jeni njerëzit e privilegjuar, që merrni
pjesë në përmbushjen e këtyre profecive.”
Një burrë me flokët krejt të thinjur nga stafi ynë gjatë gjithë kohës
ishte krejt i dehur. Ai erdhi tek unë të nesërmen e takimit. “Mbrëmë nuk
kam pirë asnjë pikë. Gjatë gjithë kohës kam lexuar Biblën”, më
tha nëpërmjet përkthyesit. Vumë re se atje njerëzit e trajtonin Biblën me
më shumë respekt se në Perëndim. Kishte qenë një libër i ndaluar për 70
vjet. Dhe ata që e shikonin sikur ne po u vinim në duar diçka të
çmuar. Në këtë kohë ndodhi ngjarja mbase më e jashtëzakonshme për
ne.
Stacioni shtetëror televiziv i Izraelit (i vetmi në vend) dërgoi një ekip
në Odesë për të përgatitur një dokumentar të punës sonë. Ai u
transmetua pikërisht atë natë, kur u dha lajmi për marrëveshjen e paqes
midis Rabinit dhe Arafatit. I gjithë Izraeli ishte mbledhur para ekranit
për të marrë vesh rreth këtij takimi. Pas lajmeve spikeri tha: “Tani do të
njoftojmë disa ngjarje, të cilat na lidhin me një plan tjetër, me planin e
Zotit. Por edhe këto ngjarje janë një lajm i mirë, që ngjallin shpresa për të
ardhmen.”
Menjëherë pas këtyre fjalëve u shfaq grupi ynë i vullnetarëve
duke kënduar “He has made me glad” në anglisht (Ai më bëri të lumtur)
në kampin e Odesës. Pastaj vazhduan 14 minuta transmetim, ku
pasqyrohej puna jonë nga koha kur i merrnim emigrantët nga stacioni i
trenit në Odesë deri në mbërritjen e tyre në portin e Haifas. Pati edhe
intervista me disa nga vullnetarët tanë; por fokusi i programit hidhte
dritë krejtësisht në veprat e jo në fjalët. Para syve të gjithë kombit u
shpalosën skenat e shërbimit dhe të dashurisë: vullnetarë nga të gjithë
bota, që mbartnin bagazhet e emigrantëve, që kërcenin me fëmijët e tyre,
që këndonin dhe u jepnin përshëndetjen e lamtumirës në portin e
Haifas. Kamera përqëndrohej te fytyrat e vullnetarëve, sikur donte t’u
jepte përgjigje pyetjeve: “Cilët janë këta njerëz? Përse na ndihmojnë ata
neve?”
Operacioni Eksodi që dukej sikur po vdiste të premten e fundit të prillit
(Të Premten e Zezë), tashmë nën veprimin e Shpirtit të Shenjtë ishte
ringjallur. Ai po i tregonte gjithë kombit të Izraelit dashurinë dhe
besnikërinë e Zotit dhe plotësimin e fjalës së Tij.
Gjatë këtyre javëve numri i emigrantëve po rritej nga lundrimi në
lundrim. Emri i fondacionit Ebenezer po bëhej i mirënjohur dhe
bashkësitë e hebrenjve filluan të na pranojnë dhe të kenë besim te ne. Për
lundrimin e 25-të, që ishte dhe lundrimi i fundit për atë vit, vullnetarët
sollën nga stacioni i trenit të Odesës 22 grupe të ndryshme emigrantësh.
Përveç tyre të tjerë u sollën me autobuze nga fshatrat përreth. Kampi
ynë u mbush përplot, kështu që u detyruam të çelim një të dytë. Për herë
të parë u ndeshëm me një vështirësi të mirëpritur.” A do të na
mjaftonin kabinat e anijes për të mbartur të gjithë?”
Më në fund arritëm t’i ngarkojmë në anije. Disa nga vullnetarët
tanë fjetën në dysheqet përdhe. Kur hipa në anije i thashë Elsës: “Sot
zemra ime është mbushur plot me mirënjohje dhe falenderim ndaj Zotit.
Ai i ka përmbushur sot lutjet e mia.”
Kur po lundronim poshtë ujërave të Stambollit, unë po qëndroja
pranë një emigranti të paralizuar nga këmbët. Ai po shikonte me dylbi
gjithçka përreth. “M’i jep pak, të lutem”, i thashë. Dëshiroja të studioja
murin e ngurtë të kështjellës së vjetër mbi bregun e detit. Zgjati dorën e
m’i dha, por kur desha t’ia kthej prapë nuk m’i pranoi.
“Jo, jo-janë të tuat,” më tha. “Dua që ju t’i mbani. Keni bërë kaq shumë
për popullin tim.”
Unë u preka thellë. Ato dylbi mbase ishin sendi më me vlerë, që kishte
me vete.
Mbrëmja e lamtumirës, që mbajtëm para zbritjes në Haifa, na afroi
edhe shumë me njëri-tjetrin. Aty shijuam edhe më shumë aromën e butë
të pajtesës me olim-ët. Me gëzim u prit fjala ime, kur u tregova largimin
e presidentit të BLASCO-s nga detyra në fillim të punës sonë.
“Ne jemi ndeshur tërë jetën me qëndrime të këtilla. Shumica nuk na
do vetëm se jemi hebrenj”. Ata u çuditën, kur dëgjuan se Zoti u
përgjigjet lutjeve tona.
“Unë dua të falenderoj Zotin e Izraelit për ndihmën, që na ka dhënë”,
u thashë atyre. “Ju duhet të mësoheni të luteni vetë, kur të shkoni në
Izrael dhe Zoti do t’u ndihmojë në problemet tuaja”.
Dashuria e Zotit mbushi kthinën si një re ndërsa vullnetarët tanë e
ndanë zemrën e tyre me olim-ët. Më pas pashë një grua amerikane me
emrin Beki, që përqafoi një emigrante me flokë të thinjura e me kurrizin
e kërrusur nga vitet e vuajtjet me emrin Rebeka. “Ne e ndjejmë veten
si anëtarë të një familjeje”, na tha Rebeka! “Kurrë nuk na kanë pritur
e trajtuar kështu”.
Një burrë i vjetër, i cili dukej se dikur kishte qenë oficer i Ushtrisë së
Kuqe, m’u afrua, më dha dorën dhe më tha: “Dikur kam qenë komunist,
por tani besoj tek Zoti, kur shikoj dashurinë, që ju tregoni për popullin
tim.”
Në anijen tonë ishte edhe një burrë i quajtur Jozef, që i kishte
mbijetuar Holokaustit. Ne e ftuam të udhëtojë bashkë me ne si turist që
të shikonte Izraelin, megjithëse nuk kishte ndërmend të shpërngulej
përgjithmonë.”
Kur ne pamë kujdesin e dashurinë tuaj,” na tha ai pas takimit”, u
befasuam dhe u mrekulluam! Nuk na besohej. Sytë na u mbushën me
lotë mallëngjimi”. Ai na tregoi edhe historinë e tij gjatë luftës.
“Familja jonë u grumbullua bashkë me të gjithë hebrenjtë nga
gjermanët! Bashkë me mua ishte nëna ime, motra, gjyshi dhe vëllai im!
Na u desh të ecim 35 kilometra derisa arritëm në kampin e përqëndrimit.
Ishte jashtëzakonisht ftohtë. Shumë vetë vdiqën gjatë rrugës. Kampi
quhej “vendi i vdekjes”. Askush nuk dilte i gjallë që aty. Kushtet e jetesës
ishin të tmerrshme. Aty vdiqën edhe nëna dhe motra ime.
Para luftës në shtëpinë tonë jetonte dhe punonte një grua ruse. Ajo
bëri ç’ishte e mundur për ne. Na erdhi deri në kampin e përqëndrimit
dhe u mundua, me të gjitha mënyrat që të na jepte ushqime. Pasi u çlirua
kampi i përqëndrimit nga ushtria ruse, ajo na mori mua dhe vëllanë tim
dhe na ndihmoi të gjenim babanë tonë. Ajo ishte një e krishterë e vërtetë,
njeriu më i dashur, që kam takuar në jetën time. Ajo u bë shpëtimtarja e
familjes sonë. Pa të ne me siguri do të kishim vdekur”.
Për Elsën dhe për mua këta lloj emigrantësh ishin si rreze dielli, që
na ndriçonin dhe ngrohnin shpirtin tonë. Kishte pasur dhe të krishterë
të tjerë, që kishin vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar hebrenjtë
në kohën e Holokaustit. Kush kapej duke ndihmuar hebrenjtë dënohej
me vdekje nga gjermanët. Ne na kujtuan edhe emra të tjerë, që janë bërë
të njohur në gjithë botën-si Corrie ten Boom, familja e së cilës
fshehu hebrenjtë në shtëpinë e saj në Holandën e pushtuar. Kur u
arrestua ajo, e futën së bashku me hebrenjtë në trenat e kafshëve dhe u
çuan në kampet përqëndrimit. Vetëm Corrie shpëtoi gjallë. Këta ishin të
krishterë të vërtetë, që luftuan e qëndruan besnikë deri në vdekje.
Në muzeun përkujtimor të Holokaustit Yad Va Shem, që gjendet
në Jerusalem, ka një sektor të veçantë, ku përkujtohen me nderim të
gjithë ata, që duke vënë në rrezik jetën e hebrenjve gjatë Luftës së
Dytë Botërore. Drejtori i këtij sektori, doktor Mordecai Paldiel deklaroi
pas një studimi të kujdesshëm të fakteve se shumica e këtyre njerëzve
ishte e motivuar në veprimet e tyre nga besimi i krishterë. Ai shkruan:
“Kisha si institucion u përlye gjatë kohës së Holokaustit, sepse nuk
mbajti qëndrim kundër krimit. Por pati një grup të vogël njerëzish, të
cilët e kuptonin Krishterimin më mirë se hierarkia burokratike fetare. Si
një e fe e dashurisë dhe e vëllazërisë, Krishterimi u tregua si ishte i aftë të
jetë një forcë me të vërtetë e fuqishme… Predikimi në Mal,Samaritani i
mirë,i vunë në veprim këta njerëz. Kjo flet në mbrojtje të mësimeve të
Krishterimit.
KAPITULLI VII
“O Kombe, dëgjoni Fjalën e Zotit, shpalleni në ishujt e largët
dhe thoni: “Ai që e ka shpërndarë Izraelin e mbledh dhe e
ruan ashtu si bën bariu me kopenë e tij.” (Jeremia 31:10)
Ne sapo kishim paguar faturat dhe shpenzimet për lundrimet tona, kur
Esteri vjen në zyrën time në Bournemouth. Pavarësisht nga flokët e saj
krejt të bardha, ajo ende ish e fortë fizikisht. Kjo grua, tashmë e ve, dikur
kishte qenë drejtoreshë shkolle. Ne e njihnim mirë, pasi ajo kishte qenë
një punëtore e pakursyer dhe një mbështetje e fuqishme dhe e vendosur
gjatë muajve të vështirë në Odesë. Kur mbaroi periudhën e shërbimit në
anijen tonë, ajo bashkë me një grua tjetër nga Anglia, në vend që
të ktheheshin në brigjet e qeta të Britanisë, u nisën në mes të dimrit në
ish Bashkimin Sovjetik, në Armeni. Esteri kishte dëgjuar se kushtet e
jetesës ishin mjaft të vështira dhe shkoi vetë të inspektonte gjendjen
e komuniteteve izraelitë në atë vend.
Ata u takuan atje me disa hebrenj që akoma vuanin nga pasojat e tërmetit
të vitit 1998 si edhe nga vështirësitë që solli lufta me Azerbaxhanin.
Rrymë elektrike kishte vetëm dy orë në ditë, por se kur vinin dritat, këtë
nuk e dinte askush. Ujë të pijshëm kishte vetëm një herë në tri ditë.
“A doni të shkoni në Izrael?” e pyeti Esteri drejtuesin e një
komuniteti hebraik në Jerevan, kryeqytetin e Armenisë.
“Që nga Armenia nuk kryen fluturime për në Izrael,” u përgjigj ai. E
vetmja rrugë është që së pari të shkojmë në Moskë, por ne nuk kemi aq
para.”
“Po sikur t’ju sillja unë një avion.” nguli këmbë Esteri. Drejtuesi i
komunitetit ngriti supet plot dyshim. Megjithatë Esteri premtoi se ato do
të kthehen përsëri. Menjëherë ata shkuan në Angli, ku mblodhën ndihma
dhe në muajin shkurt u kthyen në Armeni me shumë paketa ndihmash
për komunitetin hebraik të Jerevanit. I gjithë komuniteti u habit jashtë
mase. Deri në atë ditë shumë kishin premtuar por askush nuk e kishte
mbajtur premtimin.
“A do të na sillni vërtet një avion për të shkuar në Izrael?” e pyeti
drejtuesi i komunitetit.
Po, u përgjegj Esteri duke vrarë mendjen se kush do të paguante
shpenzimet e fluturimit. Me tu kthyer në Angli ato morrën kontakt me
një kompani ajrore dhe nënëshkruan një kontratë që një avjon i kësaj
kompanie të fluturonte me kërkesën e tyre në linjën Londër-Erevan-Tel
Aviv-Londër. Ata e planifikuan këtë udhëtim për tremujorshin e
ardhshëm sepse nuk kishin shumë para. Esteri kishte vetëm pensionin e
saj si arsimtare kurse shoqja e saj ishte pronare e një shtëpie. Pasi dolën
nga zyra ku nënshkruan kontratën ato ndaluan në trotuarin e rrugës
duke parë njëra-tjetrën në sy. “Ç’bëmë” tha Esteri. “Ky avion do të na
kushtojë 60 000 stërlina.”
Pikërisht në atë kohë ajo erdhi në zyrën time “Ne nuk e dimë se kush
do të paguajë për avionin.” tha Esteri me një siguri të qetë. Ajo ishte një
grua që ecte nën drejtimin e Shpirtit të Shenjtë. “Ne jemi në gjendje
të mbledhim ndihma humanitare nëpër Angli dhe t’i çojmë këto ndihma
tek avioni. Zoti vetë do të sigurojë paratë për të paguar avionin,” tha ajo
e vendosur.
Në fund, para largimit të saj ajo më tha me buzëqeshje: “A do të lutesh
që Fondacioni Ebenezer të bëhet pjestar i kësaj ndërmarrjeje?”
“Ester, unë kam filluar të tremben prej teje,” i thashë duke qeshur;
çdo vizitë e jotja më kushton shumë shtrenjtë,” u përgjigja me shaka.
Ishte koha kur ne sapo kishin përfunduar pagesën e shpenzimeve tona
të lundrimit. Kjo nuk kish qenë një gjë e lehtë. Derisa u mblodh shuma
e nevojshme ne na u desh të lutemi intensivisht dhe të presim me durim
dhe pas një kohe të tensionuar, të them të drejtën nuk desha të futesha
në një ndërmarrje të re, në një republikë të panjohur.
Elsa dhe unë filluam të lutemi, por nga Zoti nuk po na vinte asnjë
përgjigje. Javë pas jave kalonin dhe Esteri na telefononte rregullisht për
të marrë përgjigjen tonë. “Unë nuk mund të të them asgjë” i përgjigja.
“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje të qartë nga Zoti. Kjo gjë nuk varet nga
unë personalisht.”
Tensioni sa vinte e rritej. Mua më vinte shumë keq për Esterin, pasi
ishte gjendur edhe vetë në një pozitë të tillë. Por nuk mund të
ndërmerrja asnjë veprim pa marrë drejtimi të qartë nga Zoti. Nuk më
mbetej asgjë tjetër veçse të prisja me durim.
“Ne e dimë se Zoti i Izraelit është i Gjithëfuqishëm. Ai ka gjithçka
në dorën e Tij. I dërguam një faks Esterit, që tani gjendej në Jerevan për
të organizuar punën me hebrenjtë atje.” Ai me siguri do të të japë
një rrugëdalje. Ne po vazhdojmë të lutemi. Me të marrë një përgjigje nga
Zoti do të të njoftojmë menjëherë.”
Më në fund, një ditë në orën 11 të mëngjesit na telefonoi një
bashkëpunëtorja e Esterit dhe tha: “Në qoftë se ne nuk paguajmë
sot, fluturimi ynë do të anullohet. Kjo do të ishte një humbje e madhe,
sepse ne tashmë kishim paketuar një sasi të të madhe ndihmash
humanitare.” Dhe ajo që ishte më e rëndësishmja, ishte se ne kishim
familje të tëra, që kishim marrë vizat në ambasadën e Izraelit dhe presion
që të emigrojnë me avionin që u kishim premtuar. Ajo kërkoi që ne të
merrnim hua shumën e parave që na duhej dhe se ajo do të shiste
shtëpinë e saj që të paguante paratë.
“Do të të kthej përgjigje sot në orën tre pasdite,” i thashë.
Megjithatë njoftova bashkëpunëtorët tanë më të afërt, personat që
luteshin vazhdimisht për ne. Pasi u sqarova situatën në të cilën
gjendesha, secili prej tyre shkoi të lutej dhe të kërkojë përgjigje nga Zoti.
E para që u kthye me një përgjigje ishte Elsa. Ajo ndiente se Zoti e kishte
drejtuar për të lexuar nga Ungjilli sipas Lukës 11:5-8, ku përshkruhet
historia e mikut që troket në mesnatë për të marrë bukë hua.
“Ato janë të dëshpëruara” më tha ajo, “dhe për fluturimin e tyre ka
afruar mesanata. Ato po na trokasin tek dera për javë me radhë.”
Për çudinë time edhe një nga bashkëpunëtorët tanë nga Suedia
më drejtoi me faks të njëjtat fjalë. Kjo më bindi përfundimisht se këto
fjalë vinin nga Zoti.
Menjëherë u telefonova se ne do t’u huanim atyre paratë që u
nevojiteshin për fluturimin. Vetëm më vonë Elsa më tregoi pjesën tjetër
të citimit që Zoti i kish dhënë. “Kur jep hua mos prit të ta kthejnë
përsëri.”
Unë u lidha drejtpërdrejt me kompaninë ajrore dhe kur mësova
hollësitë mbeta shumë i kënaqur. Kjo kompani kishte shumë përvojë me
fluturime të tilla. I bindur se gjithshka ish në rregull unë e bëra gati
valixhen dhe desha të fluturoja në Jerusalem, por, me sa dukej, Zoti nuk
po më lejonte të nisesha. Pavarësisht se nga të gjitha anët dëgjoja fjalë të
mira, shpirtërisht nuk isha i qetë, kështu që vendosa të pres deri sa të
isha i sigurt se gjithshka ish në rregull.
Kur erdhi dita e fluturimit, u lidha me kompaninë ajrore dhe u thashë që
të më njoftonin me hollësi se si qëndronin punët. Fillimisht ata më
raportuan se çdo gjë është në rregull, por më vonë më njoftuan se nuk
kishin marrë leje për t’u ulur në aeroportin Ben Gurion, në Izrael. “Çdo të
thotë kjo?” i pyeta i shqetësuar. “Kjo leje duhet të ishte siguruar shumë
kohë më parë.”
Më vonë mësova se kërkesa e dërguar nga kompania jonë për t’u ulur
me avion në aeroportin Ben Gurion ishte hedhur poshtë. Drejtuesit e
trafikut ajror të Izraelit kishin pyetur në Agjencinë Izraelite dhe që atje
kish ardhur përgjigja se në Armeni ka shumë pak hebrenj. Kishin hedhur
dyshimin se ata, që po sillnim ne me avion nuk ishin fare izraelitë, por
njerëz që duan të emigrojnë për arsye ekonomike. Unë u shqetësova
jashtë mase. Avioni ynë tashmë po fluturonte drejt Jerevanit. Menjëherë
unë nisa një faks ambasadorit të Izraelit në Moskë, i cili kishte lëshuar
vizat për pasagjerët tanë nga Armenia. “Ju na lëshuat vizat. Tani ne po ju
lutemi të na ndihmoni të na jepet leja për t’i futur në Izrael.” Prita e prita,
por asnjë përgjigje nuk po më vinte. Kështu kaluan orë të tëra. Ndërkohë
më telefonoi Esteri nga Armenia dhe më tha se avioni ishte ulur në
aeroport dhe ndihmat ishin shkarkuar. Pastaj menjëherë linja
telefonike me Armeninë e ndërpre. Më kot u përpoqa të rilidhem përsëri
gjithë pasditën. Unë përgatita një plan alternativ: Në qoftë se avioni nuk
lejohet të ulet në Izrael, ne do të ulemi në Qipro, dhe që aty, do t’i
çojmë pasagjerët tanë në Haifa. Më në fund, në orën 10 në mbrëmje
agjencia ajrore më telefonoi dhe më tha se qeveria Izraelite tashmë u
kishte dhënë lejen të ulen në tokën e tyre. Unë u lehtësova dhe atëhere e
kuptova pse Zoti nuk më lejoi të udhëtoja për në Jerusalem. Unë isha aty
për të kapërcyer vështirësitë.
Por, edhe në Jerevan punët nuk shkonin në rregull. Menjëherë sapo u
shkarkuan ndihmat, autoritetet armene nuk po e lejonin avionin të nisej.
Fillimisht ata kishin rënë dakord që Esteri t’u paguante 500 dollarë si
tarifë për përdorimin e aeroportit të tyre. Tani ata kërkonin 9000 dollarë
amerikanë.
Esteri vrapoi gjithë ditën lartë e poshtë duke takuar njërin e tjetrin,
por nuk u gjend asnjë zgjidhje. Në aeroport nuk kishte asgjë, as për të
ngrënë e as për të pirë. Erdhi mesnata dhe rezervat e fundit dhe fuqitë e
saj po mbaronin ndërsa ajo po ngjiste shkallët në errësirë. Shkoi të ulej
në një qoshe të vetmuar. Asaj i dukej sikur nga të gjitha anët e sulmonin
shigjeta.
“A mos kemi qenë dy gra budallaqe o Zot?” psherëtiu ajo. “Dy gra
budallaqe që ecin me mendjemadhësi, ndjekin ëndrrat e tyre dhe nuk
presin të marrin drejtimin prej Teje?” Tani i mblodhëm të gjithë këta
njerëz që kanë shitur shtëpitë e tyre dhe gjithçka, kurse ne nuk kemi para
të paguajmë. Çfarë të bëjmë o Zot ?”
Në atë çast ajo ndjeu diçka, si një rreze drite që e preku papritmas
dhe dëgjoi një zë t’i thotë: “Gjeji paratë!” “T’i gjej paratë?” mendoi ajo.
“Atëhere ato duhet të jenë këtu afër.” Ajo vrapoi menjëherë tek e shoqja
e saj dhe ato mblodhën gjithçka që kishin. Pastaj shkuan tek një pastor,
miku i tyre. Edhe ai solli të gjitha paratë që kishte, 1500 dollarë, që i
kishin dhënë për të blerë një zyrë të kishës, kështu u bënë 3000 dollarë.
“O Zot. Ku t’i gjejmë edhe 6000 dollarë”, u lut ajo. Menjëherë i erdhi
një mendim: “Shko tek pilotët.” Ajo dhe shoqja e saj vrapuan përmes
pistës së aeroportit, që ishte zhytur në errësirën e thellë. E gjetën avionin
dhe ekuipazhin e tij. Ata po rrinin të ulur në errësirë dhe prisnin. Esteri u
tregoi se si po shkonin punët.
“Sa para të duhen?”, pyeti kapiteni.
“6000 dollarë” u përgjigj ajo.
“Ai i vështroi ato i çuditur. Pastaj ai futi dorën në xhep dhe nxori një
tufë kartmonedhash. “Këtu kam 6000 dollarë. M’i ktheni kur t’i keni.”
Para se të nisej për fluturimin, kur po vishej, kapitenit i kishin shkuar
sytë padashur tek dollapi ku ai mbante kursimet e tij. Diçka e kish
nxituar të shkonte atje, t’i merrte 6000 dollarët dhe t’i fuste në xhep. Doli
që kjo ishte pikërisht shuma që i duhej Esterit. Disa orë më vonë avioni u
ul në aeroportin Ben Gurion të Izraelit duke sjellë me vete 67 olim (
emigrantë të riatdhesuar).
Esteri qëndroi në Everan. Kur ajo së bashku me shoqen e saj po i
luteshin Zotit që të mund të gjenin paratë për të paguar borxhin, që na
kishin marrë ne, ajo na tregoi se duke u lutur pa një pikturë në mendjen e
saj dhe një zë i brendshëm i shpjegoi kuptimin. “U pagua plotësisht.”
Vetëm disa minuta më vonë ra zilja e telefonit. Në fakt, ishte faksi që i
dërguam ne ku u transmetonim citatin e dytë, që Zoti i kishte dhënë
Elsës. Zoti ne na kishte dhënë liri të plotë për të paguar të gjitha
shpenzimet e udhëtimit.
Por misioni i Esterit nuk kishte përfunduar. Nga krahina fqinje e
Nagorni Karabakut, ku zhvilloheshin luftime të rrepta midis Armenisë
dhe Azerbaxhanit, u erdhi një thirrje e dëshpëruar për ndihmë. Esteri u
nis bashkë me një grua çeke të krishterë që quhej Vlasta. Bagrati, një
burrë, pjesëtar i kishës në Jeveran e ngiste makinën për to, ishte një
veturë private. Ndërsa ata po ngjiteshin në një rrugë që gjarpëronte
përpjetë malit, filloi të binte dëborë, që sa vinte e bëhej edhe më e
dendur. Sa më lart që ata ngjiteshin aq më e dendur bëhej dëbora, aq më
e trashë shtresa e saj mbi rrugën e përpjetë. Kur iu afruan majës së malit
atyre u desh të ndaleshin, sepse disa kamiona kishin bllokuar kalimin.
Afër majës së malit rruga ishte e mbuluar me akull dhe kamionat
xhironin në vend. Vlasta na tregoi vazhdimin e ngjarjes:
“Unë isha ulur në vendin e parë duke mbajtur në një dorë termusin e
në dorën tjetër një filxhan të mbushur me kafe të nxehtë, ndërsa qeshja
e bisedoja me të tjerët. Papritmas vura se kamioni, që ishte ndalur rreth
10 metra para nesh filloi të rrëshqasë në drejtimin tonë. Fillimisht unë
nuk kuptova se çfarë po ndodhte. Pastaj pashë se shpejtësia e tij po
shtohej dhe se shoferi dhe pasagjeri i ulur në vendin e parë u hodhën nga
kamioni. Atëherë m’u bë i qartë rreziku që po na kërcënohej. E lashë
kafen dhe me nxitim u mundova të hap derën,” tregonte ajo duke e
mbështetur të folurën e saj me disa lëvizje të vrullshme.” U tmerrova.
Dera nuk hapej, gjithçka ishte ngrirë. E kuptova se ishte tepër vonë për
gjithçka. Zura sytë me duar dhe thirra: “Jezu Krisht, më ndihmo!” Kur
hapa sytë përsëri pashë se kamioni kishte ndaluar një metër para nesh.
Shoferi i makinës nuk donte të kthehej në makinën e tij. Pas gjysmë ore,
kur e sollën aty, ai ende dridhej nga frika dhe emocionet: “unë ju dhashë
lamtumirën si juve ashtu edhe kamionit tim”, më tha ai. Situata të tilla
përfundojnë zakonisht në mënyrë katastrofale.
”Ne e kuptuam se ishim në mbrojtjen e Zotit dhe pa frikë
vazhduam përpara…” tregonte Vlasta. Ata ndihmuan dy familje izraelite
të largoheshin nga ajo krahinë e tensionuar. Unë gjithmonë jam çuditur,
kur shoh se sa larg kanë shkuar të krishterët nën drejtimin e Shpirtit të
Shenjtë përmes zonash e krahinash jashtëzakonisht të vështira dhe
shpesh duke rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar familjet Izraelite. I
jam mirënjohës Zotit që të gjithë këta misionarë janë kthyer shëndoshë e
mirë.
Kjo punë pioniere në Armeni vërtetoi se aty ka vërtet popullsi izraelite,
të cilët dëshironin që të kthehen në Izrael. Agjencia Izraelite pranoi që
të financonte fluturimin e dytë që ishte organizuar nga Esteri dhe shoqja
e saj, që çoi në Izrael 98 emigrantë. Fondi ynë Ebenezer financoi
fluturimin e tretë me 115 olim në dhjetor të vitit 1994.
Unë isha në Tel Aviv për të pritur pasagjerët e këtij fluturimi. Ata
zbritën nga avioni dhe të lodhur ecnin me mundim përpara. Burrat ishin
të pa rruar, megjithatë, pavarësisht nga lodhja dhe drojtja, lumturia
shkëlqente në sytë e të gjithëve. Elsa dhe unë e njihnim shumicën e tyre
personalisht, pasi i kishim takuar gjatë vizitës sonë në Armeni muajin e
kaluar. Ishte shumë prekëse t’i takoja ata përsëri, tani në Izrael. Në sytë e
shumë vetave shkëlqenin lotët e gëzimit. Më në fund ishte hapur rruga
për komunitetin e vjetër izraelit, që ishte izoluar për kaq vite në Armeni.
Ne e kemi lënë punën me hebrenjtë në dorë të kishës atje. Ata na
dërgojnë vazhdimisht emigrantë me avion në Odesë, dhe që aty, me
anijen tonë Dimitri Shostakoviç në Haifa. Deri në vitin 1995 në këtë
mënyrë ne transportuam 500 emigrantë izraelitë nga Armenia,
ndërkohë që në na ishte thënë se nuk kish hebrenj në Armeni. Pak më
vonë Bargati, një nga pjesëtarët e kishës armene, gjeti një libër të vjetër
me numura telefonike dhe ai zbuloi mbi 1500 familje, që mbanin
emra izraelitësh, të cilët ai filloi t’i mbajë në kontakt. Jam shumë i
bindur se në territorin e ish Bashkimit Sovjetik ka më shumë hebrenj nga
sa shënojnë statistikat zyrtare. Zoti i njeh njerëzit e Tij. Ai do t’i gjejë
ata. Së bashku me Elsën planifikuam të shkonim në Armeni. Ne ishim
në Moskë në Ambasadën Izraelite dhe po bisedonim me një nga konsujt
e kësaj ambasade.
Ai u befasua kur ne i thamë: “Nesër do të fluturojmë për në Armeni.”
“A jeni të sigurt?” më pyeti ai. “Atje gjëndja është tepër e tensionuar.
Unë ju këshilloj të mos shkoni.”
Nga lajmet kishim mësuar se atje sapo kishin përfunduar zgjedhjet
dhe shumica e popullit ishte bindur se partia në pushtet kishte
falsifikuar rezultatet e tyre. Policia kishte përdorur gazin lotësjellës, ujin
me presion të lartë si dhe kishte qëlluar në ajër për të shpërndarë turmën
e demonstruesve të revoltuar, që kërkonin të futeshin me forcë
brenda ndërtesës së parlamentit, për të shpërndarë parlamentin, që ata e
quanin të paligjshëm. Por ne nga ana jonë kishim krijuar lidhje me një
kishë në Armeni dhe ata kishin marrë leje për të zhvilluar një konferencë
mbi Izraelin. Unë isha ftuar të predikoj. Ne u lutëm së bashku me Elsën
dhe e ndjemë se Zoti na thoshte: “Shkoni.”
Në Armeni kudo shikoje ushtarë dha tanke, kurse ne nga ana jonë
nuk kishim as viza nga Qeveria Armene. Megjithatë, edhe nënpunësit
e emigracionit, na dhanë përshtypjen se ne ishim të mirëpritur. Dhe me
të vërtetë ne kaluam një kohë të mrekullueshme. Salla me 320 vende
ishte mbushur plot, madje kishte edhe njerëz, që rrinin në këmbë në fund
të sallës. Unë pyeta se sa kohë mund të flisja. Pastori që e kish
organizuar këtë takim më pa i habitur dhe më tha: “Sa të duash vetë.”
Ishte me të vërtetë një takim dinamik. Të gjithë donin të dinin edhe
më shumë rreth popullit të Izraelit. Kur unë u tregova për punën, që
ne bënim ata spontanisht mblodhën një ofertë. Pastaj, në mbrëmje, në
fund të konferencës, një nga pastorët e rinj mori mikrofonin: “Tani ne
duam të bekojmë edhe njëherë Gustavin dhe Elsën, me dhuratat tona!”
Ata filluan të mbledhin edhe një ofertë të dytë për ne. Sytë e mi
mbusheshin me lot, kur shihja se edhe më të varfërit, edhe pse nuk kishin
asgjë me tepricë, vinin përpara sallës, tek vendi ku ne ishim ulur dhe
dhuronim para, lapsa, unaza, çokollata dhe çdo gjë me vlerë që ata
kishin. Zoti e bekoi shumë besimin dhe guximin tonë për të shkuar në
Armeni.
Pothuajse në çdo kishë, ku kam pasur privilegjin të shkoj në territorin e
ish Bashkimit Sovjetik, pastori më ka lejuar të referoj për Izraelin dhe t’u
njoftoj pjesëtarëve të kishës vizionin tonë dhe punën e Operacionit
Eksodi. Ata i kuptojnë mirë vuajtjet e izraelitëve, sepse janë njerëz që
kanë vuajtur edhe vetë prandaj ata janë të gatshëm të ndihmojnë. Disa
nga këto kisha na kanë dhuruar ne një të dhjetën e të gjithë të ardhurave
të tyre. Është një bekim i dyfishtë për mua dhe Elsën të shkojme e të
referojmë në kishat e Armenisë, ku pastorët i kanë sqaruar bashkësitë e
tyre për Izraelin, për tokën e premtuar si dhe për vendin e tyre në planin
e Zotit për fundin e Epokës. Por, në shumicën e rasteve, ndërkohë që unë
flas për punën tonë, dëgjuesit reagojnë me heshtje dhe me pasiguri. Disa
thonë:
“Ne kurrë nuk kemi dëgjuar më parë diçka të tillë. “Kjo më ka
mësuar mua që para se të filloj të referoj për punën tonë, kudo që më
ftojnë, së pari filloj të citoj nga Shkrimi i Shenjtë se çfarë roli dhe çfarë
vendi ze Izraeli në Bibël dhe në planet e Zotit për fundin e Epokës.
Një herë më ftuan të referoj në një kishë Luteriane në Gjermani.
Takimi zhvillohej në mes të javës. Tema ishte paracaktuar dhe ishte
shpallur qartë. “Unë do të flisja për vizionin tonë dhe për realizimin e tij
në Operacionin Eksodi”. Pasi mbarova së referuari, pastori që më kishte
ftuar vjen i veshur me kostum të zakonshëm (pa rrobën që mbajnë
rregullisht priftërinjtë Luterianë) dhe më merr mikrofonin. Unë kujtova
se ai do të lutet dhe do të mbyllë takimin. U çudita jashtë mase, kur
dëgjova atë të fliste i bindur plotësisht:
“Unë dëgjova gjatë gjithë kohës me vëmendje dhe dua t’ju them
se profecitë të cilat po flet zoti Sheller janë përmbushur plotësisht
gjatë kthimit nga emigrimi në Babiloni. Këto profeci nuk kanë asnjë
lidhje me kohët e sotme. Kjo deklaratë e papritur e lëshuar plot besim
nga personi, që më kishte ftuar ishte një sfidë ishte një sfidë e hapur, që
më vinte në pozitë aty para gjithë kishës. Unë e dëgjova atë në heshtje
dhe pa dhënë asnjë përgjigje. Po të më kishte ndodhur kjo gjë vite më
parë do të kisha kundërshtuar me forcë dhe do të kisha paraqitur të
gjitha argumentat e mia. “Ky kthim i izraelitëve në Tokën e Premtuar
është krejt i ndryshëm nga kthimi nga emigrimi i Babilonisë. Mërgimi në
Babiloni ishte një mërgim i kufizuar, vetëm në Babiloni, dhe për një kohë
relativisht të shkurtër. Ndërsa ky kthim nga i popullit të Izraelit nga
Vendi i Veriut dhe nga gjithë vendet e botës do të jetë
kthimi përfundimtar. Pas këtij kthimi hebrenjtë nuk do të shpërngulen
më nga toka e tyre, nga Toka e Premtuar. Kjo portretizohet shumë qartë
tek Ezekieli 37:21-28.
Por unë nuk thashë asgjë. Koha më ka mësuar së është më mirë t’ja
lesh Zotit në dorë që Ai t’i bindë të tjerët, kush ka të drejtë e kush
jo. Gjatë një peridhe lutjeje dhe argjërimi Zoti më ka treguar mua se
kthimi i hebrenjve në Izrael (i emëruar në hebraisht me emrin alijah )
mund të krahasohet me shëmbëlltyrën e birit plangprishës, që jepet tek
Ungjilli sipas Lukës, Kapitulli 15. Hebrenjtë në vendin e Veriut gjenden
përballë një presioni, që po rritet vazhdimisht. Ky presion është i
gjithanshëm, jo vetëm ekonomik e politik. Antiseminizmi sa vjen e po
rritet prandaj dhe ata po vijnë. Ashtu si djali plangprishës ata po e
kuptojnë se është më mirë që të kthehen në shtëpinë e tyre. Zoti Jezus më
tregoi mua zemrën e Atit në lidhje me popullin e Izraelit. Ajo është një
zemër atërore e mbushur plot me dëshpërim. Mua më doli kjo e vërtetë
shumë e qartë para syve të mi. Ati po prêt me padurim që populli i Tij i
zgjedhur të kthehet në shtëpi. Ai po thotë: “Ejani bijtë e mi. Ejani tani.”
Pastaj Jezusi shpalosi para syve të mi vëllanë e madh. Ne jemi vëllai i
madh! Ne të krishterët. Shumica prej nesh, të krishterëve, as nuk është
kujdesur dhe as nuk kujdeset për izraelitët.Shumë të krishterë nuk
interesohen për atë që ndodh në Izrael. Ati hidhërohet kur shikon se
vëllai i madh mban një qëndrim të tillë.
Shumë të krishterë e dinë se para se të kthehet Jezu Krishti duhet
të përmbushet urdhëresa e madhe, siç na përshkruhet në Ungjillin
sipas Mateut, Kapitulli 24, vargu 14:
“Dhe ky Ungjilli i Mbretërisë së Perëndisë do të predikohet në
të gjithë botën si një dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë
do të vijë mbarimi.”
“Por, në qoftë se ne nuk njohim dhe nuk kuptojmë rolin e Izraelit, tani
që jemi futur në epokën e fundit, ne qëndrojmë vetëm në një këmbë.
Në librin e Veprave të Apostujve 1:6 dhe 3:21 na thuhet se Jezu Krishti do
të kthehet pasi të jetë ripërtërirë mbretëria e Izraelit, do të kthehet që
të mbretërojë “në fronin e Davidit dhe mbi mbretërinë e Tij.”
Ndërsa po lutesha e ndieva se Zoti po më thoshte: “Gustav. Unë kam
pritur 2000 vjet derisa të vinte kjo ditë. “Tani dita erdhi. Zoti me
mundësinë e Tij hyjnore na ka dhënë ne këtë rast të lavdishëm që ne të
ndihmojmë popullin e Tij të zgjedhur të kthehet në Tokën e Premtuar.
Unë besoj se të gjitha veprat që ne kryejmë në këtë drejtim janë të
regjistruara në qiell dhe i sjellin gëzim dhe lumturi Atit të Përjetshëm të
Jetës.
KAPITULLI VIII
Sepse kështu thotë Zoti: “Ngrini këngë gëzimi për Jakobin
dhe lëshoni britma për të parin e kombeve, shpallni, këndoni
lëvdata dhe thoni: “O Zot, shpëto popullin tënd, atë që mbeti
nga Izraeli.”
Ja, Unë po i kthej nga vendi i veriut dhe po i grumbulloj nga
skajet e tokës.” (Jeremia 31: 7-8)
Maria, një nga pjesëtaret e ekipit tonë, kishte kohë që më fliste mua
për hebrenjtë që jetojnë në një shtet tjetër, që dikur ishte një nga
republikat e ish Bashkimit Sovjetik, për hebrenjtë në Kazakistan.
“Unë nuk dua të përzihem me Kazakistanin”, i thashë. “Së pari ne duhet
të konsolidojmë punën në vendet ku kemi filluar. Unë e dija se
Kazakistani është një shumë i madh, territori i tij është më i madh se e
gjitha Evropa Perëndimore. Aty feja e shumicës është Islamizmi.
Megjithatë Maria vazhdonte të më nxiste që fondacioni ynë Ebenezer të
shtrinte veprimtarinë e tij edhe atje. Pa shumë dëshirë, më në fund, unë
rashë dakord të vendos këtë çeshtje në ditarin tim të lutjes. Ndërsa po e
kryeja këtë veprim, pashë se ajo ditë ishte e caktuar, paraprakisht në
ditar, për t’u lutur për Kazakistanin.
Në fillim të vitit ’95 së bashku me Elsën fluturuam në qytetin e
Karagandës, që gjendet në qendër të Kazakistanit. Ne fluturuam atje
me një avion me elika të shoqërisë Ruse të aviacionit Aeroflot.
Gjatë fluturimit, që ishte mjaft i gjatë, e vetmja gjë që na u servir ishte
ujë. Ata na e sollën në një bidon kallçuku, që të thuash të vërtetën, nuk të
hapte oreksin. Përveç bidonit ata kishin dhe një gotë të vetme që e
mbushnin me ujë dhe ua jepnin pasagjerit që donte, pastaj e shpëlanin
pak dhe ia mbushnin për të pirë pasagjerit tjetër. Megjithatë, për
çudinë tonë, këto gjëra nuk na bënin edhe aq përshtypje kur ne niseshim
me mision për të plotësuar detyrën, që Zoti na kishte ngarkuar. Dëshira
për të realizuar sa me më shumë sukses misionin tonë dhe gëzimi i Zotit i
mbulonte të gjitha vështirësitë. Ne punonim me gëzim. Ushqimi dhe
kushtet e jetesës, të cilat po t’i hasnim në mjedisin tonë të zakonshëm do
të na revoltonin, tani nuk na bënin përshtypje.
Këtu më duhet të pranoj se shpesh në këtë shoqëri udhëtimesh nuk
e quanim Aeroflot, por Aerofllop. Meqë pata rastin të udhëtoja shpesh
me të mund t’i shtoja edhe më shumë faqe të tjera këtij libri, sikur
të përshkruaja të gjitha ato që ndodhnin gjatë fluturimeve tona. Po të
desha t’i përmbledh një një listë të shkurtër ato do të ishin: Vonesa,
anullime të fluturimeve si pasojë e mungesës së karburantit ose e motit të
keq. Të gjitha këto ishin ngjarje të zakonshme. Shpesh në avion hipnin
pasagjerë shtesë. Këta e kishin paguar në dorë pilotin e avionit. Sa herë
që ne përgatiteshim për një udhëtim të tillë, unë e pyesja gruan time
duke qeshur nëse ajo e kishte marrë me vete kaçavidën. Megjithatë
ne asnjëherë nuk kishim frikë të udhëtonim në këto aviona. Ne luteshim
para çdo udhëtimi dhe hipnim të sigurt. Tashmë Zoti na kishte sqaruar se
për një njeri vendi më i sigurt në botë është vendi ku atë e ka dërguar
Zoti, qoftë ky vend edhe një nga avionët e kompanisë Aeroflot.
Sapo dolëm nga avioni në Karaganda, takuam Leonidën, drejtuesin
e kominitetit të hebrenjve që jetojnë aty. Më vonë ai u bë për ne miku më
i ngushtë dhe një përfaqësues i aftë dhe besnik i Fondacionit Ebenezer.
Në fund të vizitës sonë ai na përqafoi me dashuri dhe tha: “Një ditë
njerëzit e mi do të dinë se Gustavi erdhi deri në Karaganda për të
ndihmuar hebrenjtë të kthehen në shtëpinë e tyre në Izrael.
Si rezultat i vizitave tona të përsëritura ne patëm rastin të shohim
luftën që bëjnë njerëzit për të mbijetuar në këtë vend të ashpër.
Doktorët, arsimtarët dhe pensionistët nuk i kishin marrë pagat e tyre ose
rrogat për gjashtë ose tetë muaj. E gjithë infrastruktura e vendit ishte
pothuaj e shkatërruar. Rryma elektrike dhe furnizimi me ujë të pijshëm
ishte ndërprerë. Kishte një vit që furnizimi me gaz nuk bëhej më
nëpër shtëpitë e banimit, dhe më gjithë të ftohtin e madh, në shumë zyra
e shtëpi nuk kishte ngrohje. Tashmë shumë izraelitë e kishin kuptuar
se kishte ardhur koha të largohen. Miqësia, bashkëpunimi ynë bëri që,
me ndihmën e Zotit, brenda një viti 1000 hebrenj të largohen nga ky
vend i ashpër malor.
E kam ende tepër të qartë, para syve të mi, kujtesën e një zonje, që
ishte rreth të 50-tave, e cila kishte adoptuar tre fëmijë të gjetur në rrugë.
Ajo më pa me një shikim plot shpresë dhe më tha: “Unë dua të kthehem
në Izrael, por dua t’i marr me vete edhe këta tre fëmijë. Pa ata nuk kam
ku shkoj. “Për një moment unë mendova se kjo do të ishte diçka e
pamundur. Ajo nuk kish asnjë dokument për ata fëmijë. Mbase dhe emri
i tyre i vërtetë nuk dihej. Ajo i kish marrë ata thjesht nga rruga. Si do të
mund të nxirreshin vizat në një rast të tillë.
Shumë muaj më vonë më telefonoi një nga bashkëpunëtorët tanë dhe më
tha se kjo grua së bashku me tre fëmijët e saj të adoptuar do të fluturonin
me avionin tonë. Mua m’u mbushën sytë me lot, kur e mora vesh këtë
lajm. Zoti kishte bërë të mundur atë që dukej krejtësisht e pamundur.
Gjatë këtyre muajve linja detare vazhdoi të lulëzojë edhe gjithshka
ecte pozitivisht. Por në vitin 1995, kur po përgatitesha për të fluturuar
për në Odesa për të marrë pjesë në lundrimin tonë të fundit për atë vit, e
dija se mbi mua do të vinte një presion i madh. Vullnetarët tanë,
partnerët tanë të lundrimit në Izrael, pronarët e anijes Dimitri
Shostakoviç, pronarët e kampit transit në Odesa, të gjithë më drejtuan të
njëjtën pyetje: “Kur do të lundrojmë përsëri?”
Por gjithmonë, sa herë që unë pyesja Zotin nuk merrja asnjë
përgjigje. Natën para se të niseshim, u luta me gjithë fuqinë e shpirtit
tim:
“O Zot, të lutem më jep një shenjë të qartë se çfarë duhet të bëj.”
Të nesërmen Elsa dhe unë duhet të niseshim në orën 4.00 në
mëngjes për në aeroportin e Heathroë-it. Kur u zgjova, për çudinë tonë
ora jonë zvicerane, që gjithmonë ishte e përpiktë, kësaj radhe kishte
ngelur. Kur pamë ditarin, sipër të cilit lexonim dhe meditonim për Fjalën
e Zotit, pashë se citati i reklamuar aty për meditim ishte: “Qëndro i
heshtur dhe prit për shpëtimin që vjen nga Zoti.” Në atë çast kuptova se
këto fjalë vinin drejtpërdrejt nga Zoti dhe na drejtohej neve, personalisht.
E kuptova se unë duhet të prisja, se zgjidhja e problemit do të vinte nga
Zoti vetë. Disa nga bashkëpunëtorët tanë e ndienë veten e tyre të
dëshpëruar dhe të zgënjyer, por e dija se duhej pritur. Unë kurrë nuk
guxoj të bëj asnjë veprim derisa Zoti të më japë një drejtim të qartë. Në
qoftë se unë do të veproj kundër asaj që më drejton Zoti, atëhere jeta ime
është e pavlerë.
Pikërisht në këtë kohë ne zbuluam se nuk na mjaftonin fondet tona për
të paguar shpenzimet e lundrimit tonë të fundit. Zoti i kish plotësuar
nevojat tona financiare krejtësisht nëpërmjet shumave të vogla, që
besimtarët e përkushtuar na i dërgonin rregullisht, por me kalimin e
kohës presioni sa vinte e po rritej. Elsa dhe unë menduam se zgjidhja e
fundit do të ish të shisnim apartamentin tonë që kishim blerë në Zvicër.
Këtë apartament ne e kishim blerë me një kredi të cilën e shlyem në një
periudhë prej 20 vjetësh. Aty ne mendonim të kalonim vitet tona të
pleqërisë pasi të dilnim në pension. Por Elsa, si grua e zgjuar që ish tha:
“Le të argjërojmë për një javë.”
Kurrë nuk do ta harroj se sa e entuziazmuar ishte sekretarja jonë
Beverly, kur na telefonoi dhe na njoftoi gjithë gëzim se fondi ynë
Ebenezer sapo kish marrë si dhuratë një shumë të konsiderueshme
parash, e cila mbulonte krejtësisht të gjitha borxhet tona. Ndërkohë që në
kishim argjëruar vetëm për pesë ditë, gëzimi ynë ishte i
paparëshkrueshëm. Na u duk sikur Zoti na ridhuroi apartamentin tonë të
dashur. Në një farë mënyre, ky episod më kujton momentin kur
Abrahami vendosi birin e tij të vetëm mbi altar për t’ia ofruar Zotit dhe
Zoti e bekoi Abrahamin dhe të birin jashtë mase për shkak të këtij
veprimi me besim.
Pastaj, në fillim të janarit, Zoti mua më bëri të qartë se tashmë
kishte ardhur koha kur unë mund të filloja marrëveshjet e mia. “O Zot,” u
luta në shtëpinë time në mëngjes: “A duhet të marrim përsëri me qira
të njëjtën anije?” Minutat ecnin me shpejtësi. Kështu që mua m’u desh
të hipja me shpejt me makinë dhe të nisesha. Gjatë rrugës zakonisht
dëgjoj kaseta me këngë, ku i thuret lavdi Zotit, por atë mëngjes po dëgjoja
radion më tepër se zakonisht. Kjo ndodhi sepse pjesa e muzikës klasike,
që po transmetohej më pëlqente dhe desha ta dëgjoj deri në fund. Pasi
mbaroi muzika nga radioja erdhi zëri i spikerit. Pjesa që sapo kisha
dëgjuar ishte kompozuar nga Dimitri Shostakoviç, pikërisht nga ai
kompozitor rus, emrin e të cilit e mbante anija jonë.
Mua m’u bë menjëherë e qartë se Zoti na kish drejtuar përsëri tek
kjo anije. Krijuesi i Gjithësisë di gjithçka. Ai njeh fundin që në fillim. Me
t’u kthyer në Odesë, ne mësuam se kompania e fuqishme BLASCO po
kalonte në vështirësi të mëdha financiare. Madje iu desh të shisnin disa
prej anijeve. Kjo situatë krijoi atmosferën e konkurrencës, pasi pronarët e
rinj ishin të etur që të hynin në marrëveshje me ne. Kjo bëri të mundur
që atë vit të merrnim me qira për vitin 1996 anijen Dimitri Shostakoviç
me një çmim më të ulët se me parë. Kjo kontratë na dha mundësinë të
kursenim si paratë ashtu edhe veten tonë nga tensioni e streset që
shkakton nënshkrimit i një kontrate të shtrenjtë. Ky ishte shpërblimi, që
na erdhi pasi pritëm të dëgjojmë e vepruam sipas urdhëzmeve të Zotit.
Po të kishim nënshkruar kontratën tonë në dhjetor do të kishim humbur
të gjitha këto bekime.
Megjithse tani puna jonë ishte konsoliduar në tre nga shtetet e ish
Bashkimit Sovjetik ndjenja diçka të më fliste në zemër:
” Shko atje ku nuk ka shkuar askush tjetër.”
Unë e dija se po të shkoja të veproja në zonat e vështira, kjo nuk do të
sillte një numër të madh emigrantësh. Ndoshta po të veproja më
intensivisht në një zonë tjetër relativisht të qetë, numuri i tyre do të ishte
më i madh. Por tani unë kisha filluar të kuptoi se Operacioni
Eksodi është ashtu siç e cilësoi Johanesi që në krye, një shenjë profetike
para së gjithash. Misioni ynë është të çajmë rrugën, të bëjmë një punë
ashtu siç bën plugu dhe të sjellim në Izrael ata, që gjenden në vendet më
të vështira, ata për të cilët është e pamundur të çajnë rrugën vetë. Para se
të filloj veprimtarinë time në këtë drejtim, unë desha së pari të njoh
gjendjen. Kështu, kur isha në Moskë për të biseduar me një
nga drejtuesit e ambasadës së Izraelit atje, shtrova pyetjen: “Në çfarë
zone të ish Bashkimit Sovjetik kanë hebrenjtë më tepër nevojë për
ndihmë që të mund të emigrojnë në Izrael.?”
“Në Siberi!” m’u përgjigj ai pa hezitim. Zemra ime u drodh, kur unë
dëgjova këtë përgjigje. Pak javë më vonë isha në ambasadën e Izraelit në
Kiev, edhe atje shtrova të njëjtën pyetje dhe mora të njëjtën përgjigje.
Më kujtohet shumë mirë hera e parë kur së bashku me Elsën,
vizituam Siberinë. Kjo ndodhi menjëherë pas lundrimeve tona të para me
anijen “Qielli i Mesdheut”. Në atë kohë Zoti na e kish bërë të qartë se
duhet të njihnim shumë zona të ish BS dhe ne hipëm në trenin trans-
Siberian dhe shkuam deri në fund të Siberisë.
Në fazën e parë ne udhëtuam të ulur në fronet e drunjtë të një vagoni
të vjetër treni, që ishte vlerësuar si vagon i klasës së dytë nga Riga në
Minsk. Po afrohej mesnata dhe, më falni për shprehjen, por mua po më
dhembnin të ndenjurat. I lodhur ngrita sytë dhe vështrova Elsën: sapo e
pashë, fillova të qesh, e nuk mund ta mbaja dot. Edhe ajo filloi të qeshë.
Pas njëfarë kohe thashë: “Ne ose jemi krejt të çmendur, ose është me të
vërtetë dora e Zotit që na drejton të bëjmë këto gjëra.”
Në Hotelin tonë në Minsk arritëm pas mesnatës. Unë isha në krevat,
kur Zoti më kujtoi se unë nuk e kisha kryer leximin tim të rregullt të
Biblës për atë ditë. U ngrita, hapa dritaren dhe lexova citatin e
paracaktuar për meditim për atë ditë nga 1 Korintasve 1:27.
“Por Zoti ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar
të urtët.
Këto fjalë më qetësuan shpirtin. Por citati vazhdonte:
“Dhe Zoti ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të
turpëruar të fortët.”
Ne kaluam tetë ditë e tëtë netë nëpër trena, gjatë gjithë kohës duke
u tundur e duke u shkundur. Ish e pamundur të lexoje sepse, sado
të shtrëngoje librin, tronditjet dhe lëkundjet ishin shumë të mëdha. Gjëja
më e mirë ishte që gjatë gjithë kohës të shikoje nga dritarja. Nuk kishte
asgjë për të ngrënë, kështu ne ishim të detyruar të blinim ushqime, kur
treni ndalej nëpër stacionet e ndryshme për 15 minuta. Sa herë zbrisja
nga treni nuk isha i sigurtë kush lëkundej dhe ecte përpara, ish platform
e stacionit, apo isha unë! Në çdo stacion shihje gra të veshura varfërisht
duke pritur atje të shesin atë që mund të shisnin. Veçanërisht më
kujtohet një grua, që shiste pure patatesh me një tenxhere të cilën e
kishte vendosur mbi karrocën e fëmijës së saj. Nuk e kam harruar
dëshpërimin e thellë që shprehnin sytë e saj.
Gjatë këtij udhëtimi, ne me Elsën shkuam të vizitojmë edhe
krahinën autonome të hebrenjve, që u krijua nga Stalini në vitin 1928.
Ai i shpërnguli izraelitët në fund të Siberisë, në kufi me Kinën, në mes
të shkretëtirës së akullt. Ne e ndjemë se ne duhet të vizitonim kryeqytetin
e kësaj krahine, Birobixhan. Ishte një diçka e jashtëzakonshme të futeshe
në atë stacion dhe të shihje emrin e qytetit të shkruar në të dyja
gjuhët: rusisht dhe hebraisht. Ne na kishin dhënë tre adresa personash
me të cilët mund të merrnim kontakt. Me dy adresat e para ne nuk
takuam dot asnjeri. Personin e adresës së tretë e gjetëm dhe doli që ai
ishte drejtuesi i një komuniteti të tërë hebrenjsh. Unë bisedova me të për
gjithçka si me një mik të vjetër. Ata na ftuan për një drekë të shijshme,
pastaj ai na tha: “Sonte do të festojmë Shavout-in në sinagogën tonë. Me
siguri do të jetë e mbushur plot me njerëz. A doni të vini me ne?” Kjo
është diçka e mrekullueshme. Zoti kish organizuar dhe parapërgatitur
gjithçka. Ai na kish dërguar ne atje, në fund të Siberisë, pikërisht në
mbrëmjen, që ata do të mblidheshin për të festuar, pikërisht në kohën
kur sinagoga e tyre e vogël e drunjtë do të ish plot me njerëz. Atë natë
unë pata mundësinë t’u them atyre: “Ka ardhur koha të ktheheni në
Izrael, në shtëpinë tuaj. Ne u afruam fundit të udhëtimit tonë dhe e
prisnim me gëzim fluturimin drejt Japonisë të nesërmen. Së bashku me
Elsën, ne kaluam pothuaj 200 orë duke udhëtuar me tren. Shpesh nëpër
vagonat e trenit vinin grupe me instrumenta muzikorë elektronikë, që
luanin pjesë të muzikës Hard Rock. Kjo lloj muzike më jepte dhimbje
koke. Ishte një muzikë që vinte nga pjesët më të errëta të skëterrës.
Papritur muzika Hard Rock pushoi. Nga instrumentat filluan të dalin
tone të tjera nga një botë tjetër. Ishte e pabesueshme, por muzikantët
tani po luanin pjesën e titulluar: “Haleluja.” të Hendelit. Kurrë nuk na
kishte ndodhur të përjetonim diçka të tillë, dhe kjo në mes të Siberisë, në
fundin e botës! Na dukej sikur Zoti na thoshte: “Ju lumtë. Ju jeni
shërbëtorë të mirë dhe besnikë!”
Nga sytë tanë filluan të dalin lotë. Ishte me të vërtetë një diçka e
mrekullueshme.
Pas tre vjetësh fluturuam në qytetin e Magadanit, qyteti më i largët në
Siberinë lindore, që ta fillonim punën tonë aty, në mënyrë të organizuar.
Territori aty është shumë i gjerë, tre herë më i madh se kontinenti i
SHBA. Fluturimi ynë nga Moska për në Magadan zgjati tetë orë. Stalini
dërgoi miliona njerëz në kampet e përqëndrimit në Magadan sepse
izolimi aty ishte i plotë.
Aty mund të shkohet vetëm me avion, me anije dhe ndoshta sot me
makinë speciale xhip, të cilat mund të transportojnë sasi të madhe
karburanti dhe që janë të ndërtuara të ecin nëpër rrugët e këqija si dhe
aty ku nuk ka fare rrugë. Për të internuarit aty nuk kishte as mure dhe as
roje. Që aty nuk mund të arratiseshe.
Statikstikat thonë se në gulagun Siberian vdiqën 12 milion njerëz.
Shumë prej tyre ishin të krishterë dhe hebrenj, të cilët nuk kishin
pranuar të hiqnin dorë nga besimi. Për mua ky vend është pjesa e tokës, e
cila i afrohet skëterrës më tepër se në çdo vend tjetër në botë. Ndërsa
së bashku me Elsën po ecnim përgjatë kasolleve dhe shihnim
varfërinë, shkatërrimin dhe grumbullimin e plehrave, që shpërndaheshin
rreth e rrotull, ne ndjemë depresionin që shkaktohej nga shpirti i vdekjes,
që ende si një mjegull e dendur, e padukshme, e mbulonte të gjithë
zonën.
Ne e ndjemë se Shpirti i Shenjtë po na drejtonte të ecnim në rrugët e
këtij qyteti duke u lutur. Kështu në një ditë të ftohtë vere u nisëm.
Kësulat e dëborës zbardhnin ende në majat e maleve të afërt. Ne
mbërritëm në majën e një kodre që gjendej drejt për drejt mbi limanin,
këtu anijet sillnin të burgosurit për të vdekur. Një mendim i papritur i
shoqëruar nga një ndjenjë e fuqishme më pushtoi të gjithin. Më dukej
sikur Zoti po më thoshte:
“Profetizo mbi këtë qytet.”
Një gjë të tillë nuk e kisha bërë kurrë më parë. Ndërsa po qëndronim atje
m’u kujtua vizioni i profetit Ezekiel, vegimi i kockave të thata. E
hapa Biblën tek Ezekiel 37: 12 dhe fola me zë të lartë fjalët:
“Kështu thotë Zoti i Gjithëfuqishëm, ja unë do të hap varret
tuaja, do t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t’ju
çoj përsëri në vendin e Izraelit!”
Isha shumë i prekur. Lotët më mbushën sytë. Në atë moment m’u bë
e qartë më shumë se çdo herë më parë se Zoti po na bënte thirrje që
të njoftonim bijtë e bijat e Tij, që gjendeshin në fund të botës se kishte
ardhur koha që ata të kthehen në atdheun e tyre, në Izrael.
Gjatë kohës që ishim në Magadan na ftoi për darkë një grua izraelite,
që jetonte së bashku me të birin, që sapo ishte martuar. Ishte një familje
me të vërtetë e varfër, por darka, që na shtruan ishte tepër e pasur.
Tryeza ishte mbushur plot me ushqime të shijshme. Ne e ndiemë veten
ngushtë para një mikëpritjeje e një bujarie kaq të madhe. Nënës i ishte
dashur dy ditë punë për të përgatitur një darkë të tillë.
Pasi mbaruam së ngrëni, ndërsa zonja e shtëpisë po mbushte filxhanët
me çajin e embël të nxehtë, që përhapte avullin e tij erëmirë nëpër
dhomë, unë nxora armën time: “Biblën: “Dëgjoni ç’ka thënë Moisiu 3000
vjet më parë” u thashë atyre duke cituar nga Ligji i Përtërirë 30:4.
“Edhe sikur të kish qenë përzënë në skajin e qiellit, Zoti,
Perëndia yt do të të mbledhë dhe do të të marrë që andej.”
Pastaj unë heshta pak duke e parë atë në sy. “Ju jetoni këtu në fundin
e botës, në skajin e qiellit. Tani ka ardhur koha të ktheheni në
shtëpinë tuaj.”
Nuk e harroj kurrë gëzimin që ndieva në Odesë, në lundrimin tonë
të parë për vitin 1996. Midis pasagjerëve tanë ishte edhe biri i familjes
që kishim takuar në Magadan së bashku me gruan e tij.
“Kur na the në shtëpinë tonë që ka ardhur koha që të kthehemi në Izrael
“më tha ai,” unë e kuptova se vërtet kishte ardhur koha.”
Ata shitën gjithçka dhe fluturuan për në Moskë që të mund të
merrnin viza nga ambasada e Izraelit, por gjatë rrugës, avioni i tyre pati
një defekt teknik. Aty iu desh të ecnin nëpër dëborë. Gjatë rrugës i
sulmuan banditët që u morën të gjitha paratë që kishin. Madje edhe
gjatë udhëtimit me tren për në Odesë u vodhën disa gjëra, që banditët e
parë i lejuan t’i marrin me vete. Ishin të rraskapitur dhe të dëshpëruar
kur ardhën, por njerëzit tanë u sollën me ta me kujdes e me dashuri.
Kur erdhi koha të nisen, unë i përcolla deri tek anija për t’u
dhënë lamtumirën. Në sytë e tyre kish përsëri gëzim dhe shpresë të re.
Ky incident na shtyu që të krijojmë një ekip të posaçëm që të mund
të merrnin kontakt me familje të tjera që gjendeshin në pozita të
ngjashme dhe t’ju siguronim atyre një rrugë të sigurt për në Izrael. Ne u
takuam në fillim të vitit 1996 në Habarovsk, kryeqyteti i Siberisë Lindore.
Për një javë ne u lutëm, diskutuam dhe, duke studiuar hartën, përgatitëm
planet tona strategjike. Të krishterët, që kishin pranuar një mision të
tillë, do të shpërndaheshin në grupe të përbërë nga dy veta, do të
përshkonin territorin dhe ku të hasnin izraelitë, do t’u citonin atyre
Biblën duke iu thënë se ka ardhur koha të kthehen në Izrael.
Një ditë para se ata të niseshin unë pata privilegjin që të flas në
shkollën e Biblës, që gjendej në atë qytet. Aty kishte studentë, që kishin
ardhur nga zona të ndryshme të Siberisë. Kur dëgjuan se ne do të nisnim
ekipe për të njoftuar hebrenjtë, një djalë i ri na u afrua dhe na tha: “Unë
do t’ju ndihmoj të gjeni izraelitët në qytetin tim.” Pas tij dolën të tjerë.
Një ndjenjë lehtësimi i pushtoi misionarët tanë, të cilëve përndryshe do
t’u duhej të udhëtonin në këto vende të largëta pa njohur njeri. Këtu nuk
është as Europë e as SHBA. Këtu është fundi i botës, nuk është e lehtë të
gjesh mjete transporti, madje ka zona të tëra që nuk ka fare
transport udhëtarësh në mënyrë të rregullt. Përveç kësaj të huajt
shikohen me dyshim.
Studentët u lidhën menjëherë me kishat e tyre dhe të misionarët tanë
u nisën me adresa të sakta, ku gjetën njerëz që t’i ndihmojnë, gjetën
ushqim dhe fjetjen e siguruar. Zoti është administratori më i aftë! Ai ka
qenë gjithmonë pranë meje, dashuria e tij më ka shoqëuar në këtë vend
të shkretë, më tepër se kudo tjetër.
Të gjithë misionarët tanë, kur u kthyen, na treguan gjëra të
jashtëzakonshme, që nxirrnin në dritë kujdesin e Zotit dhe dashurinë e
Tij për ata izraelitë që jetojnë në ato vende të izoluara. Iveta një vajzë e re
nga Çekia, e cila së bashku me shoqen e saj Martina,që ishte një nga
pionieret në punën tonë në Siberi, na tregoi për vizitën e saj në një
qendër të largët:
“Një nxitje e fortë e brendshme më tregonte se Zoti dëshironte që unë
të largohem nga Madagani për të shkuar në brendësi të vendit. Desha
të shkoj në një vendbanim që ndodhet 600 km në veri. Mjeti i vetëm
i transportit për atje është një autobus i vogël, i cili e përshkron
këtë distancë një herë në javë. Rruga është e paasfaltuar dhe gjithë
gropa. Gjatë gjithë kohës duhet të mbahesh fort pas sediljeve, ndryshe
rrëzohesh, kaq të forta janë tronditjet e autobusit.
Në kishim përshkruar pothuaj 300 kilometra, motori u shua dhe
autobusi ndaloi në vend. Me të hapur derën, vërshuan qindra mushkonja
dhe u futën në autobus që të shuanin urinë e tyre. Kurrë ndonjëherë nuk
kisha parë mushkonja kaq të mëdha. Kurrë nuk kam pasur rastin të
sulmohen nga një numur kaq i madh prej tyre. Shoferi tundi kokën dhe
tha se nuk mund ta rregullonte makinën e tij. Dhe unë e dija se duhet të
qëndronim me ditë të tëra derisa dikush të na gjente. U luta: “O Zot, të
lutem na i hap rrugën.”
“Papritur shoferi ngriti sytë dhe tha: “Kam një ide.” Brenda gjysëm
ore, autobusi u nis përsëri. Kur arritëm në vendbanimin e caktuar ishte
një mrekulli e vërtetë. Ky vendbanim ishte si një oaz në mes të
shkretëtirës. Në atë vendbanim kishte edhe një kishë dhe me ndihmën e
tyre ne gjetëm më shumë se 30 familje izraelite. Disa prej tyre kurrë nuk
kishin dëgjuar fjalë të tilla si ato që u kishim thënë ne: “Është koha që ju
të shkoni në atdheun tuaj, në tokën tuaj. Zoti i Izraelit ka përgatitur një
vend për ju. Atje ju do të keni një të ardhme. Planet e Zotit për ju janë të
mira.” Ata kishin dëgjuar rreth Izraelit, por ata kishin menduar se është e
pamundur që të shkojnë atje. Ne u thamë se do t’i ndihmonim. Disa u
çuditën jashtë mase se si mundëm t’i gjenim, sepse ata nuk i
kishin treguar askujt se ishin hebrenj dhe ata kujtonin se askush në atë
zonë nuk e dinte,- por njerëzit e dinin me saktësi se kush ishte secili prej
tyre.
Një grua izraelite përjetoi një shok, kur mori vesh se unë e dija se ajo
nuk ishte ruse por izraelite. Ajo nuk deshi të bisedojë me mua, filloi të
thotë vetëm jo, jo, jo, dhe ma mbylli derën.
Pastaj unë u luta: “O Zot të lutem kujdesu që të kem një rrugë të
lehtë kthimi.” Në atë zonë ka shumë miniera ari, ku dikur punonin të
burgosurit. Ne shkuam në një minierë ari ku ende vazhdohej të punohej
dhe menaxheri i saj më tha: “Mua më duhet të shkoj në Magadan me
helikopterin tim, po deshe, do të marr me vete. Për dy orë unë isha në
Magadan.”
Nuk ishte një gjë e lehtë të ndihmoje hebrenjtë në këto zona të
largëta. Edhe gjërat më të thjeshta si të bëje një fotografi për pashaportë
ose të kontrolloje dokumentat ose të nxirrje një pashaportë ishin gjëra
tepër të vështira. Gjithçka kryhej shumë ngadalë, në disa raste ne na
duhej të merrnim dokumenta nga republikat e tjera, që vërtetonin se
personat ishin me të vërtetë hebrenj.
Gjatë 2 viteve të para si pasojë e “peshkimit” tonë më tepër se 2000
vetë emigruan në Izrael. Ne i çuam ata me anë të ajrit, autobuzave ose me
tren deri në një hotel të vogël Habarosk, ku ata mund të prisnin të sigurt
deri sa Agjencia Izraelite të na dërgonte ndonjë avion për t’i marrë për
në Izrael. Por edhe rruga për në këtë hotel, ishte shpesh për shumë veta
e gjatë dhe me vështirësi të shumta. Nuk do ta harroj kurrë një grua
plakë me paterica që takova aty në atë kohë. Ajo ishte shumë e shkurtër,
vetëm 1 metër e 37 centimetra. Misionarët tanë na thoshin vazhdimisht:
“Gustav, atë ti duhet ta takosh patjetër, ajo është një grua e
jashtëzakonshme” ,pastaj me zë të ulët më thoshin në vesh: “Ajo e njeh
Jezu Krishtin.”
Ne deshëm të bënim fotografi të përbashkët. Ajo tha: “Unë jam shumë
e shkurtër” le të shkojmë tek shkallët.”
Kështu ajo u ngjit një shkallë më lart se të tjerët pastaj ajo tha:
“Përsëri jam shumë e shkurtër” Dhe u ngjit edhe një shkallë tjetër. Tani
ajo kish pothuaj të njëjtën gjatësi me mua. Kështu e bëmë fotografinë
tonë të përbashkët. Pastaj qëndruam bashkë mjaft gjatë. Ajo ishte 81 vjeç,
nuk kishte asnjë dhëmb, por sytë i shkëlqenin. Ajo donte të ktheheshe
në Izrael.
Ekspeditat tona kanë provuar se ka mijëra hebrenj që ende jetojnë
në Lindjen e Largët nga Magadani lart deri në Ngushticën e Beringut.
Një territor jashtëzakonisht i gjerë. Shumë prej hebrenjve kanë ardhur
këtu si të burgosur edhe ata, që mbijetuan, familjet e tyre vazhdojnë të
jetojnë edhe sot aty, në ish vendin e burgjeve e të kampeve të
përqëndrimit.
Shpesh ata nuk tregojnë se janë hebrenj për t’i shpëtuar persekutimit.
Kjo e bën të pamundur të jepet një numër i saktë se sa hebrenj jetojnë
aty. Vetëm tani vijnë dhe e tregojnë identitetit e tyre që të mund të
largohen, tani që është hapur një rrugë shpëtimi.
Ndihma humanitare është çelësi, që hap rrugën e kontakteve me
hebrenjtë në këto zona të vështira. Po të shkosh në një sinagogë dhe
t’i thuash rabiut se dëshiron të flasësh për një vizion që ke, shumë pak
veta do të tregojnë interes e do të vijnë për të të dëgjuar. Por në qoftë
se shkon dhe shpall se dëshiron t’u shpërndash ndihma humanitare të
gjithë pjestarëve të sinagogës, me siguri do të vijnë të gjithë. Pastaj, pasi
ta kesh treguar me vepra se vërtet do që t’i ndihmosh, atëhere edhe fjalët
e tua do të merren më seriozisht.
Një nga misionarët tanë më tha: “A dëshiron të vizitosh me të varfërit e të
varfërve?”Unë ju përgjigja: “Po” megjithëse e kam tepër të vështirë
të shkoj në këto lloj shtëpish ku varfëria e mjerimi shfaqen në formën e
tyre të plotë. Ne shkuam atje me autobusin tonë të vogël. Ajo që më
preku thellë në zemër ishte fakti se, sapo ne arritëm atje, menjëherë si
fëmijët ashtu edhe pleqtë dolën dhe e përqafuan misionaren tonë. Ata
tashmë ishin bërë miq. Ajo më tha: “Gustav tani që jemi miqësuar, tani
unë mund t’u them këtyre njerëzve se ka ardhur koha të shkojnë në
atdheun e tyre , në Izrael.”
Nuk është e lehtë të fitosh besimin e izraelitëve në Rusi. Kjo gjë
kërkon kohë, kërkon përkushtim. Unë gjithmonë u them atyre që
vullnetarisht vijnë tek ne për të shkuar si misionarë: “Dashuria nuk
dështon kurrë”.
Puna jonë është si puna e bujkut: “Fillmisht hapim një tokë të re, pastaj
e plugojmë dhe hedhim farën, pasi kemi hedhur farën e ujitim me kujdes
dhe më në fund Zoti do të na japë mundësinë të korrim frytet.”
Nga Siberia Elsa dhe unë vazhduam fluturimi drejt lindjes për në
Alaskë. Ishte një ditë e mrekullueshme dhe unë shijova pamjen e majave
me dëborë, akullnajat dhe luginat gjatë gjashtë orëve të fluturimit. Ato
më kujtuan mua një vizion, që më kishin rrëfyer: një ditë një numër
i madh hebrenjsh do të shtegtonte në këtë tokë të braktisur
nëpërmjet Ngushticës së Beringut në Alaskë.
Elsa rrinte pas meje mbështetur në një dritare duke parë me
vëmendje tokën që nga ajri. Sa më gjatë shikonte aq më shumë dyshonte
se do t’ishte e mundshme një shtegtim i këtillë.” Do të ketë pleq, fëmijë,
invalidë,” mendonte ajo. “Bisha të egra rrojnë në këtë zonë si tigrat
siberianë, arinjtë dhe ujqit.” “O Zot, tha ajo në shpirtin e saj, në qoftë se
ky vizion është i vërtetë, më jep një shenjë!”
Ndërsa ajo vazhdonte të shikonte iu shfaq një pamje si një skulpturë
e formuar prej maleve, luginave dhe akullnajave të çara tëposhtë. Ishte si
një shqiponjë e madhe me krahët e hapura. Papritmas iu kujtuan fjalët,
që Zoti i tha Moisiut te Eksodi 19:4
“Ju e patë atë, që u bëra egjiptasve dhe si ju solla mbi krahë
shqiponje pranë Meje.”
Ndërsa po shkruaj këto radhe ne kemi filluar të studiojmë mundësinë
e një rrugë ajrore të olimëve nëpërmjet Alaskës. Pata gëzimin të flas
në një kishë të Alaskës për mundësinë e emigrimit në këtë shteg,
të eksodit nëpërmjet Ngushticës së Beringut. Ishte ky një takim, që
na elektrizoi. Pastori m’erdhi përpara dhe më tha: “Ne tashmë si kishë
kemi bërë përgatitjet që të strehojmë hebrenjtë, që do të vijnë këtu.”
A mundet vallë që rrethanat të bëjnë të domosdoshme një rrugë të
tillë shpëtimi? Unë e pata marrë një mësim nga udhëtim im i parë trans –
Siberian, të cilin nuk kam për ta harruar. Kjo ndodhi në kufi me
Mongolinë. Treni ndaloi në një qytet të quajtur Çita. I thashë Elsës të
blejë buke, ndërkohë që unë do të bëja disa fotografi, pashë se ime shoqe
nuk po çante dot përpara drejt banakut të drunjtë. Të gjithë shtyheshin.
Nuk ishim në Angli. U afrova dhe fillova të shtyj e të çaj përpara me
bërryla derisa ia dola. Mbërrita te banaku dhe mbështeta aparatet për të
paguar. Sapo mora bukët pashë se treni po nisej ngadalë në stacioni. Në
këto anë treni i pasagjerëve kalon një herë në tri ditë. Elsa dhe unë u
nisëm me vrap. E kapëm me vështirësi njërin nga vagonat e fundit,
hipëm dhe çamë përpara deri në kabinën tonë. U ula duke mbajtur në
dorë dy bukët.
“Bobo!” thirra. “Kam lënë të dy aparatët fotografikë në banak!”
Më vinte shumë inat me veten time. I humba që të dy aparatët!
Menjëherë u ngrita dhe shkova në një kabinë të trenit, ku gjendej një
person që u jepte informacionin udhëtarëve. Atje pyeta se ku ndodhej
zyra, ku regjistroheshin sendet e humbura, për të paraqitur rastin tim.
Ajo qeshi dhe më tha: “Këto lloj zyrash shërbimi nuk ka në Rusi!”
Por unë isha duke zierë përbrenda nga inati për humbjen, kur më foli
Zoti dhe më tha:
“Kështu do t’u ndodhë të gjithë hebrenjve, që nuk largohen tani. Do të
vijë dita të lënë gjithçka dhe do të vrapojnë për të shpëtuar jetën e tyre”.
Ndonëse ne vazhdonim veprimtarinë e peshkatarëve, unë besoj se koha
e gjahtarëve është e afërt, ashtu si përshkruhet te Jeremia 16:16.
Bashkëpunëtori ynë Kejlli, më tregonte se, kur kishte shkuar në një
pyll, në atdheun e tij në Suedi, për t’u lutur për ne dhe për punën
tonë; papritur i doli përpara një gjahtar, i cili i tha me zemërim: “Hesht,
ti po më tremb gjahun!” Kjelli e kuptoi se nuk ishte një rastësi, por një
shenjë profetike.
Antisemitizmi nuk ka vdekur. Një djalë të ri izraelit, që ne po e
ndihmonim të emigronte nga lindja e largët e Siberisë, e vranë gjashtë
ditë para se ai të fluturonte për në Tel-Aviv.
Një muaj më parë, një burrë dhe një grua, të dy hebrenj, që punonin
për Agjencinë Izraelite në një qytet tjetër të Siberisë, u rrahën keq nga
dy burra, të cilët, pasi u morën gjithçka që kishin, u thanë: “Tani ju i
paguat borxhet, që ia kishit Rusisë. Tani ju japim lejen që të emigroni për
në Izrael.” Një ekipi ynë i ndihmoi dhe ata u nisën për në Izrael pas
gjashtë ditësh. Grupet ultranacionaliste po nxisnin urrejtjen ndaj
izraelitëve në Siberi. Unë i kam parë me sytë e mi shenjat, që ata
vizatojnë nëpër muret e qyteteve, kam parë gjithashtu gazetat, ku ata
bëjnë thirje për likujdimin e të gjithë hebrenjve. E ndiej se koha po shkon
drejt fundit. Këtë e ndiejnë edhe njerëzit tanë, që i janë përkushtuar
lutjes. Shpirti i Shenjtë thotë se po afrohen kohë të turbullta. Zoti ka
shprehur këtë njoftim nëpërmjet profetit:
“Çohuni, çohuni! Ikni nga vendi i veriut!”
(Zakaria 2:6)
Një natë në zyrën tonë në Bournemouth, papritur u rrëzua ora e
murit dhe u thye përdhe, dhe pushoi se punuari, akrepat ngelën në orën
12 pa 2 minuta, para mesnatës. Ne na u duk kjo si një përkujtesë.
Ngadonjëherë përpiqemi t’ua themi këto gjëra izraelitëve. Shumë syresh
nuk janë të gatshëm të na besojnë. Është në natyrën e njeriut që të
shpresojnë se do të vijnë kohë të mira. Shumë na kanë thënë: “Ne do të
jemi të fundit që do të largohemi.”
Kur Elsa u tha bashkëpunëtorëve tanë hebrenj në Odesë se kabinat
e zbrazëta të lundrimeve në 1993 do të theshin jetë hebrenjsh një ditë,
ata na quajtën të lajthitur.
Aktivisti sionisit Vladimir Jabotinski, kur u përpoq të paralajmërojë për
rrezikun, që u kanosej hebrenjve të Europës u trajtua njësoj si ne.
Jo vetëm në Alaskë, por edhe në Amerikën e Veriut si dhe në
Europë, kudo ku ka kisha, miq dhe besimtarë të veçuar, të cilët bëjnë
përgatitje materiale të ndihmojmë hebrenjtë për të kthyer në atdhe. Një
mik më tregoi se kishte pasur një ëndërr profetike se si persekutoheshin
hebrenjtë, se si nuk mund të shkonin nga njëri vend në tjetrin. Ai pa
gjakderdhje dhe skena të tmerrshme. Vetëm një vend mbetej i sigurtë për
ta-Izraeli.
Kur ai u zgjua qau dhe e pyeti Zotin përse nuk kishte asnjë njeri që
të ndihmonte njerëzit e Tij. Atëherë Zoti i tregoi një hartë të madhe
të botës, ku shkëlqenin shumë dritërza të vogla dhe ai kuptoi se
ato përfaqësonin të krishterët, besimtarë të Biblës, të cilët do
t’i ndihmojnnë popullin hebre të kthehet në rrugën e tij drejt shtëpisë së
vet. Mbase në brezin tonë, ashtu si në kohën e Holokaustit, të krishterët
mund të vihen para provës për të rrezikuar jetën e tyre duke
ndihmuar vëllezërit e gjakut të Jezu Krishtit.
“Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të
Mi të vegjël, Mbreti do të na përgjigjet neve një ditë “Këtë ma
bëtë Mua”. (Mateu 25:40)
EPILOG
Vendi i Perëndimit Tashmë ne kemi parë të rrëzohet Bashkimi Sovjetik dhe të fillojë
eksodi nga Veriu. Ne kemi parë të ndodhin gjëra të pabesueshme, gjëra
për të cilat besimtarët, qoftë edhe ata që janë një brez para nesh, vështirë
se mund t’i ëndërronin. Gjatë viteve janë të shumtë besimtarët, që e
kanë ndier se kthimi i Mesias është i afërt. Ne që shohim të përmbushen
këto fjalë profetike para syve tanë, kemi më shumë argumente, që
mbështesin besimin tonë. Pas një heshtjeje të gjatë Zoti po shtrin krahun
e Tij para syve të gjithë kombeve.
Ndërsa ky libër është gati për t’u shtypur ne po shohim se si
veprimtaria jonë po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme. Fondi ynë
Ebenezer tani e ka shtrirë veprimtarinë e tij në shtatë nga republikat e ish
BS. Herë pas here kujtojmë fillimin dhe mahnitemi me të gjitha ato që
Zoti i Izraelit ka kryer. E filluam punën tonë me tre vetë. Tani kemi një
personel prej 150 vetësh. Brenda një muaji kthehen në Izrael më shumë
emigrantë nga sa ktheheshin dikur gjatë një viti të tërë. Si pasojë e lutjeve
tona, Zoti po u hap rrugën atyre, që duan të emigrojnë. Ai po mbledh
fonde dhe po dërgon vazhdimisht misionarë, që të na ndihmojnë. Ne
kemi ecur përpara deri në pikën në të cilën Zoti na ka ndihmuar
të shkojmë në mirësinë e Tij dhe e ndjemë se ky është vetëm fillimi.
Kanë për të ndodhur gjëra të jashtëzakonshme dhe jo vetëm në vendin e
Veriut.
Për mua janë të paharrueshme fjalët, që më thoshte vazhdimisht
Kingsli Pridi, përpara se të largohej nga kjo jetë drejt banesës së
lavdishme më 1995: “Nëpërmjet Operacionit Eksodi Shpirti i Shenjtë po
thyhen armët e të ligut, kështu që ai do të jetë i pafuqishëm të
kundërshtojë vërshimin e Shpirtit, kur të vijë koha për të thirrur të gjithë
hebrenjtë në Izrael nga të gjitha anët e globit”. Këtu përfshihet edhe
vendi i Perëndimit. Sot ka shumë izraelitë në SHBA, më shumë se në
ndonjë vend tjetër, përfshi edhe Izraelin. Qindra mijë të tjerë gjenden në
Britani, Francë dhe Kanada. Është e vërtetë që sot, një eksod nga vendet
e perëndimit as që mund të merret me mend, por edhe fundi i BS dukej
po aq i largët në kohën e takimit tonë Town-Hall.
Gjatë shtatë viteve të parë të punës sonë ne prumë 20000 olim në
Izrael, por do të vijë dita që Kisha e krishterë do të shohë më shumë fryte
të kthimit botëror përfundimtar. Lutja jonë në atë kohë nuk do të jetë
e përqëndruar vetëm në kthimin e hebrenjve në Tokën e Premtuar,
sepse Shpirti i Shenjtë po punon që hebrenjtë të lidhen përsëri me
trungun e rrënjët e pemës, ku ne të krishterët jemi shartuar me anë të
besimit të Jezu Krishtit. Në atë ditë do të jemi një, të panjollosur dhe të
pastër shpirtërisht; si një nuse që pret me padurim ardhjen e dhëndrit të
saj. Prandaj dhe lutja ime është e dyfishtë:
“O Atë i dashur, zgjate kohën e mëshirës në të cilën ne mund të
ndihmojmë popullin tënd të zgjedhur të shkojë në shtëpinë e vet. Edhe
kështu, Zoti Jezu Krisht, eja sa më shpejt.”
SHTOJCË
Teksti i letrës të Kingsley Priddy nga Kolegji i Biblës të Wales:
At Eastbourne
22.IX.’94
I dashur Gustav dhe Elsa,
…Zoti, Shpirti i Shenjtë vepron në “Operacionin Eksodi” në mënyrë
të jashtëzakonshme.
Shërbimi i Tij është të ndërmjetësojë për kthimin e hebrenjve në
Izrael. Është Ai, që nëpërmjet këtij shërbimi po merr një pozitë
ndërmjetësimi, që do të triumfojë për kthimin përfundimtar të
hebrenjve nga të gjitha vendet e botës…
Kohë më parë ju më kërkuat që t’ju shpjegoj me shkrim diçka rreth
anës shpirtërore të ndërmjetësimit, në “Operacionin Eksodi”. Që kur
ma drejtuat kërkesën tuaj, unë e mora seriozisht, dhe e ndjeva veten
përgjegjës që tu jap përgjigjen e duhur. Kam pyetur Zotin, i kam kërkuar
që Ai të më japë mençurinë dhe fjalët e duhra.
Duhet ta kemi të qartë se lutja Zëvendësuese nuk është thjesht një lutje.
Ajo madje nuk është as edhe thjesht një lutje e përkushtuar e me
intensitet të lartë. Në lutjen Zevendësuese shkohet më tej. Në këtë lloj
lutjeje ka një identifikim të vetvetes me njerëzit dhe çështjen, për të cilën
lutemi. Ndërmjetësuesi është i gatshëm të zerë vendin e atij, për të cilit
lutet; ai pranon që nevojat e tjetrit të bëhen nevojat e tij. Ai pranon që të
vuajë vetë duke marrë përsipër barrën e personave për të cilët lutet, dhe
pranon që vuajtja e tyre të bëhet mundimi i zemrës së tij.
Në këtë mënyrë Jezu Krishti “bëri ndërmjetësimin për keqbërësit”
(Isaia 53:12).
“Ai u numërua me të paudhët” dhe “Ai u plagos përpaudhësitë
e tyre”. Jezusi u identifikua krejtësisht me mëkatarët, morri mbi vetvete
krejt mëkatin e tyre bëri të mundur që ata të falen duke paguar Ai vetë,
me gjakun e tij dënimin që ne meritonim.
Ai shkoi deri atje “të bëhet mëkat” për ne që të mund të dalim të
drejtë para Zotit. Ai pranoi të ndeshej me çdo gjë,me çdo ngasje me të
cilën përballet çdo njeri në rrugën e tundimit. Jezusi pranoi të përjetonte
vetë të gjitha kundërshtimet satanike, që janë të pranishme në
botën mëkatare. Satani pati të drejtë ta sulmojë Jezu Krishtin me gjithë
mjetet, me të gjithë potencialin e mbretërisë së tij të errësirës. Jezusi tha
kur përfaqësuesit e pushtetit vajtën ta lidhnin:
“Kjo është ora juaj”. (Luka 22: 53).
“Në çdo gjë Ai duhet t’u ngjante vëllezërve”… Të bëhej pajtim
për mëkatet e popullit. Sepse duke qenë Ai vetë, që vuajti, kur
u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që
tundohen”. (Hebrenjve 2:17-18)
Dhe meqënëse “paga e mëkatit është vdekja”, Ai do të merrte
pjesë nga mishi dhe gjaku ynë “sepse me anë të vdekjes Ai
mund ta shkatërronte atë, që kishte pushtetin e vdekjes,
domethënë, djallin; dhe të çlironte të gjithë ata, që nga frika e
vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.”
(Hebrenjve 2:14-15)
Vetëm me një identifikim të tillë me mëkatarët, edhe duke vuajtur
pasojat e skajshme të mëkatit, vetëm kështu Jezu Krishti mundi të korrë
fitoren e plotë kundër mëkatit e kundër autorit të mëkatit, kundër
Satanait vetë., Prandaj dhe apostulli Pal shkruan tek Rom. 8:
33-Kush do t`i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia
është ai që i shfajëson.
34-Kush është ai që do t`i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po
për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë
dhe ai ndërmjetëson për ne.
Heb. 7:25
25-Ai mund të shpëtojë plotësisht ata, të cilët nëpërmjet Tij i
afrohen Perëndisë, sepse rron gjithmonë që të ndërmjetësojë
për ta”.
Profeti që iu afrua më tepër një pozite të tillë në Dhjatën e Vjetër
ishte Moisiu, kur pranoi të bëhej fli, në qoftë se mëkati i Izraelit nuk
mund të falej ndryshe, ai Moisiu deshi të zinte vendin e tyre dhe
ndëshkimi i Perëndisë të binte mbi të:
“Megjithatë, të lutem, falua mëkatin e tyre, përndryshe më fshi
mua nga libri yt, që ke shkruar.” (Eksodi 32: 32)
Edhe profetë të tjerë u identifikuan me kombin e tyre deri në atë masë
sa të ndërmjetësonin për të. Mund të përmendim edhe Jereminë, kur
ndjeu barrën e kombit kaq të rëndë sa nuk mundi të profetizojë më, e
ndjeu vetveten në darën e shtypjes, ndërsa zjarri, i mbyllur në eshtrat e
tij, nuk mund të përmbahej dot (Jeremia 20:8). Kështu Jeremia u
identifikua aq shumë me kombin e vet sa edhe pas shkatërrimit të
Jerusalemit, kur mbreti i Babilonisë ishte gati t’i japë lirinë dhe
mbrojtjen, ai zgjodhi t’i shërbejë popullit të tij të mbetur, ndonëse ata
nuk përfillën udhëzimet e Zotit dhe ikën drejt Egjiptit.
Esteri ishte një ndërmjetësuese tjetër, që vuri jetën e saj në rrezik që
të shpëtohet kombi i saj. (Esteri 4: 16)
Po kështu identifikimi i profetit Daniel duket qartë në Daniel 9, kur ai la
çdo gjë mënjanë për t’iu përkushtuar lutjes në mënyrë që kombi i tij të
çlirohej nga robëria dhe të kthehej në vendin e vet, ashtu si kishte
profetizuar Jeremia. Danieli jo vetëm arriti në lartësinë që Zoti ti
plotësojë lutjen, por me anën e përkushtimit të tij ai u ngjit në lartësi të
tilla shpirtërore sa të zbulonte misteret, për ardhjen e Mesias
dhe vetëflijimin e Tij për shlyerjen e mëkateve (Danieli 9: 20-27).
Por në shumicën e rasteve, Zoti më kot kërkoi të gjente njerëz të tillë:
“Ai pa se nuk kishte asnjë dhe u habit që askush nuk
ndërhynte” (Isaia 59: 16).
Në një kohë më të vonë Ai thotë:
“Unë kërkova midis tyre një burrë që të ndërtonte një mur
dhe t’i dilte për zot vendit…por nuk e gjeta”
(Ezekiel 22:30).
Në epokën tonë të Dhjatës së Re është vetë Shpirti i Shenjtë, që ka marrë
rolin e vërtetë të ndërmjetësit në tokë:Rom. 8: 26
“Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse
ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet;
por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të
patregueshme.. “
Por Fryma i Shenjtë kurë nuk e dhunon vullnetin e lirë të personit. Ai
mund të veprojë vetëm tek ata besimtarë që vullnetarisht pranojnë që
trupi i tyre të bëhet një tempull i Tij (Shpirtit të Shenjtë).
Vetëm besimtari mund të vendosë nëse trupi i tij të paraqitet ndaj Zotit
si “fli të gjallë”. (Romakët 12:1)
Kjo kërkon që secili nga ne të përkushtohet çdo ditë, të kryqëzojë
dëshirat mëkatare të mishit, të mposhtë egoizmin në mënyrë që Shpirti i
Shenjtë të jetë i lirë të jetojë jetën e Tij brenda atij trupi, ashtu si thotë
Pali:
“Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për
Jezunë, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të
vdekshëm. Dhe kështu te ne vepron vdekja, ndërsa te ju jeta”
(2 Korintasve 4: 11-12)
Është një shërbim i kushtueshëm, por i lavdishëm.
Kështu personi lehtas shkon gjithmonë e më tepër duke u identifikuar
me Shpirtin që jeton brenda tij. Vetëm kështu, të dy bashkuar besimtari
dhe Fryma i Shenjtë, krejt në harmoni me njëri-tjetrin, shkojnë sëbashku
drejt atij objektivi ndërmjetësues për të cilin drejtohet lutja!
Dhimbja dhe vështirësitë, që përjetojmë në procesin e vetflijimit tonë
shkaktohen nga mbeturinat e natyrës mëkatare që kemi brenda
nesh: elemente krenarie, egoizmi, kryeneçesie, zilie etj. Të gjitha këto
duhet të “të kryqëzohen me Krishtin” (Galatasit 2: 20) dhe të
zëvendësohen me “veshjen e njeriut të ri, krijuar sipas Perëndisë në
drejtësinë dhe Shenjtërinë e së vërtetës”. (Efesianët 4: 24)
Rruga e Zotit është gjithmonë rruga e kryqit. Vetëm nëpërmjet vdekjes,
vdekjes së egoizmit dhe të gjitha mbeturinave të natyrës mëkatare, mund
të realizohet jeta e ringjalljes. “Në të vërtetë po ju them: nëse
kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme,
por pot ë vdesë jep shumë fryt.” (Gjoni 12:24).
Le të marrim si shembull një rast,kur një besimtar i pajisur me dituri dhe
me gjitha dhuntitë e duhura shpirtërore nga Zoti, ka ecur plotësisht në
përputhje me vullnetin e Zotit. Kjo ka bërë që ai të korrë një sukses të
jashtëzakonshëm. Në qoftë se ky person më parë nuk e ka çliruar
vetveten nga të gjitha mbeturinat e natyrës së tij mëkatare adamike, në
qoftë se ai nuk ka flakur tutje çdo mbeturinë të mëndjemadhësisë dhe
egoizmit, do të çohet në ngasje të mendojë se një pjesë e suksesit është
arritur në sajë të aftësive të tija vetjake. Kjo është arsyeja që në disa faza
puna e Zotit duket sikur shkon drejt disfatës, vdekjes, kështu që
instrumenti njerëzor të kuptojë se me aftësitë e tij njerëzore nuk mund të
arrijë asgjë.
Kur kjo gjë bëhet e qartë, kur personi i zgjedhur nga Zoti arrin të kuptojë
se ai me aftësitë e tija personale nuk mund të arrijë asgjë, vetëm atëhere
atëherë Zoti sjell fuqinë e ringjalljes, të fitores. Në këtë rast instrumenti
njerëzor nuk prek kurrë lavdinë e cila i takon vetën Zotit, madje as në
mendim!
Por dhimbjet e vështirësitë vijnë gjithashtu për të na provuar. Ata njerëz
që ecin në rrugën e Zotit dhe plotësojnë vullnetin e Tij do të luftohen e do
të kundërshtohen gjithmonë nga djalli. Agjentët e Satanait do të
kundërshtorjnë me siguri veprën e Zotit dhe do të përdorin çdo mjet, që
kanë në dorë për ta bërë këtë.
Shpirti i Shenjtë nëpërmjet personave, që Ai drejton duhet të mposhtë
dhe shkatërrojë çdo sulm të këtillë duke marrë pushtet nga
fitorja përfundimtare e Kalvarit dhe duke e vënë në zbatim nëpërmjet
besimit dhe bindjes, duke përdorur “shpatën e Frymës, që është fjala e
Perëndisë.”
Pasi armiku të mposhtet në të gjitha pikat, vendoset një fitore, e cila
mund të zbatohet dhe të përdoret përsëri në rrethana të ngjashme.
Kësodore personi që lutet ka mposhtur çdo pengesë dhe ka fituar një
pozitë ndërmjetësimi, nga e cila mund të ndërmjetësojë edhe në të
ardhmen.
Shembulli më i qartë për këtë parim shpirtëror është shembulli i
Jezu Krishtit vetë, fitorja e Tij përfundimtare në Kalvar. Pasi Jezusi korri
një fitore të plotë e të përjetëshme tani Ai që “jeton përjetë
dhe ndërmjetëson për çdo mëkatar”, që do të shkojë te Zoti
Perëndi nëpërmjet Tij.
Në të njëjtën mënyrë e sips këtij parimi po e përdor Shpirti i Shenjtë
“Operacionin Eksodi” për të fituar një pozitë ndërmjetësimi për kthimin
e pastajmë të hebrenjve nga çdo anë e botës. Megjithëse kjo është
parathënë qartë në Shkrimin e Shenjtë dhe është i sigurt plotësimi i tij,
kjo nuk mund të ndodhë automatikisht.
Po ashtu Zoti ynë Jezu Krisht tha se “ky ungjill i mbretërisë do të
predikohet në të gjithë botën si dëshmi për të gjithë kombet” përpara se
të vijë mbarimi.Ky është një fakt i vendosur përjetësisht dhe do të
ndodhë patjetër, megjithatë Shpirti i Shenjtë nuk do të jetë në gjendje ta
bëjë këtë gjë pa jetët e turmave të shenjtorëve, persona që ja dorëzojnë
vullnetarisht jetën, trupin e tyre si fli të gjallë, në mënyrë që Fryma i
Shenjtë të veprojë lirisht e pa asnjë pengim nëpërmjet tyre.
Edhe në rastin e “Operacionit Eksodi” ka mundësi që djallit t’i lejohet
të shkaktojë çdo lloj kundërshtimi kundër tij me çka mund të trillojë. Por
me besimin dhe bindjen e shenjtë të besimtarëve të Tij, Shpirti i Shenjtë
i kapërcen çfarëdo pengese, çfarëdo armë që mund të përdorë armiku për
të ndaluar përmbushjen e eksodit të dytë. Kështu Satanai do të jetë krejt
i pafuqishëm të ndalë ngritjen e fuqishme të Shpirtit të Shenjtë kur të vijë
koha e Tij të plotësojë aliya-në përfundimtare nga të katër qoshet e
globit…
Është një privilegj i madh, por shumë i shenjtë, për Gustavin dhe
Elsën, dhe për të gjithë ata besimtarë që kanë hapur shpirtin e zemrën e
tyre, që e kanë kushtuar jetën e tyre si fli të gjallë për tu të përgatitur si
instrumente të Shpirtit të Shenjtë; shërbesëtarë të ndërmjetësimit për
këtë mbarim të kohës. Ata do të kenë nevojë dhe do të meritojnë gjithë
mbështetjen që ne të tjerët mund t’u japim një lutje dhe të tjera mënyra.
Shalom!
I juaji në dashurinë e Krishtit dhe triumfin e Tij,
Kingsley.
Jeremia 43:4-7 Romakët 8
CITIME BIBLIKE
1-Profeci nga Fjala e Zotit
Zanafilla 12:1-3 Ezekieli 20:30-35
Zanafilla 35:11-12 Ezekieli 36:17-28
Jeremia 23:3-7 Sofonia 2:1-2
Jeremia 30:10
2-Shpjegim i Profecive të Fjalës së Zotit
Isaia 49:22
Romakëve 11:11-12,17-18,25-31
Isaia 59:21 Romakëve 15:27
Ezekieli 36 Efesianëve 3:6
3.Citime të tjera për studim të mëtejshëm
Ligji i Përtërirë 4:27 Isaia 14:1-2
Ligji i Përtërirë 28:64 Isaia 27:12-13
Ligji i Përtërirë 30:1-4 Isaia 36:8-10
Ligji i Përtërirë 32:26 Isaia 40:1-5
Psalmi 105:37, 42-43 Isaia 41:8-11
Psalmi 106:4-47 Isaia 42:22
Psalmi 122:6 Isaia 43:1,2,6,8,13
Psalmi 147:1-2 Isaia 44:3-6
Isaia 11:10-12 Isaia 45:2-6
Isaia 49:8-10 Isaia 46:3-4
Isaia 51:14 Ezekieli 36:8,24-28
Isaia 60:4-7,10-1 2 Ezekieli 37:12-14
Jeremia 13:16-18 Ezekieli 39:27-28
Jeremia 16:14-16 Osea 3,4,11,14
Jeremia 23:3,7-8 Amosi 9:11-14
Jeremia 30:16-17 Sofonia 2:6-7
Jeremia 31:7-11,31-34 Romakëve 15:27