Upload
taulantmuja
View
171
Download
11
Embed Size (px)
Citation preview
Robert Shuman
PËR EUROPËN
Përktheu nga origjinali
Fotaq Andrea
- 1 -
© Fotaq Andrea
© Fondation Robert Schumman, Paris
- 2 -
HYRJE
Kur pas dyzet e ca vjet jete parlamentare, mosha dhe sëmundja më
detyruan të heq dorë nga çdo lloj veprimtarie politike, tërhequr në pension,
rigjeta dhe rilexova shënime e shkrime të grumbulluara pak nga pak gjatë
tërë kësaj periudhe. Dëshmi të lëna në harresë nga vrulli i punës së
përditshme, ato më dhanë mundësinë të ripërshkoj rrjedhën e ngjarjeve
nën dritën e një përvojë tashmë të fituar.
Nga Dhoma ngjyrë qielli e 1919-ës1, përfshirë në entuziazmin e atdheut
të rizbuluar2, deri në orët e errta të 1940-ës, nga gëzimi i çlirimit deri te
drama algjeriane dhe pasojat e saj, ndiej të kem pasur në vetvete privilegjin
e rrezikshëm të pjesëmarrësit aktiv në jetën publike të vendit tim, në një
epokë veçanërisht të turbullt të historisë së tij, si dhe përgjegjësinë e rëndë
për të orientuar vite të tëra politikën e tij të jashtme.
Megjithatë, as që kam ndër mend të paraqes këtu një përjetim personal
të së shkuarës. Një vëllim « Kujtimesh » pas tërë atyre ngjarjeve të
shënuara, me siguri nuk do të sillte kurrfarë risie, që të kënaqte sadopak
kureshtjen mikëpritëse të lexuesit.
Por kam përshtypjen se mendimet e një politikani, detyra themelore e të
cilit është të vrojtojë me kujdes marrëdhëniet që ekzistojnë midis njerëzve
si anëtarë të një kolektiviteti dhe midis vetë kolektiviteteve, të veprojë mbi
këto marrëdhënie në kahun e një kuptimi dhe bashkëpunimi më të mirë,
ruajnë, kur këto mendime çojnë drejt domosdoshmërisë së ndërtimit të
Europës, vlerën e një mesazhi.
Nisur nga ky qëllim, kam parashtruar në faqet që vijojnë, falë shënimeve
të shumta mbajtur në konferenca, nxjerrë nga artikuj gazetash, fjalime në
1 Dhoma e deputetëve të mandatuar pas zgjedhjeve legjislative të 16 tetorit 1919 në Francë, në të cilën përfaqësuesit e Alzasës dhe të Lorrenës u bashkuan me grupin e Antantës Republikane Demokratike. Robert Shumani, me veprimtarinë e tij, u pozicionua në krahun përparimtar të këtij grupimi të qendrës. 2 Më 11 nëntor 1918, me mbarimin e Luftës së parë botërore, Alzasa dhe Lorrena iu rikthyen sërish Francës.
- 3 -
Parlament, etj. idetë themelore që udhëhoqën veprimtarinë e zhvilluar gjatë
jetës sime politike në favor të Europës së Bashkuar.
Larg çdo fryme polemike, larg të papriturave të çastit, do dëshiroja mbi
të gjitha të dëshmoja këtu nëpërmjet bindjes sime të patundur.
Në një kohë kur, brenda hapësirës së një brezi të vetëm, ndodhën midis
njerëzve përplasje të një dhune e përmase të pashembullt, dhe kur
kërcënimi i konflikteve të reja vazhdon të rëndojë mbi mbarë njerëzimin si
një fatalitet, ndërkohë që mjetet e shkatërrimit masiv të shpikura kohët e
fundit i japin vrasjeve të ardhshme një karakter jo më të një ndeshjeje midis
forcash kundërshtare, por të një gjenocidi të përgjithshëm, ne e ndjemë që
gjendeshim në udhëkryq.
Një alternativë parashtrohej, një alternativë që do të qe vendimtare për
të shkuar në kahun e së mirës a së keqes.
Më 9 maj 1950 qeveria franceze, me deklaratën e saj solemne, zgjodhi
Europën. Europën e shpëtuar nga hitlerizmi, falë energjisë së pamposhtur
të Winston Çërçillit, nga komunizmi, falë nismës së zgjuar të G. Marshallit,
të çliruar nga luftrat e veta vëllavrasëse e shterpë, dhe që po niste me
vendosmëri rrugën e bashkësisë, garanci për lulëzim, siguri e paqe.
Mësimet e vështira të historisë më bënë të kuptoj mua, njeriut të
kufijëve, të ruhesha nga sajesa të çastit, nga projekte tepër ambiciozë, por
më bënë të kuptoj gjithashtu se kur një gjykim objektiv, i pjekur më së miri, i
mbështetur mbi realitetin e fakteve dhe interesin suprem të njerëzve, na
udhëheq drejt nismash të reja, madje revolucionare, rëndësi ka – qoftë
edhe kur këto nisma përplasen me zakonet ekzistuese, me antagonizmat
shekullore dhe rutinat e vjetra – t’u përmbahemi atyre pa u lëkundur dhe të
vazhdojmë përpara me këmbëngulje.
Europa nuk do të bëhet brenda një dite dhe pa përplasje. Asgjë e
qëndrueshme nuk realizohet me lehtësi. E megjithatë, ajo tashmë e ka
nisur rrugën e vet. Bashkësisë së Qymyrit e Çelikut3 i janë shtuar Tregu i
Përbashkët4 dhe Euratomi5. Por sidomos, përtej institucioneve dhe në
3 Bashkësia Europiane e Qymyrit dhe e Çelikut (C.E.C.A.), e njohur ndryshe si « Plani Shuman », shpallur më 9 maj 1950, me objektiv afrimin politik të vendeve Europiane nëpërmjet krijimit të një tregu të përbashkët të qymyrit e të çelikut dhe zhdukjes së çdo pengese dhe çdo diskriminimi në qarkullimin e mallrave. Trajtohet në mënyrë të veçantë nga autori në kapitullin VII të këtij libri. 4 Tregu i Përbashkët ose Bashkësia Ekonomike Europiane u krijua më 1957 nga gjashtë vende të Europës (Gjermani federale, Belgjikë, Francë, Itali, Luksemburg dhe Hollandë) për të vendosur bashkimin doganor dhe për të realizuar qarkullimin e lirë të mallrave, duke zbatuar një politikë të përbashkët në fushat e ekonomisë dhe të financës.
- 4 -
përgjigje të një aspirate të thellë të popujve, ideja Europiane, fryma e
solidaritetit të bashkësisë kanë hedhur rrënjë.
Kjo ide, « Europa », do t’u tregojë të gjithëve themelet e përbashkëta të
qytetërimit tonë dhe do të krijojë pak nga pak një lidhje të ngjashme me atë
që dikur farkëtoi vetë vendet tona. Ajo do të jetë forca para së cilës do të
thyen të gjitha pengesat.
Teksti i këtij libri është nxjerrë – pa ndryshime të rëndësishme as në përmbajtje e as në
formë – nga një numër i madh shkrimesh të llojeve të ndryshme. Ripërmbledhur në bazë të
rendit ideor, ndonjëherë ndihet në të njëfarë mungese kompaktësie, që nuk qe e mundur të
shmangej dhe për të cilën i lutem lexuesit të pranojë ndjesën time.
Dëshiroj t’u shpreh Z. Toma Shreiber, Zonjushës dë Lazhart dhe bashkëpunëtorëve të
mi Zhan-Pier Pensa e Henri Bejer, ndjenjat e mia të mirënjohjes së thellë për ndihmesën e
çmuar që më kanë dhënë.
R.S.
5 Bashkësia Europiane e energjisë atomike, krijuar më 1957, për zhvillimin e energjisë bërthamore në shtetet anëtare të këtij organizmi.
- 5 -
I
COPËZIMI I EUROPËS
ËSHTË BËRË NJË
ANAKRONIZËM ABSURD
Kufijtë politikë kanë lindur nga një evolucion historik e etnik i
respektueshëm, nga një përpjekje e gjatë bashkimi kombëtar ; as që mund
të ëndërrohet për t’i fshirë. Në kohëra të tjera, ato zhvendoseshin me anë
pushtimesh të dhunshme apo martesash të frytshme. Sot, mjaft t’i
zhvlerësosh. Kufijtë tanë në Europë lypsen të jenë përherë e më pak një
pengesë në këmbimin e ideve, njerëzve dhe të mirave materiale. Ndjenja e
solidaritetit të kombeve do ngadhënjejë mbi nacionalizmat tanimë të
kapërcyera. Këto nacionalizma kanë pasur thjesht meritën e pajisjes së
shteteve me një traditë dhe strukturë të brendshme të qëndrueshme. Mbi
bazamente të tilla të vjetra, duhet hedhur një kat i ri : mbikombëtarja do
ngrihet mbi themele kombëtare. Nuk do të ketë kësisoj kurrfarë mohimi të
një të shkuare të lavdishme, por lulëzim të ri të energjive kombëtare,
nëpërmjet vënies së tyre tërësore në shërbim të një bashkësie
mbikombëtare.
Një ideal i tillë është shumë francez. Është në përputhje me shpirtin e
një populli që përherë është prirur drejt universalizmit nëpërmjet veçorive të
tij mrekullisht të larmishme.
Nuk është fjala këtu për të shkrirë shtete, për të krijuar një super-shtet.
Shtetet tona Europiane janë një realitet historik ; do të ishte psikologjikisht
e pamundur t’i zhdukje. Larmia e tyre madje është shumë e dëshirueshme,
dhe ne nuk do donim as t’i sheshonim, as t’i barazonim.
Por na duhet një bashkim, një kohezion, një bashkërendim… Nga
pikëpamja politike, marrëveshja e qëndrueshme, organike, e arritur midis
vendeve të ndryshme, duhet të bëjë të mundur paqësimin e kësaj Europe
të përçarë. Asgjë tjetër veç bashkëpunimit dhe lulëzimit nuk shpresojmë të
arrijmë, për vendosjen e marrëveshjes midis vendeve fqinje.
Europa nuk mund të jetë një zonë ndikimi për shfrytëzim, rezervuar për
një sundim të çfarëdoshëm, politik, ushtarak a ekonomik. Por, që të
- 6 -
ekzistojë me të vërtetë, ajo duhet udhëhequr nga parimi i barazisë në të
drejta dhe detyra për të gjitha vendet e lidhura në mënyrë të tillë.
Ligji demokratik i shumicës, i vendosur lirisht në kushte dhe modalitete
të përcaktuara paraprakisht, i përqendruar mbi probleme themelore të
interesit të përbashkët, do të jetë, në fund të fundit, më i pranueshëm se
vendimet e urdhëruara prej më të fortit.
Një Europë e tillë nuk i kundërvihet kurrkujt ; ajo s’ka kurrfarë qëllimi
agresiv, kurrfarë karakteri egoist a imperialist, as brendapërbrenda vetes,
as ndaj vendeve të tjera. Ajo mbetet e hapur për këdo që do kërkojë të
marrë pjesë në të.
Ajo synon solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, një organizim
racional të botës, në të cilën duhet të jetë pjesë thelbësore.
Ç’ka përbën elementin më aktiv të Europës është aftësia e saj për të
ndihmuar efektivisht dhe në çast në zgjidhjen e nevojave të njerëzimit,
duke iu përgjigjur kështu aspiratave të reja të popujve.
Bëhet fjalë pra për një ndërmarrje paqësore.
Fryma e vërtetë Europiane është në vetvete ndërgjegjësimi ynë ndaj
realiteteve, mundësive dhe detyrave, që na bashkojnë, si njërin dhe tjetrin,
përtej kufijëve, përtej antagonizmave e urrejtjeve tona.
Ne nuk do arrijmë të hedhim poshtë si duhet nacionalizmin e tjetrit duke
i kundërvënë nacionalizmin tonë. Vala e nacionalizmave nuk mund të
ndalet veçse nëpërmjet një politike konstruktive e kolektive, në kuadrin e së
cilës gjithsekush do gjejë vetveten, falë një solidariteti të vërtetë interesash
dhe përpjekjesh. Na mbetet të provojmë, për këdo që ka mirëbesim, se
interesat e ndërthurura në këtë mënyrë nuk janë të papajtueshme, sikundër
janë, në të kundërt, nacionalizmat që hasen e përplasen me shoshoq.
Interesat janë, është e vërtetë, të ndërvarura dhe mund të plotësohen
vetëm nëpërmjet përbashkësimit të të gjitha burimeve.
Lypset që te secili të zërë rrënjë bindja se ne kemi nevojë për njëri-
tjetrin, pa nxjerrë në plan të parë vendin dhe fuqinë që zotërojmë. Mjetet
tona nuk janë më në nivelin e kërkesave që na parashtrohen. Kjo është një
e vërtetë e hidhur dhe ne nuk kemi të drejtë ta fshehim. S’ka pse të na vijë
turp për të njohur këtë ndryshim të gjendjes. Kundërshtimi ynë për të mos e
pranuar do të ishte shenjë e një mendjemadhësie rrezikshmërisht të
pakuptimtë.
Izolimi është bërë jo vetëm shkak dobësimi, por edhe shkak rënieje.
- 7 -
Franca, më 1789, u bë lajmëtare e një regjimi të ri, e një çlirimi individual
e politik. Ushtarët e saj qenë përhapësit e një lirie ngadhënjyese, për të
cilën mund të diskutohej a të diskutohet edhe sot lidhur me mënyrat që u
vunë në përdorim, të ashpra e të dhunshme, por që çelte një etapë
vendimtare në lulëzimin e gjinisë njerëzore.
Më 1950, Franca u paraqit edhe një herë si ithtare e një ideali të ri,
revolucionar në konceptimin dhe rëndësinë e tij, por paqësor në mënyrën e
realizimit të tij. Ky ideal nuk vinte në dyshim as pavarësinë, as neutralitetin
e kurrkujt.
Ne kemi mësuar domosdo, si njeri dhe tjetri, të mos i zëmë besë
kurrgjëje që përbën propagandë, kjo formë bashkëkohore e invadimeve
armiqësore, shkatërrimtare e traditave tona më të çmueshme. Po prapë,
idetë tona i kanë kapërcyer tashmë tërë kufijtë ndarës, jo për t’i hedhur
këto tradhtisht në erë, po për t’ia parashtruar kritikës, për të kërkuar
mendime, këshilla miqësore dhe përvojë.
Politika Europiane, në frymën tonë nuk është kurrsesi kontradiktore me
idealin atdhetar të secilit prej nesh. Para mijëra vjetësh, bashkësitë e para
njerëzore u krijuan përtej kufijëve të familjes, duke u mbështetur mbi të, në
fiset primitive. Më vonë u krijuan komunat, duke u zhvilluar përherë e më
shumë vetë qyteti ; askujt nuk do t’i shkonte ndër mend të akuzonte këtë
evolucion se ka penguar rolin e familjes. E njëjta gjë mund të thuhet për
çdo organizim mbikombëtar që e tejkalon kombin, jo për ta zvogëluar e
asimiluar, po për t’i dhënë një fushë veprimi më të gjerë e më të ngritur.
Kombi ka një mision jo vetëm ndaj bashkëkombasve të vet, por edhe, e po
në atë shkallë, ndaj kombeve të tjerë. S’mundet pra të kufizohet thjesht në
njërin prej këtyre roleve, në atë të parin.
Megjithatë, për aq kohë sa një komb nuk ka përkryer strukturën e vet,
unitetin e vet të brendshëm, për aq kohë sa ai kërcënohet në ekzistencën
apo në pavarësinë e tij, dhe fqinjët sillen ndaj tij si rivalë a kundërshtarë,
është pikërisht nacionalizmi, lartësimi i ndjenjës atdhetare që përbën
shprehjen më të pastër të detyrës qytetare. Në vazhdimësi, sikurse ndodh
shpesh në veprimet e njerëzve, çka përbën virtyt degjeneron në ves, çka
ishte një refleks i ligjshëm shpëtimi e mbrojtjeje kthehet në burim
konfliktesh dhe pasigurie. Kjo dëshmon edhe një herë tjetër për relativitetin
e vlerave tokësore.
Pas dy luftrash botërore, arritëm më në fund të pranojmë se garancia
më e mirë për kombin nuk qëndron më në shkëlqimin e vet izolues, as në
- 8 -
forcën e vet, e çfarëdo fuqie qoftë, por në solidaritetin e kombeve që
udhëhiqen nga e njëjta frymë dhe që pranojnë detyra të përbashkëta në një
interes të përbashkët.
Aspiratat tona politike s’kemi pse t’i kërkojmë më tek Moris Barresi6 apo
Deruledi7.
Nacionalja lulëzon në mbinacionalen. Politika Europiane ka për qëllim
t’u japë popujve të lirë të Europës një strukturë organike, të aftë për t’i
dhënë fund anarkisë në të cilën ata po përpëliten, të pafuqishëm, ngaqë të
paaftë për të zotëruar me vetë mjetet e tyre problemet e mëdha që u dalin
përpara.
Deri në luftën e fundit, bashkëpunimi i tyre shfaqej kryesisht në formë
traktatesh për aleanca, konstelacione këto të përkohëshme, të lidhura e të
zgjidhura mbi bazën e ambicieve e të mërive. Aleanca pro dhe kundër
Austrisë së Mari-Terezës, Prusisë së Frederikut II, Francës së Napoleonit
I ; aleanca të lidhura me synimin për të përgatitur e realizuar nëpërmjet
luftrave të njëpasnjëshme unitetin gjerman apo unitetin italian ; aleanca me
objektiv më pak të nderuar për të ndarë Poloninë, këtë komb të mjerë
shqyer përgjatë dy shekujsh, deri te ajo aleancë e përbindëshme
gjermano-sovjetike e gushtit 1939, që ka qenë shembulli më i fundit e më
cinik i këtyre marrëveshjeve famëkeqe.
Domosdo, asgjë s’kish në to për ndërtimin e Europës. Dhe aq më keq
për ta bërë këtë Europë, kur vendin e garave territoriale të dhunshme e zuri
krijimi i blloqeve të vendeve satelite, të mbërthyera këmbë e duar
politikisht, ekonomikisht e shpirtërisht, kur paqes së varrezave iu shtuan
tmerret e kampeve të përqendrimit.
Një detyrë Europiane, konstruktive dhe e vlefshme është sigurisht
mbrojtja kolektive kundër çdo agresioni të mundshëm. Sikurse paqja,
sigurimi është bërë tashmë i pandashëm. Është kushti për çdo liri e çdo
përparim, dy synime këto të shtetit demokratik bashkëkohor. Megjithatë, të
mbrosh Europën, nuk do të thotë ta ndërtosh atë. Përtej sigurisë së
nevojshme, qëndrojnë gjithë detyrat e tjera të përbashkëta, që i tejkalojnë
kufijtë e një kombi të vetëm. Mund të pohojmë se tërë problemet e mëdha
që i marrin frymën vendeve të dala nga lufta kanë marrë sot një karakter
6 Maurice Barrès, shkrimtar dhe politikan francez (1862-1923), i cili në veprën e tij lartëson individualizmin moral e shoqëror si dhe parimet e nacionalizmit. 7 Paul Déroulède, shkrimtar dhe politikan francez ( 1846-1914), i cili në veprën e tij shpreh një atdhetarizëm me karakter të theksuar nacionalist.
- 9 -
ndërkombëtar, duke i shpëtuar autonomisë politike e ekonomike të
vendeve, madje edhe të vendeve më të fuqishme.
Furnizimi me lëndë të parë, çështjet e krahut të punës dhe të
papunësisë, problemi i ethshëm i refugjatëve, i të shpërngulurve dhe
tepricës së popullsisë, modernizimi i kapacitetit tonë industrial e bujqësor,
këmbimet ndërkombëtare dhe fati i monedhave, krizat periodike të
varfërisë e të superprodhimit janë ndër të tjera shembujt më tipikë : në të
tëra fushat, asgjë e efektshme dhe e qëndrueshme nuk mund të arrihet në
izolim, kur një shtet kapet fort vetëm pas burimeve të veta. Autarkia që i
lejoi Hitlerit përgatitjen e luftës është sot e pazbatueshme.
Sa më shumë një territor është i shtrirë, i larmishëm në aftësinë e vet
prodhuese e përthithëse, sa më shumë është elastik për t’iu përshtatur
lëkundjeve të koniukturës, aq më mirë ai e sheh veten armatosur ndaj
krizave që e përgjojnë.
Është në interesin e saj që Europa të jetë zonjë e fateve të veta.
Copëzimi i Europës është bërë një anakronizëm absurd.
Natyrisht, po e theksoj edhe një herë, nuk është fjala aspak për të shuar
kufijtë etinkë e politikë. Ato janë një e dhënë e historisë : ne nuk kemi
pretendimin të korrigjojmë historinë, as të shpikim një gjeografi të
racionalizuar e të drejtuar. Çka dëshirojmë, është thjesht t’u heqim kufijëve
egërsinë e tyre, do thoja madje armiqësinë e tyre të papajtueshme. Ah,
këta kufij të mjerë ! As që mund të lakmojnë më për paprekshmëri, as që
mund të garantojnë më sigurimin tonë, pavarësinë tonë. Shkelen me
këmbë, mbifluturohen, parashutistët dhe kolonat e pesta i përbuzin. S’ka
më fortifikime kufiri, s’ka më vijë Mazhino8, ajo ëndërr që të mrekullonte,
pas së cilës strehoheshim pa kujdes.
E ç’kuptim do kishin kufijtë në strategjinë periferike ?
Po le mos u biem kot në qafë këtyre kufijëve të nderuar ; në gjendjen që
ndodhemi, ato s’kanë të bëjnë aspak në këtë mes. S’është faji i tyre nëse
shpikjet trondisin tërësisht nocionet e mbrojtjes ushtarake. Kufijtë ruajnë
arsyen e tyre të të qenit për aq sa do dinë të luajnë rolin që kanë në çka do
përbëjë sot e tutje misionin e tyre frymëdhënës pak a shumë. Në vend që
të jenë pengesa ndarëse, ato lypset të kthehen në vija kontakti, ku të
organizohen e dendësohen këmbimet materiale e kulturore ; ato do
8 E projektuar më 1925, ndërtimi i saj me karakter mbrojtës përfshinte teorikisht një front luftimi prej 760 km, nga Zvicra në Detin e Veriut. U ndërtua vetëm një pjesë në vitet 1929-1936 në zonë zviceriane e franceze.
- 10 -
përcaktojnë detyrat e veçanta të secilit vend, përgjegjësitë dhe nismat e
tyre në morinë e problemeve që kaptojnë hapësira territoriale, madje dhe
kontinente, që i bëjnë të gjitha vendet të jenë solidare me shoshoq.
I I
EUROPA
PARA SE TË JETË
NJË ALEANCË USHTARAKE
APO NJË ENTITET EKONOMIK
DUHET TË JETË NJË BASHKËSI
KULTURORE NË KUPTIMIN
MË TË LARTË TË KËSAJ FJALE
Francezi di të hedhë ide të mëdha, shpesh edhe ide revolucionare ; por
ai nuk do që të shkëputet nga zakonet e veta. Këto janë, për të, si një
garanci për lirinë dhe pavarësinë. Ai pëlqen të përdorë shprehjen :
« Qymyrbërësi është zot në shtëpinë e vet ». Kjo fjalë e urtë ishte e
vlefshme për aq kohë sa në pyjet tona kishte qymyrbërës. Mirëpo koha e
këtyre specialistëve të nderuar ka marrë fund, është tejkaluar në mënyrë të
pakthyeshme. Të duash si sytë e ballit pavarësinë tënde është e
natyrshme dhe e ligjshme. Por i pavarur je me të vërtetë për aq sa nuk ke
nevojë për tjetrin dhe nëse, e marrë në këtë kuptim, pavarësia bëhet shkak
për dobësim, vetë interesi ynë do ta kërkonte që të hiqnim dorë duke e
braktisur. « Izolimi i shkëlqyer » është kthyer në faj, një mëndjemadhësi e
padurueshme.
Atdhetarizmi, kjo ndjenjë fisnike që ka farkëtuar kombet, që u ka
parshtruar detyra të mrekullueshme dhe ndihmuar në realizimin e tyre,
- 11 -
shpesh ka pësuar shmangie, ka degjeneruar në një fanatizëm të
patolerueshëm, duke u bërë kështu burim pasigurie dhe përçarjesh
vëllavrasëse.
Ne nuk jemi, ne nuk do të jemi kurrë mohues të atdheut, që harrojmë
detyrat që kemi ndaj tij. Por përmbi çdo atdhe, ne njohim përherë e më
shumë dhe gjithnjë e më qartë praninë e një të mire të përbashkët, më e
lartë se interesi kombëtar, atë të mirë të përbashkët në të cilën shkrihen
dhe përzihen tok interesat e çdonjërit prej vendeve tona.
Ligji i solidaritetit të popujve i diktohet ndërgjegjes bashkëkohore. Ne
ndihemi solidarë me njëri-tjetrin në ruajtjen e paqes, në mbrojtjen ndaj
agresionit, në luftën kundër varfërisë, në respektimin e traktateve, në
ruajtjen e drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor.
Ne kemi krijuar bindjen, përmes vërtetimit të fakteve, se kombet, larg
mundësisë për të plotësuar vetë nevojat e tyre, janë solidarë me shoshoq ;
se mënyra më e mirë për t’i shërbyer vendit tënd është t’i sigurosh ndihmën
e të tjerëve përmes përpjekjeve të ndërsjella dhe përbashkësimit të
burimeve.
Kontinentet dhe popujt varen më shumë se kurrë nga njëri-tjetri, si për
prodhimin e të mirave materiale, ashtu edhe për shitjen e tyre, si për
këmbimin e rezultateve të kërkimit shkencor ashtu dhe për atë të krahut të
domosdoshëm të punës dhe të mjeteve të prodhimit. Ekonomia politike po
bëhet pashmangshmërisht një ekonomi botërore.
Kjo ndërvarësi çon në atë që fati i mirë a i keq i një populli nuk mund t’i
lërë të tjerët mospërfillës. Për një Europian me mend në kokë, as që ka më
kuptim të ngazëllehet me ligësi makiavelike për fatkeqësinë e fqinjit të vet ;
të gjithë bashkë janë, për të keqe e për të mirë, brenda së njëjtit fat.
Lufta dhe shkatërrimet e saj, ashtu sikurse fitorja çlirimtare, kanë qenë
vepër kolektive. Paqja, nëse duam të kthehet në fitore të qëndrueshme
përballë luftës, duhet të ndërtohet bashkërisht, nga tërë popujt, përfshirë
edhe ata që dje u ndeshën dhe rrezik të përplasen sërish në rivalitete të
përgjakshme.
Ja pra, nën shtrëngesën e përvojës, pas tërë atyre dështimeve që ka
pësuar shkathtësia diplomatike apo bujaria e disa njerëzve, si ajo e Aristid
Briandit9, tek e shohim veten përballë kërcënimesh të tmerrshme që i
9 Politikan francez (1862-1932), një nga përkrahësit më të zjarrtë të politikës së paqes dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, që u përpoq me të gjitha mjetet ta nxirrte luftën jashtë ligjit, që mbështeti fuqimisht punimet e Shoqërisë së Kombeve
- 12 -
rëndojnë mbi krye njerëzimit si pasojë e përparimeve marramendase të një
shkence kryeneçe, ja pra tek e shohim veten të kthyer te ligji i krishterë i
një vëllazërie fisnike, por të përulur. Dhe përmes një paradoksi që do të na
çudiste së tepërmi, nëse s’do ishim të krishterë – ndoshta të krishterë në
mënyrë të pavetëdijëshme – ne u zgjasim dorën armiqve tanë të djeshëm,
jo thjesht për t’i falur, por për të ndërtuar bashkërisht Europën e së
nesërmes.
Kjo politikë nuk frymëzohet nga një pacifizëm i turbullt sentimetal. Ajo
nuk përbëhet as nga traktate e pakte të thjeshtë që s’bëjnë gjë tjetër veçse
e shpallin luftën jashtë ligjit, duke regjistruar zotime shpejt të harruara a të
mohuara. Do të kishim të bënim në kësi rasti me një mashtrim të ri, një
iluzion shpejt të shuar. Sepse që tani po na zë veshi përsëri ndoca fjalë
arrogante, të cilat do dëshironim të mos i dëgjonim më kurrë.
Po, lypset tjetër gjë nga tekste e fjalë, tjetër gjë nga damka e krimit që
është lufta, tjetër gjë nga kujtimi i tmerreve dhe mjerimeve të saj.
Lypset t’i heqësh luftës arsyen e vet të të qenit, t’i zhdukësh deri edhe
orvatjen për ta ndërmarrë. Lypset që askush, qoftë edhe qeveria më e
kujdesshme të mos interesohet për ta bërë. Po shkoj edhe më larg : ne
duam t’i heqim mjetin për ta gatitur, mjetin për ta pësuar në kurriz të
vetvetes. Më i ligu i aventurierëve do të nxirret kësisoj jashtë loje në
përgatitjen e prapësisë së vet.
Në vend të nacionalizmit të dikurshëm, të një pavarësie plot frikë e
mosbesim, ne lidhim interesat, vendimet dhe fatin e kësaj bashkësie të re
shtetesh që më parë kanë qenë kundërshtare.
Kjo politikë e re qëndron në themel të solidaritetit dhe të besimit
përparues.
Ajo përbën një akt besimi, jo si ai i Zh.Zh.Rusoit10 bazuar në mirësinë
njerëzore, aq mizorisht të përgënjeshtruar që prej dy shekujsh, por një akt
besimi në gjykimin e mirë të popujve, të bindur më në fund se shpëtimi i
tyre qëndron në një mirëkuptim dhe bashkëpunim të organizuar aq
fuqimisht mes tyre sa asnjë qeveri e lidhur në mënyrë të tillë nuk do mund
të shkëputet dot.
dhe propozoi më 1930 një regjim bashkimi federal Europian të njhohur si memorandumi Briand. Çmim Nobel i paqes më 1926. 10 Jean-Jacques Rousseau (1712-1778), shkrimtar dhe filozof gjenevas, i cili përmes veprës së tij u përpoq të ndërtojë një sistem politik e pedagogjik, por edhe moral e fetar për të ekuilibruar lumturinë individuale me kërkesat e kolektivitetit.
- 13 -
Kjo ide, për një Europë të pajtuar, të bashkuar dhe të fortë, le të bëhet
tanimë moto dite për breznitë e reja, të dëshiruara për t’i shërbyer një
njerëzimi që po çlirohet më në fund nga urrjetja e frika dhe që po rimëson,
pas periudhave të gjata të përçarjes, vëllazërimin e krishterë.
Sigurisht, duhet vepruar me etapa, në sektorët psikologjikisht të pjekur
dhe ku lehtësitë e veçanta teknike mundësojnë parashikimin e një
përfundimi të shkëlqyer. Megjithatë, jo gjithmonë arrin të përcaktosh
zgjidhjet e nevojshme dhe rendin e çështjeve më të ngutshme. Kështu,
mjaft të përmendim rastin e C.E.D.11-it, konceptuar për të shmangur
rikrijimin e ushtrisë kombëtare gjermane e të shtabit të saj madhor, dhe
diktuar në mënyrë të paradokohshme në opinionin publik nëpërmjet
bllokadës së Berlinit12 dhe luftës së Koresë13.
Duhen përgatitur mendjet për të pranuar zgjidhjet Europiane, duke
luftuar kudo jo vetëm pretendimet për hegjemoni dhe besimin për
superioritet, por edhe ngushtësitë e nacionalizmit politik, të proteksionizmit
autarkik dhe të izolimit kulturor. Tërë këto prirje që kemi trashëguar nga e
kaluara lypset të zëvendësohen me nocionin e solidaritetit, domethënë me
bindjen se interesi i vërtetë i gjithsecilit qëndron në njohjen dhe pranimin në
praktikë të ndërvarësisë të së gjithëve. Egoizmi nuk ecën më.
Bashkësia Europiane nuk do të ketë pamjen e një Perandorie, as edhe
atë të një Aleance të Shenjtë ; ajo do të mbështetet mbi barazinë
demokratike të zbatuar në fushën e marrëdhënieve midis kombeve. E
drejta e vetos është e papajtueshme me një strukturë të tillë që parakupton
parimin e marrjes së vendimeve me shumicë, duke përjashtuar
shfrytëzimin diktatorial të epërsisë materiale. Ky është kuptimi i
mbikombësisë, për të cilën ende jemi tepër të prirur të shohim thjesht liritë
që braktisen, pa vështruar autoritetin dhe garancitë që fitohen. Por nga ana
tjetër, as që bëhet fjalë për zbatimin e saj në fushën e kulturës, duke qenë
se ajo respekton të gjitha veçantitë.
11 Bashkësia Europiane e Mbrojtjes (C.E.D.), krijuar më 1952 me synime tërësisht mbrojtëse, parashikonte integrimin e forcave të ardhshme gjermane në gjirin e një ushtrie shumëkombëshe Europiane. 12 Pas kapitullimit të Gjermanisë naziste dhe marrëveshjes së Potsdamit (1945), qyteti i Berlinit, i ndarë në katër sektorë të pushtuar (rus, amerikan, anglez e francez) u vendos nën autoritetin e ndëraleatëve, por më pas rusët shkaktuan bllokadën e Berlinit perëndimor (1948-1949), si pasojë e së cilës perëndimorët u detyruan të organizonin një urë ajrore për të furnizuar sektorët e tyre. 13 Lufta civile e Koresë (1950-1953) midis dy republikave të vendit, asaj të Veriut dhe asaj të Jugut, të mbështetura njëra prej lindorëve dhe tjetra prej perëndimorëve.
- 14 -
Këto ide duhen popullarizuar nëpërmjet shkollës dhe shtypit ; ato nuk
janë monopol i ndonjë partie. Nuk mund të përsërisim një e dy : uniteti i
Europës nuk do arrihet as vetëm, as kryesisht përmes institucioneve
Europiane ; krijimi i tyre do ndjekë rrugën e mendimeve. Që këtej edhe
rëndësia e një qarkullimi të lirë të ideve e njerëzve ndër vendet Europiane ;
vendet që nuk e pranojnë një gjë të tillë, parimisht përjashtojnë vetveten
nga Europa. Duke formuluar këtë parim, ne nuk hedhim kurrsesi poshtë
shqetësimin e drejtë për siguri, masat paraprake që duhen marrë kundër
papunësisë, nevojën për të ruajtur sekretin profesional, pronësinë letrare e
artistike. Çka flakim tej, është ai proteksionizëm sistematik zbatuar në dëm
të një këmbimi të lirë që mbart në vetvete emulacion, përzgjedhje të
menjëhershme dhe besim.
Të zhdukësh pengesat, nuk është gjithçka ; duhet organizuar
bashkëpunimi. Kjo para së gjithash nënkupton shtim të kontakteve
individuale : këmbime e stazhe, kongrese e udhëtime studimore, ekspozita,
turne, takime të rinjsh punëtorë dhe intelektualë.
Duhet nga ana tjetër që botimet letrare, artistike e shkencore të jenë më
të pranishme sa nga njëri krah, në krahun tjetër ; çmimi i tyre shpesh është
frenues. Përdorimi i bibliotekave publike dhe atyre private ka nevojë të
lehtësohet. Disa kërkime shkencore ia vlen të organizohen e financohen në
mënyrë të përbashkët, kur burimet kombëtare janë të pamjaftueshme apo
kur ndodh të bëhen shpenzime pa efektivitet.
Dezintoksikimi i manualeve të historisë është një nga domosdoshmëritë
më parësore. Ai nuk është në kontradiktë as me lirinë e shtypit dhe të
shprehjes së madhorëve, as me atdhetarizmin e vërtetë që lypset t’u
mësohet të rinjve.
Me pretekstin se i shërbehet ndjenjës kombëtare dhe kultit të një të
shkuare të lavdishme, shpesh lihet mënjanë detyra për paanshmëri e
vërtetësi : pandehet se duhet bërë sistematikisht apologjia e gjithçkaje që
ka qenë pabesi, shfrytëzim cinik i forcës dhe i terrorit ; shumë herë fajet i
vishen kombit kundërshtar.
Ndërsa do duhej, përkundrazi, të mësoheshin shkaqet e thella të
antagonizmave që kanë copëtuar njerëzimin ; absurditeti i sakrificave që
tërë ato luftra dinastike dhe ideologjike u kanë diktuar popujve, të cilët kanë
paguar harxhet e ambicieve të kota dhe të fanatizmit.
Nga ana tjetër, është me vend të nxirret në pah, të vlerësohet bashkësia
e vërtetë e ideve dhe e aspiratave që gjithmonë ka ekzistuar në nivele të
- 15 -
ndryshme midis kombeve, por që është mbytur nga pasionet e ngacmuara
dhe të shfrytëzuara.
Nëse në këtë paraqitje të historisë, është e drejtë t’u lihet vend
aspiratave dhe vlerave kombëtare, konkretisht nevojës për bashkim
kombëtar, do duhej nga ana tjetër t’i jepej fund trajtimit kryesisht të luftës
përreth kufijëve politikë apo rivalitetit midis racave ; sepse ta orientosh
kuptimin e historisë në këto dy nocione, do të thotë të përfundosh në
nacionalizëm apo racizëm. Përmbi këta faktorë e këto përplasje, që deri
tani kanë përcaktuar rrjedhën e historisë, ekzistojnë afritë dhe bashkësia e
interesave, të cilat na takon t’i qëmtojmë nga e kaluara si mundësi për të
ardhmen.
Pa dashur nga pozitat e sotme të korrigjojmë historinë, ne nuk pranojmë
fatalizmin që e sheh veten përballë një këmbimi të pashmangshëm forcash
të vëna në provë.
Shkolla duhet të përgatisë nxënësin me një vizion më pak pesimist dhe
më shumë konstruktiv për të ardhmen.
I I I
EUROPA,
ËSHTË ZBATIMI I NJË
DEMOKRACIE
PËRGJITHËSUESE
NË KUPTIMIN E KRISHTERË
TË FJALËS
Ishte një kohë – jo shumë e largët – kur francezët diskutonin me
ashpërsi çështjet e regjimit politik. Demokracia kishte kundërshtarët e vet
të egër. Sot, ndonëse nuk ka unanimitet rreth saj – unanimiteti është i rrallë
- 16 -
në këtë botë – pasionet janë qetësuar. Mund të trajtohet pra një temë e tillë
qetësisht e me çiltërsi. Ky është një përparim i pamohueshëm.
Pikësëpari, lypset të merremi vesh për termin « demokraci ». Ajo çka
karakterizon shtetin demokratik janë objektivat që i vë vetes dhe mjetet me
anë të së cilave përpiqet t’i sendërtojë ato. Shteti demokratik është në
shërbim të popullit dhe vepron në marrëveshje me të. Unë s’gjej ndonjë
përkufizim tjetër më të thjeshtë e më pak shkencor. Një përkufizim i tillë i
bashkëngjitet atij të presidentit Linkoln : « qeverisje e popullit, nga populli
dhe për popullin ». Do të vini re se ai nuk e vë në pikëpyetje formën e
qeverisjes. Demokracia moderne, në kuptimin që sapo thashë, mundet fare
mirë të jetë qoftë një monarki konstitucionale, qoftë një republikë. Shpesh,
është e vërtetë, termi « demokraci » i vishet shtetit republikan, duke
përjashtuar monarkitë. Mendoj se është gabim ; disa monarki, si Britania e
Madhe dhe Hollanda, për të folur vetëm për këto që janë fqinjet tona më të
afërta, janë më haptas e më tradicionalisht të lidhura me parimet
demokratike se sa disa republika, ku populli s’ka veçse pak ndikim të
drejtpërdrejtë në orientimet dhe vendimet politike të vendit. Një fakt i tillë
më mbyll gojën për të diskutuar se ç’përzgjedhje mund të bëj demokracia
ndër format e shumta të qeverisjes. Do mjaftohemi duke shmangur ato që
janë antidemokratike, në kuptimin që më duhet të saktësoj më poshtë.
Pikërisht këtu ndërhyn doktrina e kristianizmit. Demokracia ia detyron
ekzistencën e vet kristianizmit. Ajo lindi ditën kur njeriut iu kërkua të
realizojë gjatë jetës së tij të përkohëshme dinjitetin e personit njerëzor, në
lirinë individuale, duke respektuar të drejtat e secilit dhe duke ushtruar
dashurinë vëllazërore ndaj të gjithëve. Kurrë ndonjëherë para Krishtit nuk
qenë formuluar ide të tilla. Demokracia është e lidhur kësisoj me
kristianizmin, doktrinalisht e kronologjikisht. U trupëzua me të, me etapa,
nëpërmjet gjurmimesh të shumta, shpesh plot gabime dhe kalim në
barbari. Zhak Mariteni14, filozofi ynë i madh i krishterë, që ne francezët
gabimisht e kemi braktisur diku në një universitet të largët, në vend që të
përfitonim nga mësimet e tij të ndritura, e ka nxjerrë në pah këtë
paralelizëm në zhvillimin e mendimit kristian dhe të demokracisë.
Kristianizmi mëson barazinë gjinore të të gjithë njerëzve, si fëmijë të së
njëjtës Perëndi, mëkatet e të cilëve i shlyen i njëjti Krisht, pa dallim race,
14 Jacques Maritain, filozof dhe eseist francez (1882-1973), që trajtoi çështje të përvojës dhe të filozofisë fetare, të estetikës dhe të politikës, në të kundërt të filozofisë materialiste dhe të bergsonizmit.
- 17 -
ngjyre, klase a profesioni. Ai ka bërë të njohur dinjitetin e punës dhe
detyrimin që kanë të gjithë për t’iu nënshtruar. Ai ka njohur përparësinë e
vlerave të brendshme, që vetëm ato e fisnikërojnë njeriun. Ligji universal i
dashurisë dhe i shpirtmirësisë e ka bërë çdo njeri të afërmin tonë dhe mbi
të mbështeten tashmë marrëdhëniet shoqërore në botën e krishterë. I
gjithë ky mësim dhe pasojat praktike që rrjedhin prej tij e kanë tronditur
botën. Ky revolucion është kryer i shkallëzuar përmes frymës së ungjillit,
duke përpunuar brezat me punë të ngadaltë, shpesh shoqëruar me luftra të
mundimshme. Në të vërtetë, përparimet e shënuara nga qytetërimi i
krishterë nuk kanë qenë as të vetvetishme, as vetëm në një drejtim të
caktuar : reminishencat e së shkuarës dhe instiktet e ulta të një natyre me
vese kanë rënduar mbi këtë evolucion dhe vazhdojnë ta pengojnë. Nëse
kjo është e vërtetë për ne që jemi të privilegjuar, që përfitojmë nga një
atavizëm i krishterë, do të thonim atëherë se tek të tjerë, që sapo kanë
krijuar kontaktet e para me kristianizmin, kjo është edhe më shumë e
ndjeshme.
Në këtë proces të gjatë dhe dramatik të qytetërimit të krishterë, nuk
kanë qenë dhe nuk janë, as sot e kësaj dite, vetëm besimtarët e plotë që
kanë bërë të mundur që demokracia të njohë përparimet më të vendosura.
Nocionet e krishtera kanë mbijetuar dhe vepruar në nënvetëdijën e atyre
njerëzve që nuk praktikonin një fe dogmatike, por që vazhdonnin të
frymëzoheshin nga parimet e saj të mëdha. Këto u bënë dhe mbetën
karakteristikat e qytetërimit bashkëkohor. Kështu për shembull,
racionalistët e shekullit 18-të shpallën dhe popullarizuan të drejtat e njeriut
dhe të qytetarit, që në thelbin e tyre janë të krishtera.
Këto parime kaluan në kushtetutën e parë demokratike, atë të Shteteve
të Bashkuara, ku një lidhje e tillë midis kristianizmit dhe demokracisë ndihet
thellë dhe shfaqet në jetën politike të përditshme. Lutja bëhet publike dhe e
përbashkët deri edhe në bankete, kongrese e mbledhje elektorale, dhe një
praktikë e tillë, edhe pse e kryesuar alternativisht prej drejtuesish të kulteve
të ndryshme, nuk ngjall kurrfarë ironie a proteste. Askush nuk mendon se
ndarja zyrtare e Kishave nga shteti mund t’i kundërvihet shfaqjes së një
tradite të fortë fetare. Një qëndrim i tillë e tejkalon plotësisht atë çka ne e
quajmë tolerancë apo respektim të një zakoni. Mendimi fetar është një
faktor zyrtar i njohur në jetën publike amerikane ; mbi bazën e tij, shpesh
frymëzohen disa nisma e zbatime që ndonjëherë mund të na çudisin e
trondisin, si për shembull antikolonializmi, refleks më tepër ndjesor se
- 18 -
mendor, remineshencë e një epoke kur vetë amerikanët ankoheshin nga
një kolonializëm Europian.
Ndonëse gjejmë në këtë mënyrë gjurmë të thella të mendimit të
krishterë në jetën politike bashkëkohore, kristianizmi nuk është dhe nuk
duhet të jetë i lidhur pas një regjimi politik, të njejësohet me një formë të
çfarëdoshme qeverisjeje, qoftë edhe demokratrike. Në këtë çështje,
sikundër në të tjerat, duhet bërë mirë dallimi i asaj që i takon Çezarit dhe
asaj që i takon Zotit. Këto dy pushtete kanë secili përgjegjësitë e tyre.
Kisha lypset të përkujdeset për respektimin e ligjit natyror dhe të vërtetave
të shpallura ; roli i saj, nga ana tjetër, nuk është që të bëhet gjykatëse e të
vendosë për zgjidhje konkrete, të cilat duhen arritur nëpërmjet mendimesh
praktike të përshtatshme dhe në bazë të mundësive të vërteta, që burojnë
nga vetë evolucioni psikologjik e historik. Detyra e politikanit të
përgjegjshëm është të pajtojë, brenda një sinteze shpeshherë të brishtë
por të domosdoshme, këto dy rende arsyetimi, shpirtëroren dhe profanen.
Jeta jonë, në shumë raste, vështirësohet në labirintin e problemeve dhe
zgjidhjeve të kërkuara, në pasionin e kundërshtive. Mirëpo, nuk ka kurrfarë
konflikti të pazgjidhshëm midis këtyre dy domosdoshmërive, asaj të një
doktrine të palëvizshme nga pikëpamja parimore dhe asaj të një zbatimi të
urtë të faktorëve ndryshues, të cilët duhen mbajtur parasysh në jetën e
popujve, sikurse në jetën e individëve.
Teokracia nuk e njeh parimin e ndarjes së dy fushave. Ajo i ngarkon
mendimit fetar përgjegjësi që nuk i ka të vetat. Nën një regjim të tillë,
divergjencat e fushës politike ka rrezik të degjenerojnë në fanatizëm fetar ;
lufta e shenjtë është shprehja më e frikshme e një shfrytëzimi të
përgjakshëm të ndjenjës fetare.
Që në zanafillë, Krishti ishte kundër fanatizmit, përderisa pranoi të jetë
viktima e tij më madhështore. Mbretëria e tij nuk bënte pjesë në këtë botë.
Kjo do të thotë gjithashtu që qytetërimi i krishterë nuk duhej të ishte produkt
i një revolucioni të dhunshëm e të menjëhershëm, por produkt i një
transformimi përparues, i një edukimi të vullnetshëm, nën veprimin e
parimeve të mëdha të shpirtgjerësisë, sakrificës dhe përulësisë, që
qëndrojnë në themel të shoqërisë së re. Vetëm nëpërmjet luftrave
shekullore të brendshme dhe spastrimeve të njëpasnjëshme, një qytetërim
i tillë mundi të evoluojë drejt një ideali të madh që i caktoi vetes, të
spastrohet nga skoriet e njerëzimit pagan, përmes përpëlitjesh të
dhimbshme dhe hulumtimesh të shumta.
- 19 -
Sot, kristianizmi, i pasuruar me këtë përvojë të përjetuar gjatë historisë
së tij, lypset t’u ndihë popujve më pak të përparuar që të futen në të njëjtën
rrugë të ripërtëritjes njerëzore. Kombet kolonizuese jo përherë kanë
kuptuar plotësisht dhe që në fillim rolin që iu takonte. Koloni dhe misionari
jo përherë kanë pasur të njëjtin frymëzim fisnik e bujar. Kapitalizmi
ekonomik vinte shumë lehtë në përdorim metoda shfrytëzimi egoist, duke
lënë pas dore thelbin e përgjegjësisë njerëzore, e cila më në fund u
formulua që në hyrje të Kushtetutës sonë, më 1946 : « Franca dëshiron t’i
udhëheqë popujt që ka marrë në ngarkim drejt lirisë për t’u qeverisur ata
vetë dhe për të administruar demokratikisht çështjet e tyre ». Një program i
tillë nuk do të thoshte thjesht emancipim të popullsive autoktone, por
nënkuptonte paraprakisht formimin e tyre individual, familiar e kolektiv,
domethënë aftësinë e tyre për të marrë mbi vete ato përgjegjësi politike e
shoqërore që Franca do t’ua kalonte, duke i çliruar nga tutela e vjetër. Ne
shumë vonë u ndërgjegjësuam për këtë aspekt të problemit. Ne ishim tepër
të merakosur vetëm për të përgatitur kalimin e funksioneve politike e
administrative ; ne nuk i kishim kuptuar sa duhet nevojat dhe aspiratat e
zhvillimit njerëzor dhe pasurimit kulturor. Meraku për përparim teknik na
bëri të lëmë pas dore nevojën e një baraspeshimi midis dy faktorëve të çdo
përparimi të vërtetë : dijes materiale dhe zotërimit moral. Në Afrikë,
misionarët tanë, të kuptuar e të mbështetur keq, u përpoqën t’i siguronin
veprës sonë, që pakundërshtueshmërisht është e madhe, atë shtojcë
shpirtërore, për shembull, të përkushtimit dhe të sakrificës së tyre,
nëpërmjet kuptimit të nevojave shpirtërore. Këto nevoja janë tepër të
mëdha për popullata të tilla ende në prapambetje në krahasim me botën
bashkëkohore, me të cilën futen papritur në lidhje, pa përgatitje dhe pa
tranzicion të mjaftueshëm.
Demokracia, para së gjithash nuk sajohet ; Europës i është dashur më
shumë se një mijëvjeçar kristianizëm për ta përpunuar. Në Afrikë, ne
nxiteshim për të djegur etapat. Jo vetëm që i kemi dhënë fletë votimi një
popullsie shpeshherë analfabete, por çka është më e rëndë, ua lamë
pushtetin njerëzve që nuk kishin pasur kurrfarë formimi për qeverisje dhe
që do binin të pambrojtur në tërë grackat e arbitraritetit dhe të padrejtësisë.
U orvatëm të ngadalësonim ritmin, të vendosnim kontrolle ; qenë të tëra
këto nga ana jonë masa të brishta, nën nxitjen e nacionalizmit. Do
dëshiroja të citoja këtu për këtë qëllim atë çka Zhak Mariteni, pas
- 20 -
Bergsonit15, ka shkruar njëzet vjetë më parë, në kohën kur përpunohej një
politikë më bujare dhe më e krishterë lidhur me territoret tona të përtej detit.
Po kufizohem vetëm në përmendjen e disa frazave veçanërisht
domethënëse :
« Le të mbajmë parasysh këtë fakt, që roli i instiktit dhe i forcave
iracionale është ende më i madh në jetën kolektive se sa në jetën
individuale. Në çastin kur një popull hyn në histori duke kërkuar të vendosë
shumicën e vet politike dhe shoqërore, fraksione të gjera njerëzimi kanë
mbetur në gjendje papjekurie apo vuajnë nga komplekse të dëmshme, të
grumbulluara gjatë rrjedhës së kohës, dhe nuk janë në këtë rast veçse
skicim a parapërgatitje e atij fruti qytetërues që ne e quajmë popull. Le të
kuptojmë se për të gëzuar privilegjet e veta të personit madhor, pa
rrezikuar të dështojë, një popull duhet të jetë i aftë për të vepruar si person
madhor… »
« Nuk ka gjë më të lehtë për mashtruesit politikë se sa të shfrytëzojnë
parimet e mira për iluzion, dhe nuk ka gjë më shkatërrimtare se sa parimet
e mira të zbatuara keq… »
Nxjerr si përfundim, tok me Bergsonin, se « demokracia është ungjillore
në thelb, sepse ka për motor lëvizës dashurinë ».
Demokracia do të jetë e krishterë, ose pastaj nuk do të jetë asgjë. Një
demokraci antikrishtere do të jetë thjesht një karikaturë që do përfundojë
në tirani apo në anarki.
Qëndrimi i demokratit mund të përkufizohet kështu : e ka të pamundur të
pranojë që shteti të lërë mënjanë sistematikisht faktin fetar, që ta vendosë
atë përballë një paragjykimi, i cili bie erë armiqësi a përbuzje. Shteti nuk
mund të nënvleftësojë pa arbitraritet dhe pa dëmtuar vetveten
efektshmërinë e jashtëzakontë të përkushtimit fetar gjatë praktikimit të
virtyteve qytetare në mbrojtjen aq të domosdoshme ndaj forcave të
shpërbërjes shoqërore që veprojnë kudo. Ne as që e kemi shkuar
ndonjëherë nëpër mend ta katandisim Kishën në rolin e policit a të
xhandarit ; konceptet e Perandorisë dhe të Restaurimit i kemi hedhur
përfundimisht pas kurrizit. Por fjalën këtu e kemi që të njihet autoriteti i saj
moral i pakufishëm, që vetvetiu pranohet nga një numër shumë i madh
qytetarësh, si dhe vlera e lartë e atij mësimi që jep dhe që asnjë sistem
15 Henri Bergson, filozof francez (1859-1941), spiritualist, kundërshtar i intelektualizmit formalist, veçanërisht neo-kantizmit dhe pozitivizmit shkencor e materialist.
- 21 -
tjetër filozofik nuk ka mundur deri më sot ta arrijë. Në rrafshin e ndikimit të
saj ndërkombëtar, vihet re e njëjta dukuri : 1° solidaritet i besimtarëve të të
gjitha vendeve ; 2° Selia e Shenjtë, me pavarësinë e saj, me paanshmërinë
e vullnetshme dhe politikën që ndjek, aq njerëzore dhe aq të ndjeshme
ndaj tërë fatkeqësive e rreziqeve që kërcënojnë popujt, cilado qoftë bindja
e tyre, është bërë këshillëtarja më e dëgjuar dhe më e mirëinformuar.
Për Francën, ku bashkëjetojnë besimtarë e jobesimtarë, ku
bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve me vullnet të mirë është më shumë se
kurrë një domosdoshmëri, ne e pranojmë asnjëanësinë e shtetit, në
shkollën publike sikurse në mbarë institucionet zyrtare. Shteti, si i tillë, nuk
mund të marrë anën e ndonjë doktrine fetare apo filozofike. Por atij i duhet
t’i sigurojë gjithkujt mundësinë për të vepruar e për t’u zhvilluar, brenda
kufijëve të rendit publik për të cilin shteti mban përgjegjësi. Demokracitë
bashkëkohore – të vërtetat, jo ato që thjesht kanë emrin dhe etiketimin
mashtrues – na japin shembullin e një kuptimi të saktë të vlerave
shpirtërore e fetare. Shpresojmë se, pas qetësimit të nevojshëm të
zënkave të vjetra dhe zhdukjes së mosbesimit, do të vijë koha kur
marrëdhëniet midis Kishës dhe Shtetit demokratik do të vendosen mbi
baza të reja, duke respektuar lirinë dhe përgjegjësinë e secilit.
Demokracisë i duhet kësisoj të përcaktojë marrëdhëniet e veta me
Kishën. Mënyra si e bën, është rrjedhojë – tashmë e vumë në dukje – e një
evolucioni historik, që jo gjithmonë është zhveshur nga kontradiktat dhe
luftrat. Konflikte edhe lindin midis pushtetit laik dhe Kishës ; në pjesën më
të madhe të kohës, ato burojnë nga mosmarrëveshja lidhur me kufijtë që
përcaktojnë apo ndajnë fushat e tyre të veprimit.
T’i njohësh kristianizmit vetëm praktikën e kultit dhe të punëve të mira,
do të thotë çuditërisht të mos njohësh dhe të kufizosh misionin e tij.
Kristianizmi, përkundrazi, është një doktrinë që synon të përkufizojë
detyrën morale në tërë fushat, të paktën përsa i përket parimeve të tij të
përgjithshme. Pa pretenduar për një recetë të pagabueshme në çështje të
karakterit praktik – ku nevoja dikton zgjidhjet e duhura – e nënvizuam këtë
lidhur me formën e shtetit dhe të institucioneve të tij – Kisha përkujdeset
për të ruajtur interesat e mëdha të personit njerëzor : lirinë, dinjitetin,
lulëzimin e tij. Ajo i kundërvihet gjithçkaje që bie ndesh me to.
- 22 -
Ajo i kundërvihet kësisoj tërë regjimeve totalitare, qofshin të djathta apo
të majta. Me anë enciklikash16 të bujshme Piu XI17 ka dënuar një pas një
Hitlerin, Musolinin dhe Stalinin, ndërkohë që ata ishin në kulmin e fuqisë së
tyre dhe fitonin nga qeveritë demokratike lëshime të padrejta dhe të
rrezikshme për paqen.
Marrëveshjet e Latranit18 më 1929 dhe konkordati gjerman më 1934
ishin një përpjekje nga ana e diktatorëve për të maskuar qëllimet e tyre të
vërteta, për të marrë me të mirë Kishën, duke i njohur përfitime, të cilat ajo
vetë mund t’i kërkonte përderisa i takonin në mënyrë të ligjshme. Këto
ujdira madje u ruajtën edhe nga regjimet demokratike të mëpasshme. Ato
nuk e penguan papën të kundërshtojë me guxim të fuqishëm çdo cënim që
iu bë më pas lirisë nga diktatura, në Gjermani, sikurse në Itali.
Hitleri e shfaqte hapur urrejtjen e tij ndaj mendimit demokratik. Të
ashtuquajturat demokraci popullore të Lindjes, përkundrazi, mundohen ta
përvetësojnë falë një maskimi hipokrit. Nuk mundet në fakt t’i vishet termi
demokraci një regjimi, i cili kundërshton të njohë jetën e një populli,
domethënë të një bashkësie të gjallë që ka një trashëgimi origjinale, që ka
aspiratat e veta, një mision të vetin, të cilin kërkon ta realizojë tërësisht i
lirë ; një regjim që shkel me këmbë vetë idenë e lirisë dhe të përgjegjësisë
vetiake, që mbyt me dhunë prirjet e papajtueshme dhe kritikat, nën
pretekstin e shtrembërimeve kriminale. Me këtë, konformizmi më servil nuk
mund të mbrojë askënd nga zhgënjimet më të mëdha : bindja ndaj
udhëheqësve të sotëm mund të kthehet nesër në herezi, sepse tërë zotërit
e çastit pretendojnë për të njëjtën pagabueshmëri dhe zbatojnë të njëjtën
papajtueshmëri. Të shtirurit për rehabilitime të përmortshme dhe rrëfime
publike nuk ia heq një regjimi të tillë aspektin e një karikature ogurzezë të
demokracisë.
Në një demokraci të vërtetë, ka vetëm një kufizim të lirisë : themelet e
shtetit dhe të shoqërisë duhen mbrojtur nga dhuna dhe veprimet
shkatërrimtare. Çdo reformë, çdo kërkesë mund të jetë objekt jo vetëm i një
diskutimi të lirë, por edhe i një veprimi të pavarur a kolektiv pranë
pushteteve publike, brenda kuadrit ligjor të parashikuar. Nuk ka këtu vend
16 Qarkore, letër e papatit. 17 Achille Ratti (1857-1939), papa i 257 në vitet 1922-1939, që dënoi mizoritë e fashizmit, nazizmit dhe bolshevizmit. 18 Marrëveshje e nënshkruar midis Selisë së Shenjtë dhe Italisë (Musolinit) për të zgjidhur çështjen e formimit të Shtetit të Vatikanit nën autoritetin e vetëm të papës.
- 23 -
për dogmatizëm, për të cilin mund të pretendojnë vetëm të vërtetat e
pandryshueshme dhe absolute, të zbuluara e të sanksionuara prej Zotit, i
vetmi sundues dhe gjykatës i ndërgjegjeve.
Kufiri i përcaktuar nga ligji midis lirisë dhe tejkalimit të saj mund të lëvizë
sipas rrethanave në kohë e në vende të ndryshme. Rreptësitë e kohës së
luftës, kur luhet jeta e një kombi, janë të pazbatueshme në kohë normale.
Ekzistojnë nuanca në vlerësimin e fushëveprimit që i lihet lirisë, sipas
zakoneve e nevojave të secilit vend. Kështu, për shembull, në Shtetet e
Bashkuara shpesh habitemi kur vëmë re diçka që për ne duket si tejkalim
lirie i shtypit, ndërkohë që, në të kundërt, gjejmë aty një legjislacion
antitrust aq të ashpër, sa asnjë ligjvënës Europian nuk ka guxuar deri më
sot ta bëjë të vetin, megjithë shpërdorimet e njohura.
Më në fund, demokracia është një krijim i vazhdueshëm ; ajo e di që
priret përherë drejt përsosmërisë. Totalitarizmi ushqen iluzionin se zotëron
të vërtetën jo vetëm të plotë, por edhe të menjëhershme e përfundimtare ;
ai as nuk mund t’i presë etapat, as nuk mund t’i pranojë, sidomos kur
personifikohet nga një njeri i cili e di që do vdesë dhe, rrjedhimisht, kërkon
të përfundojë veprën e tij pa asnjë afat. Demokracia mban parasysh
evolucionin e ideve dhe korrigjimet që na sjell përvoja, domethënë mësimin
e nxjerrë nga sukseset dhe dështimet, nën kontrollin e një diskutimi dhe
vlerësimi të lirë.
Zbatimi i këtij programi të gjerë për një demokraci përgjithësuese në
kuptimin e krishterë të fjalës ecën përpara me ndërtimin e Europës.
Tashmë, Bashkësia e Qymyrit dhe e Çelikut, Euratomi dhe Tregu i
Përbashkët, me qarkullimin e lirë të mallrave, kapitaleve e njerëzve, janë
institucione që i ndryshojnë thellësisht e përfundimisht marrëdhëniet midis
shteteve të ortakësuara ; ato po kthehen në njëfarë mënyre në sektorë, në
zona të së njëjtës bashkësi. Dhe kjo tërësi nuk mundet e nuk duhet të
mbetet thjesht një ndërmarrje ekonomike e teknike : asaj i duhet një shpirt,
ndërgjegjia e afrive të saj historike dhe e përgjegjësive të saj të sotme e të
ardhme, një vullnet politik në shërbim të së njëjtit ideal njerëzor.
- 24 -
V
PA GJERMANINË
ASHTU SIKURSE PA FRANCËN,
DO TË ISHTE E PAMUNDUR
TË NDËRTOHEJ EUROPA
Qëkurse Gjermania bëri hyrjen e vet në histori, ekziston një çështje
gjermane. Ajo iu shfaq romakëve kur fiset e para të Veriut pushtuan Galinë
dhe Italinë. Ndoca shekuj më vonë, gjithë popullatat gjermanike u vunë në
lëvizje drejt perëndimit dhe jugut, në kërkim të zonave klimatike më të
ngrohta. Dhe kur këto rrjedhje llave u ngurtësuan e zunë vend, kur lindën
shtetet dhe një perandori gjermanike, shtyrjet e tyre të vijueshme përtej
kufijëve, tërheqja e tyre drejt vendeve të pasura e me diell, prirja e tyre për
sundim mbante në ethe krejt Europën e Mesjetës, nga koha e dinastisë së
karolinginëve19 deri te Karli i Pestë20. Ideja e një Perandorie gjermanike,
sipas shëmbëlltyrës së Perandorisë romake përbënte themelin mistik të
tërë atyre ndërmarrjeve të tepruara.
Pastaj erdhën tri shekuj qetësie relative. Shtetet gjermanike njohën,
është e vërtetë, përmbysje të thella në brendësi të tyre, rregullime kufijsh,
konflikte dinastike. Por Perandoria e Shenjtë, tanimë e mpirë, e
pafuqishme, nuk paraqiste rrezik për vendet kufitare.
Napoleoni, në mënyrë të shkujdesur, çliroi Gjermaninë nga pengesat
feodale dhe përgatiti kështu lindjen e një Rahiu të ri nën drejtimin e
Prusisë. Kongresi i Vienës21 vendosi Prusinë mbi Rhin, brenda Ruhrit ; e
bëri atë një fuqi perëndimore.
19 Dinastia e dytë e mbretërve frankë në vitet 751-987, periudhë gjatë së cilës u zhvilluan vasalizmi e feodalizmi. 20 Perandor i Gjermanisë në vitet 1519-1556. 21 Kongresi i Vienës, shtator 1814 - qershor 1815, i cili u mblodh për të vendosur një paqe të qëndrueshme në Europë dhe për të përcaktuar kufijtë politikë të shteteve të saj.
- 25 -
Periudhat e mëpasshme rrodhën me një shpejtësi të jashtëzakontë :
kryengritje kombëtare më 1813 ; lindje e atdhetarizmit gjerman në shërbim
të unitetit ; bashkim doganor më 1828 midis 39 shteteve ; identifikim
legjislativ metodik, ndonëse i ngadaltë, që u arrit të përfundojë vetëm më
1900 me hartimin e një Kodi civil të përbashkët ; Asamble kushtetuese më
1848 dhe 1849 në Frankfurt, që dështoi për faktin se nuk mundi të pajtojë
në kuadrin e një Perandorie të vetme të drejtat tradicionale të Austrisë me
ambiciet e Prusisë.
Për më tepër, mbreti i Prusisë, kundërshton pranimin e një kushtetute
dhe të një kurore perandorake me origjinë popullore ; parapëlqen të presë
çastin e vet, domethënë lindjen e një Rahiu me të drejtë hyjnore, kurorën e
të cilit do ta mbante ai, nëpërmjet vullnetit të princërve, pa interferencë
demokratike.
Pikërisht, këtu zë fill vepra e Bismarkut. Më 1866, Austria eliminohet
përkohësisht në Sadova përmes forcës së armëve. Ky rregullim, në dukje,
nuk vë në pikëpyetje të tretët. Austro-Hungaria, aglomerat i një larmie të
jashtëzakontë kthehet në njëfarë Komonuellthi të Europës qëndrore.
Kancelari prusian i ngarkon asaj një detyrë danubiane e ballkanike, përkrah
Perandorisë gjermane dhe nën kontrollin e saj.
Mirëpo një perandori e tillë mbetej për t’u themeluar. Ajo vetëm sa kishte
nisur të kristalizohej në formën e një konfederate me lidhje shumë të
dobëta, që nuk mund t’i jepnin tërësisë një autoritet të mjaftueshëm.
Çështja gjermane, thosh Bismarku, po bëhet çështje Europiane ; dhe
s’mund të zgjidhej ndryshe, veçse me hekur e gjak. Bashkimi gjerman
duhej mbështetur mbi një fitore të arritur nga jashtë ; ja përse duhej
Sedani22 dhe Versaja23. Alzasë-Lorena, tokë perandorake, ishte simboli i
unitetit të arritur.
Mund të mendohet se Gjermania, politikisht e bashkuar në këtë mënyrë,
do të kënaqej me rolin e madh që kishte siguruar në Europë e në botë, falë
fuqisë dhe cilësive të racës së saj. Mirëpo, nga ana tjetër, ndërgjegjen e
kishte të trazuar : Raihu që në zanafillë ishte karakterizuar nga dhuna dhe
padrejtësia që kish ushtruar. Pastaj, duhet pranuar ajo që historia tashmë e
ka vërtetuar : Gjermania përjetësisht do të jetë e pakënaqur. Ndaj dhe ka
pasur e me siguri do të ketë përherë një problem gjerman.
22 Kapitullimi i ushtrisë franceze më 2 shtator 1870 në Sedan, pas fitores së forcave prusiane. 23 Armëpushimi i Versajës më 1871, që u shoqërua me çarmatimin e ushtrisë pariziane dhe që i dha fund luftës franko-gjermane të viteve 1870-1871.
- 26 -
Për aq kohë sa Gjermania është e copëtuar në vetvete, për aq kohë sa
ndien mall për bashkim, ajo mbetet rrezik për paqen e të tjerëve. Dhe me
t’iu plotësuar nevoja për bashkim, pretendime të reja i nguliten në kokë.
Bindet lehtë se Fryma e Shenjtë i ka ngarkuar misione të larta.
Në Mesjetë, ajo qe e pushtuar tërësisht nga ideja e Perandorisë së
Shenjtë, ide e bukur, e madhe, që kishte në fillimet e veta frymëzim fetar,
porse zbatimi i saj do bënte që perandorët t’i kundërviheshin jo vetëm
Kishës, por edhe krejt kombeve kufitare.
Sa për Napoleonin, ai e ktheu idealin demokratik të ushtrive
revolucionare në dobi të një imperializmi që shkaktoi lindjen e imperializmit
gjerman të shekullit 19-të. Tërë kjo është mëse e vërtetë. Por është po
ashtu e vërtetë se, duke lënë mënjanë këto gabime të rastit, me synime të
kufizuara, apo që janë vepër e një njeriu të vetëm, Franca kurrë nuk e ka
trajtuar hegjemoninë si një pronë, si një të drejtë që ka të bëjë me racën,
në njëfarë mënyre si pjesë përbërëse të natyrës, rrjedhimisht e
paparashkrueshme dhe përherë në gjendje për t’u vënë në përdorim sapo
e lejojnë rrethanat.
Mirëpo, ideja e një të drejte të tillë, bindja se zotëron prirje të parathënë,
ndjenja e epërsisë në krahasim me kombet e tjerë, pikërisht kjo frymë e çoi
Gjermaninë drejt katastrofave të kohëve të fundit.
Rreth mbarimit të shekullit 18-të, u shfaq një mistikë e re, gjurmët
sporadike të së cilës i gjejmë që në Mesjetë, por që u kristalizua dhe u ngrit
në sistem nga gjermani Niçe, francezi Gobino dhe anglezi Huston Stiuard
Çambërlein. Një shenjtërim i vërtetë Europian të themi, i një doktrine, asaj
të epërsisë gjermanike, kërkuar për të drejtuar popuj të tjerë. Mjerisht, na u
desh të njihnim nga afër përvojën e « Führertumit ».
Problemi i vërtetë gjerman qëndron këtu : a do të pranojë vallë
Gjermania të bëhet një partnere paqësore, apo do të vazhdojë të jetë një
kërcënim pak a shumë i fshehtë ? A mos vallë do dëgjojmë përsëri një ditë
të afërt se vetëm Gjermania është në gjendje të vërë rregull në kontinentin
tonë të shthurur ?
Franca, do thonë duke më kundërshtuar, ndoshta s’është shumë e aftë
për t’u dhënë mësim të tjerëve. E saktë, në dukje : Franca jo gjithmonë ka
qenë model i frymës paqësore. Vetë uniteti i saj nuk është arritur pa
dhimbje, as pa pushtime të përgjakshme. Sigurisht, ajo ka mbështetur
- 27 -
luftra mbrojtëse ; le të kujtojmë luftën njëqindvjeçare24, gllabërimet e
Gjermanisë në Burgonjë, në Provansë, ato të Spanjës në Veri e Jug.
Por duhet pohuar që Franca ka pasur gjithashtu edhe synime dinastike,
në kërkim të kufijëve të ashtuquajtur natyrorë apo strategjikë, gjatë disa
periudhave madje të luftrave ideologjike, si periudha menjëherë pas
Valmit25, të cilën Belgjika e mban mend fare mirë.
Fakti gjerman, të nesërmen e luftës së dytë botërore, ka qenë për çdo
francez shkaktar në një farë mënyre për të ardhmen e vendit të tij, problemi
më i ankthshëm, sepse kish të bënte jo vetëm me sigurinë e Francës, por
edhe me paqen në botë.
Po e trajtoj këtë çështje jo me frymën e dikujt që është duke shkruar
kujtimet e veta me synimin për të përligjur vetveten apo për të dërrmuar
tjetrin. Dëshiroj të paraqes këtu thjesht një dëshmi, në qetësinë më të
plotë, pa u merakosur fort për ndonjë apologji personale. Gjykimi im do të
jetë sa më i paanshëm që të jetë e mundur, përderisa ndihemi të mpleksur
nga afër me zhvillimin e ngjarjeve, dhe kjo në një kohë kur jemi mësuar ta
cilësojmë si një kthesë në histori.
Do të dëshmoj pra për aq sa kam parë e përjetuar unë vetë, për çka në
veprimtarinë time ka përbërë një element shpesh vendimtar. Dhe pikërisht
këtu qëndron këto çaste vështirësia e përpjekjes që po bëj : ka rrezik të
vishem me njëfarë mosbesimi që, megjithë kujdesin për të shmangur çdo
lloj pasioni e paragjykimi, mund ta nxjerrë gjykimin tim të çalë, pikërisht
sepse shprehet ndaj një partneri dhe ndaj një vepre të përbashkët.
Gjatë një seance pyetjesh që m’u bënë nga ana e Gestapos në shtator
1940, kjo e fundit këmbënguli të dinte në kisha pasur lidhje me Konard
Adenauerin26 gjatë kohës që ai kishte qenë kryetar bashkie i Kolonjës,
domethënë para ardhjes në fuqi të Hitlerit. Në korrik 1932, unë vërtet kisha
marrë pjesë në një kongres që mbahej në kryeqytetin rhenan, po nuk e
kisha takuar administratorin e qytetit të madh. Në atë kohë ai njihej si një
nga specialistët më të shquar të çështjeve bashkiake të Gjermanisë
republikane. Në fakt, e takova për herë të parë në gusht 1949, gjatë një
24 Lufta e gjatë midis Francës dhe Anglisë nga viti 1337 deri në vitin 1453. 25 Periudha pas betejës së Valmit, zhvilluar në shtator 1792, që përfundoi me fitoren e ushtrisë franceze ndaj asaj prusiane. 26 Politikan gjerman (1876-1967) ; kancelar nga viti 1949, që ndoqi me sukses politikën e ringritjes ekonomike të Gjermanisë së pas luftës dhe të integrimit të saj në Europën perëndimore ; një nga artizanët kryesorë të pajtimit franko-gjerman.
- 28 -
inspektimi që bëra në Rhenani në cilësinë time si ministër i Punëve të
Jashtme.
Ishim në prag të hyrjes në fuqi të Kushtetutës federale dhe Adenaueri
do të ishte një nga kandidatët për postin e kancelarit. Takimi u zhvillua me
propozim të guvernatorit të Landit rheno-palatin të Koblensit dhe më pas
në rezidencën e tij. Ky funksionar i lartë ishte Z. Hittier de Boislambert,
deputet i ardhshëm i R.P.F. Në këtë mënyrë, biseda qe e zhveshur krejt
nga karakteri zyrtar ; po për mua, ajo kish shumë më tepër vlerë, duke
qenë se zhvillohej larg ceremonive të zakonshme dhe detyrimeve
protokollare. Më kujtohet veçanërisht, ndër subjektet e shumta të trajtuara,
se si bashkëbiseduesi im hodhi idenë e një lidhjeje ekonomike të
vijueshme midis Francës dhe Gjermanisë, për shembull në formën e një
rrjeti elektrik të përbashkët që lidhte Sarrën dhe Lorenën. Gjashtë muaj më
vonë, ishte Franca që bënte propozimin e vet për një Bashkësi Europiane
të Qymyrit dhe Çelikut ; ajo e tejkalonte krejt kuadrin e një marrëveshjeje
dypalëshe franko-gjermane, jo thjesht në aspektin gjeografik, por gjithashtu
e për më tepër për nga guximi i strukturës që parashtronte.
Ndërkohë, veç kësaj, kancelari Adenauer, të nesërmen e zgjedhjes së
tij, kishte sugjeruar krijimin e një bashkimi ekonomik midis dy vendeve
fqinje, projekt që nuk pati vazhdimësi, sikurse edhe ai i bashkimit doganor
franko-italian përfunduar më 1947. Sot, këto ide janë konkretizuar në
formën e Tregut të Përbashkët, që përfshin gjashtë vende me 160 million
njerëz.
Vëmë re kësisoj rrugën që ndjekin idetë gjatë evoluimit të tyre, se si
saktësohen sipas klimës së përcaktuar dhe në bazë të mundësive që
paraqiten.
Në rrjedhën e historisë do të flitet për epokën Adenauer sikundër që
flitet për epokën Bismark apo për epokën Weimar. Nuk mendoj, nga ana
tjetër, se bëhet fjalë këtu thjesht për një episod ; emri i Adenauerit
nënkupton ripërtëritje organike të politikës gjermane, politikë që ka rrënjë të
thella si në traditat më të vlefshme, ashtu dhe në konceptet e reja që e
tejkalojnë kryekëput kuadrin kombëtar. Kjo politikë do të ndiqet, jam mëse i
bindur, nga ata që do pasojnë kancelarin, cilëtdo qofshin ata, në gjithçka
që përbën thelbin e saj.
Ka në Gjermani nga tërë llojet e komplekseve, por më zotëruesi sot
është kompleksi ndaj bashkëpunimit, në mënyrë të veçantë ndaj
bashkëpunimit Europian. Këtë munda ta vë re edhe vetë gjatë bisedave të
- 29 -
shumta në qarqe universitare, sindikale a të tjera. Dhe po qe se ideja e
bashkëpunimit ngadhënjen, jam i bindur që në Gjermani qoftë edhe ata që
nuk e përkrahin, më në fund do ta pranojnë falë disiplinimit, edhe pse një
gjë e tillë nënkupton heqjen dorë nga ripushtimi i krahinave të Lindjes.
Në të vërtetë, për arsye psikologjike nuk mund të pritet që një qeveri
gjermane të heqë dorë zyrtarisht e përfundimisht nga rikthimi i territoreve të
Lindjes. Franca, pas Traktatit të Frankfurtit27, që iu desh ta nënshkruante,
kurrë nuk ka pranuar moralisht shkëputjen e Alzasës dhe të Lorenës, gjë
që nuk do të thotë se ajo ka pasur për qëllim të bënte luftë për t’i rifituar.
Por shpresa për një rikthim të tyre nuk ishte shuar. Gjermanët po ashtu
s’kanë se si të reagojnë ndryshe nga ne. Territoret e Lindjes, veç kësaj,
nuk u janë shkëputur atyre pas ndonjë traktati që ata vetë ta kenë
nënshkruar. Çka mund dhe duhet të kërkojmë është që ata të heqin dorë
nga çdo përdorim force për të arritur këtë rikthim. Kancelari Adenauer e ka
deklaruar këtë fare qartë. Edhe pse pas Traktatit të Frankfurtit, statuja e
Strasburgut u mbulua me perçen e zisë, kaluan dyzet vjetë në paqe, pa e
menduar ndonjëherë të shpallnim luftën për të ndryshuar gjendjen. Nuk
është pra e paarsyeshme, nga pikëpamja e qeverisë gjermane, që nga një
anë të mbajë gjallë te refugjatët gjermanë të Lindjes shpresën se një ditë
do mund të kthehen në vatrat e tyre, nga ana tjetër të marrë zotimin për të
mos bërë luftë për rimarrjen e territoreve të Lindjes.
Domosdo, gjermanët dëshirojnë bashkimin e vendit të tyre. Mendoj se
kjo dëshirë e ligjshme nga ana e tyre nuk e rrezikon paqen.
Sigurisht, ka politikanë që mendojnë se një bashkim, qoftë edhe
paqësor do të ishte i rrezikshëm për Francën, sepse do të prishte
drejtpeshimin në dëm të saj në gjirin e Bashkësisë.
Një ribashkim do të nënkuptonte natyrisht ripërshtatje të Bashkësive
Europiane dhe konkretisht të atyre të Qymyrit dhe të Çelikut, ribashkim që,
edhe pse Silezia mbetej jashtë saj, do të zgjerohej me një numër minierash
dhe industri siderurgjike të zonës lindore. Megjithatë, mund të sigurohemi
se nuk do ndodhemi pa dashur përpara një fakti të kryer. Ne do dimë të
mbrojmë interesat tona, duke qenë se ribashkimi nuk mund të arrihet pa
pëlqimin e Francës.
27 U nënshkrua në maj të vitit 1871 për dhënien fund të luftës franko-gjermane. Franca, e mundur, u detyrua t’i lëshojë Gjermanisë Alzasën dhe veri-lindjen e Lorrenës.
- 30 -
Sa për rreziqet e nazizmit, madje dhe të militarizmit, ato janë më të
pakta nga ç’kanë qenë në të shkuarën. Shembja e Gjermanisë ishte prova
më e mirë e gabimeve të atij regjimi, për më tepër në sytë e të rinjve që
kishte verbuar. Mendoj se në kohët e sotme nuk kemi pse të trembemi nga
një rindezje e nacionalizmit, sikurse e përjetuam në prag të ardhjes së
Hitlerit. E ardhmja e demokracisë është në përgjithësi e vështirë për t’u
parashikuar, sidomos në një vend që e ka praktikuar këtë demokraci
shumë pak deri më sot. Ajo do të varet nga rezultatet që mund të arrijnë
qeveritë demokratike. Ne s’kemi pse t’u presim hovin, po pa dëmtuar
natyrisht interesin tonë, as edhe ato të paqes e sigurisë.
Ka pasur periudha kur gjermani kërkonte hegjemoni, i pushtuar tërësisht
nga ideja e epërsisë së lindur. Kjo ndodhte përherë kur jetonte në një
mjedis, në një klimë suksesesh, ushqyer prej udhëheqësve të vet.
Gjermani pëlqen disiplinën dhe bindjen. Kur parulla zyrtare e nxit për të
fituar ndaj të tjerëve, ai bën maksimumin në këtë drejtim, po kur parulla
është në drejtimin e një kuptimi më të mirë të popujve të tjerë dhe të një
bashkëpunimi në dinjitet, ai i përshtatet gjithashtu kësaj fryme. Ai nuk është
nga vetëvetja domosdoshmërisht agresiv, as i prirur për sundim, as
përbuzës ndaj të tjerëve. Përkundrazi, gjermani është shumë i ndjeshëm
për të njohur cilësitë e tjetrit dhe të ushqejë njëfarë admirimi ndaj të huajit.
Është shumë i ndjeshëm për vëmendjen që i kushtojnë, për faktin që e
ortakësojnë, për shembull, në kërkime, në përpjekje të përbashkëta, në një
bashkëpunim ndërkombëtar në fushën shkencore, kulturore e teknike.
Pikërisht kësaj prirjeje të tij lypset t’i drejtohemi. Ndaj dhe vendosja e
marrëdhënieve kulturore që po zhvillojmë midis Francës dhe Gjermanisë
ndër studentë, profesorë, shkencëtarë, sindikalistë etj. po shënon
përparime të dukshme. Mendimi për një gjë të tillë është tejet popullor, gjë
që tregon se gjermanët nuk kanë më aktualisht frymë fodullëku, as edhe
ushqejnë paragjykime e urrejtje.
Por i tillë mund të bëhet. Është bërë në disa periudha kur Gjermania
ishte dehur nga ngjitja e saj e shpejtë, nga doktrinat e Gobinosë e të
Çambërlenit, nga ngadhënjimet e vijueshme, pa përvojën e një dështimi të
pashmangshëm.
Sigurisht, kurrë nuk mund të bëhesh dorëzanë për evolucionin e
ardhshëm të mendimit në një vend të çfarëdoshëm. Ai ka të bëjë me
rrethana të paparashikueshme që mund të bëhen burim ngasjeje të
gjithfarëshme.
- 31 -
Vazhdimisht do të ketë antagonizma me karakter kombëtar. Interesi i
Ruhrit nuk është kurdoherë i njëjtë me atë të Basenit loren. Bujqësia
franceze punon në kushte klimatike dhe të krahut të punës krejt të
ndryshme nga ato të fshatarit apo vreshtarit italian. Ligjshmëria fiskale dhe
sociale është domosdoshmërisht e veçantë për secilin vend, të paktën në
hollësitë e veta, dhe mund të pasqyrohet krejt ndryshe në koston e
prodhimit. Kjo parashtron probleme të brishta baraspeshimi në detyrimet
financiare. Ajo çka quajmë, me fjalë të huazuara, konkurrim i prodhimit në
një vend pak a shumë i favorizuar nga pasuritë e veta natyrore, nga
pozicioni gjeografik apo gjendja demografike, nga aftësia e institucioneve
të tij politike, mbetet në këtë mënyrë një burim larmie të madhe. Ja përse
lypsen klauzola shpëtimi për të kufizuar rreziqet, kur ndërmerren përpjekje
për një konkurrencë të re. Duhen barazuar, harmonizuar kushtet e
prodhimit, ligjshmëritë, masa e pagave dhe e detyrimeve, me qëllim që çdo
vend pjesëmarrës të jetë në gjendje të ballafaqohet lirisht me të tjerët. Çdo
bashkësi e shëndoshë kërkon para së gjithash të pakësohen, dhe
mundësisht të zhduken krejt, këto dallime rrethanore, me qëllim që një
industri apo një prodhimtari që del jashtë proteksionizmit të vjetër të mos
rrezikojë të shkatërrohet.
Ne nuk mund ta fshehim faktin që integrimi i Europës është një vepër e
përmasave të mëdha dhe e vështirë, dhe që kurrë ndonjëherë nuk janë
bërë përpjekje për ta realizuar. Ai kërkon një ndryshim tërësor në
marrëdhëniet midis shteteve Europiane, veçanërisht midis Francës dhe
Gjermanisë. Dhe këtë vepër, ne do ta kryejmë bashkërisht, mbi një bazë
medoemos barazie, në frymë vlerësimi e besimi të ndërsjellë, pas gjithë
asaj vuajtjeje e urrejtjeje të shkallës më të lartë që njohu brezi ynë.
Ky orientim i ri qëndron në themel të deklaratës së 9 majit 1950. Nga
pikëpamja politike, Franca, sepse para së gjithash bëhej fjalë për të, duhej
të linte mënjanë kujtimet e dhimbshme të së shkuarës. Asaj i takonte të
ndërmerrte nismën për të shfaqur ndaj fqinjit të vet vullnetin për mirëbesim,
jo nëpërmjet një deklarate platonike apo kushtëzuese, por nëpërmjet një
kërkese konkrete për bashkëpunim të përhershëm, dhe kjo në një fushë të
caktuar me rëndësi jetike. Me fjalë të tjera, Franca propozonte të hynte në
marrëveshje me Gjermaninë në barazi të plotë. Ajo kërkonte brenda
lidhjeve të një bashkësie shumëpalëshe garancitë e qëndrueshme që kurrë
nuk i kish hasur në zgjidhjet e mëparshme të shtrëngimit a të vartësisë.
Rivaliteti tradicional dhe mosbesimi do të zëvendësoheshin kësisoj me një
- 32 -
solidaritet interesash që do të zhduknin krejt shkaqet e një antagonizmi që
dukej i pandreqshëm.
Më 1945, mund ta vije veten përpara detyrimit : Gjermania ishte pa
qeveri, përfshirë nga rrënimi i plotë i kuadrove dhe institucioneve të veta. A
nuk mundej, a nuk duhej, në të tilla kushte, të kapej rasti për të bërë një
Gjermani të re, për t’i dhënë një strukturë që të na siguronte ndaj ringritjes
së një fuqie të papërmbajtshme dhe kërcënuese ? Por, le të mos harrojmë
se kushtetutat e shpallura nga jashtë dhe institucionet e sjella në vagona
armiqsh kurrsesi nuk e kanë jetë të gjatë.
U propozua copëtimi i Gjermanisë, duke ia ndaluar rikrijimin e një
perandorie apo të një autoriteti qëndror të çfarëdoshëm dhe duke bërë nga
ana tjetër të mundur që secila prej pjesëve të saj të gjymtuara t’i
bashkëngjitej drejtpërdrejt dhe pa ndërmjetësi një bashkësie Europiane.
Më lart, përmenda dështimin e dekreteve që u provuan më 1871 dhe 1919.
Politika e shtrëngimit, e zbatuar nga ngadhënjyesi, nuk sjell veçse zgjidhje
të dobëta dhe mashtruese ; ajo bëhet burim konfliktesh të reja. Madje edhe
një paqe e arritur thjesht mbi bazën e lëshimeve të ndësjella nuk i qëndron
gjatë një zhvendosjeje të re të forcave midis palëve në marrëveshje. Për aq
kohë sa i lihet vend një shpagimi, rreziqet e luftës do të shfaqen sërish. Një
marrëveshje e arritur kokë më kokë midis fituesit dhe të mundurit mund ta
qetësojë përkohësisht një kërkesë territoriale a një konflikt prestigji. Por
kurrë e vetme, ajo nuk është e mjaftueshme për të themeluar një paqe të
shëndoshë.
Në të shkuarën, janë bërë herë pas here orvatje, me anë traktatesh
paqësore shumëpalëshe për të stabilizuar situatat politike në disa zona të
Europës. Vendet e Ulta më 1815, Ballkani, disa herë me radhë gjatë
shekullit 19-të kanë qenë objekt i konferencave Europiane, në të cilat u
bënë përpjekje për të sjellë në ujdi shtetet që dolën nga monarkia e vjetër
austro-hungareze. U shkua nga zhgënjimi në zhgënjim, sepse u harrua t’u
jepej këtyre të ashtuquajturave marrëveshje, përveç një statusi juridik pak a
shumë artificial, një detyrë e përbashkët dhe një shpresë e re, që të mund
të linin mënjanë zënkat e së kaluarës. Një vlerësim i tillë na bëri këtë radhë
të kërkonim, në marrëveshje të përbashkët, një paqe që jo vetëm të ishte
një asgjësim i luftës, por edhe një ndërtim i së ardhmes.
Kur, pas luftës, vendosëm piketat e para të politikës Europiane, të gjithë
ata që morën pjesë në të, ishin të bindur se marrëveshja, bashkëpunimi
midis Gjermanisë dhe Francës ishte për Europën problemi kapital, se pa
- 33 -
Gjermaninë, sikurse pa Francën, do të ishte e pamundur të ndërtohej
Europa.
Gjermania kurrë nuk ka qenë më e rrezikshme se sa kur izolohej, duke
besuar në forcat dhe në cilësitë e veta që i ka të mëdha, duke u dehur
njëfarësoj me epërsinë e vet, sidomos përballë dobësisë të së tjerëve. Nga
ana tjetër, Gjermania ka ndjenjën e bashkësisë më shumë se kushdo
tjetër ; në gjirin e Europës së bashkuar, ajo mund ta luajë plotësisht rolin e
saj.
V
ANGLIA
NUK DO TË PRANOJË
TË INTEGROHET NË EUROPË
VEÇSE E DETYRUAR
NGA NGJARJET
Vështirësitë që has ideja e integrimit në Europë janë fillimisht dhe para
së gjithash të karakterit psikologjik. Ajo synon heqjen dorë nga pushtetet
sovrane, në dobi të një autoriteti të përbashkët. Mirëpo, shekuj me radhë,
vendet Europiane kanë luftuar, kanë zhvilluar luftra të përgjakshme për të
fituar pavarësinë e tyre dhe – çka do të thotë të njëjtën gjë – për të
realizuar unitetin e tyre të brendshëm. Andaj jo pa keqardhje e pa
shqetësim ato heqin dorë nga një pjesë e asaj autonomie ; ndjejnë në
vetvete të mohojnë krejt një të shkuar ideali dhe lavdie.
Për t’i siguruar, përmendet shpesh shembulli i Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, që aq mrekullisht arritën, para se të shpikej edhe vetë termi,
integrimin e 48 shteteve sovrane në një tërësi federale. Gjendja nuk është
e njëjtë dhe ky shembull nuk është bindës. Këto shtete nuk kishin nga pas
tyre një të shkuar të largët pavarësie, përkundrazi, sapo ishin çliruar falë
një lufte thjesht disavjeçare nga një regjim kolonial ; ato ishin në kërkim të
- 34 -
një formule sipas së cilës do të organizohej bashkëjetesa e tyre e
ardhshme, po edhe kjo, jo pa vështirësi e pa humbje kohe. Ngrehina e
mrekullueshme e Kushtetutës amerikane, lartuar mbi themelet që skicuan
në mendjet e tyre, brenda frymën së kohës, Uashingtoni, Xhefersoni e
Hamiltoni, u bë shtëpia e përbashkët dhe e padiskutueshme vetëm pas
ngurrimesh e kundështimesh të gjata. E megjithatë, ajo mundi të
konceptohet e të realizohet mbi një terren që ishte i lirë, spastruar nga çdo
ndërtim i mëparshëm që e pengonte. Amerika ishte një vend i ri, që i
zgjidhte sipas dëshirës institucionet e veta, pa qenë nevoja të
zëvëndësonte institucione të mëparshme, as të hynte në marrëveshje me
vende të tjera.
Le të shohim, në të kundërt, evolucionin e vendeve të lashta të
Europës : nuk dua të përmend veçanërisht si përfaqësuese të frymës
Europiane Anglinë ishullore e kozmopolite, tradicionale, instiktivisht
mosbesuese ndaj çdo novacioni ideologjik, por në të njëjtën kohë aq të
zhdërvjellët në përshtatjen e institucioneve të saj të vjetra me rrethanat e
reja, aq të mprehtë në interpretimin e zakoneve të pashkruara. Anglia
paragjykon ashpër tekstet e përpiktë dhe të ngurtë që përbëjnë kënaqësinë
e juristëve kontinentalë ; ajo, po ashtu, në parim e në çdo rrethanë, është
kundër çdo integrimi, në kuptimin që i japim ne, në çdo strukturë federale.
Komonuellthi28 i saj, të cilin e ruan si dritën e syrit dhe që qëndron për të
më lart nga çdo organizatë ndërkombëtar e hamendësuar, nuk është
madje as Konfederatë ; po prapë, ai përbën një realitet të gjallë dhe të
efektshëm. Ja përse integrimi Europian mund të marrë bekimin e saj
dashamirës, por vetëm e detyruar nga ngjarjet, ajo mund të marrë pjesë në
të.
Si ta shpjegojmë pikëpamjen angleze ? Gjithmonë kam në mendje
figurën e mikut tim Ernest Bevin29, që më fliste ato çaste në emër të
qeverisë angleze. I dukej e pamundur, e paimagjinueshme se mund të ketë
për një anglez, për një qeveri angleze, për një Parlament anglez, një
autoritet më të lartë nga ai i Parlamentit anglez. Asnjë argument nuk mund
ta trondiste këtë qëndrim, jo për rrjedhojë të ndonjë kokëfortësie – anglezi
është i aftë për shumë elasticitet empirik – por në funksion të një arsyetimi
logik : një qeveri angleze nuk mund t’i japë një organizmi Europian më
28 Federata e shteteve sovrane të dala nga Perandoria e vjetër britanike (1931) dhe të lidhura zyrtarisht e lirisht me monarkinë e Mbretërisë së Bashkuar 29 Politikan britanik (1887-1951), ministër i Punëve të Jashtme në vitet 1945-1951.
- 35 -
shumë autoritet se sa kanë organet e Komonuellthit. Duke qenë se nuk ka
asnjë gjurmë të mbikombëtares në brendësi të Komonuellthit, nuk ka se si
të konceptohet që organizmave Europianë t’u njihet një autoritet
mbikombëtar. Për anglezin, parësia i jepet Komonuellthit, jo vetëm
kronologjikisht, por edhe sentimentalisht. Kjo duhet kuptuar. Ndoshta ne
nuk e kapëm sa duhej që në fillim, ndaj dhe na gënjente mendja se Anglia
s’kish pse të mos merrte pjesë përnjëherësh. Në asnjë fushë një qeveri
angleze, një parlament anglez nuk do mund të pranojnë vendime të marra
jashtë tyre dhe ndoshta kundër tyre. Anglezi është shumë i lidhur me atë
parim që e quan « unwritten constitution30 ». Një kartë, një kushtetutë
duhet të përshtaten në çfarëdo rrethane ; ja pse s’duhet shprehur me një
tekst të ngurtë. Në të kundërt, në Francë, në vendin e Dekartit31, gjithçka
duhet të jetë sa më e përpiktë në tekste ; çka s’është e shkruar, nuk ka
vlerë. Pikërisht një gjë e tillë e vështirëson temperamentin anglez, sidomos
kur fjala është për të hequr dorë nga një pjesë e sovranitetit ; anglezi as që
e merr dot me mend se u dashka bërë rob i një zotimi të tillë falë një teksti
të shkruar dhe kjo, për një periudhë pesëdhjetëvjeçare.
Kemi të bëjmë këtu me një dallim botkuptimi, formimi politik, tradite
kombëtare.
Anglia di t’i vrojtojë distancat në gjithçka. Pa u vetizoluar, ajo vrojton.
Nuk ka vend në botë që të jetë më serioz nga pikëpamja e respektimit të
banesës. Çdo dhunim i banesës, çdo ndërhyrje, çdo teprim shihen me sy
të keq. Organizimi i një integrimi i duket në një farë mënyre si dhunim
banese, si gabim shumë i rëndë.
Sa për Francën, që prej pesë shekujsh, qoftë monarki, qoftë republikë,
në mënyrë të palodhur ajo ndërtoi unitetin e vet mbi gërmadhat e regjimit
feudal dhe përmes mbeturinave të një partikularizmi krahinor. Revolucioni i
Madh dhe Perandoria vendosën autoritetin qendror sovran brenda kufijëve
të përforcuar përfundimisht. Dhe ja ku i kërkohet tani të kthehet në një farë
mënyre prapa, të pranojë me dashje të mplekset në një bashkësi prej 6 a
15 vendesh, t’i dorëzohet moskuptimit apo arbitraritetit egoist të një
shumice. Unë vetë, edhe pse përkrahës i integrimit, e di se ç’do të thotë kjo
për Francën si lëshim ndaj krenarisë së saj kombëtare, ndaj mbrojtjes së
ligjshme të interesave të saj jetësore, ndaj zakoneve të saj më të shtrenjta.
30 Anglisht në tekst : kushtetutë e pashkruar. 31 René Descartes (1596-1650), filozof dhe dijetar francez që vuri arsyen në qendër të veprës së tij dhe hodhi themelet e idealizmit modern.
- 36 -
Gjermania e Italia, në të kundërt, nuk njohin paragjykime të tilla
psikologjike. Unifikimi i tyre është arritur gati një shekull më parë. Si njëra
dhe tjetra kanë një përvojë të gjatë regjimi konfederal, domethënë
bashkësie shtetesh pak a shumë të varur prej njëri-tjetrit. Ato e kanë
relativisht të lehtë për të zhvendosur në rrafshin Europian përvojat e
shkuara, të cilat i kanë familiarizuar me funksionimin e një regjimi të tillë.
Nga ana tjetër, me shembjen e hitlerizmit dhe të fashizmit u rrafshuan tërë
institucionet e mëparshme. Rruga është e lirë për ide të reja. Më në fund,
t’u besosh këtyre kombeve, të nesërmen e humbjes së tyre, një rol jo
thjesht kombëtar, por Europian, me të drejta të barabarta, pa kurrfarë
diskriminimi që i poshtëron, a nuk është vallë një fat i papritur për to? Dhe
e gjithë kjo, para se Gjermanisë t’i njihet një traktat paqeje dhe para se të
jetë futur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara !
Problemi i integrimit shtrohet pra ndryshe në Francë dhe ndryshe tek
fqinjët tanë ; është kësisoj e lehtë për kundërshtarët e politikës sonë tek ne
për ta shfrytëzuar këtë ndryshim të gjendjes dhe për të krijuar shqetësime
e lëndime nacionale. Ka rrezik, na thonë, që Franca, të paguajë
shpenzimet e këtij operacioni.
Ka mëri të dikurshme që mund të rishfaqen. Kujtimet e dhimbshme të
pushtimit vijnë e pengojnë dispozitat e shëndosha parimore ; plagët jo të
gjitha janë mbyllur. Të mësojmë të njohim vetveten, ata që jemi, me cilësitë
dhe dobësitë tona, me anët e përbashkëta që na afrojnë dhe ato që na
ndajnë, me paragjykimet dhe rutinat që kemi, ky mbetet kushti i parë për
çdo afrim.
Nuk ka besim pa çiltërsi, dhe as marrëveshje të mundur lidhur me
keqkuptimet.
Europa do formojë një shpirt të vetin në larminë e cilësive dhe të
aspiratave që ka. Uniteti i koncepteve të saj themelore pajtohet me
shumëllojshmërinë e traditave dhe të bindjeve, me përgjegjësinë ndaj
zgjedhjes që bën secili. Europa bashkëkohore duhet ndërtuar nga një
bashkëjetesë e tillë që të mos krijojë një aglomerat të thjeshtë kombesh
rivale, periodikisht në armiqësi me shoshoq, por një bashkësi vepruese, të
bashkuar dhe të organizuar lirisht.
A mos kemi gabuar vallë deri më sot në rrugën tonë ? Në një masë të
madhe, rezultati do të varet nga vlera e njerëzve që kemi përballë vetes,
nga shkalla e çiltërsisë së tyre, nga mirëkuptimi që do të tregojnë ata dhe
pasuesit e tyre.
- 37 -
Alternativa të tilla përmbajnë kurdoherë rreziqe. Çka na nxiti për t’i
pranuar është bindja që kemi lidhur me dështimet e mëparëshme. Metodat
e vjetra falimentuan.
Pas shumë vitesh orientimi radikalisht të kundërt, ne nuk kemi pësuar as
zhgënjim, as përgënjeshtrim. Kemi arritur më në fund të zhdukim me
mirëkuptim, nëpërmjet sakrificave të ndërsjella, tërësinë e
mosmarrëveshjes që vinte përballë Francën me Gjermaninë. Ky pajtim,
dhe më shumë se kaq, bashkëpunimi ynë u shfaq jo vetëm i mundur, por
edhe i dobishëm për secilën nga dy palët, si dhe për mbarë Europën.
VI
INTEGRIMI EKONOMIK,
ME KOHË,
NUK MUND TË KUPTOHET
PA INTEGRIM POLITIK
Në plan të parë të bashkëpunimit Europian, me mbarimin e luftës,
qëndron O.E.C.E32-ja. Pas lindjes së saj më 1948, si rrjedhojë e planit
Marshall33 (fjalim i Marshallit më 5 qershor 1947), objekti i saj fillestar ishte
ndarja e ndihmës amerikane dhënë në mënyrë globale vendeve Europiane
përfituese. Ajo u transformua me shpejtësi në një organizëm të
përhershëm e konstruktiv me veprim ekonomik kolektiv. Synimi i saj ishte i
dyfishtë. Para së gjithash, t’u çelte rrugën hap pas hapi këmbimeve të lira
ndër këto vende, të zhdukte pengesat sasiore që haseshin në formë
liçensash apo kontigjentesh importi a eksporti ; në këtë drejtim, ende nuk
32 Organizata Europiane e Bashkëpunimit Ekonomik. 33 George Marshall (1880-1959), politikan amerikan, çmim Nobel i paqes më 1953, hartuesi i programit të rindërtimit Europian pas Luftës së dytë botërore, i quajtur « Plani Marshall ».
- 38 -
bëhej fjalë për zhdukjen e pengesave doganore. O.E.C.E.-ja kish nga ana
tjetër për qëllim të lehtësonte këmbimet Europiane duke organizuar një
sistem të zhdërvjelltë kompensimi midis monedhave të dobëta dhe
monedhave të forta. Është fjala për Bashkimin Europian të pagesave,
sistem i cili, gjatë atyre viteve të vështira ka qenë me efektshmëri të
veçantë. Pjesëmarrja në të e një vendi me monedhë të fortë, si Zvicra, ka
ndihmuar në zgjerimin e vëllimit të marrëveshjeve për mallra, duke futur
monedhën e shëndoshë në qarkun e blerjeve shumëpalëshe. Gjithsekush
kishte kësisoj leverdi, pa u rrezikuar dhe pa sakrifikuar.
Kjo organizatë u krijua pa shtrëngesa, pa rendur pas sanksioneve dhe
votave të shumicës. Gati sa s’pandehej se do të arrihej në shëndoshjen e
domosdoshme përmes bindjes dhe vullnetit të mirë. Për fat të keq, kishim
të bënim thjesht me një iluzion, që shumë shpejt çoi në zhgënjim.
Për të vënë në vend çrregullimet e mëdha ekonomike, lypsej bindja për
të pranuar një disiplinë dhe një autoritet kolektiv. Unanimiteti mbi bazën e
vullnetit të mirë nuk mjaftonte. Dobësitë dhe rëniet e përsëritura shkaktonin
zhgënjim të vijueshëm. Franca dhe vendet e tjera detyroheshin të
tërhiqeshin nga premtimet, të shtynin përkohësisht dhe pjesërisht
detyrimet, për të cilat më parë kishin dhënë vetë pëlqimin e tyre.
Përvoja të tilla do të na udhëhiqnin në politikën tonë drejt së ardhmes.
Në fakt, O.E.C.E.-ja, duke kundërshtuar me vendosmëri çdo detyrim,
këshillonte një sistem të lirë të këmbimit, ndryshe nga Tregu i Përbashkët.
Ajo besonte në uljen apo zhdukjen e të drejtave doganore, sikurse kishte
besuar më parë në shpërbërjen e kontigjenteve. Rezultati pa dyshim do të
ishte i njëjtë. Nëse ne parapëlqyem sistemin e Tregut të Përbashkët, kjo
ngaqë gjetëm në të tërësinë e garancive dhe të normave rregullatore që
parashikojnë dështimet e mundshme të një lirie të shfrenuar. Ne e
zbatojmë këtë sistem ndër gjashtë vende, jo sepse i përmbahemi ndonjë
lloj përjashtimi egoist, por sepse vetëm ato vende përqafuan konceptin
tonë dhe pranuan disiplinën që vendosëm. Ne zbatojmë një politikë të
përbashkët, të rregulluar përmes një statuti të vendosur ligjërisht, që
përmban klauzola mbrojtëse, të efektshme dhe elastike. Nëse lejojmë
ndonjë çarje në dobi të vendeve të tjera, pritat që kemi ngritur nuk do
qëndrojnë në këmbë. Çka mund të bëjmë në këtë rast, brenda mundësive
që kemi, është të lidhim marrëveshje të kufizuara, sipas produkteve dhe
vendeve në të cilat prodhohen, në përputhje me konventat tona të gjashtë
vendeve. Brenda këtij kuadri të lejueshëm, jemi të gatshëm për të përballur
- 39 -
tërë alternativat ekzistuese midis grupimit të Gjashtëshes dhe të
Njëmbëdhjetëshes së O.E.C.E., të marra këto qoftë më vete, qoftë të
grupuara në një zonë. Europianët, të afruar me shoshoq nëpërmjet një
bashkëpunimi gjashtëpalësh, nuk dëshirojnë vendosjen e një diskriminimi
dhe të një distance lidhur me të tjerët. Çka duan, është pikërisht të
shmangin shthurjen e Tregut të Përbashkët në dobi të një organizimi më
pak të fuqishëm dhe më pak të disiplinuar. Bashkimi i dy sistemeve të
ndryshme mund të kryhet me etapa, në kuadrin e një marrëveshjeje të
përkohëshme parimore, pa u kompromentuar lidhjet ekzistuese midis
Gjashtëshes.
Rruga drejt Europës na çoi, më 1950, drejt një bigëzimi, ku lypsej të
bënim përzgjedhjen tonë. Por më parë, ajo na çoi drejt një institucioni që
nuk kërkonte vendimarrje të vështirë. Ishte fjala për Këshillin e Europës34.
Ai kishte, sikundër O.E.C.E.-ja një kuadër të gjerë, sepse edhe aty
përjashtohej disiplina dhe vendimet e marra me shumicë. Asambleja e
Strasburgut mbetet tërësisht konsultative. Komiteti i saj i Ministrave nuk
mund të vendosë veçse me unanimitet. Një konstatim i tillë nuk i ul aspak
meritat e Këshillit të Europës. Asambleja e tij, shprehje e opinionit publik të
17 vendeve, ka qenë në pararojë të ideve plot dinamizëm e guxim. Por një
reformë e thellë është e domosdoshme për të marrë karakterin e një
institucioni Europian me fuqi vetvendosëse, pavarësisht nga forma
kushtetuese e saj dhe zgjerimi i kredencialeve.
Edhe pse kufizimet që iu vendosën institucionit të ri zhgënjyen të gjithë
ata që shpresonin për një strukturë kushtetuese të fortë, ai prapëseprapë
mbetet njëfarë konference e herëpasherëshme, një laborator mendimesh,
ku bashkohen njerëz veçanërisht të vlefshëm dhe ndeshen prirje të
shumëllojta. Megjithë mungesën e një fuqie vendimore, autoriteti i tij
institucional është i njohur. Parlamentet e kanë si një rezervuar të
përhershëm, qeveritë një mjet për sondazhet e tyre në rrafshin
ndërkombëtar. Është e vërtetë, gjithsekush vazhdon të frymëzohet para së
gjithash në bazë të të dhënave kombëtare dhe të parapëlqimeve vetiake.
Këshilli i Europës nuk është as një central energjie, as një motor për
34 Organizatë ndërqeveritare themeluar në maj 1949, me synimin për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe të demokracisë pluraliste, për të ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe vlerësimin e identitetit kulturor të Europës, për të kërkuar zgjidhje të problemeve shoqërore (të minoriteteve, ksenofobisë, intolerancës, mbrojtjes së mjedisit, etj) si dhe për të zhvilluar stabilitetin demokratik në Europës. Aktualisht, përfshin në gjirin e vet 43 shtete të Europës. Shqipëria është anëtare e saj nga viti 1995.
- 40 -
dëshirat Europiane. Nuk ka vend këtu, sikurse vihet re, as për qortesë as
për padrejtësi. Strasburgu ka bërë dhe vazhdon të bëjë shërbime të vërteta
brenda kuadrit të mjeteve të tij statutore : është një fanar që ndriçon rrugën
e Europës.
Deri më 1950, nuk kish patur ndonjë rast institucioni që të shkonte
përmbi dhe përtej sovranitetit kombëtar. Ky sovranitet vazhdonte të shihej
si i pacënueshëm. Paktet e Dunkerkut (Francë-Angli, 4 mars 1947) dhe të
Brukselit ( në të cilin u futun edhe vendet e Beneluksit, 17 mars 1948)
mbështeteshin mbi të njëjtën ide, po aq sa edhe Pakti i Atlantikut (4 prill
1949). Duhej prishur magjia. Vështirësia ishte që të mund t’i dilej mbanë në
kohë paqeje.
Në fakt, nën trysninë e ngjarjeve të luftës i nënshtrohesh më lehtë një
autoriteti kolektiv, ngaqë është më i fuqishëm se vullneti individual. Por, si
mund të pranohet ky autoritet jashtë rrezikut kërcënues, dhe sidomos në
fushën ekonomike ? Franca u orvat ta bënte më 1950 ; dhe diti t’ia dalë në
krye, megjithë ngurrimet dhe kundërshtimet që buronin nga rutina e
mosbesimi.
E bëri lidhur me dy industri kyçe, qymyrin dhe çelikun. Ishte një orvatje e
kufizuar në dy prodhime, por megjithatë prodhime thelbësore për tërë
ekonominë, po aq të rëndësishme për vepra paqësore sa dhe për
armatimin. Për vite me radhë, këto prodhime ishin bërë shkak për
diskutime gjithnjë e më të ashpra me Gjermaninë. Ishte menduar të
vendoseshin kufizime për kapacitetin e tyre prodhues. Autoriteti
ndërkombëtar i Ruhrit (nëntor 1948) duhej t’i mbante nën mbikëqyrje. Në
këtë mënyrë, ne pra, i paraprinim ndërlikimeve të mëdha, konflikteve të
pafunda.
Politika jonë, më 9 maj 1950, do të përmbysej kryekëput. Ne i dhuruam
Gjermanisë dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse një partneritet për 50 vjetë,
pa diskriminim, pa kufzim. Synimi i partnerëve ishte zgjerimi i prodhimit,
shfrytëzimi i përbashkët i burimeve, vendosja e rregullave të njësuara për
të garantuar arritjet më të mira të ndërmarrjes, një emulacion paqësor e të
ndershëm midis kundërshtarësh të vjetër. Për herë të parë në Europë, pati
në këtë mënyrë, ndër të tjera, një legjislacion antitrust, një politikë sociale
që kontrollohej nga organizma ku bashkëveprojnë në barazi nëpunës e
punonjës të gjashtë vendeve pjesëmarrëse.
Ideja themelore që po kristalizohej për herë të parë, dhe kjo në rrafshin
ndërkombëtar, ishte ajo e bashkësisë, bashkësisë që nuk mund të
- 41 -
shpërbëhej dhe me vazhdimësi praktikisht të pakufizuar, rregulluar me anë
të një statuti, respektimi i të cilit sanksionohet nga një gjykatë, e
paanëshme dhe e pavarur. Administrimi i bashkësisë i besohet një
Autoriteti të Lartë, i cili, në kuadrin e statutit, ka fuqi vendimore, i pandikuar
nga asnjë autoritet kombëtar, qeveriar a ligjvënës. Në këtë kuptim, mund të
flitet për një autoritet mbikombëtar, mbrojtur nga një juridiksion
mbikombëtar. Ai ia detyron ekzistencën e vet votës që japin ligjvënësit
kombëtarë, por, nga çasti që ekziston, bashkësia ndjek jetën e vet dhe s’ka
të bëjë me të papriturat apo fantazitë e plitikës kombëtare.
E gjithë kjo, nuk është thjesht një koncept. Që prej 10 gushtit 1952,
C.E.C.A.-ja është një realitet që funksionon, mbrohet, çel rrugën e vet,
përpiqet të kënaqë tërë të interesuarit, si rrogëtarët dhe punëdhënësit, si
përdoruesit dhe ekonominë kombëtare. Ajo është vepër e të gjithëve, në
përparimet që njeh dhe në vështirësitë që has, dhe që përpiqet t’i
kapërcejë nën kontrollin publik dhe kontradiktor të një asambleje
parlamentare.
S’ka pse çuditemi pra, që pas kësaj arritjeje të shënuar, përvojën e mirë
të kërkojmë ta shtrijmë në një fushë më të gjerë. Këtë radhë, dhe me
keqardhje e them, Franca zuri një vend më pak përcaktues në krijimin e
bashkësive të reja që iu bashkëngjitën C.E.C.A.-së. Në fakt, Franca sapo
kishte hedhur poshtë C.E.D-in nëpërmjet votimit të Asamblesë së saj
kombëtare më 30 gusht 1954. Një qëndrim i tillë, që binte ndesh me
politikën e saj të mëparshme, e bënte të humbiste autoritetin e
pamohueshëm që kishte në drejtim të nismave Europiane. Më 1955, këto
nisma vinin tashmë nga Belgjika, pishtarin e së cilave e mbante ministri i
Punëve të Jashtme, Z. P.H.Spaak. Bisedimet për Tregun e Përbashkët dhe
Euratomin u zhvilluan në Bruksel, pasi u vendosën në Konferencën e
Mesinës në qershor. Kjo tregon se sa e cënon prestigjin dhe sa e dëmton
autoritetin e një vendi dobësia që ai tregon në fushën e jashtme. Kjo tregon
gjithashtu se sa mbetet e hipotekuar politika e jashtme e një vendi prej
inkoherencave që njohin çështjet e tij të brendshme.
Këtej e tutje, lypset të dalim nga izolimi dhe t’i hyjmë një konkurrence që
nuk mund ta shmangim ; tërë ekonomia jonë duhet të jetë në lartësinë e
duhur, t’u përshtatet rrethanave të reja të një gare dhe të një bashkëpunimi
paqësor. Lufta do të kryet jo nëpërmjet një ndeshjeje të egër, por
nëpërmjet një disipline të pranuar dhe të zbatuar nga një popull i tërë, i
ndërgjegjshëm që shpëtimi i tij varet para së gjithash nga ai vetë, nga
- 42 -
përpjekjet dhe sakrificat e tij, por po aq edhe nga bashkëpunimi me vende
të tjera, duke u solidarizuar në një ndërmarrje të madhe të përbashkët.
Europa bashkëkohore, dhe secili prej vendeve Europiane, duhet të ketë
në një farë mënyre instiktin e kësaj ndërvarësie, të jetoj dhe të punoj në
këtë klimë të re besimi dhe vullneti, ku gjithësekush t’i japë bashkësisë
maksimumin e asaj çka është e vlefshme, atë çka më të mirën e vet.
Vetëm kështu Europa, Perëndimi, mund të shpëtojnë përballë koalicionesh
armiqësore që kërcënojnë qytetërimin e tyre.
Termi federatë është formula juridike e një mendimi më të thellë e
human, plot perspektiva të reja. Shohim në të zhvillimin e shpejtë, por të
logjikshëm, të një ideje, e cila duke pasur për zanafillë Bashkësinë e 1950-
ës, po lulëzon në një vëllazërim që shtrihet përtej kufijëve.
Tashmë edhe vetë Traktati i Romës35 parashikon fillimin e një Eurafrike
lidhur me shfrytëzimin e burimeve energjetike përmes vullnetit të
përbashkët në shërbim të një kooperimi të lirë të dy kontinenteve.
I takon brezit të së nesërmes t’i përpunojë këto koncepte të së ardhmes
mbi një bazë realiteti që po ndërtohet hap pas hapi, në frymën e
mirëbesimit të arritur falë tërë kësaj pune. Është shumë të guxosh t’i hysh
një rruge të re, pasi e ke parë veten të ngurtësuar brenda nacionalizmit dhe
kolonializmit shekullor. Çka mund të themi së paku është se ndjejmë të
kemi marrë mbi vete përgjegjësinë njerëzore.
Megjithatë, lypset të shpejtojmë. Ngjarjet na tregojnë çdo ditë se s’duhet
të humbasim asnjë minutë. Dështimi përherë e më i dukshëm i O.K.B.-së
kërkon me ngulm suksesin e Europës.
Por si të vazhdojmë, si ta konceptojmë zhvillimin e politikës Europiane ?
Duhet para së gjithash të zbatojmë traktatet e Romës, të respektojmë
përmbajtjen dhe frymën e tyre me tërë shkathtësinë e nevojshme në këtë
fushë, pa mohuar aspak objektivat dhe parimet. Duhet, nga ana tjetër, të
krijojmë zonën e lirë të këmbimit, në të njëjtën frymë pajtimi dhe
vendosmërie. Ne s’kemi pse mos të shohim përtej asaj çka është arritur
apo është duke u arritur : duhet pra të përgatisim etapat e mëtejshme.
Integrimi ekonomik që jemi duke realizuar nuk mund të kuptohet, me
kohë, pa një minimum integrimi politik. Është një element plotësues logjik, i
nevojshëm. Duhet që Europa e re të ketë themele demokratike ; që
këshillat, komitetet dhe organet e tjera të vendosen nën kontrollin e
35 Traktati i Romës (mars 1957), që themeloi bashkësinë ekonomike Europiane, të njohur ndryshe me emrin Tregu i Përbashkët.
- 43 -
opinionit publik, kontroll i cili të jetë i efektshëm, pa paralizuar veprimtarinë
dhe nismat e dobishme. Integrimi Europian duhet, përgjithësisht, të
shmangë gabimet e demokracive tona kombëtare, sidomos teprimet e
burokracisë dhe të teknokracisë. Ndërlikimi i mekanizmave dhe akumulimi i
vendeve të punës nuk japin kurrfarë sigurie përballë shpërdorimeve që
kryen, por janë edhe vetë në mjaft raste rrjedhojë e teprimeve dhe e
favoritizmit. Mpirja administrative është rreziku i parë që kërcënon
shërbimet mbikombëtare.
Në të kundërt, duhet që popullsia, nëpërmjet përfaqësuesish të zgjedhur
posaçërisht, të jetë në gjendje të ndjekë dhe të ndihmojë zhvillimin e
institucioneve. Duhet pra, që në një të ardhme jo shumë të largët, të
parashikohet zgjedhja, me votim të përgjithshëm e të dretpërdrejtë, e
anëtarëve të asamblesë, që ushtron pushtetin vendimor e kontrollues, në
përputhje me Kartën e Bashkësisë. Për më tepër, neni 138 e ka mandatuar
këtë asamble për të përpunuar një projekt të tillë elektoral, i cili do duhej të
ishte i njëllojtë për tërë shtetet anëtare. Është e sigurt se ndërgjegjia e një
Europe të bashkuar do forcohej edhe më tepër dhe do të konkretizohej
edhe më mirë nëse do arrihej të shprehej periodikisht nëpërmjet një votimi
në shkallë Europiane. Zgjedhësi do të integrohej në një sistem elektoral të
vetëm dhe do të shprehej për objektiva që i interesojnë tërë territoreve të
përbashkëta. Kjo ide meriton pra të mirëpritet dhe të vihet pa vonesë në
jetë.
Një etapë tjetër, që nuk është parashikuar nga traktatet e sotëm, do të
ishte më e rëndësishme dhe më e vështirë. Fjala është për të integruar në
të ardhmen jo thjesht zgjedhësit, por politikanët. Vendimet me rëndësi
ndërkombëtare nuk mund të merren veçse bashkërisht nga shtetet e
partnerizuara.
Lypset të merremi vesh për kuptimin e kësaj fjale. Sigurisht, mund të
thuhet se këto shtete zotohen të konsultohen midis tyre, para se të
ndërmarrin një nismë të veçantë të njëfarë rëndësie (Suez, Liban). Mund të
shkohet më tej në këtë rrugë dhe të organizohet një veprim diplomatik
kolektiv, që do t’i paraprinte çdo veprimi individual ; të ndalohet,
konkretisht, çdo fakt i kryer kur ai bëhet në mënyrë të shkëputur. Ky do të
ishte një përparim shumë i madh. Por a do mund të arrihej, që sot, në një
marrëveshje sipas së cilës qeveritë dhe parlamentet t’i nënshtroheshin çdo
vendimi që do merrej, jo me unanimitet, por nëpërmjet shumicës së
shteteve apo shumicës së një asambleje të përbashkët ? E kemi fjalën për
- 44 -
vendime të rëndësishme që vënë në dyshim paqen apo luftën, domethënë
jetën e qytetarëve, pavarësinë e kombit, tërësinë e tij territoriale.
Nuk besoj se kemi arritur pjekurinë për një kalim të tillë të përgjegjësive,
ku një shumicë e vullneteve ndërkombëtare të arrijë t’i diktohet vullnetit
kombëtar në një fushë ku mund të vihet në pikëpyetje vetë ekzistenca e një
vendi. Ç’shpërthim të fuqishëm pasionesh e dyshimesh do të shihnim në
atë rast !
Mirëpo, vetë ideja e një qeverie federale dhe ajo e një parlamenti federal
nënkuptojnë, më duket, atë fuqi të tillë vendimore të shumicës, që i mban
të lidhura shtetet e federuara.
Mendoj se do kish të bënim në këtë rast thjesht me djegie të etapave,
rendje në mënyrë të paradokohëshme dhe të pakujdesshme në rrugën e
braktisjes së sovranitetit kombëtar për çështje me rëndësi thelbësore.
Rrezik të shihnim të përsëritur përvojën e C.E.D.-it me zhgënjimet dhe
përplasjet e veta gjatë kthimit prapa.
Mjeti më i mirë për t’u siguruar ndaj rreziqeve të luftës dhe të robërisë
do të jetë kompaktësia jonë kolektive në gjithçka, në fushat ekonomike,
politike dhe ushtarake. Bashkëpunimi i ngushtë që do vendoset në gjirin e
bashkësive Europiane tashmë të krijuara, do bëj të mundur që gjithçka ta
shohim nën prizmin e interesit dhe të përgjegjësisë së ndarë kolektivisht.
Do mësohemi që gjithçka të mos e shqyrtojmë më nga këndvështrimi i
ngushtë kombëtar. Doemos, arsyetimet kombëtare s’kemi për t’i lënë pas
dore, por ato do t’i hasim se s’bën edhe në një këndvështrim kolektiv. Ne
do t’i përfshijmë së toku me të tjerat në një kuadër ndërvarësie të
ndërsjellë. Do duhet kësisoj, duke u nisur nga kombëtarja, ta vendosim
këtë brenda një tërësie, ku gjithçka më në fund do bashkohet, do
plotësohet.
Na duhet të mësojmë dhe të kuptojmë pikëpamjen e veçantë të partnerit
tonë, ashtu sikurse edhe ai vetë do bëj të njëjtën përpjekje ndaj nesh.
Në këtë mënyrë, politika e jashtme nuk do të jetë më fusha e
antagonizmave që përplasen, por fusha e pajtimit, me anë të mirëkuptimit
dhe efektit parandalues, të divergjencave që ekzistojnë, shprehen dhe
diskutohen, larg çdo ashpërsimi.
Përvojat që kemi krijuar në marrëdhëniet midis Francës dhe Gjermanisë
janë të mjaftueshme për të na bërë optimistë, për të ruajtur besimin në
vetvete.
- 45 -
VII
LINDJA,
QËLLIMI DHE NDËRTIMI
I BASHKËSISË
SË QYMYRIT
DHE TË ÇELIKUT
Miqëve dashamirës që shpesh më pyesin për rolin tim si Ministër i
Punëve të Jashtme në lindjen dhe përpunimin e traktatit të C.E.C.A.-së,
kam dëshirë t’u përgjigjem - po ç’rëndësi ka në fund të fundit - duke
parodizuar thënien e mareshalit Zhofrë36 lidhur me betejën e Marnës :
« Nuk di kush e ka fituar, po di fare mirë se kush do ta ketë humbur. »
Në atë fillim të vitit 1950, kishim ndjesinë se po shkonim përpara një
krize të dyfishtë : njëra e karakterit politik, tjetra e karakterit ekonomik.
Krizë politike : së pari, përsa i përket marrëdhënieve tona me B.R.S.S.-
në. Nëse Konferenca e Pallatit Rozë (qershor 1949) do t’i kishte dhënë
fund bllokadës së Berlinit, kurrfarë marrëveshje nuk do të ishte e mundur të
arrihej për një zgjidhje të problemeve në vazhdim : Gjermani, Austri,
Trieste, etj.
Veçanërisht lidhur me Gjermaninë, politika e re, përuruar nga
marrëveshjet e Londrës (qershor 1948) – ringritje politike dhe ekonomike,
që u pasua nga krijimi i federatës gjermano-perëndimore (shtator 1949)
dhe marrëveshjet e Petersbergut (nëntor 1949) – krijonte njëfarë
shqetësimi në rritje. Kjo politikë e re zbatohej me metoda të vjetra : lëshime
që, pas një pazari të vështirë, të mundurit e turpëruar, përherë e më shumë
të ndërgjegjshëm për forcën e tyre të rilindur, ua shkulnin fituesve në
36 Joseph Joffre (1852-1931), mareshal francez, kryekomandant i forcave të armatosura franceze të zonës veriore dhe veri-lindore gjatë Lufës së parë botërore, i cili korri një fitore të rëndësishme në Marnë, në shtator 1914.
- 46 -
mëdyshje e në mosbesim. Rehabilitimi moral nuk përkonte me rivendosjen
graduale të lirive politike.
Në mënyrë të veçantë Franca, e pasigurt, llogariste rreziqet që mund t’i
vinin sa herë që hiqte dorë nga një e drejtë që i qe dukur si element
garancie.
Statuti i Sarrës dhe ai i Ruhrit, përcaktuar në mënyrë të njëanshme pa
ndërhyrje të Gjermanisë, përbënin nga ana tjetër burime të veçanta
mosmarrëveshjeje.
Krizë ekonomike : varfëria në qymyre kishte bërë të nevojshme një
shpërndarje të qymyrit të prodhuar në Gjermani ndër vendet importuese,
shpërndarje kjo që u diktua nga organizmat ndëraleatë, nga Komiteti i
Qymyrit i Komisionit ekonomik për Europën, me qendër në Gjenevë, duke
filluar nga janari i vitit 1948, dhe më pas nga Organizata Europiane e
bashkëpunimit ekonomik (O.E.C.E.), dhe gjithë kjo, pa u këshilluar me
Gjermaninë.
Në fund të vitit 1949, mbi bazën e marrëveshjeve të Petersbergut,
Gjermania u përfshi në Autoritetin ndërkombëtar të Ruhrit, por pa vullnetin
e saj ; ky organizëm, bazuar në regjimin pushtues, i mirrte vendimet e veta,
kryesisht në fushën e shpërndarjes së qymyrit, sipas pikëpamjes dhe
interesave të fituesit.
Ndonëse pranohej nevoja për rimëkëmbjen ekonomike të Gjermanisë
dhe forcimin hap pas hapi të pavarësisë së saj, kërkohej në të njëjtën kohë
që ndaj saj të vendoseshin kufizime afatgjata : ulje të potencialit të saj
prodhues, sidomos në çeliqe e në anije me tonazh të lartë dhe ndalim të
disa prodhimeve me interes ushtarak.
Për t’i bërë ballë një gjendjeje të tillë, lypsej të ndryshohej fryma,
orientimi i politikës sonë dhe të zëvendësoheshin antagonizmat e vjetër me
një bashkëpunim të ndershëm, në barazi të plotë të drejtash dhe
detyrimesh.
Në këtë mënyrë, marrëdhëniet midis dy vendeve do viheshin
përfundimisht mbi baza të shëndosha dhe do të çliroheshin nga ëndrra e
keqe e një konflikti të ri të mundshëm.
Ky qëllim parësor përkonte për më tepër me kërkesat e karakterit
ekonomik, që e tejkalonin kuadrin e problemit franko-gjerman dhe synonin
të ardhmen e Europës.
Kontinenti ynë vuante jo vetëm nga copëtimi tradicional, rrjedhojë e
evolucionit të tij historik, por edhe nga ndarja e re midis Lindjes dhe
- 47 -
Perëndimit, shkaktuar nga lufta e fundit. Europa perëndimore, gadishull i
mbipopulluar, përherë e më shumë e industrializuar, duke dashur të
sigurojë tregje për produktet e veta dhe valutë për importet e lëndëve të
para, vijonte të ish e ndarë në rreth njëzet shtete, të cilat, në vend që të
binin në ujdi, të plotësonin shoshoqin duke lehtësuar së pari këmbimet
ndërEuropiane, zhvillonin midis tyre një luftë të egër nëpërmjet një
konkurrence që i kalonte kufijtë e arsyes dhe të ndershmërisë. Dhe kjo, në
një kohë kur pjesa tjetër e botës organizohej në blloqe ekonomike të
përmasave të mëdha.
Praktikisht, çështja shtrohej që të organizohej Europa në drejtim të
unifikimit të saj, duke hequr gradualisht pengesat që nuk lejojnë qarkullimin
e mallrave, duke bashkërenduar në mënyrë racionale prodhimin në vende
të ndryshme, investimet e tyre, eksportet dhe më në fund duke lënë të lirë
qarkullimin e njerëzve dhe të kapitaleve.
Është e qartë se këto objektiva ekonomike nuk mund të realizoheshin
veçse me një strukturë të re politike.
Nuk mendonim se duhej filluar nga federata Europiane. Por përqasja e
të dyja kategorive problemore (problemit franko-gjerman dhe atij Europian)
na bëri të parashikojmë një zgjidhje konkrete, që t’i përgjigjej si njërës,
ashtu edhe tjetrës kategori.
As që mund të pretendohej të ndërmerrej aty për aty shqyrtimi i
njëkohshëm i mbarë sektorëve të ekonomisë Europiane. Për arsye të
ndërlikimeve teknike dhe të mospërgatitjes së botëkuptimeve, lypsej të
fillohej me etapa, të bëhej një provë.
Një fushë çelej para nesh për këtë eksperimentim të pjesshëm :
prodhimi i qymyrit dhe i çelikut ; kishim mendimin se në të përmblidheshin
të gjitha kushtet për një arritje teknike, për një efektshmëri sa politike dhe
ekonomike. Objekt i konkurrimeve të ashpra në të shkuarën dhe deri më
1950, ky terren paraqitej tashmë i favorshëm për një bashkëpunim paqësor
dhe konstruktiv.
Këto dy industri kyçe numëronin në të vërtetë një numër relativisht të
kufizuar ndërmarrjesh (rreth njëmijë në të gjashtë vendet e Bashkësisë) ;
ato përdornin të njëjtat metoda shfrytëzimi, një krah pune relativisht të
paktë në numër dhe njëlloj të specializuar. Veglat e punës i kishin të
ngjashme, megjithëse jo kudo në vendet prodhuese me të njëjtën shkallë
modernizimi. Ato ishin të pavarura nga klima e përgjithshme dhe zakonet
zotëruese të çdo vendi, në dallim nga bujqësia për shembull.
- 48 -
Bashkërendimi i tyre dukej pra i mundur për t’u realizuar, pa vështirësi të
mëdha.
Ishte në interesin e prodhuesit dhe të konsumatorit që këtyre dy
prodhimeve të domosdoshme t’u krijoheshin kushte më të mira, në një treg
shumë të gjerë. Zgjerimi i këtij tregu ishte garanci për ekspansion
ekonomik dhe ngritje të nivelit të përgjithshëm të jetesës ; ai bënte të
mundur një shpërndarje më të mirë të produkteve, duke lehtësuar
furnizimin dhe eksportimin, e rrjedhimisht duke ulur rreziqet e mbiprodhimit
dhe të papunësisë.
Prodhimi bëhej nga ana tjetër më i lehtë për t’u racionalizuar në metodat
dhe në pajisjet e veta, falë specializimit të ndërmarrjeve, ndarjes së
detyrave dhe investimeve në kuadrin e një tregu të zgjeruar.
Mirëpo, në tërë këtë perspektivë të karakterit ekonomik, na interesonin
në radhë të parë përfitimet e menjëhershme që të do nxirrnim në fushën
politike. Të arrije në një bashkim të qëndrueshëm dhe të kontrolluar lidhur
me qymyrin dhe çelikun, do të thoshte në të vërtetë t’i hiqje çdo vendi të
partnerizuar në mënyrë të tillë mundësinë jo që jo për të shpërthyer luftën,
por as edhe për ta përgatitur atë ndaj partnerëve të tjerë ; sepse nuk mund
ta bësh luftën kur nuk ke dorë të lirë mbi energjinë dhe metalin, elementët
bazë për çdo ndërmarrje të këtij lloji.
Këtë mendim udhërrëfyes, me ta zbuluar e peshuar më së miri, lypsej ta
kaloje në realitetin konkret të gjërave. Dhe kjo u bë brenda një kohe
rekord : në më pak se një vit, traktati u përpunua dhe u nënshkrua.
Do dëshiroja të theksoja këtu meritat e veçanta të një njeriu, ai vetë i
veçantë, mikut tim Zhan Mone37. Është pikërisht Zhan Mone që, tok me
bashkëpunëtorët e tij, në një hotel të vogël të rrugës Martinjak, skicoi
brenda disa muajve, pa reklamë dhe pa dijeni të publikut, madje as të
qeverisë, idenë e bashkësisë së qymyrit dhe të çelikut.
E dinim fare mirë që kjo ide do të shkaktonte që në fillim, sidomos në
fillim, dyshime, madje njëfarë armiqësie. Të përdorje metodat e zakonta të
konsultimeve paraprake të njëpasnjëshme do të thoshte të ndiqje udhën e
zvarritjeve të shumta e të pafunda.
I takonte Ministrisë së Punëve të Jashtme të jepte mbështetjen dhe
garancinë e vet, të merrte parasysh rreziqet politike të kësaj nisme. Duke
37 Ekonomist dhe politikan francez (1888-1979), përkrahës i idesë së Europës së Bashkuar dhe nismëtar i Deklaratës së 9 majit 1950, e cila hodhi bazat e Bashkësisë Europiane të qymyrit e të çelikut (C.E.C.A.), president i parë i Autoritetit të Lartë të kësaj Organizate Europiane.
- 49 -
qenë më i ndjeshëm ndaj shqetësimeve politike, ky institucion ishte mësuar
t’u besonte specialistëve aspektet teknike të problemeve, duke mbajtur
vetë përgjegjësinë për të zgjedhur njerëzit, për të pranuar apo hedhur
poshtë konkluzionet e tyre dhe për t’i mbrojtur ata brenda qeverisë apo
para parlamentit.
Në këtë mënyrë, në dy seanca, midis 3 dhe 9 majit 1950, projekti iu
propozua Këshillit të Ministrave, i cili ishte në padijeninë e plotë të
gjithçkaje të përgatitur. Brenda pesë ditëve, qeveria franceze i hyri këtij
projekti dhe e miratoi.
Para se të hidhnim këtë bombë, lypsej të dinim si do të reagonin
bashkëbiseduesit tanë kryesorë. Ndër ta, për ne, kryesori ishte Këshilli
federal i Ministrave. Kësisoj, ne tanimë kishim siguruar, që para 9 majit,
marrëveshjen në parim të kancelarit federal. Pa këtë marrëveshje, asgjë
nuk do të ish e mundur. Qeveritë e tjera, britanike, italiane, amerikane, ato
të Beneluksit, u vunë në dijeni vetëm 24 orë para shpalljes zyrtare.
E papritura qe e përgjithshme. Askush nuk e priste një nismë të këtij
lloji, as në Francë, as jashtë Francës, e sidomos nga ana e Francës. Unë
vetë, e vura re këtë shtangie (për të thënë vetëm kaq, se s’po gjej term
tjetër më të fortë), kur më 10 maj shkova në Londër, për një konferencë të
përgatitur që më parë. Ndjeva menjëherë që projekti ynë kishte shkaktuar
një ftohtësi tek miqtë tanë anglezë. Zhan Mone më shoqëronte.
Saktësonim më së miri idetë tona, jo vetëm ato që ishin parashtruar
përmbledhurazi në Deklaratën e 9 majit, por edhe mendime të tjera tonat
dhe objektivat përfundimtare. Shkëmbimi i pikëpamjeve, fillimisht me gojë,
më pas me shënime, zgjati javë të tëra. Shpejt u vu re se s’bëhej fjalë për
ato « të shtëna » diplomatike që bëjnë shumë zhurmë, por që s’kanë
kurrfarë efekti. Këtë radhë, qe diçka serioze. Jo kudo gjetëm të njëjtën
pritje. Disa laburistë, – qeveria i përkiste ende asaj partie – u treguan
entuziastë për idenë që kishim parashtruar, duke më shprehur pëlqimin e
tyre të plotë e tërësor. Ky ishte reagimi i tyre i parë. Megjithatë, duke u
thelluar, miqtë tanë anglezë shprehën mendimin se ky projekt i përshtatej
me vështirësi gjendjes në vendin e tyre dhe botëkuptimit anglez.
Shpresonim, si palë franceze, se Anglia do të përkrahte plotësisht planin
tonë, ndoshta me disa rregullime. Por pikërisht në çastin kur kërkuam
thirrjen e një konference, në të cilën kishin të drejtë të merrnin pjesë vetëm
ato vende që pranonin paraprakisht parimin e një autoriteti mbikombëtar,
vumë re hendekun e madh që ekzistonte midis nesh. Kërkesa jonë që
- 50 -
projekti të pranohej në parim, shkaktoi pozicionime të ndryshme.
Megjithatë, nga muaji maj 1950, ne i propozuam Britanisë së Madhe të
asociohej me Bashkësinë nëpërmjet një lidhjeje tërësisht kontraktuale, pa
vartësi institucionale.
Fakti që Gjermania e dha publikisht pëlqimin e vet për pjesëmarrje në
projekt dhe që Franca vendosi të vazhdojë qoftë edhe me këtë partner të
vetëm nxiti për t’u përfshirë në të fillimisht Italinë dhe më pas vendet e
Beneluksit, të vëna ndërkohë në dijeni me saktësi për synimet dhe
konceptimet tona.
Më 20 qershor 1950, domethënë vetëm gjashtë javë pas Deklaratës
sonë të 9 majit, hapej një konferencë e rëndësishme kryesuar nga Z.
Mone. Përbëhej nga delegacione që kishin dërguar gjashtë qeveritë. Secili
delegacion vinte të shprehej lirisht e të ballafaqohej me mendime të
ndryshme, pa qenë i ndrydhur nga udhëzime të ngurta, pa ndjerë në
vetvete se detyra e tij kryesore ishte të mbronte me këmbëngulje interesa
kombëtare. Këto delegacione uleshin përreth së njëjtës tryezë me dëshirën
e mirë për të ndihmuar për një vepër të përbashkët, për të ndërtuar së toku
një godinë mbikombëtare, ku do të puqeshin dhe do lidheshin fort interesat
kombëtare. Fryma e ngushtë vetiake u zëvendësua tek të gjithë me frymën
e vërtetë kolektive, me frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit të
ndërsjellë. Ky ndryshim i klimës së përgjithshme përbënte në vetvete një
përparim kolosal.
Kjo ishte aq e vërtetë sa qeveria franceze, për shembull, as që i kishte
dhënë udhëzime të sakta delegacionit të vet. E kish lënë krejtësisht të lirë,
duke mbajtur me të thjesht lidhje të rregullta dhe duke i ndenjur në
gadishmëri për t’i dhënë, në rast kërkese nga ana e tij, udhëzime apo
sqarime. Delegacioni kishte të drejtë të kërkonte mbështetjen e tërë
shërbimit administrativ përkatës lidhur me statistika e urdhëresa të
karakterit juridik dhe teknik, të cilat do t’i nevojiteshin në punë e sipër.
Përfaqësues të këtyre shërbimeve bënin pjesë në delegacion, konkretisht
punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të drejtorive të siderurgjisë,
qymyreve, financave të jashtme të Ministrisë së Thesarit, etj. Në të kundërt,
ministrat teknikë, duke mos qenë të përfaqësuar si të tillë, nuk ndërhynin
në këtë fazë të diskutimit. Shërbime të tjera dhe persona privatë
konsultoheshin herë pas here nga delegacioni, sipas nevojave që dilnin.
Një problem delikat u shfaq : si të vendosej e të mbahej lidhja midis
delegacionit dhe përfaqësuesve të interesave private ? Interesat private,
- 51 -
domethënë nëpunësit zotërues të ndërmarrjeve të ndryshme siderurgjike,
qymyret e shtetëzuara, rrogëtarët, konsumatorët, shpërndarësit. Plani ynë
parashikonte që të gjithë të interesuarit duhej të kishin vendin e tyre në
strukturën e ardhshme, jo vetëm prodhuesit dhe rrogëtarët. Për herë të
parë, në rrafshin ndërkombëtar, u mbajtën parasysh interesat e konsumit.
Nuk lindën vështirësi përsa i përket punonjësve ; sindikatat iu përshtatën
më së miri kësaj metode. U konsultuan që në fillim, përveç sindikatave
sezhetiste38, të cilat kundërshtuan çdo bashkëpunim, pas një ngurrimi
fillestar prej pesëmbëdhjetë ditësh. Tërë sindikatat jo komuniste morën
pjesë aktivisht në përpunimin e traktatit. Megjithatë, kritikat, kundërshtimet
nuk munguan. Shoqatat e prodhuesve ankoheshin – po flas vetëm për
Francën – se nuk ishin konsultuar sa duhej nga delegacioni dhe se qenë
vënë kësisoj para faktit të kryer. Nuk dua t’i hyj këtu analizës se sa këto
kritika ishin të bazuara. Pa dyshim që kishte pasur të meta ndërlidhjeje ;
ndoshta njëfarë papajtueshmërie karakteri. Mirëpo, kur puna u krye, kur
tekstet morën vulën e traktatit, duhet të pranoj se një bashkëpunim i
ndershëm u vendos nga ana e të gjithë të interesuarve.
Parlamenti francez po ashtu nuk ishte i kënaqur. Duke qenë Ministër i
Punëve të Jashtme, unë vetë isha bërë tashmë objekt i tij. Parlamentit
francez do t’ia kishte ënda të mbahej në dijeni, të themi, dita me ditë për
zhvillimin e punimeve. Teknikisht, qe e pamundur. Kur përpunohet një tekst
aq i gjatë dhe i ndërlikuar, as që mund të bëhet fjalë për ta paraqitur përditë
në dy seanca. Parlamenti ngurronte në marrjen e shpejtë të vendimit.
Pavendosmëria parlamentare është aq e madhe sa çdo ndërhyrje e
parakohshme gjatë fazës përgatitore pegon ecjen e punimeve. Mendova
atëherë se në donim t’ia dilnim mbanë, duhej të merrnim parasysh rrezikun
e lëndimit të ndonjë sedre të ndjeshme, të acarimit të vullneteve të
paduruara, mëse të kuptueshme. Duhej përfunduar projekti brenda një
minimumi kohe. Nuk mund të linim të na shkonte dëm, me anë zvarritjesh,
një rast i tillë që asnjëherë s’kish për t’u paraqitur më.
Konstitucionalisht, për më tepër, nuk kishte kurrfarë vështirësie : qeveria
shqyrton vetëm traktatet, dhe në rastin konkret, nuk bëhej fare fjalë për
shqyrtim në kuptimin e saktë të termit, por për përpunimin e një projekti që
do t’i paraqitej qeverive të ndryshme. Ministrat ndërhynë plotësisht vetëm
nga mbarimi i punimeve, kur tekstet tanimë qenë gati në tërësinë e tyre,
38 Nga inicialet C.G.T., Konfederata e Përgjithshme e Punës, sindikatë franceze themeluar më 1895, nën ndikimin e komunistëve francezë.
- 52 -
duke u rezervuar të shprehen në çdo rast – flas gjithnjë nga pikëpamja
franceze – për çështje të karakterit politik.
Mbledhjet e para të Këshillit të Ministrave të gjashtë qeverive u zhvilluan
në muajin mars 1951, domethënë rreth gjashtë javë para nënshkrimit. Deri
në atë kohë, vetëm gjashtë delegacionet bënin punën e tyre të qetë, të
ndërgjegjshme e pa bujë në rrugën Martinjak, secili duke mbajtur, siç e
thashë, lidhje me qeverinë e tij. Nga pala franceze, veç kësaj, një komision
i përbërë prej ministrave posaçërisht të interesuar, ndiqte hartimin e
teksteve gjatë evolucionit të tyre.
Nënshkrimi i Traktatit u bë më 18 prill 1951 në Paris. Ratifikimi i tij u bë
më ngadalë se përpunimi, duke qenë se duhej të shpreheshin
njëmbëdhjetë asamble parlamentare (Luksemburgu është i vetmi nga të
gjashtë vendet që ka vetëm një Asamble). Para ratifikimit, duhej vendosur
për t’u përcaktuar selia, si dhe të zgjidheshin anëtarët e organizmave të
veçantë. Ndryshe nga sa mendonim, zgjedhja e njerëzve nuk paraqiti
kurrfarë vështirësie. Për njëzet minuta, u përcaktuan tërë anëtarët e krejt
organizmave, meqenëse shumica e tyre kishin marrë pjesë në ndërtimin e
veprës dhe se mbështeteshim në besimin e qeverive që i propozonin.
Mirëpo, zgjedhja e selisë së Bashkësisë shkaktoi vështirësi të mëdha.
Vetëm në orën 6 të mëngjesit, pas një seance nate të tërë, shpesh
dramatike, dhe pas një lodhjeje të përgjithshme, u arrit që presidencën ta
merrte përkohësisht Luksemburgu.
Më 10 gusht 1952, pas stafetës së ratifikimeve, Bashkësia hyri në fuqi.
Të njëjtën ditë, qeveria britanike do të akreditonte pranë Autoritetit të Lartë
të Bashkësisë një ambasador të posaçëm e të përhershëm, pasuar nga një
delegacion prej njëzet anëtarësh. Nga ai çast, mjaft kombe të tjerë do të
emëronin përfaqësues të përhershëm apo vrojtues.
Vendet e mbetura jashtë Bashkësisë, jo vetëm që nuk varën buzët, por
përkundrazi, zunë të afrohen, të hyjnë në kontakt me të, të vendosin lidhje
dhe të përgatisin për rast nevoje pikërisht atë çka ne dëshironim :
marrëveshje apo partnerizime.
Ja pra arritja e parë e efektshme në drejtim të bashkimit të Europës. E
çara në qëndrimet e ngurta u krye dhe do të thellohej në mënyrë të
pashmangshme. Ky qe edhe qëllimi ynë. E patëm deklaruar më 9 maj, pa e
fshehur.
Në një kohë kur gjithçka është në fermentim e sipër, duhet të dish të
guxosh. Qëndrimi më i keq në politikë është të mos dish të vendosësh, apo
- 53 -
të marrësh vendime të njëpasnjëshme dhe kontradiktore. Ne nuk duhet të
kemi vullnet të dobët, të jemi të gatshëm për të braktisur gjithçka me t’u
shfaqur vështirësitë e para. Asgjë nuk do të kishim bërë, po qe se nuk do
të kishim pasur besimin në drejtësinë e ideve tona. Sot, kemi kënaqësinë e
madhe të vërejmë se asnjë prej katastrofave që paralajmëronin
kundërshtarët tanë nuk ndodhi. Bilanci mbetet pozitiv. Asgjë nuk na bën të
mendojmë se kemi gabuar, përkundrazi. Kritikat më të ashpra u shuan. Jo
shpesh ndodh, në ditët e sotme, që një ndërmarrje politike e përmasave të
tilla të mëdha, të arrijë kaq shpejt në një rezultat të tillë.
VIII
T’I SHËRBESH NJERËZIMIT
ËSHTË E NJËJTA DETYRË
SIKURSE AJO QË NA KËRKOHET
PËR TË QENË BESNIKË
NDAJ KOMBIT
Një fakt tashmë është i dukshëm : ata që e quajnë veten Europianë,
domethënë përkrahës të një Europe të bashkuar, janë të shumtë, të paktën
në vendet ku mendimet shprehen lirshëm. Sigurisht, jo gjithmonë ata janë
në një mendje për mënyrën se si të ndërtohet kjo Europë, as edhe për
numrin e vendeve pjesëmarrëse. Kemi Europën e gjashtëshes,
shtatëshes, pesëmbëdhjetëshes dhe të tetëmbëdhjetëshes. Nismat
Europiane, në fakt, janë të shumta dhe shpesh ndërthuren. Çka mund të
themi me siguri është se problemi është i shtruar pak a shumë kudo dhe se
Europa ka nisur të ketë për vetveten më shumë sesa një paragjykim të
favorshëm.
- 54 -
Europa po shfaqet në sytë e një numri Europianësh përherë në rritje, si
e vetmja rrugëdalje e mundur, si një nga bërthamat e fuqishme të një
strukture të ardhshme politike e botës.
Roma dhe Bizanti, të minuara nga përçarjet e brendshme, u shuan si
rrjedhojë e rivaliteteve të tyre të çmendura. Europa e ditëve tona, edhe pse
nuk ka arritur deri në atë shkallë shpërbërjeje, kërcënohet nga një e keqe e
së njëjtës natyrë. Copëzimi vonon ringritjen e saj ; rivalitetet midis kombeve
Europiane shkaktojnë rraskapitjen e tyre, përballë blloqeve kundërshtare.
Nuk na hyn më në punë të ngrejmë një « limes39 » të ri, një fortifikatë përtej
Rhinit dhe përreth Danubit ; do të ishte një vijë mbrojtjeje artificiale dhe
mashtruese. Divizionet e ushtrisë atlantike nuk janë më bedena të
pakapërcyeshme, sikurse qenë një kohë të gjatë legjionet romake të
përqëndruara në Gjermani. Siguria jonë nuk është thjesht një çështje
efektivash ushtarake dhe armatimi. Asgjë nga këto nuk është e
papërfillshme, as edhe vendimtare. Ajo që ka rëndësi para së gjithash
është kohezioni i popujve që përmblidhen prapa kësaj vije mbrojtjeje, është
forca me të cilën ata dinë të bashkojnë dhe të bashkërendojnë vullnetet
dhe përpjekjet e tyre.
Europianët do dinë t’ia dalin mbanë duke u ndërgjegjësuar për t’i bërë
ballë së njëjtit rrezik me solidaritetin e tyre. Europa duhet t’i japë fund
gjendjes së saj si një grumbull gjeografik shtetesh pranë shoshoqit, shumë
herë kundërshtarë, për t’u kthyer më në fund në një bashkësi kombesh të
mëvetësuara, por të asociuara në përpjekjen e përbashkët për mbrojtje dhe
ndërtim. Nuk është fjala këtu për të gjetur një ilaç të përkohshëm, për të
shmangur një rrezik të veçantë, as edhe për të zënë një të çarë në një mur
rrethues gati duke u shembur. Europa ka nevojë për të jetuar më mirë,
duke e bërë të përbashkët pasurinë e burimeve të veta. Ajo duhet të
kthehet në një entitet veprues, e ndërgjegjshme për veçoritë e saj, duke u
organizuar për nevojat dhe mundësitë që ka, në një botë që nuk rresht së
qeni një masë e paformë dhe e trazuar, që zgjohet sa herë që ndodhin
konflikte sporadike. Çështja e Europës shtrohet pra në këtë mënyrë,
pavarësisht nga rreziku komunist apo aziatik ; ky rrezik nuk i jep veçse një
karakter aktual dhe urgjent. Ankthi i sotëm do të jetë shkaku i
menjëhershëm për një bashkim Europian, por jo arsyeja e të bërit. Sipas
rrethanave të rastit në të cilat do kryhet realizimi i saj, Europa do të jetë pak
39 Historikisht zonë kufitare e një krahine në kohën e perandorisë romake.
- 55 -
a shumë e plotë. A ka për të qenë ndonjëherë e tillë ? Askush nuk mund ta
thotë me siguri. Por kjo nuk është një arsye për ta shtyrë për më vonë
përpjekjen për bashkim. Të bësh diçka, është më mirë se sa të rrish
duarlidhur, dhe të presësh përsosmërinë është shfajësimi më i keq para
mosveprimit.
Një arritje e pjesshme nuk ka thjesht një vlerë argumentuese ; është më
shumë se sa një shembull që përmendet për nxitje ; është një fillim, një
pikënisje për realizime më ambicioze. Kërkohet prej nesh para së gjithash
t’u kthejmë popullatave tona besimin në vetvete, të mos i lëmë të shtangen
nga rreziku, të shfrytëzojnë bashkërisht burimet e qytetërimit tonë
perëndimor dhe të ngrejnë kësisoj, jo në hutim e sipër, por në bazë të një
plani ndërtimor, pritat ndaj bazës së shpërthimeve shkatërrimtare.
Europa i ka siguruar njerëzimit lulëzimin e tij të plotë. Asaj i takon të
tregojë një rrugë të re, ndryshe nga e robërisë, nëpërmjet pranimit të një
shumësie qytetërimesh, në të cilën gjithsekush do të veprojë me të njëjtin
respekt ndaj të tjerëve.
Problemi madhor i paqes është ai i marrëdhënieve midis Lindjes dhe
Perëndimit, midis botës perëndimore dhe botës sovjetike. Problem
bashkëkohor në mënyrë të veçantë, jo thjesht për shkak të vështirësive që
ekzistojnë në këtë fushë, por sepse ka lidhje me tërë problemet e tjera të
mbetura pezull : ai i Gjermanisë, i Austrisë, i Ballkanit, i Lindjes së Mesme
dhe i Lindjes së Lagme. Nga ana tjetër, ai mbizotëron krejt çështjen e
shpenzimieve tona ushtarake, e për rrjedhojë të gjendjes sonë ekonomike
e financiare. Ne atëherë mund të themi se po të arrijmë të vendosim një
modus vivendi të qëndrueshëm me regjimin sovjetik, jo vetëm që do të
hedhim një hap vendimtar drejt paqes, por do t’i afrohemi së tepërmi
zgjidhjes së krejt trazirave me origjinë shoqërore e politike.
Për shkak të mosmarrëveshjes sonë me Rusinë sovjetike, Europa dhe
Gjermania janë të ndara në dy, Kina kontinentale mbahet jashtë
Bashkësisë së Kombeve, Karta e San Françiskos është kthyer në
instrument të pafuqishëm. Nismat që kemi ndërmarrë dhe që lypset ende
të ndërmarrim për të organizuar Europën, për të normalizuar marrëdhëniet
tona me Gjermaninë dhe Japoninë, nuk mund të gjejnë zgjidhje
përfundimtare për aq kohë sa Rusia nuk do të mbajë një qëndrim më
konstruktiv nga vetoja e saj e zakonshme dhe nga lufta e ftohtë që ka
projektuar.
- 56 -
Lufta e ftohtë është arti për të arritur disa qëllime të luftës pa qenë
nevoja t’a pësosh mbi kurriz ; të konsumosh forcat e kundërshtarit duke
mbajtur gjallë frikën e luftës, duke i shkaktuar vështirësi të brendshme apo
konflikte me të tretë ; të prishësh funksionimin normal të institucioneve
ndërkombëtare të ngritura për ruajtjen e paqes. Lufta e ftohtë spekulon me
lodhjen, si pasojë e një tensioni të vazhdueshëm. Një rend lirie mbrohet më
keq se një rend totalitar ndaj këtij rreziku të lodhjes nervore, sepse
opinionet brenda tij shprehen publikisht, nuk zbatojnë në mënyrë servile
urdhëresat zyrtare, dhe se kontradikta mund të ushtrojë brenda tij një
veprim gërryes.
Lufta e ftohtë është e papajtueshme me vullnetin e sinqertë të paqes, e
cila kërkon marrëveshjen, rrjedhimisht çdo detantë të mundshme. Të
heqësh dorë nga lufta e ftohtë, nuk do të thotë thjesht të ndërrosh taktikë,
sa për propagandë dhe sa për të hutuar kundërshtarin.
Nuk do të ishte e mjaftueshme të shpallje vetëm vullnetin e mirë, të
pranoje apo të propozoje në mënyrë të bujëshme bisedime, duke hequr
dorë madje edhe nga kushtet vështirësuese. Do gjendeshin atëherë
njëmijë mënyra të tjera për të zvarritur në kohë bisedimet, sidomos kur ato
do fillonin pa përgatitjen e mjaftueshme, duke shfrytëzuar kësisoj xhunglën
e të papriturave proceduriale ; dhe në këtë rast, do të ishte e lehtë për t’ua
veshur bashkëbiseduesve përgjegjësinë për vonesat dhe ndërlikimet, për
të shfrytëzuar më pas, në rast dështimi, zhgënjimet e reja që do t’u zinin
vendin shpresave të sapolindura.
Ja pra rreziqet tona. Por mund të ndodhë gjithashtu – dhe këtë
shpresojmë në ditët e sotme – që popujt e nënshtruar prej regjimit sovjetik
të ndjejnë dhe të shfaqin më një fund një nevojë të domosdoshme për ulje
tensioni, të këmbëngulin për një periudhë pushimi, tek janë mbajtur vite të
tëra me mendje të ngritur për rreziqet e agresioneve të fantazuara. Mund të
ndodhë që këtë herë, të njihet e të pranohet për interesin e përbashkët të
të gjithëve nevoja për të rënë në ujdi, qoftë edhe përkohësisht, për t’iu
kushtuar më shumë rindërtimit dhe mirëqenies së përgjithshme ; mund të
lind detyrimi për të lënë mënjanë idealin revolucionar që – s’kemi pse ta
fshehim – do të mbetet thelbi i doktrinës marksiste, por që mund t’ia lërë
vendin nevojave të çastit, deri ditën kur mosmarrëveshjet midis Aleatëve,
ulja e vigjilencës nga ana e tyre dhe gabimet e një kapitalizmi të shpenguar
do t’i krijonin ekspansionit revolucionar perspektiva më të mira. S’kemi pse
të përjashtojmë edhe një interpretim të tillë për ngjarjet më të fundit.
- 57 -
Në rastin e një hipoteze të favorshme, do të shtroheshin para nesh krejt
problemet themelore që i takojnë paqes t’i zgjidhë. Duhen gjetur jo thjesht
formulat pritëse, me qëllim që të shtyhen për më vonë zgjidhjet e vërteta,
por bazat e një statuti unanimisht të pranuar. Të gjesh konkretisht për
Gjermaninë një zgjidhje, që të mundësojë bashkimin e saj me anë të votës
së lirë dhe në kuadrin e parimeve kushtetuese që i sigurojnë pavarësinë e
një shteti sovran dhe liritë e një regjimi demokratik, sikurse tërë kombet e
tjera, veçanërisht fqinjët e saj, duke përfshirë edhe Rusinë dhe vendet
satelite, do të thotë të gjesh garancitë e nevojshme kundër çdo orvatjeje të
ardhshme për hakmarrje a hegjemoni. Kjo do të thotë se një Gjermani e
bashkuar e ka më të lehtë të marrë pjesë në një organizatë paqësore të
Europës, siç e kanë projektuar Perëndimorët dhe për të cilën janë gati të
japin hapur shpjegimet e tyre. Në të kundërt, një asnjanësi e Gjermanisë
do të ishte e papajtueshme me objektivin e caktuar ; ta ndalësh atë të bëjë
tani për tani përzgjedhjen e vet, do të thotë në fakt t’i japësh mundësinë që
këtë ta bëjë në çastin kur ajo të ndjehet mjaft e fuqishme dhe zgjidhjen t’ia
kërkojë të gjithëve me anë të detyrimit.
Problemi gjerman, dhe vetkuptohet ai i Europës, do të gjejë zgjidhje të
kënaqshme jo nëpërmjet rikthimit të lojës së vjetër të intrigave dhe
aleancave, por nëpërmjet krijimit të një bashkësie të gjerë, të hapur për të
gjithë, që jep tërë garancitë e nevojshme nën frymën e bashkëpunimit
paqësor si në marrëdhëniet midis anëtarëve të saj të solidarizuar, ashtu
edhe ndaj vendeve të treta.
Nuk e kemi të vështirë për të piketuar rrugën që duhet të ndjekim për të
arritur këtë qëllim. Gjithë merakun e kemi kur shohim vështirësitë e mëdha
që shfaqen para nesh, kur ndoshta mund të përballemi në mos me
keqbesimin, të paktën me moskuptimin apo mosbesimin e patundur.
Shpresat pas së cilave dëshërojmë të mbërthehemi fort mbështeten tek
dëshira për paqen që po shpaloset çdo ditë e më hapur tek popujt, të cilët
do dinë më në fund t’ua kërkojnë këtë udhëheqësve të tyre ; tek përparimet
mjaft konkrete të shënuara në fushën e bashkëpunimit midis vendeve dikur
armiq me njëri-tjetrin ; tek vullneti ynë i përbashkët për të mos dobësuar
përpjekjet, për të pranuar arritjet e deritanishme, duke pritur që durimi dhe
ndershmëria jonë të mposhtin çdo ngurrim e qëndresë.
Çështja shtrohet gjithashtu nëse është apo jo e mundur një bashkësi
botërore dhe deri në çfarë mase. Gjer më sot, kemi hasur nisma të
pjesshme. A mundet vallë, me efektivitet të mjaftueshëm të mendojmë për
- 58 -
një organizatë botërore që të përfshijë në gjirin e saj praktikisht krejt vendet
e botës ? Gjërat këtu duhen parë shumë hapur, si realistë, jo thjesht nën
prizmin e ideve që mund të shfaqen, por të përvojave që kemi arritur qoftë
në gjirin e Shoqërisë së Kombeve, qoftë në atë të Organizatës së
Kombeve të Bashkuara.
Prania e një bashkësie të tillë botërore është më shumë simbolike sesa
reale. Lidhjet që bashkojnë vendet e ndryshme janë shpesh të sajuara,
divergjencat shpërthyese. Mëse një herë kam marrë pjesë në mbledhjet e
Kombeve të Bashkuara. Më shumë flitet në to për marrëveshjet që
ekzistojnë midis vendeve, dhe është e rëndësishme që të flitet, por të
kufizohesh vetëm duke theksuar çka është e përbashkët, s’do arrish dot të
plotësosh as edhe një sesion në vit. Kjo organizatë është e nevojshme,
është e dobishme, me kusht që të mos i njihen tiparet e një force apo t’i
vishet një rol që nuk i takon. Ajo mund të shërbejë si kuadër për arbitrazhe,
sanksione, po prapë edhe kjo më të rrallë. Veprimi i saj është parandalues,
dhe këtë rol e ka luajtur shumë herë në konflikte lokale, ndërkohë që
organizmi kryesor që duhet të shërbejë për këtë qëllim, « Këshilli i
Sigurimit », është paralizuar nga e drejta e vetos, një e metë strukture, por
që vështirë të hiqet dorë prej saj: nuk mund t’i nënshtrohesh verbazi ligjit të
numrit në një asamble me mbi njëqind vende dhe madje të ndryshëm nga
njëri-tjetri.
Kombet e Bashkuara luajnë po ashtu edhe një rol tjetër të dobishëm,
nëpërmjet veprimtarisë së tyre në drejtim të ndihmës së ndërsjellë,
ndërhyrjes në favor të vendeve të pazhvilluara, gjë që është shumë e
nevojshme dhe ka sjellë shërbime të mëdha.
Dhe për më tepër – besoj se pikërisht kjo është kryesorja – për të mos i
rënë shumë në qafë padrejtësisht këtij institucioni, por as duke e tepruar
nga ana tjetër në këtë drejtim, është një mjet kontakti, një mundësi për t’u
takuar, për të këmbyer mendime, përqasur teza, zbuluar paragjykimet që
ekzistojnë. Kjo jo vetëm mund të ndihmojë për një ulje të tensionit, por
mund të përgatisë gjithashtu rënien e pengesave kufitare dhe të
paragjykimeve. Mirëpo, deri më sot – mund të shprehim keqardhje, por ky
është fakti – përpjekjet e mëdha për të ndërtuar paqen bëhen ende jashtë
Kombeve të Bashkuara. Kjo tregon se autoriteti i organizatës botërore nuk
është ende mjaft i shëndoshë, nuk është i vendosur sa duhet që të mund të
marrë në dorë zgjidhjen e problemeve më të vështira e më të dobta.
- 59 -
Një bashkësi e vërtetë nënkupton të paktën disa afërsi të veçanta.
Vendet nuk grupohen kur nuk ndjejnë midis tyre diçka të përbashkët, dhe
çka duhet të jetë e përbashkët është sidomos një minimum besimi. Lypset
po ashtu një minimum interesash të njëjta, sepse pa këtë arrin thjesht në
bashkekzistencë, por jo në bashkëpunim. Për t’u marrë vesh dhe për të
ndërtuar një lidhje të ngushtë, nuk ka pse të mos shquhesh më vete deri në
një farë mase, por duke qenë po ashtu i sigurt se ekzistojnë mjaft lidhje
dhe ide të përbashkëta. T’i shërbesh njerëzimit është e njëjta detyrë
sikurse ajo që na kërkohet për të qenë besnikë ndaj kombit. Në këtë
mënyrë do të hyjmë në rrugën e konceptimit të një bote ku përherë e më
shumë do të shfaqen përfytyrimi dhe hulumtimi i asaj që i bashkon kombet,
i asaj që është e përbashkët midis tyre, dhe ku do të pajtohen çka i dallon a
i kundërvë me shoshoq.
Europa është në kërkim të vetvetes ; e di që ka në duart e veta të
ardhmen e saj. Kurrë nuk ka qenë kaq pranë qëllimit. Zoti e ndihtë për të
mos e lënë t’i ikë rasti i mbarësisë që i ka ardhur, fati i fundit për shpëtimin
e saj.
Paqja botërore nuk mund të ruhet pa përpjekje krijuese përballë
rreziqeve që e kërcënojnë.
Ndihmesa që mund t’i japë qytetërimit një Europë e organizuar dhe e
gjallë është e domosdoshme për mbajtjen e marrëdhënieve paqësore.
Duke u bërë që prej njëzet e ca vjetësh flamurtare e një Europe të
bashkuar, Franca vazhdimisht ka patur si qëllim kryesor t’i shërbejë paqes.
Europa nuk u bë, na ndodhi lufta.
Europa nuk mund të bëhet menjëherë, as të përbëjë një ngrehinë
tërësore : ajo do të bëhet nëpërmjet realizimesh konkrete, duke krijuar
fillimisht një solidaritet të vërtetë. Bashkimi i kombeve Europianë kërkon të
zhduket mosmarrëveshja shekullore e Francës dhe e Gjermanisë : veprimi
i ndërmarrë lypset të prekë në radhë të parë Francën dhe Gjermaninë.
Për këtë qëllim, qeveria franceze propozon të përqëndrojë menjëherë
krejt veprimtarinë e saj mbi një pikë të kufizuar, por me rëndësi
vendimtare :
Qeveria franceze propozon të vendosë tërësinë e prodhimit franko-
gjerman të qymyrit e të çelikut nën një Autoritet të Lartë të përbashkët, në
kuadrin e një organizate të hapur për pjesëmarrjen e vendeve të tjera të
Europës.
- 60 -
Bashkësimi i prodhimeve të qymyrit e të çelikut do të sigurojë menjëherë
krijimin e bazave të përbashkëta për zhvillimin ekonomik, etapa e parë e
Federatës Europiane, dhe do të ndryshojë fatin e krahinave të
paracaktuara prej kohësh për prodhimin e armëve të luftës, duke i kthyer
ato vetë në viktima të përherëshme.
Solidariteti prodhues që do të themelohet në këtë mënyrë, do të tregojë
se çdo luftë midis Francës dhe Gjermanisë bëhet jo vetëm e
pabesueshme, por materialisht edhe e pamundur. Vendosja e këtij uniteti
të fuqishëm prodhimi, të hapur për të gjitha vendet që do të dëshirojnë të
marrin pjesë në të, duke synuar furnizimin në krejt vendet e grupuara të
elementëve themelorë të prodhimit industrial në kushte të barabarta, do të
hedhë themelet e vërteta të bashkimit të tyre ekonomik.
Ky prodhim do t’i paraqitet mbarë botës, pa dallim e pa përjashtim, për
të ndihmuar në ngritjen e nivelit të jetesës dhe në zhvillimin e veprave të
paqes. Me mjete gjithmonë në rritje, Europa do mund të ndjekë realizimin e
një prej detyrave të saj thelbësore : zhvillimin e kontinentit afrikan.
Në këtë mënyrë, do të arrihet thjesht dhe shpejt në shkrirjen e
domosdoshme të interesave për krijimin e një bashkësie ekonomike dhe do
të futet tharmi i një bashkësie më të gjerë e më të thellë midis vendeve prej
kohësh në kundërvënie për rrjedhojë të përçarjeve të përgjakshme.
Falë bashkësimit të prodhimeve bazë dhe krijimit të një Autoriteti të
Lartë të ri, vendimet e të cilit do të lidhin Francën, Gjermaninë dhe vendet
që do të marrin pjesë në të, ky propozim do të hedhë themelet e para
konkrete të një Federate Europiane të domosdoshme për ruajtjen e paqes.
Për të ndjekur realizimin e këtyre objektivave të caktuara, qeveria
franceze është e gatshme të çelë bisedime mbi këto baza :
Autoritetit të Lartë të përbashkët i caktohet për mision të sigurojë në
afatet më të shpejta : modernizimin e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë
së tij ; furnizimin në kushte të barabarta me qymyr e çelik të tregut francez
dhe të tregut gjerman, si dhe të tregjeve të vendeve pjesëmarrëse ;
zhvillimin e eksportit të përbashkët drejt vendeve të tjera ; barazi në
përparimin e kushteve të jetesës të krahut të punës së këtyre industrive.
Për të arritur këto objektiva duke u nisur nga kushte shumë të veçanta
në të cilat ndodhet sot prodhimi i vendeve anëtare, lypset të vihen në
zbatim, përkohësisht, disa dispozita lidhur me hartimin e planit të prodhimit
e të investimeve, vendosjen e mekanizmave rregullues të çmimeve, krijimin
e një fondi mbështetës për racionalizimin e prodhimit. Qarkullimi i qymyrit
- 61 -
dhe i çelikut midis vendeve anëtare do të çlirohet menjëherë nga çdo e
drejtë doganore dhe nuk do të cënohet nga tarifa diferenciale transporti.
Hap pas hapi do të shfaqen kushtet që do të sigurojnë në mënyrë të
vetvetishme shpërndarjen më racionale të prodhimit në nivel të lartë
prodhimtarie.
Ndryshe nga një kartel ndërkombëtar që synon shpërndarjen dhe
shfrytëzimin e tregjeve kombëtare përmes praktikash kufizuese dhe
mbajtjes së një niveli të lartë përfitimi, organizimi i parashikuar do të
sigurojë shkrirjen e tregjeve dhe zgjerimin e prodhimit.40
40 Pasojnë në tekstin origjinal udhëzime për marrëveshjet që duhen arritur lidhur me përfundimin e traktatit të Bashkësisë.
- 62 -