23
UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI” FAKULTETI I FILOLOGJISË PROGRAMI LETËRSI SHQIPE PUNIM DIPLOME VEPRAT SATIRIKE TË GJERGJ FISHTËS Mentori: Kandidatja: Prof. Asoc. Dr. Kamber Kamberi Doresa Kuçi Gjakovë 2019

PUNIM DIPLOME - filologjiku.uni-gjk.org Kuci_Punim Diplome.pdfedhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku

  • Upload
    others

  • View
    103

  • Download
    1

Embed Size (px)

Citation preview

UNIVERSITETI I GJAKOVËS “FEHMI AGANI”

FAKULTETI I FILOLOGJISË

PROGRAMI LETËRSI SHQIPE

PUNIM DIPLOME

VEPRAT SATIRIKE TË GJERGJ FISHTËS

Mentori: Kandidatja:

Prof. Asoc. Dr. Kamber Kamberi Doresa Kuçi

Gjakovë 2019

2

FALËNDERIME

Në radhë të parë falënderoj Zotin që më ka dhënë shëndet dhe mundësi të jem këtu

ku jam sot.

Falënderoj nga zemra familjen dhe miqtë e mi të cilët kanë qenë mbështetja më

e madhe për mua në çdo sfidë, hap apo vendim jetësor që unë kam marrë.

Falënderoj udhëheqësin tim shkencor Prof. Asoc. Dr Kamber Kamberi, për

mbështetjen, ndihmën e dhënë si dhe korrektësinë e këshillat që e bënë të mundshëm

realizimin e këtij punimi.

Jam shumë mirënjohëse dhe falënderuese ndaj Prof. Ass. Dr Labinot Berisha për

përkushtimin dhe mos hezitimin e tij për të ndihmuar në realizimin e këtij punimi.

Faleminderit!

3

PËRMBAJTJA

1. Abstrakt………………………………………………………………………...... 4

2. Hyrja……………………………………………………………….…...……...... 5

KAPITULLI I

1.1. Mbi jetën dhe veprën e autorit Gjergj Fishta……………………………..…… 7

1.2. Aktiviteti i tij patriotik……………………………………………………….... 8

1.3. Kritika fishtjane……………………………………………………………….. 9

KAPITULLI II

Veprat satirike të Gjergj Fishtës........................................................................... 11

2.1. Satirika………..……………………………………………………………...... 11

2.2. Anzat e Parnasit……………………………………………………………...... 12

2.3. Gomari i Babatasit……………………………………………………......….... 18

2.4. Nikolejda………………………………………………………………...…….. 20

Përfundim .…………………………………………………………………......…. 23

Literatura……………………………………………………………………..…... 24

4

ABSTRAKT

Fishta si figurë e përkushtuar tërësisht pas zgjidhjes së problemeve të vështira, që kaloi

kombi ynë ndër vite, kërkon studime të thella për të dalë në dritë tërë vlerat e tij, që krijoi edhe në

fusha të ndryshme të shkencave.

Me anë të këtij punimi do të analizohen në mënyrë të përgjithshme veprat satirike të

autorit tonë të madh Gjergj Fishta. Fokusi primar do të jetë pasqyrimi që i bëhet shtresave të

klasave shoqërore të cilat autori në fjalë i kishte cak për thumbim.

Në shqyrtim e sipër të temës do vijojnë arsyet e mllefit të Fishtës dedikuar shqiptarëve,

që janë skalitur hollë në çdo njërën prej veprave satirike të tij dhe që e bëjnë të paraqitet si një

misionar, civilizues, emancipues e madje edhe si kritikues ndaj dukurive dhe veseve të shëmtuara

të shoqërisë shqiptare të kohës së tij.

Fjalët kyçe: Gjergj Fishta, prozator, atdhedashës, kritik, satirik.

5

HYRJA

Gjergj Fishta zë një vend të rëndësishëm në letërsinë tonë shqipe. Krijimtaria e tij dhe stili

i shkrimit aq i veçantë vazhdojnë të jenë të tilla edhe në ditët e sotme. Gjergj Fishta që në rininë e

tij u bë i njohur si poet, prozator e përkthyes edhe pse i veshur me petkun e një prifti katolik, ai

nuk u shqua për këtë të fundit.

Po ta shohim në përgjithësi veprimtarinë e tij mund të themi se ajo ishte gjithmonë në

shërbim të popullit shqiptar dhe të çështjes kombëtare, traditës e kulturës në përgjithësi.

Personaliteti i tij ndriçon në kulturën shqipe në shumë aspekte. Në kulturën e shkrimit shqip,

mbetet krijues kulmor, autori më i veçantë, më i shumëllojshëm dhe më i popullarizuari.

Me sensin e njeriut të përkushtuar dhe të pasionuar për artin letrar, autori diti të bënte një

sintetizim të mrekullueshëm të shpirtit dhe mendësisë shqiptare, të kaluarës dhe të tashmës, sikur

në një pikturë ku spikaten virtytet dhe veset e kombit, ku rrëfehen degradimet kombëtare dhe ku

shihen rrugët e shtruara për një të ardhme të ndritshme herë me ngjyra subtile, herë më nuanca të

rënda, të ashpra, dramatike.

Autori e shqiptari i madh, Fishta përpos që vë në pah të metat e popullit shqiptar në

mënyrë të rreptë, diti edhe t’i himnizojë mrekullisht virtytet shqiptare, shenjat identifikuese

nacionale, gjuhën shqipe, flamurin kombëtar, trimërinë, figurat nacionale, të cilat i personifikon

përmes heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu; portreti i të cilit do të endet në mënyrë

funksionale dhe domethënëse në gjithë veprën e tij letrare. Fishta e ndjente nevojën e ripërtëritjes

së kombit. Kjo ripërtëritje, duhej bërë përmes njohjes së rrënjëve që lidhen me dimensionet etno-

kulturore, mitike, epiko-historike. Andaj Fishta frymëzohet nga ideale që e karakterizonin shpirtin

shqiptar.

Fishta diti të karakterizojë në mënyrë të dhimbshme dhe të sigurt artin, botën ideale e

gjithëmbarësisht të gjitha veglat e armët e rapsodëve që gjenden edhe ndër më të skajshmet krahina

të maleve. Vetëm ai që gjendet në mes të kësaj bote mund të ndiente aq thellë zemrën e të rrahmen

e diellit të këngëtarit kombëtar shqiptar, mund ta kuptonte aq mirë e aq qartë mendimin e tij. Ai

nga poezia popullore mësoi dhe shfrytëzoi atë që kuptimisht ishte më e rëndësishme, artistikisht

më e vlershme dhe me mundësi ndikimi estetik më të madh, por çdo gjë duke iu nënshtruar sistemit

të vet krijues.1

1 Anton Nikë Berisha, Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe, “Rilindja”, Prishtinë, 1998, f. 134.

6

Autori e ndjente se përmes teksteve të tij ai duhet të ndikojë në zemrat dhe ndërgjegjen

shqiptare t’i shkund në vetëdije kombëtare. Më tej, autori në shkrimet e shumta, nuk aplikon ndonjë

metodë letrare, shkollë të caktuar, por thith gjitha diskurset e mundshme, aty ku pretendonte t’i

fuqizonte konceptet e lartshënuara. Për të qenë klasik e modern; i kuptueshëm e elitar, stil ky që u

formësua përmes koloritit të lloj-llojet ngjyrash poetike dhe që kulmon si një margaritar i rrallë.

Në të vërtetë çdo autor ka qëllim origjinalitetin, edhe atëherë kur është i vetëdijshëm se

nuk ka ligjërim të virgjër (Roland Barthi), dhe se diskursi personal/fiksional, me vetëdije apo pa

të, huazon ligjërime të njohura, për ta pasuruar Universin Letrar.

Nivelet e këtilla, si modele të përmendura i gjejmë në shumë plane të krijimtarisë së Fishtës,

veçanërisht tek tekstet themelore, në të cilat autori funksionalizon gjithë potencën krijuese (në

epikë te teksti fondamental “Lahuta e Malcis”, në lirikë te dy përmbledhjet “Mirizi i Zanavet” dhe

“Vallja e Parrizit”, në dramatikë te tragjedia letrare “Juda Mukabe”, në satirikë te “Anzat e

Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit”.2

2https://sq.wikibooks.org/wiki/Letersia_e_Gergj_Fishtes/1

7

KAPITULLI I

1.1. MBI JETËN DHE VEPRËN E AUTORIT GJERGJ FISHTA

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht

punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i

cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në

Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për

studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori

në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe

"Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim 'Nobel', prozator, poet,

përkthyes; "Militant i letërsisë shqipe" - cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe "Poet kombëtar i

shqiptarëve" nga Eqrem Çabej. Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me

pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua

edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të

jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës.

Ndonëse botoi edhe shkrime tjera ai u bë i njohur me veprën "Lahuta e Malcis",3 veprës së jetës,

ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike "Moisi Golemi dhe Deli Cena" u botua jo

plotësisht në shtypin periodik. Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e

stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramatikja e veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë

lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të "Lahuta e Malcis", kryevepër e poezisë epike

shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit" dhe më 1909

përmbledhjen lirike "Pika veset", më 1913 boton "Mrizi i Zanave". Për veprimtarinë poetike,

arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep

dekoratën "Foenix ". Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Në tetor 1913 botoi revistën "Hylli i dritës", ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin

kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes

3 Sabri Hamiti, Letërsi moderne shqipe, “Albas”, Prishtinë 2005, f. 47.

8

shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit,

mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve '90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin

e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

1.2. AKTIVITETI I TIJ PATRIOTIK

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai

u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar

Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga

klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta

u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues

i shoqërisë "Bashkimi".

U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e

Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe

Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta

aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në

poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-

kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj.

Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917) dhe më 1916

themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, "Komisinë letrare" që kishte për qëllim krijimin e gjuhës

letrare kombëtare. Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit

të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar.

Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit

shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill

1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të

dendura politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924.

Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku

ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave,

tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë

vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë" në 1937.4

4 http://shqiptariiitalise.com/histori/histori/histori/gjergj-fishta-homeri-i-koheve-moderne.html

9

1.3. KRITIKA FISHTJANE

Fishta si figurë e shkëlqyeshme e letërsisë dhe e kulturës shqiptare ka qenë dhe është

gjithnjë në qendër të vëmendjes së shkencës në të gjitha qendrat universitare albanologjike. Ai e

dëshmoi se ishte shkrimtar, qytetar dhe fetar me ndjenja të larta atdhetare, dramaturg i begatë dhe

i frymëzuar, stilist i përkryer, estet dhe studiues, arkeolog, një nga mendjet më të ndritura të

kombit, me frymë dhe orientim prore perëndimor, mjeshtër i vargut, njohës i thellë i trashëgimisë

kulturore popullore, nga pasuruesit e mëdhenj të leksikut dhe gjuhës shqipe. Ai përherë na shfaqet

si artist e shkencëtar me rendiment te larte, qe është një shembull i shkëlqyer, jo vetëm për te rinjtë,

por për te gjithë boten tone intelektuale, qe aktivizohet ne fusha te ndryshme te punës krijuese. 5

Për Fishtën përmasa më e rëndësishme e intelektualit atdhetar është të qenit prezent në

kohën e vet e në kohën e të tjerëve që do të vijnë pas. Të qenit prezent do të thotë të kesh kurajë të

thuash të vërtetën, ku dhe kur duhet, ta thuash haptazi e ballazi pa marr parasysh se sa e hidhur

dhe e pakëndshme rezulton të jetë ajo. Këtë pozicion të intelektualit Fishta e mishëroi në

krijimtarinë e tij artistike, ai ishte gjithmonë aty për vendin e tij, himnizues i virtyteve dhe po ashtu

kritikues i rreptë i veseve jo të lakmueshme të njerëzve të atdheut të tij.

Duke qenë i lidhur me problematikat sociale të vendit në krijimet e tij në satirë rrahu fortë

çështjet shoqërore. Satira e Fishtës nuk falë askënd. Satira e tij hyn deri tek familja dhe institutet e

saj dhe përhapet pastaj tek grupet e ndryshme fisnore, tek ekonomia, te prona, puna e tregu. Fishta

nuk lë anash as strukturat dhe funksionet e demokracisë politike dhe jetën politike në përgjithësi.

Në satirë Fishta fokuson më shumë religjionet, ritet, magjitë, grupet religjioze, rangjet dhe klasat

sociale, deri tek grupet etnike.

Ai ka ndjekur me vëmendje të gjitha lëvizjet dhe ndryshimet sociale shqiptare të kohës së

tij duke u përpjekur që nëpërmjet kohës së tij, të zbulojë elementet e përjetshme e universal të

shoqërisë. Në këtë mënyrë ai është bërë mësuesi i shqiptarëve të të gjitha kohëve. Shpesh satirat e

Fishtës kanë lindur si polemika të drejtpërdrejta e si përgjigje flakë për flakë ndaj ngacmimeve të

rastësishme apo të institucionalizuar. Por menjëherë Fishta e ndjen se satira e tij po i kalon kufijntë

e një polemike gazetareske dhe kështu fillon t’i japë atyre dimensione të vërteta estetike.

Fishta nga natyra është opozitar e polemist. Por në fund të fundit një pjesë e krijimtarisë

së tij satirike, në veçanti ajo me theks politik, duhet vështruar edhe në raport me qëndrimet e klerit

5 https://zerikosoves.com/gjergj-fishta-jeta-dhe-veprimtaria-e-tij/

10

katolik shqiptar e sidomos me qëndrimet e urdhrit françeskan e provincës françeskane shqiptare

ndaj monarkisë së Ahmet Zogut.6 Siç dihet tashmë edhe nga historia, kleri katolik shqiptar e ka

kritikuar ashpër regjimin e Zogut jo vetëm me fjalë e me mjete tjera demokratike, por ai në një

fare ka nxitur lëvizje popullore kundër këtij regjimi.

Vlen të theksohet gjithnjë duke pasur parasysh ardhjen e Fishtës nga një shtresë e ulët

e popullsisë dhe duke u ngritur gjer ndër rrënjët më të larta të shtetit, diplomacisë e urdhrit

françeskan, Fishta pati fatin t’i bëjë realisht një prerje tërthore shoqërisë dhe të fusë në satirë

karakteristikat më thelbësore regresive të shtresave e klasave shoqërore.

6 https://www.academia.edu/10805283/Satira_e_Gjergj_Fishtes

11

KAPITULLI II

VEPRAT SATIRIKE TË GJERGJ FISHTËS

2.1. SATIRIKA

Në botën e letërsisë janë veprat satirike ato që sa i përket stilit dhe përmbajtjes së tyre,

zgjojnë kureshtje më të veçantë, ndoshta kjo për faktin se satira prek në ndërgjegje të njeriut apo

të një grupi shoqëror. Në satirë përmes vënies në lojë të personazheve apo momenteve të

shoqëruara me humor të zi, arrihet një konkludim, që sado i vrazhdë të jetë, në brendinë e tij vërteta

mbetet e palëkundshme. Satira kërkon mjeshtëri për të mbetur origjinale në tipologjinë e saj, në

mënyrë që raporti vepër-lexues të jetë dhe të mbetet i ngushtë.

Është shumë mirë e ditur se në sferën e krijimtarisë së tij, Gjergj Fishta, është bërë i

njohur me një ndër veprat e tij më madhore “Lahuta e Malcisë” që ndryshe njihet si vepra e jetës.

Kjo vepër konsiderohet të ketë kaluar çdo dimension të një vepre të madhe, sepse vërtet është e

tillë në tipin e saj por edhe të përmbajtjes, përmbajtje kjo që vjen si një jehonë e madhe e zërit të

shpirtit të pamposhtur shqiptar.

Veprat satirike të Gjergj Fishtës mund të konsiderohen si invers i Lahutës së Malcisë, jo

duke u nisur nga vlera, por nga forma dhe natyra e shkrimit. Gjuha Fishtës shpreh të gjitha

shtresëzimet, plotësinë e gjerësinë, si dhe lëvizjet brenda gjuhës shqipe: ajo bart dhe përfaqëson të

ashtuquajturën histori të brendshme të shqipes, me veçoritë e saj strukturo-gjenetike dhe

tipologjike, dhe atë që paraqet historinë e saj të jashtme, me kontekstin e saj etnokulturor7.

Duke pasur parasysh faktin se kryevepra epike ka pasur një diskurs dhe trajtim tjetër apo

edhe patos patriotik e heroik, satirat e Fishtës janë shpërfaqja më e vërtet e një realiteti shqiptar të

asaj kohe. Satirë deri në sarkazëm me pushtetin e vendit dhe keqardhje deri në vaj për gjendjen e

popullit të mjerë, që ishte ai që shtypej e pësonte nga zotëruesit e fatit të tyre. Gjergj Fishta i

etiketuar nga shumë kritikë, si poeti që ngacmon plagën që kullon gjak, ai goditi paradoksin

shqiptar pa pasur fare mëshirë.

Në zinxhirin e krijimeve të mrekullueshme satirike të Gjergj Fishtës kemi disa nga veprat

kryesore të kësaj natyre të cilat janë: Anzat e Parnasit, Gomari i Babatasit dhe Nikolejda.

7 Shefkije Islamaj, Gjergj Fishta, Gjuha dhe stili, “IAP” Prishtinë 2012, f. 59.

12

2.2. ANZAT E PARNASIT

Vepra satirike e njohur “Anzat e Parnasit”, është vepra që shënon fillimin e një krijimtarie

moderne shqipe duke u botuar për herë të parë në Sarajevë në vitin 1907, më pas u ribotua edhe

disa here të tjera, duke u kompletuar më 1927, 1928, 1942 dhe 1990.

“Anzat e Parnasit” ka një titull metaforik, pra, kemi Parnasin që sipas mitologjisë është

mali mitologjik i zanave dhe në anën tjetër kemi anzat apo grerëzat. Autori i bashkon në mënyrë

paradoksale malin e shenjtë të zanave dhe grerëzat thumbuese. Bashkëkohësia e Fishtës nuk ishte

në nivelin e duhur, pra nuk ishte ashtu siç dëshironte autori, e në këtë mënyrë ajo kërkonte thumbim

e pickim për t’u formuar si duhet.

Vepra është e ndarë e ndarë në poema, ku gjejmë shtrirjen e dramës satirike. Subjekti

është ndërtuar përmes dialogëve të ndryshme ndërmjet personazheve të shumtë që janë pjesë e

librit. Në fillim të librit kemi citimin e shprehjes së Bajronit, që flet vetë për formën dhe nxitjen e

tij që përmes satirës të jap një tablo të shoqërisë shqiptare “Qeshem në punë të njerzvet vec pse

s’mujë me kja.”8 Zgjedhja e Fishtës për përdorimin e shprehjes së Bajronit, duket sikur na shfaq

njohjen e thellë të letërsisë dhe kulturës botërore, por në të njëjtën kohë na afron me synimin që

ka për të shfaqur autori në “Anzat e Parnasit” si vepër satirike.

Janë gjithsej 16 poema në tërësi, të gjitha me motive të ndryshme që janë realizuar

përmes ligjërimesh poetike dhe formash metrike po kaq të ndryshme. Poemat që bëjnë pjesë në

“Anzat e Parnasit” janë: Nakdomonicipedija, Metamorphosis, Gjuha e mësimit, Nevoja e mësimit,

Bujari, Kohë e arit në Shqypni, Momi, Lum i forti, Jaho Begu e Palok Cuca, Nen hajat të Parrizit,

Jus Gentium, Dredha e djallit, Kontrata, Dijsija, Palok Cuca, Tatari i diplomacis9.

Fishta satirën e fillon me poemën Nakdomonicipedija, duke iu drejtuar Nakdo Monicit,

që është anagrami i emrit të shokut të tij të ngushtë, Ndoc Nikajt. Ndoc Nikaj duke qenë se kishte

shkruar libër për historinë e popullit shqiptar, sërish ajo nuk u prit mirë nga lexuesit. Fishtën e

gjejmë si këshillues duke i thënë mikut të tij që mos vrasë kot mendjen, sepse në Shqipëri nuk po

vlerësohej historia e shkruar nga autorë kompetent, por vlerësohej më shumë paraja, mediokriteti

etj.

8 Gjergj Fishta, Satirika (Anzat e Parnasit,Gomari i Babatasit,Nikolejda), “Faik Konica” , Prishtinë, 2000, f. 7. 9 Po aty, f. 479.

13

Fishta e fton bashkëpunëtorin e tij që të “shporret Shqipnijet e shqiptarëve”, sepse sipas tij kishin

devijuar prej idealeve kulturore e shpirtërore që krijojnë Shqipërinë moderne. Vargjet ku Fishta

këshillon mikun e tij që të mos mundohet për shqiptarët e historinë e shqiptarëve i kemi si vijon;

Pra, gajret! mos merr n’qafë veten,

Mos e shkyej ma fort kuleten

Tuj u rrekë per t’ mirë t’ Shqypnis.

Shporru gjuhës e Historis,

Shko mbas hyllit t’ leverdis,

Per n’ daç shndosh m’ u kapun m’ breg.

Sa per istore e Skanderbeg

Po t’kallxoj, ke me mbetë n’ zallë,

Tue vajtue vehten per t’ gjallë.10 (Nakdomonicipedija)

Pra, poezia e parë Nakdomonicipedija na jep refuzimin e emancipimit kulturor e

intelektual dhe gjithashtu lakmia për vlera materiale. Arti sarkastik i Fishtës shprehet në nota të

larta estetike, ku stigmatizon mentalitetin oriental të një pjese të konsiderueshme të popullsisë

shqiptare, e sidomos të atyre që e konsideronin vetën si elite kulturore.

Arti sarkastik i Fishtës shprehet në nota të larta estetike, ku stigmatizon mentalitetin

oriental të një pjese të konsiderueshme të popullsisë shqiptare, e sidomos të atyre që e konsideronin

vetën si elite kulturore. Për Fishtën e për shumë atdhetarë nuk ishte çështja të fitohej pavarësia, sa

të formohej ndërgjegjja kombëtare. Satira e tij synon që të formojë ndërgjegjen kombëtare përmes

të mirës së përbashkët, të udhëhequr prej vlerave të larta që kanë krijuar kulturën e shteteve modern

evropiane.11

Tek Metamorfoza kemi konvertimin e identitetit fetar, gjuhësor e fisnor që shndërrojnë

qenien njerëzore. “Metamorfoza” është pasqyrë e realitetit të hidhur shqiptar, të njerëzve të ulët

që shesin patriotizëm dhe heroizëm, por që nuk kanë asnjë ndjesi e aq më pak sakrificë për komb

e atdhe.

Gjergj Fishta aty i demaskon këta hipokritë, që fatkeqësisht vazhdojnë të jenë të

pranishëm e me ndikim edhe sot mes shqiptarëve. Kemi vargjet e Fishtës ku ai shpreh pakënaqësitë

e tij dhe “mohimin e të qenurit shqiptar”:

10 Po aty, f. 28. 11 https://www.pressreader.com/albania/gazeta-shqiptare/20141102/281913066387441

14

E dij se kini

Ju t’gjith me m’shá,

E se me m’thirrun

Mâ s’kini vllá;

Por n’dashtë; le t’thohet

Se dredhoi Leka,

Veç kurr mos t’thohet

Se ka mbetë Leka.

T’a dijë Shqypnija

Prá, e sheklli mbarë,

Se mâ mbas sodit

Un s’jam Shqyptár,

A ndiet, Zotni,

që rrini m’shkam?

Un mâ me sodjet

Shqyptár nuk jam.

M’thirrni si t’doni

U tham: Urdhno!

Zulù m’a njitni…

Shqyptár, por, jo. 12 (Metamorphosis)

Sunduesit e regjimit komunist, ishin ata që në mënyrë të qëllimshme e interpretonin

gabimisht këtë poezi, ishin ata që kishin përhapur fjalën se Fishta, si gjoja antikombëtar, ka

deklaruar se nuk është shqiptar. Këtu pra e kemi shndërrimin e autorit nga një njeri atdhedashës,

njeri që sakrifikon për vendin e tij, në një njeri që s’do interesohet, mundohet e sakrifikoj për

vendin e tij.

“Gjuha e mësimit” sjellë humbjen e identitetit gjuhësor. Poema paraqitet si një formë

bisede mes protagonistësh, pra, dialogu realizohet mes dy personazheve. Gaspri, një fshatar, shkon

për të marrë sugjerim nga Ndreka se në cilën gjuhë ta arsimojë e edukoj djalin e tij. Kur Ndreka i

12 Gjergj Fishta, Satirika (Anzat e Parnasit,Gomari i Babatasit,Nikolejda), “Faik Konica” , Prishtinë, 2000, f. 33.

15

përgjigjet duke i dhënë gjuhën amtare si sugjerim, Gaspri tensionohet aq shumë dhe flet si mos më

keq për gjuhën shqipe duke e konsideruar atë një gjuhë paprespektivë dhe të panevojshme. Kjo na

jep pasqyrën reale se si ka qenë koha dhe situata e avancimit të gjuhës shqipe.

“Jus Gentium” na paraqet luftërat dhe lakmitë; paditurinë te Kontrata; hipokrizia përmes

diturisë te Dijsja; mos përfundimin e punëve, lënien përherë në gjysmë “Dredhia e Djallit”;

diplomatët sharlatanë tek “Tatari i diplomacisë” etj.“Nevoja e mësimit” na paraqet falsitetin dhe

gënjeshtrën. Kompleksin e “të diturit”e jo tolerantit, për t’u marrë me shkrime e për të dhënë mend

e gjejmë tek “Koha e arit në Shqypni”.

“Momi”, është një nga ato pjesët më intriguese te “Anzat e Parnasit”. Këtu bëhet

mishërimi i Fishtës me mitologjinë e lashtë greke, eposin shqiptar të kreshnikëve dhe paralelizmin

e këtyre dyjave në një mendësi kleriku që mund të quhet i “pabindur”, i cili thërriste shenjtorët të

bëheshin pjesë e kësaj tragjikomedie. Sipas mitologjisë greke, Momi është i biri i natës dhe gjumit,

konsiderohej i pabesë dhe i lig. Momi kishte kryer misionin e tij të keq në shumë vende, si në

parajsë, ferr, Parnas, Olimp etj. Në këtë mënyrë ai ishte përjashtuar nga të gjithë për shkak të

ligësisë së tij. Edhe pse i përjashtuar nga çdo kush, ai gjen strehimin e tij krejt lehtësisht në trojet

shqiptare. Fishta e sqaron hollë ardhjen dhe dëmin që bëri Momi, në vargjet që vijojnë:

N’Shqypni Momi porsa ra,

Ku m’atë botë e fortë isht’ besa,

Me’ i herë xuni me gerga,

Xu me qitun n’vend ngatrresa.

Punët e hueja tu’ i peshue,

M’nderë gjithkendin tue perkitun,

Fjalët e ken’na tu’ i smadhue

E t’paken’nat vetë tu’ i qitun.

Dau prej tatet grue e fmi,

Vlla ngatrroi me vlla e moter:

Thue, ma vllazen s’janë n’ nji shpi

Por thue gjakës janë mbledhë m’nji voter. 13 (Momi)

13 Po aty, f. 95.

16

Fishta qartë tregon që shqiptarët janë vet ata mendjelehtët që pranojnë modelin e keq, janë

vet ata që lejojnë dikë tjetër të hyjë në mes tyre dhe t’i përçajë ata.

“Në hajat të Parrizit” bëhet një bisedë, ku marrin pjesë Shën Pjetri, Djalli, Skënderbeu.

Ndërmjet drojës se shqiptarët e kishin humbur parajsën dhe shpresën dhe shpresës së tij se Zoti do

ta shpëtonte Shqipërinë, ku sipër theksohet një kanonizëm moral e fetar, është dialogu i Djallit me

Skënderbeun, ku shpalohet realiteti i jetës shqiptare në tokë, me hijet e veta të zeza. Aty janë vënë

në një katalog të zisë veprimet shqiptare, të cilat nuk ua premtojnë atyre shpëtimin kombëtar,

historik, hapësinor e ekzistencial.

Shqiptarët i kanë humbur tokat; shqiptarët nuk mund ta zgjedhin prijësin dhe qeverinë e

përbashkët; shqiptarët shiten për pak para përpara të huajve dhe tradhtohen e munden nga ata;

shqiptarët kanë atdhetari të deklaruar sa që nuk dinë më ç‘është atdhetaria; shqiptarët heroin

kombëtar Skënderbeun e kanë në fjalë e në libra, por jo në zemra, që do të thotë vetëm si kujtim

të rëndë, e jo si përvojë kombëtare për veprim. Këto karakterizime dalin në dialogun e Djallit me

Skënderbeun, ku këta e provokojnë njëri-tjetrin si në dialogë antikë, për të përshkruar dhe për të

përkufizuar një gjendje e një të vërtetë.14 Prandaj, formulimi i Djallit se “shqiptarët janë si e duan

armiqt” dhe se “ ka Shqipëri e nuk ka shqiptarë” , shpreh njëherësh një formulim diabolik dhe një

zemërim autorial të Gjergj Fishtës.

Të folurit demagogjik

Në vrullin e vet kritikues Fishta nuk kursen askënd, as vetveten, dhe vë në thumb sidomos

të folurit demagogjik për punët e mëdha dhe temat e mëdha. Një parodi ai e ka krijuar edhe për

poezinë e vet të famshme Hymni kombtar. Mirëpo, qëllimi përherë është zbulimi i vetvetes, i jetës

autentike dhe ruajtja e vetvetes para tjerëve. Rrëshqitja nga kjo rrugë është rrëshqitje në tjetërsim.

Këto tema poeti i thur në disa nga satirat e tij më të njohura: Metamorfosis, Kur para kenë ba Papë

e Në hajat të Parrizit. Tjetërsimi shqiptar ka marrë trajta tragjike të humbjes së identitetit moral e

kombëtar:

Qi, për t’mushë ma mire kuletën

Nuk kanë turp me shitun veten

Ndër shkje e ndër taljan.

14 Sabri Hamiti, Letërsi moderne shqipe, “Albas”, Prishtinë 2005, f. 66.

17

Përderisa Skënderbeu zihet keq në parajsë, ngase është harruar në tokë, në Shqipëri, kurse

djalli merr e përcjell lajme të zeza për Shqipërinë e copëtuar. Po, Fishta, si poet e ideolog kombëtar

flet me gojën e Shën Pjetrit, se Shqipëria do të bëhet për inat të shqiptarëve e të fqinjëve të tyre.

Universalizimi i satirës së tij, bazohet në përmbysjen e demagogëve(që tjetër flasin e tjetër

veprojnë) që janë e keqja e çdo shoqërie. Në anën tjetër, dhembja autentike është vetëdija e

artikuluar; Sot ma shpejt nji thes me pleshta, Ti ban bashkë se dy shqiptarë.

Fishta satirizon botën shqiptare pikërisht në kohën kur kjo shoqëri mëton të jetojë e

organizuar edhe politikisht, për të nxjerrë në shesh të gjitha dobësitë e mungesat e veta në nivel të

karakterit e të kulturës. Këto çështje dalin në pah qoftë në jetën e përditshme, ashtu dhe në

projektimet e shoqërisë e të kombit. Prandaj, dalin formulimet tragjike e tragjikomike:

Ma mire da zotni, se ça,

Fort ma mire, t’kemi nji tiran,

Se ‘iqind vetë me dorë n’sahan.15

“Palokë Cuca” paraqitet me nëntitullin “Nji provë poemi herojkomik” përbëhet nga dy

këngë. Është një nga këngët më të gjata satirike në këtë vepër. Paraqet një veshje tërësisht komike

e një realiteti që sundonte në familjet shqiptare, ku mendësia e tillë, me pleksje të një orientalizmi

e injorance, ku kishte filluar të dukej megjithatë një çarje drejt shkëputjes nga e kaluara. Autori

zgjedh një familje, që ta bartë si përfaqësuese procesin e gjatë të kundërtive që do të ketë populli

ynë në ndërtimin e një modeli jetësor e edukativ.

Ngjarjet marrin zhvillime të papritura kur Filipi me lindjen e Palokës, dëshiron që t’ia vë

këtë emër, që kundërshtohet nga bashkëshortja e tij e cila mendon që duhet t’i vënë një emër më

“modern”. Fishta kishte frikën se populli shqiptar duke krijuar neoshqiptarizmat, mund të binte në

kurth dhe në këtë mënyrë, dhe të zhvishej nga ndjesia kombëtare për shkak të një moderniteti që

vinte si abstraksion i kohës.

15 Sabri Hamiti, Letërsi moderne shqipe, “Albas”, Prishtinë 2005, f. 65.

18

2.3. GOMARI I BABATASIT

Gomari i Babatasit është një vepër tjetër satirike e Gjergj Fishtës. Kjo vepër kalon çdo

përpjekje të dikujt, që ta paraqesë një realitet që dhemb por që zbukurohet përmes situatave

komike. Vepra u botua më 1923, me titull Gomari i Babatasit. Pjesa tjetër Visku i Babatasit u botua

në vitin 1994, sepse kjo pjesë ishte lënë në dorëshkrim. Pra, vepra përmban dy pjesë; Gomarin e

Babatasit dhe Viskun e Babatasit. Është një krijim melodramik, me personazhe e dialogje të

ndërtuar në vargje.

Në satirën politike veçanërisht tek “Gomari i Babatasit” Fishta bën për objekt satire

probleme të tilla, si ndërtimin e fasadave, gjendjen e mjerë të Shqipërisë, të fshatrave, korrupsionin

shtetëror, maninë e izolimit politik, mbështetjen në forcat tona, politikën proanadollake, profeudale

e orientale, cenimin e lirisë se fjalës, falsitetin e njerëzve qe gjoja janë përfaqësues legjitim të

popullit etj.16 Në thelb paraqitet një gjendje e rëndë ose tragjikomedia shqiptare. Është analizë e

thellë e shkaqeve dhe bartësve, të cilët janë ata që e kushtëzuan këtë gjendje. Gjuha e Fishtës,

duket sikur ka një ndjenjë zhgënjimi e fajësimi të situatës ku ndodhej, ai e thotë haptazi se ishte i

ndikuar nga situate që të ketë këtë diskurs.

Pra ktu ‘i here e pike ma s’ parit

Po i diftoj rodit t’Shqyptarit,

Se une ktu s’kndoj burrnin e t’Parit,

As trimnit e ndoj luftarit,

Veç nji gaç nji zog gomarit. 17 (Gomari i Babatasit)

Kjo rrëfen pozicionin e një idealisti të dikurshëm, që e ndjente si urdhër të shkruante e të

krijonte pamje idilike e romantike, me shfaqjen e figurës heroike të shqiptarit, i cili ishte në gjendje

të sakrifikonte edhe jetën për token e të parëve. E ky pozicion duket sikur tashmë përmbyset, ku

zogu i gomarit është simbolika e tipit të shqiptarit të kohës.

Fishta fillimisht godet qeverinë që ishte formuar, e cila po tentonte ta mbyllte shkollën

françeskane, në emër të laicitetit të shtetit dhe nga mendimi tejet i gabuar, se shkolla françeskane

ku drejtonte Fishta, po prodhonte antishqiptarizma e anarkizëm. Përmes personazhit të tij, drejtorit

16 https://www.forumishqiptar.com/threads/71629-Sociologji-e-satires-se-Fishtes 17 Gjergj Fishta, Satirika (Anzat e Parnasit,Gomari i Babatasit,Nikolejda), “Faik Konica” , Prishtinë, 2000, f. 229.

19

A, Fishta mundohet të sqarojë të vërtetën, duke thënë se në shkollat e tilla nuk kanë mësuar

asnjëherë por njerëz të atillë që kanë dale patriotë, e jo si Haxhi Qamili e Esad Pasha.

Fishta fillon e bëhet më kompleks, kur ai fillon të analizojë në palcë problematikën, duke

e analizuar atë në rrafshin psikologjik, filozofik, metafizik. Te Metamorfoza, si monolog i

Babatasit rreth drejtuesve shtetëror, të cilët e kishin angazhuar ta ndërtojë muzeun ku ky nuk ishte

ekspert por kishte një moral të lartë, jepet një pamje e qartë e mendimit të autorit rreth gjendjes.

Babatasi nuk është personazh mbi të cilin bie satira e anatema e poetit, ai qëndron në mesin e

mediokërve por është i vetëdijshëm rreth këtij klani të paditurish e dashakëqij.

Ai ironizon me vendimin e qeverisë rreth ndërtimit të një muzeu, ku asnjë ekspert, qoftë

nga arkeologjia e historia nuk ishte në radhët e pushtetit. Atje kishte vend për bajraktarë,

analfabetë, servile e dembelë. E në këtë gjë ai nuk e shihte vetën të nderuar e as pjesëmarrës. Për

të qenë i saktë Fishta nuk është thumbues vetëm ndaj pushtetarëve por edhe shqiptarëve që disi

janë gatshëm që të shtien pushkë kundër njëri-tjetrit duke harruar fare që janë vëllezër. Fshatari i

cili ia shet gomarin Babatasit, i jep atij një pamje reale të “implementimit” të ligjit në vend, ku

pushteti rrihte banorët kur ata nuk i bindeshin dhe po i terrorizonte edhe më shumë se pushteti turk

i një kohe më parë.

Pra, duke qenë se “Gomari i Babatasit”, u botua në situatë që përkonte me beteja të ashpra

politike rreth formës që do të merrte organizimi i ardhshëm shtetëror. Kritika fishtjane me

ashpërsinë e saj, që nuk fal askënd, lëshoi mbi kokat e deputetëve, ministrave, gjithfarë zyrtarëve

të kohës, talljen, fyerjen, sharjen, nëmën e mallkimin, ironinë, sarkazmin, satirën.

Nën moton “Populli i falë ata që e mundojnë por nuk ka për të falë ata që e rrejnë”, ai

shpartallon klikën zyrtare, të cilën i vetmi ideal që e bashkonte, ishte marrëveshja e tyre me gjithë

mjetet që u kishte dhënë pushteti në dorë, të zhvatnin trupin dhe shpirtin e shtetit të mjerë të

sapoformuar dhe ta linin me turpe e shëmtitë jashtë, ndaj syve të botës.18

Poeti Babatasi arkeolog, njeriu i kthyer në gomar e anasjelltas, muzeu formal, injoranca

që ka veshur petkun e dijes, së qytetërueses, mjedisi i trashëguar anadollak që belbëzon me gjuhën

“oksidentale”, janë mjetet më efikase përmes të cilave Fishta arrin të nxjerrë në pah kontrastet që

kthenin në regresin më poshtërues shoqërinë.

Klika që kërkonte të majmej dhe populli që më kot shpresonte, njeriu që s’dilte dot prej

thelbit të vet prej gomari, që ngul këmbë në të vjetrën dhe nuk bën asnjë hap drejt të resë, drejt

18 Vehbi Bala, Gjergj Fishta, Jeta dhe vepra, “Ombra GVG”, Tiranë, 1998, f. 165.

20

qytetërimit. Fishta gris pa mëshirë fasadën, që dëshiron të krijojë burokracia shtetërore e

sapolindur. Një shtet që po formohet nuk mund të durojë në themelet e veta zhvatës makabër,

shtinjakë, hipokritë e servilë. Ai prek ato plagë, që më vonë shoqërisë shqiptare iu bënë pjesë e

natyrshme biologjike e qenies, iu bënë sëmundje, pa të cilat nuk e kuptonte dot ekzistencën e vet.

Duke e kuptuar që atëherë rrezikun, poeti nuk e ruan aspak gojën, përmes fjalorit dhe

vizioneve më lakuriqe, të zhveshura nga çdo paragjykim, bën autopsinë e saktë të shoqërisë që po

lindte me vese fizike e shpirtërore, nga më fyeset për një komb që krejt ndryshe e meritonte t'i

shpërblehej gjaku dhe mundi mbinjerëzor, që i kishte kushtuar së ardhmes së vet.19

2.4. NIKOLEJDA

Kjo vepër paraqet një invers sa i takon cakut të satires së Fishtës. Në këtë vepër satirike

nuk satirizohet me shqiptarët por me mbretin malazez, dhe pozicionin e tij aspak të lehtë përballë

egove të tij për pushtim të veriut shqiptar, sipas kërkesave të Moskës. Fishta shquhet si një nga

poetët që ka urrejtje të madhe kundër Malit të Zi, kjo për shkak të arsyeve të shumta historike për

të cilat jemi të vetëdijshëm të gjithë, sidomos të synimeve dashakeqe, dëmtuese, grabitëse të Malit

të Zi ndaj Shqipërisë. Këtu gjejmë dallimin më veprën Lahuta e Malcisë, sepse në veprën Lahuta

e Malëcisë, Fishta e shfaq Knjaz Nikollën si mjaft të guximshëm dhe të fuqishëm. Kurse në veprën

satirike Nikolejda autori e zhvendos shumë poshtë atë, madje në ambient shumë ambient shumë

vulgar të jetesës dhe të funksionimit të tij në përgjithësi.

Fishta që në fillim na sqaron gjendjen e keqe financiare të Knjazit, i cili po mundohej ta

bindte të bijën e tij që ishte e martuar me mbretin e Italisë, që t’i jepte hua tre milion franga. Mbreti

i Italisë nuk pranoi ofertën për huan por ai i premton Knjazit se do ta ndihmonte për ta pushtuar

disa nga tokat shqiptare.

Në libër kemi bashkëbisedimin mes Knjazit dhe të shoqes së tij, kur e shoqja e tij e pyet

se përse nuk ha e as nuk pi, por rri duke menduar. Ai fillon ti tregojë asaj hallin që ka duke i treguar

për tre milion frangat që i kishte kërkuar nga Umberti, dhe i tregon se ai e kishte refuzuar duke i

thënë që do të të ndihmojë në pushtim të tokave shqiptare.

KNJAZI

Po, me kadalë! Pse djelmt e Shqyptaris’

Nuk druen mauzeret t’tana t’Moskovis.

19 Vehbi Bala, Gjergj Fishta, Jeta dhe vepra, “Ombra GVG”, Tiranë, 1998, f. 165

21

Prandej kam rat ash pykë, e s’di shka t’ë, e s’di shka t’çajë…

Për miq nuk kam përse me mbajtë uzdajë:

Janë miq me fjalë, e miqt e shpive t’veta;

Pse mik e fis n’kët jetë kish kenë kuleta. 20

Këtu autori në një farë mënyre i thur lëvdatë popullit shqiptar duke i ngritur lartë ata si

luftëtarë, trima që nuk mposhtën dot, andaj e shpreh edhe me fjalët e Knjazit mos bindjen e tij që

të mund t’i pushtojë shqiptarët, duke i thënë të shoqes se shqiptarët trima nuk ua frikësohen armëve

tona e as të Moskës.

Tek Odiseu, që është ai që personifikon rrugëtimin drejt gjetjes së atdheut, Fishta e

përshkruan rrugëtimin e Knjazit drejt Satmbollit ku shkon për tu iu lutur sulltanit për t’i gjetur hua,

por edhe ky njëjtë si mbreti i Italisë e refuzoi. Fishta duket sikur e ka neutralizuar sentimentin për

Turqinë në atë kohë, kjo ndoshta për shkak të dobësimit të Turqisë dhe rritjes së interesave

grabitqare sllave për Shqipërinë. Kjo si duket e ka krijuar një botëkuptim tjetër të autorit për

Turqinë dhe sulltanin.

Tek Nikolejda por gjithashtu edhe në veprat tjera satirike hasim edhe një lidhje të Fishtës

me mitologjinë greke. Kjo lidhje mund të shihet sidomos tek përzgjedhja e personazheve ku

përpos personazheve biblikë e historikë, ka edhe shumë personazhe mitologjike siç janë; Momi,

Athina, Zana, Pegasi, Afërdita etj. Lidhje kjo që njihet botërisht, pra jo më kot quhet dhe njihet si

Homeri Shqiptar. Nikolejda, për nga rrafshi estetik mund të themi se qëndron lartë, ku mendojmë

se autori tashmë e kishte krijuar traditën e shkrimit të tij artistik dhe i kishte zgjedhur problemet

teorike e estetike, që dërgojnë kah përsosmëria gjithnjë e më e madhe e teknikës artistike.

Në kuadër të krijimtarisë satirike të Gjergj Fishtës kemi edhe ca poema të tjera, që

qëndrojnë të mëvetësishme, si p.sh.: “Kur pata kenë ba Papë”, “Dreqnit e Dom Ndreut”, “Si i

don mushka drutë”, “Në dekë të Franko Krispit”, “Shënime”, “Barabba”, “Vegim” etj. Secila

nga këto ngërthen në vete satirë deri në grotesk të autorit rreth situatave ku jetoi.

. Veprat satirike të Gjergj Fishtës kanë rëndesi të madhe si pasqyrim i kohës kur ai jetoi dhe

veproi, dhe si mësim, vetëdijësim i gjeneratave të reja të popullit shqiptar. E gjithë kjo për t’i

mbajtur shqiptarët të bashkuar, t’iu tregojë atyre që duhet dashur atdheun, gjuhën e kombit tënd

dhe të sakrifikosh për ta ngritur sa më lartë atë.

20 Gjergj Fishta, Satirika (Anzat e Parnasit,Gomari i Babatasit,Nikolejda), “Faik Konica” , Prishtinë, 2000, f. 412.

22

PËRFUNDIM

Fishta si figurë e shkëlqyeshme e letërsisë dhe e kulturës shqiptare ka qenë dhe është

gjithnjë në qendër të vëmendjes së shkencës në të gjitha qendrat universitare albanologjike. Ai pa

dyshim që e dëshmoi se ishte shkrimtar, qytetar dhe fetar me ndjenja të larta atdhetare, dramaturg

i begatë dhe i frymëzuar, stilist i përkryer, estet dhe studiues, arkeolog, një nga mendjet më të

ndritura të kombit, me frymë dhe orientim prore perëndimor, mjeshtër i vargut,

Fishta, si poet me diapazon te gjerë krijues, filozof e pedagog, sociolog e diplomat e klasës

të parë etj. nuk është kundër kulturës së huaj, as kundër marrëdhënieve te drejta në fushën e

shkencës e arsimit me vendet e tjera, por ai është kundërshtar i prerë i përdorimit te shkollës për

shkombëtarizimin e një populli siç shihet në çdo krijim të tij, e sidomos në krijimet e tij në satirë.

Ai godet edhe ata studentë që kanë shkruar jashtë për të studiuar dhe nuk tregojnë kujdesin

e duhur për të përfituar sa më shumë nga përvoja e vendeve të tjera dhe për ta vënë atë në shërbim

te zhvillimit shqiptar. Është interesante edhe kërkesa e tij këmbëngulëse që meshtarët e rinj të

përgatiteshin në shtete te ndryshme te Evropës, me qëllim që të mund të sillej edhe nëpërmjet të

kësaj rruge, kulturë e sa më shume vendeve te zhvilluara.

Fishta është i orientuar nga kultura oksidental dihen konsideratat e tij për Gëten,

Shekspirin, Danten e shumë të tjerë. Por ai nuk ka nënvlerësuar as vlerat shkencore e artistike të

popujve te lindjes. Për të realizuar mbrojtjen e gjuhës e të shkollës shqipe, si mjete që synojnë jo

vetëm ruajtjen e identitetit shqiptar, por edhe për të vënë atdheun në rrugën e përparimit, ai kërkon

që të mobilizohen të gjitha forcat intelektuale. Ai ka vlerësuar shumë punën e shkrimtarëve të

shquar që “mrrijten me bâ të njihet gjuha shqipe si gjuhë msimi gadi në të gjitha shkollat dhe

gjuhen zyrtare në të gjitha zyrat e shtetit, si dhe l’shuen rrânjen e parë të ndërgjegjes kombtare“.

Goditjet e satirave të Fishtës edhe pse lëndojnë thellë, janë po ashtu ato që bëhen shkaku

i hapjes së syve të njeriut shqiptar, ato fjalët thumbuese që e godasin si thikë janë mjeti më i duhur

për ta forcuar ndërgjegjen e tij, për t’i treguar që duhet qëndruar bashkë si popull, që duhet kritikuar

vesin e shëmtuar të njëri-tjetrit kur është nevoja, por jo të përqahemi e të bëhemi ashtu siç do

armiku.

23

LITERATURA

Gjergj Fishta, Satirika (Anzat e Parnasit, Gomari i Babatasit, Nikolejda), “Faik Konica”,

Prishtinë, 2000.

Vehbi Bala, Gjergj Fishta, Jeta dhe vepra, “Ombra GVG”, Tiranë 1998.

Sabri Hamiti, Letërsi moderne shqipe, “Albas”, Prishtinë 2005.

Shefkije Islamaj, Gjergj Fishta, Gjuha dhe stili, “IAP” Prishtinë 2012.

Anton Nikë Berisha, Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe, “Rilindja”, Prishtinë, 1998.

https://www.academia.edu/10805283/Satira_e_Gjergj_Fishtes

https://www.forumishqiptar.com/threads/71629-Sociologji-e-satires-se-Fishtes

https://www.pressreader.com/albania/gazeta-shqiptare/20141102/281913066387441

http://shqiptariiitalise.com/histori/histori/histori/gjergj-fishta-homeri-i-koheve-moderne.html

https://zerikosoves.com/gjergj-fishta-jeta-dhe-veprimtaria-e-tij/

https://sq.wikibooks.org/wiki/Letersia_e_Gergj_Fishtes/1