22
TEMA 2 MARRËDHËNIET JURIDIKE, ELEMENTËT DHE KLASIFIKIMI I TYRE. MBROJTJA E TË DREJTAVE SUBJEKTIVE. 1. Kuptimi i marrëdhënieve juridike. Njerëzit për të plotësuar nevojat e tyre materiale dhe shpirtërore hyjnë në relacione të caktuara me njëri-tjetrin, në marrëdhënie të caktuara, të cilat kanë karakter shoqëror dhe që kanë një përmbajtje me karakter pasuror ose jopasuror (personal). Veçori e tyre është se këto relacione apo marrëdhënie janë marrëdhënie fakti. Marrëdhëniet ndërmjet njerëzve kur rregullohen me norma juridike marrin një karakter të posaçëm, atë të marrëdhënieve juridike. Prandaj, marrëdhëniet juridike janë marrëdhënie shoqërore që rregullohen nga normat e së drejtës. Normat juridike rregullojnë marrëdhëniet reciproke të njerëzve, të drejtat dhe detyrimet e tyre reciproke dhe në këtë mënyrë u japin marrëdhënieve ndërmjet njerëzve karakterin e marrëdhënieve juridike. Marrëdhëniet ndërmjet personave, në të cilat këta marrin pjesë si mbartës të drejtash dhe detyrimesh, të caktuara dhe të garantuara prej normës juridike, quhen marrëdhënie juridike. Nëse do të flasim për marrëdhënie juridike civile do të kemi parasysh të gjithë ato marrëdhënie shoqërore që rregullohen nga normat e të drejtës civile, norma të cilat përcaktojnë kufijtë e sjellsjes së pjesëmarrësve në këto marrëdhënie, të drejtat dhe detyrimet e tyre. Marrëdhënia juridike civile është marrëdhënie pasurore ose personale jopasurore që vendoset ndërmjet personave dhe që rregullohet nga normat e të drejtës civile. Duke rregulluar marrëdhëniet shoqërore, normat juridike në përgjithësi dhe ato juridike civile në veçanti, nuk krijojnë marrëdhënie, por janë kusht i domosdoshëm për lindjen e çdo marrëdhënie juridike. Normat e të drejtës civile parashikojnë rrethanat që sjellin lindjen e marrëdhënieve juridike civile si dhe përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e pjesëmarrësve në këto marrëdhënie. Ndryshe nga çfarë ndodh në të drejtën publike, në të drejtën civile, marrëdhëniet juridike civile nuk i krijon ligji por ato krijohen vetëm kur vërtetohen rrethanat e parashikuara nga ligji, por që janë të pavarura prej tij dhe që quhen fakte juridike. Psh Kodi Civil rregullon kontratën e shitjes, Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 1

Tema 2 e drejta e biznesit

Embed Size (px)

Citation preview

Page 1: Tema 2 e drejta e biznesit

TEMA 2

MARRËDHËNIET JURIDIKE, ELEMENTËT DHE KLASIFIKIMI I TYRE. MBROJTJA E TË DREJTAVE SUBJEKTIVE.

1. Kuptimi i marrëdhënieve juridike.

Njerëzit për të plotësuar nevojat e tyre materiale dhe shpirtërore hyjnë në relacione të caktuara me njëri-tjetrin, në marrëdhënie të caktuara, të cilat kanë karakter shoqëror dhe që kanë një përmbajtje me karakter pasuror ose jopasuror (personal). Veçori e tyre është se këto relacione apo marrëdhënie janë marrëdhënie fakti. Marrëdhëniet ndërmjet njerëzve kur rregullohen me norma juridike marrin një karakter të posaçëm, atë të marrëdhënieve juridike. Prandaj, marrëdhëniet juridike janë marrëdhënie shoqërore që rregullohen nga normat e së drejtës. Normat juridike rregullojnë marrëdhëniet reciproke të njerëzve, të drejtat dhe detyrimet e tyre reciproke dhe në këtë mënyrë u japin marrëdhënieve ndërmjet njerëzve karakterin e marrëdhënieve juridike. Marrëdhëniet ndërmjet personave, në të cilat këta marrin pjesë si mbartës të drejtash dhe detyrimesh, të caktuara dhe të garantuara prej normës juridike, quhen marrëdhënie juridike. Nëse do të flasim për marrëdhënie juridike civile do të kemi parasysh të gjithë ato marrëdhënie shoqërore që rregullohen nga normat e të drejtës civile, norma të cilat përcaktojnë kufijtë e sjellsjes së pjesëmarrësve në këto marrëdhënie, të drejtat dhe detyrimet e tyre. Marrëdhënia juridike civile është marrëdhënie pasurore ose personale jopasurore që vendoset ndërmjet personave dhe që rregullohet nga normat e të drejtës civile. Duke rregulluar marrëdhëniet shoqërore, normat juridike në përgjithësi dhe ato juridike civile në veçanti, nuk krijojnë marrëdhënie, por janë kusht i domosdoshëm për lindjen e çdo marrëdhënie juridike. Normat e të drejtës civile parashikojnë rrethanat që sjellin lindjen e marrëdhënieve juridike civile si dhe përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e pjesëmarrësve në këto marrëdhënie. Ndryshe nga çfarë ndodh në të drejtën publike, në të drejtën civile, marrëdhëniet juridike civile nuk i krijon ligji por ato krijohen vetëm kur vërtetohen rrethanat e parashikuara nga ligji, por që janë të pavarura prej tij dhe që quhen fakte juridike. Psh Kodi Civil rregullon kontratën e shitjes, por marrëdhënia juridike e shitjes krijohet kur dy apo më shumë persona bien dakord për të lidhur kontratën e shitjes. Ose, ligji duke rregulluar të drejtën e autorit parashikon mundësinë e lindjes së marrëdhënies juridike të autorësisë, por që të lindë kjo marrëdhënie duhet të vërtetohet realizimi i krijimit apo veprës. Pra, ligji, norma juridike duke mos krijuar marrëdhënie juridike parashikon se në ç`kushte marrëdhëniet juridike mund të krijohen, ndryshojnë apo shuhen.

Marrëdhëniet juridike janë marrëdhënie të vendosura ndërmjet personave. Personat si element përbërës i marrëdhënies juridike quhen subjekte të marrëdhënies. Subjektet, duke marrë pjesë në marrëdhënien juridike, fitojnë të drejta subjektive dhe marrin përsipër detyrime juridike. Tërësia e të drejtave subjective dhe detyrimeve juridike përkatëse që palët kanë në një marrëdhënie juridike përbën elementin tjetër esencial të marrëdhënies përmbajtjen. Të drejtat subjective dhe detyrimet juridike përkatëse të pjesëmarrëve në marrëdhënie drejtohen mbi një objekt të caktuar, i cili përbën dhe elementin e trëtë thelbësor të marrëdhënies juridike.

2. Subjektet e marrëdhënies juridike.

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 1

Page 2: Tema 2 e drejta e biznesit

Subjektet, si element përbërës të marrëdhënies juridike janë personat që marrin pjesë në marrëdhënie me cilësinë e mbajtësit të të drejtave subjective dhe detyrimeve juridike përkatëse. Kodi Civil njeh dy kategori personash, personat fizik dhe ato juridik. Koncepti i personit fizik është i thjeshtë, sepse ai i përket një individi të caktuar, një njeri konkret, mbajtës i një kapaciteti të pakufizuar juridik. Ndërsa personi juridik është çdo subjekt i të drejtës i ndryshëm nga personi fizik, çdo entitet i aftë të shfaqë dhe shprehë vullnet, por i ndryshëm nga një individi konkret. Personat në marrëdhënie të ndryshme juridike mund të marrin emërtime të ndryshme. Në marrëdhëniet juridike të detyrimit personat apo subjektet quhet kreditor dhe debitor. Kreditor quhet mbajësi i të drejtës apo drejtave subjective, pra personi të cilit i përket e drejta, ndërsa debitor quhet mbajtësi i detyrimit apo detyrimeve juridike përkatëse që u korrespondojnë të drejtave subjective të kreditorit në marrëdhënien juridike konkrete. Në disa marrëdhënie juridike mbajtëse e të drejtave subjektive është vetëm njëra palë e marrëdhënies, ndërsa pala tjetër është mbajtëse vetëm e detyrimeve juridike përkatëse. Në këtë rast njëra palë e marrëdhënies është kreditor dhe pala tjetër është debitor. Në shumicën e marrëdhënieve juridike civile secila nga palët është mbajtëse të drejtash subjektive dhe detyrimesh juridike përkatëse. Në këtë rast themi se palët në marrëdhënie janë reciprokisht kreditorë dhe debitorë të njëri-tjetrit, psh në marrëdhënien juridike të shitjes.

Marrëdhënia juridike civile ka gjithmonë dy palë, të cilat mund të jenë njëra kreditore dhe tjetra debitore ose reciprokisht kreditore dhe debitore ndaj njëra-tjetrës. Secilës prej palëve pjesëmarrëse në marrëdhënien juridike mund t`i përgjigjen (korrespondojnë) një apo disa persona. Pra marrëdhënia juridike mund të ketë një person kreditor dhe një person debitor, por mund të kemi edhe disa (dy apo më shumë) persona kreditorë dhe disa (dy apo më shumë) debitorë. Në rastin e dytë flasim për marrëdhënie juridike me shumë subjekte. Në marrëdhëniet me shumë subjekte, personat mund të jenë të përcaktuar siç është rasti i marrëdhënies juridike të detyrimit, në të cilën dihet saktësisht se kusht është pala apo palët kreditore dhe ajo debitore. Mund të ndodhë që në marrëdhënie të caktuara juridike palët të jenë të papërcaktuara, siç është rasti i marrëdhënies juridike të pronësisë, ku të gjithë personat e tjerë të ndryshëm nga pronari i sendit janë të detyruat të respektojnë dhe të mos cënojnë të drejtat subjektive të pronarit. Marrëdhëniet juridike vendosen ndërmjet personave dhe është normale që personat të jenë të njëjtët gjatë gjithë marrëdhënies juridike. Mund të ndodhë që gjatë ekzistencës së marrëdhënies subjektet të ndryshojnë apo zëvendësohen. Në rastin e ndryshimit apo zëvendësimit të subjekteve të marrëdhënies juridike civile bëhet fjalë për suksedim. Suksedimi ndahet në suksedim të përgjithshëm apo universal dhe suksedim të veçantë. Në suksedimin universal zëvendësimi i personit bëhet në të gjitha marrëdhëniet juridike në të cilat ai ka qënë palë, përveç atyre marrëdhënieve ku realizimi i të drejtave apo përmbushja e detyrimit përkatës është e lidhur me cilësitë personale të subjektit. Rasti tipik i suksedimit universal është rasti i trashëgimisë, sipas të cilës trashëgimtarët zëvendësojnë trashëgimlënësin në të gjitha marrëdhëniet e tij me karakter pasuror duke u bërë titullarë të të gjitha drejtave që trashëgimlënësi ka patur në këto marrëdhënie dhe duke marrë përsipër të gjitha detyrimet që ai ka patur në këto marrëdhënie. Rasti tipik i suksedimit të veçantë është cedimi i kredisë, neni 496 dhe vijues i Kodit Civil.

3. Përmbajtja e marrëdhënies juridike

Përmbajtja e marrëdhënies juridike civile përbëhet nga tërësia e të drejtave dhe detyrimeve të subjekteve që marrin pjesë në marrëdhëniet juridike. Të drejtat dhe detyrimet e subjekteve janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe janë gjithmonë në varësi të njëra-tjetrës, sepse të drejtës së njërës palë i korrespondon

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 2

Page 3: Tema 2 e drejta e biznesit

detyrimi i palës tjetër dhe anasjelltas. Kështu në kontratën e furnizimit, detyrimi i furnizuesit përcaktohet nga e drejta e blerësit për të kërkuar të furnizohen produktet, por të drejtës për të kërkuar furnizime i përgjigjet detyrimi për të pranuar produktet e furnizuara apo në rastin e marrëdhënies juridike të pronësisë, të drejtës së pronarit i përgjigjet detyrimi i çdo personi për të mos e cënuar këtë të drejtë. Përmbajtja e marrëdhënies juridike përbëhet nga një ose disa të drejta dhe nga një apo disa detyrime. Kështu në rastin e detyrimeve që lindin nga shkaktimi i dëmit, kemi një të drejtë dhe një detyrim: të drejtën e pronarit për të kërkuar shpërblimin e dëmit dhe detyrimin e shkaktuesit të dëmit të shpërblejë dëmin e caktuar. Në shumicën e marrëdhënieve juridike civile, sidomos në marrëdhëniet kontraktuale, përmbajtja e marrëdhënieve juridike përbëhet nga shumë të drejta dhe detyrime, kështu në kontratën e shitjes kemi të drejtën e blerësit që të kërkojë dorëzimin e sendit të blerë, të drejtën të kërkojë ndreqjen e të metave të sendit etj dhe detyrimin e shitësit të dorëzojë sendin e shitur, sipas cilësisë së caktuar në kontratë, të përgjigjet për të metat e sendit etj, por çdo të drejte i përgjigjet detyrimi për të paguar çmimin e sendit të blerë, për të marrë sendin etj. Përmbajtja e marrëdhënies juridike civile, të drejtat dhe detyrimet, synojnë arritjen e qëllimeve të caktuara, të kënaqin interesat e ligjshme të pjesëmarrësve në marrëdhënien juridike. Përmbajtja është elementi kryesor i marrëdhënies juridike mbasi nuk mund të ketë marrëdhënie judike pa të drejta dhe detyrime. Janë pikërisht këto të fundit që e dallojnë marrëdhënien juridike nga marrëdhëniet e tjera shoqërore. Të drejtat dhe detyrimet e pjesëmarrësve të marrëdhënies juridike që përbëjnë përmbajtjen e saj në literaturën juridike quhen të drejta dhe detyrime subjektive. Termi të drejta subjektive përdoret me qëllim që të dallohen të drejtat e pjesëmarrësve të marrëdhënies juridike dhe tërësia e normave juridike, nga ligji dhe që kjo quhet e drejtë. Pra me të drejtë subjektive kuptohen të drejtat që i përkasin një personi të caktuar, ndërsa tërësia e normave juridike që caktojnë rregullat e sjelljes së pjesëmarrësve të marrëdhënies juridike quhet e drejtë objektive. E drejta objektive është premisë, kusht për ekzistencën e të drejtës subjektive. Nuk mund të ketë të drejta subjektive pa patur të drejtë objektive. E drejta objektive parashikon kushtet e lindjes dhe të realizimit të së drejtës subjektive. E drejta subjektive përbëhet nga dy mundësi: 1) mundësia që subjekti të kryejë veprime të caktuara dhe të lejuara nga norma juridike civile dhe 2) mundësia për të kërkuar nga subjekti i detyruar që të kryejë apo mos kryejë veprime të caktuara në dobi të tij, dmth në dobi të mbajtësit të së drejtës. Për të kuptuar më mirë le të ilustrojmë me shembuj:

1- Pronari sipas ligjit mund të ketë të drejtë të gëzojë dhe disponojë lirisht sendet që ka në pronësi të tij, nga ana tjetër ai mund të kërkojë nga personat e tjerë që cënojnë tagrat e tij të pronësisë t`i kthejnë sendin e hequr nga nëdorësia, pra të kryejnë një veprim të caktuar ose kur nuk është zhveshur nga nëdorësia por pengohet në ushtrimin e lirë të tagrave të tij, të kërkojë pushimin e cënimit, që të mos kryhen veprime që e pengojnë në ushtrimin e të drejtave të tij.

2- Nga fusha e detyrimeve, kreditori, huadhënësi mund të japë hua, kredi të japë një send të caktuar në huapërdorje, autori mund të lejojë botimin e veprës. Këto mundësi të lejuara dhe të garantuara nga ligji nëse do të ushtrohen apo jo varen vetëm nga vullneti i mbajtësit të së drejtës, dmth ai nëse do e jep sendin në huapërdorje, e lejon ribotimin e veprës, kërkon kthimin e sendit, nuk lejon ribotimin. Mundësia e dytë realizohet kur ai efektivisht e ushtron të drejtën e tij dhe kërkon nga subjekti tjetër, nga mbajtjësi i detyrimit që ai të kryejë ose jo në dobi të tij një veprim të caktuar, dmth kthimin e huasë apo kredisë.

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 3

Page 4: Tema 2 e drejta e biznesit

Të dyja këto mundësi, dmth mundësia për të kryer veprime të caktuara dhe mundësia për të kërkuar nga subjekti i detyrimit që të kryejë apo mos kryejë veprime të caktuara, që mbajtësit të së drejtës ia njeh ligji i garantohen dhe mbrohen nga shteti. Po të ndodhë që tagrat e mbajtësit të së drejtës të cënohen nga mbajtësi i detyrimit, mbajtësi i të drejtës mund t`i drejothet gjykatës dhe të kërkojë përdorimin e forcës shtërnguese të shtetit duke kërkuar nga organet shtetërore ndërhyrjen e tyre për të vënë në vend të drejtën e tij, të detyrojë subjektin e detyrimit që të kryejë ose jo veprime të caktuara. Këto mundësi të mbajtësit të së drejtës quhen të drejta subjektive. Pra e drejta subjektive është mundësia juridike e mbajtësit të së drejtës subjektive për të kryer vetë veprime të caktuara, si dhe mundësia për të kërkuar nga personi i detyruar kryerjen apo moskryerjen e veprimeve të caktuara, mundësi kjo e garantuar me mundësinë për të kërkuar në rast nevoje, mbrojtje shoqërore, me qëllim që mbajtësi i të drejtës subjektive të kënaqë interesat e tij të ligjshme. E drejta subjektive nuk mund të kuptohet pa detyrimin e një apo disa personave, pasi sa herë bëhet fjalë për të drejtë nënkuptohet edhe detyrimi. Detyrimi juridik civil është ajo masë e sjelljes që duhet të mbahet nga personi i detyruar që është parashikuar nga vetë norma juridike civile. Duke përmbushur kërkesat e normës juridike subjekti i detyrimit jo vetëm që realizon detyrimin e tij që buron nga marrëdhënia juridike civile, por plotëson edhe kërkesat e mbajtësit të së drejtës juridike civile.

4. Objekti i marrëdhënies juridike

Të drejtat dhe detyrimet e subjekteve (palëve) në marrëdhëniet juridike civile drejtohen mbi një objekt të caktuar, pa të cilin vetë marrëdhënia juridike nuk mund të kishte kuptim, nuk do të mund të krijohej dhe të ekzistonte. Objekt i marrëdhënies juridike civile do të konsiderohet çdo gjë mbi të cilën drejtohen të drejtat subjektive dhe detyrimet juridike korresponduese që personat si subjekte të së drejtës kanë në këtë marrëdhënie. Objekti i marrëdhënies juridike i referohet kënaqjes së interesit të titullarit të së drejtës. Objekt mund të përkufizohet si çdo gjë për shkak të së cilës subjektet hyjnë në marrëdhënie juridike me njëri-tjetrin dhe mbi të cilën drejtohen të drejtat subjektive dhe detyrimet juridike përkatëse të palëve në marrëdhënie. Në Kodin Civil gjen pasqyrim teoria e pluralitetit të objekteve të marrëdhënieve juridike civile. Kështu objekt i marrëdhënieve juridike civile mund të jenë:

Sendet. Sendet janë objekt i shumicës së marrëdhënieve juridike civile, të marrëdhënieve juridike pasurore si pronësia, detyrimet etj.

Veprimet, punët ose shërbimet. Si shembull përmendim kontratën e transportit ku objekt është shërbimi i transportit, kontratën e sipërmarrjes ku objekt është veprimtaria ndërtuese etj.

Produktet e veprimtarisë intelektuale, ku hyjnë e drejta e autorit, pronësia intelektuale etj. Të mirat vetjake jopasurore, ku hyjnë e drejta e emrit, e firmës etj.

Marrëdhëniet juridike mund të kenë vetëm një objekt konkret por ato mund të kenë edhe disa objekte. Psh në kontratësn e shitjes objekt i marrëdhënies juridike të shitjes është sendi që shitet, por edhe paratë që paguhen si çmim i sendit, në kontratën e transportit objekt i marrëdhënies juridike nuk është vetëm shërbimi apo veprimtaria e transportit por edhe çmimi që paguhet për realizimin e tij.

5. Faktet juridike

Me fakte juridike teoria e të drejtës kupton ato rrethana me të cilat ligji lidh lindjen, ndryshimin apo shuarjen e të drejtave subjektive dhe të detyrimeve juridike përkatëse, e bashkë me to dhe të marrëdhënieve

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 4

Page 5: Tema 2 e drejta e biznesit

juridike përmbajtjen e të cilave ato krijojnë. Në fakt, në ligj asgjëkundi nuk përmendet termi “fakt juridik” dhe koncepti përkatës është krijesë e teorisë. Kodi Civil në nenin 79 jep një përcaktim ku në një farë mënyre jepet koncepti i mësipërm, por me një përmbajtje më të ngushtë për shkak të shtimit të elementëve të tjerë si: shfaqja e vullnetit apo synimi për realizimin e pasojave juridike të caktuara, elementë të cilat janë tipike vetëm për veprimet juridike. Faktet juridike ndahen në fakte natyrore apo ngjarje dhe në fakte njerëzore. Ngjarjet apo faktet natyrore nuk varen nga veprimtaria e ndërgjegjshme e njeriut, ndonëse kanë të bëjnë me vetë njeriun, të tilla si: lindja, vdekja, sëmundja mendore, rënia e zjarrit, kalimi i një afati kohor të caktuar etj. Faktet njerëzore, të quajtura përgjithësisht veprime të njerëzve janë ato që realizohen nga vetë subjektet e të drejtës në sajë të një veprimtarie volitive dhe të ndërgjegjshme. Në themel të pasojave juridike të veprimeve të njerëzve, ndryshe nga kategoria e fakteve natyrore, gjejmë kriterin e përgjegjësisë: “njeriu i lirë mban përgjegjësi për veprimet e kryera prej tij dhe për pasojat që vijnë prej tyre”. Psh. lindja si fakt natyror, sjell si pasojë lindjen e marrëdhënies juridike të përfaqësimit të fëmijës së mitur prej prindit, ndërkohë që sëmundja mendore sjell si pasojë heqjen nga gjykata të zotësisë për të vepruar dhe rrjedhimisht çon në lindjen e marrëdhënies së kujdestarisë; kalimi i afatit të parashkrimit passjell shuarjen e të drejtës së padisë, ndërkohë që kalimi i afatit prekluziv çon në shuarjen e të drejtës subjektive për subjektin që nuk e ka ushtruar këtë të drejtë brenda afatit të caktuar. Nga ana tjetër, lëshimi i prokurës, si veprim i njeriut, sjell në vendosjen e marrëdhënies juridike të përfaqësimit midis përfaqësuesit dhe të përfaqësuarit, marrëdhënie kjo që e ka bazën tek vullneti i të përfaqësuarit, kontrata e dhurimit çon në lindjen e marrëdhënies juridike të dhurimit ndërmjet dhuruesit dhe pranuesit të dhurimit etj.

Veprimet e njerëzve ndahen në veprime të ligjshme dhe në veprime të paligjshme. Veprime të ligjshme janë ato që e kanë bazën e tyre tek e drejta, ligji, ndërsa veprimet e paligjshme konsistojnë në një thyerje të një detyrimi që vendoset nga e drejta. Ndër veprimet e ndaluara në të drejtën civile përmendim shkaktimin e dëmit. Dallimi kryesor ndërmjet këtyre dy lloj veprimesh qëndron tek pasojat juridike që vijnë nga kryerja e këtyre veprimeve. Në rastin e veprimeve të ligjshme palët apo subjektet ndërvepruese i dëshirojnë dhe i kanë parashikuar pasojat juridike, si psh në kontratën e shitjes, shitësi dëshiron të marrë çmimin, ndërsa blerësi dëshiron të fitojë të drejtën e pronësisë mbi sendin, gjë e cila është dëshiruar nga palët duke u deklaruar lirisht prej tyre në kohën e lidhjes së kontratës, dhe njëkohësisht zbatimi i detyrimeve kontraktore është i garantuar nga ligji. E kundërta ndodh në veprimet e paligjshme, sepse palët nuk dëshirojnë pasojat juridike, por ato vijnë si sanksion i parashikuar nga ligji ndaj veprimit të paligjshëm të kryer.

Një ndarje e dytë e veprimeve të njerëzve është ndarja në veprime pozitive dhe veprime negative apo mosveprime. Të parat janë veprime konkrete, të dukshme dhe të perceptueshme si: dorëzimi nga qiramarrësi i sendit të marrë me qira në përfundim të afatit të caktuar, lëshimi i prokurës, pranimi nga shitësi i çmimit të sendit etj. Të dytat, në të kundërt, konsistojnë në mosveprime, si psh mosshpërblimi i dëmit të shkaktuar, mospagimi i detyrimit në të holla në afatin e caktuar etj.

6. Klasifikimi i të drejtave subjektive. Llojet e marrëdhënieve juridike.

Marrëdhëniet juridike që krijohen në qarkullimin civil janë nga më të shumëllojshmet. Po ashtu edhe të drejtat subjektive që korrespondojnë me përmbajtjen e tyre. Vetë diversiteti i marrëdhënieve juridike në qarkullimin civil, dhe i të drejtave subjektive që i lindin subjekteve pjesëmarrës në këto marrëdhënie imponon nevojën e klasifikimit të tyre. Ndarjet bëhen në varësi të karakterit të të drejtave të pjesëmarrësve

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 5

Page 6: Tema 2 e drejta e biznesit

në marrëdhënie dhe të objektit të marrëdhënies. Klasifikimi kryesor i marrëdhënieve juridike civile (dhe i të drejtave subjektive, brenda këtyre marrëdhënieve) është ai që i ndan ato në:

- Të drejta pasurore dhe vetjake jopasurore;- Të drejta absolute dhe relative;- Të drejta reale dhe detyrimi.

Të drejta pasurore (patrimoniale) dhe të drejta personale jopasurore (jopatrimoniale). Klasfikimi i parë dhe më i gjërë që u bëhet të drejtave subjektive dhe përkatësisht marrëdhënieve juridike në të cilat ato bëjnë pjesë është klasifikimi në të drejta pasurore ose patrimoniale dhe të drejta jopasurore ose jopatrimoniale (ose vetiake jopasurore). Të drejtat pasurore janë ato të drejta të cilat janë të vlerësueshme ekonomikisht. Vlera e këtyre të drejtave shprehet në para. Koncepti i të drejtave pasurore është i lidhur ngushtë me konceptin e pasurisë, pasi tradicionalisht ndarja e të drejtave në të drejta patrimoniale dhe jopatrimoniale është bërë në varësi të faktit nëse këto të drejta bëjnë pjesë ose jo në pasurinë e personit. Të drejta pasurore janë: e drejta e pronësisë, e drejta e trashëgimisë, e drejta e detyrimit, e drejta e autorit etj . Të drejtave pasurore u kundërvihen të drejtat personale jopasurore, të cilat nuk përfshihen në konceptin e pasurisë, megjithëse kanë një ndikim të rëndësishëm në pasurinë e personit. Të drejtat personale jopasurore janë: të drejtat e pronësisë intelektuale, të drejtat e personalitetit, të drejtat familiare, të drejtat qytetare, të drejtat profesionale etj. Të drejtat e personalitetit nuk duhen ngatërruar dhe identifikuar me të drejtat personale. Ato janë pjesë e të drejtave personale dhe janë të lidhura ngushtësisht me personin që është titullar i së drejtës dhe për këtë arsye janë të patransferueshme, patjetërsueshme, të pasekuestrueshme dhe jashtë qarkullimit civil. Të drejtat e personalitetit janë të drejta themelore natyrore për mbrojtjen e dinjitetit njerëzore, për këtë qëllim ata gjejnë një mbrojtje të veçantë në legjislacionin e brendshëm dhe gjithashtu në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Brenda të drejtave të personalitetit përfshihen e drejta e integritetit fizik, e drejta e integritetit moral, e drejta e jetës, të drejtën e emrit, të drejtën për punë etj. E drejta e integritetit fizik nënkupton që një individ ka të drejtën të mos cënohet në trupin e tij, shëndetin ose jetën e tij, të paktën kur shëndeti publik nuk rrezikohet. Por në raste të caktuara (që përbëjnë përjshtim nga rregulli i përgjithshëm) kur urdhërohet dhe autorizohet nga ligji individi është i detyruar psh të bëjë vaksinat, në rast aksidenti mund të urdhërohet marrja e gjakut, analiza krahasuese e gjaqeve mund të urdhërohet nga gjykata në rastet e gjykimit të padive për njohje apo kundërshtim atësie etj. E drejta e integritetit moral nënkupton të drejtën e individit për t`u respektuar nderi dhe dinjiteti i tij. Këtu përfshihet e drejta për të ndaluar publikimin e imazhit (rasti i publikimit të fotove nudo të një aktori, politikani etj kur ai është me anije në det të hapur), e drejta për t`u ruajtur sekreti, sidomos nga personat që janë të autorizuar ta ruajnë atë për shkak të profesionit etj.

Marrëdhëniet juridike (të drejta) absolute dhe relative. Kjo ndarje bëhet nga doktrina dhe sipas saj marrëdhënie absolute quhen ato marrëdhënie juridike civile në të cilat mbajtësi i të drejtës subjektive si të detyruar nuk ka një person të caktuar, por një numër të pacaktuar personash. Në këto marrëdhënie si karakteristikë është se detyrimi i personave të tretë nuk lidhet me kryerjen e ndonjë veprimi, por me shmangien nga kryerja e veprimeve që do të cënonin tagrat e mbrojtësit të së drejtës subjektive. Në këtë grup përfshiehn marrëdhëniet juridike që burojnë nga e drejta e pronësisë, nga e drejta e trashëgimisë, nga e drejta e autorit, nga të drejtat vetiake jopasurore etj. Marrëdhëniet relative karakterizohen nga fakti se mbajtësit të së drejtës subjektive civile i kundërvihet një ose disa persona të caktuar. Të drejtën (e mbajtësit

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 6

Page 7: Tema 2 e drejta e biznesit

të së drejtës subjektive) mund ta cënojë vetëm personi i caktuar që është pjesëmarrës, palë në marrëdhënien juridike civile dhe jo persona të tjerë dhe vetëm a tij mund t`i kundejtohet kryeja apo moskryerja e veprimeve të caktuara që përbëjnë përmbajtjen e marrëdhënieve juridike. Të tilla janë marrëdhëniet kontraktuale apo detyrimet që burojnë nga shkaktimi i dëmit. Kjo ndarje ka rëndësi sepse përcakton kur lind e drejta e padisë, kur fillon të ecë afati i parashkrimit të padisë dhe kundër kujt mund të ngrihet padia. Në marrëdhëniet juridike civile absolute e drejta e padisë lind në çastin e cënimit të së drejtës, nga ky çast fillon të ecë afati i parashkrimit dhe padia ngrihet kundër cilitdo që cënon të drejtën subjektive. Ndërsa në marrëdhëniet juridike civile relative e drejta e padisë lind në çastin që mbajtësi i detyrimit duhet të kryente veprimin ose kryen veprimin që nuk duhet ta kryente. Nga ky çast fillon të ecë edhe afati i parashkrimit dhe padia mund të ngrihet vetëm ndaj personit apo personave të caktuar që duhet të kryenin apo shmangnin kryerjen e veprimit.

Marrëdhënie juridike (të drejta) reale dhe detyrimi. E drejta reale është e drejtë që ushtrohet drejtëpërdrejt mbi sendin nga titullari i të drejtës subjektive. Prandaj, marrëdhënia juridike reale është një raport i drejtpërdrejtë juridik ndërmjet subjektit aktiv të marrëdhënies apo titullarit të së drejtës subjektive dhe objektit të marrëdhënies, në rastin konkret sendit mbi të cilin ekziston e drejta. Marrëdhëënie reale janë ato marrëdhënie në të cilat mbajtësi i të drejtës subjektive mund t`i ushtrojë të drejtat e tij pa patur nevojë të kryhen veprime nga një person i tretë. Të tilla janë marrëdhëniet e pronësisë, e drejta e administrimit të pasurisë shtetërore nga ndërmarrjet, institucionet ose organizatat shtetërore, e drejta e përdorimit shoqëror dhe vetiak të tokës, të drejtat e servituteve, e drejta e nëdorësisë (neni 132 i Kodit Civil) etj. Kështu psh. pronari e përdor sendin pa patur nevojë për ndihmën e personave të tjerë, apo në rastin e administrimit dhe përdorimit të tokës dy tagrat e pronësisë mund të përdoren lirisht pa patur nevojën e ndihmës së personave të tjerë. Ka dy kategori të drejtash reale: të drejta reale kryesore dhe të drejta reale aksesore, apo siç quhen ndryshe të drejta reale garancie. Të drejtat reale kryesore bëjnë të mundur përdorimin direkt të sendit nga titullari i së drejtës. Këto të drejta ndahen në të drejta reale madhore, e cila është në fakt vetëm një e drejta e pronësisë dhe të drejta reale minore ose të drejta reale mbi sendet e të tjerëve. Ndarja bëhet vetëm mbi bazën e gjerësisë apo plotësisë së tagrave që ka titullari. E drejta e pronësisë si një e drejtë reale madhore i jep titullarit të saj më shumë tagra apo pushtete, të cilat janë: posedimi (nëdorësia), gëzimi dhe disponimi. Posedimi është e drejta për ta përdorur sendin, gëzimi është e drejta për të përfituar frutet ose të ardhurat e sendit dhe disponimi është e drejta për të disponuar sipas dëshirës duke e dhënë, shitur, duke mos e përdorur apo duke e shkatërruar sendin.

Të drejtat reale minore përmbajnë vetëm një apo më shumë prej këtyre atributeve dhe ato janë në mënyrë kufizuese të numëruara nga ligji. Uzufrukti i jep titullarit të tij posedimin dhe gëzimin, ndërsa disponimi i mbetet pronarit. Përdorimi i jep titullarit të tij të drejtën për të përdorur sendin dhe për të përfituar frutet e tij, por vetëm brenda kufirit të nevojave të tij dhe jo për të nxjerrë përfitime. Banimi i jep titullarit të drejtën e përdorimit të një banese familjare, ndërsa servituti i lejon titullarit të një prone të drejta të caktuara mbi një pronë fqinje: servituti i kalimit, kullotjes, i ujitjes etj. Prona që përfiton quhet pronë dominuese, ndërsa prona që rëndohet quhet pronë shërbyese.

Të drejta reale aksesore apo të garancisë. Këto të drejta nuk kanë një ekzistencë të veten të pavarur dhe përfitohen si aksesorë të një të drejte personale (detyrimi). Këto të drejta janë garanci që i jepen kreditorit mbi një të mirë (send) të debitorit ose të një të treti, prandaj dhe quhen gjithashtu garanci reale, në dallim

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 7

Page 8: Tema 2 e drejta e biznesit

nga garancitë personale, që janë garanci që jepen nga një person që angazhohet si debitor subsidiar psh dorëzania.

Të drejtat e detyrimit apo të drejtat personale janë të drejta mbi një apo më shumë persona ku subjekti aktiv, i quajtur kreditor ka të drejtë të kërkojë nga subjekti pasiv, i quajtur debitor që të japë diçka, të kryejë apo të moskryejë një veprim të caktuar. Pra të drejtave reale u korrespondojnë tre kategori detyrimesh: detyrimi për të dhënë diçka, detyrimi për të kryer një veprim të caktuar, detyrimi për të mos kryer një veprim të caktuar. Në dallim nga e drejta reale që ushtrohet drejtëpërdrejtë mbi sendin, e drejta e detyrimit apo personale ushtrohet ndaj personave. Titullari i të drejtës personale është në këtë mënyrë një kreditor i thjeshtë dhe e drejta e tij i kundrejtohet jo një apo disa sendeve konkrete por të gjithë pasurisë së debitorit. Vetëm në rastin kur të drejtës subjektive i shtohet një e drejtë reale garancie (garanci reale), aksesore e kredisë, kreditori fiton një të drejtë reale mbi një send konkret, por edhe këtë mbi bazën e kontratës së hipotekës ose të pengut dhe jo në bazë të kredisë së tij. Ndërsa të drejtat reale kanë karakter tekstual, janë të parashikuara nga ligji në mënyrë kufizuese, të drejtat e detyrimit janë të panumërta, ata karakterizohen nga shumëllojshmëria e tyre dhe lindin mbi bazën e kontratave ose ligjit. Pra detyrimet nuk mund të numërohen, por vetëm të klasifikohen, përgjithësisht në bazë të burimit të tyre.

7. Mbrojtja e të drejtave subjektive.

Me mbrojtje të të drejtave subjektive do të kuptojmë realizimin e tyre në mënyrë të detyrueshme në rastet kur ato cënohen ose rrezikohet të cënohen. Mbrojtja e të drejtave subjektive përfshin: njohjen e së drejtës, rivendosjen e gjendjes që ekzistonte para cënimit të së drejtës; parandalimin e veprimeve që cënojnë të drejtën apo përbëjnë rrezik për cënimin e saj; anulimin e veprimeve juridike relativisht të pavlefshme dhe zbatimin e pasojave të pavlefshmërisë të parashikuara nga ligji si dhe zbatimin e pasojave të pavlefshmërisë së veprimeve absolutisht të pavlefshme (nul); anulimin ose konstatimin si të pavlefshëm të akteve administrative të administratës shtetërore ose lokale që cënojnë të drejtat subjektive të mbrojtura me ligj, vetëmbrojtjen e të drejtave, të drejtën për të kërkuar nga gjykata që me vendim gjyqësor të urdhërojë përmbushjen e detyrimit, kompensimin e dëmeve, zbatimin e detyrueshëm të sanksioneve, kompensimin për dëmin moral, përfundimin apo ndryshimin e marrëdhënies juridike, të drejtën për të kërkuar nga gjykata mosmarrjen parasysh të akteve normative të administratës shtetërore apo lokale që vijnë në kundërshtim me ligjin etj. Mbrojtja e të drejtës subjektive bëhet vetëm në mënyrat e parashikuara nga normat e të drejtës objektive. Duke iu referuar legjislacionit tonë, rezulton se mbrojtja e të drejtave bëhet në tri mënyra: mënyra e përgjithshme apo mënyra e zakonshme e mbrojtjes së të drejtave subjektive e cila njihet si mbrojtja gjyqësore e të drejtave subjektive; mënyra e posaçme, apo e quajtur ndryshe si mënyra administrative e mbrojtjes të së drejtave subjektive, si dhe mënyra e jashtëzakonshme apo vetëmbrojtja e këtyre të drejtave.

Mbrojtja gjyqësore e të drejtave subjektive. Zbatimi nga gjykata i të drejtës objektive apo ligjit për të zgjidhur një konflikt konkret, në funksion të kënaqjes së interesit të personit, të njohur dhe të mbrojtur nga ligji, përbën në thelb atë që quhet mbrojtje gjyqësore të të drejtave subjektive. Si rregull, kush mendon se një e drejtë e tij është shkelur, është cënuar nga të tjerët, duhet t`i drejtohet gjykatës për të rivendosur të drejtën e tij apo për të detyruar të tjerët të përmbushin detyrimet që i korrespondojnë kësaj të drejte. Askush

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 8

Page 9: Tema 2 e drejta e biznesit

nuk mund të veprojë vetë për të rivendosur të drejtën e tij, përveç rasteve tepër përjashtimore, siç është ai i mbrojtjes së nevojshme (neni 19/1 i Kodit Penal) apo nevojës ekstreme (neni 20 i Kodit Penal), kur vetë ligji e lejon një gjë të tillë shprehimisht. Në të kundërt, personi apo personat që veprojnë vetë do të kryenin një veprim të paligjshëm, vetëgjyqësinë të cilit i korrespondon një ndalim i vendosur nga Kodi Penal, neni 227 ku thuhet: “Ushtrimi i një të drejte prej personit që i përket ose që kujton se i përket dhe që nuk njihet nga tjetri pa iu drejtuar organit kompetent shtetëror, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj”. Gjykata ndërhyn për të mbrojtur të drejtat e personave vetëm në qoftëse një ndërhyrje e tillë kërkohet prej tyre. Gjykata nuk mund të veprojë kryesisht (me iniciativën e vet) për mbrojtjen e të drejtave subjektive të shkelura ose të cënuara. Mbrojtja gjyqësore e të drejtave subjektive bëhet vetëm mbi kërkesën e personit apo personave të interesuar. Sipas nenit 2/1 të Kodit të Procedurës Civile vetëm palët mund të vënë në lëvizje gjykatën për fillimin e një procesi gjyqësor, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

Mjeti kryesor për mbrojtjen e të drejtave civile me mënyrën e përgjithshme është padia. Teoria e të drejtës civile e trajton padinë në dy kuptime, në kuptimin material apo substancial dhe atë procedural apo formal. E drejta e padisë në kuptimin material quhet mundësia e e njohur nga ligji e mbajtësit të së drejtës subjektive civile për të realizuar mbrojtjen e drejtës së cënuar duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit. E drejta e padisë në kuptimin material është e lidhur ngushtë me afatet e parashkrimit. Subjekti apo titullari i të drejtës së cënuar mund të realizojë mbrojtjen e së drejtës subjektive të cënuar dhe të kërkojë që mbartësi i detyrimit të përmbushë detyrimin e tij duke iu drejtuar me padi gjykatës ose arbitrazhit brenda afateve të caktuara nga ligji, brenda afateve të parashkrimit. Në rast se ai nuk i drejtohet brenda kohës së caktuar, gjykata apo arbitrazhi nuk do të japin ndihmën e tyre për realizimin ose rivendosjen e të drejtës së shkelur apo cënuar nga mbartësi i detyrimit, mbasi e drejta e padisë është parashkruar. E drejta e padisë në kuptimin material është bazë e parashkrimit të padisë, mbasi kur kjo e drejtë nuk ushtrohet brenda afatit të parashkrimit të caktuar nga ligji sjell shuarjen e së drejtës së padisë në kuptimin material. E drejta e padisë në kuptimin procedurial është mundësia që ligji i ka njohur çdo subjekti për t`iu drejtuar gjykatës dhe për të kërkuar ndihmën e saj për mbrojtjen e të drejtave subjektive të cënuara. E drejta e padisë në kuptimin procedurial ka ndryshime thelbësore nga ajo në kuptimin material, mbasi në këtë kuptim e drejta e padisë nuk i nënshtrohet ndonjë afati parashkrimi. E drejta e padisë në kuptimin procedurial nuk është e lidhur me ndonjë afat, mbasi ajo ka lidhje me të drejtën e çdo personi për t`iu drejtuar gjykatës apo arbitrazhit për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave subjektive. Po të veprohej ndryshe kjo do të kufizonte mundësinë e mbrojtjes të së drejtës subjektive kur janë të gjitha rrethanat për realizimin e saj duke përdorur forcën shtërnguese të shtetit.

Nocioni padi merret edhe në një kuptim tjetër. Padi quhet vetë shkresa ku formulohen kërkesat, pretendimet e mbartësit të së drejtës subjektive, e cila vë në lëvizje gjykatën ose arbitrazhin dhe bën të mundur fillimin e procesit civil. Personi që i drejtohet me padi gjykatës quhet paditës, ndërsa personi kundër të cilit drejtohet padia quhet i paditur. Paditësi është mbartës i të drejtës, ndërsa i padituri është mbartës i detyrimit. Paditësi dhe i padituri quhen së bashku palë të gjykimit civil. Vetë gjykimi civil është tërësia e veprimeve që kryhen nga momenti i paraqitjes së padisë, pra kur personi i drejtohet gjykatës për mbrojtjen e së drejtës së tij subjektive deri në dhënien e vendimit nga gjykata për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet palëve. Vetë konflikti, që ka lidhje me një marrëdhënie të caktuar juridike civile, për zgjidhjen e të cilit është kërkuar ndërhyrja e gjykatës quhet çështje civile dhe përbën objektin e gjykimit civil. Pra, padia është mjeti që vë në lëvizje

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 9

Page 10: Tema 2 e drejta e biznesit

gjykatën për mbrojtjen e të drejtës subjektive. Por që padia të jetë e aftë të verë në lëvizje në gjykatën, ajo duhet të plotësojë dy kushte: legjitimitetin aktiv dhe legjitimitetin pasiv. Legjitimim aktiv do të thotë që paditësi të jetë titullar i të drejtës, pra që padia të jetë ngritur nga mbajtësi i të drejtës subjektive. Legjitimim pasiv do të thotë që i padituri të jetë mbajtës i detyrimit juridik që i korrespondon të drejtës subjektive të paditësit, pra që padia të jetë ngritur kundër personit mbi të cilin rëndon detyrimi juridik përkatës. Mungesa qoftë edhe e njërit prej këtyre kushteve passjell rrëzimin e padisë.

Llojet e padive. Në varësi të natyrës së të drejtave të cënuara, nga mënyra se si është bërë ky cënim, nga natyra e cënimit, nga lloji i mbrojtjes që kërkohet, kushtëzohet edhe karakteri i padisë. Në kuptimin procedurial, në varësi nga natyra e mbrojtjes që synon të realizojë subjekti, paditë ndahen në: padi detyrimi (rivendosje e një të drejte të cënuar), padi njohjeje ose vërtetimit dhe padi krijuese ose konstituive (neni 86 i Kodit të Procedurës Civile). Me padinë e detyrimit kërkohet jo vetëm njohja e të drejtës subjektive të cënuar, ose marrëdhënia juridike përkatëse, por njëkohësisht edhe detyrimi i të paditurit të japë diçka, të kryejë apo moskryejë një veprim të caktuar. Padia mund të ngrihet për të kërkuar rivendosjen e një të drejte të shkelur. Kështu pronari kërkon jo vetëm që të njihet pronar i sendit që është hequr nga nëdorësia, por edhe t`i kthehet sendi a dorëshkrimi i veprës së marrë në mënyrë të paligjshme, ose t`i kthehen të hollat ose sendi i marrë në hua ose huapërdorje, ose kërkon shpërblimin e dëmit të caktuar etj.Vendimet që jepen mbi bazën e padive të tilla nga natyra e tyre janë vendime që i nënshtrohen ekzekutimit të detyrueshëm.

Padi njohjeje apo vërtetimi janë ato padi me anën e të cilave subjekti titullar i të drejtës subjektive kërkon të njihet ose të vërtetohet nga ana e gjykatës qënia ose mësqënia e një të drejte ose një marrëdhënie juridike apo fakti juridik. Për këto padi bëhet fjalë si në nenin 86 dhe 155 të Kodit të Procedurës Civile. Padi të tilla janë ato që kërkojnë të konstatohet pavlefshmëria e një veprimi juridik (pavlefshmëria absolute), paditë për ndreqjen e akteve të gjendjes civile, ato për njohjen dhe kundërshtimin e atësisë, për njohjen e vjetërsisë në punë etj. Padi krijuese quhen ato padi me anën e të cilave paditësi synon të krijojë, ndryshojë apo shuajë një marrëdhënie juridike civile, gërma b e nenit 86 të Kodit të Procedurës Civile. Për padi krijuese bëhet fjalë psh në rastin kur bashkëpunëtori i drejtohet gjykatës dhe kërkon të ushtrojë të drejtën e parablerjes të njohur nga neni 84 i Kodit Civil, paditë për deklarimin e pavlefshëm të një veprimi juridik (pavlefshmëria relative) etj. Kur gjykata apo arbitrazhi pranon një padi të tillë, vendimi ka karakter krijues, mbasi ai shërben për krijimin, ndryshimin ose shuarjen (mbarimin) e një marrëdhënie juridike civile. Pra këto vendime shërbejnë si fakte juridike mbasi sjellin ato pasoja që sjell fakti juridik.

Prapësimi. Krahas padisë, si mjet tjetër në funksion të mbrojtjen gjyqësore të të drejtave subjektive është edhe prapësimi. Prapësimi dallon nga padia pikësëpari për shkak të pozitës proceduriale të ushtruesit të tij. Prapësimi, ndryshe nga padia është mjet mbrojtjeje në duart e të paditurit në gjykimin civil, me anën e të cilit i padituri kërkon rrëzimin plotësisht apo pjesërisht të padisë. Prapësimi gjen rregullim në nenin 31/2 të kodit të Procedurës Civile, i cili duke iu referuar padisë si e drejtë e personit që bën pretendimin (paditësit), njëkohësisht përcakton se: “Pala kundërshtate (i padituri) ka të drejtë të kundërshtojë dhe të ngrejë prapësime mbi themelin dhe bazueshmërinë në ligj të këtij pretendimi.”. Me anën e prapësimit i padituri kundërshton pretendimet e paditësit, ose parashtron rrethana të cilat e bëjnë padinë joefektive, psh personi A në cilësinë e paditësit kërkon nga gjykata nëpërmjet padisë së rivendikimit kthimin e një sendi nga i padituri B. I padituri B mbrohet nëpërmjet prapësimit se personi A nuk është pronar i sendit, ose duke provuar se personi (paditësi) A, pavarësisht se është pronar i sendit, i padituri është posedues i ligjshëm i sendit psh në

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 10

Page 11: Tema 2 e drejta e biznesit

bazë të një kontratë qiraje. Prapësimi, si mjet mbrojtjeje, kufizohet vetëm në kundërshtimin e pretendimeve të paditësit. Ai mund të përdoret si mjet mbrojtjeje vetëm kur qëndron brenda kufijve të objektit të padisë dhe nuk del jashtë caqeve të saj, kur të drejtës së paditësit i kundërvihet e drejta e të paditurit, i cili me rrethanat që parashtron, i ngushton apo hedh poshtë kërkesat e parashtruara në kërkesë padi. Kështu psh kur blerësi duke pranuar blerjen e sendit dhe mospagimin e çmimit, pretendon dhe provon se sendi kishte të meta të fshehta që e bëbin të papërdorshëm. Këto pretendime janë prapësime që bën i padituri dhe që sjellin rrëzimin e kërkesëpadisë së paditësit. Prapësimi si mjet procedurial mbrojtjeje i të paditurit ndaj një padije të ngritur kundër tij parashikohet në mënyrë implicite në nenin 31/2 të Kodit të Procedurës Civile. Sipas këtij neni padia i jep të drejtë palës kundërshtare për të diskutuar mbi themelin dhe bazueshmërinë në ligj të këtij pretendimi. I padituri në një gjykim të filluar mund t`i kundrejtojë paditësit arsyet që nga pikëpamja e faktit apo e ligjit i bëjnë të papranueshme kërkimet e tij të paraqitura me anë të padisë. Në rastin e paraqitjes së prapësimit i padituri nuk del me kërkime të veçanta ndaj paditësit, prandaj gjykimi i çështjes përqëndrohet brenda kuadrit të kërkimeve të paditësit të shprehura në objektin e padisë. Prandaj, prapësimi ka karakter të prejardhur, të ndërvarur, pasi ai mund të përdoret si mjet mbrojtjeje vetëm kur është ngritur padia dhe vetëm për tu mbrojtur ndaj pretendimeve të paditësit.

Kundërpadia është një tjetër mjet mbrojtjeje në duart e të paditurit në gjykimin civil, krahas prapësimit, është edhe kundërpadia. Në nenin 160/1 të Kodit të Procedurës Civile shprehimisht thuhet se: “I padituri ka të drejtë të paraqesë kundërpadi kur kërkimi i kundërpadisë ka lidhje me atë të padisë, ose kur midis tyre mund të bëhet kompensimi.”. Në rastin e kundërpadisë, pretendimet e të paditurit në gjykimin civil, ndryshe nga rasti i prapësimit dalin jashtë kufijve të objektit të padisë. Dallimi qëndon në faktin se ndërsa në rastin e prapësimit i padituri vetëm mbrohet ndaj pretendimeve të paditësit, në rastin e kundërpadisë i padituri jo vetëm mbrohet ndaj pretendimeve të paditësit por njëkohësisht pretendon edhe vetë të drejta ndaj paditësit. Palët në procesin civil marrin në këtë rast reciprokisht emërtimet paditës i kundërpaditur dhe i paditur kundërpaditës. Kundërpadia mund të mbështetet në të njëjtën titull mbi të cilin paditësi mbështet padinë e tij. Psh shitësi në cilësinë e paditësit i kërkon gjykatës të detyrojë blerësin të paguajë çmimin e sendit, blerësi në cilësinë e të paditurit, në të njëjtin gjykim, prapëson duke provuar pagimin e çmimit dhe njëkohësisht i kërkon gjykatës të detyrojë shitësin (paditësin e kundërpaditur) që t`i dorëzojë blerësimit (të paditurit kundërpaditës) sendin objekt të marrëdhënies juridike civile të shitjes. Në këtë rast titulli ku mbështetet si padia, ashtu edhe kundërpadia është kontrata e shitjes si fakt juridik i kategorisë së veprimeve juridike. Por, kundërpadia mund të mbështetet edhe në një titull të ndryshëm nga ai i padisë siç është psh titulli mbi të cilin i padituri mbështet prapësimin e tij. Psh paditësi i kërkon gjykatës të detyrojë të paditurin t`i paguajë atij një shumë të caktuar si shpërblim për dëmin e shkaktuar. Në këtë rast titulli mbi të cilin mbështet pretendimin e tij paditësi është fakti i paligjshëm i shkaktimit të dëmit. I padituri prapëson, duke provuar se paditësi i ka borxh një shumë më të madhe parash se vlera e dëmit të shkaktuar dhe njëkohëisht paraqet kundërpadi duke kërkuar detyrimin e paditësit të kundërpaditur që t`i kthejë atij (të paditurit kundërpaditës) shumën e parave që kalon vlerën e dëmit të shkaktuar. Në këtë rast titulli ku mbështetet prapësimi dhe kundërpadia është kontrata e qirasë si veprim juridik (fakt juridik i kategorisë së veprimeve të ligjshme), pra një tiitull i ndryshëm nga titulli mbi të cilin mbështetet padia. Kundërpadia ka karakteristikat e një padi të re dhe i nënshtrohet të gjitha rregullave të caktuara për ngritjen e padisë. Për këtë arsye kundërpadia ndryshe nga prapësimi i nënshtrohet afateve të parashkrimit.

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 11

Page 12: Tema 2 e drejta e biznesit

Mënyra e posaçme apo administrative është mënyra e dytë e mbrojtjes së të drejtave civile. Për të nuk bëhet fjalë në ndonjë dispozitë të Kodit Civil por shembuj të saj gjejmë aty këtu në ligje të veçanta. Sipas kësaj mënyre për mbrojtjen e të drejtave civile nuk përdoret rruga gjyqësore por ajo administrative, pra nuk është gjykata ajo që rivendos të drejtën e shkelur por organi kompetent i administratës shtetërore. Kjo mënyrë është një përjashtim dhe përdoret vetëm në ato raste kur ligji shprehimisht ka parashikuar një gjë të tillë. Mjeti juridik që përdoret për mbrojtjen e të drejtave civile në rrugë administrative është kërkesa administrative. Sidoqoftë një vendim i marrë sipas një procedure administrative lejon gjithmonë mundësinë e kundërshtimit të tij në gjykatë.

Mënyra e jashtëzakonshme e mbrojtjes së të drejtave civile quhet ajo mënyrë që realizohet nga vetë mbajtësi i të drejtës subjektive dhe përdoret për të prapsur një sulm të çastit, i cili synon të cënojë të drejtat e mbajtësit të tyre ose për të parandaluar rrezikun që cënon të drejtat e një personi tjetër. Pra mënyrë e jashtëzakonshme e mbrojtjes së të drejtave civile mund të përdoret si për të mbrojtur të drejtat subjektive të vetë persopnit ashtu edhe të drejtat e një personi tjetër. Vetëmbrotja, mënyra e jashtëzakonshme e të drejtave civile ka lidhje me mbrojtjen e nevojshme dhe nevojën ekstreme, rrethana këto që përjashtojnë përgjegjësinë penale sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Sipas nenit 19/1 të këtij Kodi: “Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën duke qënë i detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij apo të një tjetri, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit.”. Ndërsa sipas nenit 20 të Kodit Penal: “Nuk ka përgjegjësi penale personi që ka kryer veprën nga nevoja për të përballuar një rrezik real dhe të çastit që e kërcënon atë, një person tjetër apo pasurinë nga një dëmtim i rëndë dhe i pashmangshëm me mënyra të tjera, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh se dëmi i zmbrapsur.”.

Vetëmbrojtja ose mbrojtja e atëçastshme ka gjetur rregullim edhe në nenin 310 të Kodit Civil: “Poseduesi ka të drejtë të kundërshtojë aty për aty, duke përdorur një mbrojtje të përshtatshme, çdo veprim që ka për qëllim cënimin ose zhveshjen nga posedimi. Kur sendi është marrë me dhunë ose fshehurazi, poseduesi ka të drejtë ta marrë atë menjëherë ose në ndjekje e sipër, por duke evituar veprimet e dhunës që nuk pajtohen me rrethanat e ngjarjes.”. Kur pronari konstaton se atij po i hiqet nëdorësia e sendit, ai mbështetur në dispozitën e mësipërme, ka të drejtë të mbrojë të drejtën e tij subjektive vetë, pa patur të drejtë t`i drejtohet organit shtetëror, duke përdorur edhe forcën fizike ndaj personit që cënon të drejtën e tij. Në rast se mbajtësi i të drejtës duke vepruar brenda kufijve të ligjit i shkakton ndonjë dëm personit që cënoi të drejtat e tij sipas nenit 611 të Kodit Civil nuk përgjigjet për shpërblimin e dëmit: “Nuk është përgjegjës ai që i shkakton dëm tjetrit për mbrojtjen e nevojshme të tij apo të një të treti.”. Që të përdoret mënyra e jashtëzakonshme e mbrojtjes është e domosdoshme që cënimi të jetë i çastit dhe i pranishëm ndryshe vetëmbrojtja nuk lejohet. Kur cënimi nuk është i çastit mbajtësi i të drejtës duhet t`i drejtohet detyrimisht organit shtetëror për të mbrojtur të drejtën e cënuar. Kjo mënyrë lejohet të përdoret edhe të drejtat subjektive të një personi të tretë duke ndërhyrë për të penguar ose ndaluar cënimin. Kjo nuk thuhet shprehimisht në nenin 310 të Kodit Civil por del nga përmbajtja e nenit 611 të Kodit Civil.

Si konkluzion, vetëmbrojtja, si mënyrë për mbrojtjen e të drejtave subjektive mund të zbatohet vetëm brenda kufijve të përcaktuar nga ligji dhe duhet të jetë proporcionale, për të mos kaluar kufijtë e veprimeve të domosdoshme për mbrojtjen e së drejtës subjektive në funksion të përballimit të dhunës së ushtruar nga cënuesi i të drejtës.

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 12

Page 13: Tema 2 e drejta e biznesit

Literatura:

Nuni, A. (2007), E drejta e biznesit, Edic. i tretë, Morava, Tiranë

Omari, L (2004), Parime dhe institucione të së drejtës publike, Bot. i gjashtë, Elena Gjika, Tiranë

Leksioni 2 Marrëdhëniet juridike, elementët dhe klasifikimi i tyre. Mbrojtja e të drejtave subjektive. Faqe 13