27
Kompania Regjionale e Ujit dhe Kanalizmit ‘Hidromorava’, sh.a., Gjilan PLANI I BIZNESIT 2009-2011 JANAR 2009 1 nga 27

PLANI I BIZNESIT 2009-2011

  • Upload
    others

  • View
    29

  • Download
    0

Embed Size (px)

Citation preview

Page 1: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

Kompania Regjionale e Ujit dhe Kanalizmit ‘Hidromorava’, sh.a., Gjilan

PLANI I BIZNESIT 2009-2011

JANAR 2009

1 nga 27

Page 2: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

Tabela e përmbajtjes

0 Përmbledhja ...................................................................................................... 3 1 Përshkrimi i Kompanisë ...................................................................................... 4

1.1 Historiku i Kompanisë ................................................................................. 4 1.2 Deklarata e Politikës ................................................................................... 4 1.3 Qëllimet dhe Objektivat Strategjike .............................................................. 5

2 Vlerësimi i Performancës në vitin paraprak 2008 .................................................. 6 2.1 Operativa ................................................................................................... 6 2.2 Financat dhe Shërbimi me Konsumatorë ...................................................... 7 2.3 Resurset Humane ....................................................................................... 8

3 Plani Operativ .................................................................................................... 9 3.1 Potenciali i Zgjerimit të Shërbimeve me Ujë dhe Kanalizim ............................ 9 3.2 Prodhimi dhe Shpërndarja e Ujit .................................................................. 9 3.3 Mbledhja e Ujërave të Zeza ....................................................................... 13

4 Plani Financiar ................................................................................................. 14 4.1 Analiza e të Ardhurave .............................................................................. 14 4.2 Analiza e Shpenzimeve .............................................................................. 16

5 Plani i Zhvillimit të Stafit ................................................................................... 19 5.1 Struktura e Re Organizative ....................................................................... 19 5.2 Trajnimi i Stafit ......................................................................................... 21 5.3 Politika e Pagesës së Stafit ........................................................................ 21

6 Plani i Investimeve ........................................................................................... 22 6.1 Plani i Investimeve në 2009 ....................................................................... 23 6.2 Plani i Investimeve në 2010 ....................................................................... 24 6.3 Plani i Investimeve në 2011 ....................................................................... 26

Shtojca I Planifikimet Financiare

Shtojca II Të Dhënat dhe Treguesit e Performancës

2 nga 27

Page 3: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

0 Përmbledhja Ky Plan i Biznesit përshkruan qëllimet, strategjitë dhe aktivitetet e propozuara të Kompanisë që do të synohen të plotësohen dhe ndërmirren gjatë periudhës 2009-2011. Plani i Biznesit, përkundër tjerash, vlerësohet se do të përmirësojë kontrollin menaxherial mbi kompaninë dhe shmangjen ndaj gabimeve që mund të e sjellin atë në dështim të përmbushjes së standardeve të shërbimeve. Plani i biznesit do t’i nënshtrohet rishikimit dhe freskimit së paku në baza vjetore. Gjatë periudhës planifikuese 2009-2011 pritet të zgjerohet zona e mbulimit me shërbime. Deri në fund të vitit 2011 përqindja e furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë 89%. Deri në fund të vitit 2011 pritet të shtohet numri i konsumatorëve për 5,860. Gjatë viteve 2009-2011 Kompania planifikon të përmirësoj furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët ekzistues dhe ata të rinj në 23.5 orë të kontinuitetit të furnizimit. Gjatë periudhës planifikuese 2009-2011 Kompania do të ndërmerr aktivitetet për kontrollimin e ujit të prodhuar i cili i’u shpërndahet konsumatorëve dhe marrjen e masave për zvogëlimin e humbjeve të ujit. Këto aktivitete do të përfshijnë identifikimin e humbjeve teknike dhe komerciale të sasisë së ujit të prodhuar, gjegjësisht të ujit i cili nuk faturohet dhe nuk i sjell Kompanisë të ardhura. Uji i pafaturuar pritet të ulet në 45% deri në 2011. Të ardhurat/shpenzimet janë analizuar nga secila qendër e te hyrave/shpenzimeve. Që të arrijë qëllimet e saja kryesore Kompania planifikon të ngritë të ardhurat e arkëtuara për 4% në 2011 në krahasim me aktualin në 2008. Të ardhurat e krijuara do të mjaftojnë për mbulimin e të gjitha shpenzimeve operative dhe nevojave për investimet e parapara për periudhën planifikuese. Në 2011 shpenzimet operative për m3 të ujit të prodhuar do të zbresin në €0.16 në krahasim me €0.17 në 2008. Faturat do t’i lëshohen të gjithë konsumatorëve të regjistruar. Ekipi menaxhues e kupton vlerën e zhvillimit të aftësive të stafit të kompanisë dhe për këtë qëllim ka identifikuar disa fusha ku duhet të ndërmerren trajnime. Menaxhmenti i Lartë i Kompanisë i pranon përgjegjësitë e saja ndaj të punësuarve të tjerë dhe do të zhvillojë e zbatojë politika që do të ndihmojnë stafin në arritjen e objektivave dhe synimeve të vëna. Kompania edhe më tutje do të avancoj sistemin ekzistues informatik të menaxhmentit. Planifikimet financiare të të ardhurave/shpenzimeve akruale dhe lëvizjet e parasë së gatshme mund të gjenden në Shtesën I të këtij dokumenti, ndërsa të dhënat dhe caqet e planifikuara mund të gjenden në Shtesën II.

3 nga 27

Page 4: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

1 Përshkrimi i Kompanisë 1.1 Historiku i Kompanisë

Kompania Regjionale e Ujit dhe Kanalizimit ‘Hidromorava’, sh.a., (më tej ‘Kompania’) është ndërmarrje publike që ofron shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mbledhje të ujërave të zeza në pjesën jug-lindore të Kosovës përkatësisht në komunat e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës. Nga viti 1999 Kompania i është nënshtruar procesit të konsolidimit deri më 31 Qershor 2007 kur është transformuar në shoqëri aksionare nga Qeveria e Kosovës gjegjësisht Ministria për Tregti dhe Industri. Deri në 31 Qershor 2008 Kompania është mbikëqyrur nga Agjensioni Kosovar i Mirëbesimit, ndërsa pas kësaj date Kompania besohet se do të mbikëqyret nga Ministria e Financave. Kompania posedon licencën për kryerjen e veprimtarisë së saj, të lëshuar nga Zyra Rregullatore për Ujë dhe Mbeturina. Prodhimi dhe shitja e ujit të pijshëm, mbledhja e ujërave të zeza janë aktivitetet kryesore të ndërmarrjes. Vlerat kryesore të Kompanisë janë përkushtimi për ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj konsumatorëve, arritja e vetëqëndrueshmërisë financiare, dhe të qenit transparent ndaj akterëve relevant të sektorit të ujit në Kosovë.

1.2 Deklarata e Politikës

Vizioni i Kompanisë është fokusimi në kënaqjen e konsumatorëve me nivelin e shërbimeve të ofruara. Ky vizion e mbanë Kompaninë të fokusuar në furnizimin me ujë të pijshëm për 24 orë, çdo ditë mbrenda vitit, dhe me kualitet që i përmbush standardet. Misioni i përgjithshëm i Kompanisë është që të siguroj ujë të pijshëm, cilësor dhe të mjaftueshëm për të gjithë konsumatorët e saj pa dallim race, gjinie dhe religjioni. Kompania poashtu ju ofron konsumatorëve të vetë shërbimin e mbledhjes dhe largimit të ujërave të zeza. Kompania angazhohet në zgjerimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe mbledhjes së ujërave të zeza dhe eventualisht shikimin e mundësisë së ndërtimit të fabrikës së përpunimit të ujërave të zeza përmes burimeve të jashtme të financimit. Kompania zotohet në shfrytëzimin racional të burimeve të ujit dhe në mirëmbajtjen e rregullt të rrjetit të ujit dhe ujërave të zeza. Kompania është përfundimisht e orientuar në plotësimin dhe kënaqjen e kërkesave të konsumatorëve të saj, përkundër natyrës monopolistike të biznesit të saj, si dhe sigurimin e transparencës dhe bashkëpunimit me të gjithë akterët e sektorit të ujit në Kosovë dhe më gjerë. Zbatimi i misionit të Kompanisë mund të përcillet me rreziqet eventuale të natyrave të

4 nga 27

Page 5: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

ndryshme si:

Mungesa e ujit në burime si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike

Kriza sociale-ekonomike në nivel të vendit ose lokal me ndikim në mosrealizimin e të ardhurave të gatshme

Mosgatishmëria e donatorëve potencial në financimin e projekteve investive

Fatkeqësitë natyrore

1.3 Qëllimet dhe Objektivat Strategjike

Kompania, e cila përbëhet nga qendra në Gjilan dhe dy njësitë operative, funksionon me vendimmarrje dhe llogaridhënie nga autoriteti qëndror, në përputhshmëri me principet e qeverisjes së përbashkët. Autoriteti qëndror, në pajtim me të gjitha kosto qendrat, për periudhën 2009-2011 ka përcatuar qëllimet kryesore strategjike në vijim:

Furnizimin me ujë të të gjithë konsumatorëve, përfshirë edhe ata në pikat e larta. Përmirësimin e kualitetit të ujit të pijshëm në pajtim me standardet e IKSHP

Arritjen e vetëqëndrueshmërisë financiare

Promovimin e relacioneve të mira me konsumatorë.

Adoptimin e politikave tarifore të ZRRUM për arritjen e të ardhurave të mjaftueshme që do të mund të mbulojnë shpenzimet operative dhe investimet e domosdomshme.

Sigurimin e shfrytëzimit racional të burimeve të ujit.

Krijimin e një ambienti të favorshëm të punës.

Për realizimin e qëllimeve kryesore strategjike, deri në vitin 2011 Kompania ka paraparë përmbushjen e objektivave strategjike në vijim:

Zvogëlimin e ujit të pafaturuar në 45%

Rritjen e kontinuitetit të furnizimit me ujë të pijshëm në 23.5 orë.

Rritjen e propocionit të konsumatorëve me ujëmatësa në 93%

Rritjen e shkallës së arkëtimit në 76%

Ngritjen e normës së mbulesës së punës në 1.28

Zvogëlimin e shpenzimeve për njësi prodhimi në €0.16

Rritjen e efikasitetit të stafit në 7.0

5 nga 27

Page 6: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

2 Vlerësimi i Performancës në vitin paraprak 2008

Gjatë vitit 2008 (edhe më tej i referohemi të dhënave aktuale për dhjetë muajt e parë të vitit, ndërsa dy muajt e fundit janë të vlerësuar) Kompania ka performuar më mirë, në disa prej treguesve kryesor, krahasuar me vitin 2007. Gjatë vitit 2008, janë kryer të gjitha aktivitetet e rregullta operative, ndërsa kostoja operative nuk është arritur të mbulohet nga mjetet e arkëtuara prej veprimtarisë së rregullt të furnizimit me ujë të pijshëm dhe mbledhjes së ujërave të zeza, dhe aktiviteteve tjera operative. Punëtorët kanë performuar në bazë të përshkrimit të punës. Gjatë vitit 2008, në përgjithësi, Kompania i ka arritur disa prej objektivave të parapara në Planin e Biznesit të të njëjtës periudhë.

2.1 Operativa

Për kundër faktit se ka qenë një verë shumë e nxehtë dhe me të reshura shumë të pakta, ku si rezultat i mungesës së akumulacionit të ujit ka pasur edhe sasi më të vogël të ujit të prodhuar, shërbimi i operativës ka arritur të furnizoj konsumatorët me ujë të pijshëm bazuar në një plan racional të reduktimeve të ujit, gjatë gjithë muajve të krizës së ujit. Në disa raste kërkesat e konsumatorëve janë plotësuar edhe me shpërndarjen e ujit me cisternë, sidomos lagjet me lartesi të lartë mbidetare.

Furnizimi me ujë të pijshëm në zonat rurale, me sisteme të veçanta të furnizimit me ujë, ka qenë relativisht i kënaqshëm. Që nga muaji Tetor 2008 sasia e prodhuar e ujit është shtuar edhe për 80 l/sec si rezultat i investimeve në rritjen e kapaciteteve të prodhimit të ujit në Fabrikën e Përpunimit të Ujit në Velekincë. Realizimi i investimeve është bërë i mundur nga përkrahja financiare dhe teknike e donatorëve Zvicëran. Kjo rritje e kapacitetit të prodhimit ka mundësuar përmirësimin e furnizimit me ujë në komunën e Gjilanit. Që nga Tetori 2008 zona e shërbimit për regjionin e Gjilanit arrinë të furnizohet deri 95% me ujë pa ndërprerje apo me ndërprerje shumë të vogla gjatë pikut të verës kur shpenzimet ditore janë shumë të larta. Kualiteti i ujit të pijshëm të shpërndarë në tërë zonën e shërbimit është monitoruar rregullisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Edhe përkundër realitetit se shpërndarja e ujit të pijshëm është përcjellur me avari të shpeshta në gypat kryesor dhe sekondar të ujit, keqpërdorime nga konsumatorët e papërgjegjshëm dhe kyçje ilegale, Kompania ka arritur të realizoj mirëmbajtjen e rregullt të sistemit të ujit të pijshëm por edhe të mbledhjes së ujërave të zeza. Përkundër kërkesave të konsumatorëve të zonave rurale për kyçje në sistem të

6 nga 27

Page 7: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

ujësjellësit, realizimi i tyre ka qenë i pamundur për shkak të sasive të pamjaftueshme të ujit. Në vitin 2008 krahasuar me vitin 2007, në mesatare Perqindja e Ujit të Pafaturar është rritur për 4%. Trendi është negativ. Kjo është arritur kryesisht si rezultat i rritjes së ujit të prodhuar në krahasim me një rritje të lehtë të ujit të faturuar, ndërsa numri i konsumatorëve është rritur për 727. Në vitin 2008 krahasuar me 2007 propocioni i konsumatorëve me ujëmatësa është rritur për 1%. Gjatë vitit 2008 Kompania është përkrahur institucionalisht nga Zyra Zvicerane përmes projektit ‘Projekti Udhëzues’, ku është aplikuar kryesisht koncepti i mentorimit. Për realizimin e objektivave të projektit dhe të vetë Kompanisë janë krijuar nga dy ekipe secila me detyra të veçanta. Njëri prej ekipeve ka qenë përgjegjës për arritjen e objektivit për zvogëlimin e humbjeve duke përdorur metodën e Pilot Zonës. Pilot zona është caktuar në Gjilan dhe ka përfshirë një zonë prej 399 konsumatorëve. Në këtë zonë fillimisht janë montuar ujëmatësit zonal e pastaj ata shtëpiak (financuar nga projekti), në mënyrë që të regjistrohet uji i cili hyn dhe del nga zona. Me qëllim të kalkulimit të bilancit ujor është bërë leximi i rregullt (dy herë në ditë) i ujëmatësve zonal ndërsa të atyre shtëpiak sipas nevojës.

2.2 Financat dhe Shërbimi me Konsumatorë

Gjatë vitit 2008 krahasuar me vitin 2007 numri i konsumatorëve të regjistruar është rritur për 826 si rezultat i marrjen nën menaxhim të ujësjellësit të fshatit ‘Malishevë’ (350 konsumatorë), zbulimit dhe regjistrimit të konsumatorëve ilegal si dhe regjistrimit të disa konsumatorëve tjerë të rinj. Gjatë vitit 2008 vlera e faturimit ka qenë €1,123,593 ose vetëm për 2% më i lartë se në vitin 2007 dhe 25% më i ulët se vlera e planifikuar.

Gjatë vitit 2008 krahasuar me 2007 vlera e arkëtimit poashtu është rritur për €35,280. Si rezultat Shkalla e Arkëtimit ka treguar rritje për 1% krahasuar me 2007. Këtu ka ndikuar kryesisht angazhimi më i madh i arkëtuesve edhe gjatë ditëve të vikendit, si dhe zvogëlimi i faturimit paushall.

Shkalla e arkëtimit për kategorinë e konsumatorëve shtëpiak në 67% vlerësohet si relativisht e kënaqshme. Kompania konsideron se faktorët kryesor që kanë mundur të ndikojnë në mos realizimin e të ardhurave prej 100% janë furnizimi i ujit me reduktime gjatë ditës, gjendja ekonomike e një shtrese të popullsisë, dhe mosfunksionimi i mekanizmave ligjor për ndëshkimin e konsumatorëve për mosshlyrje të borxheve. Te kategoria e konsumatorëve komercial shkalla e arkëtimit ka qenë 70%. Borxhlinjët më të mëdhenj kanë qenë dyqanet e pavarura zejtare me pretekstin se tarifa fikse prej €2.00 është shumë e lartë. Ndërsa te kategoria e konsumatorëve institucional shkalla e arkëtimit ka qenë 95%.

7 nga 27

Page 8: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

Shkalla e arkëtimit në Njësinë Operative të Vitisë ka shënuar rritje prej 17% krahasuar me vitin 2007. Ndërsa shkalla e arkëtimit në Njësinë Operative të Kamenicës është ngritur për vetëm 2% karahasuar me vitin 2007. Kompania ka përdorur medota të ndryshme për rritjen e vlerës së arkëtimit, ndër to edhe shkyçjen e konsumatorëve. Kjo metodë në shumicën e rasteve ka dhënë rezultate të kënaqshme. Në vitin 2008 krahasuar me 2007 si rezultat i rritjes së shpenzimeve norma e mbulesës së punës ka qenë më e ulët. Me normën e mbulesës së punës prej 0.89 nuk janë mbuluar të gjitha shpenzimet e ndodhura. Në fund të vitit 2008 kërkesat ndaj konsumatorëve janë €3,670,321 ndërsa obligimet e Kompanisë janë €914,000.

2.3 Resurset Humane

Gjatë vitit 2008 është rritur numri i punëtorëve për gjashtë për nevoja të shërbimit operativ (5 punëtorë) dhe administrativë (1 punëtorë). Trajnime janë pranuara nga Kompania ‘FELA’ (financuar nga Qeveria Zvicerane), për punëtorët që puojnë në Fabrikën e Përpunimit të Ujit në Perlepnicë dhe Veleknicë, për përdorimin e paisjeve të reja dhe sistemit SCADA (Sistemi i kontrollit dhe monitorimit nga largësia) Trajnime të stafit menaxherial si dhe atij teknik janë bërë nga projekti ‘Projekti Udhëzues’.

8 nga 27

Page 9: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

3 Plani Operativ 3.1 Potenciali i Zgjerimit të Shërbimeve me Ujë të Pijshëm

dhe Mbledhje të Ujërave të Zeza

Kompania zhvillon veprimtarinë e saj biznesore në regjionin e komunave të Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës. Sipas vlerësimit të menaxhmentit të kompanisë deri në 2011 në regjionin e tërë pritet një rritje e popullatës me kërkesë për ujë prej 7,000 banorë. Kjo do të ndikoj edhe më tutje në rritjen e kërkesës për ujë të pijshëm, ndërsa Kompania përkundër interesit për zgjerim të rrjetit do të ballafaqohet me plotësimin e limituar të kërkesave për ujë të pijshëm. Deri në fund të vitit 2011 përqindja e furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë 89%. Zona e shërbimit do të përbëhet kryesisht nga zonat urbane, por edhe disa rurale, të regjionit të komunave të Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës. Gjatë periudhës planifikuese 2009-2011 pritet të shtohet numri i konsumatorëve të regjistruar për 5,860 pas shqyrtimit të mundësisë teknike dhe analizës së kosto-përfitimit. Këtyre konsumatorëve do t’iu ofrohen shërbimet e ujit të pijshëm si dhe ato të mbledhjes së ujërave të zeza. Tabela në vijim tregon në detaje prejardhjen e rritjes së numrit të konsumatorëve sipas viteve.

Tabela 1. Rritja e numrit të konsumatorëve Burimi/vitet 2009 2010 2011

Kyçja e fshatrave 1,260 1,400 1,650

Legalizimi i konsumatorëve ilegal

350 0 0

Konsumatorët tjerë të rinj 540 300 350

Aktivizimi i konsumatorëve pasiv

10 0 0

3.2 Prodhimi dhe Shpërndarja e Ujit

Kompania do të shrytëzoj maksimalisht kapacitet prodhuese në secilën pikë përpunuese të ujit të pijshëm për mbulimin e zonës së planifikuar të shërbimit. Gjatë viteve 2009-2011 Kompania planifikon të përmirësoj furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët ekzistues dhe ata të rinj në 23.5 orë. Kjo do të realizohet në saje të (i) shfrytëzimit maksimal të kapacitetit prodhues, (ii) dhe kontrollimit të ujit të shpërndarë/të shitur. Uji i prodhuar, sa i përket kualitetit, pritet se do të i plotëson të gjitha kriteret e parashtruara nga IKSHP dhe kjo do vërtetohet nga raportet që do të i marrim nga ky institut. Analizat e ujit përfshijnë testimin bakteriologjik dhe atë kimik.

9 nga 27

Page 10: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

3.2.1 Shfytëzimi i kapaciteteve prodhuese

Kompania furnizon me ujë të pijshëm regjionin e Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës duke përfshirë edhe pjesët rurale. Qyteti i Gjilanit furnizohet me ujë të pijshëm i cili merret nga:

Akumulacioni i Perlepnicës dhe kaptazha te ‘Guri i Hoxhës’. Uji trajtohet në Fabrikën për Përpunimin e Ujit në Perlepnicë me kapacitet maksimal të përpunimit të ujit prej 200l/s.

Pellgu i Lumit Morava në Veleknicë. Uji trajtohet në Fabrikën për Përpunimin e Ujit në Veleknicë me kapacitet maksimal të përpunimit të ujit prej 80l/s.

Burimi ‘Baja’. Uji trajtohet në stacionin e pompimit në Banjë me kapacitet maksimal të përpunimit të ujit prej 40l/s.

Qyteti i Vitisë furnizohet me ujë të pijshëm i cili merret nga:

Burimi Letnica. Uji trajtohet në Fabrikën për Përpunimin e Ujit në Letnicë me kapacitet maksimal të përpunimit të ujit prej 30l/s.

Qyteti i Kamenicës furnizohet me ujë të pijshëm i cili merret nga:

Puset që gjenden në dy zona. Uji trajtohet (klorinohet) në Stacionin e Pompimit I dhe II me kapacitet maksimal të pompimit të ujit prej 30l/s nga të dy stacionet.

Kualiteti i ujit kontrollohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Tabela në vijim tregon në detaje burimet dhe kapacitet maksimale të prurjeve të ujit të pijshëm. Tabela 2. Burimet dhe kapacitet maksimale të prurjeve të ujit të pijshëm

Burimet/kapacitetet 2009-2011

Akumulacioni i Perlepnicës 110 l/s

Kaptazha te ‘Guri i Hoxhës’ 60 l/s

Pellgu i Lumit Morava 80 l/s

Burimi ‘Baja’ 30 l/s

Burimi Letnica 20 l/s

Puset që gjenden në dy zona 25 l/s

3.2.2 Kontrollimi i ujit të shpërndarë

Gjatë periudhës planifikuese 2009-2011 Kompania do të ndërmerr aktivitetet për kontrollimin e ujit të prodhuar i cili i’u shpërndahet konsumatorëve dhe marrjen e masave për zvogëlimin e humbjeve të ujit. Këto aktivitete do të përfshijnë identifikimin e

10 nga 27

Page 11: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

humbjeve teknike dhe komerciale të sasisë së ujit të prodhuar, gjegjësisht të ujit i cili nuk faturohet dhe nuk i sjell Kompanisë të ardhura. Uji i pafaturuar pritet të ulet në 45% deri në 2011.

Diagrami 1. Planifikimi i prodhimit dhe shitjes së ujit të pijshëm

Uji i prodhuar (m3)/Uji i shitur

-500,000

500,000

1,500,000

2,500,000

3,500,000

4,500,000

5,500,000

6,500,000

7,500,000

8,500,000

2009 2010 2011

Uji i prodhuar m3 Uji i shitur m3

Edhe gjatë vitit 2009 Kompania do të pranon përkrahje nga Qeveria Zvicerane përmes projektit ‘Projekti Udhëzues’ për përgatitjen dhe aplikimin e planeve taktike-operative për zvogëlimin e ujit të pafaturuar. Në fillim të vitit 2009 do të vazhdohet puna në Pilot Zonën I (Lagja Arbëria), ndërsa gjatë muajve Mars-Tetor 2009 do të punohet në zonat tjera (në të njëjtën lagje), së pari (i) në verifikimin e gjendjes në teren, (ii) ndërtimin e pusetave të ujëmatësve zonal dhe instalimin e tyre, (iii) ndërtimin e pusetave dhe instalimin e ujëmatsve shtëpiak, dhe (iv) identifikimin dhe regjistrimin e kyçjeve ilegale. Të gjitha këto aktivitete vlerësohet se do të ndikojnë në zvogëlimin e ujit të pafaturuar për 1.5%. Humbjet teknike vlerësohen të marrin pjesë përafërsisht me 50% në humbjet totale. Aktivitet të cilat do të ndërmerren për zvogëlimin e humbjeve teknike janë:

Riparimi i rrjedhjeve sipërfaqësore

Që në fillim të vitit 2009 Departamenti i Operativës planifikon që të krijoj një ekip të veçantë për riparimin e rrjedhjeve sipërfaqësore i cili do të veproj paralel me ekipin e rregullt të mirëmbajtjes.

Identifikimi i rrjedhjeve nëntokësore

Të njëjtat ekipe (të përfolura më lartë) do të angazhohen poashtu në identifikimin dhe

11 nga 27

Page 12: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

riparimin e rrjedhjeve nëntokësore të ujit. Metodat e parapara për dedektimin e rrjedhjeve nëntokësore do të jenë:

o Përdorimi i detektorëve sonik dhe

o Inspektimi vizuel i pusetave të kanalizimit gjatë periudhës së natës kur

shpenzimi i ujit është shumë i vogël

Rivitalizimi i gypave

Rreth 70% të gypave ekzistues të qytetit të Gjilanit janë nga materiali azbest-cement që ka një moshë mesatare mbi 35 vjeçare. Gypat janë në gjendje të keqe, të paizoluar, në masë të madhe të koroduar dhe të dëmtuar, ku si pasojë pritet të ketë defekte të shumta dhe humbje të konsiderueshme të ujit. Vjetërsia e këtyre gypave do të vështirëson furnizimin me ujë të konsumatorëve prandaj Kompania planifikon që gjatë periudhës planifikuese të ndërroj (në emër të mirëmbajtjes) rreth 5% të gypave të ujësjellësit nga mjetet vetanake. Humbjet komerciale vlerësohen të marrin pjesë përafërsisht me 50% në humbjet totale. Në bazë të eksperiencës konsiderohet se këto humbje identifikohen me keqpërdorimet e ujit nga konsumatorët paujëmatës, pasaktësia e regjistrimit të ujëmatësve, pasaktësia e leximit të ujëmatësve, kyçjet e dyfishta jashtë sistemit të matjes, intervenimi i paautorizuar në ujëmatësa si dhe nga kosumuesit ilegal. Vlerësohet se pjesa më e madhe e këtyre humbjeve do të jetë në zonat rurale dhe periferike të qyteteve. Gjatë tërë periudhës planifikuese pritet të identifikohen rreth 350 konsumues ilegal të cilët do të shtojnë faturimin e ujit për 71,050m3; kjo pastaj do të ndikoj në uljen e ujit të pafaturuar për 2%. Aktivitet të cilat do të merren janë:

Matja korrekte e konsumit të ujit.

Leximi i ujëmatësve do të bëhet çdo tre muaj në pajtim me rregulloren e brendshme të kompanisë si dhe rregulloret e ZRRUM mbi leximin e ujëmatësve. Gjatë vitit 2009 do të shqyrtohet mundësia e ndarjes së aktivitetit të leximit nga aktiviteti i arkëtimit derë-më-derë. Kjo vlerësojmë se do të sjell rezultate më të mira qoftë në lexim më të saktë, në rritje të efikasitetit të punëtorëve dhe ngritje të shkallës së arkëtimit. Ekipet e kontrollit do të aktivizohen kohë pas kohe dhe do të merren masa ndëshkuese ndaj të gjithë të punësuarve të cilët nuk i zbatojnë me përpikëri rregullat e leximit të ujëmatësve.

Gjatë viteve 2010-2011 do të shqyrtohet mundësia e kontraktimit nga jashtë të shërbimit të leximit të ujëmatësve dhe arkëtimit.

Instalimi i ujëmatësve në zonat ku ka sasi më të madhe të ujit të harxhuar.

Kompania planifikon të instaloj rreth 3,285 ujëmatës në 2009; 1,700 në 2010 dhe 2,000 në 2011. Gjatë vitit 2009 së paku 320 ujëmatës planifikohen të instalohen te konsumatorët ekzistues financuar nga buxheti i Kompanisë, rreth 1,125 ujëmatës janë premtuar të financohen nga Donatorët Zviceran përmes projektit ‘Projekti Udhëzues’; ndërsa pjesa tjetër do të financohen nga vetë konsumatorët të cilët do të kyçen në

12 nga 27

Page 13: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

sistem të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Identifikimi i shfrytëzuesve të paautorizuar

Planifikohet të mbahet një fushatë intensive propagantistike përmes mediave për thirrjen për legalizim të konsumuesve që shfrytëzojnë ujin pa autorizim nga ujësjellësi, kjo pastaj do të përcillet me organizimin e ekipës teknike dhe shërbimit me konsumatorë për gjetjen dhe regjistrimin e konsumuesve ilegal. Gjatë fushatës do t’iu bëhet me dije konsumuesve ilegal për përballjen me sanksione ligjore në rast të mos paraqitjes në baza vullnetare.

3.3 Mbledhja e Ujërave të Zeza

Kompania poashtu do të kujdeset për largimin e ujërave të zeza të qyteteve të Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës. Ujërat e zeza të qytetit të Gjilanit përmes dy kolektorëve kryesor do të derdhen në lumin Morava, pa ndonjë trajtim. Ato të qytetit të Vitisë përmes kolektorit kryesor do të derdhen në lumin Morava, ndërsa ato të qytetit të Kamenicës përmes kolektorit do të derdhen në lumin Krivareka poashtu pa ndonjë trajtim.

13 nga 27

Page 14: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

4 Plani Financiar Gjatë viteve 2009-2011 Kompania do të orientohet në mbulimin e shpenzimeve operative pa amortizim, zvogëlimin e obligimeve të viteve të mëparshme dhe së paku realizimin e një projekti kapital të domosdoshme. Kompania, si ndërmarrje publike që është, me tarifa te rregulluara nga ZRRUM, të gjitha përftimet financiare do të i’a kthen prapa direkt konsumatorëve të vetë. Transaksionet e përgjithshme të Kompanisë do të mbahen dhe regjistrohen duke respektuar Standardet e Kontabilitetit Kosovar.

4.1 Analiza e të Ardhurave

Gjatë periudhës 2009-2011 Kompania planifikon që të rritë vazhdimisht të ardhurat nga veprimtaria e saj primare (shitja e ujit dhe mbledhja e ujërave të zeza). Vlera e faturimit është llogaritur në bazë të tarifës mesatare të aprovuar nga ZRRUM për periudhën planifikuese 2009-2010. Kompania edhe për tri vitet e planifikuara vlerëson se nuk do të mund të arkëtoj të gjitha të ardhurat e faturuara, por së paku planifikon që shkalla e arkëtimit të rritet për 4% në krahasim me vitin 2008. Shkalla e arkëtimit në vitin 2011 pritet të arrijë në 76%. Shkalla e planifikuar e arkëtimit të të ardhurave nga veprimtaria primare, sipas kategorive të konsumatorëve, është paraqitur në diagramin në vijim. Diagrami 2. Shkalla e arkëtimit (%)

Shkalla e arketimit %

0%

10%

20%

30%

40%

50%

60%

70%

80%

90%

100%

2009 2010 2011

Shkalla e arketimit AMV % Shkalla e arketimit BIZ % Shkalla e arketimit INS %

14 nga 27

Page 15: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

Faktorët kryesor që vlerësohet se do të shkaktojnë mos realizimin e arkëtimit në nivelin e kënaqshëm, të identifikuar nga Kompania janë:

Furnizimi i reduktuar me ujë të pijshëm në disa nga zonat e larta

Faturimi në bazë paushalli për një numër të konsumatorëve

Mos-aftësia financiare për pagesë (rastet sociale)

Shkalla e ulët e punësimit të popullatës dhe fuqia ekonomike e tyre

Tarifa e lartë paushalle për disa nga bizneset e vogla dhe jorentabilteti i disa nga subjekteve afariste

Prolongimi i padive (ndaj konsumatorëve të pa përgjegjshëm) në Gjyq

Mosfunksionimi si duhet i organeve të caktuara të pushtetit dhe mos funksinimi i shërbimeve të inspektoratit

Për rritjen e shkallës së arkëtimit gjatë vitit 2009 Kompania planifikon të ndërmerr këto aktivitete:

Rregullimin e borxheve kontestuese dhe ri-programimin e tyre në pajtim me rregulloret e ZRRUM

Realizimin e vizitave njoftuese (derë më derë) te konsumatorët që nuk kanë paguar fare ose shumë pak për tu njohur me kërkesat e tyre

Realizimin e fushatës propaganduese në nivel të regjionit të mbulimit me shërbime

Realizimie e çkyçjeve individuale dhe kolektive (të konsumatorëve shtëpiak dhe bizneseve)

Paraqitjen e borxhlinjve të rinj në Gjyq dhe insistimi për shqyrtimin e padive të vjetra

Kompensimin e punëtorëve të sektorit të arkëtimit bazuar në shumat e arkëtuara

Hapjen e disa pikave për arkëtimin e faturave në zonat ku janë të koncentruar numër më i madh i konsumatorëve

Zhvillimin e zyrës së shërbimeve me konsumatorë si dhe përgatitjen e rregullores për adresimin dhe zgjidhjen e shpejtë të kërkesave të konsumatorëve

Jetësimi i aktiviteteve të lartë përmendura pritet të e rritë shkallën e arkëtimit në 74% në 2009. Gjatë periudhës planifikuese të ardhurat tjera operative (kryerja e shërbimeve të kyçjes, debllokimeve të kanalizimit, si dhe shërbimeve tjera të ngjashme) priten të realizohen 100%.

15 nga 27

Page 16: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

4.2 Analiza e Shpenzimeve

Për periudhën 2009-2011 Kompania planifikon një rritje prej 32% të shpenzimeve operative pa amortizim në krahasim me vitin 2008, kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve direkte. Shpenzimet operative për periudhën e planifikuar janë të orientuara ekskluzivisht në drejtim të realizimit të objektivave strategjike të parapara në këtë plan. Plani i detajizuar i shpenzimeve operative pa amortizim shprehur në shifra absolute është paraqitur në Tabelën 3. Tabela 3. Shpenzimet operative të planifikuara për 2009-2011

Emërtimi Njësia 2009 2010 2011

Pagat € 548,586 565,044 581,995

Mirëmbajtja € 85,042 93,546 102,901

Energjia € 274,747 302,222 323,378

Nafta € 47,550 49,927 52,423

Kemikalet € 160,000 176,000 181,280

Te tjera € 84,230 90,475 93,909

Total € 1,200,155 1,277,214 1,335,886

Diagrami 3. Propocioni i shpenzimeve operative për 2009

Propocioni i shpenzimeve operative ne 2009

Pagat Energjia Kemikalet Mirëmbajtja Te tjera Nafta

16 nga 27

Page 17: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

Në 2009 pjesa më madhe e shpenzimeve operative prej afro 46% do të identifikohet me pagesën e stafit. Shuma e shtuar ka te bëjë pjesërisht me pagesat e drejtorëve jo-ekzekutiv të bordit të drejtorëve që pritet të rithemelohet në fillim të vitit 2009, ndërsa një rritje e lehtë e pagave gjatë vitit 2009 do të jetë edhe si rezultat i kompensimit të punëtorëve të shërbimit operativ të cilët për shkak të shtimit të sasisë së ujit të prodhuar pritet të kryejnë punë edhe jashtë orarit të rregullt të punës. Planifikohet që një ekip prej 2 punëtorëve të jenë çdo ditë aktiv në punë pas orarit të punës për të ju përgjigjur kërkesave të konsumatorëve për defekte në teren. Poashtu gjatë vitit 2009 do të shtohet numri i punëtorëve për 12. Një rritje prej rreth 9% prej vitit në vit pritet të ndodh te shpenzimet e mirëmbajtjes si rezultat i riparimit të defekteve të shumta që pritet të ndodhin për shkak të presionit të madh të ujit nëpër gypat e ujit. Shpenzimet kapitale të mirëmbajtjes do të kthehen si infrastrukturë e përmirësuar e biznesit. Rritja e sasisë së ujit të prodhuar do të rrisë shpenzimet direkte (kryesisht kemikalet, energjinë elektrike, dhe naftën) për rreth 28% krahasuar me 2008. Rritja në vlera absolute e të gjitha kategorive të shpenzimeve do të ndikoj që shpenzimet operative për m3 të ujit të prodhuar të mund të zvogëlohen vetëm në €0.16 në 2011 prej €0.17 sa ka qenë në 2008. Në vazhdim shtjellohet situata e stabilitetit financiar. Referimi është bërë në bazë të të ardhurave dhe shpenzimeve operative pa amortizim të planifikuara (shih diagramin në vijim). Diagrami 4. Raporti në mes të ardhurave të arkëtuara dhe shp. operative pa amortizim për 2009

Te ardhurat ne te gatshme/Shpenzimet operative

€ 0

€ 200,000

€ 400,000

€ 600,000

€ 800,000

€ 1,000,000

€ 1,200,000

€ 1,400,000

€ 1,600,000

€ 1,800,000

2009 2010 2011

Te ardhurat ne te gatshme Shpenzimet operative

17 nga 27

Page 18: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

Duke u bazuar në të dhënat e planifikuara Kompania do të kishte tejkalim të likuiditetit në rast se do të kishte sukses në arkëtimin e të ardhurave të faturuara gjatë viteve 2009-2011 në shkallë optimale (rasti ideal: rreth €370,000 tejkalim të likujditetit me përqindje të arkëtimit 76% të të ardhurave të rregullta dhe 100% të të ardhurave tjera operative), në të kundërtën Kompania do të ballafaqohet me probleme financiare. Përndryshe Kompania nuk mund të realizoj fitim kur të llogaritet edhe amortizimi vjetor i mjeteve themelore. Gjithashtu, Kompania afaron në shkallën e likuiditetit edhe në saje të donacioneve në pajisje dhe mjete të tjera nga organizatat dhe institucionet e ndryshme të nevojshme për kryerjen e rregullt të veprimtarisë. Kompania do të mund të aplikoj programet në zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit nëse gjenden donatorët që do të përkrahin financiarisht, në të kundërten projektet mbesin të parealizuara. Parat e gatshme (në fund të periudhës planifikuese) janë planifikuar të jenë €212,011 si shumë e mjeteve të aftësisë paguese të cilën duhet të e ruajë kompania në bankë dhe në arkë në mënyrë që të jetë e mundur të përmbushë detyrimet e menjëhershme. Koeficienti i propozuar është shuma e dy muajve të shpenzimeve operative.

18 nga 27

Page 19: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

19 nga 27

5 Plani i Zhvillimit të Stafit 5.1 Struktura Organizative

Gjatë fillimit të vitit 2009 pritet të themelohet Kuvendi i Aksionarëve, të cilët do të jenë përgjegjës për krijimin e Bordit të Drejtorëve. Bordi i Drejtorëve do të përbëhet nga Drejtorët Jo-ekzekutiv (të jashtëm) dhe Drejtori Ekzekutiv (Drejtori Menaxhues i Kompanisë). Drejtori Menaxhues do të jetë përgjegjës për menaxhimin dhe operimin e Kompanisë. Ai do të ketë kompetencat të lidhë kontrata në emër të kompanisë, në përputhje me statutin dhe Ligjin e Zbatueshëm. Drejtori Menaxhues do të ketë kompetencën të punësojë dhe shkarkojë zyrtarët e Kompanisë dhe të delegojë këtë kompetencë zyrtarëve të tjerë dhe anëtarëve të personelit. Drejtori Menaxhues do të duhet të i kryejë të gjitha detyrat tjera që i janë caktuar sipas kontratës së punës. Vlerësimi i performancës së Drejtorit Menaxhues do të bëhet nga Bordi i Dejtorëve. Menaxheri i Financave do të jetë përgjegjës për të gjitha aktivitetet financiare në Kompani si: (i) mbajtja e llogarive të Kompanisë, (ii) menaxhimi i financave sipas nevojës së Kompanisë, (iii) raportimi te akterët relevant dhe (iv) përgjegjësia e përgatitjes së planit të biznesit. Menaxheri i Operativës do të jetë përgjegjës për (i) aktivitetet e prodhimit dhe shpërndarjes së ujit, (ii) mirëmbajtjen e rrjetit dhe (iii) menaxhimin e punëve teknike në teren. Menaxheri i Shërbimit me Konsumatorë do të jetë përgjegjës për (i) përgatitjen dhe shpërndarjen e faturave, (ii) menaxhimin e arkëtimit të parave të gatshme, (iii) menaxhimin e ekipit të çkyqjes dhe (iv) menaxhimin e relacioneve me konsumatorë.

Vlerësimi i performancës së Menaxherëve të Operativës, Financave dhe Shërbimit me Konsumatorë do të bëhet nga Drejtori Menaxhues. Gjatë periudhës planifikuese 2009-2011 struktura organizative e Kompanisë do të jetë si në vijim:

Page 20: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

Diagrami 5. Struktura organizative mbikëqyrëse dhe menaxhuese e Kompanisë

Bordi i

Drejtorëve

Drejtori

Menaxhues

Asistentja teknike Zyrtari i

prokurimit

Zyrtari për çështje juridike Zyrtari për auditim të mbrendshëm

Menaxheri i financave Menaxheri i shërbimit me konsumatorë

Menaxheri i operativës

Sektori i kontabilitetit

(5 punëtorë)

Sektori i sigurimit fizik

(17 punëtorë)

Sektori i prodhimit

(18 punëtorë)

Sektori i mirëmbajtjes së ujësjellësit

(17 punëtorë)

Sektori i mirëmbajtjes së kanalizimit

(4 punëtorë)

Sektori i gjeodezisë dhe hartave

(1 punëtorë)

Sektori i autoparkut

(5 punëtorë)

Sektori i faturimit

(2 punëtorë)

Sektori i arkëtimit

(19 punëtorë)

Sektori i leximit të ujëmatësve

(5 punëtorë)

Sektori i çkyqjes

(4 punëtorë)

Sektori i relac. me konsumatorë

(1 punëtorë)

Menaxheri i njësisë në Kamenicë

(22 punëtorë)

Menaxheri i njësisë në Viti

(20 punëtorë)

Sektori i ujësjellësave rural

(2 punëtorë)

20 nga 27

Page 21: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

Në periudhën 2009-2011 Kompania planifikon të rekrutoj 12 punëtorë me qëllim të realizimit të caqeve të parashtruara për të njëjtën periudhë. Struktura profesionale e stafit të ri do të jetë si në vijim:

Menaxher i Shërbimeve me konsumatorë (1 person).

Inxhinier për modelim të rrjetit (AutoCAD) (1 person).

Auditor i mbrendshëm (1 person)

Punëtorë për zonat rurale (6 persona)

Punëtorë të mirëmbajtjes (2 persona)

Punëtorë për pastrimin e objektit të administratës (1 person)

Kryerja e detyrave të punës nga secili i punësuar do të bëhet në bazë të përshkrimit detaj të secilit vend të punës veç e veç. Në bazë të këtij përshkrimi janë të përcaktuara kushtet minimale të përgatitjes profesionale, përvojës në punë dhe shkathtësive të tjera si dhe hierarkia e dhënies së përgjegjësisë. Kompania tenton që gjatë periudhës së planifikuar 2009-2011 të ngrit efikasitetin e stafit. Deri në 2011 Treguesi i Efikasitetit te stafit (numri i të punësuarve për 1000 konsumatorë) pritet të jetë 7.0

5.2 Trajnimi i Stafit

Ekipi menaxhues, duke u bazuar në vlerësimin e kryer në 2008 për identifikimin e nivelit të aftësive të stafit dhe me qëllim të ngritjes së këtij niveli, planifikon që gjatë periudhës 2009-2011 të realizoj trajnimet si në vijim: Menaxhmenti i Lartë do të pranoj trajnime nga projekti ‘Projekti Udhëzues’ në lidhje me përgatitjen e planit të biznesit dhe metodat efikase të menaxhimit të kompanisë. Personeli i kontabilitetit do të trajnohet në modulet e reja të sistemit informatik të menaxhmentit si Moduli i Mjeteve Themelore dhe Moduli i të Ardhurave Personale. Trajnimi pritet të realizohet gjatë vitit 2009 nga Kompania ‘Pro.net’. Ekipi i hartave do të pranojë trajnime në punën me AutoCad dhe Access.

5.3 Politika e Pagesës së Stafit

Gjatë periudhës planifikuese 2009-2011 nuk parashihet ndonjë ndryshim sa i përket kategorizimit të kompenzimit të stafit. Në përgjithësi të gjitha kontratat do të rishikohen çdo 12 muaj. Performanca e Drejtorit Menaxhues si dhe stafit tjetër menaxhues do të vlerësohet duke u bazuar ne arritjen e objektivave (shiko detajet në Tabelat 4 & 5). Skema e paraqitur në vijim është subjekt i aprovimit nga ana e Bordit të Drejtorëve të Kompanisë.

21 nga 27

Page 22: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

Tabela 4. Skema e bonusit në 2009 për Drejtorin menaxhues Treguesit e përformancës

Vlerat e pritura në 2009

Paga bazike

Pesha % e bonusit

Bonusi neto vjetor

Rënia e ujit të pafaturuar %

53% €790 33.3% 10% €950

Shkalla e arkëtimit % 74% €790 33.3% 10% €950

Shpenzimet për njësi 0.16 €790 33.3% 10% €950

Pagesa totale vjetore €2,850

Tabela 5. Skema e bonusit në 2009 për Menaxherët tjerë Treguesit e përformancës

Vlerat e pritura në 2009

Paga bazike

Pesha % e bonusit

Bonusi neto vjetor

Rënia e ujit të pafaturuar %

53% €570 33.3% 10% €627

Shkalla e arkëtimit % 74% €570 33.3% 10% €627

Shpenzimet për njësi 0.16 €570 33.3% 10% €627

Pagesa totale vjetore €1,881

Për të gjithë menaxherët €5,643

22 nga 27

Page 23: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

6 Plani i Investimeve Plani i Investimeve (shpenzimet kapitale) është zhvilluar në përputhje me Metodologjinë për Planifikimin e Investimeve, d.m.th. aty ku kanë ekzistuar zgjidhje alternative për tejkalimin e problemeve të identifikuara, opsionet janë vlerësuar duke e përdorur rrjedhjen e zbritur te parasë gjatë periudhës të jetëgjatësisë së mjeteve themelore. Planet më të detajizuara të secilit projekt gjenden në Kompani. Për arsye se shumica e projekteve kapitale të propozuara nga Kompania në ZRRUM, për periudhën 2009-2011, nuk do të mund të merreshin parasysh (për shkak të vlerës së lartë) gjatë përcaktimit të tarifave të reja, Kompania kryesisht ka fokusuar planin e saj të investimeve vetanake në mirëmbajtjen kapitale - që të mirëmbajë performancën e aseteve infrastrukturore dhe jo-infrastrukturore - më shumë se sa në ngritjet kapitale - që të plotësojnë rritjet e kërkesave për shërbime nga konsumatorët ekzistues apo ata të rinj. 6.1 Plani i Investimeve në 2009

ID e Projektit dhe Titulli: P 001 Blerja e ujëmatësve shtëpiak DN-3/4 dhe DN-1/2

Afati kohor i përfundimit: Shkurt-Dhjetor 2009

Vlera e përllogaritur: €11,165

Burimi i financimit: I mbrendshëm (nga mjetet vetanake)

Përshkrimi: Deri në fund të vitit 2008 rreth 20% e konsumatorëve kanë qenë pa ujëmatësa.

Me qëllim të njohjes së konsumimit real nga ana e konsumatorëve dhe si rrjedhoj të zvogëlimit të humbjeve të ujit Kompania planifikon të i furnizon rreth 320 konsumatorë me ujëmatësa nga mjetet vetanake.

ID e Projektit dhe Titulli: P 002 Blerja e ujëmatësve shtëpiak DN-3/4 dhe DN-1/2

Afati kohor i përfundimit: Prill-Dhjetor 2009

Vlera e përllogaritur: €39,375

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Deri në fund të vitit 2008 rreth 20% e konsumatorëve kanë qenë pa ujëmatësa.

Me qëllim të njohjes së konsumimit real nga ana e konsumatorëve dhe si rrjedhoj të zvogëlimit të humbjeve të ujit Kompania planifikon të i furnizon rreth 1,125 konsumatorë me ujëmatësa. Ky investim pritet të realizohet me ndihmën e Donatorëve Zviceran përmes projektit ‘Projekti Udhëzues’.

23 nga 27

Page 24: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

ID e Projektit dhe Titulli: P003 Ndërtimi i Objektit për Administratë, Gjilan

Afati kohor i përfundimit: 2009

Vlera e përllogaritur: €180, 000

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Objekti ekzistues është shumë i vjetër dhe me sipërfaqe të pamjaftueshme për punëtorët e administratës së Kompanisë.

Projekti parasheh ndërtimin e një objekti të ri që do të ndikon në përmirësimin e kushteve të punës.

ID e Projektit dhe Titulli: P 004 Instalimi i rrjetit të ujësjellësit në zonat e pambuluara me shërbime të ujit të pijshëm, në rrugët ’Car Llazari’ dhe ’Fehmi Agani’, Kamenicë, L=500m

Afati kohor i përfundimit: 2009

Vlera e përllogaritur: €33,765

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Kërkesat e banorëve për ujë të pijshëm planifikohen të plotësohen gjatë vitit 2009 në rrugët ’Car Llazari’ dhe ’Fehmi Agani’, Kamenicë.

Gypat e ri të ujësjellësit do të jenë të materialit PE-100.

Llogaritet të blehen dhe instalohen rreth L=500m gyp të ujësjellësit.

Projekti parasheh përmiresimin e shërbimit me ujë të pijshëm për qytetin e Kamenicës.

6.2 Plani i Investimeve në 2010

ID e Projektit dhe Titulli: P 005 Ndërtimi i sistemit të furnizimit me ujë në zonën veri-perëndimore (Livadhet e Koretishtës) të Gjilanit

Afati kohor i përfundimit: 2009

Vlera e përllogaritur: €340, 000

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Projekti parasheh ndërtimin e sistemit i cili do të përmbajë:

shpimin e 4 puseve të reja në lokacionin ‘Livadhet e

24 nga 27

Page 25: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

Koretishtes’ në Gjilan

ndërtimin e stacionit të pompave

ndërtimin e rezervuarit me kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar kërkesat ditore për konsumatorët e Gjilanit

ndërtimin e gypave të ujësjellësit transportues nga fusha e puseve deri te rezervuari.

Nga ky projekt pritet të fitohet një sasi e ujit prej afërsisht 40 l/s. Pastaj përmes stacionit të pompave uji do të bartet nga puset deri te rezervuari i cili do të ndërtohet në një nivel të përshtatshëm për furnizim normal të banorëve. Projekti pritet të i furnizojë dy lagje kryesore të qytetit, Dardania I dhe II me afër 10,000 banorë, njëherit bënë edhe përmirësimin e furnizimit me ujë në pjesë të tjera të qytetit duke e bërë shkarkimin e kësaj pjese nga sistemi ekzistues i furnizimit ujë.

ID e Projektit dhe Titulli: P 006 Eliminimi i turbullirës në burimin e ujit në Letnicë, Viti

Afati kohor i përfundimit: 2010

Vlera e përllogaritur: €50,000

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Përmes këtij projekti planifikohet ndërtimi i një sistemi filtrues me rërë i cili do të jetë në gjendje të eliminojë turbullirën në shkallë të lejushme të NTU-s.

Objekti planifikohet të ndërtohet në afërsi të Fabrikës së Përpunimit të Ujit në Letnicë, para hyrjes së ujit në fabrikë

ID e Projektit dhe Titulli: P 007 Ndërtimi i rrjetit në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, Viti

Afati kohor i përfundimit: 2010

Vlera e përllogaritur: €100,000

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Është vlerësuar se dimenzioni jo i duhur i gypave të ujit në qytetin e Vitisë shkakton pengesë kryesore në furnizimin me ujë të pijshëm të konsumatorëve ekzistues.

Projekti parasheh përmirësimin e shërbimeve me ujë të pijshëm duke pas parasysh se gypat në këtë pjesë të qytetit përveç se janë të dimenzionit më të vogël janë

25 nga 27

Page 26: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

edhe të vjetëruar ku per pasojë humbjet teknike të ujit janë vlerësuar të jenë të medha.

Profili i gypave ekzistues është Ø80 (AÇ) ndërsa me këtë projekt parashihet të rritet diametri i gypave xxx bazuar në analizat e nxjerrura nga modelimi hidraulik.

Kyçja do të bëhet në gypin kryesor Ø250 PEHD-100, i cili transporton ujin nga Fabrika e Përpunimit të Ujit në Letnicë deri në hyrje të qytetit.

6.3 Plani i Investimeve në 2011

ID e Projektit dhe Titulli: P 008 Ndërtimi i gypave të ujësjellësit Ø600, L= 7000 m; dhe Ø300, L= 6100m’

Afati kohor i përfundimit: 2011

Vlera e përllogaritur: €600,000

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Projekti parasheh ndërtimin e një rrjeti tjetër kryesor paralel me atë ekzistues nga Perlepnica deri në qytetin e Gjilanit, të dimensionit Ø600mm nga materiali HDPE.

Poashtu parasheh edhe ndërtimin e rrjetit të ri përgjatë rrugës tranzite të Gjilanit, nga fabrika e Baterive deri te rruga e Ferizajit, me dimension Ø300mm nga materiali HDPE.

Projekti konsiston në zvogëlimin e problemeve të furnizimit me ujë në afatë të gjatë.

ID e Projektit dhe Titulli: P 009 Ndërtimi i një rezervuari me kapacitet V=2,500m3

Afati kohor i përfundimit: 2011

Vlera e përllogaritur: €800,000

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Aktualisht Gjilani ka një rezervuar me kapacitet V=500m3 i cili as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e konsumit ditor me ujë të pijshëm.

Ndërtimi i një rezervuari të ri me kapacitet V=2,500m3, në nivelin dhe lokacionin e njëjtë të rezervuarit ekzistues të ujit gjegjësisht në ‘Kodrën e Dëshmorëve’, do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për konsumatorët ekzistues por edhe për ata që planifikohen

26 nga 27

Page 27: PLANI I BIZNESIT 2009-2011

KRUK ‘Hidromorava’, sh.a., Plani i Biznesit 2009-2011

27 nga 27

të kyçen në rrjetin e ujësjellësit gjatë viteve të ardhshme.

ID e Projektit dhe Titulli: P 010 Ndërtimi i një rezervuari me kapacitet V=500m3

Afati kohor i përfundimit: 2011

Vlera e përllogaritur: €70,000

Burimi i financimit: I jashtëm (nga donatorët)

Përshkrimi: Ndërtimi i një rezervuari të ri me kapacitet V=500m3 në nivelin maksimal, saktësisht në kuotën 600 të lartësisë mbidetare, do të jetë një zgjidhje e duhur për furnizimin me ujë të pijshëm të tërë zonës së shërbimit duke perfshirë edhe ato lagje të cilat shtrihen në kuota të larta mbidetare.

Transportimi i ujit planifikohet të bëhet përmes sistemit të pompimit nga rezervari që pritet të ndërtohet me kapacitet V= 2500m3.